Të ecim me mençuri në lidhje me botën
«Vazhdoni të ecni me mençuri ndaj atyre që janë jashtë.»—KOLOSIANËVE 4:5, NW.
1. Me çfarë ishin ballë për ballë të krishterët e parë dhe çfarë këshille i dha Pavli kongregacionit në Kolos?
TË KRISHTERËT e parë që jetonin në qytetet e botës romake gjendeshin vazhdimisht ballë për ballë me idhujtarinë, ndjekjen imorale të kënaqësive dhe me ritet e zakonet pagane. Ata që jetonin në Kolos, një qytet në Azinë e Vogël qendër-perëndimore, padyshim gjendeshin përballë kultit të perëndeshës nënë dhe spiritizmit të vendasve të Frigjisë, filozofisë pagane të kolonizatorëve grekë dhe judaizmit të kolonisë hebreje. Apostulli Pavël e këshilloi kongregacionin e krishterë ‘të vazhdonte të ecte me mençuri ndaj atyre që janë jashtë’.—Kolosianëve 4:5, NW.
2. Përse Dëshmitarët e sotëm të Jehovait duhet të ecin me mençuri ndaj atyre që janë jashtë?
2 Sot, Dëshmitarët e Jehovait gjenden përballë po atyre praktikave si dhe shumë të tjerave. Kështu, edhe ata duhet të ushtrojnë mençuri në lidhje me ata që janë jashtë kongregacionit të krishterë. Në institucionet fetare dhe politike dhe në mjetet e informacionit ata kanë shumë kundërshtarë. Disa prej këtyre përpiqen me sulme të hapura dhe shpesh me tinëzi, të përlyejnë reputacionin e Dëshmitarëve të Jehovait dhe të krijojnë paragjykime kundër tyre. Ashtu si të krishterët e parë që padrejtësisht ishin konsideruar një «sekt» fanatik bile dhe i rrezikshëm, edhe sot Dëshmitarët e Jehovait shpesh janë objekt paragjykimi dhe keqkuptimesh.—Veprat 24:14; 1. Pjetrit 4:4.
Si ta mundim paragjykimin
3, 4. (a) Përse bota nuk do t’i dojë kurrë të krishterët e vërtetë? (b) Çfarë tha një shkrimtare në lidhje me disa Dëshmitare të Jehovait të burgosura në një kamp përqëndrimi nazist?
3 Të krishterët e vërtetë nuk presin që t’i dojë bota, e cila, sipas apostullit Gjon «dergjet nën fuqinë e të ligut». (1. Gjonit 5:19) Megjithatë, Bibla inkurajon të krishterët që të përpiqen të bindin njerëzit që të rradhiten nga ana e Jehovait dhe e adhurimit të tij të pastër. Ne e bëjmë këtë duke dhënë dëshmi në mënyrë të drejtëpërdrejtë si dhe me sjelljen tonë të mirë. Apostulli Pjetër shkroi: «Të keni të-sjellatë t’uaj të-mira ndër mest të kombevet, që, tek u përflasënë juvë për keqbërës, kur të shohënë punëratë t’uaj të-mira, të lavduronjënë prej atyre Perëndinë ndë ditët të të-ardhurit.»—1. Pjetrit 2:12, BK.
4 Shkrimtarja Sylvia Salvesen, duke folur për disa Dëshmitare që ishin të burgosura me të në një kamp përqëndrimi nazist tha: «Käthe dhe Margarethe dhe shumë të tjera, më ndihmuan shumë, jo vetëm me besimin e tyre por edhe në mënyra praktike. Siguruan të parat lecka të pastra për plagët që kishim . . . Me pak fjalë gjendeshim mes personash që na donin shumë dhe që me veprat e tyre tregonin frymën e tyre miqësore.» (Forgive—But Do Not Forget) Çfarë dëshmie e shkëlqyer ndaj «atyre që janë jashtë»!
5, 6. (a) Çfarë po bën Krishti në këtë kohë dhe çfarë nuk duhet të harrojmë? (b) Si duhet të sillemi me personat e botës dhe përse?
5 Mund të bëjmë shumë për të mundur paragjykimet duke u sjellë me mençuri ndaj atyre që janë jashtë. Është e vërtetë se jetojmë në kohën kur Mbreti ynë mbretërues, Jezu Krishti, po ndan njerëzit e kombeve «ashtu si bariu ndan delet nga dhitë». (Mateu 25:32) Por, të mos harrojmë se Gjyqtari është Jezu Krishti; është ai që vendos se kush janë «delet» dhe kush janë «dhitë».—Gjoni 5:22.
