Çfarë nevojitet për një martesë të suksesshme?
A do të kridheshe në një lumë pa mësuar së pari të notosh? Një veprim i tillë i pamend mund të jetë i dëmshëm, madje vdekjeprurës. Por, mendo sa shumë njerëz nguten për t’u martuar edhe pse kanë pak dijeni se si të marrin përsipër përgjegjësitë që përfshin martesa.
JEZUI tha: «Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar?» (Luka 14:28) Ajo që vlen për të ndërtuar një kullë, vlen edhe për të ndërtuar një martesë. Ata që duan të martohen, duhet të llogaritin me kujdes koston e martesës, për t’u siguruar se mund t’i plotësojnë kërkesat.
Një vështrim martesës
Të kesh një partner me të cilin të ndash gëzimet dhe hidhërimet e jetës është vërtet një bekim. Martesa mund të mbushë një boshllëk të shkaktuar nga vetmia ose dëshpërimi. Ajo mund të kënaqë dëshirën tonë të lindur për dashuri, shoqërim dhe intimitet. Me arsye të vlefshme, Perëndia, pasi krijoi Adamin, tha: «Nuk është mirë për njeriun të vazhdojë vetëm. Unë do të bëj një ndihmëse për të, si një plotësim të tij.»—Zanafilla 2:18, BR; 24:67; 1. Korintasve 7:9.
Po, martesa mund të zgjidhë disa probleme. Por do të hapë edhe disa probleme të reja. Pse? Sepse martesa është kombinimi i dy personaliteteve të veçanta që ndoshta janë të pajtueshme, por jo tamam identike. Prandaj, edhe çiftet e përshtatura mirë do të përjetojnë konflikte në ndonjë rast. Apostulli i krishterë Pavël shkroi se ata që martohen do të kenë «mjerim në mishin e tyre» ose siç e përkthen The New English Bible, «dhimbje e hidhërim në këtë jetë trupore».—1. Korintasve 7:28, BR.
A po tregohej pesimist Pavli? Aspak! Ai thjesht po u bënte thirrje atyre që po mendonin për martesën që të ishin realistë. Ndjenja euforike që lind kur ndihesh i tërhequr ndaj një personi nuk është një standard i saktë për të përcaktuar se si do të jetë jeta martesore në muajt dhe vitet që do të pasojnë ditën e dasmës. Çdo martesë ka sfidat dhe problemet e saj unike. Çështja nuk është nëse do të dalin apo jo probleme e sfida, por si t’i përballojmë kur të dalin.
Problemet i japin një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje mundësinë që të tregojnë dashurinë e sinqertë për njëri-tjetrin. Të bëjmë një ilustrim: një anije luksoze udhëtarësh mund të duket madhështore kur është aty në vend, e ankoruar në një skelë. Por, aftësia e saj lundruese provohet në det, ndoshta mes dallgëve të vrullshme të një stuhie. Në mënyrë të ngjashme, fortësia e një lidhjeje martesore nuk përcaktohet vetëm gjatë momenteve paqësore me një qetësi romantike. Disa herë, ajo provohet nën rrethana sprovuese, në të cilat një çift u bën ballë stuhive me probleme.
Për të bërë këtë, një çifti të martuar i duhet zotimi, pasi Perëndia kishte për qëllim që një burrë të ‘ngjitej me gruan e tij’ dhe që të dy të ‘bëheshin një mish’. (Zanafilla 2:24, BR) Ideja e zotimit i frikëson shumë njerëz sot. Megjithatë, është krejt e arsyeshme që dy njerëz, të cilët e dashurojnë vërtet njëri-tjetrin, të duan të bëjnë një premtim solemn për të qëndruar së bashku. Zotimi i jep dinjitet martesës. Ai krijon një bazë për sigurinë se sido që të vejë puna, bashkëshorti dhe bashkëshortja do ta mbështetin njëri-tjetrin.a Nëse nuk je gati për një zotim të tillë, nuk je vërtet gati për t’u martuar. (Krahaso Predikuesin 5:4, 5.) Edhe ata që janë të martuar mund të kenë nevojë për ta rritur vlerësimin e tyre, duke kuptuar se sa jetësor është zotimi për një martesë të qëndrueshme.
Hidhi një vështrim vetvetes
Pa dyshim, ti mund t’i radhitësh cilësitë që do të dëshiroje të gjeje te një partner. Megjithatë, është shumë më e vështirë t’i hedhësh një vështrim vetvetes për të përcaktuar se si mund t’i kontribuosh martesës. Vetëhetimi është jetësor si përpara, ashtu edhe pasi bën betimin e martesës. Për shembull, bëji vetes pyetjet e mëposhtme.
