Kapitulli shtatë
Çfarë mësojmë nga fakti që Perëndia e ka lejuar ligësinë?
1, 2. (a) Nëse Jehovai do t’i kishte ekzekutuar menjëherë rebelët në Eden, si do të kishte ndikuar kjo te ne? (b) Cilat masa të dashura na ka vënë në dispozicion Jehovai?
«VITET e jetës sime kanë qenë të pakta dhe të këqija»,—tha patriarku Jakob. (Zanafilla 47:9) Në mënyrë të ngjashme, Jobi tha se njeriu «jeton pak ditë dhe është plot shqetësime». (Jobi 14:1) Si ata, shumica prej nesh kanë përjetuar vështirësi, padrejtësi e madje edhe tragjedi. Megjithatë, lindja jonë nuk ishte një padrejtësi nga ana e Perëndisë. Vërtet që nuk kemi përsosmërinë mendore e trupore dhe shtëpinë parajsore që kishin fillimisht Adami dhe Eva. Por, ç’do të kishte ndodhur sikur Jehovai t’i kishte ekzekutuar menjëherë ata kur u rebeluan? Edhe pse nuk do të kishte pasur fare sëmundje, pikëllim a vdekje, nuk do të kishte pasur as racë njerëzore. Nuk do të kishim lindur kurrë. Me mëshirë, Perëndia i la kohë Adamit dhe Evës që të lindnin fëmijë, ndonëse këta të fundit trashëguan papërsosmërinë. Veç kësaj, nëpërmjet Krishtit Jehovai mori masa që të rifitonim çfarë kishte humbur Adami, domethënë jetën e përhershme në një tokë parajsore.—Gjoni 10:10; Romakëve 5:12.
2 Sa marrim zemër ngaqë mund të shpresojmë të jetojmë përgjithmonë në botën e re me kushte parajsore, ku do të çlirohemi nga sëmundjet, pikëllimi, dhembja dhe vdekja, si edhe nga njerëzit e këqinj! (Fjalët e urta [Proverbat] 2:21, 22; Zbulesa 21:4, 5) Mirëpo nga tregimi biblik mësojmë se, megjithëse shpëtimi ynë është shumë i rëndësishëm për ne dhe për Jehovain, ka diçka edhe më të rëndësishme.
Për hir të emrit të tij të madh
3. Çfarë është përfshirë në përmbushjen e qëllimit të Jehovait për tokën dhe për njerëzimin?
3 Në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë për tokën dhe për njerëzimin përfshihet vetë emri i tij. Ky emër, Jehova, do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Pra, emri i tij personifikon pozitën e tij si Sovrani Universal, si Madhështori që vë qëllime e i plotëson gjithnjë dhe si Perëndi i së vërtetës. Për shkak të pozitës së Jehovait, paqja dhe mirëqenia e gjithë universit kërkon që emrit të tij dhe asaj që përfshin ky emër t’i jepet respekti i plotë që meriton. Kërkon, gjithashtu, që të gjithë t’i binden atij.
4. Çfarë përfshinte qëllimi i Jehovait për tokën?
4 Pasi i krijoi, Jehovai i dha Adamit dhe Evës një caktim për ta plotësuar. Ua bëri të qartë se qëllimi i tij nuk ishte vetëm që ata të nënshtronin mbarë tokën—duke i zgjeruar, pra, kufijtë e Parajsës—por ta popullonin atë me pasardhësit e tyre. (Zanafilla 1:28) A do të dështonte ky qëllim për shkak të mëkatit të tyre? Çfarë poshtërimi që do të ishte për emrin e Jehovait të plotfuqishëm, nëse nuk do të mund ta përmbushte qëllimin e tij për këtë tokë dhe për njerëzimin!
5. (a) Kur do të vdisnin njerëzit e parë po të hanin nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes? (b) Si e përmbushi Jehovai fjalën që kishte thënë te Zanafilla 2:17, duke respektuar në të njëjtën kohë qëllimin e tij për tokën?
