Mëso me mendjehollësi dhe aftësi bindëse
«Zemra e të mençurit bën që goja e tij të tregojë mendjehollësi dhe buzëve të tij ajo i shton aftësi bindëse.»—PROVERBAT 16:23, BR.
1. Pse mësimi i Fjalës së Perëndisë përfshin më shumë se thjesht përcjelljen e informacioneve?
SYNIMI ynë si mësues të Fjalës së Perëndisë është të ndriçojmë jo vetëm mendjet e studentëve tanë, por edhe zemrat e tyre. (Efesianëve 1:18) Prandaj, mësimdhënia përfshin më shumë se thjesht të përcjellësh informacione. Në Proverbat (Fjalët e urta) 16:23 thuhet: «Zemra e të mençurit bën që goja e tij të tregojë mendjehollësi dhe buzëve të tij ajo i shton aftësi bindëse.»—BR.
2. (a) Çfarë do të thotë të bindësh? (b) Si mund të jenë të gjithë të krishterët mësues bindës?
2 Me siguri, apostulli Pavël e zbatoi këtë parim në veprën e tij të mësimdhënies. Kur ishte në Korint, «ai mbante një fjalim në sinagogë çdo të shtunë dhe bindte judenj e grekë». (Veprat 18:4, BR) Sipas një autoriteti në fushën gjuhësore, fjala greke që këtu përkthehet «bind» do të thotë «të shkaktosh ndërrimin e mendjes, me anë të ndikimit të arsyes ose duke peshuar mirë normat morale». Me anë të argumenteve bindëse, Pavli pati mundësi t’i nxiste njerëzit që të ndryshonin vetë mënyrën e tyre të të menduarit. Aftësia e tij për të bindur ishte kaq mbresëlënëse, saqë armiqtë ia kishin frikën. (Veprat 19:24-27) Megjithatë, mësimdhënia e Pavlit nuk ishte një shfaqje e aftësive njerëzore. Ai u tha korintasve: «I foluri im dhe ajo që predikova nuk ishin me fjalë bindëse mençurie, por me një demonstrim fryme dhe fuqie, që besimi juaj të jetë, jo në mençurinë e njerëzve, por në fuqinë e Perëndisë.» (1. Korintasve 2:4, 5, BR) Meqë të gjithë të krishterët e kanë ndihmën e frymës së Perëndisë Jehova, të gjithë ata mund të bëhen mësues bindës. Por si? Le të shohim disa metoda të efektshme mësimdhënieje.
Ji dëgjues i mirë
3. Pse nevojitet mendjehollësi kur mësojmë të tjerët dhe si mund të arrijmë në zemrën e një studenti të Biblës?
3 Metoda e parë e mësimdhënies nuk përfshin të folurin, por dëgjimin. Siç vërehet në Proverbat 16:23, për të qenë bindës ne duhet të kemi mendjehollësi. Sigurisht, Jezui pati mendjehollësi për sa u përket njerëzve që mësoi. Në Gjonin 2:25 thuhet: «Ai vetë e dinte atë që ishte brenda njeriut.» (BR) Por, si mund ta dimë se çfarë ka në zemrat e atyre që mësojmë? Një mënyrë është duke qenë dëgjues të mirë. Në Jakovin 1:19 thuhet: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadaltë në të folur.» (BR) Është e vërtetë se jo të gjithë njerëzit e kanë të lehtë t’i shprehin mendimet e tyre. Dora-dorës që studentët tanë të Biblës ndihen të sigurt se ne jemi sinqerisht të interesuar për ta, mund të jenë më të prirur për të shprehur ndjenjat e tyre të vërteta. Pyetjet e bëra me mirësjellje, por me mprehtësi, shpesh mund të na ndihmojnë të arrijmë në zemër dhe ‘t’i nxjerrim’ këto shprehje.—Proverbat 20:5, BR.
4. Pse pleqtë e krishterë duhet të jenë dëgjues të mirë?
4 Është veçanërisht me rëndësi që pleqtë e krishterë të jenë dëgjues të mirë. Vetëm atëherë ata mund ‘të dinë [me të vërtetë] se si duhet t’i japin përgjigje gjithsecilit’. (Kolosianëve 4:6, BR) Në Proverbat 18:13 jepet paralajmërimi: «Kur ndokush i përgjigjet një çështjeje para se ta dëgjojë, kjo është marrëzi nga ana e tij dhe një poshtërim.» (BR) Një herë, dy vëllezër, të nisur nga qëllime të mira, i dhanë një motre këshilla në lidhje me rendjen pas botës, pasi ajo kishte munguar në disa mbledhje. Motra u lëndua shumë që ata nuk e pyetën se përse nuk kishte qenë e pranishme. Ajo po merrte veten nga një ndërhyrje kirurgjike që kishte bërë kohët e fundit. Pra, sa e rëndësishme është që të dëgjojmë para se të japim këshilla!