6 Kjo duhet të ndikojë në sjelljen tonë ndaj atyre që nuk bëjnë pjesë në organizatën e Jehovait. Mund t’i konsiderojmë njerëz nga bota, por bëjnë pjesë në botën e njerëzimit që ‘Perëndia e deshi aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, me qëllim që kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetën e përhershme’. (Gjoni 3:16, NW) Është shumë më mirë t’i konsiderojmë njerëzit si dele të mundshme, sesa të vendosim me mendjemadhësi se janë dhi. Disa që një herë e një kohë ishin kundërshtarë të dhunshëm të së vërtetës janë tani Dëshmitarë të dedikuar. Dhe shumë prej këtyre, përpara se të merrnin ndonjë dëshmi të drejtëpërdrejtë, janë tërhequr nga veprat e dashamirësisë. Shiko për shembull fotografinë në faqen 26.
Të zellshëm, jo agresivë
7. Çfarë kritike ka bërë papa, por çfarë pyetje mund të bëjmë ne?
7 Papa Gjon Pali II i ka kritikuar sektet në përgjithësi dhe Dëshmitarët e Jehovait në veçanti, kur ka thënë: «Zelli pothuajse agresiv, me të cilin disa kërkojnë pasues të rinj, duke shkuar nga shtëpia në shtëpi apo duke ndaluar këmbësorët në cepat e rrugës, është një falsifikim sektar i vrullit apostolik dhe misionar». Mund të bëhet pyetja: Nëse zelli ynë është një «falsifikim i vrullit apostolik dhe misionar», ku gjendet zelli i vërtetë në lidhje me ungjillëzimin? Sigurisht jo në mes të katolikëve dhe as në mes të protestantëve dhe ortodoksëve.
8. Si duhet ta kryejmë dëshminë tonë nga shtëpia në shtëpi, me çfarë rezultatesh të dëshirueshme?
8 Megjithatë, për të përgënjeshtruar çdo akuzë mbi agresivitetin e dëshmisë sonë duhet të jemi gjithnjë të njerëzishëm, të respektueshëm dhe të edukuar kur i afrojmë njerëzit. Dishepulli Jakov shkroi: «Kush është ndër ju i-mënçim e i diturë? letë rrëfenjë prej të-sjellavet të-mira punërat’ e ti me butësirë urtësie.» (Jakovi 3:13, BK) Apostulli Pavël na nxit «të mos jemi luftarakë». (Titi 3:2) Për shembull, në vend se t’i dënojmë hapur besimet e një personi të cilit po i japim dëshmi, përse të mos tregojmë një interes të sinqertë për të dhe opinionin e tij? Pastaj mund t’i shpallim personit lajmin e mirë që përmban Bibla. Duke qenë pozitivë dhe duke treguar respektin e duhur për njerëzit me besim tjetër, ne mund t’i ndihmojmë ata që të na dëgjojnë me mendje më të hapur dhe ndoshta do të dallojnë vlerën e mesazhit të Biblës. Si rezultat disa mund të vijnë për të «lavdëruar Perëndinë».—1. Pjetrit 2:12.
9. Si mund t’i zbatojmë këshillat që dha Pavli në (a) Kolosianëve 4:5? (b) në Kolosianëve 4:6?
9 Apostulli Pavël këshilloi: «Vazhdoni të ecni me mençuri ndaj atyre që janë jashtë, duke blerë kohën e përshtatshme për vete.» (Kolosianëve 4:5, NW) Duke shpjeguar këtë shprehje të fundit komentatori biblik J. B. Lightfoot shkroi: «Duke mos lënë të ikë asnjë mundësi për të thënë dhe për të bërë atë që mund t’i japë shtysë çështjes së Perëndisë.» (Fjalët në kursiv janë tonat) Po, duhet të jemi gati për të përdorur fjalë dhe veprime të përshtatshme në kohën e duhur. Kjo mençuri përfshin, gjithashtu, zgjedhjen e një orari të përshtatshëm për të vizituar njerëzit. Nëse mesazhi ynë kundërshtohet, ndodh ndoshta sepse njerëzit nuk e përfillin apo ndodh sepse kemi trokitur në një orar të papërshtatshëm? Pavli gjithashtu shkroi: «Fjala juaj letë jetë përherë me hir, me kripë ndrequrë, që të dini qysh duhetë t’i përgjigjeni gjithë-sicilit.» (Kolosianëve 4:6, BK) Për këtë duhet të mendohemi mirë përpara dhe të ndiejmë dashuri të vërtetë për të afërmin. Le të paraqesim gjithmonë mesazhin e Perëndisë me hir.
