Vazhdo të ndërtosh kongregacionin
«Vazhdoni të ngushëlloni njëri-tjetrin dhe të ndërtoni njëri-tjetrin.»—1 SEL. 5:11.
1. Çfarë bekimesh vijnë kur je pjesë e kongregacionit të krishterë, e megjithatë, çfarë problemesh mund të përballojmë?
TË JESH pjesë e kongregacionit të krishterë është vërtet një bekim i madh. Ke një marrëdhënie të mirë me Jehovain. Ngaqë mbështetesh te Fjala e tij për drejtim, je i mbrojtur nga pasojat e këqija të një mënyre jetese jo të krishterë. Je i rrethuar nga miq të sinqertë që të duan të mirën. Po, bekimet janë të shumta. Por, shumë të krishterë po luftojnë me probleme të ndryshme. Disa prej tyre mund të kenë nevojë të kuptojnë gjërat më të thella të Fjalës së Perëndisë. Të tjerë janë të sëmurë, të dëshpëruar, vuajnë nga depresioni ose mbase po vuajnë nga pasojat e vendimeve të pamençura. Po ashtu, të gjithë duhet të jetojmë mes një bote të larguar nga Perëndia.
2. Çfarë duhet të bëjmë kur vëllezërit hasin vështirësi dhe pse?
2 Askujt nga ne nuk i pëlqen të shohë të bashkëkrishterët teksa vuajnë ose luftojnë me probleme të ndryshme. Apostulli Pavël e krahasoi kongregacionin me një trup dhe tha se «sikur të vuajë një gjymtyrë, gjithë gjymtyrët e tjera vuajnë bashkë me të». (1 Kor. 12:12, 26) Në rrethana të tilla, duhet të përpiqemi fort t’i mbështetim vëllezërit dhe motrat. Ka disa tregime biblike që përshkruajnë se si pjesëtarët e kongregacionit e ndihmuan njëri-tjetrin të përballonin dhe të kapërcenin vështirësitë. Ndërsa shqyrtojmë këto tregime, mendo se si mund të ndihmosh edhe ti po njësoj. Si mund t’i ndihmosh frymësisht vëllezërit dhe kështu të ndërtosh kongregacionin e Jehovait?
«E morën me vete»
3, 4. Si e ndihmuan Apolin Akuila dhe Prishila?
3 Kur Apoli u transferua në Efes, tashmë ishte një lajmëtar i zellshëm. «Meqë ishte i zjarrtë në frymë,—thotë tregimi te Veprat,—fliste dhe mësonte me saktësi gjërat për Jezuin, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit.» Fakti që Apoli nuk dinte gjë për pagëzimin «në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë», ka mundësi që nënkuptonte se atij i kishin dhënë dëshmi dishepujt e Gjon Pagëzorit ose të Jezuit, para festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Megjithëse Apoli ishte i zellshëm, kishte disa gjëra të rëndësishme që nuk i kuptonte. Si e ndihmoi atë shoqëria me bashkëbesimtarët?—Vep. 1:4, 5; 18:25; Mat. 28:19.
4 Çifti i krishterë, Akuila dhe Prishila, e dëgjuan Apolin tek fliste me guxim në sinagogë, e morën me vete dhe e mësuan më tej. (Lexo Veprat 18:24-26.) Ky ishte një veprim i dashur. Natyrisht, Akuila dhe Prishila duhet t’i kenë folur Apolit me takt dhe për ta ndihmuar, pa e bërë të ndihej sikur po e kritikonin. Ai thjesht nuk e njihte historinë e kongregacionit të hershëm të krishterë. E, pa dyshim, Apoli u ishte mirënjohës miqve të tij të rinj që i treguan këto hollësi të rëndësishme. Me këto informacione, Apoli «i ndihmoi shumë» vëllezërit në Akai dhe u dha dëshmi të fuqishme.—Vep. 18:27, 28.
5. Ç’ndihmë të dashur japin mijëra lajmëtarë të Mbretërisë dhe me ç’rezultat?
5 Sot shumë pjesëtarë të kongregacionit të krishterë u janë tejet mirënjohës atyre që i ndihmuan të kuptonin Biblën. Midis studentëve të Biblës dhe mësuesve të tyre janë krijuar mjaft miqësi të qëndrueshme. Në shumicën e rasteve, për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë të vërtetën, me ta duhen bërë biseda të rregullta e të programuara për disa muaj. Megjithatë, lajmëtarët e Mbretërisë janë të gatshëm ta bëjnë këtë sakrificë, sepse e kuptojnë që është një çështje për jetë a vdekje. (Gjoni 17:3) Gjithashtu, ç’gëzim është të shohësh kur njerëzit kuptojnë të vërtetën, jetojnë sipas saj dhe e përdorin jetën për të bërë vullnetin e Jehovait!