• A jam i gatshëm t’i bëj një zotim për tërë jetën partnerit tim?—Mateu 19:6.
Në ditët e profetit biblik Malakia, shumë bashkëshortë i lanë gratë e tyre, ndoshta për t’u martuar me gra më të reja. Jehovai tha se altari i tij ishte mbuluar me lotët e grave të braktisura dhe i dënoi burrat që në këtë mënyrë ‘silleshin me pabesi’ me bashkëshortet e tyre.—Malakia 2:13-16.
• Nëse po mendoj të martohem, a e kam kaluar moshën e rinisë, kur ndjenjat seksuale janë mjaft të forta dhe mund ta shtrembërojnë gjykimin e shëndoshë?—1. Korintasve 7:36.
«Është shumë e rrezikshme të martohesh tepër e re»,—thotë Niki, e cila ishte 22 vjeçe kur u martua. Ajo këshillon: «Ndjenjat, synimet dhe shijet e tua do të vazhdojnë të ndryshojnë, që nga koha kur je në adoleshencën e vonshme e deri sa të jesh në mes ose nga fundi i të 20-ave.» Sigurisht, nëse je apo jo gati për martesë nuk mund të matet vetëm nga mosha. Gjithsesi, martesa kur personi nuk e ka kaluar fazën e rinisë, kur ndjenjat seksuale janë të reja e veçanërisht të forta, mund ta shtrembërojë mënyrën e të menduarit të personit dhe ta verbojë atë para problemeve të mundshme.
• Çfarë veçorish kam që do të më ndihmojnë t’i kontribuoj një martese të lumtur?—Galatasve 5:22, 23.
Apostulli Pavël u shkroi kolosianëve: «Vishuni me përzemërsi të buta dhembshurie, dashamirësie, modestie të mendjes, butësie dhe shpirtmadhësie.» (Kolosianëve 3:12, BR) Kjo këshillë është e përshtatshme si për ata që po mendojnë të martohen, ashtu edhe për ata që janë të martuar.
• A kam pjekurinë e nevojshme për të mbështetur një partner gjatë kohëve të vështira?—Galatasve 6:2.
«Kur lindin probleme,—thotë një mjek,—prirja është që t’i vihet faji partnerit tjetër. Por, ajo që ka më shumë rëndësi nuk është se kujt t’i vihet faji. E rëndësishme është se si mund të bashkëpunojnë një bashkëshort e një bashkëshorte për të përmirësuar marrëdhënien martesore.» Për çiftet e martuara zbatohen fjalët e mbretit të mençur Solomon. «Dy vlejnë më mirë se një i vetëm,—shkroi ai,—sepse nëse rrëzohen, njëri ngre tjetrin. Por mjerë ai që është vetëm dhe rrëzohet, sepse nuk ka njeri që ta ngrejë!»—Predikuesi 4:9, 10.
• A jam në përgjithësi i qeshur dhe optimist apo jam më tepër i ngrysur dhe pesimist?—Fjalët e urta 15:15.
Një person pesimist e sheh çdo ditë si të keqe. Martesa nuk e ndryshon me ndonjë mrekulli këtë qëndrim! Një person beqar, burrë ose grua, i cili zakonisht është kritik ose pesimist, thjesht do të bëhet një person i martuar që është po aq kritik e pesimist. Pikëpamja negative e gjërave mund të shkaktojë një tension të tmerrshëm në martesë.—Krahaso Fjalët e urta 21:9.
• A ruaj gjakftohtësinë nën presione apo u lëshoj pe shprehjeve të pakontrolluara të zemërimit?—Galatasve 5:19, 20.
Të krishterëve u është dhënë urdhri që të jenë të «ngadalshëm në zemërim». (Jakovit 1:19) Para martesës dhe gjatë martesës, një burrë ose një grua duhet të kultivojë aftësinë për të jetuar sipas këshillës: «Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj.»—Efesianëve 4:26.
Një vështrim partnerit tënd të mundshëm
«Njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij»,—thotë një fjalë e urtë biblike. (Fjalët e urta 14:15) Kjo është veçanërisht e vërtetë kur zgjidhet një partner për martesë. Zgjedhja e një partneri për martesë është një nga vendimet më të rëndësishme që një burrë ose një grua merr në jetë. E megjithatë, është vërejtur se shumë njerëz kalojnë më shumë kohë për të vendosur se çfarë makine të blejnë ose në çfarë shkolle të shkojnë, sesa për të zgjedhur personin me të cilin të martohen.