Të respektueshëm dhe «të gatshëm për çdo vepër të mirë»
10. (a) Çfarë këshille u dha apostulli Pavël të krishterëve të Kretës? (b) Si e kanë ndjekur Dëshmitarët e Jehovait këshillën e Pavlit në mënyrë shembullore?
10 Ne nuk mund të bëjmë kompromis me parimet e Biblës. Nga ana tjetër, ne nuk kemi nevojë të bëjmë pyetje mbi gjëra që nuk përfshijnë integritetin e krishterë. Apostulli Pavël shkroi: «Përkujtoj [të krishterët e Kretës] se u duhet t’ i nënshtrohen pushtetit dhe autoritetit: t’ i dëgjojnë, të jenë të gatshëm për të kryer çdo vepër të mirë. Të mos fyejnë askënd, t’ u shmangen grindjeve, të lëshojnë pe, të tregojnë butësi të vazhdueshme kundrejt të gjithë njerëzve. (Titit 3:1, 2) Mbi këto vargje eruditi biblik E. F. Scott shkroi: «Të krishterët jo vetëm duhet t’i bindeshin autoritetit, por duhej të ishin të gatshëm për çdo vepër të mirë. Kjo . . . do të thotë se, në rast nevoje, të krishterët duhej të ishin ndër të parët që të përkujdeseshin për të mirën e përbashkët. Në çdo epokë do të kishte ndezje, epidemi, gjëma të çdo tipi, situata në të cilat të gjithë qytetarët e mirë do të ndjenin dëshirën për të ndihmuar të afërmin.» Në të gjithë botën kanë ndodhur shumë katastrofa në të cilat Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë ndër të parët që kanë dërguar ndihma. Nuk kanë ndihmuar vetëm vëllezërit e tyre, por edhe ata që janë jashtë.
11, 12. (a) Si duhet të vepronin të krishterët përballë autoriteteve? (b) Çfarë përfshin nënshtrimi ndaj autoriteteve kur kemi të bëjmë me ndërtimin e një Salle Mbretërie?
11 Po këto vargje të letrës së Pavlit drejtuar Titit nënvizojnë gjithashtu rëndësinë për të adoptuar një sjellje të respektueshme në lidhje me autoritetet. Në veçanti të rinjtë e krishterë që paraqiten para gjykatësve për asnjanësinë e tyre duhet të mbajnë parasysh nevojën për të ecur me mençuri ndaj atyre që janë jashtë. Me paraqitjen e tyre, me sjelljen e tyre dhe me mënyrën se si flasin me këto autoritete mund të bëjnë shumë për të përmirësuar apo dëmtuar reputacionin e popullit të Jehovait. Do të duhej «t’i japin nder atij që kërkon një nder të tillë» dhe ta bëjnë mbrojtjen e tyre me respekt të thellë.—Romakëve 13:1-7; 1. Pjetrit 2:17; 3:15.
12 «Autoritetet» përfshijnë funksionarët e zyrave lokale. Tani që ndërtohen gjithnjë e më shumë Salla Mbretërie, është e pashmangshme të mos kesh marrëdhënie me autoritetet lokale. Shpesh pleqtë hasin paragjykime. Por është parë se kur përfaqësuesit e kongregacionit ndërtojnë një marrëdhënie të mirë me autoritetet dhe bashkëpunojnë me zyrat teknike të komunales, këto paragjykime mund të mposhten. Shpesh u jepet një dëshmi e shkëlqyer personave që më parë dinin pak ose aspak për Dëshmitarët e Jehovait dhe për mesazhin e tyre.
«Nëse është e mundur, jini paqësorë me të gjithë»
13, 14. Çfarë këshille u dha Pavli të krishterëve të Romës dhe si mund ta aplikojmë në marrëdhëniet tona me ata që janë jashtë?
