KAPITULLI 3
«U mbushën me frymë të shenjtë»
Ngjarjet pas derdhjes së frymës së shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë
Bazuar te Veprat 2:1-47
1. Përshkruaj atmosferën e Festës së Ditës së Pesëdhjetë.
RRUGËT e Jerusalemit gumëzhinin nga turmat e entuziazmuara.a Nga altari i tempullit ngrihej tym teksa levitët këndonin psalmet e Halelit (Psalmet 113–118), ndoshta në formë antifonike, ku një grup këndonte dhe një grup tjetër i përgjigjej. Vizitorët dyndnin rrugët. Kishin ardhur nga vende shumë të largëta, si Elami, Mesopotamia, Kapadokia, Ponti, Egjipti dhe Roma.b Me ç’rast? Ishte Festa e Ditës së Pesëdhjetë, e quajtur edhe ‘dita kur mblidhen frytet e para të tokës’. (Num. 28:26) Kjo festë vjetore shënonte mbarimin e korrjes së elbit dhe fillimin e korrjes së grurit. Ishte një ditë e hareshme.
2. Cilat ngjarje mahnitëse ndodhën në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.?
2 Rreth orës 9 të kësaj paraditeje të bukur pranverore, ndodhi diçka që do t’i mrekullonte njerëzit për shekuj me radhë. Papritur, nga qielli u dëgjua «një zhurmë si ajo e një ere të furishme» ose «një ushtimë . . . si shungullimë e erës së fortë». (Vep. 2:2; Simon Filipaj) Zhurma e fortë mbushi shtëpinë ku ishin mbledhur rreth 120 dishepuj të Jezuit. Më pas, ndodhi diçka mahnitëse. Atyre iu shfaqën ca si gjuhë zjarri, që qëndruan mbi secilin.c Atëherë dishepujt «u mbushën me frymë të shenjtë» dhe nisën të flitnin në gjuhë të huaja. Kur dolën nga shtëpia, në rrugët e Jerusalemit takuan vizitorë që mbetën gojëhapur, pasi dishepujt u flitnin në gjuhën e tyre. Po, secili «i dëgjonte të flitnin në gjuhën e vet».—Vep. 2:1-6.
3. (a) Pse Festa e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., mund të quhet një çast historik i adhurimit të vërtetë? (b) Si e përdori Pjetri një nga «çelësat e Mbretërisë» në fjalimin e tij?
3 Ky tregim emocionues përshkruan një çast historik të adhurimit të vërtetë: themelimin e kombit të Izraelit të figurshëm, kongregacionit të krishterë të mirosur. (Gal. 6:16) Por nuk mbaroi me kaq. Atë ditë, kur Pjetri iu drejtua turmës, përdori të parin nga tre «çelësat e Mbretërisë», të cilët do t’u hapnin rrugën për bekime të veçanta grupeve të ndryshme. (Mat. 16:18, 19) Çelësi i parë u dha mundësi judenjve dhe prozelitëve judenj të pranonin lajmin e mirë e të miroseshin me frymën e shenjtë të Perëndisë.d Kështu do të bëheshin pjesë e Izraelit të figurshëm dhe, si të tillë, do të kishin shpresën të shërbenin si mbretër e priftërinj në Mbretërinë mesianike. (Zbul. 5:9, 10) Me kalimin e kohës, ky privilegj do t’u jepej edhe samaritanëve e më pas jojudenjve. Ç’mund të mësojnë të krishterët sot nga ngjarjet e spikatshme të asaj dite?
«Të gjithë së bashku në të njëjtin vend» (Veprat 2:1-4)
4. Pse themi se kongregacioni i krishterë i ditëve tona është vazhdim i kongregacionit të formuar në vitin 33 të e.s.?
4 Kongregacioni i krishterë nisi me rreth 120 dishepuj që ishin «të gjithë së bashku në të njëjtin vend», në një dhomë të sipërme, dhe u mirosën me frymë të shenjtë. (Vep. 2:1) Në fund të asaj dite, kongregacionit iu shtuan mijëra pjesëtarë të pagëzuar. Ky s’ishte veçse fillimi i rritjes së një organizate që vazhdon të zgjerohet edhe sot e kësaj dite. Me anë të kongregacionit të krishterë të ditëve tona, të përbërë nga burra e gra që nderojnë thellësisht Perëndinë, ‘lajmi i mirë për Mbretërinë’ po «predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet» para se të vijë fundi i këtij sistemi.—Mat. 24:14.
