Besimi
Përkufizimi: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara.» (Hebr. 11:1) Besimi i vërtetë nuk do të thotë të ngutesh për të besuar diçka pa pasur prova të vlefshme ose thjesht sepse duam që ajo të jetë kështu. Besimi i vërtetë kërkon njohuri bazë ose themelore, njohje të provave, si edhe çmueshmëri nga zemra për atë që tregojnë provat. Pra, megjithëse është e pamundur të kemi besim të vërtetë pa marrë njohuri të saktë, Bibla thotë se një individ tregon besim «me zemër».—Rom. 10:10.
Pse shumë njerëz nuk kanë besim?
Besimi është fryt i frymës së Perëndisë dhe Perëndia ua jep me gëzim frymën e tij atyre që ia kërkojnë. (Gal. 5:22; Luka 11:13) Prandaj, ata që nuk kanë besim, nuk po e kërkojnë këtë frymë. Edhe nëse e kërkojnë, e bëjnë për një qëllim të gabuar ose i rezistojnë veprimit të saj në jetën e tyre. Ka shumë gjëra që ndikojnë në mungesën e besimit:
Mungesa e njohurisë së saktë për Biblën: Bibla është fryt i frymës së Perëndisë, meqë është e frymëzuar nga Perëndia. (2 Tim. 3:16, 17; 2 Sam. 23:2) Po të mos e studiojmë, nuk mund të zhvillojmë besim të vërtetë. Edhe pse pjesëtarë të feve të ashtuquajtura të krishtere mund të kenë një Bibël, nuk do të kenë besim të vërtetë te Perëndia dhe te qëllimet e tij nëse u janë mësuar idetë e njerëzve në vend të Fjalës së Perëndisë. Për të zgjidhur problemet e jetës ata do të jenë të prirur të mbështeten tek idetë e veta dhe tek idetë e të tjerëve.—Krahaso Mateun 15:3-9.
Zhgënjimi nga fetë: Shumë njerëz janë zhgënjyer nga hipokrizia e feve të të ashtuquajturit krishterim, të cilat pohojnë se mësojnë Fjalën e Perëndisë, por nuk jetojnë në përputhje me çka thotë ajo. Të tjerë i përkitnin një feje jo të krishterë, por panë frytet e këqija të saj ose kuptuan se bindjet e tyre nuk i ndihmuan vërtet të përballonin problemet e jetës. Ngaqë nuk kanë njohuri të saktë për Perëndinë e vërtetë, këta njerëz i largohen çdo gjëje që lidhet me fenë.—Krahaso Romakëve 3:3, 4; Mateun 7:21-23.
Nuk e kuptojnë pse e lejon Perëndia ligësinë: Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë përse e lejon Perëndia ligësinë dhe prandaj e fajësojnë për gjithë të këqijat që ndodhin. Ata nuk e kuptojnë se njeriu priret drejt së keqes jo për faj të Perëndisë, por për shkak të mëkatit të Adamit. (Rom. 5:12) Ndoshta nuk dinë se ekziston Satana Djalli dhe se ndikon në çështjet botërore, dhe kështu ia vënë fajin Perëndisë për gjërat e liga që bën Satanai. (1 Gjon. 5:19; Zbul. 12:12) Nëse dinë paksa për këto argumente, mund të mendojnë se Perëndia është i ngadalshëm për të vepruar, pasi nuk e kuptojnë qartë çështjen e sovranitetit universal dhe se falë durimit të Perëndisë tani, po u jepet mundësia që të shpëtojnë edhe pse nuk e meritojnë. (Rom. 2:4; 2 Pjet. 3:9) Gjithashtu, nuk e kuptojnë plotësisht se Perëndia ka caktuar një kohë kur do të shkatërrojë përgjithmonë tërë ata që praktikojnë ligësinë.—Zbul. 11:18; 22:10-12; Hab. 2:3.
Në jetën e tyre drejtohen nga dëshirat dhe pikëpamjet mishore: Në përgjithësi, njerëzit që nuk kanë besim me baza të forta, u përkushtohen interesave të tjera. Disa mund të thonë se besojnë te Bibla, por ndoshta nuk e kanë studiuar thellë ose nuk kanë medituar me çmueshmëri për atë që kanë lexuar, për arsyetimet që përmban dhe se si ta zbatojnë në jetën e përditshme. (Krahaso 1 Kronikave 28:9.) Në disa raste nuk kanë mundur të ushqejnë besimin që kishin, por kanë lejuar që ndonjë dëshirë e gabuar të drejtojë zemrën e tyre dhe kështu janë larguar nga Perëndia dhe nga udhët e tij.—Hebr. 3:12.
