Kërko paqen e vërtetë dhe ndiqe atë!
«Kush dëshiron të dojë jetën e të shohë ditë të mira, . . . të largohet nga e keqja e të bëjë të mirën; të kërkojë paqen dhe ta ndjekë atë.»—1. PJETRIT 3:10, 11, BR.
1. Cilat fjalë të famshme të Isaisë është e sigurt se do të kenë sukses?
«ATA do t’i farkëtojnë shpatat e tyre, duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi dhe nuk do të mësojnë më luftën.» (Isaia 2:4) Edhe pse ky shkrim i famshëm paraqitet pranë selisë botërore të Kombeve të Bashkuara në qytetin e Nju Jorkut, nuk mund të thuhet aspak se kjo organizatë botërore i ka përmbushur fjalët e Isaisë. Megjithatë, si pjesë e fjalës së padështueshme të Perëndisë Jehova, ajo deklaratë nuk do të mbetet pa rezultate.—Isaia 55:10, 11.
2. Çfarë duhet «të ndodhë në pjesën e fundit të ditëve», sipas Isaisë 2:2, 3?
2 Fjalët që gjejmë në Isainë 2:4, janë në të vërtetë pjesë e një profecie të mrekullueshme, e një profecie për paqen e vërtetë, e cila është duke u përmbushur pikërisht në kohën tonë. Përpara se të shpallë perspektivat rrëqethëse, sipas të cilave nuk do të ketë më luftëra dhe armë lufte, profecia thotë: «Në pjesën e fundit të ditëve, duhet të ndodhë që mali i shtëpisë së Jehovait të vendoset patundshmërisht mbi majën e maleve dhe me siguri që do të ngrihet mbi kodrat; dhe drejt tij duhet të vërshojnë të gjitha kombet. Shumë popuj me siguri do të shkojnë e të thonë: ‘Ejani, ju njerëz, e le të ngjitemi në malin e Jehovait, në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’ Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jerusalemi fjala e Jehovait.»—Isaia 2:2, 3, BR.
Njerëzit mund të bëhen paqedashës
3. Si mund të ndryshojë një person nga një njeri me natyrë luftuese në një njeri paqësor?
3 Vëre që përpara se njerëzit të mund të ndjekin një drejtim paqësor, duhet që të jenë të mësuar në rrugët e Jehovait. Reagimi me bindje ndaj mësimit të Jehovait, mund ta ndryshojë mënyrën e të menduarit dhe të të vepruarit të një personi, në mënyrë që ai që ka pasur natyrë luftuese, të bëhet paqedashës. Si kryhet ky transformim? Romakëve 12:2 thotë: «Mos u konformoni me këtë sistem gjërash, por transformohuni, duke ripërtërirë mendjen tuaj, që të mund t’i provoni vetes vullnetin e mirë, të pranueshëm dhe të përsosur të Perëndisë.» (BR) Ne e ripërtërijmë mendjen tonë apo e nxisim atë në një drejtim tjetër, duke e mbushur me parimet dhe udhëzimet e Fjalës së Perëndisë. Studimi i rregullt i Biblës na ndihmon për të bërë këtë ndryshim dhe na bën të aftë për t’i provuar vetes se cili është vullneti i Jehovait për ne, e kështu mund të shohim qartë rrugën nëpër të cilën duhet të ecim.—Psalmi 119:105.
4. Si e vesh një person personalitetin e ri paqësor?
4 E vërteta biblike nuk transformon vetëm modelin tonë të të menduarit, por edhe veprimet dhe personalitetin tonë. Ajo na ndihmon të bëjmë atë, për të cilën na nxiti apostulli Pavël: «Zhvishni personalitetin e vjetër, i cili është në përputhje me sjelljen tuaj të mëparshme, që ishte e korruptuar sipas dëshirave të tij mashtruese; por . . . rinovohuni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj dhe . . . vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi të vërtetë dhe besnikëri.» (Efesianëve 4:22-24, BR) Forca që vë në veprim mendjen është e brendshme. Ajo është e transformuar dhe bëhet e fuqishme, ndërsa dashuria jonë për Jehovain dhe për ligjet e tij rritet e na bën njerëz frymorë e paqedashës.