5 Jehovai e kishte paralajmëruar Adamin dhe Evën se, po të mos bindeshin dhe të hanin nga pema e njohjes të së mirës e të së keqes, do të vdisnin «ditën» që do të hanin prej saj. (Zanafilla 2:17) Duke e mbajtur fjalën, Jehovai u kërkoi llogari atyre pikërisht ditën që mëkatuan dhe u shpalli dënimin me vdekje. Nga këndvështrimi i Perëndisë, Adami dhe Eva vdiqën po atë ditë. Por, për të plotësuar qëllimin e tij në lidhje me tokën, Jehovai u lejoi të krijonin familje përpara se të vdisnin fizikisht. Gjithsesi, meqë për Perëndinë 1.000 vjet mund të jenë si një ditë, kur Adami vdiq në moshën 930-vjeçare, nuk kishte kaluar ende një «ditë». (2 Pjetrit 3:8; Zanafilla 5:3-5) Kështu, u tregua se Jehovai tha të vërtetën për sa i përket kohës se kur do të jepte ndëshkimin dhe vdekja e tyre nuk e pengoi qëllimin e tij për tokën. Por njerëzit mëkatarë, duke përfshirë edhe të ligjtë, janë lejuar të jetojnë për njëfarë kohe.
6, 7. (a) Sipas Eksodit 9:15, 16, përse Jehovai i lejon të ligjtë që të vazhdojnë të jetojnë për njëfarë kohe? (b) Si u tregua fuqia e Jehovait dhe si u bë i njohur emri i Tij në rastin e faraonit? (c) Çfarë do të vijë si përfundim kur të mbarojë sistemi i tanishëm i lig?
6 Ajo që i tha Jehovai sundimtarit të Egjiptit në ditët e Moisiut tregon edhe më qartë përse Perëndia i ka lejuar të ligjtë që të vazhdojnë të jetojnë. Kur faraoni i ndaloi bijtë e Izraelit që të iknin nga Egjipti, Jehovai nuk e shfarosi menjëherë. Vendi i Egjiptit u godit nga Dhjetë Plagë, të cilat qenë një shfaqje e fuqisë së Jehovait në mënyra mahnitëse. Kur po e paralajmëronte për plagën e shtatë, Jehovai i tha faraonit se fare lehtë mund ta kishte fshirë nga faqja e dheut atë dhe popullin e tij. «Përkundrazi,—i tha Jehovai,—unë të kam ruajtur që ta dëftoj ty fuqinë time dhe kështu të flitet për emrin tim mbi mbarë tokën.»—Eksodi (Dalja) 9:15, 16, DSF.
7 Kur Jehovai i çliroi izraelitët, emri i tij u bë me të vërtetë shumë i njohur. (Jozueu [ Josiu] 2:1, 9-11) Edhe sot, gati 3.500 vjet më vonë, ajo që bëri ai në atë kohë nuk është harruar. U shpall jo vetëm emri i tij Jehova, por edhe e vërteta për Atë që e mban këtë emër. Jehovai i bëri emër vetes si Perëndia që i mban premtimet dhe që vepron në dobi të shërbëtorëve të tij. (Jozueu 23:14) U tregua se, meqë ai është i plotfuqishëm, asgjë nuk mund ta pengojë qëllimin që ka. (Isaia 14:24, 27) Prandaj mund të jemi të sigurt se së shpejti ai do të veprojë në dobi të shërbëtorëve të tij besimplotë, duke shkatërruar të gjithë sistemin e lig të Satanait. Kjo shfaqje e pushtetit të plotfuqishëm dhe lavdia që do t’i sjellë ajo emrit të Jehovait nuk do të harrohen kurrë. Dobitë do të jenë të pafundme.—Ezekieli 38:23; Zbulesa 19:1, 2.
‘O thellësi e mençurisë së Perëndisë!’
8. Çfarë faktorësh na nxit Pavli që të shqyrtojmë?
