Lejoni që disiplina e Jehovait t’ju modelojë
«Me këshillën tënde do të më prish, e pastaj do të më çosh drejt lavdisë.»—PSAL. 73:24.
1, 2. (a) Cilat gjëra janë të domosdoshme për të pasur një marrëdhënie të mirë me Jehovain? (b) Si do të nxjerrim dobi nga shqyrtimi i tregimeve biblike për reagimin e njerëzve ndaj disiplinës së Perëndisë?
«PËR mua, është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë. Zotërinë Sovran Jehova e kam bërë strehën time.» (Psal. 73:28) Me këto fjalë, psalmisti shpreh sigurinë te Perëndia. Cilat rrethana e çuan në këtë përfundim të rëndësishëm? Ndërsa shihte paqen e të ligjve, në fillim psalmisti hidhërohej në zemër. Ai u ankua: «Më kot, pra, e kam pastruar zemrën e i laj duart në pafajësi.» (Psal. 73:2, 3, 13, 21) Megjithatë, kur vajti në «shenjtëroren e madhërishme të Perëndisë», u gjend në një rrethanë që e ndihmoi të ndreqte pikëpamjen dhe të ruante miqësinë e ngushtë me Perëndinë. (Psal. 73:16-18) Nga kjo përvojë, ky burrë me frikë Perëndie mori një mësim jetësor: që të kesh një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, është e domosdoshme të jesh mes popullit të tij, të pranosh këshillën e ta zbatosh atë.—Psal. 73:24.
2 Edhe ne dëshirojmë të kemi një miqësi të ngushtë me Perëndinë e vërtetë e të gjallë. Për të arritur këtë synim, është e domosdoshme ta lejojmë këshillën ose disiplinën e tij të na modelojë, që të jemi persona që i sjellin kënaqësi. Në të kaluarën, me mëshirë, Perëndia u dha mundësi individëve e kombeve të reagonin ndaj disiplinës së tij. Reagimet e tyre janë regjistruar në Bibël «për mësimin tonë» dhe «si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve». (Rom. 15:4; 1 Kor. 10:11) Shqyrtimi nga afër i këtyre tregimeve do të na japë kuptueshmëri të thellë për personalitetin e Jehovait dhe do të na tregojë si mund të nxjerrim dobi nga mënyra si na modelon ai.
SI E USHTRON AUTORITETIN POÇARI
3. Si përshkruhet autoriteti i Jehovait mbi njerëzit në ilustrimet e Isaisë 64:8 dhe të Jeremisë 18:1-6? (Shih figurën pranë titullit.)
3 Duke përshkruar në mënyrë figurative autoritetin e Jehovait mbi individët e kombet, Isaia 64:8 thotë: «O Jehova, je Ati ynë. Ne jemi argjila, dhe ti je Poçari ynë. Që të gjithë jemi vepër e duarve të tua.» Një poçar ka autoritet absolut për të modeluar argjilën në një lloj ene që do ai. Argjila nuk mund të vendosë vetë. Kështu është dhe me njeriun e Perëndinë. Si argjila me poçarin, duart e të cilit i japin formë, edhe njeriu s’ka të drejtë ta marrë në pyetje Perëndinë.—Lexo Jereminë 18:1-6.
4. A i modelon arbitrarisht Jehovai njerëzit ose kombet? Shpjegoni.
4 Përmes popullit të lashtë të Izraelit, Jehovai tregoi zotësinë e tij, si një poçar me argjilën. Por, ka një ndryshim të madh. Sipas zotësisë, një poçar mund të bëjë një enë nga një copë argjile, si i do qejfi. Mirëpo, a i modelon arbitrarisht Jehovai njerëzit ose kombet, disa mirë e disa keq? Bibla përgjigjet jo. Jehovai i ka dhënë njerëzimit një dhuratë të vyer, vullnetin e lirë. Ai nuk e ushtron autoritetin si sovran në një mënyrë që e zhvleftëson këtë dhuratë. Njerëzit duhet të zgjedhin të modelohen nga Krijuesi, Jehovai.—Lexo Jereminë 18:7-10.
