«Fjala e Jehovait vazhdonte të rritej»
«Ai e dërgon thënien e tij në tokë; fjala e tij vrapon me shpejtësi.»—PSALMI 147:15, BR.
1, 2. Çfarë caktimi u dha Jezui dishepujve të tij dhe çfarë përfshinte ky caktim?
NJË nga profecitë më mahnitëse të Biblës gjendet te Veprat 1:8. Pak kohë para se të ngjitej në qiell, Jezui u tha ithtarëve të tij besimplotë: «Do të merrni fuqi, kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju e do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» Ç’detyrë e madhe që do të ishte kjo!
2 Caktimi për të shpallur fjalën e Perëndisë në të gjithë tokën duhet t’i jetë dukur një sfidë atij grupi të vogël dishepujsh. Shqyrtoni se çfarë përfshinte ky caktim. Duhej të ndihmonin njerëzit që të kuptonin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 24:14) Të jepnin dëshmi për Jezuin nënkuptonte edhe që të ndanin me të tjerët mësimet e tij të fuqishme e të shpjegonin rolin e tij në qëllimin e Jehovait. Për më tepër, vepra përfshinte edhe bërjen e dishepujve e, pastaj, pagëzimin e tyre. E kjo gjë duhej bërë në mbarë botën!—Mateu 28:19, 20.
3. Për çfarë i siguroi Jezui ithtarët e tij dhe si iu përgjigjën ata veprës që u ishte dhënë?
3 Megjithatë, Jezui i siguroi ithtarët e tij se fryma e shenjtë do të ishte me ta për të kryer veprën që ai u kishte dhënë. Kështu, me gjithë shtrirjen e madhe të caktimit dhe përpjekjet e vazhdueshme e të dhunshme të kundërshtarëve për t’i bërë që të heshtnin, dishepujt e hershëm të Jezuit e kryen me sukses atë që u kishte urdhëruar ai. Ky është një fakt historik që nuk mund të mohohet.
4. Si u shfaq dashuria e Perëndisë në caktimin për të predikuar e për të mësuar të tjerët?
4 Fushata mbarëbotërore e predikimit dhe e mësimdhënies ishte shprehje e dashurisë së Perëndisë për ata që nuk e njihnin. Kjo fushatë u jepte atyre mundësi që t’i afroheshin Jehovait dhe të merrnin faljen e mëkateve. (Veprat 26:18) Caktimi për të predikuar e për të mësuar tregonte, gjithashtu, dashurinë e Perëndisë për ata që jepnin mesazhin. U jepte mundësi atyre të shprehnin devocionin ndaj Jehovait dhe të shfaqnin dashurinë që kishin për njerëzit e tjerë. (Mateu 22:37-39) Apostulli Pavël e vlerësonte kaq shumë shërbimin e krishterë, saqë foli për të si për një «thesar».—2 Korintasve 4:7.
5. (a) Ku e gjejmë dokumentimin më të besueshëm për të krishterët e hershëm dhe cila rritje përshkruhet aty? (b) Përse libri i Veprave është domethënës për shërbëtorët e Perëndisë sot?
5 Dokumentimin më të besueshëm të veprës së predikimit të të krishterëve të hershëm e gjejmë në librin e frymëzuar të Veprave, shkruar nga dishepulli Luka. Aty flitet për një rritje të shpejtë dhe mahnitëse. Kjo rritje e njohurisë së Fjalës së Perëndisë na kujton Psalmin 147:15, ku thuhet: «[Jehovai] e dërgon thënien e tij në tokë; fjala e tij vrapon me shpejtësi.» (BR) Historia e të krishterëve të hershëm, të cilët morën fuqi nga fryma e shenjtë, për ne sot është njëkohësisht entuziazmuese dhe shumë domethënëse. Dëshmitarët e Jehovait janë të përfshirë në të njëjtën vepër të predikimit dhe të bërjes së dishepujve, vetëm se në një shkallë shumë më të gjerë. Përveç kësaj, ne hasim probleme të ngjashme me ato që hasën të krishterët në shekullin e parë. Ndërsa shqyrtojmë se si i bekoi dhe u dha fuqi Jehovai të krishterëve të hershëm, na forcohet besimi se kemi mbështetjen e tij.