5. Si i kontribuon «urdhërimi i ri» që u dha Jezui dishepujve të tij, paqes mes tyre?
5 Nevoja për këtë transformim duket nga udhëzimi që u dha Jezui dishepujve të tij, gjatë orëve të tij të fundit me ta: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) Kjo dashuri vetëmohuese ngjashëm Krishtit i bashkon dishepujt së bashku në një unitet të përsosur. (Kolosianëve 3:14) Vetëm ata që janë të gatshëm për të pranuar dhe për të jetuar sipas këtij ‘urdhërimi të ri’, do të gëzojnë paqen që premton Perëndia. A ekziston ndonjë popull që e bën këtë sot?
6. Përse Dëshmitarët e Jehovait në kontrast me njerëzit e botës gëzojnë paqe?
6 Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të tregojnë dashuri për vëllazërinë e tyre mbarëbotërore. Ndonëse janë marrë nga të gjitha kombet e botës, ata nuk përfshihen në mosmarrëveshjet e botës, edhe kur janë nën presione të ashpra politike dhe fetare. Si një popull i bashkuar, ata janë të mësuar nga Jehovai dhe gëzojnë paqe. (Isaia 54:13) Ata qëndrojnë asnjanës në konfliktet politike dhe nuk marrin pjesë nëpër luftëra. Disa që më parë kanë qenë të dhunshëm, e kanë lënë atë mënyrë jetese. Janë bërë të krishterë, dashurues të paqes, duke imituar shembullin e Krishtit Jezu. Ata ndjekin me gjithë zemër këshillën e Pjetrit: «Kush dëshiron të dojë jetën e të shohë ditë të mira, të përmbajë gjuhën e tij nga e keqja dhe buzët e tij nga të folurit me mashtrim, por të largohet nga e keqja e të bëjë të mirën; të kërkojë paqen dhe ta ndjekë atë.»—1. Pjetrit 3:10, 11, BR; Efesianëve 4:3.
Ata që po ndjekin paqen
7, 8. Jep shembuj të njerëzve që kanë lënë luftën dhe janë bërë kërkues të paqes së vërtetë. (Trego të tjerë që mund të kesh njohur.)
7 Për shembull, kemi rastin e Rami Oved, dikur oficer i një skuadre të specializuar antiterroriste. Ai ishte i stërvitur për të vrarë armiqtë e tij. Besonte me zjarr në nacionalizmin e tij izraelit, deri në ditën kur zbuloi se rabinët nuk dëshironin që ai të martohej me gruan që dashuronte, vetëm sepse ajo ishte një pagane aziatike. Ai filloi të kërkonte të vërtetën në Bibël. Më pas, ra në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait. Studimi i Biblës me Dëshmitarët e bindi se ai nuk mund të ishte më një nacionalist fanatik. Dashuri e krishterë do të thotë të lësh luftën dhe armët e të mësosh të duash njerëzit e çdo race. Sa u befasua ai, kur mori një letër të përzemërt, që fillonte me fjalët: «Vëllai im Rami!» Ç’kishte kaq të pazakontë në këtë? Shkruesja e letrës ishte një Dëshmitare palestineze. «Më dukej e pabesueshme,—thotë Rami,—pasi palestinezët ishin armiqtë e mi, ndërsa tani, një prej tyre po më quante ‘Vëllai im’.» Rami dhe gruaja e tij tani ndjekin paqen e vërtetë në rrugën e Perëndisë.
8 Një tjetër shembull është ai i Georg Reuter, i cili shërbente në ushtrinë gjermane, që pushtoi Rusinë gjatë Luftës II Botërore. Shpejt, ai u zhgënjye nga projekti madhështor i Hitlerit për të mbizotëruar në botë. Kur u kthye nga lufta, filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ai shkruan: «Më së fundi, gjërat filluan të më qartësoheshin. Kuptova se nuk ishte fajtor Perëndia për gjithë atë gjakderdhje . . . Mësova se qëllimi i tij ishte të vendoste një parajsë mbarëtokësore me bekime të përhershme për njerëzimin e bindur. . . . Hitleri ishte mburrur me ‘perandorinë mijëvjeçare’ të tij, por sundoi vetëm për 12 [vjet] dhe me çfarë rezultati të kobshëm! Është Krishti dhe jo Hitleri . . . ai që mundet dhe që do të vendosë një mbretëri mijëvjeçare mbi tokë.» Për rreth 50 vjet tani, Georg ka shërbyer si një i dërguar për paqen e vërtetë në shërbimin e plotë kohor.
