KAPITULLI TREMBËDHJETË
Sikur martesa të jetë në buzë të thyerjes
1, 2. Kur një martesë gjendet nën stres, cila pyetje duhet shtruar?
NË VITIN 1988, një grua italiane me emrin Luçia, ishte shumë e dëshpëruar.a Pas dhjetë vjetësh, martesa e saj po merrte fund. U përpoq shumë herë të pajtohej me të shoqin, por s’doli gjë. Kështu, u nda për shkak të mospërputhshmërisë dhe i duhej të rriste e vetme dy vajzat e saj. Duke sjellë ndër mend atë kohë, Luçia kujton: «Isha e sigurt se asgjë s’mund ta shpëtonte martesën tonë.»
2 Nëse edhe ti ke probleme martesore, mbase mund ta kuptosh se si ndihej Luçia. Martesa jote mund të ketë telashe dhe ndoshta po pyet veten nëse mund të shpëtohet ende. Nëse është kështu, do të ishte e dobishme të shqyrtoje këtë pyetje: A i kam ndjekur të gjitha këshillat e mira që Perëndia ka dhënë në Bibël, për të ndihmuar në suksesin e një martese?—Psalmi 119:105.
3. Edhe pse divorci është i përhapur, çfarë reagimi është raportuar ndërmjet personave të divorcuar dhe familjeve të tyre?
3 Kur ndërmjet burrit dhe gruas rritet tensioni, mund të duket sikur prishja e martesës është rruga më e lehtë për t’u ndjekur. Por, ndërsa shumë vende kanë provuar një rritje tronditëse të familjeve të ndara, studimet e fundit tregojnë se një përqindje e madhe e burrave dhe grave të divorcuara, janë penduar për thyerjen e martesës. Disa prej tyre vuajnë nga problemet e shëndetit, si fizik ashtu edhe mendor, më shumë se ata që qëndrojnë të martuar. Pështjellimi dhe mungesa e lumturisë tek fëmijët e të divorcuarve, shpesh zgjat me vite. Vuajnë, gjithashtu, edhe prindërit dhe miqtë e familjeve të ndara. Ç’të themi pastaj për mënyrën se si e shikon çështjen Perëndia, Nismëtari i martesës?
4. Si duhen trajtuar problemet në një martesë?
4 Siç kemi vërejtur edhe në kapitujt e mëparshëm, Perëndia kishte si qëllim që martesa të ishte një lidhje jetëgjatë. (Zanafilla 2:24) Përse, atëherë, thyhen kaq shumë martesa? Një gjë e tillë s’mund të ndodhë krejt papritur. Zakonisht, ekzistojnë disa shenja paralajmëruese. Problemet e vogla në një martesë mund të rriten gjithnjë e më shumë, derisa të duken të pakapërcyeshme. Por, nëse këto probleme trajtohen me shpejtësi me ndihmën e Biblës, shumë thyerje martesore mund të shmangen.
JI REALIST
5. Cila situatë reale duhet përballuar në çdo martesë?
5 Një element që disa herë çon në probleme, janë kërkesat jorealiste që mund të ketë njëri apo të dy partnerët e martesës. Historitë e dashurisë, revistat e njohura, programet televizive dhe filmat, mund të nxisin shpresa dhe ëndrra, të cilat janë shumë larg nga jeta reale. Kur këto ëndrra nuk realizohen, një person mund të ndihet i mashtruar, i pakënaqur, madje i zemëruar. Megjithatë, si mund të gjejnë lumturi në martesë dy njerëz të papërsosur? Duhen përpjekje për të arritur një marrëdhënie të suksesshme.
6. (a) Çfarë pamje të ekuilibruar të martesës jep Bibla? (b) Cilat janë disa arsye për mosmarrëveshje në martesë?