«Flitnin mirë për të»
6, 7. (a) Pse Pavli zgjodhi Timoteun si shok udhëtimi? (b) Ç’përparim bëri Timoteu nga ndihma që mori?
6 Kur apostulli Pavël dhe Sila vizituan Listrën gjatë udhëtimit të dytë misionar, takuan atje një të ri me emrin Timote, që ndoshta ishte në fund të adoleshencës ose në fillim të të njëzetave. «Vëllezërit në Listër dhe Ikoni flitnin mirë për të.» Mamaja e Timoteut, Eunika, dhe gjyshja e tij, Loida, ishin të krishtere të kushtuara, por babai nuk ishte besimtar. (2 Tim. 1:5) Pavli mund të ishte njohur me këtë familje gjatë vizitës së tij të parë në atë zonë, nja dy vjet përpara. Por tani, apostulli tregoi interes të veçantë për Timoteun ngaqë dukej se ishte një i ri i jashtëzakonshëm. Kështu, me miratimin e trupit të pleqve vendës, Timoteu u bë ndihmës i Pavlit në veprën misionare.—Lexo Veprat 16:1-3.
7 Timoteu kishte shumë për të mësuar nga shoku i tij më i madh. Por ai mësoi prej tij, dhe mësoi aq shumë, saqë pas ca kohësh Pavli mundi ta dërgonte i sigurt Timoteun për të vizituar kongregacionet dhe për të vepruar si përfaqësues i tij. Për rreth 15 vjet që Timoteu gëzoi shoqërinë e Pavlit, ky i ri i papërvojë dhe mbase i ndrojtur, përparoi deri në atë pikë sa u bë një mbikëqyrës i shkëlqyer.—Filip. 2:19-22; 1 Tim. 1:3.
8, 9. Çfarë mund të bëjnë pjesëtarët e kongregacionit për t’i inkurajuar të rinjtë? Jep një shembull.
8 Sot në kongregacionin e krishterë, shumë të rinj e të reja kanë mjaft potencial. Nëse inkurajohen dhe u tregohet kujdes nga shokë me mendje frymore, këta të rinj mund të synojnë e të pranojnë përgjegjësi më të mëdha mes popullit të Jehovait. Shih kongregacionin tënd. A vëren të rinj që mund të vënë veten në dispozicion si Timoteu? Me ndihmën dhe inkurajimin tënd, ata mund të bëhen pionierë, bethelitë, misionarë ose mbikëqyrës udhëtues. Si mund t’i ndihmosh të kenë synime të tilla?
9 Martini, i cili ka qenë pjesëtar i familjes Bethel për 20 vjet, kujton me mirënjohje interesin që tregoi ndaj tij një mbikëqyrës qarkor 30 vjet më parë kur ishin bashkë në shërbim. Mbikëqyrësi foli me entuziazëm për shërbimin në Bethel që kishte kryer kur ishte i ri. Ai e nxiti Martinin që të mendonte nëse mund të vihej në dispozicion të organizatës së Jehovait në të njëjtën mënyrë. Martini është i bindur se kjo bisedë e paharrueshme ndikoi shumë në zgjedhjet e mëvonshme. Kushedi se ç’të mirë mund të bësh edhe ti për të rinjtë duke folur me ta për synimet teokratike!
«T’u flitni në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar»
10. Si u ndie Epafroditi dhe pse?
10 Epafroditi bëri një udhëtim të gjatë dhe të mundimshëm nga Filipia në Romë, për të vizituar apostullin Pavël që ishte burgosur për shkak të besimit. Ai shkoi si i dërguar i filipianëve. Jo vetëm që ia çoi apostullit dhuratën e tyre, por edhe planifikoi të qëndronte me të për të bërë ç’të mundte që ta ndihmonte Pavlin në atë situatë të vështirë. Mirëpo, kur ishte në Romë, Epafroditi u sëmur «aq sa qe buzë vdekjes». Duke menduar se misioni i tij kishte dështuar, u dëshpërua.—Filip. 2:25-27.
11. (a) Pse nuk duhet të habitemi nëse disa në kongregacion janë të dëshpëruar ose vuajnë nga depresioni? (b) Çfarë këshilloi Pavli në rastin e Epafroditit?