5. Si mund t’i zgjidhin pleqtë grindjet që lindin mes vëllezërve?
5 Për pleqtë, mësimdhënia shpesh përfshin t’u japin këshilla të tjerëve. Edhe këtu është me rëndësi që ata të jenë dëgjues të mirë. Dëgjimi nevojitet veçanërisht kur mes bashkë të krishterëve lindin grindje. Vetëm pasi të kenë dëgjuar, pleqtë mund të imitojnë «Atin, i cili gjykon me paanësi». (1. Pjetrit 1:17, BR) Shpesh, në situata të tilla ndjenjat janë të zjarrta dhe një plak bën mirë të mbajë në mend këshillën e Proverbave 18:17: «Ai që është i pari në çështjen e tij ligjore është i drejtë; shoku i tij hyn dhe sigurisht e heton.» (BR) Një mësues i efektshëm i dëgjon të dyja palët. Duke bërë një lutje, ai ndihmon për të vendosur një atmosferë të qetë. (Jakovit 3:18) Nëse ndjenjat marrin zjarr, plaku mund të sugjerojë që secili vëlla t’ia thotë drejtpërdrejt atij shqetësimet që ka, në vend se të dy vëllezërit të zihen me njëri-tjetrin. Me anë të pyetjeve të përshtatshme, plaku mund të jetë në gjendje të qartësojë çështjen në fjalë. Në shumë raste, shkaku i grindjeve del se është komunikimi i dobët, jo keqdashja nga ana e vëllezërve. Por, nëse janë shkelur parime biblike, tani një mësues i dashur mund të mësojë me mendjehollësi, pasi i ka dëgjuar të dyja palët.
Vlera e thjeshtësisë
6. Çfarë shembulli lanë Pavli dhe Jezui në mësimin me thjeshtësi?
6 Një zotësi tjetër e vlefshme e mësimdhënies është t’i thjeshtojmë gjërat. Është e vërtetë se ne duam që studentët e Biblës të bëhen «tërësisht të aftë për të kapur mendërisht, bashkë me të gjithë të shenjtët, se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia» e së vërtetës. (Efesianëve 3:18, BR) Ka aspekte të doktrinave të Biblës që janë magjepsëse dhe shpesh interesante. (Romakëve 11:33) Megjithatë, kur u predikoi grekëve, Pavli u përqendrua mbi mesazhin e thjeshtë të ‘Krishtit të vënë në shtyllë’. (1. Korintasve 2:1, 2, BR) Në mënyrë të ngjashme, Jezui predikoi në një mënyrë të qartë e tërheqëse. Në Predikimin e tij në Mal, ai përdori një fjalor të thjeshtë. Megjithatë, ky predikim përmban disa nga të vërtetat më të thella që janë thënë ndonjëherë.—Mateu, kapitujt 5-7.
7. Si mund t’i thjeshtojmë gjërat kur drejtojmë studime biblike?
7 Edhe ne po ashtu mund t’i thjeshtojmë gjërat kur mësojmë në studimet biblike. Si? Duke u përqendruar mbi «gjërat më të rëndësishme». (Filipianëve 1:10, BR) Kur trajtojmë tema të thella, duhet të përpiqemi të shprehemi me një gjuhë të qartë. Duhet të përqendrohemi mbi shkrimet kyçe, në vend se të përpiqemi të lexojmë e të diskutojmë çdo shkrim biblik që është cituar në një botim. Kjo kërkon përgatitje të mirë nga ana jonë. Duhet të mos e rëndojmë studentin me hollësi dhe të shmangim daljen nga tema kryesore, duke folur për çështje me më pak rëndësi. Nëse një student ka një pyetje, e cila nuk lidhet drejtpërdrejt me mësimin, me takt mund t’i sugjerojmë që ta trajtojmë pyetjen kur të mbarojmë mësimin.
