Pyetje nga lexuesit
Për cilët e ka fjalën Pavli te 2 Korintasve 6:14 kur përdor termin «jobesimtarët»?
Te 2 Korintasve 6:14 lexojmë: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët.» Nëse shohim kontekstin, është e qartë se Pavli e ka fjalën për ata individë që patjetër nuk janë pjesë e kongregacionit të krishterë. Kjo kuptueshmëri mbështetet nga vargje të tjera biblike ku Pavli përdor termin «jobesimtar» ose «jobesimtarë».
Për shembull, Pavli u heq vërejtje të krishterëve, sepse hedhin në gjyq njëri-tjetrin «përpara jobesimtarëve». (1 Korintasve 6:6) Këtu jobesimtarët janë gjykatësit që shërbenin në sistemin gjyqësor të Korintit. Në letrën e tij të dytë, Pavli thotë se Satanai «ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve». Sytë e këtyre jobesimtarëve ishin ‘të mbuluar me vel’, për sa i përket lajmit të mirë. Këta jobesimtarë nuk kishin shfaqur aspak interes për t’i shërbyer Jehovait, sepse Pavli më parë shpjegoi: «Kur kthehen te Jehovai, veli hiqet.»—2 Korintasve 3:16; 4:4.
Disa jobesimtarë janë të përfshirë në vepra të paligjshme ose në idhujtari. (2 Korintasve 6:15, 16) Megjithatë, jo të gjithë i kundërshtojnë shërbëtorët e Jehovait. Disa shfaqin interes për të vërtetën. Shumë prej tyre janë të martuar me të krishterë dhe janë të lumtur që jetojnë me ta. (1 Korintasve 7:12-14; 10:27; 14:22-25; 1 Pjetrit 3:1, 2) Gjithsesi, Pavli e përdor vazhdimisht fjalën «jobesimtar» për individët që, siç u përmend më sipër, nuk janë pjesë e kongregacionit të krishterë i cili përbëhet nga «besimtarë në Zotërinë».—Veprat 2:41; 5:14; 8:12, 13.
Parimi që gjendet te 2 Korintasve 6:14 shërben si një udhëheqje e mirë për të krishterët në të gjitha fushat e jetës dhe shpesh është cituar si një këshillë e mençur për të krishterët që po kërkojnë bashkëshort. (Mateu 19:4-6) Me mençuri, një i krishterë i kushtuar dhe i pagëzuar nuk kërkon bashkëshort mes atyre që janë jobesimtarë, sepse parimet, synimet dhe bindjet e jobesimtarëve janë shumë të ndryshme nga ato të të krishterëve të vërtetë.
Megjithatë, ç’të themi për ata individë që studiojnë Biblën dhe shoqërohen me kongregacionin e krishterë? Ç’të themi edhe për ata që janë lajmëtarë të papagëzuar? A janë ata jobesimtarë? Jo. Individët që kanë pranuar të vërtetën dhe po përparojnë vazhdimisht drejt pagëzimit nuk duhen quajtur jobesimtarë. (Romakëve 10:10; 2 Korintasve 4:13) Korneli u quajt përpara se të pagëzohej, «njeri i devotshëm dhe që i frikësohej Perëndisë».—Veprat 10:2.
Atëherë, meqë në kuptimin e ngushtë të fjalës këshilla e Pavlit te 2 Korintasve 6:14 nuk do të zbatohej për dikë që është pranuar si lajmëtar i papagëzuar, a do të ishte e mençur që një i krishterë i kushtuar të fillonte një periudhë njohjeje dhe të martohej me të? Jo, nuk është e mençur. Përse? Për shkak të këshillës së drejtpërdrejtë që dha Pavli për vejushat e krishtere. Pavli shkroi: «Ajo është e lirë për t’u martuar me kë të dojë, vetëm në Zotërinë.» (1 Korintasve 7:39) Në përputhje me këtë këshillë, të krishterëve të kushtuar u jepet nxitja që bashkëshortin ta kërkojnë vetëm mes atyre që janë «në Zotërinë».
