Gjetja e çelësit të dashurisë së përzemërt vëllazërore
«Shtojini . . . devotshmërisë së shenjtë dashurinë e përzemërt vëllazërore.»—2. PJETRIT 1:5-7, BR.
1. Cila është një nga arsyet kryesore që mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait janë raste shumë të lumtura?
NJË herë, një fizikan që nuk ishte Dëshmitar i Jehovait, mori pjesë në cerimoninë e diplomimit të së bijës në Shkollën e Galaadit, ku ajo ishte aftësuar si misionare. Atij i bëri aq përshtypje ajo turmë e lumtur, saqë mendoi se midis atyre njerëzve duhej të kishte shumë pak sëmundje. Por, çfarë e bënte aq të lumtur atë turmë? Dhe në përgjithësi, çfarë i bën mbledhjet e shërbëtorëve të Jehovait, në kongregacion, asamble qarkore dhe kongrese krahinore, raste të lumtura? Pa dyshim, dashuria e përzemërt vëllazërore është një nga arsyet për të cilat është thënë se asnjë grup tjetër fetar nuk nxjerr më shumë gëzim, lumturi dhe kënaqësi nga feja, sesa Dëshmitarët e Jehovait.
2, 3. Cilat janë dy fjalët greke që kanë të bëjnë me ndjenjat që duhet të kemi për njëri-tjetrin dhe cilat janë karakteristikat e tyre dalluese?
2 Dhe duhet të presim një dashuri të tillë të përzemërt vëllazërore, duke u nisur nga fjalët e apostullit Pjetër në 1. Pjetrit 1:22: «Tani që i keni pastruar shpirtrat tuaj me anë të bindjes suaj ndaj së vërtetës me një dashuri të përzemërt vëllazërore pa hipokrizi si rezultat, duajeni fort njëri-tjetrin nga zemra.» Një nga elemetët themelorë të fjalës greke që këtu është përkthyer «dashuri e përzemërt vëllazërore», është phi·li’a (dashuri e përzemërt). Domethënia e saj është e lidhur ngushtë me fjalën a·ga’pe, që zakonisht është përkthyer «dashuri». (1. Gjonit 4:8) Edhe pse fjalët dashuri e përzemërt dhe dashuri janë përdorur shpesh në mënyrë të alternuar, ato kanë karakteristika të veçanta. Nuk duhet t’i ngatërrojmë me njëra-tjetrën, siç bëjnë shumë përkthyes të Biblës. (Në këtë artikull dhe në vijuesin, ne do të shqyrtojmë secilën nga këto fjalë.)
3 Në lidhje me ndryshimin midis këtyre dy fjalëve greke, një studiues ka vërejtur se phi·li’a është «pa asnjë dyshim një fjalë ngrohtësie, afërsie dhe dashurie të përzemërt». Nga ana tjetër, a·ga’pe ka të bëjë më tepër me mendjen. Prandaj, edhe pse na është thënë që të duam (a·ga’pe) armiqtë tanë, ne nuk kemi dashuri të përzemërt për ta. Dhe përse jo? Sepse «shoqëritë e këqija prishin zakone të dobishme». (1. Korintasve 15:33, BR) Një tregues i mëtejshëm i ndryshimit midis tyre, janë edhe fjalët e apostullit Pjetër: «Shtojini . . . dashurisë së përzemërt vëllazërore, dashurinë.»—2. Pjetrit 1:5-7; krahaso Gjoni 21:15-17.a