11 Sot njerëzit vuajnë nga depresioni për shkak të presioneve të ndryshme. Sipas statistikave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, më shumë se 1 në 5 veta mund të vuajë nga depresioni në një periudhë të jetës. Edhe shërbëtorët e Jehovait mund të preken nga kjo gjendje. Problemet për të mbajtur familjen, shëndeti i keq, shkurajimi nga dështimet personale ose faktorë të tjerë, mund ta bëjnë dikë të ndihet zemërlëshuar. Çfarë mund të bënin filipianët për të ndihmuar Epafroditin? Pavli shkroi: «Tregojini mikpritje siç e kanë zakon ata që i shërbejnë Zotërisë, me çdo gëzim, dhe vazhdoni t’i keni të shtrenjtë këta lloj njerëzish, sepse, për shkak të veprës së Zotërisë, ai u gjend fare pranë vdekjes, dhe vuri shpirtin në rrezik, që të plotësonte mungesën tuaj këtu e të më shërbente vetë.»—Filip. 2:29, 30.
12. Çfarë mund t’i ngushëllojë të dëshpëruarit?
12 Edhe ne duhet t’i inkurajojmë vëllezërit që janë të shkurajuar, të dëshpëruar ose që vuajnë nga depresioni. Pa dyshim, ka gjëra pozitive që mund të themi për shërbimin e tyre ndaj Jehovait. Ndoshta ata kanë bërë ndryshime të mëdha në jetë që të bëheshin të krishterë ose që të shërbenin në kohë të plotë. I çmojmë përpjekjet e tyre dhe jemi të sigurt se edhe Jehovai i çmon. Nëse për shkak të moshës ose shëndetit të keq ndonjë besnik nuk mund të bëjë gjithçka si dikur, prapëseprapë meriton tërë respektin tonë për vitet që ka shërbyer. Sido që të jetë, këshilla e Jehovait për të gjithë besnikët e tij është kjo: «T’u flitni në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar, të mbështetni të dobëtit dhe të jeni shpirtgjerë me të gjithë.»—1 Sel. 5:14.
«Ta falni me dashamirësi e ta ngushëlloni»
13, 14. (a) Ç’veprim serioz ndërmori kongregacioni i Korintit dhe pse? (b) Ç’rezultat pati përjashtimi?
13 Kongregacioni i Korintit në shekullin e parë hasi një situatë ku një person kryente kurvëri pa u penduar. Sjellja e tij kërcënonte pastërtinë e kongregacionit dhe përbënte një skandal edhe për jobesimtarët. Prandaj, me të drejtë Pavli urdhëroi që ai njeri të hiqej nga kongregacioni.—1 Kor. 5:1, 7, 11-13.
14 Ajo disiplinë pati rezultat të mirë. Kongregacioni u mbrojt nga ndikimi korruptues dhe mëkatari e pranoi keqbërjen dhe u pendua sinqerisht. Meqë ai njeri kishte kryer vepra të denja për pendim, Pavli tregoi në letrën e tij të dytë drejtuar atij kongregacioni se duhej rivendosur. Por, nuk kërkohej vetëm kaq. Pavli udhëzoi që kongregacioni ‘ta falte me dashamirësi e ta ngushëllonte [mëkatarin e penduar], që ai të mos përpihej në ndonjë mënyrë nga trishtimi i tepërt’.—Lexo 2 Korintasve 2:5-8.
15. Si duhet t’i shohim keqbërësit e penduar që rivendosen në kongregacion?
15 Çfarë mësojmë nga ky tregim? Trishtohemi kur duhen përjashtuar disa. Ata mund t’i kenë sjellë çnderim emrit të Jehovait dhe të kenë dëmtuar reputacionin e kongregacionit. Madje mund të kenë mëkatuar ndaj nesh personalisht. Megjithatë, kur pleqtë e caktuar për të shqyrtuar çështjen arrijnë në përfundimin, në përputhje me drejtimin e Jehovait, se një mëkatar i penduar duhet pranuar përsëri në kongregacion, kjo tregon se ai është falur nga Jehovai. (Mat. 18:17-20) A nuk duhet të përpiqemi ta imitojmë Atë? Faktikisht, po të tregoheshim të ashpër dhe të mos e falnim, do të ishte njësoj sikur të kundërshtonim Jehovain. Që të kontribuojmë për paqen e unitetin e kongregacionit të Perëndisë dhe të kemi miratimin e Tij, a nuk duhet ‘ta sigurojmë për dashurinë tonë’ mëkatarin që pendohet vërtet dhe rivendoset?—Mat. 6:14, 15; Luka 15:7.
