Kapitulli Pesë
Mjeshtëria: Ç’ka pas kësaj vepre?
SIÇ është vërejtur në kapitujt e mëparshëm, zbulimet moderne shkencore ofrojnë një bollëk dëshmish bindëse që universi dhe jeta mbi tokë e kanë pasur një fillim. Çfarë e shkaktoi fillimin e tyre?
Pasi kanë studiuar dëshmitë në dispozicion, shumë veta kanë nxjerrë përfundimin se duhet të ketë një Shkak të parë. Megjithëkëtë, ata mund të shmangen e të mos i bashkëngjitin personalitet këtij Shkaku. Një mungesë e tillë dëshire për të folur për një Krijues pasqyron qëndrimin e disa shkencëtarëve.
Për shembull, Albert Ajnshtajni ishte i bindur se universi kishte pasur një fillim dhe shprehu dëshirën e tij «për të ditur se si e krijoi Perëndia botën». Megjithatë, Ajnshtajni nuk pohoi se besonte në një Perëndi personal, ai foli për një «ndjenjë fetare [kozmike], e cila nuk njeh asnjë dogmë dhe asnjë koncept të një Perëndie, në shëmbëllimin e njeriut». Në mënyrë të ngjashme, fituesi i çmimit Nobel, kimisti Keniki Fukui shprehu bindjen për një strukturë të madhe në univers. Ai tha se «kjo hallkë e madhe lidhëse dhe kjo strukturë mund të shprehen me fjalë të tilla si ‘Absoluti’ ose ‘Perëndia’». Por ai e quajti atë një «veçanti të natyrës».
A e dini se një besim i tillë në një shkak abstrakt shkon paralel me shumë nga mendimet fetare lindore? Shumë orientalë besojnë se natyra erdhi në ekzistencë vetvetiu. Kjo ide shprehet madje edhe në shkronjat e gjuhës kineze për të paraqitur natyrën, që fjalë për fjalë do të thotë «bëhet nga vetvetja » ose «vetekzistuese». Ajnshtajni besoi se ndjenja e tij kozmike fetare ishte shprehur fare mirë në budizëm. Buda besonte se nuk kishte rëndësi nëse një Krijues kishte pasur dorë në sjelljen në ekzistencë të universit dhe të njerëzve. Në mënyrë të ngjashme, shintoizmi nuk siguron asnjë shpjegim mbi ekzistencën e natyrës dhe shintoistët besojnë që perënditë janë frymërat e të vdekurve, të cilët mund të bëhen pjesë e natyrës.
Është interesante se një mënyrë e tillë e të menduarit nuk ishte shumë larg nga pikëpamjet që ishin të përhapura në Greqinë e Lashtë. Thuhet që filozofi Epikur (341-270 p.e.s.) ka besuar se ‘perënditë janë tepër larg për t’ju bërë si keq, ashtu edhe mirë’. Ai besonte se njeriu është një produkt i natyrës, ka të ngjarë nëpërmjet lindjes spontane dhe përzgjedhjes natyrore të më të aftit. Nga kjo ju mund të kuptoni se idetë e sotme të ngjashme nuk janë aspak moderne.
Në të njëjtën periudhë me epikurianët ishin stoikët grekë, të cilët i dhanë natyrës pozitën e Perëndisë. Ata supozuan se kur njerëzit vdesin, energjia abstrakte prej tyre rithithet në masën e pakufizuar të energjisë, e cila përbën Perëndinë. Ata mendonin se bashkëpunimi me ligjet e natyrës ishte e mira supreme. A keni dëgjuar pikëpamje të tilla në ditët tona?
