Mësoji vetes dhe të tjerëve moralin e krishterë
«Ti, pra, që mëson një tjetër, nuk mëson veten tënde?»—ROMAKËVE 2:21.
1, 2. Çfarë arsyesh ke që të dëshirosh të studiosh Biblën?
ARSYET që ke për ta studiuar Fjalën e Perëndisë janë të shumta. Ndoshta dëshiron të dish fakte që përmban ajo për njerëz, ngjarje, vende dhe gjëra të tjera. Dëshiron të dish të vërtetën doktrinale, e cila kundërshton gabimet fetare, siç janë Triniteti ose zjarri i ferrit. (Gjoni 8:32) Duhet të dëshirosh edhe të njohësh më mirë Jehovain, kështu që mund të jesh më shumë si ai dhe të ecësh para tij në mënyrë të ndershme.—1 Mbretërve 15:4, 5.
2 Ka një arsye tjetër domethënëse për ta studiuar Fjalën e Perëndisë. Ky studim të pajis për të mësuar të tjerët: njerëzit e afërt, të njohurit e madje edhe ata që ndoshta ende nuk i njeh. Kjo vepër është një detyrim për të krishterët e vërtetë. Jezui u tha dishepujve të tij: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, . . . duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»—Mateu 28:19, 20.
3, 4. Përse është një gjë e nderuar që të mësosh të tjerët siç urdhëroi Jezui?
3 Ta studiosh Biblën me dëshirën për të mësuar të tjerët është një gjë e nderuar dhe mund të jetë burimi i një kënaqësie të vazhdueshme. Mësimdhënia ka qenë prej kohësh një profesion i nderuar. Një enciklopedi, Encarta Encyclopedia, shpjegon: «Ndër judenjtë, shumë të rritur i quanin mësuesit si udhërrëfyesit drejt shpëtimit dhe i nxitnin fëmijët që t’i nderonin mësuesit edhe më shumë se prindërit.» Për të krishterët është veçanërisht një punë e nderuar që të mësojnë veten duke studiuar Biblën, dhe pastaj të mësojnë të tjerët.
4 «Më shumë njerëz merren me profesionin e mësimdhënies, sesa me çdo profesion tjetër. Rreth 48 milionë burra e gra në gjithë botën janë mësues.» (The World Book Encyclopedia) Në botë, mësuesve u lihen në besim mendjet e të rinjve dhe mund të ndikojnë tek ata për vitet që do të vijnë. Kur i bindesh urdhrit të Jezuit për të mësuar të tjerët, efekti është edhe më i madh, pasi mund të ndikosh tek ata për gjithë përjetësinë. Apostulli Pavël e theksoi këtë kur nxiti Timoteun: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Ngulmo në këto gjëra, sepse duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.» (1 Timoteut 4:16) Po, mësimdhënia jote ka të bëjë me shpëtimin.
5. Përse mësimdhënia e krishterë është e llojit më të lartë?
5 Të mësosh veten dhe pastaj të tjerët është një detyrë e autorizuar dhe e drejtuar nga Burimi më i lartë i mësimit, nga Sovrani i universit. Mjafton kjo për ta bërë këtë fushë mësimdhënieje më të lartë se çdo lloj mësimdhënieje në botë, qoftë kjo për mësimin e lëndëve fillestare, për mjeshtëri të zanatit ose edhe për specializime në mjekësi. Mësimdhënia e krishterë përfshin që studenti të mësojë personalisht të imitojë Birin e Perëndisë, Krishtin Jezu dhe të mësojë të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë.—Gjoni 15:10.
Përse të mësosh veten?
6, 7. (a) Përse duhet që në fillim të mësojmë veten? (b) Në cilin kuptim judenjtë e shekullit të parë kishin dështuar si mësues?
6 Përse thuhet që së pari duhet të mësojmë veten? Puna është se nuk mund t’i mësojmë siç duhet të tjerët, po qe se nuk kemi mësuar më parë veten. Pavli e theksoi këtë fakt në një pjesë të shkruar që të vë në mendime. Kjo pjesë e shkruar kishte kuptim për judenjtë në atë kohë, por ka një mesazh të rëndësishëm edhe për të krishterët e sotëm. Pavli pyeti: «Ti, pra, që mëson një tjetër, nuk mëson veten tënde? Ti, që predikon ‘mos vidh’, vjedh për vete? Ti, që thua ‘mos kryej kurorëshkelje’, kryen kurorëshkelje për vete? Ti, që shpreh një urrejtje të thellë për idhujt, plaçkit tempujt për vete? Ti, që ndihesh krenar në ligj, e çnderon për vete Perëndinë, me anë të shkeljeve të tua të Ligjit?»—Romakëve 2:21-23.
