Apoli: Një lajmëtar elokuent i së vërtetës së krishterë
QOFSHIN anëtarë të kongregacionit të krishterë për shumë apo për pak vjet, të gjithë lajmëtarët e Mbretërisë duhet të jenë të interesuar për të bërë progres si predikues të lajmit të mirë. Kjo gjë përfshin rritjen e njohurisë sonë mbi Fjalën e Perëndisë dhe aftësinë për t’ua mësuar atë të tjerëve. Për disa, mund të nënkuptojë përballimin e sfidave, mposhtjen e vështirësive apo vënien e vetes në dispozicion për një aktivitet në rritje.
Bibla përmban disa shembuj të burrave dhe grave të devotshme të kohëve të lashta, të cilët në mënyra të ndryshme ia dolën mbanë të bënin një përparim të madh frymor dhe të korrnin shpërblimin e përpjekjeve të tyre. Një prej tyre ishte edhe Apoli. Kur na paraqitet në Shkrime, ai është një individ me një kuptueshmëri të cunguar të mësimeve të krishtere; por pak vite më vonë, ai kryen veprimtarinë e përfaqësuesit udhëtues në kongregacionin e shekullit të parë. Ç’gjë e mundësoi atë të bënte një progres të tillë? Ai zotëronte cilësi, të cilat secili prej nesh do të bënte mirë t’i imitonte.
«Njohës i Shkrimit»
Sipas shkrimtarit biblik, Lukës, rreth vitit 52 të e.s., «një Jude, me emër Apollo, lindur në Aleksandri, njeri orator dhe njohës i Shkrimit, arriti në Efes. Ai ishte i mësuar në udhën e Zotit dhe i zjarrtë në frymë, fliste dhe mësonte me zell gjërat e Zotit, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit. Ai filloi të flasë lirisht [me guxim, BR] në sinagogë».—Veprat 18:24-26.
Aleksandria, Egjipti, ishte qyteti i dytë më i madh në botë pas Romës dhe ishte një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të kohës si për judenjtë, ashtu edhe për grekët. Ka të ngjarë që Apoli ta ketë fituar njohurinë e tij të shëndetshme për Shkrimet Hebreje dhe njëfarë elokuence nga arsimimi në komunitetin e gjerë jude të atij qyteti. Është shumë e vështirë të hamendet se ku mësoi Apoli për Jezuin. «Siç duket, ai ishte një udhëtar, ndoshta një tregtar endacak,—sugjeron dijetari F. F. Brus,—dhe mund të ketë takuar predikues të krishterë në çdo vend që vizitoi.» Sidoqoftë, edhe pse ai foli dhe mësoi me saktësi për Jezuin, duket se atij i ishte dhënë dëshmi përpara Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., sepse ai «njihte vetëm pagëzimin e Gjonit».
Si pararendës i Jezuit, Gjon Pagëzori kishte dhënë një dëshmi të fuqishme në të gjithë kombin e Izraelit dhe shumë persona ishin pagëzuar nga duart e tij, si simbol i pendimit. (Marku 1:5; Luka 3:15, 16) Sipas disa historianëve, mes popullsisë judeje të perandorisë Romake, njohuria e shumë njerëzve mbi Jezuin ishte kufizuar në atë që ishte predikuar nga Gjon Pagëzori buzë Jordanit. «Krishterimi i tyre nuk kishte përparuar më tej nga ç’ishte në fillimet e shërbimit të Zotërisë tonë,—thotë W. J. Kanibar dhe J. S. Hauson.—Ata ishin injorantë në lidhje me domethënien e plotë të vdekjes së Krishtit; madje, ka mundësi që ata të mos dinin faktin e ringjalljes së Tij.» Duket se edhe Apoli ishte krejt i paditur mbi derdhjen e frymës së shenjtë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. Megjithatë, ai kishte marrë disa informacione të sakta mbi Jezuin dhe nuk i mbajti ato për vete. Në fakt, me guxim ai kërkoi mundësi për të folur mbi atë që dinte. Megjithatë, zelli dhe entuziazmi i tij prapëseprapë nuk ishin sipas njohurisë së saktë.