5. Si e ushtron autoritetin Jehovai mbi njerëzit që nuk pranojnë t’i modelojë?
5 Po nëse njerëzit me kokëfortësi nuk pranojnë t’i modelojë Poçari i Madh? Atëherë, si do ta ushtronte autoritetin e tij hyjnor? Mendo ç’do të ndodhte me argjilën, nëse nuk do të vlente më për një enë të caktuar. E pra, poçari mund të bëjë një lloj tjetër ene me të ose thjesht ta flakë. Megjithatë, kur argjila bëhet e papërdorshme, zakonisht e ka fajin poçari. Kjo nuk ndodh kurrë me Poçarin tonë. (Ligj. 32:4) Kur dikush nuk pranon të modelohet nga Jehovai, fajin e ka gjithmonë vetë. Jehovai e ushtron autoritetin si poçar mbi njerëzit, duke përshtatur mënyrën si i modelon në varësi të reagimit të tyre. Atyre që reagojnë siç duhet, u jep formë në një mënyrë që u sjell dobi. Për shembull, të krishterët e mirosur janë ‘enë mëshire’ që janë modeluar në «enë për përdorim të nderuar». Nga ana tjetër, ata që e kundërshtojnë me kokëfortësi Perëndinë përfundojnë në ‘enë zemërimi, që janë bërë të përshtatshme për shkatërrim’.—Rom. 9:19-23.
6, 7. Si ndryshonte mbreti David nga mbreti Saul prej mënyrës si reaguan ndaj këshillës së Jehovait?
6 Një mënyrë se si i modelon Jehovai njerëzit është përmes këshillës ose disiplinës. Mund të shohim si e ushtron autoritetin mbi ata që i modelon, duke shqyrtuar historinë e dy mbretërve të parë të Izraelit, Saulit dhe Davidit. Kur mbreti David kreu kurorëshkelje me Betshebën, kjo ndikoi për keq tek ai dhe te të tjerët. Pavarësisht se Davidi ishte mbret, Jehovai nuk ia kurseu disiplinën e rreptë. Ai dërgoi profetin Natan që t’i jepte një mesazh të fortë Davidit. (2 Sam. 12:1-12) Si reagoi Davidi? I theri në zemër dhe u pendua, prandaj Perëndia i tregoi mëshirë.—Lexo 2 Samuelit 12:13.
7 Në kontrast me këtë, mbreti i mëparshëm, Sauli, nuk reagoi mirë ndaj këshillës. Jehovai e kishte urdhëruar prerazi Saulin përmes profetit Samuel: të shfaroste të gjithë amalekitët dhe bagëtitë e tyre. Sauli nuk iu bind këtij urdhri hyjnor. Ai i kurseu jetën Agagut, mbretit, si edhe bagëtinë më të mirë. Pse? Një nga arsyet ishte t’i sillte lavdi vetes. (1 Sam. 15:1-3, 7-9, 12) Kur i dhanë këshillë, Sauli duhej ta lejonte t’i zbuste zemrën dhe ta linte veten të modelohej nga Poçari i Madh. Por, ai nuk pranoi të modelohej. U justifikua. E përligji si të lejueshme atë që kishte bërë, me pretekstin se bagëtia mund të flijohej, dhe e minimizoi këshillën e Samuelit. Jehovai e hodhi poshtë Saulin si mbret dhe ai nuk e rifitoi kurrë marrëdhënien e mirë me Perëndinë e vërtetë.—Lexo 1 Samuelit 15:13-15, 20-23.
PERËNDIA NUK ËSHTË I ANSHËM
8. Ç’mësim mund të nxjerrim nga mënyra se si reagoi kombi i Izraelit ndaj modelimit të Jehovait?
8 Jehovai u jep mundësi të pranojnë modelimin e tij jo vetëm individëve, por edhe kombeve. Më 1513 p.e.s. bijtë e Izraelit, të çliruar nga skllavëria në Egjipt, hynë në një marrëdhënie me Perëndinë me anë të një besëlidhjeje. Izraeli ishte kombi i tij i zgjedhur dhe pati privilegjin të modelohej nga ai, sikur të ishte në rrotovilen e Poçarit të Madh. Megjithatë, populli vazhdonte të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, madje duke adhuruar perënditë e kombeve përreth. Herë pas here, Jehovai u dërgoi profetë që t’i sillte në vete, por Izraeli nuk dëgjoi. (Jer. 35:12-15) Për shkak të kokëfortësisë së tij u desh të disiplinohej rreptësisht. Si një enë e përshtatshme për shkatërrim, mbretëria veriore dhjetëfisëshe e Izraelit u mposht nga asirianët dhe mbretëria jugore dyfisëshe pësoi një gjë të ngjashme nga babilonasit. Sa mësim të fuqishëm duhet të nxjerrim nga kjo! Mund të përfitojmë nga modelimi i Jehovait vetëm nëse reagojmë siç duhet.