8 Në letrën e tij drejtuar romakëve, apostulli Pavël bën pyetjen: «Mos ka padrejtësi te Perëndia?» Ai vetë përgjigjet me forcë shprehëse: «Kurrë mos qoftë!» Pastaj thekson mëshirën e Perëndisë dhe flet rreth asaj që tha Jehovai duke e lejuar faraonin të jetonte edhe për pak kohë. Gjithashtu, Pavli tregon se ne njerëzit jemi si argjilë në duart e një poçari. Më pas thotë: «Tani, nëse Perëndia, ndonëse duke pasur vullnetin që ta shfaqte zemërimin e vet e ta bënte të njohur fuqinë e tij, i toleroi me shumë shpirtgjerësi enët e zemërimit që ishin bërë të përshtatshme për shkatërrim, me qëllim që të bënte të njohur pasurinë e lavdisë së tij mbi enët e mëshirës, të cilat i përgatiti që më parë për lavdi, domethënë, ne, që na thirri jo vetëm nga judenjtë, por edhe nga kombet, çfarë pastaj?»—Romakëve 9:14-24.
9. (a) Cilat janë ‘enët e zemërimit që janë bërë të përshtatshme për shkatërrim’? (b) Përse Jehovai ka treguar shumë shpirtgjerësi përballë kundërshtarëve të tij dhe në ç’mënyrë rezultati përfundimtar do të jetë për të mirën e atyre që e duan atë?
9 Që nga koha e rebelimit në Eden, të gjithë ata që e kanë kundërshtuar Jehovain dhe ligjet e tij kanë qenë ‘enë zemërimi që janë bërë të përshtatshme për shkatërrim’. Gjatë gjithë kohës që ka kaluar që atëherë, Jehovai ka treguar shpirtgjerësi. Të ligjtë janë tallur me rrugët e tij, kanë përndjekur shërbëtorët e tij e madje i kanë vrarë edhe të Birin. Duke treguar shumë vetëpërmbajtje, Jehovai ka lënë kohë të mjaftueshme që të gjitha krijesat të shohin plotësisht pasojat shkatërrimtare të rebelimit kundër Perëndisë dhe të sundimit njerëzor të pavarur prej tij. Në të njëjtën kohë, vdekja e Jezuit siguroi mjetin për ta çliruar njerëzimin e bindur dhe «për të zhbërë veprat e Djallit».—1 Gjonit 3:8; Hebrenjve 2:14, 15.
10. Përse Jehovai i ka toleruar të ligjtë për 1.900 vjetët e kaluar?
10 Gjatë më shumë se 1.900 vjetëve që nga ringjallja e Jezuit, Jehovai i ka toleruar ende «enët e zemërimit», duke e shtyrë shkatërrimin e tyre. Përse? Pikësëpari, sepse ka qenë duke përgatitur ata që do ta shoqërojnë Jezu Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore. Numri i tyre është 144.000 dhe përbëjnë «enët e mëshirës» për të cilat foli apostulli Pavël. Në fillim, individë nga radhët e judenjve u ftuan të ishin pjesë e kësaj klase qiellore. Më vonë, Perëndia ftoi njerëz nga kombet johebreje. Jehovai nuk ka detyruar asnjërin prej tyre që t’i shërbejë. Por disave nga ata që iu përgjigjën me mirënjohje masave të tij të dashura u dha privilegjin që të jenë bashkësundimtarë me Birin e tij në Mbretërinë qiellore. Mbledhja e kësaj klase qiellore tani është pothuajse e plotë.—Luka 22:29; Zbulesa 14:1-4.
11. (a) Cili grup po nxjerr dobi tani nga shpirtgjerësia e Jehovait? (b) Si do të nxjerrin dobi ata që kanë vdekur?