Diskutim mbi një Perëndi personal
Pavarësisht nga këto, ne nuk duhet ta hedhim poshtë të gjithë informacionin që kemi nga Greqia e Lashtë si një histori e vjetëruar. Në kontekstin e këtyre besimeve, një mësues i shquar në shekullin e parë paraqiti një nga fjalimet më domethënëse të historisë. Mjeku dhe historiani Luka e regjistroi këtë fjalim në librin Veprat e apostujve, në kapitullin 17. Ai mund të na ndihmojë të fiksojmë përfundimisht pikëpamjen tonë për Shkakun e parë dhe të kuptojmë se ku është vendi ynë në këtë përshkrim. Megjithatë, si mund të ndikojë në jetën e njerëzve sot një fjalim i bërë 1.900 vjet më parë, ndërsa individët e sinqertë kërkojnë për një domethënie të kësaj jete? Le të shohim se si.
Ai mësues i famshëm, Pavli, ishte ftuar në gjykatën e lartë të Athinës. Atje ai u ballafaqua me epikurianët dhe me stoikët, të cilët nuk besonin në një Perëndi personal. Në fjalët e tij hyrëse, Pavli përmendi se kishte parë në qytetin e tyre një altar që i ishte dedikuar «Perëndisë së Panjohur» (greqisht A·gnoʹstoi The·oiʹ). Në mënyrë interesante, disa mendojnë se biologu Tomas H. Huksli (1825-1895) aludoi për këtë kur shpiku termin «agnostik». Huksli ia aplikoi fjalën atyre që besonin se «shkaku themelor (Perëndia) dhe natyra thelbësore e gjërave janë të panjohura ose të panjohshme». Por a është me të vërtetë «i panjohshëm» Krijuesi, siç kanë besuar shumë persona?
Ta themi hapur, ky është një aplikim i gabuar i frazës së thënë nga Pavli, sepse nuk e shpreh kuptimin e asaj që donte të thoshte ai. Në vend se të thoshte që Krijuesi ishte i panjohshëm, Pavli thjesht po thoshte se Ai ishte i panjohur për ata athinas. Pavli nuk kishte në dispozicion kaq shumë dëshmi shkencore për ekzistencën e një Krijuesi sa kemi ne sot. Megjithatë, Pavli nuk kishte dyshim se ekziston një Projektues personal e inteligjent, cilësitë e të cilit duhet të na tërheqin drejt tij. Vëreni se çfarë tha më tej Pavli:
«Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall. Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë; dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut.» (Veprat 17:23-26) Një mënyrë interesante arsyetimi, a nuk jeni dakord?
Po, në vend se të sugjeronte që Perëndia ishte i panjohshëm, Pavli po e vinte theksin mbi faktin se ata që bënë altarin athinas, si edhe shumë persona në auditorin e tij, akoma nuk e njihnin Atë. Atëherë, Pavli i nxiti ata dhe të gjithë personat e tjerë, të cilët që nga ajo kohë kanë lexuar fjalimin e tij, të kërkonin të njihnin Krijuesin, sepse «ai nuk është larg nga secili prej nesh». (Veprat 17:27) Ju mund ta kuptoni që Pavli me takt prezantoi faktin se ne mund të shohim dëshmi të një Krijuesi të të gjitha gjërave, duke vëzhguar krijimin e tij. Duke bërë këtë, ne mund të shquajmë edhe disa nga cilësitë e tij.
Ne kemi shqyrtuar disa linja dëshmish që tregojnë për një Krijues. Njëra është universi i pamasë, i organizuar në mënyrë inteligjente, i cili qartësisht ka pasur një fillim. Një tjetër është jeta mbi tokë, duke përfshirë projektimin e dukshëm në qelizat e trupit tonë. Dhe një e tretë është truri ynë, i shoqëruar nga vetëdija që kemi për ekzistencën tonë dhe nga interesimi ynë për të ardhmen. Por le të shohim, së pari, dy shembuj të tjerë të mjeshtërisë së Krijuesit, nga të cilat ndikohemi çdo ditë. Kur të bëni këtë, pyesni veten: ‘Çfarë më tregon kjo mbi personalitetin e Atij që e projektoi dhe e siguroi këtë?’