5. Ç’dobi do të vinte nga shoqërimi me kongregacionin e krishterë, si në shekullin e parë, edhe sot?
5 Kongregacioni i krishterë do t’i ndihmonte dhe do t’u jepte zemër pjesëtarëve të tij—të mirosurve dhe, më vonë, ‘deleve të tjera’. (Gjoni 10:16) Pavli tregoi sa e vlerësonte mbështetjen që pjesëtarët e kongregacionit do t’i jepnin njëri-tjetrit, kur u shkroi të krishterëve në Romë: «Kam shumë dëshirë t’ju takoj, që t’ju jap ndonjë dhuratë nga Perëndia e të bëheni të patundur, ose më mirë, që të inkurajohemi nga besimi i njëri-tjetrit, unë nga besimi juaj dhe ju nga besimi im.»—Rom. 1:11, 12.
6, 7. Si po e përmbush kongregacioni i krishterë sot caktimin për t’u predikuar të gjitha kombeve?
6 Kongregacioni i krishterë sot po kryen të njëjtën vepër si në shekullin e parë. Jezui u dha dishepujve një caktim sa të vështirë, aq edhe entuziazmues. U tha: «Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»—Mat. 28:19, 20.
7 Sot kjo vepër po kryhet me anë të kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait. Natyrisht, nuk është e lehtë t’u predikosh njerëzve që flasin gjuhë të ndryshme. Prapëseprapë, Dëshmitarët e Jehovait kanë prodhuar materiale që bazohen në Bibël në më tepër se 1.000 gjuhë. Nëse po i ndjek rregullisht mbledhjet e kongregacionit dhe po merr pjesë në veprën e predikimit për Mbretërinë e të bërjes së dishepujve, ke arsye të gëzohesh. Kjo sepse je ndër ata pak njerëz në tokë që kanë privilegjin të japin dëshmi të plotë për emrin e Jehovait.
8. Ç’ndihmë marrim nga kongregacioni i krishterë?
8 Që të të ndihmojë të ruash gëzimin në këto kohë kritike, Perëndia Jehova ka siguruar një vëllazëri mbarëbotërore. Pavli u shkroi të krishterëve hebrenj: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera, e të mos i lëmë pas dore mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por t’i japim zemër njëri-tjetrit, aq më tepër tani që e shohim se dita po afrohet.» (Hebr. 10:24, 25) Kongregacioni i krishterë është një dhuratë nga Jehovai, që të inkurajosh të tjerët e të inkurajohesh edhe vetë. Qëndro pranë vëllezërve dhe motrave në besim. Mos i braktis kurrë mbledhjet e krishtere!
«Gjithsecili i dëgjonte . . . në gjuhën e vet» (Veprat 2:5-13)
9, 10. Ç’përpjekje kanë bërë disa për t’u predikuar atyre që flasin një gjuhë tjetër?
9 Përfytyro ç’entuziazëm duhej t’i kishte pushtuar turmat me judenj e prozelitë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.! Pjesa më e madhe e të pranishmëve me siguri fliste një gjuhë të përbashkët, ndoshta greqisht ose hebraisht. Por tani, «gjithsecili i dëgjonte [dishepujt] të flitnin në gjuhën e vet». (Vep. 2:6) S’ka dyshim se dëgjuesit duhej të ishin prekur kur dëgjuan lajmin e mirë në gjuhën amtare. Sot të krishterët nuk kanë dhuntinë e mrekullueshme të të folurit në gjuhë të huaja. Gjithsesi, shumë prej tyre kanë bërë çmos t’u japin mesazhin e Mbretërisë njerëzve të të gjitha kombësive. Si e kanë bërë këtë? Disa kanë mësuar një gjuhë tjetër që të shërbejnë në një kongregacion të gjuhës së huaj afër zonës ku banojnë ose edhe të transferohen në një vend të huaj. Shpesh kanë vënë re se dëgjuesve u bëjnë vërtet përshtypje këto përpjekje.
10 Shiko rastin e Kristinës që bëri një kurs të gjuhës gujarati, bashkë me 7 Dëshmitarë të tjerë. Kur takoi një kolege që fliste gujarati, e përshëndeti në atë gjuhë. Koleges i bëri shumë përshtypje kjo gjë dhe donte të dinte pse ajo po përpiqej të mësonte një gjuhë kaq të vështirë sa gujarati. Kristina i dha një dëshmi të shkëlqyer dhe kolegia i tha: «Me siguri ju keni diçka të rëndësishme për të thënë.»
