TIMOTEU
[një që nderon Perëndinë].
Djali i një judeje që quhej Eunika dhe i një greku (emri i të cilit nuk thuhet në Shkrime). Që në moshë të njomë, e ëma e ndoshta edhe gjyshja, Loida, i mësuan Timoteut «shkrimet e shenjta». (Ve 16:1; 2Ti 1:5; 3:15) Nuk dihet me saktësi se kur u bë i krishterë Timoteu. Megjithatë, aty nga fundi i vitit 49 të e.s. ose fillimi i vitit 50 të e.s., kur apostulli Pavël shkoi në Listër (me sa duket në shtëpinë e Timoteut) gjatë udhëtimit të dytë misionar, «vëllezërit në Listër dhe Ikoni flitnin mirë» për dishepullin Timote (që mund të ketë qenë në fund të adoleshencës ose në fillim të të 20-ave).—Ve 16:2.
Ka mundësi që në këtë kohë, falë veprimit të frymës së Perëndisë, për Timoteun të jenë thënë disa profeci ose të jenë bërë disa parashikime. Pasi fryma e shenjtë kishte treguar në këtë mënyrë të ardhmen e Timoteut, apostulli Pavël dhe pleqtë e kongregacionit vunë duart mbi të duke e ndarë veç për një shërbim të veçantë në kongregacionin e krishterë. (1Ti 1:18; 4:14; 2Ti 1:6; krahaso Ve 13:3.) Pavli e zgjodhi Timoteun si shok udhëtimi dhe e rrethpreu që të mos bëhej shkak pengese për judenjtë.—Ve 16:3.
Udhëton me Pavlin. Bashkë me Pavlin, Timoteu mori pjesë në aktivitete të krishtere në Filipi, Selanik e Bere. (Ve 16:11–17:10) Kur Pavlit iu desh të largohej nga Berea për shkak të kundërshtimit të judenjve fanatikë, apostulli la atje Silën dhe Timoteun që të kujdeseshin për grupin e sapoformuar të besimtarëve. (Ve 17:13-15) Duket se më pas Pavli i çoi fjalë Timoteut në Bere që të vizitonte vëllezërit në Selanik e t’i inkurajonte të qëndronin besnikë përballë shtrëngimit. (1Se 3:1-3; shih ATHINA [Veprimtaria e Pavlit në Athinë].) Me sa duket në Korint ai është takuar me Pavlin dhe i ka çuar lajme të mira për besnikërinë dhe dashurinë e të krishterëve në Selanik. (Ve 18:5; 1Se 3:6) Në letrën që u çoi në atë kohë selanikasve, Pavli përfshiu në fjalët hyrëse edhe emrin e Silvanit (Silës) e të Timoteut, e të njëjtën gjë bëri edhe në letrën e dytë.—1Se 1:1; 2Se 1:1.
Timoteu e shoqëroi përsëri Pavlin gjatë udhëtimit të tretë misionar rreth vitit 52-56 të e.s. (Krahaso Ve 20:4.) Ndërkohë që ishte në Efes (1Ko 16:8), në Letrën e Parë drejtuar Korintasve, Pavli shkroi: «Po ju dërgoj Timoteun, meqë është biri im i dashur dhe i besueshëm në Zotërinë. Ai do t’ju sjellë ndër mend metodat e mia në shërbimin e Krishtit Jezu, ashtu si mësoj kudo në çdo kongregacion.» (1Ko 4:17) Megjithatë, nga fundi i letrës së tij Pavli la të kuptohej se Timoteu mund edhe të mos shkonte në Korint: «Nëse vjen Timoteu, kujdesuni që të rrijë mes jush pa frikë, sepse ai po kryen veprën e Jehovait, ashtu si unë.» (1Ko 16:10) Nëse Timoteu shkoi vërtet në Korint, duhet të ketë qenë para se të nisej me Erastin nga Efesi për në Maqedoni, pasi Timoteu dhe Pavli ishin në Maqedoni kur u shkrua Letra e Dytë drejtuar Korintasve (në bazë të të rejave që solli Titi, jo Timoteu). (Ve 19:22; 2Ko 1:1; 2:13; 7:5-7) Ka mundësi që vizita e programuar e Timoteut të mos jetë bërë, pasi në Letrën e Dytë drejtuar Korintasve, Pavli nuk thotë se Timoteu kishte qenë atje, përveç rastit kur kishin qenë bashkë. (2Ko 1:19) Më vonë, kur Pavli u shkroi romakëve, me sa duket nga Korinti (nga shtëpia e Gajit), Timoteu ishte me të.—Krahaso Ro 16:21, 23; 1Ko 1:14.
Emri i Timoteut shfaqet në fjalët hyrëse të letrave që Pavli u shkroi Filipianëve (1:1), Kolosianëve (1:1) dhe Filemonit (vrg. 1) gjatë burgimit të parë të apostullit në Romë. Duket se edhe vetë Timoteu u burgos në Romë diku aty ndërmjet kohës kur u shkrua Letra drejtuar Filipianëve dhe Letra drejtuar Hebrenjve.—Fi 2:19; He 13:23.
Përgjegjësitë dhe kualifikimet. Pasi Pavli doli nga burgu, Timoteu bashkëpunoi përsëri me apostullin në shërbim dhe, siç e udhëzoi ai, qëndroi në Efes. (1Ti 1:1-3) Në këtë kohë (rr. 61-64 të e.s.), Timoteu mund të ketë qenë te të 30-at dhe kishte autoritet të emëronte mbikëqyrës e shërbëtorë ndihmës në kongregacion. (1Ti 5:22) Ai ishte plotësisht i aftë për këto përgjegjësi të rëndësishme, pasi kishte dhënë prova duke punuar ngushtësisht me apostullin Pavël për 11 vjet a më shumë. Pavli mundi të thoshte për të: «Nuk kam askënd tjetër me një natyrë si e tija, që të kujdeset sinqerisht për punët tuaja. . . . Ju e dini si ai dha prova për veten, kur u skllavërua bashkë me mua, si një fëmijë me të atin, për të çuar përpara lajmin e mirë.» (Fi 2:20-22) Kurse Timoteut i shkroi: «Të kujtoj pa pushim në përgjërimet e mia natë e ditë. Kur kujtoj lotët e tu, digjem nga dëshira që të të shoh e të mbushem me gëzim. Sepse sjell ndër mend besimin tënd pa asnjë hipokrizi.»—2Ti 1:3-5.
Megjithëse shpesh i sëmurë për shkak të problemeve me stomakun (1Ti 5:23), Timoteu nuk u kursye për të tjerët. Falë cilësive të shkëlqyera apostulli Pavël e kishte mjaft për zemër dhe dëshironte shumë ta kishte pranë kur po i afrohej vdekja. (2Ti 4:6-9) Meqë ishte relativisht i ri, Timoteu mund të mos ketë pasur siguri te vetja dhe të ketë ngurruar të përdorte autoritetin e tij. (Krahaso 1Ti 4:11-14; 2Ti 1:6, 7; 2:1.) Kjo tregon se Timoteu nuk ishte krenar, përkundrazi, i pranonte kufizimet e veta.