KAPITULLI 19
«Vazhdo të flasësh e të mos heshtësh»
Pavli punoi për të mbajtur veten, por gjithsesi shërbimin e mbajti në vend të parë
Bazuar te Veprat 18:1-22
1-3. Pse shkoi në Korint apostulli Pavël dhe cilat vështirësi hasi?
ISHTE fundi i vitit 50 të e.s. Apostulli Pavël ndodhej në Korint, një qendër e pasur tregtie ku jetonin shumë grekë, romakë dhe judenj.a S’kishte shkuar të blinte a të shiste mallra dhe as të kërkonte punë. Ishte atje për një arsye shumë më të rëndësishme: të jepte dëshmi për Mbretërinë e Perëndisë. Gjithsesi i duhej një vend ku të rrinte dhe ishte i vendosur të mos i bëhej barrë njeriu. Nuk donte që t’i jepte askujt përshtypjen se, përderisa u mësonte të tjerëve Fjalën e Perëndisë, ishin të detyruar ta mbanin ekonomikisht. Ç’do të bënte?
2 Pavli e kishte një zanat, bërjen e tendave. Nuk ishte punë e lehtë, por ai ishte i gatshëm të punonte me duart e tij për të siguruar jetesën. A do të gjente punë në atë qytet të zhurmshëm? A do të gjente një vend të përshtatshëm ku të rrinte? Pavarësisht nga këto vështirësi, Pavli nuk u shpërqendrua nga vepra e tij kryesore, shërbimi.
3 Siç rrodhën ngjarjet, Pavli ndenji ca kohë në Korint dhe shërbimi i tij dha shumë fryt. Ç’mësojmë nga aktivitetet e tij atje, dhe si na ndihmon kjo të japim dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë në territorin tonë?
«Zanati i tyre ishte bërës tendash» (Veprat 18:1-4)
4, 5. (a) Ku qëndroi Pavli ndërsa ishte në Korint dhe ç’punë bëri? (b) Si ka mundësi që Pavli dinte të bënte tenda?
4 Pak pasi mbërriti në Korint, Pavli takoi një çift mikpritës, Akuilën, që ishte jude dhe gruan e tij Prishilën (Priskën). Çifti ishte transferuar në Korint për shkak të një dekreti të perandorit Klaud që i urdhëronte «të gjithë judenjtë të iknin nga Roma». (Vep. 18:1, 2) Akuila dhe Prishila e ftuan Pavlin jo vetëm që të rrinte në shtëpinë e tyre, por edhe të punonte me ta. Lexojmë: «Meqë kishin të njëjtin zanat, [Pavli] qëndroi në shtëpinë e tyre dhe punuan bashkë; faktikisht zanati i tyre ishte bërës tendash.» (Vep. 18:3) Pavli ndenji në shtëpinë e këtij çifti të dashur e mikpritës gjatë gjithë shërbimit në Korint. Ndërsa banonte me ta, mund të ketë shkruar disa nga letrat që më vonë u bënë pjesë e librave të Biblës.b
5 Si ka mundësi që Pavli, një njeri i arsimuar «në këmbët e Gamalielit», dinte edhe të bënte tenda? (Vep. 22:3) Me sa duket judenjtë e shekullit të parë nuk e shihnin si ulje dinjiteti t’u mësonin fëmijëve një zanat, ndonëse mund t’u jepnin edhe arsimim të mëtejshëm. Ka mundësi që Pavli ta ketë mësuar në rini këtë zanat, meqë vinte nga Tarsi i Kilikisë, një zonë e famshme për stofin e quajtur cilicium, me të cilin bëheshin tendat. Çfarë përfshinte bërja e tendave? Mund të përfshinte endjen e stofit ose prerjen dhe qepjen e materialit të ashpër e të ngrirë. Sido që të ketë qenë, ishte punë e lodhshme.