Shembuj të një dashurie të përzemërt vëllazërore vërtet të veçantë
4. Përse Jezui dhe Gjoni kishin një dashuri të përzemërt të veçantë për njëri-tjetrin?
4 Fjala e Perëndisë na jep disa shembuj të shkëlqyer të një dashurie të përzemërt vëllazërore vërtet të veçantë. Kjo dashuri e përzemërt vëllazërore e veçantë nuk është rezultat i ndonjë trilli, por bazohet mbi vlerësimin e cilësive që spikatin. Pa dyshim, shembulli që njohim më mirë është dashuria e përzemërt që kishte Jezu Krishti për apostullin Gjon. Nuk diskutohet që Jezui kishte dashuri të përzemërt për të gjithë apostujt e tij besnikë dhe kjo kishte arsyet e veta të mira. (Luka 22:28) Një mënyrë në të cilën ai e tregoi këtë, ishte duke u larë atyre këmbët, duke u dhënë kështu një mësim përulësie. (Gjoni 13:3-16) Por Jezui kishte një dashuri të përzemërt të veçantë për Gjonin, gjë që Gjoni e përmend vazhdimisht. (Gjoni 13:23; 19:26; 20:2) Ashtu siç kishte Jezui arsye për të shfaqur dashuri të përzemërt për dishepujt dhe apostujt e tij, ka të ngjarë që edhe Gjoni t’i ketë dhënë Jezuit arsye që ky të kishte një dashuri të përzemërt të veçantë për të, për shkak të vlerësimit të tij të thellë për Jezuin. Këtë mund ta shohim prej shkrimeve të Gjonit, si në ungjillin e tij, ashtu edhe në letrat e tij të frymëzuara. Sa shpesh që e përmend ai dashurinë në këto shkrime! Vlerësimi më i madh i Gjonit për cilësitë frymore të Jezuit shihet nga ajo çka shkroi në kapitujt 1, 13 dhe 17 të Gjonit, si dhe nga referimet e shumta që ai i bëri ekzistencës paranjerëzore të Jezuit.—Gjoni 1:1-3; 3:13; 6:38, 42, 58; 17:5; 18:37.
5. Çfarë mund të themi për dashurinë e përzemërt të veçantë që ekzistonte ndërmjet Pavlit dhe Timoteut?
5 Po kështu, nuk duhet të nënvlerësojmë dashurinë e veçantë të përzemërt vëllazërore që apostulli Pavël dhe shoku i tij i krishterë Timoteu kishin për njëri-tjetrin, dashuri që sigurisht bazohej në vlerësimin e cilësive të njëri-tjetrit. Shkrimet e Pavlit përmbajnë komente të shkëlqyera për Timoteun, si për shembull: «Nuk kam asnjë njeri aq besnik sa ai dhe që kujdeset aq shumë për punët tuaja. . . . Ju e dini vetë se si doli mirë Timoteu. Ai u mundua bashkë me mua për lajmin e mirë si biri që ndihmon të atin.» (Filipianëve 2:20-22, ECM) Të shumta janë edhe referimet personale në letrat drejtuar Timoteut, që zbulojnë dashurinë e përzemërt dhe të ngrohtë të Pavlit për Timoteun. Vërej, për shembull, 1. Timoteut 6:20: «I dashuri Timote, ruaji pa shtrembërim të vërtetat e fesë që t’u besuan.» (ECM; shiko edhe 1. Timoteut 4:12-16; 5:23; 2. Timoteut 1:5; 3:14, 15.) Veçanërisht, një krahasim i letrave të Pavlit drejtuar Timoteut me ato drejtuar Titit, zbulon dashurinë e përzemërt të veçantë të Pavlit për këtë djalosh. Në të njëjtën mënyrë mund të jetë ndier edhe Timoteu për miqësinë e tyre, siç mund të vërehet nga fjalët e Pavlit në 2. Timoteut 1:3, 4: «Mendoj vazhdimisht me mirënjohje për ty në lutjet e mia. Më kujtohen lotët e ndarjes dhe kam mall të të shoh përsëri.» (ECM)
6, 7. Çfarë ndjenjash kishin Davidi dhe Xhonatani për njëri-tjetrin dhe përse?