Rritje në numrin e dishepujve
6. Cila frazë që përfshin rritjen gjendet tri herë në librin e Veprave dhe me çfarë ka të bëjë ajo?
6 Një mënyrë për të shqyrtuar përmbushjen e Veprave 1:8 është të studiojmë shprehjen «fjala e Jehovait vazhdonte të rritej», një frazë që, me ndryshime të vogla, gjendet vetëm tri herë në Bibël dhe të tria herët në librin e Veprave. (Veprat 6:7; 12:24; 19:20) «Fjala e Jehovait» ose «fjala e Perëndisë» në këto vargje ka të bëjë me lajmin e mirë: mesazhin nxitës të së vërtetës hyjnore, një mesazh i gjallë e i fuqishëm që ua ndryshoi jetën atyre që e pranuan.—Hebrenjve 4:12.
7. Me çfarë lidhet rritja e fjalës së Perëndisë te Veprat 6:7 dhe çfarë ndodhi në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s.?
7 Citimin e parë për rritjen e fjalës së Perëndisë e gjejmë te Veprat 6:7. Atje lexojmë: «Për pasojë, fjala e Perëndisë vazhdonte të rritej dhe numri i dishepujve në Jerusalem vazhdonte të shtohej shumë; dhe një shumicë e madhe priftërinjsh filluan t’i bindeshin besimit.» Këtu, rritja lidhet me shtimin e numrit të dishepujve. Më parë, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., fryma e shenjtë e Perëndisë u derdh mbi afro 120 dishepuj të mbledhur në një dhomë të sipërme. Pastaj, apostulli Pjetër mbajti një fjalim prekës dhe rreth 3.000 nga ata që e dëgjuan u bënë besimtarë po atë ditë. Ç’rrëmujë duhet të ketë qenë ndërkohë që mijëra njerëz drejtoheshin për nga pellgu ose pellgjet që ndodheshin brenda dhe afër Jerusalemit, për t’u pagëzuar në emër të Jezuit, njeriut që ishte vënë në shtyllë si kriminel 50 ditë më parë!—Veprat 2:41.
8. Si u rrit numri i dishepujve në vitet që pasuan Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s.?
8 Sigurisht, ky ishte vetëm fillimi. Përpjekjet e vazhdueshme të udhëheqësve fetarë judenj për ta ndalur veprën e predikimit ishin të kota. Ndryshe nga ajo që pritnin këta udhëheqës, «Jehovai vazhdonte të bashkonte përditë me [dishepujt] ata që shpëtonin». (Veprat 2:47) Shumë shpejt, «numri i njerëzve u bë rreth pesë mijë veta». Pas kësaj, «vazhduan të shtoheshin besimtarë në Zotërinë, një shumicë burrash e grash». (Veprat 4:4; 5:14) Për një periudhë të mëvonshme, lexojmë: «Kongregacioni në mbarë Judenë, Galilenë dhe Samarinë hyri vërtet në një periudhë paqeje dhe po ndërtohej; e ai vazhdonte të shumohej, ndërsa ecte në frikën e Jehovait dhe në ngushëllimin e frymës së shenjtë.» (Veprat 9:31) Disa vjet më vonë, ndoshta rreth vitit 58 të e.s., bëhej fjalë për «mijëra besimtarë». (Veprat 21:20) Në atë kohë, kishte edhe shumë besimtarë johebrenj.
9. Si do t’i përshkruanit të krishterët e hershëm?
9 Kjo rritje numerike u bë në masë të madhe me anë të kthimit në besim. Feja ishte e re, por shumë vepruese. Në vend që të ishin vetëm anëtarë pasivë të kishës, dishepujt i ishin përkushtuar plotësisht Jehovait dhe Fjalës së tij. Nganjëherë, disa e kishin mësuar të vërtetën nga ata që ishin përndjekur egërsisht. (Veprat 16:23, 26-33) Ata që pranuan krishterimin, e bënë këtë pasi morën një vendim të bazuar në arsyen dhe me ndërgjegje të plotë. (Romakëve 12:1) Ata u arsimuan në udhët e Perëndisë dhe e vërteta u hyri në mendje e në zemër. (Hebrenjve 8:10, 11) Ishin gati të vdisnin për atë që besonin.—Veprat 7:51-60.
