Jehovai e ka për zemër shërbimin tënd me gjithë shpirt
«Çdo gjë që bëni, punoni për të me gjithë shpirt, si ndaj Jehovait dhe jo ndaj njerëzve.»—KOLOSIANËVE 3:23, BR.
1, 2. (a) Cili është privilegji më i madh që mund të kemi? (b) Përse ndonjëherë mund të mos jemi në gjendje të bëjmë të gjithë atë që do të na pëlqente të bënim në shërbimin e Perëndisë?
T’I SHËRBESH Jehovait është privilegji më i madh që mund të kemi. Me arsye të shëndosha, kjo revistë i ka inkurajuar prej kohësh të krishterët që të përfshihen në shërbim, madje duke shërbyer «më plotësisht», kurdo që është e mundur. (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 4:1, BR) Megjithatë, jo gjithmonë jemi në gjendje të bëjmë të gjithë atë që zemra jonë dëshiron me zjarr të bëjë në shërbimin e Perëndisë. «Rrethanat e mia janë të tilla, që më duhet të punoj në kohë të plotë,—shpjegon një motër beqare, që është pagëzuar afërsisht 40 vjet më parë.—Arsyeja ime për të punuar nuk është që të fitoj një gardërobë përrallore apo për të bërë pushime, duke u rënë deteve kryq e tërthor, por për të siguruar gjërat e domosdoshme, përfshirë edhe shpenzimet mjekësore dhe dentare. Ndihem sikur po i jap Jehovait atë që më mbetet.»
2 Dashuria për Perëndinë na nxit që të duam të bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur në veprën e predikimit. Por rrethanat e jetës shpesh e kufizojnë atë që mund të bëjmë. Kujdesi për përgjegjësitë e tjera biblike, duke përfshirë detyrimet familjare, mund të konsumojë shumë prej kohës dhe energjive tona. (1. Timoteut 5:4, 8) Në këto «kohë kritike të vështira për t’u trajtuar», jeta është gjithnjë e më shumë sfiduese. (2. Timoteut 3:1, BR) Kur nuk jemi në gjendje të bëjmë të gjithë atë që do të na pëlqente të bënim në shërbim, deri në njëfarë mase zemra jonë mund të brengoset. Mund të pyesim veten nëse Perëndia është i kënaqur me adhurimin tonë.
Bukuria e shërbimit me gjithë shpirt
3. Çfarë pret Jehovai nga të gjithë ne?
3 Në Psalmin 103:14, Bibla na siguron me ngrohtësi se Jehovai «e njeh mirë formimin tonë, duke e mbajtur mend se jemi pluhur». (BR) Më shumë se kushdo tjetër, ai i kupton kufizimet tona. Ai nuk kërkon më shumë se ç’mund të japim. Çfarë pret ai? Diçka që kushdo, pavarësisht nga situata e tij në jetë, mund ta ofrojë: «Çdo gjë që bëni, punoni për të me gjithë shpirt, si ndaj Jehovait dhe jo ndaj njerëzve.» (Kolosianëve 3:23, BR) Po, Jehovai pret prej nesh, prej të gjithëve ne, që t’i shërbejmë me gjithë shpirt.
4. Ç’do të thotë t’i shërbesh Jehovait me gjithë shpirt?
4 Ç’do të thotë t’i shërbesh Jehovait me gjithë shpirt? Termi grek i përkthyer «me gjithë shpirt», fjalë për fjalë do të thotë «nga shpirti». «Shpirti» i referohet të gjithë personit, me të gjitha aftësitë e tij fizike dhe mendore. Pra, të shërbesh me gjithë shpirt do të thotë të japim nga vetja, duke përdorur të gjitha aftësitë tona dhe duke i vënë energjitë tona në masën më të plotë të mundshme në shërbimin e Jehovait. E thënë thjesht, do të thotë të bëjmë të gjithë atë që mund të bëjë shpirti ynë.—Marku 12:29, 30.