6, 7. (a) Si e konsideronte Pavli bërjen e tendave, dhe nga duket se Akuila e Prishila kishin të njëjtën pikëpamje? (b) Si e ndjekin sot të krishterët shembullin e Pavlit, të Akuilës dhe të Prishilës?
6 Pavli nuk e shihte bërjen e tendave si punën kryesore ose karrierën e tij. E ushtronte zanatin vetëm për të mbështetur veten në shërbim, që ta shpallte «falas» lajmin e mirë. (2 Kor. 11:7) Po për Akuilën dhe Prishilën, sa i rëndësishëm ishte zanati i tyre? Si të krishterë, pa dyshim e konsideronin punën njësoj si Pavli. Në fakt, kur ai iku nga Korinti në vitin 52 të e.s., Akuila dhe Prishila ngritën plaçkat dhe shkuan me të në Efes, ku shtëpia e tyre u përdor si vend mbledhjeje për kongregacionin vendas. (1 Kor. 16:19) Më vonë u kthyen në Romë e pastaj shkuan përsëri në Efes. Ky çift i zellshëm e vuri në vend të parë Mbretërinë dhe me gatishmëri u shërbeu të tjerëve pa u kursyer, duke fituar kështu mirënjohjen e ‘të gjitha kongregacioneve të kombeve’.—Rom. 16:3-5; 2 Tim. 4:19.
7 Sot të krishterët ndjekin shembullin e Pavlit, të Akuilës dhe të Prishilës. Shërbëtorët e zellshëm përpiqen fort ‘që të mos u bëhen barrë e rëndë’ të tjerëve. (1 Sel. 2:9) Shumë lajmëtarë që shërbejnë në kohë të plotë janë për t’u lavdëruar, sepse bëjnë punë me orar të shkurtuar ose sezonale për të mbështetur veten në veprën e tyre kryesore, në shërbimin e krishterë. Njësoj si Akuila dhe Prishila, mjaft shërbëtorë mikpritës të Jehovait i hapin shtëpitë për mbikëqyrësit qarkorë. Ata që ‘ndjekin udhën e mikpritjes’ në këtë mënyrë, e dinë sa inkurajuese dhe ndërtuese është kjo.—Rom. 12:13.
«Shumë korintas . . . filluan të besonin» (Veprat 18:5-8)
8, 9. Si reagoi Pavli kur predikimi i tij te judenjtë solli kundërshtim, dhe ku shkoi të predikonte më pas?
8 Kur Sila e Timoteu mbërritën nga Maqedonia me dhurata të bollshme, u bë e dukshme se Pavli e shihte punën thjesht si një ndihmë për të kryer shërbimin. (2 Kor. 11:9) Kjo ngaqë ai menjëherë «filloi t’i kushtohej plotësisht fjalës». (Vep. 18:5) Mirëpo, predikimi i zellshëm i Pavlit te judenjtë, solli kundërshtim të madh. Pavli shkundi rrobat për të treguar se hiqte dorë nga çdo përgjegjësi ndaj atyre kundërshtarëve judenj që s’e pranuan mesazhin jetëshpëtues për Krishtin, dhe u tha: «Gjaku juaj ju rëntë mbi kokë! Unë jam i pastër. Që tani e tutje do të shkoj te njerëzit e kombeve.»—Vep. 18:6; Ezek. 3:18, 19.
9 Atëherë, ku do të predikonte Pavli? Ngjitur me sinagogën e kishte shtëpinë një burrë me emrin Tit Justi, me sa duket prozelit jude, që e mikpriti. Kështu Pavli nuk predikoi më në sinagogë dhe shkoi në shtëpinë e Justit. (Vep. 18:7) Ai vazhdoi të banonte tek Akuila dhe Prishila për sa kohë ndenji në Korint, por, për të predikuar lajmin e mirë, përdori shtëpinë e Justit.
