«Jini mikpritës me njëri-tjetrin»
FEBA, një e krishterë e shekullit të parë, kishte një problem. Ajo po udhëtonte nga Kenkrea e Greqisë, për në Romë, por nuk i njihte bashkëbesimtarët e atij qyteti. (Romakëve 16:1, 2) «Bota romake [e atyre ditëve] ishte e keqe dhe mizore,—thotë një përkthyes i Biblës, Edgar Gudspidi,—dhe, me sa duket, hanet famëkeqe nuk ishin vend i përshtatshëm për një grua të ndershme, e aq më pak për një të krishterë.» Po ku të strehohej Feba?
Në kohët biblike, njerëzit udhëtonin shumë. Jezu Krishti dhe dishepujt e tij udhëtonin për të predikuar lajmin e mirë në mbarë Judenë dhe Galilenë. Pa kaluar shumë kohë, misionarët e krishterë, siç ishte Pavli, po e përhapnin mesazhin në vende të ndryshme të pellgut të Mesdheut, përfshirë edhe Romën, kryeqytetin e Perandorisë Romake. Po ku strehoheshin të krishterët e shekullit të parë kur udhëtonin si brenda, ashtu edhe jashtë territorit të Judës? Çfarë vështirësish hasnin në gjetjen e strehimit? Çfarë mund të mësojmë prej tyre në lidhje me mikpritjen?
«Sot duhet të rri në shtëpinë tënde»
Mikpritja përkufizohet si «pritja e miqve me bujari e përzemërsi» dhe prej kohësh ka qenë karakteristikë e adhuruesve të vërtetë të Jehovait. Për shembull, Abrahami, Loti dhe Rebeka ishin mikpritës. (Zanafilla 18:1-8; 19:1-3; 24:17-20) Duke treguar qëndrimin e tij kundrejt të panjohurve, Jobi tha: «Asnjë i huaj nuk e kalonte natën jashtë, sepse i hapja portat e mia udhëtarit.»—Jobi 31:31.
Që udhëtarët izraelitë të mikpriteshin nga bashkëkombësit e tyre, shpesh mjaftonte që të uleshin te sheshi i qytetit dhe të prisnin që t’i ftonin. (Gjyqtarët 19:15-21) I zoti i shtëpisë zakonisht u lante këmbët mysafirëve e u jepte për të ngrënë e për të pirë, si udhëtarit, ashtu edhe kafshëve me të cilat udhëtonin. (Zanafilla 18:4, 5; 19:2; 24:32, 33) Udhëtarët që nuk donin t’i bëheshin barrë të zotit të shtëpisë i merrnin me vete gjërat e nevojshme, bukë e verë për vete dhe për kafshën kashtë dhe ushqim. Këta kërkonin vetëm një vend ku të kalonin natën.
Në Bibël rrallëherë tregohet se si ia bënte Jezui për t’u strehuar gjatë udhëtimeve të predikimit, por, ai bashkë me dishepujt e tij diku duhej ta kalonin natën. (Luka 9:58) Kur ishte në Jeriko, Jezui i tha Zakeut: «Sot duhet të rri në shtëpinë tënde.» Zakeu e priti mysafirin e tij «me gëzim». (Luka 19:5, 6) Shpesh Jezui ishte mysafir te miqtë e tij Marta, Maria dhe Lazari në Betani. (Luka 10:38; Gjoni 11:1, 5, 18) Kurse në Kapernaum, me sa duket, Jezui qëndroi te Simon Pjetri.—Mark 1:21, 29-35.
Udhëzimet që u dha Jezui 12 apostujve për predikimin tregojnë shumë se çfarë lloj pritjeje mund t’u bënin në Izrael. Jezui u tha: «Mos merrni as ar, as argjend, as bakër për qeset tuaja, as trasta buke për udhën, as dy rroba të brendshme, as sandale, as shkop; sepse punëtori e meriton ushqimin e tij. Në çfarëdo qyteti ose fshati që të hyni, kërkoni atje atë që e meriton dhe qëndroni atje derisa të ikni.» (Mateu 10:9-11) Ai e dinte se ata që kishin prirjen e duhur të zemrës do t’i mikpritnin dishepujt e tij, duke u siguruar ushqimin, strehimin dhe gjëra të tjera të nevojshme.