11. Si të përgatitemi për t’u predikuar mesazhin e Mbretërisë njerëzve që flasin një gjuhë tjetër?
11 Natyrisht, jo të gjithë kemi mundësi të mësojmë një gjuhë të huaj. Po gjithsesi mund të përgatitemi t’u predikojmë mesazhin e Mbretërisë njerëzve që flasin gjuhë të tjera. Si? Një mënyrë është duke përdorur aplikacionin JW Language® për të mësuar një përshëndetje të thjeshtë, në një gjuhë që flitet gjerësisht në zonën tënde. Mund të mësosh edhe disa shprehje në atë gjuhë, sa për t’u ngjallur interesin për të vërtetën atyre që e flasin. Drejtojua vëmendjen te jw.org dhe mbase mund t’u tregosh video dhe botime të ndryshme të disponueshme në gjuhën e tyre. Duke përdorur mjete të tilla në shërbim, do të përjetojmë të njëjtin gëzim që provuan vëllezërit tanë në shekullin e parë, kur njerëz nga vende të huaja u mahnitën teksa e dëgjonin lajmin e mirë, «gjithsecili . . . në gjuhën e vet».
«Pjetri u çua . . . dhe tha» (Veprat 2:14-37)
12. (a) Si e kishte parathënë profeti Joel ngjarjen e mrekullueshme të Festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.? (b) Pse pritej një përmbushje e profecisë së Joelit në shekullin e parë?
12 «Pjetri u çua» të fliste para turmës me njerëz nga shumë kombe. (Vep. 2:14) Ai u shpjegoi të gjithë dëgjuesve se aftësinë e mrekullueshme për të folur në gjuhë të huaja ua kishte dhënë Perëndia, në përmbushje të profecisë së Joelit: «Do të derdh frymën time mbi çdo njeri.» (Joe. 2:28) Para se të ngjitej në qiell, Jezui u tha dishepujve se ‘do t’i lutej Atit, e ai do t’u jepte një ndihmës tjetër’, dhe specifikoi se do të ishte ‘fryma’.—Gjoni 14:16, 17.
13, 14. Si u përpoq Pjetri t’u prekte zemrën dëgjuesve të tij e si mund ta imitojmë?
13 Fjalët përmbyllëse të Pjetrit ishin të forta: «E gjithë shtëpia e Izraelit ta dijë me siguri se këtë Jezu, të cilin ju e ekzekutuat në shtyllë, Perëndia e bëri edhe Zotëri, edhe Krisht.» (Vep. 2:36) Natyrisht, pjesa dërrmuese e turmës nuk kishin qenë të pranishëm kur u vra Jezui në shtyllën e torturës, por si komb mbanin përgjegjësi kolektive për këtë veprim. Megjithatë, vër re se Pjetri iu drejtua me respekt judenjve dhe i foli zemrës së tyre. Synimi i tij ishte t’i nxiste të pendoheshin, jo t’i dënonte. A u fye turma nga fjalët e Pjetrit? Aspak. Përkundrazi, atyre «u theri në zemër» dhe pyetën: «Çfarë të bëjmë?» Me siguri, mënyra me respekt si u foli Pjetri, u preku zemrën shumë njerëzve, ndaj u nxitën të pendoheshin.—Vep. 2:37.
14 Edhe ne mund të imitojmë Pjetrin nëse duam të prekim zemrat e njerëzve. Kur predikojmë, nuk duhet të kapemi pas çdo pikëpamjeje të të zotit të shtëpisë që bie ndesh me Shkrimet. Përkundrazi, ta përqendrojmë bisedën te pikat për të cilat jemi dakord. Pasi të hedhim një themel të përbashkët, mund të arsyetojmë me takt nga Fjala e Perëndisë. Shpesh, kur imitojmë mënyrën si foli Pjetri, ka më tepër mundësi që njerëzit me zemër të drejtë t’i pranojnë të vërtetat e Biblës.
«Secili nga ju të pagëzohet» (Veprat 2:38-47)
15. (a) Ç’deklaratë bëri Pjetri dhe si reaguan njerëzit? (b) Pse mijëra veta që dëgjuan lajmin e mirë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, u kualifikuan të pagëzoheshin po atë ditë?