Të mësojmë nga mjeshtëria e tij
Edhe vetëm vëzhgimi i krijimit të tij na thotë shumë mbi Krijuesin. Pavli, në një rast tjetër, përmendi një shembull të kësaj gjëje kur i tha një turme në Azinë e Vogël: «Në brezat që shkuan ai [Krijuesi] la që të gjitha kombet të ndjekin rrugët e tyre, por nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme e duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim.» (Veprat 14:16, 17) Vëreni shembullin që dha Pavli se si Krijuesi, duke siguruar ushqim për njerëzimin, ka dhënë dëshmi për personalitetin e Vet.
Në disa vende sot, njerëzit mund ta konsiderojnë ushqimin si diçka normale. Diku tjetër, shumë veta luftojnë për të marrë ushqim të mjaftueshëm. Në secilin nga rastet, edhe mundësia e pasjes së ushqimit për t’u mbajtur gjallë varet nga mençuria dhe mirësia e Krijuesit tonë.
Ushqimi, si për njeriun dhe për kafshët, vjen si rezultat i cikleve të ndërlikuara, duke përfshirë ciklin e qarkullimit të ujit, ciklin e karbonit, ciklin e fosforit dhe ciklin e azotit. Është fakt i përhapur se në procesin jetësor të fotosintezës, bimët përdorin dyoksid karboni dhe ujë si lëndë të para për të prodhuar sheqerna, duke përdorur dritën e diellit si burim energjie. Meqë ra fjala, gjatë fotosintezës bimët lëshojnë oksigjen. A mund të klasifikohet kjo si «lëndë e padobishme»? Përdorimi i këtij nënprodukti vështirë se është i padobishëm. Është absolutisht thelbësore që ne të thithim oksigjen dhe ta përdorim atë për metabolizmin ose për djegien e ushqimit në trupin tonë. Ne nxjerrim jashtë dyoksidin e karbonit që prodhohet, të cilin bimët e përdorin përsëri si lëndë të parë për fotosintezën. Ne mund ta kemi studiuar këtë proces në një lëndë shkencore fillestare në shkollë, por kjo gjë nuk e bën më pak jetësor dhe më pak të mrekullueshëm këtë proces. Dhe ky është vetëm fillimi.
Në qelizat e trupit tonë dhe në ato të trupit të kafshëve, fosfori është jetësor për transferimin e energjisë brenda qelizave. Nga e marrim ne fosforin? Përsëri, nga bimët. Ato thithin fosfatet inorganike nga toka dhe i kthejnë në fosfate organike. Ne konsumojmë bimë që përmbajnë fosfor në formë organike dhe e përdorim këtë fosfor për aktivitete jetësore. Pas kësaj, fosfori kthehet në tokë në formën e «jashtëqitjeve» trupore, e në këtë mënyrë mund të thithet përsëri nga bimët.
Ne kemi nevojë, gjithashtu, për azotin, i cili është pjesë e çdo molekule proteinike dhe e ADN-së në trupin tonë. Si e marrim këtë element që është kaq thelbësor për jetën? Megjithëse rreth 78 për qind e ajrit përreth nesh është azot, as bimët e as kafshët nuk mund ta thithin atë drejtpërdrejt. Kështu, azoti që është në ajër duhet të shndërrohet në forma të tjera para se të merret nga bimët e më vonë të përdoret nga njerëzit dhe nga kafshët. Si ndodh ai shndërrim ose fiksim i azotit? Në mënyra të ndryshme. Një mënyrë është me anë të veprimit të shkarkimeve elektrike në ajër.a Fiksimi i azotit kryhet, gjithashtu, nga bakteret që jetojnë në nyjet e rrënjëve të bimëve bishtajore, siç janë bizelet, soja e kultivuar dhe jonxha. Këto baktere e shndërrojnë azotin atmosferik në komponime që bimët mund t’i përdorin. Në këtë mënyrë, kur hani perime jeshile ju merrni azotin, për të cilin trupi juaj ka nevojë që të prodhojë proteinat. Në mënyrë habitëse, ne gjejmë lloje të bishtajoreve në pyjet tropikale të shiut, në shkretëtira e madje në tundra. Dhe nëse në një zonë digjet e gjithë bimësia, bishtajoret zakonisht janë të parat bimë që mbijnë përsëri në grupe.