6 Bibla është praktike. Ajo i pranon gëzimet e martesës, por paralajmëron edhe se ata që martohen «do të kenë shtrëngim në mish». (1. Korintasve 7:28) Siç është përmendur më lart, të dy partnerët janë të papërsosur dhe janë të prirur për të mëkatuar. Formimi mendor dhe emocional, si edhe rritja e secilit partner, është e ndryshme. Disa herë, çiftet nuk janë dakort në lidhje me paratë, fëmijët dhe me njerëzit e njërit apo tjetrit. Koha e pamjaftueshme për t’i bërë gjërat së bashku dhe problemet seksuale, mund të jenë po ashtu burime konflikti.b Duhet kohë për t’u dhënë drejtim këtyre gjërave, por merr zemër! Shumica e çifteve të martuara janë të afta të përballojnë probleme të tilla dhe arrijnë së bashku zgjidhje të pranueshme.
DISKUTONI PËR NDRYSHIMET
7, 8. Nëse ndërmjet partnerëve të martesës ka ndjenja të plagosura apo keqkuptime, cila është mënyra biblike e trajtimit të tyre?
7 Shumë veta e kanë të vështirë të ruajnë qetësinë, kur flasin për ndjenjat e plagosura, për keqkuptimet apo për gabimet personale. Në vend se të thotë hapur që është keqkuptuar, një bashkëshort mund të preket e ta stërmadhojë problemin. Shumëkush mund të thoshte: «Ti vetëm për veten kujdesesh.» Ose: «Ti nuk më do.» Duke mos dashur të përfshihet në grindje, bashkëshorti tjetër mund të mos pranojë të përgjigjet.
8 Një rrugë më e mirë për t’u ndjekur, do të ishte dëgjimi i këshillës së Biblës: «Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj.» (Efesianëve 4:26) Një çifti që kishte pasur një martesë të lumtur, në përvjetorin e 60-të të dasmës, iu kërkua sekreti i suksesit të tyre në martesë. Burri tha: «Kemi mësuar të mos shkojmë në shtrat pa zgjidhur keqkuptimet, pavarësisht se sa të vogla mund të kenë qenë.»
9. (a) Çfarë është cilësuar në Bibël, si një pjesë jetësore e komunikimit? (b) Çfarë duhet të bëjnë shpesh bashkëshortët, edhe pse për këtë duhet kurajë dhe përulësi?
9 Kur burri dhe gruaja nuk bien dakort, secili ka nevojë «të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim». (Jakovit 1:19) Pasi të kenë dëgjuar me kujdes, të dy partnerët mund të shohin nevojën për të kërkuar falje. (Jakovit 5:16) Duhet përulësi dhe kurajë, për të thënë sinqerisht: «Më fal që të lëndova.» Por trajtimi i dallimeve në këtë mënyrë, do të jetë shumë frytdhënës dhe do ta ndihmojë çiftin jo vetëm në zgjidhjen e problemeve të tyre, por edhe që të zhvillojë një ngrohtësi dhe intimitet, gjë që do t’i bëjë ata të gjejnë më shumë kënaqësi në shoqërinë e njëri-tjetrit.
KRYERJA E DETYRËS MARTESORE
10. Cila mbrojtje që Pavli u rekomandoi të krishterëve korintas, mund të zbatohet për një të krishterë sot?
10 Kur u shkroi korintasve, apostulli Pavël rekomandoi martesën «për shkak të kurvërimit». (1. Korintasve 7:2) Sot, bota është po aq e keqe, në mos më shumë, si edhe Korinti i lashtë. Bisedat imorale që njerëzit e botës i bëjnë sheshit, mungesa e modestisë në mënyrën e veshjes dhe tregimet ndjesore që shfaqen nëpër revista, libra, televizion dhe filma, të gjitha ndërthuren për të nxitur urinë e paligjshme seksuale. Korintasve që jetonin në një mjedis të ngjashëm, apostulli Pavël u tha: «Është më mirë të martohesh, se të digjesh.»—1. Korintasve 7:9.
11, 12. (a) Për çfarë i detyrohen burri dhe gruaja njëri-tjetrit dhe me çfarë fryme duhet kryer ajo? (b) Si duhet përballuar situata, nëse detyra martesore duhet ndërprerë përkohësisht?
