-
Çfarë thotë Bibla për pirjen e alkoolit?Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
-
-
Çfarë thotë Bibla për pirjen e alkoolit?
Përreth botës, njerëzit kanë mendime të ndryshme për alkoolin. Disave u pëlqen ta kthejnë nga një gotë me miqtë. Të tjerë s’e vënë në gojë. Kurse të tjerë akoma, pinë derisa dehen. Po Bibla, çfarë thotë për pijet alkoolike?
1. A është gabim të pish pije alkoolike?
Bibla jo vetëm që nuk e dënon pirjen e alkoolit, por ajo e përmend «verën që ia gëzon zemrën njeriut», si një nga dhuratat që na ka bërë Perëndia. (Psalmi 104:14, 15) Madje, edhe disa shërbëtorë besnikë që përmenden në Bibël, përdornin pije alkoolike.—1 Timoteut 5:23.
2. Çfarë këshillash ka Bibla për ata që duan të pinë alkool?
Jehovai e dënon pirjen me tepri të alkoolit dhe dehjen. (Galatasve 5:21) Në Fjalën e tij thuhet: «Mos ji ndër ata që pinë verë me tepri.» (Proverbat 23:20) Prandaj, nëse duam të pimë—qofshim vetëm a me të tjerë—nuk duhet të pimë deri në atë masë sa të na mjegullohet gjykimi, të humbim kontrollin në të folur e në veprime ose të dëmtojmë shëndetin. Nëse nuk e kontrollojmë dot sa pimë, është më mirë të mos pimë fare.
3. Si të tregojmë se i respektojmë vendimet e të tjerëve për pirjen e alkoolit?
Secili duhet të vendosë vetë nëse do të pijë apo jo. S’kemi të drejtë t’i gjykojmë ata që pinë me karar dhe as t’i bëjmë presion dikujt që nuk dëshiron të pijë. (Romakëve 14:10) Nëse pirja e alkoolit mund të krijojë probleme për dikë, zgjedhim të mos pimë. (Lexo Romakëve 14:21.) Duhet ‘të kërkojmë jo interesin tonë, por atë të tjetrit’.—Lexo 1 Korintasve 10:23, 24.
SHQYRTO MË TEJ
Shqyrto disa parime të Biblës që të ndihmojnë të vendosësh nëse do të pish dhe deri në ç’masë. Gjithashtu zbulo si mund ta mposhtësh vesin e pijes.
4. Kur vendos nëse do të pish apo jo
Çfarë mendonte Jezui për pirjen e alkoolit? Për të kuptuar këtë, le të shohim mrekullinë e tij të parë. Lexoni Gjonin 2:1-11 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Çfarë na tregon kjo mrekulli për pikëpamjen e Jezuit për alkoolin dhe për ata që e pinë?
Meqë Jezui nuk e dënoi pirjen e alkoolit, si duhet ta shohim një bashkëbesimtar që zgjedh të pijë?
Edhe pse jemi të lirë të pimë alkool, nuk do të thotë se është gjithmonë e mençur ta bëjmë këtë. Lexo Proverbat 22:3 dhe më pas shqyrto faktorët e mëposhtëm për të vendosur nëse do të pish apo jo:
Do të ngasësh makinën ose do të përdorësh ndonjë makineri.
Je shtatzënë.
Mjeku të ka këshilluar të mos pish alkool.
S’ke kontroll në të pirë.
Ligji nuk të lejon të pish alkool.
Je me dikë që nuk pi alkool, sepse ka pasur vesin e pijes në të kaluarën.
A duhet të shërbesh alkool në dasmë ose në raste të tjera? Për kuptuar cilët faktorë duhen shqyrtuar, shihni VIDEON.
Lexoni Romakëve 13:13 dhe 1 Korintasve 10:31, 32. Pasi të lexoni secilin shkrim, diskutoni për këtë pyetje:
Si të ndihmon ky parim të marrësh një vendim që ia gëzon zemrën Jehovait?
5. Kur vendos sa do të pish
Nëse do të pish, mos harro këtë: edhe pse nuk e dënon pirjen e alkoolit, Jehovai e dënon pirjen me tepri. Pse? Lexoni Hozenë 4:11, 18 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Çfarë mund të ndodhë kur dikush e tepron me pirjen?