Megjithatë do të vinte koha kur ungjillëzuesit që do të udhëtonin do t’i plotësonin vetë nevojat që kishin dhe do t’i mbulonin vetë shpenzimet e tyre. Duke pasur parasysh armiqësinë që do të ekzistonte kundrejt ithtarëve të tij, si edhe zgjerimin e veprës së predikimit në territore jashtë Izraelit, Jezui tha: «Ai që ka një qese, le ta marrë, po ashtu edhe një trastë buke.» (Luka 22:36) Udhëtimi dhe strehimi do të ishin të domosdoshëm për përhapjen e lajmit të mirë.
«Ndiqni udhën e mikpritjes»
Paqja relative, si edhe një rrjet i mirë rrugësh të shtruara në të gjithë Perandorinë Romake, bënë të mundur që njerëzit në shekullin e parë të udhëtonin shpesh.a Për shkak të udhëtarëve të shumtë, rritej edhe kërkesa për strehim. Kjo kërkesë plotësohej nga hanet që ndodheshin përgjatë rrugëve kryesore që ishin një ditë udhëtim larg njëri-tjetrit. Megjithatë libri me titull Libri i Veprave në botën greko-romake (anglisht) thotë: «Ajo që shkruhet në libra për kushtet e këtyre haneve paraqet një tablo të zymtë. Dokumentacionet dhe burimet arkeologjike që ekzistojnë, dëshmojnë se këto hane ishin në një gjendje të mjerë, pastërtia mungonte, mobilje nuk kishte pothuajse fare, krevatet ishin plot tartabiqe, ushqimi dhe uji linin për të dëshiruar, pronarët dhe ata që punonin në hane ishin të pabesë, klientët që vinin nuk kishin reputacion të mirë dhe në përgjithësi ishin të shthurur.» Kuptohet që një udhëtar me vlera të larta morale, nëse gjente ndonjë mundësi tjetër, nuk shkonte në këto hane.
Prandaj nuk është e habitshme që Shkrimet shpesh i nxitin të krishterët të jenë mikpritës. Pavli i nxiti të krishterët në Romë: «Ndani me të shenjtët sipas nevojave të tyre. Ndiqni udhën e mikpritjes.» (Romakëve 12:13) Të krishterëve judenj u kujtoi: «Mos harroni mikpritjen, sepse nëpërmjet saj disa, pa e ditur, pritën engjëj.» (Hebrenjve 13:2) Pjetri i inkurajoi bashkadhuruesit të ishin «mikpritës me njëri-tjetrin, pa u qarë».—1 Pjetrit 4:9.
Por, kishte raste kur nuk ishte e përshtatshme të tregoheshin mikpritës. Duke iu referuar atij «që shkon më tej dhe nuk qëndron në mësimin e Krishtit», apostulli Gjon tha: «Mos e pranoni kurrë në shtëpinë tuaj dhe as mos i drejtoni një përshëndetje. Sepse ai që i drejton një përshëndetje është pjesëmarrës në veprat e tij të liga.» (2 Gjonit 9-11) Në lidhje me mëkatarët e papenduar, Pavli shkroi: «Të mos përziheni më në shoqëri me këdo që quhet vëlla, i cili është kurvar, lakmitar, idhujtar, sharës, pijanec ose zhvatës, madje as të mos hani me një njeri të tillë.»—1 Korintasve 5:11.