11 Prandaj, Bibla i urdhëron të krishterët e martuar: «Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.» (1. Korintasve 7:3) Duhet vënë re se theksi është vënë mbi dhënien, jo mbi marrjen. Intimiteti fizik në martesë sjell kënaqësi të vërtetë, vetëm nëse secili partner merakoset për të mirën e tjetrit. Për shembull, Bibla i urdhëron burrat që të sillen me gratë e tyre «sipas njohurisë». (1. Pjetrit 3:7, BR) Kjo është veçanërisht e vërtetë në dhënien dhe marrjen e detyrës martesore. Nëse gruaja nuk trajtohet me butësi, ajo mund ta ketë të vështirë të gëzohet në këtë aspekt të martesës.
12 Ka raste kur bashkëshortët mund të kenë nevojë që të mos e kryejnë detyrën martesore ndaj njëri-tjetrit. Kjo mund të ndodhë me gruan në disa periudha të muajit apo kur ajo ndihet shumë e lodhur. (Krahaso Levitikun 18:19.) Mund të ndodhë edhe me burrin, kur ky po has një problem serioz në punë dhe ndihet i rënë emocionalisht. Raste të tilla të ndërprerjes së detyrës martesore, përballohen më mirë, nëse të dy partnerët flasin hapur mbi situatën dhe ‘duke u marrë vesh’. (1. Korintasve 7:5) Kjo s’do të lejojë që dikush nga partnerët të arrijë në përfundime të gabuara. Por, nëse gruaja, me qëllim nuk e lejon burrin apo nëse burri me qëllim nuk kryen detyrën martesore në një mënyrë të dashur, atëherë partneri mund të jetë i prekshëm nga tundimi. Në një situatë të tillë, në martesë mund të lindin problemet.
13. Si mund të veprojnë të krishterët, për t’i mbajtur të pastra mendimet e tyre?
13 Si të gjithë të krishterët, shërbëtorët e martuar të Perëndisë duhet të shmangin pornografinë, e cila mund të krijojë dëshira të papastra dhe të panatyrshme. (Kolosianëve 3:5) Gjithashtu, ata duhet të kenë kujdes me mendimet dhe veprimet tyre, kur kanë të bëjnë me të gjithë pjesëtarët e seksit të kundërt. Jezui paralajmëroi: «Kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.» (Mateu 5:28) Duke zbatuar këshillat e Biblës në lidhje me seksin, çiftet do të mund të shmangin rënien në tundim dhe kryerjen e tradhtisë bashkëshortore. Ata mund të vazhdojnë ta gëzojnë me kënaqësi intimitetin, në një martesë ku seksi konsiderohet si një dhuratë e çmuar nga Nismëtari i martesës, Jehovai.—Proverbat 5:15-19.
BAZA BIBLIKE PËR DIVORCIN
14. Cila situatë e trishtueshme krijohet ndonjëherë? Përse?
14 Lumturisht, në shumicën e martesave të krishtere, çdo problem që lind mund të trajtohet. Megjithatë, disa herë nuk ndodh kështu. Pasi njerëzit janë të papërsosur dhe jetojnë në një botë mëkatare, që dergjet nën kontrollin e Satanait, disa martesa shkojnë deri në buzë të thyerjes. (1. Gjonit 5:19) Si t’ia bëjnë të krishterët në një situatë të tillë të vështirë?
15. (a) Cila është e vetmja bazë e Shkrimeve për divorc, me mundësinë e martesës së sërishme? (b) Përse disa kanë vendosur të mos divorcohen me një bashkëshort jobesnik?
15 Siç është përmendur në kapitullin 2 të këtij libri, kurvëria është e vetmja bazë biblike për divorcin, me mundësinë për t’u martuar sërish.c (Mateu 19:9) Nëse ke prova të qarta se bashkëshorti yt s’ka qenë besnik, atëherë të duhet të marrësh një vendim të vështirë. A do ta vazhdosh martesën apo do të kërkosh divorcin? Nuk ka ligje. Disa të krishterë e kanë falur plotësisht partnerin e tyre që është penduar sinqerisht dhe martesa e shpëtuar ka vazhduar për bukuri. Disa të tjerë kanë vendosur kundër divorcit për hir të fëmijëve.
