MËSIMI 54
Roli i ‘skllavit besnik dhe të mençur’
Jezui është Kreu i kongregacionit të krishterë. (Efesianëve 5:23) Sot, ai i drejton besnikët e tij në tokë nga froni i tij qiellor me anë të ‘skllavit besnik dhe të mençur’. (Lexo Mateun 24:45.) Meqë këtë caktim ia ka dhënë vetë Jezui, ky ‘skllav’ ka njëfarë autoriteti. Megjithatë, ai vazhdon të mbetet skllav i Krishtit dhe t’u shërbejë vëllezërve të Krishtit. Kush është ky skllav? Si kujdeset për ne?
1. Kush është «skllavi besnik dhe i mençur»?
Për të drejtuar popullin e tij, Jehovai ka përdorur gjithmonë një njeri ose një grup të vogël burrash. (Malakia 2:7; Hebrenjve 1:1) Pas vdekjes së Jezuit, ishin apostujt dhe pleqtë në Jerusalem që morën drejtimin mes të krishterëve të hershëm. (Veprat 15:2) Po njësoj edhe sot, një grup i vogël pleqsh—Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait—i siguron popullit të Jehovait ushqim nga Bibla dhe drejton veprën e predikimit. Ky grup përbën ‘skllavin besnik dhe të mençur që u emërua nga [Jezui]’. (Mateu 24:45a) Të gjithë anëtarët e Trupit Udhëheqës janë të krishterë të mirosur nga fryma. Ata mezi presin të bashkohen me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore kur jeta e tyre në tokë të përfundojë.
2. Çfarë ushqimi nga Fjala e Perëndisë na siguron skllavi besnik?
Jezui tha se skllavi besnik do t’u ‘jepte [të krishterëve të tjerë] ushqim në kohën e duhur’. (Mateu 24:45b) Tamam si ushqimi që hamë na ndihmon të jemi të shëndetshëm dhe të fortë fizikisht, mësimet nga Fjala e Perëndisë na ushqejnë e na japin forcën që na duhet për t’i qëndruar besnikë Jehovait dhe për të kryer veprën që na ka caktuar Jezui. (1 Timoteut 4:6) Ne e marrim këtë ushqim kur jemi në mbledhje, në asamble e në kongrese, si dhe me anë të videove e botimeve të bazuara në Bibël. Të gjitha këto na ndihmojnë të kuptojmë vullnetin e Perëndisë dhe të forcojmë miqësinë me të.
SHQYRTO MË TEJ
Shiko pse kemi nevojë për ‘skllavin besnik dhe të mençur’, pra për Trupin Udhëheqës.
3. Populli i Jehovait duhet të jetë i organizuar
Nën drejtimin e Jezuit, Trupi Udhëheqës sigurohet që aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait të jetë i organizuar. Jezui i drejtoi në mënyrë të ngjashme edhe të krishterët e hershëm. Shihni VIDEON.
Lexoni 1 Korintasve 14:33, 40 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Si e tregojnë këto vargje se Jehovai do që populli i tij të jetë i organizuar?
4. Skllavi besnik organizon veprën e predikimit
Për të krishterët e hershëm, predikimi ishte vepra më e rëndësishme. Lexoni Veprat 8:14, 25 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Nga kush i merrnin udhëzimet për veprën e predikimit të krishterët e hershëm?
Si reaguan Pjetri dhe Gjoni ndaj drejtimit që morën nga apostujt e tjerë?
Predikimi është vepra më e rëndësishme që organizohet nga Trupi Udhëheqës. Shihni VIDEON.
Jezui theksoi sa i rëndësishëm është predikimi. Lexoni Markun 13:10 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Pse është kaq e rëndësishme për Trupin Udhëheqës vepra e predikimit?
Pse është e nevojshme që «skllavi besnik dhe i mençur» të organizojë këtë vepër globale?
5. Skllavi besnik siguron drejtim
Trupi Udhëheqës siguron drejtim për Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës. Por, si i marrin vendimet lidhur me drejtimin që duhet të japin? Shiko si e bënte këtë trupi udhëheqës në shekullin e parë. Lexoni Veprat 15:1, 2 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Cila çështje shkaktoi konflikt mes disa të krishterëve në shekullin e parë?
Kujt iu drejtuan Pavli, Barnaba dhe të tjerët për të zgjidhur këtë çështje?
Lexoni Veprat 15:12-18, 23-29 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Para se të merrte një vendim, çfarë mori parasysh trupi udhëheqës në shekullin e parë, ndërsa kërkonte drejtimin e Perëndisë për atë çështje?—Shih vargjet 12, 15 dhe 28.
Lexoni Veprat 15:30, 31 dhe 16:4, 5 e më pas diskutoni për këto pyetje:
Si reaguan të krishterët e shekullit të parë ndaj drejtimit të trupit udhëheqës?
Si i bekoi Jehovai për bindjen që treguan?
Lexoni 2 Timoteut 3:16 dhe Jakovin 1:5 e më pas diskutoni për këtë pyetje:
Ku kërkon drejtim Trupi Udhëheqës sot para se të marrë një vendim?
DISA THONË: «Edhe ju, nga njerëzit drejtoheni.»
Çfarë të bind se Trupin Udhëheqës po e drejton Jezui?
PËRMBLEDHJE
Trupi Udhëheqës është «skllavi besnik dhe i mençur» i emëruar nga Krishti. Ai u jep drejtim të krishterëve në mbarë botën dhe i ushqen nga Fjala e Perëndisë.
Si do të përgjigjeshe?
Kush e ka emëruar ‘skllavin besnik dhe të mençur’?
Si kujdeset Trupi Udhëheqës për ne?
A je i bindur se Trupi Udhëheqës është «skllavi besnik dhe i mençur»?
EKSPLORO
Shiko si është i organizuar Trupi Udhëheqës për të kryer caktimin e tij.
«Çfarë është Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait?» (Artikull në jw.org)
Shiko si kujdeset Trupi Udhëheqës që ne të ushqehemi me njohurinë e saktë të së vërtetës.
Si ndihen anëtarët e Trupit Udhëheqës për caktimin që u ka dhënë Jezui?
Si e tregojnë mbledhjet dhe kongreset tona se është Jehovai ai që e drejton Trupin Udhëheqës?