Në kongregacionin e krishterë, ata, të cilëve u besohen përgjegjësi të ndryshme, «provohen së pari, për sa i përket aftësisë». (1. Timoteut 3:10, BR) Nëse po mendon të martohesh, do të duash të jesh i sigurt për «aftësinë» e personit tjetër. Shqyrto, për shembull, pyetjet e mëposhtme. Edhe pse ato paraqiten nga këndvështrimi i një gruaje, shumë parime zbatohen edhe për një burrë. Edhe ata që janë të martuar mund t’i konsiderojnë këto pika, duke nxjerrë dobi.
• Çfarë reputacioni ka ai?—Filipianëve 2:19-22.
Në Fjalët e urta 31:23 përshkruhet një bashkëshort që «nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit». Pleqtë e qytetit uleshin në portat e qytetit për të gjykuar çështjet. Prandaj, është e dukshme se ai kishte një pozitë besimi në popull. Mënyra se si konsiderohet një burrë nga të tjerët na thotë diçka për reputacionin e tij. Shqyrto edhe mënyrën se si e konsiderojnë ata që janë nën autoritetin e tij, nëse ka të tillë. Kjo mund të të tregojë se si ti, kur të jesh partnerja e tij, do ta konsiderosh atë me kalimin e kohës.—Krahaso 1. Samuelit 25:3, 23-25.
• Çfarë qëndrimi moral ka ai?
Mençuria hyjnore është «para së gjithash e dëlirë». (Jakovit 3:17, BR) Partneri yt i mundshëm a është i interesuar më shumë në kënaqësinë e tij seksuale, sesa në qëndrimin e tij dhe tëndin para Perëndisë? Nëse ai nuk po bën tani përpjekje për të jetuar sipas standardeve morale të Perëndisë, çfarë baze ka për të besuar se do të bëjë përpjekje pas martesës?—Zanafilla 39:7-12.
• Si më trajton?—Efesianëve 5:28, 29.
Libri biblik i Fjalëve të urta na thotë për një bashkëshort që «ka besim» te bashkëshortja e tij. Për më tepër, ai «e lëvdon» atë. (Fjalët e urta 31:11, 28) Ai nuk është tepër xheloz e as i paarsyeshëm në atë që pret prej gruas së tij. Jakovi shkroi se mençuria nga lart është «paqësore, e arsyeshme, . . . plot mëshirë e fryte të mira».—Jakovit 3:17, BR.
• Si i trajton ai pjesëtarët e familjes së tij?—Eksodi 20:12.
Respekti për prindërit nuk është vetëm një kërkesë për fëmijët e vegjël. Bibla thotë: «Dëgjoje atin tënd, i cili të lindi dhe mos e përbuz nënën tënde vetëm sepse është plakur.» (Fjalët e urta 23:22, BR) Interesant është fakti që dr. W. Hju Misëldajn shkroi: «Shumë vështirësi martesore dhe papajtueshmëri mund të shmangeshin ose të paktën të parashikoheshin, nëse dhëndri dhe nusja e ardhshme do ta vizitonin njëri-tjetrin në shtëpi në mënyrë joformale dhe do të vërenin marrëdhëniet mes ‘të fejuarit’ dhe prindërve të tij. Mënyra se si i konsideron ai prindërit e tij do të ndikojë mbi mënyrën se si do ta konsiderojë nusen e tij. Duhet të pyesim: ‘A dëshiroj të më trajtojë siç trajton prindërit e tij?’ Edhe mënyra se si e trajtojnë prindërit do të jetë një tregues i mirë se si do ta trajtojë ai vetveten dhe si do të presë të sillesh ti ndaj tij, pas muajit të mjaltit.»
• A është i prirur ndaj shpërthimeve të zemërimit apo ndaj të folurit fyes?
Bibla këshillon: «Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi.» (Efesianëve 4:31) Pavli e paralajmëroi Timoteun për disa të krishterë që do të «vuanin nga sëmundja e grindjes dhe e të zënit me fjalë» e që do t’i hapnin rrugë «smirës, grindjes, të sharave, dyshimeve të këqija dhe debateve të kota të njerëzve me mendje të prishur».—1. Timoteut 6:4, 5.
Përveç kësaj, Pavli shkroi se një person që kualifikohet për privilegje të veçanta në kongregacion, nuk duhet të jetë «një njeri që godet» dhe sipas greqishtes origjinale, «që nuk jep goditje». (1. Timoteut 3:3, shënimi, BR) Ai nuk mund të jetë një person që i qëllon njerëzit fizikisht ose që flet me prepotencë. Një person që është i prirur për t’u bërë i dhunshëm në një moment zemërimi nuk është një partner i përshtatshëm për martesë.