10. Cilën përgjegjësi pranuan të krishterët e hershëm dhe çfarë paralelizmi gjejmë sot?
10 Ata që përqafuan mësimin e krishterë e kuptuan përgjegjësinë për ta ndarë të vërtetën me të tjerët. Kjo ndihmoi drejtpërdrejt në rritjen e mëtejshme në numër. Një studiues biblik tha: «Të flitje për besimin me të tjerët nuk shihej si e drejta e privilegjuar e më të zellshmëve ose e ndonjë ungjillëzuesi të caktuar zyrtarisht. Ungjillëzimi ishte privilegj dhe detyrë e çdo anëtari të Kishës. . . . Shtrirja e vetvetishme e të gjithë komunitetit të krishterë i dha shtysë shumë të madhe lëvizjes që nga fillimi i saj.» Ai shkroi më tej: «Ungjillëzimi ishte forca jetëdhënëse e të krishterëve të hershëm.» E njëjta gjë është edhe me të krishterët e vërtetë sot.
Rritja gjeografike
11. Cila lloj rritjeje përshkruhet te Veprat 12:24 dhe si ndodhi kjo rritje?
11 Një citim i dytë për rritjen e fjalës së Perëndisë gjendet te Veprat 12:24: «Fjala e Jehovait vazhdoi të rritej e të përhapej.» Këtu fraza lidhet me rritjen gjeografike. Me gjithë kundërshtimin nga ana e qeverive, vepra vazhdoi të lulëzonte. Fryma e shenjtë u derdh fillimisht në Jerusalem dhe që aty fjala u përhap me shpejtësi. Përndjekja në Jerusalem i shpërndau dishepujt në mbarë viset e Judesë dhe të Samarisë. Pasoja? «Ata që ishin shpërndarë, kaluan nëpër vend, duke shpallur lajmin e mirë të fjalës.» (Veprat 8:1, 4) Filipi mori udhëzime që t’i dëshmonte një burri, i cili, pasi u pagëzua, e çoi mesazhin në Etiopi. (Veprat 8:26-28, 38, 39) Me shpejtësi, e vërteta zuri rrënjë në Lida, në rrafshinën e Saronit dhe në Jopë. (Veprat 9:35, 42) Më vonë, apostulli Pavël përshkoi mijëra kilometra me rrugë detare e tokësore, duke themeluar kongregacione në shumë vende të Mesdheut. Apostulli Pjetër shkoi në Babiloni. (1 Pjetrit 5:13) Brenda 30 vjetësh pas derdhjes së frymës së shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, Pavli shkroi se lajmi i mirë ishte predikuar «ndër të gjitha krijesat që janë nën qiell», me sa duket, duke iu referuar botës që njihej në atë kohë.—Kolosianëve 1:23.
12. Në ç’mënyrë kundërshtarët e krishterimit e pranuan rritjen gjeografike të fjalës së Perëndisë?
12 Edhe kundërshtarët e krishterimit e pranuan se fjala e Perëndisë kishte zënë rrënjë në mbarë Perandorinë Romake. Për shembull, te Veprat 17:6 tregohet se në Selanik, në Greqinë Veriore, kundërshtarët thirrën: «Këta njerëz që kanë kthyer përmbys tokën e banuar janë të pranishëm edhe këtu.» Po ashtu, në fillim të shekullit të dytë, që nga Bitinia Plini i Ri i shkroi një letër perandorit romak Trajanit, në lidhje me krishterimin. Ai u ankua: «Nuk kufizohet vetëm nëpër qytete, por e ka përhapur infektimin edhe në fshatrat e në vendet fqinje.»
13. Në ç’mënyrë rritja gjeografike pasqyron dashurinë e Perëndisë për njerëzimin?
13 Kjo rritje gjeografike ishte shprehje e dashurisë së thellë të Jehovait për njerëzimin që mund të shpengohej. Kur Pjetri vërejti që fryma e shenjtë u shfaq te Korneli johebre, tha: «E kuptoj pa pikë dyshimi se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.» (Veprat 10:34, 35) Po, lajmi i mirë ishte dhe është një mesazh për të gjithë njerëzit. Rritja gjeografike e fjalës së Perëndisë u dha mundësi njerëzve kudo që ndodheshin t’i përgjigjeshin dashurisë së Perëndisë. Në këtë shekull të 21-të, fjala e Perëndisë është përhapur në kuptimin e mirëfilltë në çdo skaj të tokës.
