Çfarë është pagëzimi?
Përgjigjja e Biblës
Të pagëzohesh do të thotë të zhytesh plotësisht në ujë.a Në Bibël janë dokumentuar shumë pagëzime. (Veprat 2:41) Ndër to është edhe pagëzimi i Jezuit, i cili u zhyt në lumin Jordan. (Mateu 3:13, 16) Vite më vonë, një burrë etiopas u pagëzua në «një vend me ujë», që ndodhej pranë rrugës ku po udhëtonte.—Veprat 8:36-40.
Jezui mësoi se, nëse dikush donte të bëhej dishepull i tij, duhej të pagëzohej. (Mateu 28:19, 20) Këtë mësim e përforcoi edhe apostulli Pjetër.—1 Pjetrit 3:21.
Në këtë artikull
Cila është domethënia e pagëzimit?
Pagëzimi është një veprim simbolik që bën një person para të tjerëve, për të treguar se është penduar për mëkatet dhe se i ka premtuar Perëndisë të bëjë vullnetin e Tij, të ndodhë ç’të ndodhë. Kjo do të thotë se do t’i bindet Perëndisë dhe Jezuit në çdo aspekt të jetës. Kush pagëzohet, nis të ecë në udhën që të çon në jetën e përhershme.
Zhytja në ujë është një simbol më se i përshtatshëm për ndryshimet që ka bërë një person në jetën e tij. Pse e themi këtë? Bibla e krahason pagëzimin me varrosjen. (Romakëve 6:4; Kolosianëve 2:12) Duke u zhytur në ujë, dikush tregon se ka vdekur në kuptimin e figurshëm për sa i përket mënyrës së mëparshme të jetesës. Dhe, kur del nga uji, është sikur po nis një jetë të re si i krishterë i kushtuar për të bërë vullnetin e Perëndisë.
Çfarë thotë Bibla për pagëzimin e foshnjave?
Bibla nuk mëson se foshnjat duhet të pagëzohen.b Sipas saj, një person që dëshiron të pagëzohet, duhet të përmbushë disa kritere.
Për shembull, duhet të kuptojë të paktën mësimet bazë të Fjalës së Perëndisë e të jetë duke jetuar në përputhje me këto mësime. Gjithashtu duhet të jetë penduar për mëkatet dhe t’ia ketë kushtuar jetën Perëndisë me anë të një lutjeje. (Veprat 2:38, 41; 8:12) Këto janë veprime që foshnjat nuk janë në gjendje t’i bëjnë.
Çfarë do të thotë të pagëzohesh në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë?
Jezui i nxiti dishepujt e tij: «Bëni dishepuj . . . duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Shprehja «në emër të» do të thotë se kush pagëzohet, kupton dhe pranon autoritetin dhe pozitën e Atit dhe të Birit, si dhe rolin e frymës së shenjtë të Perëndisë. Për ta ilustruar: apostulli Pjetër i tha një burri që kishte lindur i çalë: «Në emër të Jezu Krishtit, nazareasit, çohu dhe ec!» (Veprat 3:6) Domethënia është e qartë—Pjetri e kuptoi dhe e pranoi autoritetin e Krishtit, si dhe ia dha atij meritën për mrekullinë që bëri.
«Ati» është Perëndia Jehovac. Si Krijuesi, Jetëdhënësi dhe Perëndia i Plotfuqishëm, Jehovai ka autoritet absolut.—Zanafilla 17:1; Zbulesa 4:11.
«Biri» është Jezu Krishti, i cili dha jetën për ne. (Romakëve 6:23) E kemi të pamundur të marrim shpëtimin nëse nuk kuptojmë dhe nuk pranojmë rolin kyç që ka Jezui në plotësimin e qëllimit të Perëndisë për njerëzit.—Gjoni 14:6; 20:31; Veprat 4:8-12.
«Fryma e shenjtë» është forca aktive e Perëndisë, pra, forca e tij në veprim.d Perëndia e ka përdorur frymën e tij të shenjtë për të krijuar, për të dhënë jetë, për t’u përcjellë mesazhet e tij profetëve e të tjerëve, si dhe për t’i fuqizuar që të kryejnë vullnetin e tij. (Zanafilla 1:2; Jobi 33:4; Romakëve 15:18, 19) Përveç kësaj, Ai e përdori frymën e shenjtë që t’i frymëzonte shkrimtarët e Biblës të dokumentonin mendimet e Tij.—2 Pjetrit 1:21.