5. Si tregon shembulli i apostujve se jo të gjithë duhet të bëjnë të njëjtën sasi në shërbim?
5 A do të thotë se duke qenë me gjithë shpirt, të gjithë ne duhet të bëjmë të njëjtën sasi në shërbim? Vështirë të jetë e mundur kjo, sepse rrethanat dhe aftësitë ndryshojnë nga njëri shpirt tek tjetri. Merr në shqyrtim apostujt besimplotë të Jezuit. Jo të gjithë ata ishin në gjendje të bënin të njëjtën sasi. Për shembull, ne dimë shumë pak për disa nga apostujt, të tillë si Simon Kananeasi dhe Jakovi, biri i Alfeut. Ndoshta aktiviteti i tyre si apostuj ishte mjaft i kufizuar. (Mateu 10:2-4) Në kontrast me ta, Pjetri ishte në gjendje të pranonte shumë privilegje me peshë; ja pse Jezui i dha madje «çelësat e mbretërisë»! (Mateu 16:19, BR) Por megjithatë, Pjetri nuk u lartësua sipër të tjerëve. Kur Gjoni mori vizionin e Jerusalemit të Ri në Zbulesën (rreth vitit 96 të e.s), ai pa 12 gurë themeli dhe mbi ta të shkruar «dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve».a (Zbulesa 21:14, BR) Jehovai vlerësoi shërbimin e të gjithë apostujve, ndonëse me sa duket disa kishin mundësi të bënin më shumë se të tjerët.
6. Në ilustrimin e Jezuit në lidhje me mbjellësin, çfarë i ndodhi farës së mbjellë në «tokën e shkëlqyer» dhe cilat pyetje lindin?
6 Ngjashëm, Jehovai nuk kërkon të njëjtën sasi predikimi nga të gjithë ne. Jezui e tregoi këtë në ilustrimin e mbjellësit, i cili e krahasonte veprën e predikimit me farat e mbjella. Farat ranë në lloje të ndryshme toke, duke ilustruar llojet e ndryshme të gjendjes së zemrës të manifestuar nga ata që dëgjojnë mesazhin. «Sa për atë të mbjellë në tokën e shkëlqyer,—shpjegoi Jezui,—ky është ai që e dëgjon fjalën dhe e kap kuptimin e saj, i cili me të vërtetë sjell fryt dhe prodhon, ky njëqindfish, ai gjashtëdhjetë, tjetri tridhjetë.» (Mateu 13:3-8, 18-23, BR) Çfarë është ky fryt dhe përse prodhohet në sasi të ndryshme?
7. Cili është fryti i farës së mbjellë dhe përse është prodhuar në sasi të ndryshme?
7 Meqenëse fjala që është mbjellë është «fjala e mbretërisë», dhënia fryt i referohet përhapjes së kësaj fjale, duke ua thënë të tjerëve. (Mateu 13:19, BR) Sasia e frytit të prodhuar ndryshon, nga tridhjetëfish në njëqindfish, sepse aftësitë dhe rrethanat në jetë janë të ndryshme. Një person me shëndet të mirë dhe me qëndresë fizike, mund të jetë në gjendje të kalojë më shumë kohë në predikim sesa një tjetër, të cilin e kanë lënë fuqitë nga një problem kronik shëndetësor apo nga mosha e thyer. Një person i ri beqar, i cili është i lirë nga përgjegjësitë familjare, mund të jetë në gjendje të bëjë më shumë nga sa mundet një person që i duhet të punojë në kohë të plotë, për të mbajtur familjen.—Krahaso Proverbat [Fjalët e urta] 20:29.
8. Si i konsideron Jehovai ata, të cilët japin më të mirën që mund të japë shpirti i tyre?
8 Në sytë e Perëndisë, personi që me gjithë shpirt prodhon tridhjetëfish, a është më pak i devotshëm se ai që prodhon njëqindfish? Patjetër që jo! Sasia e fryteve mund të ndryshojë, por Jehovai kënaqet për sa kohë që shërbimi i bërë, është më i miri që mund të japë shpirti ynë. Mos harro se sasitë e ndryshme të frytit burojnë të gjitha nga zemrat, që janë «tokë e shkëlqyer». Termi grek (ka·losʹ), i përkthyer «e shkëlqyer», përshkruan diçka që është «e bukur» dhe që «kënaq zemrën e i jep kënaqësi syve». Sa ngushëlluese është të dimë se kur bëjmë të pamundurën, në sytë e Perëndisë, zemra jonë është e bukur!