13 Pavli u dha të krishterëve që jetonin në Romën pagane këtë këshillë: «Askujt mos ia ktheni të keqen me të keqe! Kini kujdes të bëni mirë para të gjithë njerëzve! Nëse është e mundur—aq sa varet prej jush—jini në paqe me të gjithë njerëzit! Mos u hakmerrni, o të dashur, por lini vend të veprojë hidhërimi i Hyut, sepse është në Shkrim shenjt: ‘Mua më përket hakmarrja, unë do të hakmerrem’, thotë Zoti [Jehovai, NW]. Ti përkundrazi: ‘Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi të pijë! Po bëre kështu, gaca të ndezura do të grumbullosh mbi krye të tij!’ Mos lejo të mundë e keqja, por ngadhënje mbi të keqen me vepra të mira!—Romakëve 12:17-21.
14 Në marrëdhëniet tona me ata që janë jashtë, është e pashmangshme, që si të krishterë të vërtetë, të mos hasim me kundërshtarë. Në vargjet e mësipërme, Pavli shpjegon se sjellja e mençur është përpjekja për të mundur kundërshtimin me veprime të njerëzishme. Si qymyr i ndezur këto vepra dashamirësie mund ta shkrijnë armiqësinë dhe ta shtyjnë kundërshtarin të marrë një qëndrim më dashamirës ndaj popullit të Jehovait, ndoshta duke zgjuar edhe interesin e tij për lajmin e mirë. Kur kjo ndodh, kemi mundur të keqen me të mirë.
15. Kur është veçanërisht e rëndësishme që të krishterët të ecin me mençuri ndaj atyre që janë jashtë?
15 Të ecësh me mençuri ndaj atyre që janë jashtë është veçanërisht e rëndësishme në familjet ku njëri nga bashkëshortët nuk e ka pranuar akoma të vërtetën. Mbajtja e parimeve biblike i bën burrat më të mirë, gratë më të mira, baballarët më të mirë, nënat më të mira dhe fëmijët më të bindur dhe më shumë studiues në shkollë. Ai që nuk beson duhet të shohë ndikimin e dobishëm që parimet biblike kanë mbi besimtarin. Kështu disa mund «të fitohen pa nevojën e fjalës me anë të sjelljes» së familjarëve të dedikuar.—1. Pjetrit 3:1, 2.
«Të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve»
16, 17. (a) Nga cilat flijime kënaqet Perëndia? (b) Si mund «të bëjmë atë që është e mirë» ndaj vëllezërve tanë dhe ndaj atyre që janë jashtë?
16 E mira më e madhe që mund të bëjmë ndaj të afërmit është që t’i transmetojmë mesazhin e jetës dhe t’i mësojmë se mund të pajtohet me Jehovain nëpërmjet Jezu Krishtit. (Romakëve 5:8-11) Prandaj apostulli Pavël na thotë: «Me anë të tij [Krishtit] t’i kushtojmë vazhdimisht Hyut [Perëndisë, NW] fli lavdie, d.m.th. frytin e buzëve që dëshmojnë Emrin e tij.» (Hebrenjve 13:15) Pavli shton: «Gjithashtu, mos harroni të bëni mirë e të ndani me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me flijime të tilla.» (Hebrenjve 13:16, NW) Si shtesë në dëshminë tonë publike, nuk duhet të harrojmë «të bëjmë mirë». Kjo është pjesë e pandarë e flijimeve me të cilat Perëndia kënaqet.
17 Natyrisht i bëjmë të mira vëllezërve tanë frymorë, që mund të kenë nevojë në kuptimin emocional, frymor, fizik apo material. Pavli e tregoi këtë kur shkroi: «Përandaj gjersa kemi kohë, letë punojmë të-mirënë mbë të-gjithë, po më fort mb’ ata që janë ndë një besë me ne.» (Galatasve 6:10, BK; Jakovit 2:15, 16) Megjithatë, nuk duhet të harrojmë fjalët: «Të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve.» Një vepër dashamirësie ndaj një farefisi, të afërmi, një kolegu pune mund të bëjë shumë për të mundur paragjykimet që kanë ndaj nesh dhe për të hapur zemrën e personit ndaj së vërtetës.
18. (a) Çfarë rreziqesh duhet të shmangim? (b) Si mund ta përdorim mirësinë tonë të krishterë për të përforcuar veprën tonë të dëshmisë publike?