«Është i dobishëm për shërbimin tim»
16. Pse Pavli u zhgënjye nga Marku?
16 Një tjetër tregim biblik thekson se nuk duhet të ushqejmë ndjenja negative kundër atyre që na kanë zhgënjyer. Për shembull, Gjon Marku e zhgënjeu thellë apostullin Pavël. Si? Kur Pavli dhe Barnaba filluan udhëtimin e tyre të parë misionar, Marku shkoi me ta për t’i ndihmuar. Por, në njëfarë pike të udhëtimit dhe për arsye të papërmendura, Gjon Marku i la shokët e tij dhe u kthye në shtëpi. Pavli u zhgënjye kaq shumë nga ky vendim, saqë kur po planifikonin një udhëtim të dytë, ai pati mosmarrëveshje me Barnabën nëse duhej t’i shoqëronte përsëri Marku. Duke pasur parasysh atë që kishte ndodhur në udhëtimin e parë, Pavli nuk donte që Marku të udhëtonte me ta.—Lexo Veprat 13:1-5, 13; 15:37, 38.
17, 18. Si e dimë që Pavli e Marku arritën të zgjidhnin problemin që kishin midis tyre dhe çfarë mund të mësojmë nga kjo?
17 Me sa duket, Marku nuk e lejoi kundërshtimin e Pavlit ta shkurajonte tepër, sepse vazhdoi veprën misionare në një territor tjetër me Barnabën. (Vep. 15:39) Që Marku u tregua besnik dhe i besueshëm, shihet nga fjalët që shkroi Pavli për të disa vjet më vonë. Pavli, që tani ishte i burgosur në Romë, me anë të një letre i kërkoi Timoteut të vinte tek ai. Në të njëjtën letër, tha: «Merre me vete Markun dhe sille, sepse është i dobishëm për shërbimin tim.» (2 Tim. 4:11) Po, tani Pavli besonte se Marku kishte bërë përparim.
18 Nga kjo ngjarje nxjerrim një mësim. Marku zhvilloi cilësitë e një misionari të mirë. Atë nuk e pengoi kundërshtimi i Pavlit në fillim. Edhe ai, edhe Pavli ishin burra frymorë dhe nuk mbajtën inat për shumë kohë ndaj njëri-tjetrit. Përkundrazi, më vonë, Pavli e konsideroi Markun një ndihmës të vlefshëm. Pra, kur vëllezërit kapërcejnë vështirësi dhe problemet kanë kaluar, duhet të ecin përpara dhe të vazhdojnë të ndihmojnë të tjerët që të bëjnë përparim frymor. Një qëndrim pozitiv e ndërton kongregacionin.
Kongregacioni dhe ti
19. Ç’ndihmë mund t’i japin njëri-tjetrit të gjithë pjesëtarët e kongregacionit të krishterë?
19 Në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», ti ke nevojë për ndihmën e vëllezërve dhe të motrave në kongregacion, por edhe ata kanë nevojë për ndihmën tënde. (2 Tim. 3:1) Të krishterët individualisht mund të mos e dinë gjithnjë se ç’rrugë duhet të ndjekin për të përballuar me sukses situatat që ndeshin, por Jehovai e di. Dhe, ai mund të përdorë pjesëtarë të ndryshëm të kongregacionit—përfshirë edhe ty—që t’i ndihmojë të tjerët të ndjekin udhën e duhur. (Isa. 30:20, 21; 32:1, 2) Prandaj, bëj çmos të marrësh për zemër nxitjen e apostullit Pavël! «Vazhdoni të ngushëlloni njëri-tjetrin dhe të ndërtoni njëri-tjetrin, siç edhe po bëni.»—1 Sel. 5:11.
Si do të përgjigjeshe?
• Pse është e nevojshme t’i ndërtojmë të tjerët në kongregacionin e krishterë?
• Për cilat vështirësi mund t’i ndihmosh të tjerët?
• Pse kemi nevojë për ndihmën e të tjerëve në kongregacion?
[Figura në faqen 11]
Kur një i krishterë po lufton me një situatë të vështirë, mund ta mbështetim
[Figura në faqen 12]
Sot në kongregacionin e krishterë, shumë të rinj e të reja kanë mjaft potencial