7 Duke përdorur pyetje retorike, Pavli citoi dy mëkate që i përmendnin drejtpërdrejt Dhjetë Urdhërimet: mos vidh dhe mos kryej kurorëshkelje. (Eksodi [Dalja] 20:14, 15) Në ditët e Pavlit, disa judenj ishin krenarë se kishin Ligjin e Perëndisë. Ata ‘ishin mësuar gojarisht nga Ligji dhe ishin bindur se ishin udhërrëfyesit e të verbërve, dritë për ata në errësirë, mësues të fëmijëve’. (Romakëve 2:17-20) Megjithatë, disa prej tyre ishin hipokritë, sepse në fshehtësi kryenin vjedhje ose kurorëshkelje. Kjo çnderonte edhe Ligjin, edhe Autorin e tij në qiell. E kupton edhe ti vetë që ata s’ishin fare të kualifikuar për të mësuar të tjerët, pasi në të vërtetë nuk po mësonin as veten e tyre.
8. Si mund të ishin duke ‘plaçkitur tempujt’ disa judenj në kohën e Pavlit?
8 Pavli përmendi plaçkitjen e tempujve. A e bënin në kuptimin e mirëfilltë disa judenj këtë? Çfarë kishte ndër mend Pavli? Të themi të drejtën, duke pasur parasysh të dhënat e kufizuara në këtë pjesë, nuk mund të jemi të sigurt se si i ‘plaçkitnin tempujt’ disa judenj. Më parë, sekretari i qytetit të Efesit kishte thënë se shokët e Pavlit nuk ishin «plaçkitës tempujsh» dhe kjo tregon që të paktën disa njerëz mendonin se judenjtë ishin fajtorë për një gjë të tillë. (Veprat 19:29-37) Mos ndoshta judenjtë përdornin vetë ose bënin tregti me sende të çmuara që vinin nga tempuj paganë të plaçkitur nga ushtarët ose nga fanatikët fetarë? Sipas Ligjit të Perëndisë, ari dhe argjendi i idhujve duhej shkatërruar e nuk duhej marrë për përdorim personal. (Ligji i përtërirë 7:25)a Prandaj Pavli mund ta ketë pasur fjalën për judenjtë që shpërfillnin urdhrin e Perëndisë dhe përdornin ose nxirrnin përfitime nga sende që vinin prej tempujve paganë.
9. Cilat praktika të gabuara në lidhje me tempullin në Jerusalem mund të kenë qenë njësoj si të plaçkitje tempullin?
9 Nga ana tjetër, Jozefi tregoi për një skandal që kishin bërë katër judenj në Romë, udhëheqësi i të cilëve ishte një mësues i Ligjit. Ata të katër e kishin bindur një grua romake, që ishte bërë prozelite judeje, t’u jepte atyre ar dhe sende të tjera me vlerë si kontribut për tempullin në Jerusalem. Pasi ia kishin marrë asaj, i kishin përdorur për vete pasuritë. Kjo ishte njëfarësoj si të plaçkitje tempullin.b Të tjerë po e plaçkitnin në njëfarë kuptimi tempullin e Perëndisë, sepse sillnin flijime me të meta dhe bënin tregti lakmitare në oborret e tij, duke e kthyer kështu tempullin në një «shpellë kusarësh».—Mateu 21:12, 13; Malakia 1:12-14; 3:8, 9.
Mësoji të tjerëve moralin e krishterë
10. Te Romakëve 2:21-23, cili është thelbi i fjalëve të Pavlit që nuk duhet ta humbasim?
10 Cilatdo qofshin praktikat e shekullit të parë për të cilat po fliste Pavli—që kishin të bënin me vjedhjen, kurorëshkeljen ose me plaçkitjen e tempujve—nuk duhet të humbasim thelbin e komenteve të tij. Ai pyeti: «Ti, pra, që mëson një tjetër, nuk mëson veten tënde?» Vlen të përmendet se shembujt që bëri Pavli kishin të bënin me moralin. Në këtë fragment apostulli nuk u përqendrua në doktrinat ose në historinë biblike. Ajo së cilës iu referua Pavli, pra, mësimit të vetes dhe të të tjerëve, kishte të bënte me moralin e krishterë.