10. Nga e kuptojmë se Pavli nuk e kishte ndarë mendjen t’u predikonte vetëm njerëzve të kombeve?
10 Pohimi i Pavlit se, që tani e tutje do të shkonte te njerëzit e kombeve, a duhet kuptuar se nuk do t’u predikonte më as judenjve e prozelitëve që do të reagonin mirë? Me siguri që jo. Për shembull, «Krispi, i pari i sinagogës, u bë besimtar në Zotërinë e po ashtu edhe tërë shtëpia e tij». Me sa duket, një pjesë e madhe e atyre që shkonin në sinagogë, u bashkuan me Krispin, pasi Bibla thotë: «Shumë korintas që dëgjuan, filluan të besonin e të pagëzoheshin.» (Vep. 18:8) Kështu, shtëpia e Tit Justit u bë vend mbledhjeje për kongregacionin e krishterë të sapoformuar në Korint. Nëse libri i Veprave është shkruar në stilin tipik të Lukës, pra sipas rendit kronologjik, atëherë ata judenj ose prozelitë u bënë të krishterë pasi Pavli shkundi rrobat. Kjo tregon shumë për elasticitetin e apostullit.
11. Si e imitojmë Pavlin ndërsa përpiqemi t’u flasim atyre që pohojnë se janë të krishterë?
11 Sot kishat e krishterimit janë përhapur në shumë vende dhe i mbajnë nën tutelë anëtarët e tyre. Në disa vende e ishuj, misionarët e këtyre kishave kanë punuar fort për të pasur më shumë dishepuj. Ata që pohojnë se janë të krishterë, shpesh janë të lidhur me traditat, siç ishin judenjtë në Korintin e shekullit të parë. Gjithsesi, ashtu si Pavli, ne Dëshmitarët e Jehovait u dëshmojmë me zell këtyre njerëzve, duke ndërtuar mbi njohurinë që mund të kenë nga Shkrimet. Nuk i humbim shpresat edhe kur ata na kundërshtojnë ose kur udhëheqësit e tyre fetarë na përndjekin. Ndër ata që «kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë», mund të ketë zemërbutë që duhen kërkuar e gjetur.—Rom. 10:2.
«Në këtë qytet kam shumë njerëz» (Veprat 18:9-17)
12. Çfarë sigurie mori Pavli në një vegim?
12 Pavli mund të ketë pasur ndonjë dyshim nëse duhej ta vazhdonte predikimin në Korint. Por ky dyshim iu zhduk, natën kur Zotëria Jezu iu shfaq në vegim dhe i tha: «Mos ki frikë! Përkundrazi vazhdo të flasësh e të mos heshtësh, sepse unë jam me ty, dhe askush nuk do të vërë dorë mbi ty që të të bëjë keq, pasi në këtë qytet kam shumë njerëz.» (Vep. 18:9, 10) Sa duhet t’i ketë dhënë zemër ai vegim! Vetë Zotëria e siguroi se do ta mbronte nga çdo e keqe dhe se në qytet kishte shumë njerëz që meritonin të dëgjonin lajmin e mirë. Si reagoi Pavli ndaj vegimit? Lexojmë: «Ai qëndroi atje një vit e gjashtë muaj e u mësoi atyre fjalën e Perëndisë.»—Vep. 18:11.
13. Për cilën ngjarje mund të ketë menduar Pavli ndërsa i afrohej fronit të gjykimit? Ç’arsye kishte Pavli që të mendonte se atij s’do t’i ndodhte e njëjta gjë?