Jo të krahasuar me njëri-tjetrin
9, 10. (a) Në çfarë forme arsyetimi negativ mund të na çojë zemra jonë? (b) Si e tregon ilustrimi në 1. Korintasve 12:14-26 se Jehovai nuk na krahason me të tjerët për atë që bëjmë?
9 Megjithatë, zemra jonë e papërsosur mund t’i gjykojë ndryshe gjërat. Ajo mund ta krahasojë shërbimin tonë me atë të të tjerëve. Ajo mund të arsyetojë: ‘Të tjerët po bëjnë shumë më tepër se mua në shërbim. E si mund të kënaqet Jehovai me shërbimin tim?’—Krahaso 1. Gjonit 3:19, 20.
10 Mendimet dhe rrugët e Jehovait janë shumë më të larta se tonat. (Isaia 55:9) Ne marrim njëfarë mendjehollësie mbi mënyrën në të cilën i konsideron Jehovai përpjekjet tona individuale, nga 1. Korintasve 12:14-26, ku kongregacioni krahasohet me një trup që ka shumë gjymtyrë: sytë, duart, këmbët, veshët dhe kështu me radhë. Shqyrto për një çast trupin fizik. Sa qesharake do të ishte t’i krahasoje sytë e tu me duart, ose këmbët me veshët! Secila gjymtyrë i shërben një funksioni të ndryshëm, por megjithatë, të gjitha gjymtyrët janë të dobishme dhe të vlerësuara. Ngjashëm, Jehovai e ka për zemër shërbimin tënd me gjithë shpirt, pavarësisht nëse të tjerët po bëjnë më shumë apo më pak.—Galatasve 6:4.
11, 12. (a) Pse disa mund të mendojnë se janë «më të dobët» ose «më pak të nderuar»? (b) Si e konsideron Jehovai shërbimin tonë?
11 Për shkak të kufizimeve si pasojë e shëndetit të dobët, moshës së thyer apo rrethanave të tjera, ndonjëherë disa prej nesh mund të mendojnë se janë «më të dobët» apo «më pak të nderuar». Por nuk është kjo mënyra në të cilën i konsideron Jehovai çështjet. Bibla na thotë: «Gjymtyrët e trupit që duken më të dobëta, janë të domosdoshme dhe pjesët . . . që ne mendojmë se janë më pak të nderuara, këto i rrethojmë me më shumë nderim të bollshëm . . . Megjithatë, Perëndia e formoi trupin, duke i dhënë nderim më të bollshëm pjesës që kishte një mangësi.» (1. Korintasve 12:22-24, BR) Kështu që çdo individ mund të jetë i çmuar për Jehovain. Ai e vlerëson së tepërmi shërbimin tonë, në kuadrin e kufizimeve tona. A nuk të shtyn zemra jote që të duash të bësh të gjithë sa mundesh, në shërbimin e një Perëndie të tillë, që të kupton e që është i dashur?
12 Ajo që ka rëndësi për Jehovain, pra, nuk është që të bësh aq sa bën dikush tjetër, por që të bësh atë që ti, shpirti yt, mund të bëjë personalisht. Që Jehovai i vlerëson përpjekjet tona individuale, u demonstrua në një mënyrë shumë prekëse nga mënyra se si veproi Jezui me dy gra shumë të ndryshme, gjatë ditëve të fundit të jetës së tij në tokë.
Dhuratë «shumë e shtrenjtë» e një gruaje me çmueshmëri
13. (a) Cilat janë rrethanat në të cilat Maria vuri vaj të parfumuar në kokën dhe në këmbët e Jezuit? (b) Cila ishte vlera materiale e vajit të Marisë?