11. Përse duhet t’i kushtosh vëmendje moralit të krishterë kur studion Fjalën e Perëndisë?
11 Për ne, të zbatojmë mësimin që gjejmë te Romakëve 2:21-23 do të thotë që ta mësojmë moralin e krishterë nga Fjala e Perëndisë, të veprojmë në harmoni me atë që mësojmë dhe më pas të mësojmë të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë. Prandaj, kur studion Biblën, ji syçelë për të kapur tregues të normave të Jehovait, nga të cilat vjen morali i vërtetë i krishterë. Medito për këshillat e për mësimet që gjen në Bibël. Pastaj, me guxim zbato atë që mëson. Kjo kërkon vërtet guxim bashkë me vendosmëri. Është e lehtë që njerëzit e papërsosur të nxjerrin justifikime, arsye përse një situatë e lejon ose edhe e kërkon që ata të shpërfillin moralin e krishterë në një rast të veçantë. Ndoshta judenjtë që përmendi Pavli kishin përvojë në arsyetime të tilla tinëzare, që kishin si qëllim të justifikonin ose të mashtronin të tjerët. Mirëpo, fjalët e Pavlit tregojnë se morali i krishterë nuk duhet minimizuar a shpërfillur sipas dëshirës së personit.
12. Në ç’mënyrë sjellja e mirë ose e keqe ndikon në emrin e Perëndisë Jehova dhe përse është e dobishme ta mbajmë në mendje këtë?
12 Apostulli theksoi një arsye kryesore përse duhet ta mësojmë e pastaj ta zbatojmë moralin që gjejmë në Bibël. Sjellja e keqe e judenjve ndikonte për keq në emrin e Jehovait: «Ti, që ndihesh krenar në ligj, e çnderon për vete Perëndinë, me anë të shkeljeve të tua të Ligjit? Sepse ‘për shkakun tuaj, emri i Perëndisë po blasfemohet mes kombeve’.» (Romakëve 2:23, 24) Edhe tani situata është njësoj: po ta shpërfillim moralin e krishterë, çnderojmë Burimin e tij. Në të kundërt, nëse kapemi fort pas normave të Perëndisë, kjo ndikon për mirë në emrin e tij dhe e nderon. (Isaia 52:5; Ezekieli 36:20) Fakti që je i vetëdijshëm për këtë mund të ta forcojë vendosmërinë, nëse has tundime ose situata ku shpërfillja e moralit të krishterë mund të duket mënyra më e lehtë a më e volitshme për të vepruar. Për më tepër, fjalët e Pavlit na tregojnë edhe diçka tjetër. Përveçse të jesh ti vetë i vetëdijshëm se sjellja jote ndikon në emrin e Perëndisë, kur mëson të tjerët, ndihmoji të kuptojnë që mënyra se si i zbatojnë normat morale që po mësojnë do të ndikojë në emrin e Jehovait. Nuk është puna vetëm që morali i krishterë sjell kënaqësi dhe mbron shëndetin. Ai ndikon edhe në emrin e atij që e vendosi këtë moral dhe që nxit zbatimin e tij.—Psalmi 74:10; Jakovit 3:17.
13. (a) Si na ndihmon Bibla për sa i përket moralit? (b) Përmblidh këshillën e dhënë te 1 Selanikasve 4:3-7.
13 Morali ndikon edhe te njerëzit e tjerë. Këtë mund ta shohim nga disa shembuj në Fjalën e Perëndisë që ilustrojnë vlerën e zbatimit të normave morale të Perëndisë dhe pasojat e shpërfilljes së tyre. (Zanafilla 39:1-9, 21; Jozueu [Josiu] 7:1-25) Gjithashtu, mund të gjejmë këshilla shumë të qarta për moralin, si: «Vullneti i Perëndisë është ky: të shenjtëroheni, të përmbaheni nga kurvëria; që secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder, jo në uri seksuale epshore, si ajo që kanë kombet që nuk e njohin Perëndinë; që askush të mos arrijë deri në atë pikë sa të dëmtojë dhe të cenojë të drejtat e vëllait të tij në këtë çështje, . . . sepse Perëndia na thirri jo për të lejuar ndyrësinë, por në shenjtëri.»—1 Selanikasve 4:3-7.
14. Çfarë pyetjesh mund t’i bësh vetes lidhur me këshillën e 1 Selanikasve 4:3-7?
