Pse i persekutonte Sauli të krishterët?
‘UNË NË TË VËRTETË MENDOVA SE ISHTE DETYRA IME të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezusit Nazarenas. Dhe këtë kam bërë në Jerusalem; mbasi kam marrë pushtet nga krerët e priftërinjve, futa në burg shumë shenjtorë dhe kur i vrisnin, jepja miratimin tim. Dhe shpesh, duke shkuar nga një sinagogë te tjetra, i kam detyruar të blasfemojnë dhe me zemërim të madh kundër tyre, i kam përndjekur deri në qytetet e huaja.’—Veprat 26:9-11.
KËSHTU tha Sauli nga Tarsi, i njohur edhe si apostulli Pavël. Por, sigurisht që në kohën kur tha këtë, ai ishte një tjetër njeri. Nuk ishte më një kundërshtar i krishterimit, por një nga nxitësit e tij më të zjarrtë. Megjithatë, çfarë e kishte shtyrë më përpara Saulin për t’i persekutuar të krishterët? Pse mendoi se ‘ishte detyra e tij’ të bënte këto vepra? Po kështu, a mund të nxjerrim ndonjë mësim nga kjo histori?
Vrasja me gurë e Stefanit
Sauli hyn në dokumentacionin e Biblës mes atyre që vranë Stefanin. «Si e nxorën [Stefanin] jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi të quajtur Saul.» «Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij.» (Veprat 7:58; 8:1) Ç’gjë çoi deri në atë sulm? Judenjtë, duke përfshirë edhe disa nga Kilikia, u grindën me Stefanin, por nuk qenë në gjendje të mbështetnin opinionet e tyre kundër tij. Nuk thuhet nëse Sauli, që ishte po ashtu nga Kilikia, gjendej mes tyre. Sidoqoftë, ata përdorën dëshmitarë të rremë për ta akuzuar Stefanin për blasfemi dhe e nxorën para Sinedrit. (Veprat 6:9-14) Kjo asamble, e drejtuar nga kryeprifti, vepronte si gjykata e lartë hebraike. Duke qenë institucioni më i lartë fetar, anëtarët e tij ruanin, gjithashtu, atë që e konsideronin pastërti doktrinale. Sipas pikëpamjes së tyre Stefani meritonte vdekjen. A nuk guxoi ai t’i akuzonte se nuk mbanin Ligjin? (Veprat 7:53) Tani do t’ia tregonin ata se si mbahej ligji!
Fakti që Sauli e miratoi atë mendim ishte një pasojë logjike e bindjeve të tij. Ai ishte farise. Ky sekt i fuqishëm kërkonte një mbajtje të rreptë të ligjit e të traditës. Krishterimi konsiderohej si antiteza e këtyre parimeve, pasi mësonte një mënyrë të re për shpëtim nëpërmjet Jezuit. Judenjtë e shekullit të parë prisnin që Mesia të ishte një Mbret i lavdishëm që do t’i çlironte ata nga zgjedha e urryer e sundimit romak. Prandaj, për mentalitetin e tyre ishte plotësisht e huaj, e papranueshme dhe e neveritshme që njeriu i cili u dënua nga Sinedri i Madh me akuzën për blasfemi e më pas u var në shtyllë mundimi si një kriminel i mallkuar, të ishte Mesia.
Ligji thoshte se një njeri i varur në shtyllë ishte «i mallkuar nga Perëndia». (Ligji i përtërirë 21:22, 23; Galatasve 3:13) Frederik F. Brus komenton se nga këndvështrimi i Saulit, «këto fjalë zbatoheshin në mënyrë të qartë për Jezuin. Ai kishte vdekur nën mallkimin e Perëndisë e prandaj nuk mund të mendohej se ishte Mesia, mbi të cilin, sipas traditës judaike, bekimi i Perëndisë qëndronte në mënyrë të pashoqe. Për këtë arsye, të pohoje se Jezui ishte Mesia qe një blasfemi dhe ata që bënin këtë pohim absurd meritonin të vuanin si blasfemues». Siç e pranoi më vonë Sauli, vetë ideja e ‘Krishtit të vënë në shtyllë [ishte] një shkak pengimi për judenjtë’.—1. Korintasve 1:23, BR.