Rritje që ngadhënjeu
14. Cila lloj rritjeje përshkruhet te Veprat 19:20 dhe mbi çfarë gjëje ngadhënjeu fjala e Perëndisë?
14 Citimin e tretë për rritjen e fjalës së Perëndisë e gjejmë te Veprat 19:20: «Kështu, fjala e Perëndisë u rrit fuqishëm dhe ngadhënjeu.» (King James Version) Fjala origjinale greke që është përkthyer ‘ngadhënjej’, jep idenë e ‘ushtrimit të forcës’. Vargjet që paraprijnë, tregojnë se në Efes shumë veta u bënë besimtarë dhe disa prej atyre që praktikonin artet magjike i dogjën librat e tyre para të gjithëve. Kështu, fjala e Perëndisë ngadhënjeu mbi besimet e tjera të rreme fetare. Gjithashtu, lajmi i mirë ngadhënjeu mbi pengesat e tjera, siç ishte përndjekja. Nuk kishte asgjë që ta ndalte. Këtu, gjejmë përsëri një përputhje të dukshme me krishterimin e vërtetë në kohën tonë.
15. (a) Çfarë shkroi një historian biblik për të krishterët e hershëm? (b) Kujt ia jepnin meritën dishepujt për suksesin e tyre?
15 Apostujt dhe të krishterët e tjerë të hershëm e shpallën fjalën e Perëndisë me zell. Në lidhje me ta, një historian biblik vërejti: «Kur njerëzit kanë vullnetin për të folur për Zotërinë e tyre, nuk u mungojnë mënyrat për ta bërë këtë. Në të vërtetë, më shumë përshtypje na bën motivimi i këtyre burrave e grave, sesa metodat që përdorin.» Sidoqoftë, ata të krishterë të hershëm e pranuan se suksesi i shërbimit të tyre nuk varej vetëm nga përpjekjet që bënin. Ata kishin autorizimin hyjnor për ta vazhduar veprën dhe kishin mbështetjen hyjnore për ta kryer atë. Rritja frymore vjen nga Perëndia. Apostulli Pavël e pranoi këtë në letrën e tij drejtuar kongregacionit në Korint. Ai shkroi: «Unë mbolla, Apoli ujiti, por Perëndia vazhdoi ta rriste. Sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.»—1 Korintasve 3:6, 9.
Fryma e shenjtë në veprim
16. Nga duket se fryma e shenjtë u dha fuqi dishepujve që të flitnin me guxim?
16 Sillni ndër mend që Jezui i siguroi dishepujt e tij se fryma e shenjtë do të luante rolin e vet në rritjen e fjalës së Perëndisë dhe do t’u jepte fuqi dishepujve në veprën e tyre të predikimit. (Veprat 1:8) Si ndodhi kjo? Jo shumë kohë pasi u derdh fryma e shenjtë mbi dishepujt, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, Pjetri dhe Gjoni u thirrën për të folur në Sinedrin Judaik, gjykatën më të lartë në vend. Gjykatësit e këtij Sinedri ishin përgjegjës për ekzekutimin e Jezu Krishtit. A do të dridheshin nga frika apostujt para këtij institucioni hijerëndë dhe armiqësor? Aspak! Fryma e shenjtë i dha fuqi Pjetrit dhe Gjonit që të flitnin me një guxim të atillë, saqë kundërshtarët e tyre u mbushën me habi dhe «filluan të kuptonin se ata kishin qenë me Jezuin». (Veprat 4:8, 13) Në të njëjtën mënyrë, fryma e shenjtë e bëri Stefanin të dëshmonte me guxim para Sinedrit. (Veprat 6:12; 7:55, 56) Më parë, fryma e shenjtë i kishte nxitur dishepujt të predikonin me guxim. Luka raporton: «Si kishin bërë përgjërime, vendi ku ishin mbledhur së bashku u trondit; e që të gjithë ata u mbushën me frymën e shenjtë dhe po e thoshin fjalën e Perëndisë me guxim.»—Veprat 4:31.