Përdorimi i efektshëm i pyetjeve
8. Si i përdori me efektshmëri Jezui pyetjet?
8 Një tjetër zotësi e dobishme në mësimdhënie përfshin bërjen e pyetjeve të efektshme. Jezu Krishti i përdori gjerësisht pyetjet në mësimdhënien e tij. Për shembull, Jezui e pyeti Pjetrin: «‘Çfarë mendon ti, Simon? Nga cilët i marrin mbretërit e tokës detyrimet ose nga cilët kërkojnë taksën? Nga bijtë e tyre apo nga të huajt?’ Kur ai u përgjigj, ‘nga të huajt’, Jezui i tha: ‘Atëherë, në të vërtetë bijtë janë të lirë nga taksa.’» (Mateu 17:24-26, BR) Si Biri i vetëmlindur i Atij që adhurohej në tempull, Jezui në të vërtetë nuk ishte i detyruar të paguante taksën e tempullit. Por këtë të vërtetë Jezui e përcolli te Pjetri, duke përdorur me efektshmëri pyetjet. Në këtë mënyrë, Jezui e ndihmoi Pjetrin të arrinte përfundimin e duhur, bazuar mbi informacionin që ky tashmë e kishte.
9. Si mund t’i përdorim ne pyetjet gjatë studimeve biblike?
9 Mund t’i përdorim më së miri pyetjet gjatë studimeve biblike. Nëse një student jep një përgjigje të gabuar, ndoshta mund të tundohemi që të japim përgjigjen korrekte, por, a do ta mbajë mend në të vërtetë ai informacionin? Shpesh, më e mira është të përpiqemi ta drejtojmë studentin deri në përfundimin e duhur, duke i bërë pyetje. Për shembull, nëse ai ka vështirësi të kuptojë se përse duhet ta përdorë emrin hyjnor, ne mund ta pyesim: ‘A ka rëndësi për ty emri yt? . . . Pse? . . . Si do të ndiheshe nëse dikush do të refuzonte të të thërriste me emrin tënd? . . . A nuk është e arsyeshme që Perëndia të kërkojë nga ne ta përdorim emrin e tij personal?’
10. Si mund t’i përdorin pleqtë pyetjet, kur ndihmojnë individët që janë plagosur emocionalisht?
10 Edhe pleqtë mund t’i përdorin më së miri pyetjet kur kullotin kopenë. Shumë veta në kongregacion janë plagosur e dërrmuar emocionalisht nga bota e Satanait dhe mund të ndihen të papastër dhe se të tjerët nuk i duan. Një plak mund të arsyetojë me një person të tillë, duke thënë: ‘Edhe pse ti thua se ndihesh i papastër, si ndihet Jehovai për ty? Nëse Ati ynë i dashur qiellor lejoi që Biri i tij të vdiste dhe të siguronte një shpërblesë për ty, a nuk do të thotë kjo se Perëndia të do?’—Gjoni 3:16.
11. Për çfarë qëllimi shërbejnë pyetjet retorike dhe si mund të përdoren ato kur bëhet fjalë për oratorinë?
11 Një metodë tjetër e dobishme e mësimdhënies është përdorimi i pyetjeve retorike. Për këto pyetje nuk pritet ndonjë përgjigje me zë nga dëgjuesit, por në këtë mënyrë ata ndihmohen për të arsyetuar mbi çështjet. Profetët e lashtë bënin shpesh pyetje të tilla, me qëllim që dëgjuesit e tyre të mendonin thellë. (Jeremia 18:14, 15) Jezui i përdori me efektshmëri pyetjet retorike. (Mateu 11:7-11) Këto pyetje janë veçanërisht të efektshme kur bëhet fjalë për oratorinë. Në vend që thjesht t’i themi një auditori se ata duhet të punojnë me gjithë shpirt për t’i pëlqyer Jehovait, mund të jetë më e efektshme të pyesim: ‘Nëse nuk punojmë me të vërtetë me gjithë shpirt në shërbimin tonë, a do t’i pëlqejmë Jehovait?’
12. Cila është vlera e bërjes së pyetjeve mbi pikëpamjet?
12 Pyetjet mbi pikëpamjet janë të dobishme për të përcaktuar nëse një student i Biblës e beson me të vërtetë atë që po mëson. (Mateu 16:13-16) Një student mund të përgjigjet drejt, duke thënë se kurvëria është e gabuar. Por, përse të mos vazhdosh me pyetje, të tilla si: Çfarë mendon ti personalisht rreth standardit që ka Perëndia për moralin? A mendon se është tepër kufizues? A ka me të vërtetë rëndësi për ty, nëse i ndjek apo jo standardet e Perëndisë?