14 Nga ky fragment, pothuajse kushdo mund ta kuptojë se imoraliteti seksual shkel moralin e krishterë. Mirëpo, mund të shkosh më thellë sesa vetëm ajo që kuptohet menjëherë. Disa shkrime të lejojnë të bësh mjaft studim e meditim, duke fituar gjykim të thellë. Për shembull, mund të meditosh se çfarë kishte ndër mend Pavli kur tha që kurvëria mund ta bëjë një person «të arrijë deri në atë pikë sa të dëmtojë dhe të cenojë të drejtat e vëllait të tij në këtë çështje». Çfarë të drejtash përfshihen dhe në ç’mënyrë kuptueshmëria më e mirë për këtë do të të japë një nxitje të mëtejshme për të mbajtur moralin e krishterë? Si mund të të pajisin më tej përfundimet e këtij kërkimi që të mësosh të tjerët dhe t’i ndihmosh të nderojnë Perëndinë?
Studio me qëllim që të mësosh të tjerët
15. Çfarë mjetesh mund të përdorësh për të mësuar veten gjatë studimit personal?
15 Dëshmitarët e Jehovait kanë disa mjete që i përdorin për të bërë kërkime rreth pyetjeve ose çështjeve që mund të lindin kur studiojnë për të mësuar veten ose të tjerët. Një mjet që është në dispozicion në shumë gjuhë është Treguesi i botimeve Watch Tower. Nëse e ke, mund ta përdorësh për të gjetur të dhëna në botimet biblike të Dëshmitarëve të Jehovait. Mund të kërkosh duke u nisur nga tema ose nga renditja sipas shkrimeve biblike. Një mjet tjetër që kanë në dispozicion Dëshmitarët e Jehovait në shumë gjuhë kryesore është Biblioteka Watchtower. Ky program kompjuteri në kompakt-disk (CD-ROM) ka një përmbledhje të madhe botimesh, në formë elektronike. Mënyra se si është programuar të jep mundësi të kërkosh temat dhe pjesët ku janë shpjeguar shkrimet. Nëse ke në dispozicion ndonjërin nga këto mjete ose të dyja, përdori rregullisht kur studion Fjalën e Perëndisë për të mësuar të tjerët.
16, 17. (a) Ku mund të gjesh komente sqaruese për të drejtat e përmendura te 1 Selanikasve 4:6? (b) Në cilat mënyra kurvëria mund të cenojë të drejtat e të tjerëve?
16 Le të marrim shembullin e cituar më sipër, shkrimin e 1 Selanikasve 4:3-7. Pyetja që na lindi kishte të bënte me të drejtat. Të drejtat e kujt? Si mund të cenohen këto të drejta? Me anë të mjeteve të studimit që u përmendën më sipër, mund të gjesh me siguri disa komente shpjeguese për këto vargje, madje edhe për të drejtat që përmendi Pavli. Këto komente mund t’i lexosh në librin Gjykim i thellë për Shkrimet, Vëllimi 1, faqet 863-864, anglisht; në librin Paqe dhe siguri e vërtetë: Si mund t’i gjeni?, faqja 145, anglisht; në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 1989, faqja 31, anglisht.
17 Në vazhdim të studimit, do të shohësh që këto botime tregojnë se sa të vërteta janë fjalët e Pavlit. Një person që kryen kurvëri mëkaton kundër Perëndisë dhe e vë veten përballë rrezikut të sëmundjeve. (1 Korintasve 6:18, 19; Hebrenjve 13:4) Një burrë që kryen kurvëri cenon disa të drejta të gruas me të cilën kryen këtë mëkat. I heq asaj qëndrimin e pastër moral dhe ndërgjegjen e mirë. Nëse ajo është beqare, i cenon të drejtën për të hyrë në martesë si e virgjër dhe cenon të drejtën e bashkëshortit të saj të ardhshëm që ajo të jetë e tillë. Dëmton prindërit e asaj gruaje dhe të shoqin, nëse ajo është e martuar. Burri imoral cenon të drejtën e vetë familjes së tij për një jetë të pastër nga ana morale. Nëse është pjesëtar i një kongregacioni të krishterë, sjell çnderim mbi të, duke i dëmtuar emrin e mirë.—1 Korintasve 5:1.
