Të falim bujarisht njëri-tjetrin
«Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin.»—KOLOS. 3:13.
1, 2. Pse duhet të shqyrtojmë veten se sa të gatshëm jemi të falim?
FJALA e shkruar e Jehovait na ndihmon të mësojmë si e konsideron ai mëkatin dhe si reagon kur mëkatojmë. Gjithashtu, Fjala e tij na tregon shumë për faljen. Në artikullin e mëparshëm pamë se Jehovai i fali Davidin dhe Manaseun për shkak të qëndrimit që shfaqën. Keqardhja e tyre e ndier dhe me gjithë zemër për ato që kishin bërë, i shtyu të rrëfeheshin, të hidhnin poshtë veprimet e liga e të shfaqnin pendim të sinqertë. Si rrjedhojë, Jehovai ishte gati t’u tregonte përsëri hir.
2 Le ta shqyrtojmë faljen nga një këndvështrim tjetër. Ç’do të kishe menduar për Manaseun, sikur mes viktimave të tij të pafajshme të ishte ndonjë i afërm yti? Do ta kishe falur dot? Kjo pyetje është me vend sot, sepse jetojmë në një botë të paligjshme, të dhunshme dhe egoiste. Prandaj, përse të krishterët duhet të mësojnë të falin? Dhe, nëse të fyejnë a të bëjnë një padrejtësi, ç’mund të të ndihmojë t’i mbash nën kontroll ndjenjat, të reagosh si do të kishte dashur Jehovai dhe të jesh i gatshëm për të falur?
PËRSE DUHET TË FALIM?
3-5. (a) Ç’ilustrim përdori Jezui që t’i ndihmonte dëgjuesit të mendonin për nevojën për të falur? (b) Ku donte të dilte Jezui me ilustrimin e Mateut 18:21-35?
3 Gatishmëria për të falur ata që na fyejnë, qofshin pjesëtarë të kongregacionit të krishterë ose jo, është e domosdoshme nëse duam të ruajmë marrëdhënie paqësore me familjarët, miqtë, njerëzit në përgjithësi dhe me Jehovain. Shkrimet tregojnë se gatishmëria për t’i falur të tjerët, pavarësisht se sa shpesh na fyejnë, është një kërkesë e krishterë. Për të treguar se kjo është kërkesë e arsyeshme, Jezui përdori një ilustrim që fliste për një skllav që ishte në borxh.
4 Një skllav i detyrohej pronarit një shumë të barabartë me pagën që do të merrte një punëtor në 60.000.000 ditë; gjithsesi, pronari ia fali borxhin. Pas kësaj, skllavi doli dhe takoi një skllav tjetër, i cili i detyrohej një shumë të barabartë me pagën e vetëm 100 ditëve. Borxhliu iu përgjërua që të tregohej i duruar, por skllavi të cilit zotëria i fali një borxh të stërmadh, e futi në burg shokun. Ky qëndrim e zemëroi pronarin e tyre. «A nuk duhej që edhe ti të kishe mëshirë për shokun tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë për ty?»—e pyeti zotëria. «I nxehur, zotëria ua dorëzoi rojave të burgut [skllavin që nuk fali], derisa t’i kthente gjithë sa i detyrohej.»—Mat. 18:21-34.
5 Ku donte të dilte Jezui me këtë ilustrim? Ai nxori këtë përfundim: «Po kështu do të veprojë edhe Ati im qiellor me ju, nëse secili nuk e fal vëllanë e vet me gjithë zemër.» (Mat. 18:35) Ishte e qartë ku donte të dilte Jezui. Mëkatet që kemi kryer gjatë gjithë jetës sonë të papërsosur, dëshmojnë se nuk kemi shpresë të plotësojmë normat e Jehovait. Megjithatë, ai është i gatshëm të na i falë e, si të thuash, t’u vërë vizë. Prandaj, kush dëshiron miqësinë e Jehovait, ka detyrimin të falë mangësitë e të tjerëve. Ose, siç tha Jezui në Predikimin në Mal: «Po t’ua falni njerëzve shkeljet, edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë ju, por, po të mos ua falni njerëzve shkeljet, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.»—Mat. 6:14, 15.