Ilustrime që arrijnë në zemër
13, 14. (a) Çfarë do të thotë ta ilustrosh një gjë? (b) Pse ilustrimet e mira janë të efektshme?
13 Një mënyrë tjetër për të arritur në zemrën e dëgjuesve dhe të studentëve të Biblës është përdorimi i ilustrimeve të efektshme. Shprehja greke që përkthehet «ilustrim» fjalë për fjalë do të thotë «të vendosësh pranë ose bashkë». Kur bën ilustrime, ti po shpjegon diçka, duke ‘e vendosur pranë’ një gjëje tjetër të ngjashme me të. Për shembull, Jezui pyeti: «Me çfarë ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë ose në cilin ilustrim ta paraqesim?» Duke iu përgjigjur, Jezui përmendi farën e njohur të sinapit.—Marku 4:30-32, BR.
14 Profetët e Perëndisë përdorën shumë ilustrime të fuqishme. Kur asirianët, të cilët kishin shërbyer si mjet i Perëndisë për të ndëshkuar izraelitët, iu drejtuan mizorisë çnjerëzore, Isaia e demaskoi arrogancën e tyre me këtë ilustrim: «A do të dalë sëpata mbi atë që pret me të ose a do të lartësohet sharra mbi atë që e lëviz para-prapa?» (Isaia 10:15, BR) Edhe Jezui i përdori gjerësisht ilustrimet kur mësonte të tjerët. Raportohet se «ai nuk u fliste atyre pa një ilustrim». (Marku 4:34, BR) Ilustrimet e mira janë të efektshme, pasi vënë në punë si mendjen, ashtu edhe zemrën. Ato i lejojnë dëgjuesit që të thithin informacionet e reja me lehtësi, duke i krahasuar këto me diçka që tashmë e njohin.
15, 16. Çfarë do t’i bëjë më të efektshme ilustrimet? Jep shembuj.
15 Si mund të përdorim ilustrime që arrijnë me të vërtetë në zemër? Para së gjithash, një ilustrim në mënyrë të arsyeshme duhet të jetë paralel me atë që po shpjegohet. Nëse krahasimi i bërë nuk përputhet në të vërtetë me shpjegimin, ilustrimi do t’i shpërqendrojë dëgjuesit në vend se t’i ndriçojë për diçka. Një herë, një orator i nisur me qëllime të mira u përpoq ta shpjegonte nënshtrimin e mbetjes së mirosur ndaj Jezu Krishtit, duke i krahasuar ata me një qen besnik. Por, a është vërtet i përshtatshëm një krahasim i tillë poshtërues? Të njëjtin mendim, Bibla e shpjegon në një mënyrë shumë më tërheqëse dhe me dinjitet. Ajo i krahason 144.000 ithtarët e mirosur të Jezuit me «një nuse të stolisur për bashkëshortin e saj».—Zbulesa 21:2, BR.
16 Ilustrimet janë më të efektshme kur kanë të bëjnë me jetën e njerëzve. Ilustrimi i Natanit për qengjin e therur i preku zemrën mbretit David, sepse ai i donte delet, duke qenë se në rininë e tij kishte qenë bari. (1. Samuelit 16:11-13; 2. Samuelit 12:1-7) Nëse ilustrimi do të ishte bërë me një dem, mund të mos kishte qenë po aq i efektshëm. Në mënyrë të ngjashme, ilustrimet e bazuara mbi fenomene shkencore ose mbi ngjarje pothuajse të panjohura historike mund të kenë pak kuptim për dëgjuesit tanë. Jezui i nxori ilustrimet e tij nga jeta e përditshme. Ai foli për gjëra të zakonshme si llamba, zogjtë e qiellit dhe zambakët e fushës. (Mateu 5:15, 16; 6:26, 28) Dëgjuesit e Jezuit mund t’i lidhnin me lehtësi këto gjëra.
17. (a) Mbi çfarë mund t’i bazojmë ilustrimet tona? (b) Si mund t’i përshtatim ilustrimet e përdorura në botimet tona me rrethanat e studentëve tanë?