6 Edhe Shkrimet Hebreje na japin shembuj të shkëlqyer, si ai i Davidit me Xhonatanin. Lexojmë se pasi Davidi kishte vrarë Goliadin, «shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit, dhe Jonathani e deshi si shpirtin e vet». (1. Samuelit 18:1) Pa dyshim, vlerësimi për zellin që shfaqi Davidi për emrin e Jehovait dhe për trimërinë e tij kur shkoi të luftonte me gjigantin Goliad, shkaktoi te Xhonatani një dashuri të përzemërt me të vërtetë të veçantë për Davidin.
7 Xhonatani kishte një dashuri të tillë të përzemërt për Davidin, sa rrezikoi jetën e tij për ta mbrojtur atë nga mbreti Saul. Asnjëherë Xhonatani nuk u fye për shkak se Jehovai kishte zgjedhur Davidin si mbret të ardhshëm të Izraelit. (1. Samuelit 23:17) Edhe Davidi kishte një dashuri të përzemërt dhe të thellë për Xhonatanin dhe kjo është e dukshme nga fjalët e tij kur vajtoi vdekjen e Xhonatanit: «Unë jam në ankth për ty, o vëllai im Jonatan; ti ishe shumë i dashur për mua, dashuria jote për mua ishte më e mrekullueshme se dashuria e grave.» Është e vërtetë, lidhjen e tyre e karakterizonte një vlerësim i madh reciprok.—2. Samuelit 1:26.
8. Cilat ishin dy gratë që treguan një dashuri të përzemërt të veçantë për njëra-tjetrën dhe përse?
8 Në Shkrimet Hebreje, kemi edhe një shembull të shkëlqyer të një dashurie të përzemërt të veçantë nga ana e dy grave, Naomit dhe të resë së saj vejushë, Ruthës. Sill ndër mend fjalët që Rutha i tha Naomit: «Mos ngul këmbë me mua që unë të të braktis dhe të mos të të ndjek më, sepse kudo të shkosh ti do të shkoj edhe unë, dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im.» (Rutha 1:16) A nuk duhet të përfundojmë se Naomi, me sjelljen e saj dhe duke i folur për Jehovain, ka ndihmuar që tek Rutha të lindë kjo përgjigje vlerësuese?—Krahaso Luka 6:40.
Shembulli i apostullit Pavël
9. Çfarë tregon se Pavli ishte shembull i dashurisë së përzemërt vëllazërore?
9 Siç kemi parë, apostulli Pavël kishte një dashuri të përzemërt vëllazërore krejt të veçantë për Timoteun. Por ai la, gjithashtu, një shembull të mrekullueshëm në shfaqjen e dashurisë së përzemërt vëllazërore dhe të ngrohtë për vëllezërit në përgjithësi. Ai u tha pleqve nga Efesi «se për tri vjet, pa pushuar as natë as ditë, me lotë për faqe, jam munduar të mësoj secilin prej jush». Dashuri e përzemërt dhe e ngrohtë vëllazërore? Pa asnjë dyshim! Edhe ata kishin të njëjtat ndjenja për Pavlin. Kur dëgjuan se nuk do ta shihnin më, «të gjithë ia plasën vajit, e morën ngrykë dhe e puthën». Dashuri e përzemërt vëllazërore e bazuar në çmueshmërinë? Po! Dashuria e tij e përzemërt vëllazërore është e dukshme edhe nga fjalët e tij në 2. Korintasve 6:11-13: «Korintas të dashur, unë flas hapur. Zemra ime është plotësisht e hapur për ju. Nuk është e vërtetë që nuk keni asnjë vend në të. Ju qëndroni përjashta, vetëm sepse u përjashtuat vetë. Po flas me ju njëlloj si me fëmijët e mi. Më dilni përpara siç ju dola unë! M’i hapni zemrat tuaja!»—ECM.
10. Cila mungesë e dashurisë së përzemërt vëllazërore e shtyu Pavlin që të fliste mbi provat e tij në 2. Korintasve, kapitulli 11?