Si të sigurohemi që të mos e kalojmë cakun? Duhet të jemi modestë, pra të jemi të vetëdijshëm sa mbajmë. Lexoni Proverbat 11:2 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Pse është mirë t’i vëmë kufij vetes kur pimë?
6. Mposht vesin e abuzimit me alkoolin
Shih çfarë e ndihmoi një burrë të mos abuzonte më me alkoolin. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjet që vijojnë.
Si ndikonte alkooli te sjellja e Dmitrit, siç tregohet në video?
A arriti ta linte menjëherë pijen?
Si arriti të hiqte dorë një herë e mirë nga vesi i pijes?
Lexoni 1 Korintasve 6:10, 11 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Sa e rëndë është dehja?
Nga e dimë se dikush që abuzon me alkoolin mund të kthejë rrugë?
Lexoni Mateun 5:30 dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.
Kur Jezui tha të presim njërën dorë, e kishte fjalën për sakrificat që duhet të bëjmë për t’i pëlqyer Jehovait. Çfarë mund të bësh nëse po lufton me vesin e pijes?a
Lexoni 1 Korintasve 15:33 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Çfarë ndikimi mund të kenë miqtë te sasia e alkoolit që pi?
DIKUSH MUND TË PYESË: «A është e gabuar të pish alkool?»
Çfarë do t’i thoshe?
PËRMBLEDHJE
Jehovai na i ka dhënë pijet alkoolike si dhuratë për kënaqësinë tonë, por dënon pirjen me tepri dhe dehjen.
Si do të përgjigjeshe?
Çfarë thotë Bibla për pijet alkoolike?
Çfarë pasojash sjell pirja me tepri?
Pse duhet ta respektojmë vendimin e dikujt për të pirë ose jo alkool?
EKSPLORO
Çfarë mund t’i ndihmojë adoleshentët të marrin vendime të mençura për pijet alkoolike?
Zbulo çfarë mund të bësh për të mposhtur vesin e pijes.
«Si të kesh pikëpamjen e duhur për alkoolin?» (Kulla e Rojës, 1 janar 2010)
A duhet të ngrejë dolli një adhurues i Jehovait?
Në historinë me titull «Isha fuçi e shpuar», lexo si arriti një burrë të hiqte dorë nga pirja me tepri.
a Ata që kanë krijuar varësi nga alkooli, mund të kenë nevojë për ndihmën e një specialisti. Shumë mjekë thonë se njerëzit që nuk e kontrollojnë dot pirjen, nuk duhet të pinë fare.
-
-
Pse kanë rëndësi veshja dhe paraqitja jonë?Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
-
-
MËSIMI 52
Pse kanë rëndësi veshja dhe paraqitja jonë?
Të gjithë kemi preferencat tona kur bëhet fjalë për veshjen dhe paraqitjen. Nëse zbatojmë disa parime të thjeshta nga Bibla, mund të ruajmë stilin tonë e njëkohësisht të kënaqim Jehovain. Le të shohim disa nga këto parime.
1. Cilat parime duhet të ndjekim kur bëhet fjalë për veshjen dhe paraqitjen?
Duhet të zgjedhim ‘veshje të përshtatshme, të jemi modestë, me mendje të shëndoshë’ dhe gjithnjë të pastër. Kështu paraqitja jonë do të pasqyrojë ‘përkushtimin ndaj Perëndisë’. (1 Timoteut 2:9, 10) Shqyrto këto katër parime: (1) Veshja jonë duhet të jetë ‘e përshtatshme’. Siç e ke vënë re në mbledhjet tona, jo të gjithë kemi të njëjtin stil, ama me veshjen dhe paraqitjen tonë tregojmë respekt për Perëndinë Jehova. (2) Vishemi «me modesti» kur paraqitja jonë nuk është provokuese dhe as nuk tërheq vëmendje të tepërt te vetja. (3) Tregojmë se kemi «mendje të shëndoshë» kur nuk ndjekim çdo lloj trendi mode që na del përpara. (4) Paraqitja jonë duhet të tregojë gjithnjë se jemi ‘të përkushtuar ndaj Perëndisë’, që të tjerët të shohin qartë se adhurojmë Perëndinë e vërtetë.—1 Korintasve 10:31.
2. Çfarë ndikimi mund të ketë paraqitja jonë te vëllezërit dhe motrat?