15 Atë ditë të paharrueshme të vitit 33 të e.s., Pjetri u tha këtyre judenjve dhe prozelitëve: «Pendohuni, e secili nga ju të pagëzohet.» (Vep. 2:38) Si rezultat, u pagëzuan rreth 3.000 veta, ndoshta në pellgjet që ndodheshin brenda Jerusalemit ose pranë tij.e A ishte ky një veprim impulsiv? A është ky tregim një precedent që studentët e Biblës dhe fëmijët që kanë prindër të krishterë, të pagëzohen para se të jenë gati? Jo, aspak. Të mos harrojmë se judenjtë dhe prozelitët judenj që u pagëzuan atë ditë, e studionin me etje Fjalën e Perëndisë dhe ishin pjesë e një kombi të kushtuar ndaj Jehovait. Për më tepër, tashmë tregonin zell. Disa madje bënin udhëtime të gjata që të ishin të pranishëm në këtë festë vjetore. Pasi pranuan të vërtetat jetësore për rolin e Jezu Krishtit në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë, ishin gati të vazhdonin t’i shërbenin Atij, por tani si dishepuj të pagëzuar të Krishtit.
16. Si shfaqën një frymë vetëmohuese të krishterët e shekullit të parë?
16 Jehovai e bekoi atë grup dhe për këtë s’ka dyshim. Tregimi vazhdon: «Të gjithë ata që u bënë besimtarë, mblidheshin së bashku, dhe gjithçka e kishin të përbashkët. Shitnin pronat e zotërimet, dhe të ardhurat ia shpërndanin gjithkujt sipas nevojës.»f (Vep. 2:44, 45) Me siguri të gjithë të krishterët e vërtetë duan ta imitojnë këtë frymë të dashur e vetëmohuese.
17. Ç’hapa duhet të bëjë një njeri që të kualifikohet për pagëzim?
17 Bibla tregon se kushtimi dhe pagëzimi i krishterë përfshijnë disa hapa të domosdoshëm. Në fillim, një njeri duhet të marrë njohuri për Fjalën e Perëndisë. (Gjoni 17:3) Duhet të tregojë besim e të pendohet për mënyrën e mëparshme të jetesës, duke ndier vërtet keqardhje. (Vep. 3:19) Pastaj duhet të kthehet, pra të ndryshojë rrugë, e të bëjë vepra të drejta në përputhje me vullnetin e Perëndisë. (Rom. 12:2; Efes. 4:23, 24) Pas këtyre hapave, ai i kushtohet Perëndisë në lutje dhe pastaj pagëzohet.—Mat. 16:24; 1 Pjet. 3:21.
18. Ç’privilegj u është ofruar dishepujve të pagëzuar të Krishtit?
18 A je një dishepull i kushtuar dhe i pagëzuar i Jezu Krishtit? Nëse po, ji mirënjohës për privilegjin që të është ofruar. Sikurse ndodhi me dishepujt e shekullit të parë, që u mbushën me frymë të shenjtë, Jehovai mund të të përdorë edhe ty po aq fuqishëm që të japësh dëshmi të plotë e të bësh vullnetin e tij.
a Shih kutinë «Jerusalemi, qendra e judaizmit».
b Shih kutitë «Roma, kryeqyteti i një perandorie»; «Judenjtë në Mesopotami dhe Egjipt» dhe «Krishterimi në Pont».
c ‘Gjuhët’ nuk ishin prej zjarri të mirëfilltë, por ‘si zjarr’, që do të thotë se kur fryma e shenjtë u derdh mbi çdo dishepull, kishte pamjen dhe rrezatimin e zjarrit.
d Shih kutinë «Cilët ishin prozelitët?».
e Ky nuk është pagëzimi më i madh që ka ndodhur ndonjëherë. Në një kongres ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait në Kiev, Ukrainë, më 7 gusht 1993, u pagëzuan 7.402 veta, në 6 pishina. Për t’i pagëzuar të gjithë, u deshën 2 orë e 15 minuta.
f Me anë të kësaj mase të përkohshme u përmbush një nevojë që lindi ngaqë vizitorët ndenjën më gjatë në Jerusalem, që të mësonin më tepër për besimin e tyre të ri. Ky veprim motivohej nga një frymë vullnetare dhe nuk duhet ngatërruar me ndonjë formë komunizmi.—Vep. 5:1-4.