13 Të premten në mbrëmje, më 8 nisan, Jezui mbërriti në Betani, një fshat i vogël në shpatin lindor të Malit të Ullinjve, rreth 3 kilometra larg Jerusalemit. Në këtë fshat Jezui kishte miq të dashur: Marinë, Martën dhe vëllain e tyre, Lazarin. Jezui kishte qenë mysafir në shtëpinë e tyre, ndoshta shpesh. Por të shtunën në mbrëmje, Jezui dhe miqtë e tij hëngrën darkë në shtëpinë e Simonit, që më parë kishte qenë lebroz e që ndoshta ishte shëruar nga Jezui. Ndërsa Jezui po rrinte gjysmë i shtrirë në tryezë, Maria kreu një gjest të përulur, që demonstroi dashurinë e saj të thellë për njeriun që kishte ringjallur vëllain e saj. Ajo theu një pagur që kishte brenda vaj të parfumuar, «shumë të shtrenjtë». Vërtet i shtrenjtë! Ai kishte vlerën e 300 denarëve, ekuivalenti i pagës së pothuajse një viti. Ajo e derdhi këtë vaj erëkëndshëm në kokën e Jezuit dhe në këmbët e tij. Madje ia thau këmbët me flokët e saj.—Marku 14:3, BR; Luka 10:38-42; Gjoni 11:38-44; 12:1-3.
14. (a) Si reaguan dishepujt ndaj gjestit të Marisë? (b) Si doli Jezui në mbrojtje të Marisë?
14 Dishepujt u indinjuan! ‘Përse ky harxhim i kotë?’—pyetën ata. Juda, duke e fshehur motivin e tij për vjedhje prapa sugjerimit për bamirësi ndaj nevojtarëve, tha: «Përse ky vaj i parfumuar të mos shitej për treqind denarë dhe ato t’u jepeshin njerëzve të varfër?» Maria qëndroi e heshtur. Por, Jezui u tha dishepujve: «Lëreni rehat atë. Përse përpiqeni ta shqetësoni? Ajo bëri një veprim të shkëlqyer [një formë e ka·losʹ] ndaj meje. . . . Ajo bëri atë që mundi; ajo mori përsipër para kohe që të vinte vaj të parfumuar në trupin tim, duke pasur parasysh varrimin. Vërtet po ju them: Kudo që lajmi i mirë të predikohet në të gjithë botën, edhe ajo që bëri kjo grua do të thuhet në kujtim të saj.» Sa duhet ta ketë qetësuar zemrën e Marisë ngrohtësia e fjalëve të Jezuit!—Marku 14:4-9, BR; Gjoni 12:4-8.
15. Pse Jezui ishte kaq i prekur nga ajo që kishte bërë Maria dhe çfarë mësojmë me anë të kësaj për shërbimin me gjithë shpirt?
15 Jezui ishte thellësisht i prekur nga ajo që kishte bërë Maria. Sipas mendimit të tij, ajo kishte kryer një vepër që meritonte të lavdërohej. Nuk ishte vlera materiale e dhuratës ajo që kishte rëndësi për Jezuin, por fakti që «ajo bëri atë që mundi». Ajo shfrytëzoi mundësinë dhe dha atë që ishte në gjendje të jepte. Përkthime të tjera i kanë përkthyer këto fjalë: «Ajo ka bërë të gjithë atë që mundi», ose «ajo ka bërë atë që ishte në fuqinë e saj të bënte». (An American Translation; The Jerusalem Bible) Ajo që dha Maria ishte me gjithë shpirt, sepse dha më të mirën e saj. Kjo është domethënia e shërbimit me gjithë shpirt.
«Dy monedhat e vogla» të një të veje
16. (a) Si arriti Jezui ta vazhgonte kontributin e një të veje të varfër? (b) Sa ishte vlera e monedhave të së vesë?