16. (a) Cilët janë disa faktorë që i kanë nxitur disa të divorcohen me bashkëshortin që ka gabuar? (b) Kur një bashkëshort i pafajshëm vendos të divorcohet ose jo, përse askush s’duhet ta kritikojë vendimin e tij?
16 Nga ana tjetër, akti mëkatar mund të ketë shkaktuar një shtatzëni apo ndonjë sëmundje të transmetuar seksualisht. Apo ndoshta fëmijët kanë nevojë të mbrohen nga një prind që abuzon me ta seksualisht. Qartë, ka shumë gjëra që duhen konsideruar përpara marrjes së një vendimi. Megjithatë, nëse ti e ke marrë vesh jobesnikërinë e partnerit tënd dhe më pas rifillon marrëdhëniet seksuale me të, në këtë mënyrë ke treguar se e ke falur bashkëshortin dhe dëshiron ta vazhdosh martesën. Baza për divorc, me mundësinë që japin Shkrimet për martesë të sërishme, nuk ekziston më. Askush nuk duhet të fusë hundët e të përpiqet të ndikojë vendimin tënd, ashtu sikurse askush nuk duhet të të kritikojë pasi të kesh marrë vendimin. Ti ke për të jetuar me pasojat e asaj që ke vendosur. «Secili do të mbajë barrën e vet.»—Galatasve 6:5.
BAZA PËR NDARJEN
17. Nëse nuk është kryer kurvëri, çfarë kufizimesh vënë Shkrimet për ndarjen apo divorcin?
17 A ka situata që mund të justifikojnë ndarjen apo mbase edhe divorcin nga bashkëshorti, edhe pse ndoshta ky mund të mos ketë kryer kurvëri? Po, por në këtë rast, një i krishterë nuk është i lirë të kërkojë dikë tjetër, për t’u martuar sërish. (Mateu 5:32) Bibla, edhe pse bën lëshime për ndarje të tilla, pohon se personi që ndahet duhet ‘të mbetet i pamartuar, ose të pajtohet’. (1. Korintasve 7:11) Cilat janë disa situata ekstreme, që mund ta bëjnë të këshillueshme ndarjen?
18, 19. Cilat janë disa nga situatat ekstreme, që mund ta çojnë një bashkëshort për të shqyrtuar mundësinë e ndarjes apo të divorcit ligjor, edhe pse martesa e sërishme s’është e mundur?
18 E pra, familja mund të varfërohet, për shkak të dembelizmit të madh dhe zakoneve të këqija të burrit.d Ai mund t’i lërë në bixhoz të ardhurat e familjes apo t’i përdorë për të ushtruar vesin e drogës apo të alkoolit. Bibla pohon: «Në qoftë se dikush nuk kujdeset për . . . ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.» (1. Timoteut 5:8) Nëse një burrë i tillë nuk pranon të ndryshojë, mbase duke i përdorur paratë që fiton gruaja për të financuar veset e tij, gruaja mund të zgjedhë që të mbrojë mirëqenien e saj dhe atë të fëmijëve, duke marrë ndarjen ligjore.
19 Një veprim i tillë ligjor mund të merret, gjithashtu, në shqyrtim, nëse një bashkëshort është tej mase i dhunshëm kundrejt partnerit, duke e rrahur ndoshta vazhdimisht, deri aty sa shëndeti dhe jeta vihen në rrezik. Së fundi, nëse një bashkëshort vazhdimisht përpiqet ta detyrojë tjetrin që të thyejë në ndonjë mënyrë urdhërimet e Perëndisë, bashkëshorti i kërcënuar, gjithashtu, mund të marrë në shqyrtim ndarjen, sidomos nëse puna shkon deri aty, sa rrezikohet jeta frymore. Partneri i rrezikuar mund të nxjerrë përfundimin se e vetmja mënyrë për ‘t’iu bindur Perëndisë më shumë sesa njerëzve’, është marrja e ndarjes ligjore.—Veprat 5:29.