13 Pasi Pavli kaloi rreth një vit në Korint, ndodhi diçka që e bindi se Zotëria ishte me të. «Judenjtë u ngritën së bashku kundër Pavlit, [dhe] e çuan para fronit të gjykimit» që quhej béma. (Vep. 18:12) Froni i gjykimit, që mendohet se ishte një podium me mermer bardhë e blu, i mbushur me gdhendje dekorative, mund të ketë qenë pranë qendrës së pazarit të Korintit. Sheshi përballë tij ishte aq i madh sa të nxinte një turmë të konsiderueshme. Sipas zbulimeve arkeologjike, froni i gjykimit mund të ketë qenë vetëm disa hapa larg sinagogës, pra fare pranë shtëpisë së Justit. Ndërsa Pavli i afrohej fronit të gjykimit, mund të ketë menduar për vrasjen me gurë të Stefanit, martirit të parë të krishterë. Pavli, që atëherë njihej me emrin Saul, e kishte miratuar «vrasjen e tij». (Vep. 8:1) A do t’i ndodhte edhe atij diçka e ngjashme? Jo, sepse kishte marrë premtimin: «Askush nuk do të . . . të bëjë keq.»—Vep. 18:10.
14, 15. (a) Ç’akuzë ngritën judenjtë kundër Pavlit, por përse Galioni e mbylli çështjen? (b) Ç’ndodhi me Sostenin dhe çfarë mund të jetë bërë ai më vonë?
14 Ç’ndodhi kur Pavli mbërriti para fronit të gjykimit? Gjykatësi i ulur atje ishte prokonsulli i Akaisë, Galioni, vëllai i madh i filozofit romak, Seneka. Judenjtë ngritën këtë akuzë kundër Pavlit: «Ky ua mbush mendjen njerëzve që ta adhurojnë Perëndinë në kundërshtim me ligjin.» (Vep. 18:13) Lanë të kuptohej sikur Pavli po bënte prozelitizëm të paligjshëm. Mirëpo Galioni e pa se Pavli s’kishte kryer ndonjë «të keqe» dhe nuk ishte fajtor për asnjë «krim të rëndë». (Vep. 18:14) Ai s’kishte ndër mend të përzihej me polemikat e judenjve. Madje, e mbylli çështjen pa pritur fare që Pavli të thoshte ndonjë gjë për t’u mbrojtur. Akuzuesit u tërbuan nga kjo. E shfrynë zemërimin mbi Sostenin, që ndoshta kishte zëvendësuar Krispin si i pari i sinagogës. E morën dhe «e rrahën para fronit të gjykimit».—Vep. 18:17.
15 Pse nuk e ndaloi Galioni turmën që të mos e rrihte Sostenin? Ndoshta mendonte se ai e udhëhiqte turmën që u ngrit kundër Pavlit, prandaj po merrte atë që meritonte. Sido që të ketë qenë, ka mundësi që ky episod të ketë pasur një përfundim të mirë. Në letrën e parë drejtuar kongregacionit korintas, disa vjet më vonë, Pavli iu referua si vëlla dikujt me emrin Sosten. (1 Kor. 1:1, 2) A ishte ky i njëjti Sosten që e kishin rrahur në Korint? Nëse po, me siguri ajo eksperiencë e dhimbshme e kishte ndihmuar të pranonte krishterimin.
16. Si ndikojnë në shërbimin tonë fjalët e Zotërisë: «Vazhdo të flasësh e të mos heshtësh, sepse unë jam me ty.»
16 Siç pamë më lart, vetëm pasi judenjtë e kishin kundërshtuar predikimin e Pavlit, Zotëria Jezu e siguroi: «Mos ki frikë! Përkundrazi vazhdo të flasësh e të mos heshtësh, sepse unë jam me ty.» (Vep. 18:9, 10) Duhet t’i mbajmë parasysh këto fjalë, sidomos kur të tjerët kundërshtojnë mesazhin tonë. S’duhet të harrojmë kurrë se Jehovai lexon zemrat dhe tërheq pranë vetes ata me zemër të sinqertë. (1 Sam. 16:7; Gjoni 6:44) Ç’nxitje e fuqishme që t’i kushtohemi shërbimit! Qindra mijë veta pagëzohen çdo vit, mesatarisht qindra në ditë. Atyre që ia vënë veshin urdhrit «bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet», Jezui u jep këtë siguri: «Unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»—Mat. 28:19, 20.
