Të kultivojmë dashurinë që nuk shuhet kurrë
‘Dashuria i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.’—1 KOR. 13:7, 8.
1. (a) Si është paraqitur shpesh dashuria? (b) Për kë tregojnë dashuri shumë njerëz?
ËSHTË folur shumë për dashurinë. Kjo cilësi është lartësuar dhe përshkruar me romantizëm në këngë. Dashuria është një nevojë thelbësore e njeriut. Por shpesh librat dhe filmat e kanë paraqitur atë në histori të sajuara, dhe në treg ndodhet një sasi e pafund me materiale të tilla. Megjithatë, dashuria e vërtetë për Perëndinë dhe për të afërmin mjerisht mungon. Shohim se po ndodh ajo që Bibla kishte parathënë për këto ditë të fundit. Njerëzit janë «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, . . . kënaqësidashës në vend se perëndidashës».—2 Tim. 3:1-5.
2. Ç’paralajmërim jep Bibla në lidhje me dashurinë për gjërat e gabuara?
2 Njerëzit kanë aftësinë të shfaqin dashuri, megjithatë Fjala e Perëndisë na paralajmëron kundër dashurisë për gjërat e gabuara. Dhe Bibla përshkruan se ç’ndodh kur kjo dashuri zë rrënjë në zemrën e një njeriu. (1 Tim. 6:9, 10) A ju kujtohet se çfarë shkroi apostulli Pavël për Demën? Edhe pse kishte shoqëruar Pavlin, Dema ktheu rrugë dhe filloi të donte gjërat që ofronte bota. (2 Tim. 4:10) Apostulli Gjon i paralajmëroi të krishterët pikërisht kundër këtij rreziku. (Lexo 1 Gjonit 2:15, 16.) Dashuria për botën dhe për gjërat e udhët e saj të përkohshme, nuk përputhet me dashurinë për Perëndinë dhe për gjërat që vijnë prej tij.
3. (a) Me cilën sfidë përballemi? (b) Cilat pyetje ngre kjo?
3 Ne nuk jemi pjesë e kësaj bote, ndonëse jetojmë në të. Prandaj, përballemi me sfidën që të shmangim pikëpamjen e shtrembëruar të botës për dashurinë. Është jetësore që të mos lejojmë të biem në kurthin e dashurisë për gjërat e gabuara. Atëherë, për kë duhet të kultivojmë dhe të shfaqim dashuri të vërtetë? Cilat masa na ndihmojnë të kultivojmë atë dashuri që i qëndron çdo gjëje dhe nuk shuhet kurrë? Si na sjell dobi një udhë e tillë tani dhe si ndikon në të ardhmen tonë? Kemi nevojë të dimë pikëpamjen e Perëndisë për këto pyetje që të udhëhiqemi në përputhje me të.
Të kultivojmë dashuri për Jehovain
4. Si rritet dashuria për Perëndinë?
4 Të kultivosh, do të thotë të përgatitësh e të ndihmosh rritjen e diçkaje. Mendoni për një bujk që punon fort për të përgatitur tokën dhe për të mbjellë farën. Ai pret që fara të rritet. (Hebr. 6:7) Po kështu, edhe dashuria jonë për Perëndinë duhet të rritet. Por çfarë kërkohet nga ne? Duhet ta punojmë tokën e mirë të zemrës sonë ku është mbjellë fara e së vërtetës për Mbretërinë. Mund ta bëjmë këtë nëpërmjet studimit të zellshëm të Fjalës së Perëndisë, që të rritim njohurinë tonë për Të. (Kolos. 1:10) Edhe ndjekja dhe pjesëmarrja e rregullt në mbledhjet e kongregacionit do të na ndihmojë të rritemi në njohuri. A po bëjmë individualisht përpjekje të vazhdueshme për të marrë njohuri më të thellë?—Prov. 2:1-7.
5. (a) Si mund të mësojmë për cilësitë kryesore të Jehovait? (b) Ç’mund të thoni për drejtësinë, mençurinë dhe fuqinë e Perëndisë?