20. (a) Në rast të thyerjes së ndonjë familjeje, ç’mund të ofrojnë miqtë e pjekur dhe pleqtë dhe çfarë s’mund të ofrojnë? (b) Individët e martuar nuk duhet t’i përdorin referimet biblike për ndarjen dhe divorcin, si justifikim për çfarë gjëje?
20 Në të gjitha rastet e abuzimit ekstrem me bashkëshortët, askush nuk duhet të bëjë presion mbi bashkëshortin e pafajshëm që të ndahet apo të qëndrojë me tjetrin. Edhe pse miqtë e pjekur dhe pleqtë mund të ofrojnë mbështetje dhe këshilla të bazuara në Bibël, ata s’mund të njohin të gjitha hollësitë e asaj që po ndodh ndërmjet burrit dhe gruas. Vetëm Jehovai mund ta shohë. Natyrisht, një grua e krishterë nuk do të nderonte rregullin e Perëndisë mbi martesën, sikur të përdorte justifikime të dobëta për të dalë nga martesa. Por, sikur ndonjë situatë tej mase e rrezikshme të vazhdonte, askush nuk duhet ta kritikojë atë, nëse zgjedh të ndahet. Saktësisht e njëjta gjë mund të thuhet edhe për një burrë të krishterë që kërkon ndarjen. «Ne të gjithë do të qëndrojmë përpara fronit të gjykimit të Perëndisë.»—Romakëve 14:10, BR.
JA, SI SHPËTOI NJË MARTESË E THYER
21. Cila përvojë tregon se këshillat e Biblës mbi martesën janë të vlefshme?
21 Tre muaj pasi ishte ndarë nga i shoqi, Luçia e përmendur në fillim takoi Dëshmitarët e Jehovait dhe nisi të studionte Biblën me ta. «Për habinë time të madhe,—shpjegon ajo,—Bibla kishte zgjidhje praktike për problemet e mia. Vetëm pas një jave studim, menjëherë kisha dëshirë të rregullohesha me burrin. Sot, mund të them se Jehovai di si t’i shpëtojë martesat që janë në krizë, sepse mësimet e tij i ndihmojnë bashkëshortët që të dinë se si të ndihen të vlerësuar nga njëri-tjetri. Nuk është e vërtetë, siç pohojnë disa, se Dëshmitarët e Jehovait i ndajnë familjet. Në rastin tim, është e vërtetë pikërisht e kundërta.» Luçia mësoi të zbatonte parimet e Biblës në jetën e saj.
22. Në çfarë duhet të kenë besim të gjitha çiftet e martuara?
22 Luçia nuk është një përjashtim. Martesa duhet të jetë një bekim, jo një barrë. Për këtë qëllim, Jehovai ka siguruar burimin më të mirë me këshilla për martesën, që është shkruar ndonjëherë, Fjalën e tij të çmuar. Bibla «e bën të ditur njeriun e thjeshtë [të papërvojë, BR]». (Psalmi 19:7-11) Ajo ka shpëtuar shumë martesa që kanë qenë në buzë të thyerjes dhe ka përmirësuar shumë të tjera që kanë pasur probleme serioze. Të gjitha çiftet e martuara, le të kenë besim të plotë në këshillat martesore që jep Perëndia Jehova! Ato vlejnë me të vërtetë!
a Emri është ndryshuar.
b Disa nga këto çështje janë trajtuar në kapitujt e mëparshëm.
c Termi i Biblës i përkthyer «kurvëri», përfshin veprat e tradhëtisë bashkëshortore, homoseksualitetin, marrëdhëniet seksuale me kafshët dhe vepra të tjera të paligjshme e të qëllimshme, që përfshijnë përdorimin e organeve seksuale.
d Kjo nuk përfshin situatat kur një burrë, edhe pse me qëllime të mira, nuk është në gjendje të sigurojë për familjen e tij, për arsye që janë jashtë kontrollit të tij, si sëmundja apo mungesa e vendeve të punës.