Si mund të arrijë të ketë besim një individ?
Rom. 10:17: «Besimi vjen pasi dikush ka dëgjuar.» (Krahaso Veprat 17:11, 12; Gjoni 4:39-42; 2 Kronikave 9:5-8. Së pari, individi duhet të zbulojë se çfarë thotë Bibla, dhe do të forcojë bindjen e tij nëse e shqyrton me kujdes, që të sigurohet për besueshmërinë e saj.)
Rom. 10:10: «Me zemër njeriu tregon besim.» (Kur një njeri mediton për gjërat e Perëndisë, me qëllim që të rritë vlerësimin për to, ai i ngulit thellë në zemër.)
Besimi forcohet kur personi vepron i nxitur nga premtimet e Perëndisë dhe sheh prova se Perëndia e ka bekuar në atë që ka bërë.—Shih Psalmin 106:9-12.
Ilustrim: Ndoshta keni një mik për të cilin do të thoshit: ‘Kam besim tek ai njeri. Jam i sigurt se ai e mban fjalën dhe e di që do të më ndihmojë po të kem ndonjë problem.’ Nuk mund të flitni kështu për dikë që e keni takuar dje për herë të parë, apo jo? Ai duhet të jetë dikush që e njihni prej kohësh, dikush që ka treguar shumë herë se mund të mbështetesh tek ai. Po njësoj është edhe me besimin fetar. Që të keni besim duhet të gjeni kohë për të njohur Jehovain dhe mënyrën se si vepron ai.
Besim se ka një Perëndi
Shih faqet 278-285, te tema «Perëndia».
Besim se do të ketë një sistem të ri e të drejtë
Kur dikush i njeh mirë mënyrat se si ka vepruar Jehovai me shërbëtorët e tij, fiton pikëpamjen që kishte edhe Josiu, i cili tha: «Ju e dini mirë me gjithë zemër e me gjithë shpirt se nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa u plotësuar.»—Jos. 23:14.
Premtimet e Biblës për përtëritjen e shëndetit, për ringjalljen e të vdekurve, etj., përforcohen nga dokumentimi i mrekullive të kryera nga Jezu Krishti. Këto nuk janë përralla. Lexoni Ungjijtë dhe shihni se janë plotësisht të saktë nga ana historike. Në to përmenden me emra vende gjeografike dhe sundimtarë të asaj kohe; janë ruajtur tregime nga disa dëshmitarë okularë. Meditimi për këto dëshmi mund t’jua forcojë besimin te premtimet e Biblës.
Vizitoni Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait e kongreset e tyre të mëdha, dhe mund të shihni vetë prova se zbatimi i këshillave të Biblës ua ndryshon jetën njerëzve, mund t’i bëjë të ndershëm e të moralshëm, ndihmon individë të të gjitha racave dhe kombësive që të jetojnë e të punojnë bashkë me një frymë vëllazërie të vërtetë.
A është e nevojshme që besimi të shoqërohet edhe me vepra?
Jak. 2:17, 18, 21, 22, 26: «Besimi, nëse nuk ka vepra, është i vdekur. Megjithatë, dikush do të thotë: ‘Ti ke besim, por unë kam vepra. Ma trego besimin tënd pa vepra, dhe unë do të ta tregoj besimin tim me vepra.’ Abrahami, ati ynë, a nuk u shpall i drejtë nga veprat, pasi e paraqiti Isakun, birin e tij, në altar? Ti e sheh që besimi i tij vepronte bashkë me veprat, dhe me anë të veprave, besimi iu përsos. Vërtet, ashtu si trupi pa frymë është i vdekur, edhe besimi pa vepra është i vdekur.»
Ilustrim: Një i ri mund të shoqërohet me një vajzë dhe t’i thotë se e do. Por, në qoftë se nuk i kërkon kurrë të martohen, a po tregon vërtet se dashuria e tij është e sinqertë? Po kështu, veprat janë një mënyrë për të treguar se kemi besim dhe dashuri të vërtetë. Nëse nuk i bindemi Perëndisë, në të vërtetë nuk e duam atë dhe nuk kemi besim se udhët e tij janë të drejta. (1 Gjon. 5:3, 4) Gjithsesi, çfarëdo që të bëjmë, ne nuk mund ta fitojmë vetë shpëtimin. Jeta e përhershme është një dhuratë nga Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, dhe jo një pagë për veprat tona.—Efes. 2:8, 9.