KAPITULLI 10
«Fjala e Jehovait përhapej»
Pjetri shpëtoi nga burgu, dhe përndjekja nuk arriti ta ndalte përhapjen e lajmit të mirë
Bazuar te Veprat 12:1-25
1-4. Cilën situatë të vështirë hasi Pjetri, dhe si do të ndiheshe po të ishe në vend të tij?
ME NJË zhurmë kumbuese, porta e madhe prej hekuri u mbyll pas Pjetrit. E çuan në qeli, të lidhur me zinxhirë mes 2 rojave romake. Atje qëndroi me orë të tëra, ndoshta edhe ditë, duke pritur se ç’do të bëhej me të. Nuk shihte gjë tjetër veç mureve, hekurave të burgut, zinxhirëve të tij dhe rojave.
2 Lajmi që mori, ishte i zymtë. Mbreti Herod Agripa I ishte i vendosur ta ekzekutonte.a Madje, pas Festës së Kalimit, do ta nxirrte para popullit dhe do ta dënonte me vdekje si një dhuratë për të kënaqur turmat. Nuk ishte një kërcënim sa për të thënë. Para pak kohësh, i njëjti sundimtar kishte ekzekutuar një apostull tjetër, Jakovin.
3 Ishte mbrëmja para se ta ekzekutonin. Ç’po mendonte Pjetri në qelinë e tij të errët? Mos iu kujtuan fjalët e Jezuit, vite më parë, kur kishte thënë se Pjetrin një ditë do ta lidhnin e do ta çonin atje ku nuk donte, drejt vdekjes? (Gjoni 21:18, 19) Mbase pyeste veten nëse kishte ardhur momenti.
4 Si do të ndiheshe, po të ishe në vend të Pjetrit? Shumë do të dëshpëroheshin e do të mendonin se gjendja ishte e pashpresë. Por, a ka ndonjë situatë me gjithë mend të pashpresë për një dishepull të vërtetë të Jezu Krishtit? Ç’mund të mësojmë nga mënyra si reaguan Pjetri dhe të krishterët e tjerë kur i përndoqën? Le të shohim.
‘Kongregacioni lutej me zjarr’ (Veprat 12:1-5)
5, 6. (a) Pse dhe si e sulmoi mbreti Herod Agripa I kongregacionin e krishterë? (b) Pse vdekja e Jakovit ishte sprovë për kongregacionin?
5 Në kapitullin e mëparshëm mësuam se Korneli jojude dhe familja e tij u bënë të krishterë. Kjo ishte një ngjarje shumë emocionuese për kongregacionin. Por judenjtë që nuk bënin pjesë në kongregacionin e krishterë, duhet të jenë tronditur kur mësuan se të krishterët judenj tani po adhuronin Perëndinë lirisht bashkë me jojudenjtë.
6 Herodi, një politikan dinak, e shfrytëzoi këtë rast për të fituar pëlqimin e judenjve, prandaj nisi të keqtrajtonte të krishterët. Pa dyshim, kishte dëgjuar se apostulli Jakov kishte qenë shumë i afërt me Jezu Krishtin. Prandaj, e «vrau me shpatë Jakovin, vëllanë e Gjonit». (Vep. 12:2) Çfarë sprove për kongregacionin! Jakovi ishte një ndër tre burrat që kishin parë shpërfytyrimin e Jezuit dhe mrekulli të tjera që nuk iu zbuluan apostujve të tjerë. (Mat. 17:1, 2; Mar. 5:37-42) Jezui i kishte mbiquajtur «bij të bubullimës» Jakovin dhe vëllanë e tij, Gjonin, për shkak të karakterit të tyre të zjarrtë. (Mar. 3:17) Prandaj kongregacioni humbi një dëshmitar të guximshëm e besnik dhe një apostull të dashur.
7, 8. Si reagoi kongregacioni kur u burgos Pjetri?
7 Ashtu si kishte shpresuar Agripa, judenjtë u kënaqën që Jakovi u ekzekutua. Kjo i dha zemër mbretit që të persekutonte edhe Pjetrin. Siç u përshkrua në fillim të kapitullit, urdhëroi arrestimin e tij. Por ndoshta i kujtohej se burgjet s’ia kishin dalë gjithnjë t’i mbanin mbyllur apostujt, siç e vumë re në kapitullin 5 të këtij libri. Ai s’donte të rrezikonte, prandaj e lidhi me zinxhirë mes 2 rojave. Gjithsej caktoi 16 roja që ta ruanin me radhë ditë e natë, për t’u siguruar se ky apostull nuk do t’i ikte. Po të ikte, rojat do të merrnin dënimin që i ishte dhënë Pjetrit. Në këto rrethana ekstreme, ç’mund të bënin të krishterët e tjerë?