10 Është e qartë, shumë korintasve u mungonte dashuria e çmueshme e përzemërt vëllazërore për apostullin Pavël. Prandaj, disa prej tyre ankoheshin: «Letrat e tij janë të rëndësishme dhe të fuqishme, por prania e tij personale është e dobët dhe të folurit e tij i përbuzshëm.» (2. Korintasve 10:10, BR) Prandaj edhe Pavli përmendi «apostujt [e tyre] të stërholluar» dhe u nxit për të folur mbi provat që kishte duruar, siç shkruhet edhe në 2. Korintasve 11:5, 22-23.
11. Cila dëshmi ekziston në lidhje me dashurinë e përzemërt të Pavlit për të krishterët në Selanik?
11 Dashuria e përzemërt dhe e ngrohtë e Pavlit për ata të cilëve u shërbente, duket veçanërisht nga fjalët e tij në 1. Selanikasve 2:8: «Duke pasur një dashuri të përzemërt dhe të dhembshur për ju, ishim shumë të kënaqur për t’ju dhënë jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtrat tanë, pasi u bëtë të dashur për ne.» (BR) Në fakt, ai kishte një dashuri të tillë të përzemërt për ata vëllezër të rinj, saqë kur nuk duroi dot më—aq i etur ishte për të ditur se si po e përballonin ata persekutimin—dërgoi Timoteun dhe raporti i mirë që ky solli e ngushëlloi shumë Pavlin. (1. Selanikasve 3:1, 2, 6, 7) Sa me vend është vërejtja që bën Insight on the Scriptures: «Midis Pavlit dhe atyre që ai u shërbente, ekzistonte një lidhje e ngushtë e dashurisë së përzemërt vëllazërore.»
Vlerësimi—Çelësi i dashurisë së përzemërt vëllazërore
12. Për cilat arsye duhet të tregojmë dashurinë tonë të përzemërt dhe të ngrohtë për vëllezërit tanë?
12 Pa dyshim, çelësi i dashurisë së përzemërt vëllazërore është vlerësimi. A nuk kanë të gjithë shërbëtorët e dedikuar të Jehovait cilësi që ne i vlerësojmë, cilësi që gjejnë dashurinë tonë të përzemërt, për shkak të të cilave ne i duam ata? Të gjithë ne po kërkojmë së pari Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij. Të gjithë ne jemi duke luftuar me trimëri kundër tre armiqve tanë të përbashkët: Satanait dhe demonëve të tij, botës së ligë nën kontrollin e Satanait dhe prirjeve egoiste të trashëguara të trupit të rënë. A nuk duhet të nisemi gjithmonë nga mendimi se vëllezërit tanë po bëjnë ç’të mundin në varësi të rrethanave? Të gjithë në botë rreshtohen ose në anën e Jehovait, ose në anën e Satanait. Vëllezërit dhe motrat tona të dedikuara janë në anën e Jehovait, po, në anën tonë, prandaj meritojnë dashurinë tonë të përzemërt vëllazërore.
13. Përse duhet të kemi dashuri të përzemërt dhe të ngrohtë për pleqtë e kongregacionit?
13 Ç’mund të themi për vlerësimin që u bëjmë pleqve tanë të kongregacionit? A nuk duhet të kemi për ta një vend të ngrohtë në zemrat tona, duke parë se sa shumë punojnë ata për interesat e kongregacionit? Si të gjithë ne, ata duhet të kujdesen për veten dhe familjet e tyre. Ashtu si edhe ne, ata kanë po ato detyrime për të kryer studimin personal, për të ndjekur mbledhjet e kongregacionit dhe për të marrë pjesë në shërbimin në fushë. Veç këtyre, ata duhet të përgatisin pjesët e programit për mbledhjet, të japin fjalime publike dhe të kujdesen për problemet që dalin në kongregacion, të cilat herë pas here përfshijnë dëgjimin e rasteve gjyqësore që zgjasin me orë të tëra. Vërtet, duhet që «njerëz të tillë të vazhdojmë t’i kemi të dashur».—Filipianëve 2:29, BR.