17 Në shërbimin tonë kemi shumë raste ku të përdorim ilustrime të thjeshta, por të efektshme. Ji syhapur! (Veprat 17:22, 23) Një ilustrim mund të bazohet ndoshta mbi fëmijët, shtëpinë, punën ose pasionin e dëgjuesit. Ose mund të përdorim atë që dimë personalisht për një student të Biblës, për të shtjelluar ilustrimet që tashmë i kemi në materialin e studimit. Merr, për shembull, ilustrimin e efektshëm që përdoret në paragrafin 14 të kapitullit 8, në librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Aty flet për një prind të dashur, për të cilin një fqinj përhap gënjeshtra. Fare mirë ne mund të mendojmë se si ta përshtatim këtë ilustrim me rrethanat e një studenti të Biblës që është prind.
T’i lexojmë shkrimet me zotësi
18. Pse duhet të përpiqemi të jemi lexues të rrjedhshëm?
18 Pavli e nxiti Timoteun: «Vazhdo t’i përkushtohesh leximit publik, nxitjes dhe mësimdhënies.» (1. Timoteut 4:13, BR) Meqë Bibla është themeli i mësimdhënies sonë, është e dobishme të jemi në gjendje ta lexojmë atë rrjedhshëm. Levitët kishin privilegjin t’ia lexonin Ligjin e Moisiut popullit të Perëndisë. A pengoheshin ata gjatë leximit ose a lexonin në mënyrë monotone? Jo, Bibla thotë në Neheminë 8:8: «Ata vazhduan të lexonin me zë të lartë nga libri, nga ligji i Perëndisë së vërtetë, duke e shtjelluar dhe duke i dhënë kuptim, dhe ata vazhduan t’i jepnin kuptueshmëri në të lexuar.»—BR.
19. Si mund të përmirësohemi në leximin e Shkrimeve?
19 Disa burra të krishterë që flasin rrjedhshëm kanë mangësi kur vjen fjala për të lexuar. Si mund të përmirësohen? Duke u praktikuar. Po, mund ta lexojnë një pjesë me zë të lartë shumë herë me radhë, derisa të arrijnë të lexojnë rrjedhshëm. Nëse në gjuhën tënde ka kaseta të Biblës, është mirë të dëgjosh theksin e kuptimit dhe modulimin që përdor lexuesi dhe të vëresh se si shqiptohen emrat dhe fjalët jo të zakonta. Ata që e kanë Përkthimin Bota e Re në gjuhën e tyre mund të përfitojnë edhe nga ndihmësit për shqiptimin që gjenden aty. Me praktikë, edhe emrat si Maher-shalal-hash-baz mund të lexohen relativisht me lehtësi.—Isaia 8:1.
20. Si mund ‘t’i kushtojmë vëmendje mësimdhënies sonë’?
20 Çfarë privilegji kemi, si popull i Jehovait, për t’u përdorur si mësues! Pra, secili prej nesh le ta marrë seriozisht këtë përgjegjësi! T’i ‘kushtojmë vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sonë’. (1. Timoteut 4:16, BR) Mund të jemi mësues të shkëlqyer, duke qenë dëgjues të mirë, duke i thjeshtuar gjërat, duke bërë pyetje me mendjehollësi, duke përdorur ilustrime të efektshme dhe duke i lexuar shkrimet me zotësi. Le të nxjerrim dobi të gjithë nga stërvitja që siguron Jehovai nëpërmjet organizatës së tij, sepse kjo gjë mund të na ndihmojë të kemi «gjuhën e të mësuarve»! (Isaia 50:4, BR) Duke përfituar plotësisht nga të gjitha mjetet që janë siguruar për shërbimin tonë, duke përfshirë broshurat, kasetat dhe videokasetat, mund të kuptojmë se si të mësojmë me mendjehollësi dhe me aftësi bindëse.
A të kujtohet?
◻ Si mund të na ndihmojë në mësimdhënien tonë fakti që jemi dëgjues të mirë?
◻ Si mund të imitojmë Pavlin dhe Jezuin në mësimin me thjeshtësi?
◻ Çfarë lloj pyetjesh mund të përdorim kur mësojmë të tjerët?
◻ Çfarë lloj ilustrimesh janë më të efektshme?
◻ Si mund të përmirësojmë zotësinë tonë si lexues publikë?
[Figura në faqen 16]
Një mësues i mirë dëgjon për të fituar mendjehollësi
[Figurat në faqen 18]
Jezui i nxori ilustrimet e tij nga jeta e përditshme