11 Por, ç’të themi për ata që do të banojnë në tokë? Shpirtgjerësia e Jehovait ka bërë të mundur edhe mbledhjen e një ‘shumice të madhe’ nga të gjitha kombet. Tani ata janë me miliona. Jehovai ka premtuar se kjo klasë tokësore do të mbijetojë në fundin e këtij sistemi dhe do të ketë shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore. (Zbulesa 7:9, 10; Psalmi 37:29; Gjoni 10:16) Në kohën e duhur sipas Perëndisë, një numër i madh të vdekurish do të ringjallen dhe do t’u jepet mundësia të jenë nënshtetas tokësorë të Mbretërisë qiellore. Fjala e Perëndisë parathotë te Veprat 24:15: «Do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve.»—Gjoni 5:28, 29.
12. (a) Çfarë kemi mësuar për Jehovain nga fakti që ka lejuar ligësinë? (b) Çfarë mendon për mënyrën se si i ka trajtuar Jehovai këto çështje?
12 A ka pasur ndonjë padrejtësi në gjithë këtë? Jo, sepse duke shtyrë shkatërrimin e të ligjve ose të ‘enëve të zemërimit’, Perëndia po tregon dhembshuri për të tjerët, në përputhje me qëllimin e tij. Kjo tregon se sa i mëshirshëm dhe i dashur që është. Veç kësaj, duke pasur kohë për të vërejtur zhvillimin e qëllimit të tij, mësojmë shumë gjëra për vetë Jehovain. Mrekullohemi kur shohim se si dalin në pah veçoritë e ndryshme të personalitetit të tij: drejtësia, mëshira, shpirtgjerësia dhe mençuria e tij e shumanshme. Mënyra e mençur se si e trajtoi Jehovai çështjen e sovranitetit universal, domethënë çështjen e së drejtës së tij për të sunduar, do të mbetet përgjithmonë një dëshmi se mënyra e tij e sundimit është më e mira. Bashkë me apostullin Pavël themi: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pahulumtueshme janë udhët e tij!»—Romakëve 11:33.
Mundësi për të treguar përkushtimin tonë
13. Cilën mundësi kemi përpara dhe çfarë do të na ndihmojë që të reagojmë me mençuri, kur ne vetë hasim vuajtje?
13 Shumë shërbëtorë të Perëndisë gjenden në rrethana që i bëjnë të vuajnë. Vuajtjet e tyre vazhdojnë sepse Perëndia nuk i ka shkatërruar ende të ligjtë dhe nuk i ka sjellë ende ato kushte të mira që kishte parathënë për njerëzimin. A duhet të na hidhërojë kjo? Apo këto rrethana mund t’i shohim si mundësi për të treguar edhe ne se Djalli është gënjeshtar? Mund të marrim forcë për ta bërë këtë, nëse mbajmë në mendje kërkesën: «Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje.» (Fjalët e urta 27:11) Satanai, ai që përflet kundër Jehovait, akuzoi se, nëse njerëzit pësojnë humbje materiale ose vuajtje fizike, do t’ia hedhin fajin Perëndisë e madje do ta mallkojnë. (Jobi 1:9-11; 2:4, 5) Secili prej nesh ia gëzon zemrën Jehovait kur, duke qëndruar besnik ndaj tij përballë vështirësive, tregon se kjo akuzë nuk është e vërtetë në rastin tonë.
14. Çfarë dobish mund të kemi, nëse mbështetemi te Jehovai kur kalojmë sprova?
14 Nëse mbështetemi te Jehovai kur kalojmë sprova, mund të zhvillojmë cilësi të çmuara. Për shembull, nga gjërat që vuajti, Jezui e «mësoi bindjen» në një mënyrë që nuk e kishte njohur kurrë më parë. Edhe ne mund të mësojmë nga sprovat, në kuptimin që mund të kultivojmë shpirtgjerësi, qëndrueshmëri dhe një çmueshmëri më të thellë për rrugët e drejta të Jehovait.—Hebrenjve 5:8, 9; 12:11; Jakovit 1:2-4.