A është mëkat të pagëzohesh përsëri?
Nuk është e pazakontë që njerëzit të ndryshojnë fe. Po sikur të kenë qenë të pagëzuar në fenë e mëparshme? A do të bënin mëkat po të pagëzoheshin përsëri? Disa përgjigjen po dhe mbase e mbështetin mendimin e tyre te mënyra si i kuptojnë fjalët e Efesianëve 4:5, ku thuhet: «Ka një Zotëri të vetëm, një besim të vetëm, një pagëzim të vetëm.» Mirëpo, ky varg nuk do të thotë që një person s’mund të pagëzohet përsëri. Pse?
Konteksti. Konteksti i Efesianëve 4:5 na tregon se apostulli Pavël po theksonte sa e nevojshme është që të krishterët e vërtetë të jenë në unitet për sa u përket bindjeve. (Efesianëve 4:1-3, 16) Një unitet i tillë do të bëhej i mundur vetëm nëse ndiqnin mësimet e të njëjtit Zotëri, Jezu Krishtit; kishin të njëjtin besim, pra, të njëjtën kuptueshmëri për mësimet e Biblës; dhe ndiqnin të njëjtat kërkesa të bazuara në Bibël për pagëzimin.
Apostulli Pavël i nxiti disa që ishin pagëzuar tashmë të pagëzoheshin sërish. Arsyeja ishte se më parë ishin pagëzuar pa i kuptuar plotësisht mësimet e krishtere.—Veprat 19:1-5.
Baza e duhur për pagëzimin. Që pagëzimi të jetë i pranueshëm nga Perëndia, duhet të bazohet në njohurinë e saktë për të vërtetat e Biblës. (1 Timoteut 2:3, 4) Nëse dikush pagëzohet mbi bazën e mësimeve fetare që bien në kundërshtim me Biblën, ky pagëzim nuk do të pranohet nga Zoti. (Gjoni 4:23, 24) Megjithëse personi mund të ketë pasur qëllime shumë të sinqerta, s’ka vepruar «sipas njohurisë së saktë». (Romakëve 10:2) Që të ketë miratimin e Perëndisë, ai duhet të mësojë të vërtetat e Biblës, të zbatojë gjërat që mëson, t’ia kushtojë jetën Perëndisë dhe të pagëzohet përsëri. Në këtë rast nuk do të ishte mëkat të pagëzohej përsëri. Në të vërtetë do të ishte gjëja më e duhur për t’u bërë.
Pagëzime të tjera të përmendura në Bibël
Në Bibël përmenden edhe pagëzime të tjera, domethënia e të cilave ndryshon nga zhytja në ujë e dishepujve të Krishtit. Shqyrto disa shembuj.
Pagëzimi që kreu Gjon Pagëzori.e Judenjtë dhe prozelitët judenj u pagëzuan nga Gjoni për të treguar se ishin penduar për mëkatet që kishin bërë duke shkelur Ligjin e Moisiut—Ligji që u dha Perëndia izraelitëve nëpërmjet Moisiut. Pagëzimi i Gjonit i përgatiti njerëzit të dallonin e të pranonin Mesinë, Jezuin e Nazaretit.—Luka 1:13-17; 3:2, 3; Veprat 19:4.
Pagëzimi i vetë Jezuit. Pagëzimi i Jezuit nga Gjon Pagëzori ishte unik. Jezui ishte i përsosur dhe nuk kishte bërë asnjë mëkat. (1 Pjetrit 2:21, 22) Ja pse, pagëzimi i tij nuk përfshinte pendimin ose ‘kërkesën drejtuar Perëndisë për ndërgjegje të mirë’. (1 Pjetrit 3:21) Por tregonte se ai po ia paraqiste veten Perëndisë për të bërë vullnetin e Tij, si Mesia i parathënë, ose Krishti. Kjo përfshinte të jepte jetën për ne.—Hebrenjve 10:7-10.
