Pikëpamja e Biblës
A është e gabuar të jesh krenar?
EKZISTON një thënie tradicionale sipas së cilës krenaria është e para nga shtatë mëkatet vdekjeprurëse. Por sot shumë njerëz mendojnë se kjo ide është jashtëzakonisht e dalë mode. Në pragun e shekullit të 21-të, krenaria konsiderohet një cilësi e vyer, jo një mëkat.
Megjithatë, kur flet për krenarinë, Bibla e shoqëron zakonisht këtë gjë me ngjyrime negative. Vetëm në librin biblik të Fjalëve të urta gjenden një sërë pohimesh që e dënojnë krenarinë. Për shembull, në Fjalët e urta 8:13 thuhet: «Unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.» Në Fjalët e urta 16:5 pohohet: «Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin.» Kurse vargu 18 paralajmëron: «Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.»
Krenari që dëmton
Krenaria që Bibla e dënon mund të përkufizohet si vlerësim i tepruar për veten, një ndjenjë e paarsyeshme epërsie për sa u përket talenteve, bukurisë, mirëqenies, arsimimit, rangut e kështu me radhë. Ajo mund të shfaqet nëpërmjet një sjelljeje përçmuese, mburrjeve, pafytyrësisë ose arrogancës. Kur një person mbahet me të madh mund të mos arrijë ta pranojë korrigjimin e nevojshëm, mund të refuzojë t’i pranojë gabimet e të kërkojë falje, si edhe të refuzojë të lëshojë pe që të mos i bjerë prestigji. Ose mund të fyhet në mënyrë të paarsyeshme prej asaj që ka bërë ose ka thënë dikush.
Krenarët, veç kësaj, mund të këmbëngulin që gjërat o të bëhen gjithmonë sipas mënyrës së tyre, o s’ka. Nuk është e zorshme ta marrësh me mend që një qëndrim i tillë përfundon shpesh në konflikte të llojeve të ndryshme. Krenaria e racës a e kombësisë ka çuar në luftëra të panumërta dhe në gjakderdhje. Sipas Biblës, ishte krenaria ajo që e çoi një bir frymor të Perëndisë drejt rebelimit, duke e bërë kështu veten Satana dhe Djall. Në lidhje me kualifikimet për pleqtë e krishterë, Pavli këshilloi: «Të mos jetë i porsakthyer në besim, që të mos i rritet mendja dhe të bjerë në gabimet e djallit.» (1. Timoteut 3:6; krahaso Ezekielin 28:13-17.) Nëse krenaria sjell këto pasoja, nuk është për t’u habitur që Perëndia e dënon atë. Megjithatë, mund të pyetni: ‘A nuk ka situata, në të cilat krenaria mund të jetë e përligjur?’
A ka krenari të përligjur?
Në Shkrimet e Krishtere Greke, folja kaukhaʹomai, që përkthehet «krenohem, ngazëllehem, lëvdohem», është përdorur si në kuptimin negativ, ashtu edhe në atë pozitiv. Pavli thotë, për shembull, se ne mund të ‘ngazëllejmë, duke pasur për bazë shpresën e lavdisë së Perëndisë’. Ai, po ashtu, këshillon: «Ai që lëvdohet, le të lëvdohet në Zotin [Jehovain, BR].» (Romakëve 5:2, BR; 2. Korintasve 10:17) Kjo do të thotë të krenohemi në Jehovain për faktin që është Perëndia ynë, një ndjenjë që mund të bëjë të ngazëllehemi për emrin dhe reputacionin e tij të mirë.