6. Pse nuk është gjithnjë e lehtë të falësh?
6 Ti mund të thuash: «Këto janë fjalë të bukura në teori, por është më kollaj ta thuash se ta bësh.» Kjo ndodh sepse, shpesh, reagimi ynë ndaj fyerjeve, është emocional. Një person mund të ndihet i zemëruar, i tradhtuar dhe mund të dojë të vërë në vend drejtësinë, madje, të hakmerret. Në fakt, disa ndihen sikur nuk do të mund ta falin kurrë fajtorin. Nëse ndihesh kështu, si mund të mësosh të falësh siç kërkon Jehovai?
ANALIZO EMOCIONET
7, 8. Çfarë do të të ndihmojë të falësh, nëse të ka mërzitur sjellja jodashamirëse e të tjerëve?
7 Reagimet emocionale ndaj fyerjeve të vërteta ose të supozuara mund të jenë shumë të forta. Të shqyrtojmë reagimin e një të riu, siç e përshkruan një studim për zemërimin: «Një herë . . . gjatë një shpërthimi zemërimi, dola nga shtëpia dhe u betova se s’do të kthehesha më kurrë. Ishte një ditë e këndshme vere dhe eca shumë larg nëpër rrugicat e bukura, derisa, dalëngadalë qetësia dhe bukuria e ambientit ma fashitën zemërimin e më lehtësuan; pas disa orësh u ktheva i penduar dhe pothuajse i zbutur.» Siç tregon kjo përvojë, është mirë t’i japësh vetes pak kohë për t’u qetësuar e ta shohësh situatën me më shumë gjakftohtësi. Kjo do të të ndihmojë të falësh e jo të reagosh në ndonjë mënyrë për të cilën më pas do të pendoheshe.—Psal. 4:4; Prov. 14:29; Jak. 1:19, 20.
8 Po sikur ta kesh të vështirë të heqësh ndonjë ndjenjë negative? Përpiqu të përcaktosh përse je i mërzitur. A të kanë trajtuar padrejtësisht, ndoshta pa mirësjellje? Apo mendon se personi tjetër u përpoq të të lëndonte me qëllim? A ishte vërtet kaq i keq veprimi i tij apo i saj? Duke analizuar dhe kuptuar arsyen e reagimit tënd, do të kesh mundësi të shqyrtosh cili do të ishte reagimi më i mirë dhe i bazuar në Shkrime. (Lexo Proverbat 15:28; 17:27.) Një arsyetim i tillë do të të ndihmonte të ishe më objektiv dhe i gatshëm për të falur. Duke i përballuar kështu situatat, sado e vështirë që mund të jetë, do të lejosh që fjala e Perëndisë të shqyrtojë «mendimet dhe qëllimet e zemrës» sate dhe të të drejtojë që të mësosh të falësh si Jehovai.—Hebr. 4:12.
A DUHET TA MARRËSH SI DIÇKA PERSONALE?
9, 10. (a) Cilat mund të jenë reagimet ndaj asaj që mund të duket si një fyerje? (b) Si do të ndikojë në këndvështrimin tënd për jetën fryma pozitive dhe e gatshme për të falur?
9 Shumë situata në jetë shkaktojnë reagime negative. Për shembull, ta zëmë se po i jep makinës dhe një makinë tjetër gati përplaset me ty. Si do të reagosh? Duhet të kesh lexuar për raste të grindjeve në rrugë, kur dikush është zemëruar aq shumë sa ka sulmuar shoferin tjetër. Sigurisht, si i krishterë nuk do të doje të bëje një gjë të tillë.