Sa të mrekullueshme janë këto sisteme riqarkullimi! Secili prej tyre bën një përdorim të mirë të lëndëve të padobishme që çlirohen nga ciklet e tjera. Energjia që nevojitet vjen kryesisht nga dielli ynë, një burim i pastër, i pashtershëm dhe i vazhdueshëm. Sa shumë bie në kontrast kjo me përpjekjet njerëzore për të riqarkulluar pasuritë natyrore! Madje edhe produktet e bëra nga dora e njeriut, të cilat janë quajtur miqësore për mjedisin, mund të mos i kontribuojnë një planeti më të pastër, për shkak të kompleksitetit të sistemeve njerëzore të riqarkullimit. Në lidhje me këtë, një raport lajmesh (U.S. News & World Report) theksoi se produktet duhen projektuar që komponentët e tyre me një vlerë kaq të madhe të vihen përsëri me lehtësi në përdorim me anë të riqarkullimit. A nuk është kjo ajo që vërejmë në këto cikle natyrore? Prandaj, çfarë zbulon kjo mbi mençurinë dhe paramendimin e Krijuesit?
I paanshëm dhe i drejtë
Në ndihmë për të parë më tej disa cilësi të Krijuesit, le të shqyrtojmë edhe një sistem tjetër: sistemin imunitar të trupit tonë. Edhe aty përfshihen bakteret.
«Megjithëse interesi i njeriut për bakteret shpesh përqendrohet në efektet e tyre të dëmshme,—vëren The New Encyclopædia Britannica,—shumica e baktereve nuk janë të dëmshme për qeniet njerëzore dhe shumë prej tyre faktikisht janë të dobishme.» Vërtet, ato janë të një rëndësie për jetë a vdekje. Bakteret luajnë një rol vendimtar në ciklin e sapopërmendur të azotit, si edhe në ciklet që përfshijnë dyoksidin e karbonit dhe disa elemente. Bakteret na nevojiten, gjithashtu, në aparatin tonë tretës. Ne kemi gati 400 lloje prej tyre vetëm në zorrën e trashë dhe ato ndihmojnë për të sintetizuar vitaminën K dhe për të përpunuar lëndët e padobishme. Për dobinë tonë të mëtejshme, bakteret ndihmojnë lopët për ta kthyer barin në qumësht. Baktere të tjera janë jetësore për fermentimin, për të bërë djathin, kosin, trangujt turshi, lakrat turshi dhe kimçin. Por çfarë do të ndodhte sikur bakteret të shkonin brenda trupit tonë në një vend ku nuk u përkiste?
Atëherë, deri në dy bilionë qeliza të bardha të gjakut në trupin tonë i luftojnë bakteret që mund të na dëmtojnë. Daniel E. Koshland, Jr., botues i revistës Science, shpjegon: «Sistemi imunitar është projektuar për të dalluar lëndët e huaja. Për të bërë këtë ai formon afërsisht 1011 [100.000.000.000] lloje të ndryshme receptorësh imunologjikë, në mënyrë që, pavarësisht se cila është forma ose modeli i lëndës së huaj, do të ketë ndonjë receptor plotësues për ta njohur atë dhe për të shkaktuar eliminimin e tij.»
