Le ta lëvdojë Jehovain kongregacioni!
«Do t’ua shpall emrin tënd vëllezërve të mi, në mes të kongregacionit do të të lëvdoj.»—HEBRENJVE 2:12.
1, 2. Pse është kaq i dobishëm kongregacioni dhe cili është roli i tij kryesor?
GJATË gjithë historisë, njerëzit kanë gjetur shoqëri dhe siguri brenda rrethit familjar. Por Bibla identifikon edhe një rreth tjetër brenda të cilit individë të panumërt përreth tokës po gëzojnë sot shoqëri dhe siguri të jashtëzakonshme. Ky është kongregacioni i krishterë. Pavarësisht nëse keni ose jo një familje të fortë që ju mbështet, ju mund dhe duhet ta vlerësoni atë që ka siguruar Perëndia nëpërmjet kongregacionit. Natyrisht, nëse tashmë po shoqëroheni me një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait, mund të dëshmoni vetë për shoqërinë e përzemërt dhe për ndjenjën e sigurisë që keni atje.
2 Kongregacioni nuk është thjesht një grup shoqëror. Nuk është një shoqatë në rang lagjeje, as një klub ku mblidhen njerëz me prejardhje të ngjashme ose që kanë interesa të përbashkëta në një sport a një aktivitet të kohës së lirë. Jo, kongregacioni ekziston kryesisht për të lëvduar Perëndinë Jehova. Ka qenë kështu prej shumë kohësh, siç thekson libri i Psalmeve. Në Psalmin 35:18 lexojmë: «Unë do të të përlëvdoj në kongregacionin e madh, do të të thur lavde mes shumë njerëzve.» Po ashtu, te Psalmi 107:31, 32 jepet nxitja: «Le të falënderojnë Jehovain për dashamirësinë e tij dhe për gjërat e mrekullueshme që ka bërë në të mirë të bijve të njerëzve. Le ta lartësojnë mes popullit të tij të mbledhur!»
3. Ç’rol ka kongregacioni, sipas fjalëve të Pavlit?
3 Kur foli për «shtëpinë e Perëndisë, që është kongregacioni i Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës», apostulli Pavël theksoi një rol tjetër thelbësor të kongregacionit. (1 Timoteut 3:15) Për cilin kongregacion po fliste ai? Si përdoret në Bibël termi «kongregacion»? Pse duhet të jetë me rëndësi për jetën dhe të ardhmen tonë? Për të gjetur përgjigjet, le të shqyrtojmë fillimisht si përdoret në Fjalën e Perëndisë termi «kongregacion».
4. Si përdoret më shpesh në Shkrimet Hebraike fjala «kongregacion»?
4 Në Shkrimet Hebraike përdoret fjala kahál, që mund të përkthehet «kongregacion». Vjen nga një folje që do të thotë «mbledh» ose «mbledh si kongregacion». (Dalja 12:6, shënimi.) Psalmisti e përdori këtë fjalë hebraike për engjëjt në qiell; e mund të përdoret edhe për një grup njerëzish të ligj. (Psalmi 26:5; 89:5-7) Megjithatë, në Shkrimet Hebraike më shpesh kjo fjalë përdoret për izraelitët. Sipas një përkthimi fjalë për fjalë nga gjuha origjinale, Perëndia tregoi se Jakobi ‘do të bëhej një kongregacion [hebraisht kahál] popujsh’ e kështu ndodhi. (Zanafilla 28:3; 35:11; 48:4) Izraelitët u thirrën ose u zgjodhën që të ishin ‘kongregacioni i Jehovait’, ‘kongregacioni i Perëndisë së vërtetë’.—Numrat 20:4; Nehemia 13:1; Josiu 8:35; 1 Samuelit 17:47; Mikea 2:5.