8 Kongregacioni e dinte mirë se ç’duhej të bënte. Te Veprat 12:5 lexojmë: «Pjetrin po e mbanin në burg, ndërkohë që kongregacioni i lutej me zjarr Perëndisë për të.» Po, ata po i përgjëroheshin me zjarr e me gjithë zemër Perëndisë për vëllanë e tyre të dashur. Vdekja e Jakovit nuk i kishte zhytur në dëshpërim dhe as i kishte bërë ta shihnin lutjen si diçka të pavlerë. Lutjet kanë shumë rëndësi për Jehovain. Nëse janë në përputhje me vullnetin e tij, ai u përgjigjet patjetër. (Hebr. 13:18, 19; Jak. 5:16) Të krishterët sot duhet t’i japin rëndësi këtij mësimi.
9. Si t’i imitojmë të krishterët e shekullit të parë që u lutën për Pjetrin?
9 A njeh bashkëbesimtarë që po kalojnë shumë sprova? Ndoshta po përjetojnë përndjekje, ndalime qeveritare ose katastrofa natyrore. Pse të mos lutesh me gjithë shpirt për ta? Ndoshta njeh edhe disa të tjerë që po kalojnë vështirësi më pak të dukshme, si probleme familjare, shkurajim ose ndonjë sprovë besimi. Nëse mediton para se të lutesh, mund të të kujtohen disa që t’i përmendësh me emër kur të flasësh me Jehovain, ‘Dëgjuesin e lutjes’. (Psal. 65:2) Fundja, edhe ti ke nevojë që vëllezërit e motrat të bëjnë të njëjtën gjë për ty në rast se kalon kohë të vështira.
«Më ndiq» (Veprat 12:6-11)
10, 11. Përshkruaj si e çliroi Pjetrin nga burgu engjëlli i Jehovait.
10 A ishte në ankth Pjetri për rrezikun që i kanosej? S’mund ta themi me siguri, por natën e fundit që ishte në burg, kishte rënë në gjumë të thellë mes 2 rojave vigjilentë që e ruanin. Patjetër që ai njeri me besim e dinte se, çfarëdo të ndodhte të nesërmen, do të ishte i sigurt në duart e Jehovait. (Rom. 14:7, 8) Gjithsesi, Pjetri as mund t’i imagjinonte ngjarjet mahnitëse që do të ndodhnin pas pak. Papritur, qelia e tij u mbush me dritë. U shfaq një engjëll, të cilin me sa duket rojat nuk e shihnin, dhe e zgjoi me ngut Pjetrin. Zinxhirët që kishte në duar e që dukeshin të pathyeshëm, iu liruan fare kollaj!
11 Engjëlli i dha Pjetrit një sërë urdhrash të prerë: «Ngrihu shpejt! . . . Vishu e mbath sandalet. . . . Hidh krahëve veshjen e sipërme.» Pjetri u bind menjëherë. Së fundi, engjëlli e urdhëroi: «Më ndiq», dhe ai e ndoqi. Dolën nga qelia, kaluan përmes truprojave që ndodheshin jashtë dhe u drejtuan në heshtje për te porta e madhe prej hekuri. Si ta kalonin atë? Edhe sikur Pjetrit t’i kishte shkuar nëpër mend kjo pyetje, nuk zgjati shumë. Teksa iu afruan portës, ajo «u hap vetë para tyre». Sa hap e mbyll sytë dolën nga porta, shkuan nëpër një rrugë dhe pastaj engjëlli u zhduk. Pjetri mbeti atje dhe sakaq kuptoi se e gjithë kjo kishte ndodhur vërtet. S’ishte vegim. Ai ishte i lirë!—Vep. 12:7-11.
12. Pse është ngushëlluese të mendojmë për mënyrën si e çliroi Jehovai Pjetrin?
12 A s’është ngushëlluese të mendojmë për fuqinë e pakufishme të Jehovait për t’i çliruar shërbëtorët e vet? Pjetrin e kishte burgosur një mbret që mbështetej nga fuqia më e madhe politike që kishte pasur ndonjëherë bota. E megjithatë, iku pa problem nga burgu! Kuptohet, Jehovai nuk kryen mrekulli të tilla për të gjithë shërbëtorët e tij. Nuk kishte vepruar kështu për Jakovin dhe nuk e bëri këtë për Pjetrin më vonë, kur u përmbushën fjalët që kishte thënë Jezui për të. Sot ne si të krishterë nuk presim çlirim me anë të ndonjë mrekullie. Megjithatë, nuk harrojmë se Jehovai s’ka ndryshuar. (Mal. 3:6) Së shpejti, ai do të përdorë Birin e tij për të çliruar miliona e miliona njerëz nga burgu më i pathyeshëm—vdekja. (Gjoni 5:28, 29) Këto premtime mund të na japin shumë guxim kur hasim sprova.