I zellshëm, por i përulur
Tregimi i Lukës vazhdon: «Kur Akuila dhe Prishila e dëgjuan, e morën me vete dhe ia shtjelluan më thellë udhën e Perëndisë.» (Veprat 18:26) Akuila dhe Prishila duhet të kenë kuptuar se besimi i Apolit kishte shumë gjëra të përbashkëta me besimin e tyre, por duke përdorur mençuri, ata nuk u munduan të korrigjonin kuptueshmërinë e tij të cunguar në publik. Ndoshta mund të imagjinojmë se ata zhvilluan një varg bisedash me Apolin, me synimin për ta ndihmuar. Si reagoi Apoli, një «njohës i mirë i Shkrimit»? (Veprat 18:24, DSF) Ka shumë mundësi që Apoli ta ketë predikuar në publik mesazhin e tij të cunguar kohë para se të takonte Akuilën dhe Prishilën. Një person krenar fare mirë mund të mos kish pranuar asnjë korrigjim, por Apoli ishte i përulur dhe mirënjohës që mund të plotësonte njohurinë e tij.
I njëjti qëndrim i përkorë i Apolit duket edhe në gatishmërinë e tij për të pranuar një letër rekomandimi drejtuar kongregacionit të Korintit nga vëllezërit e Efesit. Tregimi vazhdon: «Pastaj, mbasi ai donte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta prisnin.» (Veprat 18:27; 19:1) Apoli nuk kërkoi që ta pranonin sipas meritave të tij, por me modesti ndoqi përgatitjet e bëra nga kongregacioni i krishterë.
Në Korint
Rezultatet e para që pati Apoli në shërbim ishin të shkëlqyera. Libri i Veprave raporton: «Mbasi arriti atje, ai i ndihmoi shumë ata që kishin besuar me anë të hirit [dashamirësisë së pamerituar, BR]. Ai në fakt, i kundërshtonte botërisht me forcë të madhe judenjtë, duke treguar me anë të Shkrimeve se Jezusi është Krishti.»—Veprat 18:27, 28.
Apoli e vuri veten në shërbim të kongregacionit, duke i inkurajuar vëllezërit me përgatitjen dhe zellin e tij. Cili ishte çelësi i suksesit të tij? Pa dyshim që Apoli kishte aftësi natyrore dhe u tregua i guximshëm që të rrihte mendimet publikisht me judenjtë. Por, ç’ka është më e rëndësishme, ai arsyetonte, duke përdorur Shkrimet.
Megjithëse Apoli ushtronte një ndikim të fuqishëm mes korintasve, mjerisht predikimi i tij ngjallte pasoja të papritura negative. Si kështu? Që të dy, Pavli dhe Apoli kishin bërë shumë për mbjelljen dhe ujitjen e farës së të vërtetës mbi Mbretërinë në Korint. Pavli kishte predikuar atje rreth vitit 50 të e.s., gati dy vjet para se të arrinte atje Apoli. Që nga koha kur Pavli u shkroi letrën e tij të parë korintasve, rreth vitit 55 të e.s., ishin zhvilluar fraksione. Disa e konsideronin Apolin si kreun e tyre, ndërsa të tjerë favorizonin Pavlin ose Pjetrin apo ishin kapur vetëm pas Krishtit. (1. Korintasve 1:10-12) Disa thoshin: ‘Unë jam i Apolit.’ Përse?
Mesazhi që predikonin Pavli dhe Apoli ishte i njëjti, por personalitetet e tyre ndryshonin. Pavli e kishte pranuar vetë se ishte «i paaftë në të folur»; Apoli nga ana tjetër ishte «i gojës». (2. Korintasve 10:10; 11:6, BR) Ai zotëronte aftësi që i jepnin mundësi atij t’i vihej veshi nga disa të komunitetit jude në Korint. Ai ia doli mbanë ‘të provonte se judenjtë ishin krejtësisht gabim’, ndërkohë që Pavli jo shumë kohë më parë kishte ikur nga sinagoga.—Veprat 18:1, 4-6.
A mund të ketë qenë kjo arsyeja që mund t’i ketë çuar disa të ndiqnin Apolin? Disa komentues mbrojnë teorinë se pasioni i lindur për biseda filozofike mes grekëve, mund të ketë bërë që disa të preferonin prezantimin më nxitës të Apolit. Xhuzepe Riçoti sugjeron se «gjuha [e Apolit] plot nuanca dhe alegoritë e tij të stolisura e kishin bërë që të fitonte admirimin e shumë personave, të cilët preferonin më shumë atë sesa Pavlin, një orator pa pretendime dhe jo i gojës». Nëse me të vërtetë, persona të tillë lejonin gabimisht që preferenca të tilla personale të krijonin përçarje mes vëllezërve, nuk është e vështirë të kuptohet përse Pavli e kritikoi rreptë lartësimin e «mençurisë së njerëzve të mençur».—1. Korintasve 1:17-25, BR.