5. Cila fjalë greke përkthehet zakonisht «kongregacion» dhe si mund të përdoret ajo?
5 Fjala përkatëse greke është ekklesía, e cila vjen nga dy fjalë greke që kanë kuptimin «jashtë» dhe «thërras». Mund të përdoret për një grup të çfarëdoshëm njerëzish, si «turma» që mblodhi Dhimitri kundër Pavlit në Efes. (Veprat 19:32, 39, 41) Por në Bibël në përgjithësi kjo fjalë përdoret për kongregacionin e krishterë. Në disa përkthime, kjo fjalë është përkthyer «kishë», por në një fjalor thuhet se fjala greke «asnjëherë . . . nuk nënkupton ndërtesën fizike në të cilën mblidheshin të krishterët për të adhuruar bashkë me të tjerët». (The Imperial Bible-Dictionary) Gjithsesi, është me interes që, në Shkrimet e Krishtere Greke, fjalën «kongregacion» e gjejmë të paktën në katër kuptime të ndryshme.
Kongregacioni i mirosur i Perëndisë
6. Çfarë bënin Davidi dhe Jezui në kongregacion?
6 Duke i përdorur për Jezuin fjalët e Davidit që gjenden në Psalmin 22:22, apostulli Pavël shkroi: «‘Do t’ua shpall emrin tënd vëllezërve të mi, në mes të kongregacionit do të të lëvdoj me këngë.’ Si rrjedhim, [Jezui] ishte i detyruar të bëhej si ‘vëllezërit’ e tij në çdo aspekt, që të bëhej një kryeprift i mëshirshëm dhe i besueshëm në shërbimin e Perëndisë.» (Hebrenjve 2:12, 17) Davidi e kishte lëvduar Perëndinë në kongregacionin e Izraelit të lashtë. (Psalmi 40:9) Por, për çfarë e kishte fjalën Pavli kur tha se Jezui e lëvdonte Perëndinë «në mes të kongregacionit»? Cilit kongregacion?
7. Cili është kuptimi i parë se si përdoret në Shkrimet e Krishtere Greke fjala «kongregacion»?
7 Fjalët që lexojmë te Hebrenjve 2:12, 17 janë shumë domethënëse, sepse tregojnë që edhe Krishti ishte pjesëtar i një kongregacioni në të cilin u shpallte emrin e Perëndisë vëllezërve të tij. Cilët ishin këta vëllezër? Ata që formonin një pjesë të ‘farës së Abrahamit’, vëllezërit e Krishtit të cilët ishin mirosur nga fryma, «pjesëmarrës të thirrjes qiellore». (Hebrenjve 2:16–3:1; Mateu 25:40) Po, kuptimi kryesor i fjalës «kongregacion» në Shkrimet e Krishtere Greke është: grupi i përbërë nga ithtarët e Krishtit që janë të mirosur nga fryma. Këta 144.000 të mirosur përbëjnë ‘kongregacionin e të parëlindurve që janë shkruar në qiej’.—Hebrenjve 12:23.
8. Me cilat fjalë tregoi Jezui se do të formohej kongregacioni i krishterë?
8 Jezui tregoi se ky «kongregacion» i krishterë do të formohej. Rreth një vit para se të vdiste, ai i tha një apostulli: «Ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kongregacionin tim dhe portat e Hadesit nuk do të ngadhënjejnë mbi të.» (Mateu 16:18) Si Pjetri, ashtu dhe Pavli, e kuptuan saktë se shkëmbi për të cilin ishte profetizuar, ishte vetë Jezui. Pjetri shkroi se ata që ndërtoheshin si «gurë të gjallë» të një shtëpie frymore mbi shkëmbin, Krishtin, ishin një ‘popull për zotërim të veçantë, që të shpallnin kudo virtytet’ e Atij që i thirri.—1 Pjetrit 2:4-9; Psalmi 118:22; Isaia 8:14; 1 Korintasve 10:1-4.