9, 10. Si reaguan ninevitët ndaj paralajmërimit hyjnor?
9 Po ashtu, popullit të kryeqytetit asirian, Ninevisë, Jehovai i dha një mundësi të reagonte ndaj paralajmërimit të tij. Fjala e Jehovait iu drejtua Jonait: «Ngrihu, shko në Ninevi, në qytetin e madh, dhe shpall kundër saj se ligësia e tyre është ngjitur deri tek unë.» Ninevia konsiderohej e denjë për shkatërrim.—Jon. 1:1, 2; 3:1-4.
10 Megjithatë, kur Jonai shpalli mesazhin e ndëshkimit, «njerëzit e Ninevisë nisën të tregonin besim te Perëndia, shpallën një agjërim dhe u veshën me copë thesi, i madh e i vogël». Mbreti i tyre «u çua nga froni, hoqi veshjen e tij zyrtare, u mbulua me copë thesi dhe u ul në hi». Ninevitët reaguan mirë ndaj përpjekjeve të Jehovait për t’i modeluar dhe u penduan. Si pasojë, Jehovai nuk u solli gjëmën.—Jon. 3:5-10.
11. Cila cilësi e Jehovait del në pah nga mënyra si u soll me Izraelin dhe Ninevinë?
11 Izraeli nuk u përjashtua nga disiplina edhe pse ishte komb i zgjedhur. Në anën tjetër, ninevitët nuk kishin një marrëdhënie me Perëndinë me ndonjë besëlidhje. Prapëseprapë, Jehovai u shpalli mesazhin e tij të gjykimit dhe u tregoi mëshirë kur përfunduan si argjilë e butë në duart e tij. Sa qartë tregojnë këta dy shembuj se Jehovai, Perëndia ynë, «nuk trajton asnjë me anësi».—Ligj. 10:17.
JEHOVAI ËSHTË I ARSYESHËM DHE ELASTIK
12, 13. (a) Pse Perëndia i ndryshon vendimet kur individët e pranojnë modelimin e tij? (b) Çfarë do të thotë se Jehovait ‘i vinte keq’ në rastin e Saulit? Në rastin e Ninevisë?
12 Perëndia është i arsyeshëm dhe elastik dhe kjo duket nga gatishmëria për të na modeluar. Këtë e shohim në situata kur Jehovai vendos t’i ndëshkojë njerëzit sipas gjykimit të tij të drejtë, por më pas ndryshon mendje në varësi të reagimit të tyre. Për mbretin e parë të Izraelit, Shkrimet thonë se Jehovait ‘i erdhi keq që e kishte bërë Saulin mbret’. (1 Sam. 15:11) Kur ninevitët u penduan dhe u kthyen nga rruga e tyre e keqe, Bibla thotë se «Perëndisë së vërtetë i erdhi keq për gjëmën që kishte thënë se do t’u bënte, dhe nuk e bëri».—Jon. 3:10.
13 Termi hebraik i përkthyer «i erdhi keq» faktikisht bën fjalë për ndryshimin e qëndrimit ose të synimit. Edhe pse e zgjodhi Saulin si mbret, Jehovai ndryshoi qëndrimin ndaj tij dhe e hodhi poshtë. Ky ndryshim ndodhi jo ngaqë Jehovai kishte gabuar kur zgjodhi Saulin, por ngaqë Sauli nuk tregoi besim dhe u bë i pabindur. Në rastin e ninevitëve Perëndisë së vërtetë i erdhi keq, pra ndryshoi atë që kishte ndër mend për ta. Sa na ngushëllon fakti se Jehovai, Poçari ynë, është i arsyeshëm, elastik, hirmadh dhe i mëshirshëm, i gatshëm të veprojë ndryshe, bazuar te ndryshimet pozitive që bëjnë fajtorët.
LE TË MOS E HEDHIM POSHTË DISIPLINËN E JEHOVAIT
14. (a) Si na modelon Jehovai sot? (b) Si duhet të reagojmë ndaj modelimit nga Perëndia?
14 Jehovai na modelon kryesisht me anë të Fjalës së tij, Biblës, dhe organizatës. (2 Tim. 3:16, 17) A nuk duhet të pranojmë çfarëdo këshille ose disipline që marrim prej tyre? Pavarësisht nga sa vjet jemi pagëzuar ose sa privilegje shërbimi kemi marrë, duhet të vazhdojmë të pranojmë këshillën e Jehovait, duke e lejuar atë të na japë formë si një enë për përdorim të nderuar.