Ta shprehim dashurinë e përzemërt vëllazërore
14. Cilat shkrime na urdhërojnë që të tregojmë dashuri të përzemërt vëllazërore?
14 Që t’i pëlqejmë Jehovait, duhet ta shprehim ndjenjën e ngrohtë të dashurisë së përzemërt vëllazërore për bashkëbesimtarët tanë, ashtu siç bënë edhe Jezui me Pavlin. Lexojmë: «Me [dashuri të përzemërt vëllazërore] kini dashuri të përzemërt dhe të dhembshur për njëri-tjetrin.» (Romakëve 12:10, Kingdom Interlinear [Int, anglisht]) «Sa për [dashurinë e përzemërt vëllazërore], nuk keni nevojë që t’ju shkruajmë ne, sepse ju vetë jeni mësuar prej Perëndisë që të doni njëri-tjetrin.» (1. Selanikasve 4:9, Int) «Le të vazhdojë [dashuria juaj e përzemërt vëllazërore].» (Hebrenjve 13:1, Int) Sigurisht që Ati ynë qiellor kënaqet kur ne tregojmë dashuri të përzemërt vëllazërore për fëmijët e tij tokësorë!
15. Cilat janë disa mënyra për të shprehur dashurinë e përzemërt vëllazërore?
15 Në kohët e apostujve, ishte e zakonshme që të krishterët të përshëndeteshin me «një puthje të shenjtë» apo me «një puthje dashurie». (Romakëve 16:16; 1. Pjetrit 5:14) Një shprehje e vërtetë e dashurisë së përzemërt vëllazërore! Sot, në pjesën më të madhe të tokës, një shprehje më e përshtatshme do të ishte një buzëqeshje e sinqertë miqësore dhe një shtrëngim i fortë i duarve. Në vendet e Amerikës Latine, si Meksika, përshëndetja bëhet në formën e një përqafimi, një shprehje e vërtetë e dashurisë së përzemërt vëllazërore. Kjo dashuri e përzemërt dhe e ngrohtë e këtyre vëllezërve mund të shpjegojë pjesërisht rritjen e madhe që po ndodh në vendet e tyre.
16. Çfarë rastesh kemi për të treguar dashurinë tonë të përzemërt vëllazërore në Sallën tonë të Mbretërisë?
16 Kur hyjmë në Sallën e Mbretërisë, a bëjmë çdo gjë për të shprehur dashurinë tonë të përzemërt vëllazërore? Kjo do të bëjë që të themi fjalë inkurajuese, veçanërisht për ata që duken të dëshpëruar. Na është thënë që «të flasim në mënyrë ngushëlluese me shpirtrat e dëshpëruar». (1. Selanikasve 5:14, BR) Kjo është sigurisht një rrugë në të cilën ne mund të shprehim ngrohtësinë e dashurisë së përzemërt vëllazërore. Një tjetër mënyrë e shkëlqyer është që të shprehim vlerësim për një fjalim të mirë publik, për një pjesë të programit të kryer mirë, për përpjekjet e mira që mund të ketë bërë një student në Shkollën e Shërbimit Teokratik, etj.
17. Në ç’mënyrë e fitoi një plak dashurinë e përzemërt të kongregacionit?
17 Përse të mos ftojmë vëllezër të ndryshëm në shtëpitë tona për një drekë apo për një vakt pas mbledhjes, nëse nuk është shumë vonë? A nuk duhet të udhëhiqemi nga këshilla e Jezuit në Lukën 14:12-14? Një herë, një ish-misionar u caktua si mbikëqyrës drejtues në një kongregacion ku të tjerët ishin të një race tjetër. Ai e ndjeu mungesën e dashurisë së përzemërt vëllazërore, prandaj iu fut punës për të ndrequr gjendjen. Në ç’mënyrë? Çdo të diel, ai ftonte një familje të ndryshme për drekë. Në fund të vitit, të gjithë tregonin dashuri të përzemërt dhe të ngrohtë vëllazërore për të.