«Në dashtë Jehovai» (Veprat 18:18-22)
17, 18. Për çfarë mund të ketë reflektuar Pavli ndërsa lundronte për në Efes?
17 S’mund ta dimë me siguri nëse qëndrimi i Galionit ndaj akuzuesve të Pavlit solli si pasojë një periudhë paqeje për kongregacionin e krishterë të sapoformuar në Korint. Gjithsesi, Pavli «ndenji atje edhe mjaft kohë» para se të ndahej nga vëllezërit. Në pranverën e vitit 52 të e.s., planifikoi të lundronte për në Siri nga porti i Kenkresë, rreth 11 kilometra në lindje të Korintit. Por, para se të largohej nga Kenkrea, qethi kokën «meqë kishte marrë një zotim».c (Vep. 18:18) Më pas, mori me vete Akuilën dhe Prishilën e lundroi nëpër Egje drejt Azisë së Vogël.
18 Teksa anija largohej nga Kenkrea, me siguri Pavli reflektonte për kohën që kaloi në Korint. Kishte shumë kujtime të bukura dhe mjaft arsye për t’u ndier thellësisht i kënaqur. Ata 18 muaj që ndenji atje, kishin dhënë fryt. Ishte formuar kongregacioni i parë në Korint, që kishte si vend mbledhjeje shtëpinë e Justit. Ndër ata që kishin pranuar të vërtetën ishin Justi, Krispi me familjen dhe plot të tjerë. Këta ishin shumë të shtrenjtë për Pavlin, sepse i kishte ndihmuar të bëheshin të krishterë. Kur u shkroi më vonë, i përshkroi si një letër rekomandimi të shkruar në zemrën e tij. Edhe ne ndiejmë një lidhje të ngushtë me ata që kemi pasur privilegjin t’i ndihmojmë të pranojnë adhurimin e vërtetë. Sa e këndshme është të shohim këta vëllezër e motra që janë si «letra rekomandimi»!—2 Kor. 3:1-3.
19, 20. Ç’bëri Pavli kur mbërriti në Efes dhe çfarë mësojmë nga ai?
19 Si mbërriti në Efes, Pavli iu fut punës menjëherë. «Hyri në sinagogë dhe arsyetoi me judenjtë.» (Vep. 18:19) Kësaj here, edhe pse iu lutën të qëndronte më gjatë në Efes, ai «nuk pranoi». Kur po ndaheshin, u tha: «Në dashtë Jehovai, do të kthehem prapë te ju.» (Vep. 18:20, 21) Pa dyshim, Pavli e kuptonte se në Efes kishte shumë për të bërë në predikim. Apostulli kishte në plan të kthehej, por zgjodhi t’ia linte gjërat në dorë Jehovait. A s’është ky një shembull i mirë për ta mbajtur parasysh? Duhet ta ndërtojmë jetën në atë mënyrë, që të na lejojë t’i shërbejmë sa më plotësisht Perëndisë. Gjithsesi, duhet të mbështetemi gjithnjë te Jehovai për drejtim e të përpiqemi të veprojmë në përputhje me vullnetin e tij.—Jak. 4:15.
20 Pasi la Akuilën dhe Prishilën në Efes, Pavli nisi lundrimin dhe zbriti në Cezare. Me sa duket, ai «u ngjit» në Jerusalem dhe përshëndeti kongregacionin atje. (Vep. 18:22, shën.) Pastaj, u kthye në bazën e tij, në Antiokinë e Sirisë. Udhëtimi i dytë misionar kishte përfunduar me sukses. Ç’e priste në udhëtimin e fundit misionar?
a Shih kutinë «Korinti, pronar i dy deteve».
b Shih kutinë «Letra të frymëzuara që sollën inkurajim».
c Shih kutinë «Zotimi i Pavlit».