«E panë dhe u befasuan» (Veprat 12:12-17)
13-15. (a) Si reagoi kongregacioni i mbledhur te shtëpia e Marisë, kur mbërriti Pjetri? (b) Ku përqendrohet më tej libri i Veprave, por ç’ndikim vazhdoi të kishte Pjetri te bashkëbesimtarët?
13 Pjetri u gjend në një rrugë të errët dhe po mendonte ku të shkonte. Pastaj e vendosi. Aty afër banonte një e krishterë që quhej Mari. Kjo vejushë, që me sa duket kishte njëfarë mirëqenieje ekonomike, kishte një shtëpi aq të madhe sa të mblidhej një kongregacion. Ajo ishte nëna e Gjon Markut, të cilin tregimi i Veprave e përmend këtu për herë të parë dhe që më vonë u bë si një bir për Pjetrin. (1 Pjet. 5:13) Atë natë, shumë pjesëtarë të kongregacionit ishin në shtëpinë e Marisë, pavarësisht nga ora e vonë, dhe po luteshin me zjarr. Pa dyshim po luteshin për çlirimin e Pjetrit, por s’e pritnin që Jehovai të përgjigjej kaq shpejt!
14 Pjetri trokiti te porta e jashtme, që ndodhej te oborri përpara shtëpisë. Një shërbëtore që quhej Rode, emër tipik grek që do të thotë «trëndafil», doli të shihte kush trokiste. S’u besonte dot veshëve. Ishte zëri i Pjetrit! Në vend që të hapte portën, nga gëzimi ajo e la në rrugë, vrapoi brenda dhe u përpoq të bindte kongregacionin se te porta ishte Pjetri. Ata menduan se ishte çmendur, por ajo nuk dorëzohej kollaj. Ngulte këmbë se po thoshte të vërtetën. Duke besuar se mund të kishte të drejtë, disa sugjeruan se ndoshta ishte një engjëll që përfaqësonte Pjetrin. (Vep. 12:12-15) Ndërkaq, Pjetri vazhdonte të trokiste, derisa, më në fund, vajtën te porta dhe e hapën.
15 Kur «e panë» te porta, ata «u befasuan». (Vep. 12:16) Pjetri fillimisht duhej të qetësonte gumëzhimat e lumtura që: t’u tregonte ç’i kishte ndodhur, t’i udhëzonte që t’ia tregonin këtë dishepullit Jakov dhe vëllezërve, e pastaj të ikte para se ta gjenin ushtarët e Herodit. Ai vazhdoi të shërbente me besnikëri në një vend tjetër më të sigurt. Pas kësaj, nuk përmendet më në tregim, përveç ndihmës që dha për zgjidhjen e çështjes së rrethprerjes, siç e lexojmë në kapitullin 15 të Veprave. Më tej, libri i Veprave e kthen vëmendjen te shërbimi dhe udhëtimet e apostullit Pavël. Por mund të jemi të sigurt se Pjetri u ka forcuar besimin vëllezërve dhe motrave, kudo që të ketë shkuar. Grupi që la në shtëpinë e Marisë, patjetër që ishte i gëzuar.
16. Pse jemi të sigurt se në të ardhmen do të kemi plot raste për t’u gëzuar?
16 Nganjëherë Jehovai u jep shërbëtorëve të vet më tepër se ç’mund të shpresojnë, duke i lënë pa fjalë nga lumturia. Pikërisht kështu u ndien vëllezërit dhe motrat që takoi Pjetri atë natë. Kështu mund të ndihemi edhe ne nganjëherë kur përjetojmë bekimin e pasur të Jehovait. (Prov. 10:22) Në të ardhmen, do të shohim përmbushjen në shkallë botërore të të gjitha premtimeve të Jehovait. Realitetet e lavdishme do të jenë ku e ku më të mrekullueshme se ajo që mund të përfytyrojmë sot. Prandaj, nëse qëndrojmë besnikë, mund të presim kohë të lumtura.
«Engjëlli i Jehovait e goditi» (Veprat 12:18-25)
17, 18. Çfarë e nxiti turmën t’i thurte lajka Herodit?