16 Dy ditë më vonë, më 11 nisan, Jezui kaloi një ditë të gjatë në tempull, ku u vu në dyshim autoriteti i tij dhe ai u dha përgjigje pyetjeve problematike në lidhje me taksat, ringjalljen dhe çështje të tjera. Ai denoncoi skribët dhe farisenjtë që, mes të tjerash, ‘gllabëronin shtëpitë e të vejave’. (Marku 12:40, BR) Pastaj Jezui zuri vend, me sa duket në Oborrin e Grave, ku, sipas traditës judaike, kishte 13 arka thesari. Ai u ul për njëfarë kohe, duke vëzhguar me kujdes ndërsa njerëzit hidhnin brenda kontributet e tyre. Erdhën shumë njerëz të pasur, disa ndoshta me një pamje prej personash që e mbajnë veten si tepër të drejtë, madje me mendjemadhësi. (Krahaso Mateun 6:2.) Vështrimi i përqendruar i Jezuit u ngulit mbi një grua të veçantë. Një sy i zakonshëm mund të mos ketë vënë re asgjë të veçantë tek ajo apo tek dhurata e saj. Por Jezui, që mundej të njihte zemrat e të tjerëve, e dinte se ajo ishte «një e ve e varfër». Ai dinte edhe sasinë e saktë të dhuratës së saj: «dy monedha të vogla, të cilat kanë një vlerë shumë të vogël».b—Marku 12:41, 42, BR.
17. Si e vlerësoi Jezui kontributin e së vesë dhe çfarë mësojmë ne, pra, në lidhje me dhënien Perëndisë?
17 Jezui i thirri pranë vetes dishepujt e tij, sepse dëshironte që ata ta shihnin drejtpërdrejt mësimin që do t’u jepte. Ajo «hodhi brenda më shumë se të gjithë ata që hedhin para në arkat e thesarit»,—tha Jezui. Sipas mendimit të tij, ajo futi më shumë se gjithë të tjerët të marrë së bashku. Ajo dha «të gjithën e asaj që kishte», pakicën e saj të fundit të parave. Duke bërë kështu, ajo e vendosi veten në duart e kujdesshme të Jehovait. Personi që u dallua kështu si një shembull në dhënien Perëndisë, është një person, dhurata e të cilit ishte pothujse pa vlerë në aspektin material. Megjithatë, në sytë e Perëndisë, ajo ishte e paçmueshme!—Marku 12:43, 44, BR; Jakovit 1:27.
Të mësojmë nga pikëpamja e Jehovait mbi shërbimin me gjithë shpirt
18. Çfarë mësojmë nga mënyra se si veproi Jezui me dy gratë?
18 Nga mënyra e veprimit të Jezuit me këto dy gra, ne nxjerrim disa mësime që të ngrohin zemrën, në lidhje me atë se si e konsideron Jehovai shërbimin me gjithë shpirt. (Gjoni 5:19) Jezui nuk e krahasoi të venë me Marinë. Ai i vlerësoi dy monedhat e së vesë jo më pak se vajin «shumë të shtrenjtë» të Marisë. Meqenëse secila nga gratë dha më të mirën e saj, në sytë e Perëndisë dhuratat e tyre ishin të dyja të vlefshme. Kështu, nëse brenda teje lindin ndjenja pavlefshmërie, sepse nuk ke mundësi të bësh të gjithë atë që dëshiron të bësh në shërbimin e Perëndisë, mos u dëshpëro. Jehovai kënaqet të pranojë më të mirën që mund t’i japësh. Mos harro se Jehovai «shikon se çfarë është zemra», kështu që është plotësisht i vetëdijshëm për dëshirat e zjarrta të zemrës sate.—1. Samuelit 16:7, BR.