10 Do të ishte shumë më mirë të ndaleshe për një çast e të analizoje situatën. Mbase, pjesërisht, ishe edhe ti fajtor për atë që ndodhi, ngaqë u shpërqendrove disi. Ose shoferi tjetër mund ta ketë pasur makinën me ndonjë defekt. Kjo skenë e supozuar na mëson se mund ta zbutim zemërimin, zhgënjimin dhe ndjenja të tjera negative, duke u përpjekur të kuptojmë situatën, duke qenë mendjehapur e të gatshëm për të falur. Eklisiastiu 7:9 thotë: «Mos u fyej shpejt, sepse fyerja prehet në gji të budallenjve.» Mos e merr si diçka personale. Në shumë raste, ajo që mund të mendohet si një fyerje e qëllimshme personale, s’është aspak e tillë; është thjesht pasojë e papërsosmërisë ose një keqkuptim. Përpiqu të jesh me mendje të hapur para atyre që mund të duken si veprime ose fjalë jodashamirëse dhe ji i gatshëm të falësh i shtyrë nga dashuria. Nëse ia del, do të jesh më i lumtur.—Lexo 1 Pjetrit 4:8.
‘PAQJA U KTHEFTË TE JU’
11. Si lajmëtarë të Mbretërisë, si duhet t’i përgjigjemi reagimit të njerëzve ndaj lajmit të mirë?
11 Si mund ta ruash vetëkontrollin në shërbim, nëse dikush sillet vrazhdë? Kur i nisi në shërbim 70 predikuesit, Jezui u tha të uronin paqe në çdo shtëpi që vizitonin. Ai tha: «Nëse atje ka një mik të paqes, paqja juaj do të prehet mbi të. Por, nëse nuk ka, ajo do t’ju kthehet juve.» (Luka 10:1, 5, 6) Ne jemi të lumtur kur njerëzit reagojnë pozitivisht ndaj shërbimit tonë, pasi kështu mund të nxjerrin dobi nga mesazhi që u çojmë. Megjithatë, disa herë reagimi nuk është aspak paqësor. Ç’të bëjmë në këto raste? Jezui tha se paqja që i urojmë shtëpisë, do të mbetet te ne. Në çdo rast, duhet të largohemi nga çdo derë me paqe në zemër, pavarësisht si na trajtojnë. Nëse do të mërziteshim para ndonjë provokimi, nuk do të ruanim dot paqen.
12. Si duhet t’i zbatojmë fjalët e Pavlit tek Efesianëve 4:31, 32?
12 Mundohu të ruash paqen në çdo situatë, jo vetëm në shërbimin e krishterë. Natyrisht, të jesh i gatshëm për t’i falur të tjerët, nuk do të thotë se duhet të miratosh sjelljen e tyre të gabuar apo të minimizosh dëmin që shkakton ajo. Gjithsesi, të falësh, do të thotë të kapërcesh çdo lëndim që shkaktojnë sjellje të tilla e të ruash paqen. Duke e mbajtur mendjen te mendimet negative dhe duke bluar me vete se sa keq janë sjellë të tjerët me ta, disa kanë lejuar që sjellja e të tjerëve t’u vjedhë lumturinë. Mos lejo të të kontrollojnë mendime të tilla. Mos harro se nuk mund të jesh i lumtur nëse mban përbrenda ndjenja të lënduara. Prandaj, fal!—Lexo Efesianëve 4:31, 32.
REAGO SIÇ I PËLQEN JEHOVAIT
13. (a) Në ç’mënyrë një i krishterë ‘grumbullon thëngjij të ndezur’ mbi kokën e armiqve? (b) Ç’e mirë mund të vijë nga përgjigjja e butë ndaj provokimit?
13 Në disa raste mund ta ndihmosh dikë që është sjellë keq me ty, të kuptojë normat e krishtere. Apostulli Pavël shkroi: «‘Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi diçka për të pirë, sepse po të bësh kështu, do të grumbullosh thëngjij të ndezur mbi kokën e tij’. Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.» (Rom. 12:20, 21) Me qëndrimin e hijshëm përballë provokimeve, mund të zbutësh edhe reagimet më të ashpra dhe të nxjerrësh më të mirën nga njerëzit. Duke treguar kuptueshmëri, empati, e madje dhembshuri për fajtorin, do të kesh mundësi ta ndihmosh të mësojë të vërtetat biblike. Sidoqoftë, përgjigjja e butë i jep atij personi mundësi të reflektojë mbi sjelljen tënde të shkëlqyer.—1 Pjet. 2:12; 3:16.