Sauli mendoi se duhej ta kundërshtonte këtë mësim me vendosmërinë më të madhe që ishte e mundur. Madje, duhej përdorur edhe egërsi në përpjekjet për ta eliminuar këtë mësim. Ai ishte i sigurt se kjo ishte ajo që donte Perëndia. Duke përshkruar frymën që ushqente, Sauli tha: «Sa për zellin, [isha] përndjekës i kishës [kongregacionit, BR], për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i paqortueshëm.» «Si e përndiqja me egërsi të madhe kishën [kongregacionin, BR] e Perëndisë dhe e shkatërroja. Dhe si përparoja në judaizëm më tepër se shumë bashkëkohës të kombit tim, duke qenë jashtëzakonisht i zellshëm për traditat e etërve të mi.»—Filipianëve 3:6; Galatasve 1:13, 14.
Protagonist në persekutim
Pas vdekjes së Stefanit, Sauli nuk paraqitet më thjesht si një figurant në persekutime, por si protagonist. Si i tillë, ai duhet të ketë fituar njëfarë nami të keq, meqë edhe pasi u kthye në besim, kur bëri përpjekje për t’u bashkuar me dishepujt, «të gjithë kishin frikë nga ai, sepse nuk mund të besonin se ishte dishepull». Kur u bë e qartë se ishte vërtet i krishterë, kthimi i tij u bë një shkak gëzimi dhe falënderimi mes dishepujve, të cilët dëgjuan, jo vetëm që njëfarë ish-kundërshtari kishte pësuar ndryshim në zemër, por që «ai që na persekutonte më përpara, tani po shpall atë besim që ai shkatërronte».—Veprat 9:26; Galatasve 1:23, 24.
Damasku gjendej rreth 220 kilometra larg Jerusalemit, një udhëtim prej shtatë ose tetë ditësh. Megjithatë, «duke shfryrë kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve», Sauli shkoi te kryeprifti dhe i kërkoi letra për sinagogat e Damaskut. Pse? Që të sillte të lidhur në Jerusalem të gjithë ata që gjente dhe që i përkitnin «Udhës». Duke marrë miratimin zyrtar, ai filloi të «shkatërronte kishën [kongregacionin, BR], hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg». Të tjerë i ‘rrahu nga një sinagogë te tjetra’ dhe ‘dha miratimin e tij’ (fjalë për fjalë «gurin e votës») për ekzekutimin e tyre.—Veprat 8:3; 9:1, 2, 14; 22:5, 19; 26:10, shënimi, BR.
Duke pasur parasysh arsimimin që mori Sauli nën Gamalielin dhe fuqinë që ushtronte, disa dijetarë besojnë se ai kishte përparuar nga një student i thjeshtë i Ligjit deri në pikën që ushtronte një masë autoriteti në judaizëm. Për shembull, njëri prej tyre mendonte se Sauli mund të ishte bërë mësues në një sinagogë në Jerusalem. Gjithsesi, nuk mund të jemi të sigurt nëse ‘dhënia e miratimit’ të Saulit nënkuptonte se ai e bënte këtë si një anëtar i gjykatës ose si dikush që shprehte mbështetjen e tij morale për ekzekutimin e të krishterëve.a
Meqenëse në fillim të gjithë të krishterët ishin judenj ose prozelitë judenj, me sa duket Sauli kuptoi sikur krishterimi ishte një lëvizje apostate brenda judaizmit dhe e konsideroi çështje të judaizmit që t’i ndreqte pasuesit e vet. Dijetari Arland J. Hultgren thotë: «Nuk ka të ngjarë që Pavël persekutuesi t’i ishte kundërvënë krishterimit sepse e shihte si një fe jashtë judaizmit, pra, një konkurrente. Lëvizja e krishterë duhet të jetë konsideruar nga ai dhe nga të tjerët sikur ishte ende nën autoritetin judaik.» Synimi i tij ishte që t’i detyronte judenjtë rebelë të hiqnin dorë dhe të ktheheshin në judaizëm e për këtë synim përdori të gjitha mjetet që kishte në dispozicion. (Veprat 26:11) Një metodë që iu lejua ishte burgimi. Një tjetër ishte rrahja nëpër sinagoga, një mjet i zakonshëm disipline, i cili mund të përdorej si ndëshkim për mosbindjen ndaj autoritetit rabinik në çdo gjykatë lokale të përbërë nga tre gjykatës.