• Cilat janë synimet e tij?
Disa kërkojnë të pasurohen dhe korrin pasojat e paevitueshme të kësaj. (1. Timoteut 6:9, 10) Të tjerë enden pa ndonjë qëllim në jetë, pa pasur ndonjë synim për të arritur. (Fjalët e urta 6:6-11) Por, një njeri i perëndishëm do të tregojë të njëjtën vendosmëri si Josiu, i cili tha: «Sa për mua dhe për shtëpinë time, do t’i shërbejmë Zotit.»—Jozueu 24:15.
Shpërblimet dhe përgjegjësitë
Martesa është një institucion hyjnor. Ajo u autorizua dhe u themelua nga Perëndia Jehova. (Zanafilla 2:22-24) Ai e projektoi rregullimin martesor me qëllim që të formohet një lidhje e qëndrueshme mes një burri e një gruaje, në mënyrë që ata të jenë të dobishëm reciprokisht për njëri-tjetrin. Kur zbatohen parimet biblike, një bashkëshort dhe një bashkëshorte mund të gjejnë gëzim në jetën e tyre.—Predikuesi 9:7-9.
Por, duhet kuptuar se jetojmë në «kohë të vështira». Bibla paratha se gjatë kësaj periudhe kohore, njerëzit do të ishin «egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, . . . të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, . . . tradhtarë, kokëshkretë, fodullë». (2. Timoteut 3:1-4) Këto veçori mund të kenë një ndikim të fuqishëm mbi martesën. Prandaj, ata që po mendojnë të martohen duhet të llogaritin me seriozitet koston. Dhe ata që tani janë të martuar duhet të vazhdojnë të punojnë për të përmirësuar lidhjen e tyre, duke mësuar dhe duke zbatuar udhëheqjen hyjnore që gjendet në Bibël.
Po, ata që po mendojnë të martohen do të bëjnë mirë të shohin përtej ditës së dasmës. Të gjithë, në fakt, duhet të marrin në konsideratë jo vetëm aktin e martesës, por edhe jetën martesore. Drejtoju Jehovait për udhëheqje që të mendosh në mënyrë realiste, në vend se thjesht në mënyrë romantike. Duke bërë kështu, do të kesh më shumë mundësi për të gëzuar një martesë të suksesshme.
[Shënimi]
a Bibla lejon vetëm një bazë për divorc, me mundësinë për t’u rimartuar dhe kjo bazë është «kurvëria», marrëdhëniet seksuale jashtë martesës.—Mateu 19:9.
[Kutia në faqen 5]
«Përshkrimi më i mirë që kam lexuar ndonjëherë për dashurinë»
«Nga e merrni vesh nëse keni rënë me të vërtetë në dashuri?—shkruan dr. Kevin Limën.—Ekziston një libër i lashtë që përmban një përshkrim të dashurisë. Libri është afro dy mijë vjet i vjetër, por ende mbetet përshkrimi më i mirë që kam lexuar ndonjëherë për dashurinë.»
Dr. Limën po u referohej fjalëve të apostullit të krishterë Pavël që gjenden në Bibël, në 1. Korintasve 13:4-8:
«Dashuria është shpirtmadhe dhe dashamirëse. Dashuria nuk është xheloze, ajo nuk mburret, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk acarohet. Ajo nuk e mban në llogari të keqen. Ajo nuk gëzohet për padrejtësitë, por gëzohet me të vërtetën. Ajo mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, duron çdo gjë. Dashuria nuk dështon kurrë.»—BR.
[Kutia në faqen 8]
Ndjenjat mund të jenë mashtruese
Vajza shulamite e kohëve biblike me sa duket ishte shumë e vetëdijshme për fuqinë mashtruese të ndjenjave romantike. Kur mbreti i fuqishëm Solomon po përpiqej ta bënte për vete, ajo u tha shoqeve të saj: «Mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, derisa kështu t’i pëlqejë.» (Kantiku i Kantikëve 2:7) Kjo e re e mençur nuk donte që mikeshat e saj t’i bënin presion deri aty sa të sundohej nga ndjenjat e saj. Kjo është praktike edhe për ata që tani po mendojnë të martohen. Mbaji nën një kontroll të fortë ndjenjat e tua. Nëse martohesh, kjo duhet të ndodhë sepse ke rënë në dashuri me një person, jo thjesht me idenë se po martohesh.
[Figura në faqen 6]
Edhe ata që janë martuar nga shumë kohë mund t’i forcojnë lidhjet e tyre martesore
[Figura në faqen 7]
Si i trajton ai prindërit e tij?