18 Për të bërë këtë nuk ka nevojë të bëhemi miq të ngushtë me ata që janë jashtë. Këto shoqëri janë potencialisht të dëmshme. (1. Korintasve 15:33) Dhe nuk mendojmë të bëhemi miq të botës. (Jakovit 4:4) Por mund ta përforcojmë predikimin tonë, duke përdorur mirësinë e krishterë. Në disa vende bëhet gjithnjë e më e vështirë të flasësh me njerëzit në shtëpinë e tyre. Disa banesa janë të pajisura me mekanizma që pengojnë takimin e atyre që banojnë. Në shumë vende mund të kryhet dëshmia rrugore. Por, në të gjitha vendet, mirësjellja, njerzillëku, dashamirësia dhe një frymë e gatshme për të ndihmuar na japin mundësi për të mundur paragjykimet dhe për të dhënë një dëshmi të shkëlqyer.
Si t’i bëjmë kundërshtarët të heshtin
19. (a) Meqë nuk mendojmë t’i pëlqejmë njerëzve, çfarë mund të presim? (b) Si mund të ndjekim shembullin e Danielit dhe të zbatojmë këshillën e Pjetrit?
19 Dëshmitarët e Jehovait nuk mendojnë as t’u pëlqejnë njerëzve dhe as të frikësohen. (Proverbat 29:25; Efesianëve 6:6) E kuptojnë plotësisht se, krahas të gjitha përpjekjeve të tyre për të qenë kontribues shembullorë dhe qytetarë të mirë, kundërshtarët do të përhapin gënjeshtra të hapura dhe do të flasin me mospërfillje ndaj tyre. (1. Pjetrit 3:16) Duke ditur këtë, përpiqen të imitojnë Danielin, për të cilin armiqtë thanë: «Nuk do të gjejmë kurrë ndonjë pretekst kundër Danielit veç se po ta gjejmë kundër tij në vet ligjin e Perëndisë të tij.» (Danieli 6:5, Dio) Nuk do të pranojmë kurrë të shkelim parimet biblike që të na pëlqejnë njerëzit. Nga ana tjetër, ne nuk synojmë të bëhemi martirë. Përpiqemi të jetojmë në paqe dhe të ndjekim këshillën e apostujve: «Sepse ky është vullneti i Hyut [Perëndisë]: që t’ ia mbyllni gojën padijes së njerëzve të pamendë.»—1. Pjetrit 2:15.
20. (a) Për ç’gjë jemi të bindur dhe çfarë inkurajimi na dha Jezui? (b) Si mund të vazhdojmë të ecim me mençuri ndaj atyre që janë jashtë?
20 Jemi të bindur se pozicioni ynë i ndarë nga bota është në harmoni të plotë me Biblën. Është mbështetur nga historia e të krishterëve të shekullit të parë. Ne jemi të inkurajuar nga fjalët e Jezuit: «Në botë keni mjerim, por bëni kurajo! Unë e kam mundur botën.» (Gjoni 16:33, NW) Nuk kemi frikë. «Në të vërtetë, kush do t’ju bëjë keq nëse bëheni të zellshëm në të mirë? Por edhe nëse vuani për dashuri të drejtësisë, lum ju. Megjithatë, objekti i frikës së tyre mos t’ju frikësojë dhe as trazojë. Por shenjtëroni Krishtin si Zotëri në zemrat tuaja, gjithmonë të gatshëm për të bërë një mbrojtje para kujtdo që ju kërkon arsye për shpresën tuaj, por me butësi dhe respekt të thellë.» (1. Pjetrit 3:13-15, NW) Duke vepruar në këtë mënyrë, do të vazhdojmë të ecim me mençuri ndaj atyre që janë jashtë.
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse Dëshmitarët e Jehovait duhet të ecin me mençuri ndaj atyre që janë jashtë?
◻ Përse të krishterët e vërtetë nuk shpresojnë kurrë që bota t’i dojë, por çfarë duhet të përpiqen të bëjnë?
◻ Si duhet të sillemi me personat e botës dhe përse?
◻ Përse duhet «të bëjmë atë që është e mirë» jo vetëm ndaj vëllezërve tanë, por edhe ndaj atyre që janë jashtë?
◻ Si mund të ndihmojë në dëshminë publike ecja me mençuri ndaj atyre që janë jashtë?
[Figura në faqen 27]
Majtas: Të Krishterë të vërtetë në Francë, duke ndihmuar fqinjët e tyre pas një përmbytjeje
[Figura në faqen 28]
Veprat e dashamirësisë së krishterë mund të bëjnë shumë për të mundur paragjykimin
[Figura në faqen 31]
Të krishterët duhet «të jenë të gatshëm për çdo vepër të mirë»