Për ta ilustruar: A është e gabuar të duash të mbrosh një emër të mirë kur ai përgojohet? Patjetër që jo. Nëse njerëzit flasin padrejtësisht për pjesëtarët e familjes suaj ose për persona të tjerë që i doni e i respektoni, a nuk do të ndiheshit i indinjuar dhe i nxitur që t’i mbronit ata? «Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha»,—thotë Bibla. (Fjalët e urta 22:1) Në një rast, Perëndia i Plotfuqishëm i tha një faraoni krenar të Egjiptit: «Pikërisht për këtë arsye, të kam falur, për të të treguar fuqinë time dhe që emri im të shpallet në gjithë dheun.» (Eksodi 9:16) Kështu, Perëndia ngazëllehet për emrin dhe reputacionin e tij të mirë dhe është i zellshëm për të. Edhe ne mund të jemi të interesuar ta mbrojmë emrin dhe reputacionin tonë të mirë, pa qenë të shtyrë prej fodullëkut dhe krenarisë egoiste.—Fjalët e urta 16:18.
Respekti është diçka thelbësore në çdo marrëdhënie të shëndoshë. Jeta jonë shoqërore dhe marrëdhëniet e punës keqësohen kur humbasim besimin te shoqëria. Ngjashëm, një veprimtari e përbashkët ose ortakëri mund të rrënohet edhe nëse vetëm njëri prej themeluesve të saj bën diçka që prish reputacionin e tij ose të ortakëve të tij para njerëzve. Që të mund të arrihen synime, cilatdo qofshin ato, duhet ruajtur një reputacion i mirë. Kjo është një arsye se përse mbikëqyrësit në kongregacionin e krishterë duhet të kenë «një dëshmi të shkëlqyer» prej njerëzve nga jashtë. (1. Timoteut 3:7, BR) Dëshira e tyre për të pasur një emër të mirë motivohet jo nga vetëlavdërimi krenar, por nga domosdoshmëria për ta përfaqësuar Perëndinë në një mënyrë të denjë e që sjell nderim. Në fund të fundit, sa i besueshëm mund të jetë një shërbëtor që ka një dëshmi jo të mirë prej njerëzve nga jashtë?
Ç’të themi për krenarinë që vjen nga arritjet personale? Të konsiderojmë, për shembull, kënaqësinë që mund të ndiejnë prindërit kur fëmija i tyre shkon mirë në shkollë. Kjo arritje është burim i një kënaqësie me vend. Kur u shkroi të bashkëkrishterëve në Selanik, Pavli tregoi se edhe ai gëzohej për arritjet: «Ne e kemi për detyrë ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, sikurse është fort e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po tepron, aq sa ne vetë po krenohemi me ju në kishat [kongregacionet, BR] e Perëndisë, për qëndresën tuaj dhe për besimin në të gjitha përndjekjet dhe vështirësitë që po hiqni.» (2. Thesalonikasve 1:3, 4) Vërtet, është një prirje e natyrshme të ndjesh kënaqësi për arritjet e personave që do. Ç’gjë e dallon, pra, krenarinë e gabuar nga ajo e drejtë?
Nuk është e gabuar që të duam të ruajmë reputacionin tonë, të kemi sukses dhe të jemi të lumtur me suksesin që arrijmë. Por, vetëlavdërimi, fodullëku dhe mburrja për veten a për të tjerët janë gjëra që Perëndia nuk i miraton. Do të ishte vërtet e trishtueshme nëse dikush do të fillonte të ‘fryhej’ me krenari ose ta ‘vlerësonte veten më shumë se sa duhet’. Mes të krishterëve s’ka vend krenaria ose mburrja për dikë a për diçka, përveçse për Perëndinë Jehova dhe për ato çka ka bërë ai për ta. (1. Korintasve 4:6, 7, BR; Romakëve 12:3) Profeti Jeremia na jep një parim të shkëlqyer për ta ndjekur: «Ai që e lëvdon veten, le ta lëvdojë për shkak të kësaj gjëje: pasjes së mendjehollësisë dhe pasjes së njohurisë për mua, që unë jam Jehovai, Ai që ushtron dashamirësi të dashur, drejtësi dhe të drejtë në tokë.»—Jeremia 9:24, BR.
[Figura në faqen 20]
“Papa Inocenti X,” nga Don Diego Rodríguez de Silva Velázquez
[Burimi]
Scala/Art Resource, NY