Gjithsesi, një kritikë e tillë nuk nënkupton fërkime ndërmjet Pavlit dhe Apolit. Edhe pse disa kanë imagjinuar në ëndrra se këta dy predikues ishin kundërshtarë të paepur që luftonin për të fituar dashurinë e përzemërt të korintasve, Shkrimet nuk e përmendin aspak këtë gjë. Në vend se të bënte përçapje për të çuar veten në vend si kreu i fraksionit, Apoli iku nga Korinti e u kthye në Efes dhe ishte me Pavlin, kur ai shkroi letrën e parë për kongregacionin e përçarë.
Nuk ekzistonte mungesë uniteti apo rivalitet ndërmjet tyre. Përkundrazi që të dy bashkëpunonin dukshëm për të zgjidhur problemet në Korint me mirëbesim reciprok. Ndoshta Pavli kishte disa dyshime të tij për disa elementë në Korint, por sigurisht që jo për Apolin. Puna e këtyre dy burrave ishte në harmoni të plotë; mësimet e tyre plotësonin njëri-tjetrin. Le të citojmë vetë fjalët e Pavlit, i cili tha se ‘ai mbolli, Apoli ujiti’, sepse që të dy ishin «bashkëpunëtorë të Perëndisë».—1. Korintasve 3:6, 9, 21-23.
Ashtu si Pavli, edhe korintasit kishin nderim të madh për Apolin dhe dëshironin që ai t’u bënte edhe një vizitë tjetër. Por, kur Pavli e ftoi Apolin që të kthehej në Korint, ky burrë nga Aleksandria nuk pranoi. Pavli thotë: «Sa për vëllanë Apol, iu luta shumë që të vijë tek ju . . . vëllezërit, por ai s’deshi kurrsesi të vinte tani; por do të vijë kur ta ketë volinë.» (1. Korintasve 16:12) Apoli mund të ketë kundërshtuar të kthehej atje, pasi kishte frikë se mos ngjallte përçarje të tjera apo thjesht për shkak se ishte i zënë diku gjetkë.
Herën e fundit që Apoli është përmendur në Shkrime, ishte duke udhëtuar për në Kretë e ndoshta matanë Kretës. Përsëri Pavli shfaq nderim të veçantë për mikun dhe bashkëpunëtorin e tij, duke i kërkuar Titit që t’i siguronte Apolit dhe shokut të tij të udhëtimit, Zenas, gjithçka që mund t’u nevojitej për udhëtimin. (Titit 3:13) Që nga ajo kohë, pasi kishte bërë gati dhjetë vjet stërvitje të krishterë, Apoli kishte bërë mjaft progres sa për të kryer veprimtarinë e përfaqësuesit udhëtues në kongregacion.
Clësitë hyjnore që e bënë më të lehtë rritjen frymore
Predikuesi nga Aleksandria la një shembull të shkëlqyer për të gjithë lajmëtarët e lajmit të mirë në ditët e sotme dhe në fakt, për të gjithë ata që dëshirojnë të përparojnë frymësisht. Ndoshta nuk jemi aq të gojës sa ç’ishte ai, por pa dyshim që mund të përpiqemi të arrijmë njohurinë dhe aftësinë e tij në përdorimin e Shkrimeve, duke ndihmuar kështu ata që kërkojnë të vërtetën me sinqeritet. Përmes shembullit të tij të aktivitetit të zellshëm, Apoli «i ndihmoi shumë ata që kishin besuar». (Veprat 18:27) Apoli ishte i përulur, vetëmohues dhe i gatshëm për t’u shërbyer të tjerëve. Ai e kuptonte mirë se s’ka vend për rivalitet apo ambicie në kongregacionin e krishterë, sepse të gjithë jemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë».—1. Korintasve 3:4-9; Luka 17:10.
Ashtu si Apoli, edhe ne mund të përparojmë frymësisht. A jemi të gatshëm për t’u përmirësuar apo për të zgjeruar shërbimin tonë të shenjtë, duke e vënë veten në dispozicion për t’u përdorur në mënyrë sa më të plotë nga Jehovai dhe organizata e tij? Në këtë rast do të jemi studentë dhe lajmëtarë të zellshëm të së vërtetës së krishterë.