9. Kur nisi të formohej kongregacioni i Perëndisë?
9 Kur nisi të formohej si kongregacion i krishterë ky «popull për zotërim të veçantë»? Gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur Perëndia derdhi frymën e shenjtë mbi dishepujt që ishin mbledhur në Jerusalem. Më vonë po atë ditë, Pjetri mbajti një fjalim mbresëlënës para një grupi judenjsh dhe prozelitësh. Shumë njerëzve u sëmboi në zemër për vdekjen e Jezuit, prandaj u penduan dhe u pagëzuan. Sipas tregimit biblik, këta ishin tre mijë veta, të cilët pas kësaj u bënë pjesë e kongregacionit të Perëndisë, që sapo ishte formuar dhe po rritej. (Veprat 2:1-4, 14, 37-47) Kjo rritje po ndodhte sepse gjithnjë e më shumë judenj e prozelitë po e pranonin se Izraeli natyror nuk ishte më kongregacioni i Perëndisë. Në vend të tij, kongregacioni i vërtetë i Perëndisë tani ishin të krishterët e mirosur, të cilët në kuptim frymor përbënin «Izraelin e Perëndisë».—Galatasve 6:16; Veprat 20:28.
10. Ç’marrëdhënie ka Jezui me kongregacionin e Perëndisë?
10 Shpesh Bibla e veçon Jezuin dhe të mirosurit, si në shprehjen «për Krishtin dhe për kongregacionin». Jezui është Kreu i këtij kongregacioni me të krishterë të mirosur nga fryma. Pavli shkroi se Perëndia «e bëri [Jezuin] krye mbi gjithçka, për të mirën e kongregacionit, që është trupi i tij». (Efesianëve 1:22, 23; 5:23, 32; Kolosianëve 1:18, 24) Sot në tokë është vetëm një mbetje e vogël e pjesëtarëve të mirosur të këtij kongregacioni. Por jemi të sigurt se Kreu i tyre, Jezu Krishti, i do ata. Ndjenjat e tij për ta përshkruhen tek Efesianëve 5:25: «Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» Jezui i do ata sepse me zell i paraqitin Perëndisë «një flijim lëvdimi, domethënë frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij», siç bënte edhe Jezui vetë kur ishte në tokë.—Hebrenjve 13:15.
Kuptime të tjera të termit «kongregacion»
11. Cili është një kuptim tjetër se si përdoret termi «kongregacion» në Shkrimet e Krishtere Greke?
11 Nganjëherë në Bibël termi «kongregacion» përdoret në një kuptim më të ngushtë ose të përcaktuar, jo për gjithë grupin e 144.000 të mirosurve që përbëjnë «kongregacionin e Perëndisë». Për shembull, Pavli i shkroi një grupi të krishterësh: «Ruhuni të mos bëheni shkak pengese as për judenj, as për grekë dhe as për kongregacionin e Perëndisë.» (1 Korintasve 10:32) Kështu, nëse një i krishterë në Korintin e lashtë do të vepronte gabim, mund të bëhej shkak pengese për disa. Por, a do të kishte mundësi t’i pengonte të gjithë grekët, judenjtë ose të mirosurit që nga ajo kohë e deri në ditët tona? Natyrisht që jo. Pra duket se, në këtë varg, ‘kongregacioni i Perëndisë’ u referohet të krishterëve që jetojnë në një kohë të caktuar. Kështu, mund të themi se Perëndia udhëheq, mbështet ose bekon kongregacionin, domethënë të gjithë të krishterët në një kohë të caktuar, kudo që ndodhen. Ose mund të flasim për lumturinë dhe paqen që mbizotëron sot në kongregacionin e Perëndisë, domethënë mes gjithë vëllazërisë së krishterë.