15. Si mund të nxjerrin dobi të tjerët, nëse qëndrojmë me durim gjatë vështirësive?
15 Të tjerët do ta vënë re atë që po bëjmë. Për shkak të asaj që po kalojmë ngaqë e duam drejtësinë, disa prej tyre me kalimin e kohës mund të fillojnë ta kuptojnë se cilët janë të krishterët e vërtetë sot. E duke u bashkuar me ne në adhurim, mund të presin bekimet e jetës së përhershme. (Mateu 25:34-36, 40, 46) Jehovai dhe Biri i tij duan që njerëzit ta kenë këtë mundësi.
16. Si lidhet me çështjen e unitetit mënyra se si i shohim vështirësitë tona?
16 Sa gjë e shkëlqyer është kur edhe rrethanat e vështira i shohim si mundësi për të treguar përkushtimin tonë ndaj Jehovait, si edhe për të kryer vullnetin e tij! Kur veprojmë kështu, kjo mund të jetë një dëshmi se po ecim vërtet drejt unitetit me Perëndinë dhe me Krishtin. Jezui iu lut Jehovait për të gjithë të krishterët e vërtetë, duke thënë: «Nuk të lutem vetëm për këta [dishepujt e tij më të afërt], por edhe për ata që tregojnë besim tek unë nëpërmjet fjalës së tyre; që ata të jenë të gjithë një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua dhe unë jam në unitet me ty, që edhe ata të jenë në unitet me ne.»—Gjoni 17:20, 21.
17. Çfarë sigurie mund të kemi, nëse i qëndrojmë besnikë Jehovait?
17 Po t’i qëndrojmë besnikë Jehovait, ai do të na shpërblejë bujarisht. Në Fjalën e tij thuhet: «Bëhuni të palëkundur e të patundur, duke pasur gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke e ditur se mundi juaj s’është i kotë në lidhje me Zotërinë.» (1 Korintasve 15:58) Gjithashtu, thuhet: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.» (Hebrenjve 6:10) Te Jakovit 5:11 thuhet: «Ja, ne shpallim të lumtur ata që kanë qëndruar. Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe e keni parë përfundimin që i dha Jehovai, se Jehovai është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm.» Cili ishte përfundimi për Jobin? «Zoti i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para.» (Jobi 42:10-16) Po, Jehovai është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebrenjve 11:6) Sa i madh është shpërblimi drejt të cilit duhet të shohim: jeta e përhershme në një tokë parajsore!
18. Çfarë do të ndodhë përfundimisht me kujtimet e dhembshme që mund të kemi?
18 Sundimi i Mbretërisë së Perëndisë do të zhbëjë të gjitha dëmet që i janë bërë familjes njerëzore në mijëra vitet e kaluara. Gëzimet e asaj kohe do të jenë shumë më të mëdha se vuajtjet që po provojmë tani. Nuk do të na shqetësojnë kujtimet e këqija të vuajtjeve të mëparshme. Mendimet dhe veprimtaritë ndërtuese që do të mbushin jetën e përditshme të njerëzve në botën e re, dalëngadalë do t’i fshijnë kujtimet e dhembshme. Jehovai shpall: «Unë krijoj qiej të rinj [një qeveri të re qiellore të Mbretërisë mbi njerëzimin] dhe një tokë të re [një shoqëri të drejtë njerëzore] dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mendje. Por ju gëzohuni dhe ngazëllohuni përjetë për atë që krijoj.» Po, në botën e re të Jehovait, të drejtët do të mund të thonë: «Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit shpërthejnë në britma gëzimi.»—Isaia 14:7; 65:17, 18.
Pyetje për rishikim
• Ndonëse e ka lejuar ligësinë, si ka treguar në mënyrë të përshtatshme Jehovai respekt të madh për emrin e tij?
• Në ç’mënyrë tolerimi i ‘enëve të zemërimit’ nga ana e Perëndisë ka bërë që mëshira e tij të shtrihet deri te ne?
• Çfarë duhet të përpiqemi të shohim në rrethanat që na bëjnë të vuajmë?
[Figurat në faqen 67]
Jehovai «i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para»