17 Ikja e Pjetrit habiti edhe Herodin, por s’ishte një surprizë e këndshme. Ai menjëherë urdhëroi ta kërkonin gjithandej, pastaj mori në pyetje rojat. Urdhëroi që ata «të ndëshkoheshin», me siguri me vdekje. (Vep. 12:19) Herod Agripa nuk do të kujtohet për dhembshurinë ose mëshirën e tij. Por, a u ndëshkua ndonjëherë ky njeri mizor?
18 Agripa mund të jetë ndier i poshtëruar që nuk arriti të ekzekutonte Pjetrin, por shpejt gjeti ngushëllim për sedrën e tij të fyer. Lindi një situatë ku disa armiq të tij donin të bënin paqe me të, dhe me siguri mezi priste të mbante fjalim para një auditori të madh. Luka raporton se në përgatitje të kësaj, «Herodi u vesh me rrobat mbretërore». Historiani jude Jozef Flavi shkroi se rrobat e Herodit ishin bërë me fije argjendi, dhe kur rrezet e diellit binin mbi mbretin, ai dukej si një perëndi. Pastaj, ky politikan arrogant mbajti një fjalim. Turma lajkatare thirri: «Zë perëndie, e jo njeriu!»—Vep. 12:20-22.
19, 20. (a) Pse e ndëshkoi Jehovai Herodin? (b) Si na ngushëllon tregimi për fundin e papritur të Herod Agripës?
19 Një lavdi e tillë i takonte vetëm Perëndisë, dhe Ai po shikonte. Herodi kishte mundësi ta shmangte katastrofën. Mund ta kishte qortuar turmën ose të paktën të mos kishte rënë dakord me të. Në vend të kësaj, ai u bë portretizim i proverbit: «Krenaria vjen para rrëzimit.» (Prov. 16:18) «Në çast, engjëlli i Jehovait e goditi», duke i shkaktuar një vdekje të llahtarshme këtij njeriu të krekosur dhe egocentrik. Herodin «e brenë krimbat dhe vdiq». (Vep. 12:23) Edhe Jozef Flavi komentoi se Agripa u godit papritur dhe shtoi se mbreti e kuptoi që po vdiste ngaqë pranoi lajkat e turmës. Ai shkroi se Agripa lëngoi 5 ditë para se të vdiste.b
20 Nganjëherë mund të duket se njerëzit që shpërfillin Perëndinë ia hedhin pa u lagur, edhe pse kryejnë lloj-lloj ligësish. Kjo s’duhet të na habitë, sepse «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut». (1 Gjon. 5:19) Gjithsesi, ndonjëherë shërbëtorët besnikë të Perëndisë mërziten kur të ligjtë duket se i shpëtojnë drejtësisë. Kjo është një arsye pse na ngushëllojnë tregime të tilla. Në to shohim se Jehovai vepron, duke u kujtuar të gjithë shërbëtorëve të tij se e do drejtësinë. (Psal. 33:5) Herët a vonë, drejtësia e tij do të triumfojë.
21. Cilin mësim të rëndësishëm përmban kapitulli 12 i Veprave dhe pse mund të na ngushëllojë sot?
21 Tregimi mbyllet me një mësim edhe më zemërdhënës: «Ndërkohë, fjala e Jehovait përhapej, dhe gjithnjë e më shumë njerëz besonin.» (Vep. 12:24) Ky raport i përparimit dhe i përhapjes së veprës së predikimit, mund të na sjellë ndër mend si e ka bekuar Jehovai në ditët e sotme të njëjtën vepër. Qartë, tregimi në kapitullin 12 të Veprave nuk flet vetëm për vdekjen e një apostulli dhe shpëtimin e një tjetri. Flet për Jehovain dhe për mënyrën si ia prishi planet Satanait për të shkatërruar kongregacionin e krishterë e për të ndalur veprën e zellshme të predikimit. Ato sulme dështuan, ashtu siç do të dështojë çdo intrigë e tillë. (Isa. 54:17) Kurse ata që janë në anën e Jehovait dhe të Jezu Krishtit, po bëjnë një vepër që nuk do të dështojë kurrë. A nuk është inkurajues ky mendim?! Ç’privilegj të madh kemi, të ndihmojmë në përhapjen e ‘fjalës së Jehovait’ sot!
a Shih kutinë «Mbreti Herod Agripa I».
b Një mjek dhe autor shkroi se simptomat që përshkroi Jozef Flavi dhe Luka mund të jenë shkaktuar nga askaridet që krijojnë një bllokim zorrësh vdekjeprurës. Disa herë pacienti i vjell këta krimba, ose i dalin nga trupi në kohën kur vdes. Një vepër referimi komenton: «Saktësia profesionale e Lukës si mjek, nxjerr në pah tmerrin e vdekjes [së Herodit].»