12. Cili është kuptimi i tretë se si përdoret në Bibël termi «kongregacion»?
12 Në Bibël fjala «kongregacion» përdoret edhe në një kuptim të tretë dhe ka të bëjë me të gjithë të krishterët që banojnë në një zonë gjeografike. Lexojmë: «Kongregacioni në mbarë Judenë, Galilenë dhe Samarinë hyri vërtet në një periudhë paqeje.» (Veprat 9:31) Në atë zonë mjaft të madhe, kishte më shumë se një grup të krishterësh, por të gjitha ato grupe, të cilat ishin në Jude, Galile dhe Samari, u quajtën bashkërisht «kongregacioni». Duke pasur parasysh numrin e atyre që u pagëzuan në festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s. e pak më pas, mund të ketë pasur edhe më shumë se një grup që mblidhej rregullisht në zonën e Jerusalemit. (Veprat 2:41, 46, 47; 4:4; 6:1, 7) Nga 1 Selanikasve 2:14 del qartë se të paktën deri në vitin 50 të e.s. në Jude kishte disa kongregacione. Herod Agripa I sundoi në Jude deri sa vdiq në vitin 44 të e.s., kështu që, kur lexojmë se Herodi ‘keqtrajtoi disa nga kongregacioni’, mund të bëhej fjalë për më shumë se një grup që mblidhej në Jerusalem.—Veprat 12:1.
13. Cili është kuptimi i katërt se si përdoret në Bibël termi «kongregacion»?
13 Së katërti, termi «kongregacion» përdoret zakonisht në një mënyrë edhe më të kufizuar, për të krishterët që përbëjnë një kongregacion të vetëm vendës, si për shembull në një shtëpi. Pavli përmendi «kongregacionet e Galatisë». Në atë provincë mjaft të madhe romake kishte më shumë se një kongregacion vendës. Dy herë Pavli përdori shumësin «kongregacione» për Galatinë, ku përfshiheshin ato në Antioki, Derbë, Listër dhe Ikoni. Në këto kongregacione vendëse u emëruan pleq ose mbikëqyrës të kualifikuar. (1 Korintasve 16:1; Galatasve 1:2; Veprat 14:19-23) Sipas Shkrimeve, të gjitha ato ishin «kongregacionet e Perëndisë».—1 Korintasve 11:16; 2 Selanikasve 1:4.
14. Ç’përfundim mund të nxjerrim duke parë si përdoret termi «kongregacion» në disa shkrime?
14 Në disa raste, në mbledhjet e krishtere grupet duhet të kenë qenë të vogla, sa mund të mblidheshin edhe në një shtëpi. Gjithsesi, shprehja «kongregacion» u përdor edhe për disa grupe të tilla. Kështu, lexojmë për kongregacionet që mblidheshin në shtëpinë e Akuilës dhe të Priskës, në shtëpinë e Nimfës dhe në shtëpinë e Filemonit. (Romakëve 16:3-5; Kolosianëve 4:15; Filemonit 2) Kjo me siguri u jep zemër atyre kongregacioneve sot që janë të vogla dhe që mund të mblidhen rregullisht në një shtëpi. Jehovai i pranoi kongregacione të tilla të vogla në shekullin e parë dhe me siguri që i pranon edhe sot, duke i bekuar me anë të frymës së tij.
Kongregacionet lëvdojnë Jehovain
15. Si nisi të vepronte fryma e shenjtë në disa kongregacione të hershme?
15 Pamë se Jezui, duke përmbushur Psalmin 22:22, e lëvdoi Perëndinë në mes të kongregacionit. (Hebrenjve 2:12) Edhe ithtarët e tij besnikë duhej të bënin po njësoj. Në shekullin e parë, kur të krishterët e vërtetë u mirosën me frymën e shenjtë dhe u bënë bij të Perëndisë, pra vëllezër të Krishtit, te disa prej tyre fryma nisi të vepronte në një mënyrë të mëtejshme, të veçantë. Ata morën dhuratat e mrekullueshme të frymës. Disa nga këto dhurata ishin: fjalë të veçanta mençurie ose njohurie, fuqia për të shëruar ose për të profetizuar apo edhe aftësia për të folur në gjuhë që nuk i njihnin.—1 Korintasve 12:4-11.