Një lloj qelize që trupi ynë përdor për të luftuar lëndët e huaja është makrofagu, emri i tij do të thotë «ngrënësi i madh», një emër që i përshtatet, sepse ai gëlltit substancat e huaja në gjakun tonë. Për shembull, pasi ha një virus që është futur, makrofagu copëtohet në fragmente të vogla. Pas kësaj ai ekspozon ca proteinë nga virusi. Kjo pjesë proteine shenjëdhënëse shërben si një sinjal paralajmërues për sistemin tonë imunitar, duke dhënë alarmin për të lajmëruar se brenda nesh ka organizma të huaj të pranishëm dhe aktivë. Nëse një qelizë tjetër në sistemin tonë imunitar, qeliza ndihmëse T (timocite), e njeh proteinën e virusit, ajo shkëmben sinjale kimike me makrofagun. Këto lëndë kimike janë në vetvete proteina të jashtëzakonshme që kanë një sërë funksionesh mahnitëse, duke rregulluar dhe duke përforcuar reagimin e sistemit tonë imunitar ndaj futjes së lëndëve të huaja. Ky proces rezulton në një luftë të fortë kundër llojit specifik të virusit. Në këtë mënyrë, ne zakonisht ia dalim mbanë të kapërcejmë infeksionet.
Faktikisht, përfshihen shumë më tepër gjëra, por edhe ky përshkrim i shkurtër zbulon kompleksitetin e sistemit tonë imunitar. Si e morëm ne këtë mekanizëm të ndërlikuar? Ai është aty falas, pa marrë parasysh gjendjen financiare apo shoqërore të familjes sonë. Krahasojeni atë me padrejtësinë në shërbimet shëndetësore që vihen në dispozicion të shumicës së njerëzve. «Për OBSH-në [Organizata Botërore e Shëndetësisë], padrejtësia në rritje në këtë fushë është literalisht një çështje për jetë a vdekje, meqenëse të varfërit janë ata që e paguajnë çmimin e padrejtësisë shoqërore me shëndetin e tyre»,—shkroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, dr. Hiroshi Nakajima. Ju mund ta kuptoni, pra, këtë ankesë të bërë nga një banore e lagjeve të varfëra të San Paulos: «Për ne, shërbimet e mira shëndetësore janë si malli në vitrinën e një dyqani luksoz. Ne mund ta soditim, por është përtej mundësive tona për ta pasur.» Miliona njerëz përreth globit mendojnë në të njëjtën mënyrë.
Padrejtësi të tilla e shtynë Albert Shueitzer të shkonte në Afrikë për t’u siguruar shërbime shëndetësore atyre që ishin më pak të privilegjuar dhe përpjekjet e tij e bënë të meritonte çmimin Nobel. Cilat janë cilësitë që mendoni se kanë burrat dhe gratë, të cilët kanë bërë vepra të tilla të mira? Ka mundësi që ju ta kuptoni se ata kanë dashuri për humanizmin dhe një ndjenjë drejtësie, duke besuar se edhe njerëzit në vendet në zhvillim kanë të drejtë për shërbime shëndetësore. Ç’të themi atëherë për Siguruesin e sistemit të mrekullueshëm imunitar, të ndërtuar brenda nesh pavarësisht nga gjendja financiare ose shoqërore? A nuk transmeton kjo gjë akoma më shumë në mënyrë domethënëse ndjenjën e dashurisë, të paanshmërisë dhe të drejtësisë që ka Krijuesi?
Të fillojmë ta njohim Krijuesin
Sistemet e përmendura më sipër janë vetëm shembuj fillestarë të mjeshtërisë së Krijuesit, por a nuk zbulojnë ato se Ai është një person real, inteligjent, cilësitë dhe rrugët e të cilit na tërheqin ndaj tij? Mund të konsideronim shembuj të tjerë të shumtë. Megjithatë, ndoshta ne kemi parë në jetën e përditshme se thjesht vëzhgimi i veprave të një personi mund të mos mjaftojë në të vërtetë për ta njohur mirë atë. Ndoshta edhe mund ta keqkuptonim atë, nëse nuk do të kishim një pamje të plotë të tij. Dhe nëse atë person na e kanë keqparaqitur ose na kanë shpifur për të, a nuk do të ishte mirë që ta takonim dhe të dëgjonim versionin e tij? Ne mund të bisedonim me të për të zbuluar se si reagon ai nën rrethana të ndryshme dhe çfarë cilësish shfaq.