9. Si tregon përvoja e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermaninë naziste se ata janë të guximshëm, por paqësorë?
9 Integriteti dhe asnjanësia e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani gjatë regjimit nazist, vazhdon të jetë edhe sot, më shumë se 50 vjet më pas, një dëshmi e dashurisë së tyre për Perëndinë dhe për paqen. Një broshurë e botuar nga Muzeu Përkujtimor i Olokaustit në Uashington, D.C., Shtetet e Bashkuara, deklaron: «Dëshmitarët e Jehovait duruan një persekutim intensiv nën regjimin nazist. . . . Kuraja që treguan pjesa më e madhe e tyre, duke mos pranuar [të mohonin fenë e tyre] përballë torturave, keqtrajtimit në kampet e përqendrimit dhe në disa raste edhe ekzekutimit, i bëri të fitonin respektin e shumë bashkëkohësve.» Më pas, ajo shton: «Gjatë çlirimit nga kampet, Dëshmitarët e Jehovait vazhduan veprën e tyre, duke vepruar mes të mbijetuarve nga kampet e duke i bërë që të ndryshonin fenë.»
Një ndryshim shumë më i madh
10. (a) Çfarë ndryshimi i madh nevojitet që të vijë paqja e vërtetë? (b) Si ishte portretizuar ai në librin e Danielit?
10 A do të thotë kjo se Dëshmitarët e Jehovait besojnë se ata mund t’ia sjellin paqen gjithë botës, nëpërmjet kthimit të një numri të madh personash në besimin e asnjanësisë së krishterë? Jo! Që të vendoset paqja në tokë, nevojitet një ndryshim shumë më i madh. Cili është ai? Sundimi përçarës, shtypës dhe i dhunshëm njerëzor duhet t’i hapë rrugën sundimit të Mbretërisë së Perëndisë, për të cilën Jezui i mësoi dishepujt e tij të luteshin. (Mateu 6:9, 10) Por, si do të ndodhë kjo? Në një ëndërr të frymëzuar në mënyrë hyjnore, profeti Daniel mësoi se në ditët e fundit, Mbretëria e Perëndisë, si një gur i stërmadh, ‘i prerë jo nga duart e njeriut’, do të godiste figurën e gjigantit, që përfaqësonte sundimet politike të njerëzimit mbi tokën. Më pas, ai shpalli: «Në ditët e atyre mbretërve Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Dhe mbretëria vetë nuk do t’i kalohet asnjë kombi tjetër. Ajo do t’i shtypë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive dhe ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pacaktuara.»—Danieli 2:31-44, BR.
11. Përmes cilit mjet do të sjellë Jehovai ndryshimin e nevojshëm për paqen?
11 Përse do të ndodhë ky ndryshim rrënjësor në situatën botërore? Sepse Jehovai ka premtuar se do të pastrojë tokën nga të gjithë ata që po e ndotin dhe që po e shkatërrojnë atë. (Zbulesa 11:18) Ky transformim do të ndodhë në luftën e drejtë të Jehovait kundër Satanait dhe botës së tij të ligë. Në Zbulesën 16:14, 16 lexojmë: «Ato [d.m.th., shprehjet e papastra të frymëzuara] janë në fakt, shprehje të frymëzuara nga demonët dhe kryejnë shenja e shkojnë tek mbretërit [sundimtarët politikë] e gjithë tokës së banuar, për t’i mbledhur së bashku në luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm. Dhe i mblodhën ata së bashku në vendin që hebraisht quhet Harmagedon.»—BR.
12. Si do të jetë Harmagedoni?
12 Si do të jetë Harmagedoni? Nuk do të jetë një apokalips bërthamor e as një katastrofë e provokuar nga njerëzit. Jo, është lufta e Perëndisë për t’u dhënë fund të gjitha luftërave njerëzore dhe për të shfarosur të gjithë ata që i nxisin këto luftëra. Është lufta e Perëndisë për të sjellë paqen e vërtetë për ata që e duan këtë paqe. Po, Harmagedoni po vjen ashtu siç e ka për qëllim Jehovai. Ai nuk do të vonojë. Profeti i tij, Habakuku, u frymëzua për të shkruar: «Vegimi është ende për kohën e caktuar dhe vazhdon të regëtijë deri në fund, ai nuk do të thotë një gënjeshtër. Edhe nëse duhet të vonojë, rri në pritje të tij; sepse ai do të vërtetohet patjetër. Nuk do të vonojë.» (Habakuku 2:3, BR) Për shkak të ndjenjave tona njerëzore mund të duket sikur Harmagedoni po vonon, por Jehovai respekton programin e tij. Harmagedoni do të shpërthejë në orën që Jehovai ka paracaktuar.