Cili është kuptimi i shprehjes «në Zotërinë» dhe i shprehjes që lidhet me të «në Krishtin»? Pavli flet për individët që ishin «në Krishtin» ose «në Zotërinë», te Romakëve 16:8-10 dhe te Kolosianëve 4:7. Nëse i lexoni këto vargje, do të shihni se këta individë janë ‘bashkëpunëtorë’, ‘të miratuar’, ‘vëllezër të dashur’, ‘administrues të besueshëm’ dhe ‘shokë të skllavërisë’.
Kur bëhet dikush ‘skllav në Zotërinë’? Kjo ndodh kur ai vullnetarisht bën atë që duhet të bëjë një skllav dhe e mohon veten. Jezui shpjegon: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e tij të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Mateu 16:24) Një njeri fillon të ndjekë Krishtin dhe i nënshtrohet plotësisht vullnetit të Perëndisë kur i kushtohet Atij. Pastaj pagëzohet dhe bëhet një shërbëtor i emëruar që ka një qëndrim të miratuar përpara Perëndisë Jehova.a Prandaj, ‘të martohesh në Zotërinë’ do të thotë të martohesh me dikë që ka treguar qartë se është vërtet një besimtar, ‘një skllav i kushtuar i Perëndisë dhe i Zotërisë Jezu Krisht’.—Jakovi 1:1.
Një individ që po studion Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe po bën përparim frymor të shkëlqyer është për t’u lavdëruar. Sidoqoftë, ende nuk i është kushtuar Jehovait dhe nuk është zotuar që të bëjë një jetë me sakrifica e që i është kushtuar shërbimit. Ai është ende duke bërë ndryshimet e nevojshme. Përpara se të mendojë për një ndryshim tjetër të madh në jetën e tij, siç është martesa, ka nevojë t’i çojë deri në fund ndryshimet e mëdha që duhen bërë për të qenë një i krishterë i kushtuar dhe i pagëzuar.
A do të ishte e këshillueshme që një i krishterë të fillonte të njihej me dikë që duket se po përparon mirë në studimin e Biblës, ndoshta me mendimin që përpara se të martohet me të, të presë derisa të pagëzohet? Jo. Studentit të Biblës mund t’i ngatërrohen motivet pse dëshiron të bëhet i krishterë, në qoftë se e di që një i krishterë i kushtuar dëshiron të martohet me të, por vetëm pas pagëzimit.
Zakonisht një individ është lajmëtar i papagëzuar vetëm për një periudhë kohe të kufizuar, derisa të bëjë përparim aq sa të pagëzohet. Prandaj këshilla e mësipërme për t’u martuar vetëm në Zotërinë nuk është e paarsyeshme. Por, ç’të themi për dikë që është në moshën për t’u martuar, është rritur në një familje të krishterë, është aktiv në kongregacion prej disa vitesh dhe shërben si lajmëtar i papagëzuar? Po mirë, çfarë e ka penguar që t’ia kushtojë jetën Jehovait? Pse ngurron? A ka dyshime? Edhe pse nuk është jobesimtar, nuk mund të thuhet se është «në Zotërinë».
Këshilla e Pavlit rreth martesës është për dobinë tonë. (Isaia 48:17) Kur të dy bashkëshortët e mundshëm i janë kushtuar Jehovait, zotimi që marrin ndaj njëri-tjetrit kur martohen ka një themel frymor dhe të fortë. Ata kanë të njëjtat parime dhe të njëjtat synime. Kjo ndihmon shumë për të pasur një martesë të lumtur. Për më tepër, ‘duke u martuar në Zotërinë’, një njeri tregon besnikërinë e tij ndaj Jehovait, dhe kjo çon në bekime të përhershme, sepse ‘me dikë besnik, Jehovai do të veprojë me besnikëri’.—Psalmi 18:25, BR.
[Shënimi]
a Për të krishterët e mirosur, të cilëve po u shkruante Pavli në fillim, të ishin ‘skllevër në Zotërinë’ do të thoshte edhe që të miroseshin si bij të Perëndisë dhe vëllezër të Krishtit.
[Figura në faqen 31]
‘Me dikë besnik, Jehovai do të veprojë me besnikëri’