Pagëzimi me frymë të shenjtë. Si Gjon Pagëzori, edhe Jezu Krishti folën për pagëzimin me frymë të shenjtë. (Mateu 3:11; Luka 3:16; Veprat 1:1-5) Ky ndryshon nga pagëzimi në emër të frymës së shenjtë. (Mateu 28:19) Në cilin kuptim?
Vetëm një numër i vogël i dishepujve të Jezuit pagëzohen me frymë të shenjtë. Këta janë të mirosur me frymë të shenjtë, sepse janë thirrur për të shërbyer me Krishtin në qiell si mbretër dhe priftërinj mbi tokën.f (1 Pjetrit 1:3, 4; Zbulesa 5:9, 10) Ata do të qeverisin mbi miliona dishepuj të Jezuit që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në Parajsën në tokë.—Mateu 5:5; Luka 23:43.
Pagëzimi në Krishtin Jezu dhe në vdekjen e tij. Kush pagëzohet me frymën e shenjtë, pagëzohet edhe në Krishtin. (Romakëve 6:3) Ky pagëzim zbatohet për dishepujt e mirosur të Jezuit, që do të qeverisin me të në qiej. Duke u pagëzuar në Jezuin, ata bëhen pjesëtarë të kongregacionit të tij të të mirosurve. Krishti është Kreu, ndërsa ata janë trupi.—1 Korintasve 12:12, 13, 27; Kolosianëve 1:18.
Të krishterët e mirosur pagëzohen edhe «në vdekjen e [Jezuit]». (Romakëve 6:3, 4) Njësoj si Jezui, jeta e tyre karakterizohet nga vetëmohimi e nga bindja. Gjithashtu heqin dorë nga shpresa për të jetuar përgjithmonë në tokë. Në kuptimin figurativ, ata e përfundojnë pagëzimin kur vdesin dhe ringjallen në qiell si krijesa qiellore.—Romakëve 6:5; 1 Korintasve 15:42-44.
Pagëzimi me zjarr. Gjon Pagëzori u tha dëgjuesve: «Ai [Jezui] do t’ju pagëzojë me frymë të shenjtë dhe me zjarr. Ai ka në dorë terploten dhe do ta pastrojë tërësisht lëmin e vet. Do ta mbledhë grurin në depo, kurse bykun do ta djegë me një zjarr që nuk mund të shuhet.» (Mateu 3:11, 12) Ki parasysh se ka disa ndryshime mes pagëzimit me zjarr dhe pagëzimit me frymë të shenjtë. Çfarë donte të thoshte Gjoni me këtë ilustrim?
Gruri përfaqëson ata që do ta dëgjojnë e do t’i binden Jezuit. Ata kanë perspektivën të pagëzohen me frymë të shenjtë. Byku përfaqëson ata që nuk do ta dëgjojnë Jezuin. Fundi i tyre është pagëzimi me zjarr, që përfaqëson shkatërrimin e përhershëm.—Mateu 3:7-12; Luka 3:16, 17.
a Sipas një fjalori, fjala greke e përkthyer «pagëzim» i referohet «futjes në ujë, zhytjes së plotë dhe daljes nga uji».—Vine’s Complete Expository Dictionary of Old and New Testament Words.
b Pagëzimi i foshnjave është një ceremoni që bëjnë disa kisha, gjatë së cilës fëmijëve u japin një emër dhe «i pagëzojnë» duke i spërkatur me ujë ose duke i hedhur ujë mbi kokë.
c Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»
d Shih artikullin «Çfarë është fryma e shenjtë?»
e Shih artikullin «Kush ishte Gjon Pagëzori?»
f Shih artikullin «Kush shkon në qiell?»
g Bibla e përdor termin «pagëzime» edhe për të përshkruar disa pastrime ceremoniale, pra, pastrimin e objekteve që lidheshin me adhurimin, si për shembull, zhytjen në ujë të disa enëve. (Marku 7:4, shënimi; Hebrenjve 9:10, shënimi) Patjetër kjo është krejt ndryshe nga zhytja plotësisht në ujë e Jezuit dhe e dishepujve të tij.