19. Përse nuk duhet të jemi gjykues në lidhje me atë që po bëjnë të tjerët në shërbimin e Perëndisë?
19 Pikëpamja e Jehovait mbi shërbimin me gjithë shpirt, duhet të ndikojë në mënyrën se si e konsiderojmë dhe e trajtojmë ne njëri-tjetrin. Sa e padashur do të ishte të kritikonim përpjekjet e të tjerëve apo ta krahasonim shërbimin e një personi me atë të një tjetri! Mjerisht, një e krishterë shkroi: «Ndonjëherë disa të krijojnë përshtypjen që ose të jesh pionier, ose të mos jesh fare. Edhe ne që luftojmë për të vazhduar ‘thjesht’ si lajmëtarë të rregullt të Mbretërisë, kemi nevojë të ndihemi të vlerësuar.» Le të mos harrojmë se nuk jemi të autorizuar për të gjykuar se çfarë përbën shërbimi me gjithë shpirt për një bashkë të krishterë. (Romakëve 4:10-12) Jehovai ka për zemër shërbimin me gjithë shpirt të secilit prej miliona lajmëtarëve besimplotë të Mbretërisë dhe kështu duhet ta kemi edhe ne.
20. Çfarë është zakonisht më e mira të mendojmë për bashkëadhuruesit tanë?
20 Por, ç’të themi nëse duket se disa po bëjnë më pak se ç’mundin në shërbim? Një rënie në aktivitetin e një bashkëbesimtari, mund t’u tregojë më së miri pleqve që interesohen për të, se ai ka nevojë për ndihmë ose inkurajim. Në të njëjtën kohë, nuk duhet të harrojmë se për disa, shërbimi me gjithë shpirt mund t’i ngjajë më shumë monedhave të vogla të së vesë sesa vajit të kushtueshëm të Marisë. Zakonisht, më e mira është që të mendojmë se vëllezërit dhe motrat tona e duan Jehovain dhe se një dashuri e tillë i nxit të bëjnë sa më shumë, jo sa më pak, që mundin. Sigurisht që asnjë shërbëtor i ndërgjegjshëm i Jehovait nuk do të zgjidhte të bënte më pak sesa mundet në shërbimin e Perëndisë!—1. Korintasve 13:4, 7.
21. Çfarë karriere shpërblyese po ndjekin shumë persona dhe cilat pyetje lindin?
21 Megjithatë, për shumë persona nga populli i Perëndisë, shërbimi me gjithë shpirt ka pasur domethënien e ndjekjes së një karriere jashtëzakonisht shpërblerëse: shërbimin si pionier. Çfarë bekimesh marrin ata? Ç’të themi për ata prej nesh, që ende nuk kanë pasur mundësi të shërbejnë si pionierë? Si mund ta tregojmë frymën e pionierit? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Meqenëse Matia e zëvendësoi Judën si apostull, emri i tij, jo i Pavlit, do të shfaqej mes atyre të 12 gurëve të themelit. Megjithëse Pavli ishte apostull, nuk qe një prej të 12-ve.
b Secila prej këtyre monedhave ishte një lepton, monedha më e vogël judaike që ishte në qarkullim në atë kohë. Dy lepta ishin ekuivalenti i 1/64 së pagës ditore. Sipas Mateut 10:29, me një monedhë asarioni (ekuivalentja e tetë leptave), një person mund të blinte dy harabelë, që ishin ndër zogjtë më të lirë të përdorur për ushqim nga të varfërit. Pra, kjo e ve ishte me të vërtetë e varfër, sepse kishte vetëm gjysmën e sasisë së nevojshme për të blerë një harabel të vetëm, që mezi dilte vetëm për një vakt.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Ç’do të thotë t’i shërbesh Jehovait me gjithë shpirt?
◻ Si e tregon ilustrimi në 1. Korintasve 12:14-26 se Jehovai nuk na krahason me të tjerët?
◻ Çfarë mësojmë në lidhje me dhënien me gjithë shpirt, nga komentet e Jezuit mbi vajin e kushtueshëm të Marisë dhe dy monedhat e vogla të së vesë?
◻ Si duhet të ndikojë pikëpamja e Jehovait mbi shërbimin me gjithë shpirt në mënyrën se si e konsiderojmë njëri-tjetrin?
[Figura në faqen 15]
Maria dha më të mirën e saj, duke e parfumuar trupin e Jezuit me vaj «shumë të shtrenjtë»
[Figura në faqen 16]
Monedhat e së vesë, pothuajse pa vlerë në aspektin material, por të paçmueshme në sytë e Perëndisë