15, 16. (a) Cilat ndjenja negative mund të provohen kur disiplina përfshin humbjen e privilegjeve? Ilustrojeni. (b) Ç’mund të na ndihmojë të përballojmë ndjenjat negative që sjell disiplina?
15 Nganjëherë mund të marrim disiplinë në formë udhëzimi ose ndreqjeje. Por, ka raste kur mund të na duhet disiplinë për shkak të ndonjë padrejtësie që kemi bërë. Një disiplinë e tillë mund të përfshijë humbjen e privilegjeve. Të mendojmë pak për shembullin e Denisita i cili shërbente si plak. Ai kreu një keqbërje për shkak të gjykimit të dobët në lidhje me biznesin dhe u qortua privatisht. Si u ndie Denisi mbrëmjen kur në kongregacion u njoftua se nuk shërbente më si plak? Ai thotë: «U ndjeva krejt i dështuar. Për 30 vjet pata shumë privilegje. Kam shërbyer si pionier i rregullt dhe në Bethel, isha emëruar si shërbëtor ndihmës dhe pastaj si plak. Sapo më kishin caktuar fjalimin e parë në një kongres krahinor. Sa hap e mbyll sytë, çdo privilegj iku. Përveç turpit dhe sikletit, për mendimin tim nuk kishte më vend për mua në organizatë.»
16 Denisit iu desh të ndryshonte rrugë, të linte pas keqbërjen për të cilën u ndreq. Çfarë e ndihmoi të përballonte ndjenjat negative? Ai shpjegon: «Isha i vendosur të mbaja një program të mirë frymor. Po aq e rëndësishme ishte mbështetja që më dha vëllazëria e krishterë dhe inkurajimi që mora nga botimet tona. Artikulli ‘A ke shërbyer dikur? A mund të shërbesh përsëri?’ në Kullën e Rojës të 15 gushtit 2009, ishte si një letër personale që iu përgjigj lutjeve të mia. Këshilla që çmova më shumë ishte: ‘Ndërkohë që nuk ke përgjegjësi të tjera në kongregacion, përqendrohu për të forcuar gjendjen tënde frymore.’» Si ka nxjerrë dobi Denisi nga disiplina? Pas disa viteve ai thotë: «Jehovai më ka bekuar përsëri me privilegjin që të shërbej si shërbëtor ndihmës.»
17. Ç’rol mund të luajë përjashtimi në rimëkëmbjen e mëkatarit? Ilustrojeni.
17 Përjashtimi është një lloj tjetër disipline nga Jehovai. Mbron kongregacionin nga ndikimi i keq dhe mund të luajë një rol në rimëkëmbjen e mëkatarit. (1 Kor. 5:6, 7, 11) Roberti ishte i përjashtuar prej gati 16 vjetësh, gjatë të cilave prindërit dhe vëllezërit e tij ndoqën patundshmërisht dhe besnikërisht drejtimin nga Fjala e Perëndisë që të mos përziheshin më në shoqëri me keqbërësit dhe as të mos i përshëndetnin. Roberti është rivendosur prej disa vjetësh dhe po ecën mirë frymësisht. Kur e pyetën se çfarë e kishte nxitur të kthehej te Jehovai dhe te populli i Tij pas një kohe aq të gjatë, ai u përgjigj se ishte prekur nga qëndrimi që kishte mbajtur familja. «Po të ishin shoqëruar sadopak me mua, thjesht për të parë si po kaloja, do të kënaqesha me kaq dhe ka të ngjarë që kjo ta mbyste dëshirën për shoqëri, një nga faktorët motivues për t’u kthyer te Perëndia.»
18. Ç’lloj argjile do të jemi në duart e Poçarit të Madh?
18 Mund të mos kemi nevojë për një disiplinë të tillë. Megjithatë, ç’lloj argjile do të jemi në duart e Poçarit të Madh? Si do të reagojmë kur të na disiplinojë Jehovai? Do të jemi si Davidi apo si Sauli? Poçari i Madh është Ati ynë. Kujtoni gjithmonë se «Jehovai qorton atë që do, sikurse bën një atë me birin që i pëlqen». Prandaj ‘mos e hidh poshtë disiplinën e Jehovait, dhe mos e urre qortimin e tij’.—Prov. 3:11, 12.
a Emrat janë ndryshuar.