14. Përse nuk duhet të mbash përbrenda ndjenja të lënduara, pavarësisht se sa keq mund të jenë sjellë me ty?
14 Nga ana tjetër, ka rrethana kur është e papërshtatshme të shoqërohemi me disa njerëz. Këtu futen ata që dikur ishin pjesë e kongregacionit, por që kanë mëkatuar, nuk janë penduar dhe janë përjashtuar. Edhe nëse pendohet, mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë ta falësh një individ të tillë që të ka lënduar, pasi plagët emocionale duan kohë të shërohen. Në këto rrethana, mund të vazhdosh t’i kërkosh ndihmë Jehovait që të mësosh ta falësh keqbërësin e penduar. Në fund të fundit, si mund ta dish se ç’ka në zemër tjetri? Jehovai e di. Ai shqyrton prirjet më të brendshme të personit dhe është i duruar me keqbërësit. (Psal. 7:9; Prov. 17:3) Ja pse Shkrimet thonë: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Bëni gjëra të shkëlqyera sipas nevojës që kanë të gjithë njerëzit. Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë. Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai.» (Rom. 12:17-19) A ke të drejtë ta dënosh dikë? Jo. (Mat. 7:1, 2) Por mund të jesh i sigurt se drejtësia është në dorë të Perëndisë.
15. Çfarë duhet të kuptojmë për fajtorët dhe si ndikon kjo te qëndrimi ynë kundrejt tyre?
15 Nëse mendon se ke qenë viktimë e ndonjë padrejtësie dhe të duket e vështirë ta falësh keqbërësin e penduar, do të ishte mirë të kuptoje se edhe fajtori është viktimë. Ashtu si ti, ai ose ajo vuan pasojat e papërsosmërisë së trashëguar. (Rom. 3:23) Jehovai ka dhembshuri për gjithë njerëzimin e papërsosur. Prandaj, është me vend të lutemi për fajtorin. Vështirë të mbetemi të zemëruar me dikë për të cilin jemi lutur. Këto fjalë të Jezuit e tregojnë qartë se nuk duhet të ushqejmë mëri as kundrejt atyre që na keqtrajtojnë: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.»—Mat. 5:44.
16, 17. Si duhet të reagosh nëse pleqtë e krishterë gjykojnë se një mëkatar është penduar, dhe përse?
16 Në përputhje me vullnetin e Jehovait, pleqve të krishterë u është besuar përgjegjësia për të trajtuar çështjet e keqbërjeve në kongregacion. Këta vëllezër nuk kanë gjykim të thellë aq të plotë sa Perëndia, megjithatë synojnë t’i marrin vendimet nën drejtimin e frymës së shenjtë dhe në përputhje me Fjalën e Perëndisë. Kështu, vendimet që marrin për këto çështje, pasi i luten për ndihmë Jehovait, do të pasqyrojnë pikëpamjen e tij.—Mat. 18:18.
17 Këtu futet në lojë besnikëria. Nëse pleqtë gjykojnë se një person është penduar, a do ta falësh dhe a do t’i tregosh përsëri dashuri? (2 Kor. 2:5-8) Kjo mund të mos jetë e lehtë, sidomos nëse je viktima apo nëse viktima është i afërmi yt. Gjithsesi, duke pasur besim te Jehovai dhe te mënyra si i trajton çështjet përmes kongregacionit, do të veprosh me mençuri. Do të tregosh se vërtet fal bujarisht.—Prov. 3:5, 6.
18. Ç’dobi mund të përjetosh nëse fal bujarisht?
18 Le të mendojmë pak për koston që paguajnë ata që s’janë të gatshëm të falin: shëndet të dobët, marrëdhënie të shkatërruara, stres dhe komunikim të vështirë. Nga ana tjetër, ekspertët në fushën e shëndetit mendor i njohin dobitë që vijnë kur je i gatshëm të falësh. Ajo të çliron nga ndrydhja dhe nga ato ndjenja që shkaktojnë probleme shëndeti; gjithashtu, ushqen marrëdhënie më të shëndosha e të lumtura. Mbi të gjitha, bekimi më i madh që gëzojmë kur jemi të gatshëm të falim, është marrëdhënia e mirë me Atin tonë qiellor, Jehovain.—Lexo Kolosianëve 3:12-14.