13. Çfarë do të bëjë Perëndia me fajtorin e vërtetë, Satana Djallin?
13 Ky veprim vendimtar do t’i pastrojë rrugën paqes së vërtetë! Por që paqja e vërtetë të vendoset njëherë e mirë, diçka tjetër duhet bërë: largimi i atij që shkakton përçarje, urrejtje dhe grindje. Kjo është ajo që profetizon Bibla se do të ndodhë më pas: hedhja në humnerë e Satanait, nxitësit të luftës dhe babait të gënjeshtrave. Apostulli Gjon e pa këtë ngjarje në një vizion profetik, siç shkruhet në Zbulesën 20:1-3: «Pashë një engjëll që zbriste nga qielli me çelësin e humnerës dhe një zinxhir të madh në dorën e tij. Ai e kapi dragoin, gjarprin e lashtë, i cili është Djalli dhe Satanai dhe e lidhi për një mijë vjet. E hodhi në humnerë, e mbylli dhe e vulosi mbi të, që të mos mashtrojë më kombet, derisa të përfundojnë një mijë vjetët.»—BR.
14. Si mund të përshkruhet veprimi triumfues i Jehovait kundër Satanait?
14 Kjo nuk është një ëndërr. Është premtimi i Perëndisë dhe Bibla thotë: «Është e pamundur që Perëndia të gënjejë.» (Hebrenjve 6:18) Prandaj, Jehovai mundi të thotë nëpërmjet profetit të tij, Jeremia: «‘Unë jam Jehovai, Ai që ushtron dashamirësi të dashur, të drejtën dhe drejtësinë në tokë, sepse në këto gjëra gjej kënaqësinë’,—është thënia e Jehovait.» (Jeremia 9:24, BR) Jehovai vepron me drejtësi dhe me të drejtë; ai gjen kënaqësi në paqen që do të sjellë në tokë.
Sundimi nga Princi i Paqes
15, 16. (a) Kush është zgjedhur nga Jehovai për të sunduar si Mbret? (b) Si përshkruhet ai sundim dhe kush do të marrë pjesë në të?
15 Për të siguruar se paqja e vërtetë do të vijë për të gjithë ata që jetojnë nën rregullimin e Mbretërisë së tij, Jehovai ia ka dhënë sundimin Princit të vërtetë të Paqes, Jezu Krishtit, siç është parathënë në Isainë 9:6, 7: «Na lindi një fëmijë, na u dha një djalë dhe sundimi princëror do të vihet mbi shpatullat e tij. Dhe ai do të quhet me emrin Këshilltar i Mrekullueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes. Bollëku i sundimit princëror dhe paqja nuk do të kenë fund. . . . Pikërisht zelli i Jehovait të ushtrive, do ta bëjë këtë.» (BR) Veç kësaj, psalmisti shkroi në mënyrë profetike për sundimin paqësor të Mesisë: «Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe do të ketë bollëk, paqeje derisa të mos ketë më hënë.»—Psalmi 72:7, BR.
16 Përveç kësaj, në qiej do të sundojnë bashkë me Krishtin edhe 144.000 vëllezërit e tij të mirosur me frymë. Këta janë bashkëtrashëgimtarët me Krishtin, për të cilët Pavli shkroi: «Nga ana e tij, Perëndia i cili jep paqe, do ta copëtojë pas pak kohësh Satanain nën këmbët tuaja. Dashamirësia e pamerituar e Zotërisë tonë Jezu, qoftë me ju.» (Romakëve 16:20, BR) Po, nga qiejt ata do të marrin pjesë në fitoren e Krishtit mbi luftënxitësin, Satana Djallin!
17. Çfarë duhet të bëjmë për të trashëguar paqen e vërtetë?