Me siguri që mashtruesit dhe disa të tjerë duhet të jenë përpjekur të përfitonin nga natyra e butë e të krishterëve të vërtetë. Një dokument jo biblik i shekullit të dytë të erës sonë, me emrin Didache ose Mësimi i 12 apostujve, këshillonte që një predikues udhëtues ta mikpritnin për ‘një ditë ose, nëse ishte e nevojshme, për dy ditë’. Pastaj, kur të largohej ‘t’i jepej vetëm bukë me vete . . . Nëse kërkonte para, atëherë ishte profet i rremë’. Dokumenti vazhdonte: «Nëse do të qëndrojë në shtëpinë tënde dhe ka një zanat, le ta nxjerrë vetë bukën e gojës. Por, nëse nuk ka zanat, kujdesu për të aq sa ta gjykosh ti të drejtë, në mënyrë që në mesin tuaj askush të mos jetojë në kurriz të tjetrit sepse është i krishterë. Nëse nuk dëshiron të punojë, atëherë po përfiton nga emri i Krishtit; kini kujdes nga këta.»
Apostulli Pavël tregonte kujdes që të mos bëhej barrë për të zotët e shtëpisë, kur qëndronte për një kohë të gjatë në qytete të ndryshme. Për të mbajtur veten, ai punonte si bërës tendash. (Veprat 18:1-3; 2 Selanikasve 3:7-12) Për t’i ndihmuar bashkëbesimtarët që udhëtonin, me sa duket të krishterët e hershëm dërgonin letra rekomandimi për ata që e meritonin, ashtu si letra e Pavlit për Febën. Ai shkroi: «Ju rekomandoj Febën, motrën tonë . . . që ta pritni mirë në Zotërinë . . . dhe ta ndihmoni në çdo çështje që të ketë nevojë për ju.»—Romakëve 16:1, 2.
Bekimet që vijnë kur je mikpritës
Misionarët e krishterë të shekullit të parë kishin besim se Jehovai do të kujdesej për gjithë nevojat e tyre. Por, a mund të mbështeteshin edhe te mikpritja e bashkëbesimtarëve? Lidia i hapi dyert e shtëpisë së saj për Pavlin dhe të tjerët. Në Korint, apostulli qëndroi me Akuilën dhe Prishilën. Një gardian burgu në Filipi i shtroi tryezën Pavlit dhe Silës. Pavli u mirëprit nga Jasoni në Selanik, nga Filipi në Cezare dhe nga Mnasoni kur ishte rrugës nga Cezarea për në Jerusalem. Rrugës për në Romë, Pavlin e mikpritën disa vëllezër në Puteoli. Sa shumë duhet të kenë përfituar nga ana frymore këta vëllezër që i hapën derën Pavlit!—Veprat 16:33, 34; 17:7; 18:1-3; 21:8, 16; 28:13, 14.
Studiuesi Frederik F. Brus vëren: «Këta miq dhe bashkëpunëtorë, të zotët dhe të zonjat e shtëpisë, e ndihmonin, sepse motivoheshin nga dashuria për Pavlin dhe për Zotërinë, të cilit ai po i shërbente. Ata e dinin se duke i shërbyer Pavlit, i shërbenin Zotërisë.» Ky është një motiv i mrekullueshëm për të qenë mikpritës.
Por, edhe në ditët e sotme mikpritja është e nevojshme. Mijëra përfaqësues udhëtues të Dëshmitarëve të Jehovait mikpriten nga bashkëbesimtarët. Disa lajmëtarë të Mbretërisë udhëtojnë me shpenzimet e tyre për të predikuar në vendet ku lajmi i mirë predikohet rrallë. Shumë bekime mund të vijnë, nëse u hapim dyert e shtëpive tona, sado të thjeshta qofshin. Mikpritja e ngrohtë, qoftë edhe me një drekë ose darkë të thjeshtë, krijon mundësi shumë të mira për «një shkëmbim inkurajimi» dhe për të treguar dashurinë për vëllezërit tanë dhe për Perëndinë. (Romakëve 1:11, 12) Këto raste janë raste gëzimi sidomos për të zotët e shtëpisë, pasi «ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh».—Veprat 20:35.
[Shënimi]
a Është llogaritur se aty nga viti 100 i e.s., në Perandorinë Romake ekzistonin 80.000 kilometra rrugë të shtruara.
[Figura në faqen 23]
Të krishterët ‘ndjekin udhën e mikpritjes’