Vërtet jemi të lirë të veshim çfarë duam, por duhet të mendojmë se ç’ndikim do të ketë paraqitja jonë te të tjerët. Përpiqemi fort që të mos fyejmë askënd, por ‘t’i kënaqim të tjerët për të mirën e tyre, për t’i forcuar’.—Lexo Romakëve 15:1, 2.
3. Si ndikon paraqitja jonë te mënyra si e shohin njerëzit adhurimin e pastër?
Veshja jonë duhet të jetë e përshtatshme sipas rastit. Megjithatë i kushtojmë vëmendje të veçantë mënyrës si vishemi kur shkojmë në mbledhjet e kongregacionit dhe kur marrim pjesë në shërbim. Nuk duam që veshja jonë t’i shpërqendrojë njerëzit nga mesazhi jetësor që kemi për ta. Në fakt, me paraqitjen tonë, mund ta bëjmë të vërtetën më tërheqëse për të tjerët dhe ‘të stolisim mësimin e Shpëtimtarit tonë’.—Titit 2:10.
SHQYRTO MË TEJ
Shiko se si të sigurohemi që veshja dhe paraqitja jonë të japin prova se jemi adhurues të Jehovait.
4. Paraqitja jonë dinjitoze tregon respekt për Jehovain
Cila është arsyeja kryesore pse duhet të kujdesemi për pamjen tonë? Lexoni Psalmin 47:2 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Meqë përfaqësojmë Jehovain, si duhet të ndikojë kjo te mënyra si vishemi?
A mendon se është e arsyeshme t’i kushtojmë vëmendje paraqitjes sonë kur shkojmë në mbledhje ose kur marrim pjesë në shërbim? Pse?
5. Si të marrim vendime të mençura për sa i përket veshjes dhe paraqitjes?
Pavarësisht nëse rrobat tona janë të shtrenjta apo jo, ato duhet të jenë të pastra dhe të përshtatshme sipas rastit. Lexoni 1 Korintasve 10:24 dhe 1 Timoteut 2:9, 10. Më pas diskutoni pse nuk duhet të veshim rroba që janë . . .
të çrregullta ose që tregojnë moskokëçarje.
tepër të ngushta, provokuese ose që zbulojnë pjesë të papërshtatshme të trupit.
Edhe pse të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut, falë tij kuptojmë si mendon Jehovai. Lexoni Ligjin e përtërirë 22:5 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Pse duhet t’i shmangim veshjet dhe stilet që i bëjnë burrat të duken si gra dhe gratë si burra?
Lexoni 1 Korintasve 10:32, 33 dhe 1 Gjonit 2:15, 16 e më pas diskutoni për këto pyetje:
Pse duhet të tregojmë kujdes që mënyra si vishemi dhe rregullohemi, të mos fyejë askënd në kongregacion ose në zonën ku jetojmë?
Cilat stile të veshjes dhe rregullimit janë të përhapura në zonën ku jeton?
A mendon se disa prej këtyre stileve mund të jenë të papërshtatshme për një të krishterë? Pse?
DISA THONË: «Kam të drejtë të vesh çfarë të dua!»
A je dakord? Pse?
PËRMBLEDHJE
Kur marrim vendime të mençura në lidhje me paraqitjen tonë, tregojmë respekt për Jehovain dhe për të tjerët.
Si do të përgjigjeshe?
Pse ka rëndësi për Jehovain mënyra si vishemi dhe rregullohemi?
Cilat parime mund të na ndihmojnë kur marrim vendime në lidhje me veshjen dhe paraqitjen?
Si ndikon paraqitja jonë te mënyra si e shohin të tjerët adhurimin e pastër?
EKSPLORO
Shiko ç’përshtypje mund t’u lësh të tjerëve me mënyrën si vishesh.
Mëso pse duhet t’i mendosh mirë pasojat para se të bësh një tatuazh.
Shiko cilat parime të tjera na ndihmojnë të marrim vendime të mençura.
«A e lëvdon Perëndinë stili yt i veshjes?» (Kulla e Rojës, shtator 2016)
Shiko si një grua me zemër të mirë, mësoi të respektonte vendimet e të tjerëve në lidhje me veshjen.
«Veshja dhe paraqitja u bënë pengesë për mua» (Zgjohuni!, 22 dhjetor 2003)
-