17 Atëherë, lind pyetja: Çfarë duhet të bësh, për të trashëguar paqen e vërtetë? Paqja e vërtetë mund të vijë vetëm nëpërmjet rrugës së Perëndisë dhe për ta fituar atë, duhet të ndërmarrësh hapa pozitivë. Duhet të pranosh Princin e Paqes dhe të kthehesh nga ai. Kjo do të thotë që duhet ta pranosh Krishtin në rolin e tij si Shpenguesi dhe Shpërblerësi i njerëzimit mëkatar. Vetë Jezui tha këto fjalë të famshme: «Perëndia e deshi kaq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetën e përhershme.» (Gjoni 3:16, BR) A je i gatshëm që të ushtrosh besim në Krishtin Jezu si Përfaqësuesi i Perëndisë, për të sjellë paqen e vërtetë dhe shpëtimin? Nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell, që mund të vendosë paqen dhe ta garantojë atë. (Filipianëve 2:8-11) Përse? Sepse Jezui është i Zgjedhuri i Perëndisë. Ai është lajmëtari më i madh i paqes, që ka jetuar ndonjëherë në tokë. A do ta dëgjosh Jezuin e të ndjekësh shembullin e tij?
18. Çfarë duhet të bëjmë në përgjigje të fjalëve të Jezuit, shkruar në Gjonin 17:3?
18 «Kjo është jeta e përjetshme,—tha Jezui,—të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.» (Gjoni 17:3) Tani është koha për të marrë njohurinë e saktë, duke marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait në Sallën e Mbretërisë. Këto mbledhje edukative do të të nxisin që ta ndash njohurinë dhe shpresën tënde me të tjerët. Edhe ti mund të bëhesh një i dërguar për paqen e Perëndisë. Tani, ti mund të gëzosh paqen, duke besuar tek Perëndia Jehova, siç thuhet në Isainë 26:3, sipas Versionit të Ri Kombëtar (New International Version): «Ti do ta ruash në paqe të përsosur atë, mendja e të cilit është e palëkundur, sepse ai beson tek ti.» Tek cili duhet të besosh? «Besoni në Jehovain, ju njerëz, për të gjitha kohërat, sepse në Jah Jehovain është Shkëmbi i kohëve të pacaktuara.»—Isaia 26:4, BR.
19, 20. Çfarë presin ata që kërkojnë paqen sot dhe që e ndjekin atë?
19 Merr qëndrim tani për jetën e përhershme në botën e re paqësore të Perëndisë. Në Zbulesën 21:3, 4, Fjala e Perëndisë na siguron: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë bashkë me ta dhe ata do të jenë njerëzit e tij. Dhe Perëndia vetë do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as zi, as britma, as dhimbje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» (BR) A nuk është kjo e ardhmja paqësore që dëshiron me zjarr?
20 Atëherë, mos harro se çfarë ka premtuar Perëndia. «Vetë të butët do të zotërojnë tokën dhe me të vërtetë do të gjejnë kënaqësinë e tyre të këndshme në bollëkun e paqes. Shih të pafajshmin dhe mbaj para syve të drejtin, sepse e ardhmja e atij njeriu do të jetë paqësore.» (Psalmi 37:11, 37, BR) Kur të vijë ajo ditë e lumtur, thënçim të gjithë me mirënjohje: «Më në fund paqja e vërtetë! Faleminderit Perëndisë Jehova, burimit të paqes së vërtetë!»
A mund të shpjegosh?
◻ Ç’gjë mund ta ndihmojë një person që të bëjë ndryshime në mendime dhe veprime?
◻ Si e kanë treguar Dëshmitarët e Jehovait, individualisht dhe kolektivisht, dashurinë e tyre për paqen e vërtetë?
◻ Çfarë do të bëjë Jehovai me të gjithë ata që nxisin urrejtjen dhe luftën?
◻ Çfarë do të bëjë sundimi i Princit të paqes për njerëzimin?
[Figurat në faqen 14]
Fjalët e Isaisë janë përmbushur, jo nga OKB-ja, por nga ata që i përgjigjen mësimit të Jehovait
[Figurat në faqen 15]
Këta dy burra bënë ndryshime, për të ndjekur paqen
Rami Oved
Georg Reuter
[Figura në faqen 16]
Paqja e vërtetë do të triumfojë nën sundimin e Princit të Paqes