Sigurisht, ne nuk mund të kemi një bisedë sy më sy me Krijuesin e fuqishëm të universit. Megjithatë, ai ka zbuluar shumë rreth vetes si një person real në një libër që është në dispozicion, i tëri ose pjesërisht, në më shumë se 2.000 gjuhë, duke përfshirë edhe gjuhën tuaj. Ky libër, Bibla, ju fton të filloni ta njihni dhe të kultivoni një marrëdhënie me Krijuesin: «Afrohuni te Perëndia,—thotë ai,—dhe ai do t’ju afrohet juve.» Ai tregon edhe si është e mundur që të bëheni miqtë e tij. (Jakovi 2:23; 4:8) A do t’ju interesonte një gjë e tillë?
Për këtë qëllim, ju ftojmë të shqyrtoni tregimin faktik dhe magjepsës të Krijuesit mbi aktivitetet e tij krijuese.
[Shënimi]
a Shkarkimet elektrike në ajër e transformojnë një sasi azoti në një formë të thithshme, e cila bie në tokë bashkë me shiun. Bimët e përdorin këtë si një fertilizues të siguruar në mënyrë natyrore. Pasi njerëzit dhe kafshët konsumojnë bimët dhe përdorin azotin e tyre, ai i kthehet tokës në formën e përbërësve të amonit dhe disa prej tyre me kalimin e kohës shndërrohen përsëri në azot të gaztë.
[Kutia në faqen 79]
Një përfundim i arsyeshëm
Shumë shkencëtarë janë dakord se universi ka pasur një fillim. Shumica e tyre janë dakord, gjithashtu, se para atij fillimi, duhet të ketë ekzistuar diçka reale. Disa shkencëtarë flasin për një energji që ka ekzistuar gjithnjë. Të tjerë teorizojnë për një kaos fillestar si gjendja paraekzistuese. Cilatdo qofshin termat e përdorur, shumica e njerëzve presupozojnë ekzistencën e diçkaje, diçka pa një fillim, që shkon prapa pafundësisht.
Prandaj, çështja mund të kufizohet në faktin nëse ne presupozojmë diçka të përjetshme apo dikë të përjetshëm. Pasi keni shqyrtuar atë që ka mësuar shkenca mbi origjinën dhe natyrën e universit e të jetës në të, cila nga këto alternativa ju duket më e arsyeshme?
[Kutia në faqen 80]
«Secili prej elementeve të domosdoshme për jetën: karboni, azoti, squfuri, shndërrohet nga bakteret, prej përbërjeve inorganike të gazta në një formë që mund të përdoret nga bimët dhe kafshët.»—The New Encyclopædia Britannica.
[Diagrami dhe figura në faqen 78]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Çfarë përfundimi keni nxjerrë?
Universi ynë
↓ ↓
Nuk ka pasur Ka pasur
një fillim një fillim
↓ ↓
Pa Shkak U shkaktua
↓ ↓
Nga DIÇKA Nga DIKUSH
e përjetshme i përjetshëm
[Figura në faqen 75]
Shumë orientalë besojnë se natyra erdhi në ekzistencë vetvetiu
[Figura në faqen 76]
Pavli mbajti një fjalim që të nxiste të menduarit mbi Perëndinë, ndërsa qëndronte mbi këtë kodër, me Akropolin në sfond
[Figura në faqen 83]
Perëndia i dha secilit prej nesh sistemin imunitar që tejkalon atë që mund të sigurojë mjekësia moderne