17. Në cilat mënyra të tjera i ndihmoi fryma e shenjtë dishepujt në shërbimin e tyre?
17 Nëpërmjet frymës së tij të fuqishme të shenjtë, Jehovai, së bashku me Jezuin e ringjallur, drejtuan veprën e predikimit. (Gjoni 14:28; 15:26) Kur fryma u derdh mbi Kornelin dhe mbi farefisin e miqtë e tij të ngushtë, apostulli Pjetër e kuptoi se johebrenjtë e parrethprerë mund të kualifikoheshin për t’u pagëzuar në emrin e Jezu Krishtit. (Veprat 10:24, 44-48) Më vonë, fryma luajti një rol kyç në emërimin e Barnabës dhe të Saulit (apostulli Pavël) për veprën misionare dhe për t’i drejtuar ata ku duhej të shkonin e ku jo. (Veprat 13:2, 4; 16:6, 7) Ajo drejtonte rrugën që ndiqnin apostujt dhe pleqtë në Jerusalem për të marrë vendime. (Veprat 15:23, 28, 29) Fryma e shenjtë udhëhiqte edhe emërimin e mbikëqyrësve në kongregacionin e krishterë.—Veprat 20:28.
18. Si e shprehnin të krishterët e hershëm dashurinë e tyre?
18 Përveç këtyre, fryma e shenjtë u bë e dukshme edhe te vetë të krishterët, duke prodhuar cilësi hyjnore të tilla si dashuria. (Galatasve 5:22, 23) Dashuria i nxiti dishepujt t’i ndanin gjërat me njëri-tjetrin. Për shembull, pas Festës së Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., u krijua një fond i përbashkët për të plotësuar nevojat materiale të dishepujve në Jerusalem. Tregimi biblik thotë: «Midis tyre nuk kishte as edhe një në nevojë; sepse të gjithë ata që ishin pronarë arash ose shtëpish, i shitnin ato dhe vlerën e gjërave të shitura e sillnin dhe e vinin te këmbët e apostujve. Më pas bëhej shpërndarja, secilit sipas nevojës që kishte.» (Veprat 4:34, 35) Kjo dashuri ishte jo vetëm për bashkëbesimtarët, por edhe për të tjerët. E tregonin atë duke u dhënë lajmin e mirë dhe nëpërmjet veprave dashamirëse. (Veprat 28:8, 9) Jezui tha se dashuria vetëmohuese do t’i identifikonte ithtarët e tij. (Gjoni 13:34, 35) Sigurisht, dashuria, kjo cilësi jetësore, i afronte njerëzit me Perëndinë dhe ndihmoi për rritjen në shekullin e parë, pikërisht siç bën sot.—Mateu 5:14, 16.
19. (a) Cilat ishin tri mënyra, në të cilat u rrit fjala e Jehovait në shekullin e parë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
19 Gjithsej, shprehja «fryma e shenjtë» shfaqet 41 herë në librin e Veprave. Qartë, rritja e vërtetë e krishterë në shekullin e parë lidhej ngushtësisht me fuqinë dhe udhëheqjen e frymës së shenjtë. Numri i dishepujve u rrit, fjala e Perëndisë u përhap në një zonë të gjerë dhe ngadhënjeu mbi fetë dhe filozofitë e asaj epoke. Kjo rritje e shekullit të parë ka ngjashmëri me veprën e Dëshmitarëve të Jehovait sot. Në artikullin vijues, do të shqyrtojmë rritjen po kaq mahnitëse të fjalës së Perëndisë në kohët moderne.
A ju kujtohet?
• Si u rritën në numër dishepujt e hershëm?
• Në ç’mënyrë u përhap nga ana gjeografike fjala e Perëndisë?
• Si ngadhënjeu fjala e Perëndisë në shekullin e parë?
• Çfarë roli luajti fryma e shenjtë në rritjen e fjalës së Perëndisë?
[Figura në faqen 12]
Filipi i predikoi etiopasit, dhe kështu përhapi gjeografikisht lajmin e mirë
[Figura në faqen 13]
Fryma e shenjtë i drejtonte apostujt dhe pleqtë në Jerusalem
[Burimi i figurës në faqen 10]
Në cepin e sipërm djathtas: Riprodhim i qytetit të Jerusalemit në kohën e Tempullit të Dytë që ndodhet në rrethinat e Hotelit Holilend, Jerusalem