18. Si mund ta tregojmë dashurinë tonë të përzemërt vëllazërore për vëllezërit dhe motrat tona të sëmura?
18 Kur një vëlla apo një motër është e sëmurë, në shtëpi a në spital, dashuria e përzemërt vëllazërore do të na shtyjë që t’i bëjmë të ditur se kujdesemi për të. Ose ç’mund të themi për ata që ndodhen nëpër azile? Përse të mos u bëjmë një vizitë personalisht, një thirrje telefonike apo t’u dërgojmë një letër ku të shprehim ndjenja të ngrohta?
19, 20. Si mund të tregojmë se dashuria jonë e përzemërt vëllazërore është zgjeruar?
19 Kur japim shprehje të tilla të dashurisë së përzemërt vëllazërore, mund të pyesim veten: «A është e pjesshme dashuria ime e përzemërt vëllazërore? A ndikojnë faktorë të tillë si ngjyra e lëkurës, edukimi apo pasuritë materiale në shfaqjen time të dashurisë së përzemërt vëllazërore? A duhet ta zgjeroj dashurinë e përzemërt vëllazërore, siç i nxiti apostulli Pavël të krishterët në Korint?» Dashuria e përzemërt vëllazërore do të bëjë që ne t’i shohim vëllezërit tanë pozitivisht, duke i vlerësuar për pikëpamjet e tyre të mira. Dashuria e përzemërt vëllazërore do të na ndihmojë edhe që të gëzohemi për përparimin e vëllezërve tanë, në vend se t’i kemi zili.
20 Dashuria e përzemërt vëllazërore duhet të na bëjë, gjithashtu, të gatshëm për të ndihmuar vëllezërit tanë në shërbim. Duhet të jetë ashtu siç thotë njëra nga këngët tona (ajo me numër 92):
«Të dobtit ne duhet të ndihmojmë,
që me guxim fjalën t’prezantojnë.
Edhe të rinjtë të mos i harrojmë,
që të forcohen dhe pa frikë t’qëndrojnë.»
21. Çfarë rezultati mund të presim nëse tregojmë dashuri të përzemërt vëllazërore?
21 Pra, le të mos harrojmë se në shprehjen e dashurisë së përzemërt vëllazërore, zbatohet parimi i dhënë nga Jezui në Predikimin e tij në Mal: «Jepni e do t’ ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ ju jepet nën sjetull tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ ju matet edhe juve në kthim.» (Luka 6:38) Edhe ne vetë përfitojmë kur tregojmë dashuri të përzemërt vëllazërore, duke shprehur nderim për ata që janë shërbëtorë të Jehovait, ashtu si edhe ne. Vërtet, të lumtur janë ata që kënaqen duke treguar dashuri të përzemërt vëllazërore!
[Shënimi]
a Shiko artikullin vijues: «Dashuria (Agape): çfarë nuk është dhe çfarë është ajo.»
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cilat janë fjalët greke që kanë të bëjnë me ndjenjat tona dhe si dallohen ato?
◻ Cili është çelësi i dashurisë së përzemërt vëllazërore?
◻ Çfarë shembujsh biblikë kemi për dashurinë e përzemërt vëllazërore të veçantë?
◻ Përse duhet të kemi dashuri të përzemërt dhe të ngrohtë për vëllezërit tanë dhe për pleqtë e kongregacionit?
[Figura në faqen 15]
Apostulli Pjetër i nxiti vëllezërit e tij që t’i shtonin dashurinë e përzemërt besimit të tyre dhe cilësive të tjera të krishtere