Sigurisht, kur Jezui iu shfaq Saulit në udhën për në Damask, e gjithë kjo mori fund. Nga armik i egër i krishterimit, papritur Sauli u bë një mbështetës i zjarrtë i tij dhe shumë shpejt judenjtë në Damask po kërkonin vdekjen e tij. (Veprat 9:1-23) Në mënyrë paradoksale, si i krishterë Sauli duhej të vuante shumë gjëra që ai vetë i kishte bërë si persekutues, kështu që disa vjet më vonë ai mund të thoshte: «Nga judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhikë pa një.»—2. Korintasve 11:24.
Zelli mund të keqdrejtohet
«Më parë isha blasfemues, përndjekës dhe i dhunshëm,—shkroi Sauli pas ndryshimit të tij, kur njihej më mirë me emrin Pavël.—Por, m’u dha mëshira, sepse i bëra nga padija, në mosbesimin tim.» (1. Timoteut 1:13) Kështu, sinqeriteti dhe të qenët aktiv në një fe, nuk është garanci për të pasur miratimin e Perëndisë. Sauli ishte i zellshëm dhe veproi sipas ndërgjegjes së tij, por kjo nuk e bëri të drejtë. Zelli i tij i zjarrtë ishte i keqdrejtuar. (Krahaso Romakëve 10:2, 3.) Kjo gjë duhet të na bëjë të mendojmë thellë.
Shumë njerëz sot janë fortësisht të bindur se gjithë ajo që Perëndia kërkon prej tyre është që të sillen mirë. Por, a është kështu? Secili prej nesh bën mirë të dëgjojë thirrjen e Pavlit: «Sigurohuni për të gjitha gjërat, mbahuni fort pas asaj që është e shkëlqyer.» (1. Thesalonikasve 5:21, BR) Kjo do të thotë të gjejmë kohë për të fituar njohuri të saktë të Fjalës së vërtetë të Perëndisë e më pas të jetojmë në harmoni të plotë me të. Nëse e kuptojmë nga shqyrtimi i Biblës se kemi për të bërë ndryshime, atëherë me çdo mënyrë duhet t’i bëjmë ato pa u vonuar. Ndoshta pak prej nesh kanë qenë blasfemues, persekutues ose të dhunshëm aq sa ishte Sauli. Megjithatë, vetëm duke vepruar në përputhje me besimin dhe me njohurinë e saktë, ashtu si ai, mund të fitojmë favorin e Perëndisë.—Gjoni 17:3, 17.
[Shënimi]
a Sipas librit The History of the Jewish People in the Age of Jesus Christ (175 B.C.–A.D. 135), shkruar nga Emil Shyrer, edhe pse Mishna nuk përmban tregime mbi procedurat e Sinedrit të Madh ose Sinedrit të Shtatëdhjetë e Njëve, procedurat e Sinedrave më të vegjël, prej 23 anëtarësh, janë dokumentuar me hollësi të imta. Studentët e Ligjit mund të ndiqnin rastet e dënimeve me vdekje që trajtonin Sinedrat më të vegjël, ku lejoheshin të flitnin vetëm në favor e jo kundër të akuzuarve. Në rastet kur nuk kishin të bënin me një dënim kapital, ata mund të flitnin në favor edhe kundër.