E ka vendosur tashmë Perëndia fatin tonë?
«DO TË shmangeshin kaq shumë probleme të përfytyruara nëse do të hiqej dorë nga përdorimi i termit ‘paracaktim i fatit’ që shpesh keqkuptohet.» Nëse e ke përdorur, apo e ke dëgjuar të përdoret shprehjen «paracaktim i fatit», ndoshta do të pyesësh se përse bëhet ky pohim.
Sipas enciklopedisë së fundit katolike franceze Théo, do të bënim mirë nëse nuk do ta përdornim shprehjen «paracaktim i fatit». Një libër tjetër pohon: «Siç duket, sot, paracaktimi i fatit nuk është më në qendër të debatit të teologëve, madje edhe të shumicës së protestantëve.»
Megjithatë, gjatë historisë, çështja e paracaktimit të fatit ka prishur qetësinë e shumë njerëzve. Duke qenë se ishte në qendër të debatit, kjo çoi në Reformë, madje edhe brenda Kishës Katolike për shekuj me radhë ka qenë objekt i diskutimeve të ashpra. Edhe pse debatet janë pakësuar, mbetet akoma një problem. Kush nuk do të dëshironte të dinte nëse fati i tij është i paracaktuar apo jo?
Kuptimi i shprehjes «paracaktim i fatit»
Çfarë nënkuptojnë kishat me shprehjen «paracaktim i fatit»? Një fjalor teologjik katolik e përcakton si «qëllimi hyjnor për t’i çuar disa, të cilët janë përcaktuar nga emrat, në jetën e përhershme». (Dictionnaire de théologie catholique) Në përgjithësi, mendohet se këta të zgjedhur, «të përcakuar nga emri», janë ata të cilëve u referohet apostulli Pavël në letrën e tij drejtuar Romakëve me fjalët vijuese: «Të gjitha gjërat bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse ata që i ka njohur që më parë, edhe i ka përcaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij . . . Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata dhe i përlëvdoi.»—Romakëve 8:28-30.
Mendohet, që përpara se të lindnin, disa kanë qenë zgjedhur nga Perëndia për të marrë pjesë në lavdinë e Krishtit në qiej. Kjo çon në pyetjen e diskutuar gjatë: A i zgjedh Perëndia arbitrarisht ata që dëshiron t’i shpëtojë, apo njerëzve u është dhënë vullnet i lirë dhe duhet të bëjnë diçka për ta fituar apo ruajtur favorin e Perëndisë?
Agustini, ati i paracaktimit të fatit
Edhe pse Etërit e tjerë të Kishës kanë shkruar më parë rreth paracaktimit të fatit, në përgjithësi Augustini (354-430 e.s.) mbahet se ka vendosur themelet e doktrinës si për Kishën Katolike ashtu edhe për atë protestante. Sipas Agustinit, të drejtët kanë qenë paracaktuar nga Perëndia që nga përjetësia për të marrë bekimet e përhershme. Nga ana tjetër, të padrejtët, edhe pse nuk kanë qenë paracaktuar nga Perëndia në kuptimin e ngushtë të fjalës, do të marrin ndëshkimin e merituar për mëkatet e tyre, domethënë dënimin. Shpjegimi i Agustinit i lë pak hapësirë vullnetit të lirë, duke i hapur kështu rrugën shumë kundërshtimeve.
Trashëgimtarët e Agustinit
Debati në lidhje me paracaktimin e fatit dhe vullnetin e lirë u rishfaq përsëri gjatë Mesjetës dhe arriti kulmin gjatë reformës. Luteri e konsideronte paracaktimin individual të fatit një zgjedhje të lirë nga ana e Perëndisë, pa faktin që Ai kishte parashikuar meritat e ardhshme dhe veprat e mira të të zgjedhurve. Kalvini erdhi në një konkluzion akoma më radikal me konceptin e tij të dyfishtë të paracaktimit të fatit: Disa janë paracaktuar për shpëtim të përhershëm dhe të tjerë për dënim të përhershëm. Megjithatë, edhe Kalvini e konsideronte zgjedhjen e Perëndisë arbitrare, madje të pakuptueshme.
Çështja mbi paracaktimin e fatit dhe ajo e lidhur ngushtë me «hirin»—fjalë e përdorur nga kishat për të përcaktuar veprimin e Perëndisë me anë të të cilit i shpëton dhe i shpall njerëzit të drejtë—mori përmasa të tilla saqë në vitin 1611 Selia e Shenjtë urdhëroi që të mos botohej asgjë mbi paracaktimin e fatit, pa miratimin e saj. Brenda Kishës Katolike të shekujve të 17-të dhe 18-të, mësimet e Agustinit gjetën mbështetje të madhe nga jansenistët francezë, që ishin anëtarë të një forme të krishterimit shumë të rreptë e të ngritur të cilët kishin madje ndjekës edhe midis aristokracisë. Por, debati nuk u qetësua. Mbreti Luigj XIV, urdhëroi shkatërrimin e manastirit të Port-Royal, djepi i mendimit jansenist.
Në kishat protestante të reformuara, diskutimi ishte shumë larg mbylljes. Midis grupeve të tjera, ndjekësit e Jakobus Aminius, të quajtur remostrantë, besonin se njeriu luan rol në shpëtimin e tij. Sinodi protestant i Dordrektit (1618-19), e zgjidhi përkohësisht çështjen duke adoptuar një formë të rreptë të ortodoksizmit kalvinist. Sipas një libri, në Gjermani debati mbi paracaktimin e fatit dhe vullnetin e lirë, i dha jetë një serie të gjatë të «përpjekjeve të kota për pajtim, si dhe të abuzimeve, burgosjeve dhe syrgjynosjeve të teologëve».—L’Aventure de la Réforme—Le monde de Jean Calvin.
Paracaktim apo vullnet i lirë?
Që nga fillimi, këto dy ide diametralisht të kundërta, paracaktimi i fatit dhe vullneti i lirë, krijuan shumë konflikte të ashpra. Agustini nga ana e tij, nuk ishte në gjendje ta shpjegonte këtë papajtueshmëri. Edhe Kalvini e konsideroi paracaktimin e fatit si një shprehje të vullntetit sovran të Perëndisë dhe në këtë mënyrë të pashpjegueshëm.
Por a na ndihmon Bibla për t’i kuptuar më mirë këto çështje, meqë ajo zbulon cilësitë dhe personalitetin e Perëndisë? Artikulli vijues do t’i shqyrtojë këto aspekte me hollësi.
[Figurat në faqen 4]
Kalvini
Luteri
Jansen
[Burimi]
Pictures: Bibliothèque Nationale, Paris