16. Cili ishte një nga synimet pse u dhanë dhuratat e mrekullueshme të frymës?
16 Pavli tha këto fjalë për të folurit në gjuhë të ndryshme: «Do të këndoj lavde me dhuratën e frymës, por do të këndoj lavde edhe me mendjen time.» (1 Korintasve 14:15) Ai e dinte se ishte e rëndësishme që të tjerët t’i kuptonin fjalët e tij, me qëllim që të mësonin prej tyre. Synimi i Pavlit ishte ta lëvdonte Jehovain në kongregacion. Ai i nxiti të tjerët që kishin dhuratat e frymës: «Kërkoni t’i keni me bollëk për ndërtimin e kongregacionit», domethënë të kongregacionit vendës ku shfaqnin atë dhuratë. (1 Korintasve 14:4, 5, 12, 23) Është e qartë se Pavli interesohej për ato kongregacione, duke ditur se në secilin prej tyre, të krishterët do të kishin mundësi të lëvdonin Perëndinë.
17. Për çfarë mund të jemi të sigurt lidhur me kongregacionet vendëse sot?
17 Jehovai vazhdon ta përdorë e ta mbështetë kongregacionin e vet. Ai po e bekon grupin e përbërë të të krishterëve të mirosur që janë sot në tokë. Këtë e shohim nga ushqimi i pasur frymor që gëzon populli i Perëndisë. (Luka 12:42) Ai po e bekon vëllazërinë mbarëbotërore si një të tërë. Po bekon edhe kongregacionet vendëse, ku ne e lëvdojmë Krijuesin me veprimet tona dhe me komente që u forcojnë besimin të tjerëve. Aty arsimohemi dhe stërvitemi që ta lëvdojmë Perëndinë edhe në raste të tjera, kur nuk jemi fizikisht në mes të kongregacionit tonë.
18, 19. Çfarë duan të bëjnë të krishterët e përkushtuar në çdo kongregacion?
18 Apostulli Pavël i nxiti të krishterët në kongregacionin e Filipisë, në Maqedoni: «Lutem vazhdimisht që . . . falë Jezu Krishtit, të jepni me bollëk fryt të drejtë, në lavdi e lëvdim të Perëndisë.» Kjo përfshinte që t’u flitnin për besimin te Jezui dhe për shpresën e tyre të mrekullueshme edhe individëve që nuk ishin në kongregacionin e krishterë. (Filipianëve 1:9-11; 3:8-11) Prandaj, Pavli i nxiti të bashkëkrishterët: «Nëpërmjet [Jezuit], le t’i paraqitim gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi, domethënë frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij.»—Hebrenjve 13:15.
19 A kënaqeni duke e lëvduar Perëndinë «në mes të kongregacionit», siç bënte Jezui, dhe duke e lëvduar me buzët tuaja para atyre që ende nuk e njohin e nuk e lëvdojnë atë? (Hebrenjve 2:12; Romakëve 15:9-11) Deri diku, përgjigjja jonë varet nga pikëpamja që kemi për rolin që kanë në qëllimin e Perëndisë kongregacionet ku bëjmë pjesë. Le të shqyrtojmë në artikullin vijues se si po i drejton e po i përdor Jehovai kongregacionet dhe ç‘rol duhet të luajnë në jetën tonë sot.
A ju kujtohet?
• Si erdhi në ekzistencë «kongregacioni i Perëndisë» i përbërë nga të krishterët e mirosur?
• Cilat janë tri kuptimet e tjera se si përdoret në Bibël termi «kongregacion»?
• Çfarë dëshironin të bënin në kongregacion Davidi, Jezui dhe të krishterët e shekullit të parë, e si duhet të ndikojë kjo te ne?
[Figura në faqen 21]
Themeli i cilit kongregacion ishte Jezui?
[Figura në faqen 23]
Grupet vendëse të të krishterëve mblidheshin si «kongregacione të Perëndisë»
[Figura në faqen 24]
Ashtu si të krishterët në Benin, mund ta lëvdojmë Jehovain mes turmave të mbledhura