18. Si nxjerr dobi nga studimi biblik lidhur me moralin e krishterë?
18 A nuk të ndihmojnë këto komente lidhur me të drejtat që ky varg të shpaloset përpara teje? Një studim i këtij lloji ka patjetër shumë vlerë. Kur bën një studim të tillë, po mëson veten. Të rritet kuptueshmëria për vërtetësinë dhe për ndikimin që ka mesazhi i Perëndisë. Të forcohet vendosmëria për të zbatuar moralin e krishterë pavarësisht nga tundimi që mund të vijë. Mendo se sa më i efektshëm mund të jesh si mësues! Për shembull, kur u mëson të tjerëve të vërtetën biblike, mund t’i ndihmosh të kuptojnë mirë 1 Selanikasve 4:3-7, duke u rritur kuptueshmërinë dhe çmueshmërinë për moralin e krishterë. Në këtë mënyrë studimi mund të të ndihmojë ty dhe shumë të tjerë që të nderoni Perëndinë. Por këtu kemi përmendur vetëm një shembull, të marrë nga letra e Pavlit drejtuar selanikasve. Ka edhe shumë veçori të tjera të moralit të krishterë, si edhe shumë shembuj biblikë e këshilla përkatëse, që mund t’i studiosh, t’i zbatosh e t’ua mësosh të tjerëve.
19. Përse është thelbësore që të zbatosh moralin e krishterë?
19 Nuk mund të ketë asnjë dyshim me bazë për mençurinë e zbatimit të moralit të krishterë. Te Jakovit 3:17 thuhet se «mençuria nga lart», nga vetë Perëndia Jehova, është «para së gjithash e dëlirë». Kjo nënkupton qartësisht ndjekjen e normave morale të Perëndisë. Në të vërtetë, Jehovai kërkon që ata që e përfaqësojnë duke u mësuar të tjerëve Biblën të jenë vetë shembuj të mirë «në dëlirësi». (1 Timoteut 4:12) Mënyra se si jetonin dishepuj të tillë të hershëm, si Pavli dhe Timoteu e nxjerr në pah këtë. Ata qëndruan larg imoralitetit, e madje Pavli shkroi: «Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju, ashtu siç u ka hije të shenjtëve; as sjellja e turpshme, as e folura pa mend, as shaka të ndyra.»—Efesianëve 5:3, 4.
20, 21. Përse je i një mendjeje me atë që shkroi apostulli Gjon te 1 Gjonit 5:3?
20 Normat morale të paraqitura në Fjalën e Perëndisë janë të qarta e specifike, por nuk janë një barrë shtypëse. Kjo ishte e qartë për Gjonin, i cili jetoi më gjatë se gjithë apostujt. Në bazë të asaj që kishte vërejtur gjatë dhjetëvjeçarëve të jetës së tij, ai e dinte se morali i krishterë nuk ishte i dëmshëm. Përkundrazi, ishte i mirë, i dobishëm dhe një bekim. Gjoni e theksoi këtë duke shkruar: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe megjithatë urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»—1 Gjonit 5:3.
21 Gjoni e paraqiti bindjen ndaj Perëndisë duke zbatuar moralin e krishterë si udhën më të mirë. Por kjo jo vetëm sepse na shpëton nga problemet, domethënë nga pasojat e këqija të të vepruarit ndryshe. Ai shprehu pikëpamjen e duhur, duke pranuar së pari se bindja është një shprehje e dashurisë sonë për Perëndinë Jehova, një mundësi e çmuar për të shfaqur dashurinë që kemi për të. Vërtet, të mësosh veten ose të tjerët që të duan Perëndinë kërkon që të pranosh e të zbatosh normat e tij të larta. Po, do të thotë t’i mësosh vetes dhe të tjerëve moralin e krishterë.
[Shënimet]
a Edhe pse thoshte që judenjtë nuk bënin sakrilegje, domethënë dhunime të gjërave të shenjta, Jozefi e riformuloi ligjin e Perëndisë në këtë mënyrë: «Askush të mos blasfemojë perënditë që adhurojnë qytetet e tjera, as të mos plaçkitë tempujt e huaj, as të mos marrë thesarin që është dedikuar në emër të ndonjë perëndie.» (Kursivi është yni.)—Jewish Antiquities, Libri 4, kapitulli 8, paragrafi 10.
b Jewish Antiquities, Libri 18, kapitulli 3, paragrafi 5.
A ju kujtohet?
• Përse duhet të studiojmë që të mësojmë veten, para se të mësojmë të tjerët?
• Si mund të ndikojë sjellja jonë në emrin e Jehovait?
• Cilat të drejta mund të cenojë një person që kryen kurvëri?
• Cila është vendosmëria jote për sa i përket moralit të krishterë?
[Figura në faqen 22]
«Urdhërimet e tij nuk janë të rënda»