5 Nëpërmjet Fjalës së tij, Jehovai na zbulon personalitetin e vet. Duke studiuar Shkrimet dhe duke marrë gradualisht njohuri për Jehovain, mund të rritim çmueshmërinë për cilësitë e tij—drejtësinë, fuqinë, mençurinë dhe, mbi të gjitha, për dashurinë e tij të pashoqe. Jehovai shfaq drejtësi në të gjitha udhët e tij dhe në ligjin e tij të përsosur. (Ligj. 32:4; Psal. 19:7) Mund të meditojmë rreth gjithë veprave krijuese të Jehovait dhe të mahnitemi nga mençuria e tij e lartë. (Psal. 104:24) Edhe universi jep prova se Jehovai është Burimi i energjisë dinamike dhe i fuqisë së pashtershme.—Isa. 40:26.
6. (a) Si e ka shprehur Perëndia dashurinë për ne? (b) Ç’ndikim ka pasur te ti kjo dashuri?
6 Ç’mund të thuhet për cilësinë mbizotëruese të Perëndisë, dashurinë? Dashuria që shfaq Jehovai nuk është e kufizuar dhe ajo ndikon te të gjithë ne. Ai e shprehu këtë dashuri duke siguruar shpërblesën për shpengimin e njerëzimit. (Lexo Romakëve 5:8.) Kjo masë është në dispozicion për mbarë njerëzimin, por vetëm ata që i përgjigjen dashurisë së Perëndisë dhe tregojnë besim te Biri i tij, do të nxjerrin dobi prej saj. (Gjoni 3:16, 36) Fakti që ofroi Jezuin si flijim përkatës për mëkatet tona, duhet të na nxitë ta duam Perëndinë.
7, 8. (a) Çfarë kërkohet nga ne që të tregojmë dashuri për Perëndinë? (b) Pavarësisht nga cilat rrethana i zbaton populli i Perëndisë urdhërimet e Tij?
7 Si mund ta tregojmë dashurinë për Perëndinë, në përgjigje të gjithçkaje që ka bërë për ne? Është domethënëse ajo që thotë ky shkrim i frymëzuar: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjon. 5:3) Po, dashuria për Perëndinë Jehova na motivon të zbatojmë urdhërimet e tij. Kjo është një arsye pse japim dëshmi për emrin dhe Mbretërinë e tij, gjë që u sjell dobi të tjerëve. Kur e bëjmë këtë nga mbushullia e zemrës, tregojmë se i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë me një motiv të pastër.—Mat. 12:34.
8 Vëllezërit tanë në mbarë globin ngulmojnë për të zbatuar urdhërimet e Perëndisë, pavarësisht nga apatia dhe kundërshtimi i drejtpërdrejtë ndaj mesazhit për Mbretërinë. Ata nuk heqin dorë nga përpjekjet për të kryer plotësisht shërbimin e tyre. (2 Tim. 4:5) Po kështu, edhe ne nxitemi t’ua japim të tjerëve njohurinë për Perëndinë, si dhe të zbatojmë të gjitha urdhërimet e tjera të tij.
Pse e duam Zotërinë tonë Jezu Krisht?
9. (a) Çfarë përjetoi Krishti? (b) Çfarë e nxiti t’u qëndronte sprovave?
9 Përveçse duam Perëndinë, ka shumë arsye pse kultivojmë dashuri edhe për Birin e tij. Megjithëse nuk e kemi parë kurrë Jezuin, teksa mësojmë më shumë rreth tij, dashuria jonë për të thellohet. (1 Pjet. 1:8) Cilat janë disa nga gjërat që përjetoi Jezui? Ndërsa bënte vullnetin e Atit, Jezuin e urryen pa shkak, e përndoqën, e akuzuan në mënyrë të rreme, e shanë dhe e trajtuan në mënyra të tjera poshtëruese. (Lexo Gjonin 15:25.) Dashuria për Atin e tij qiellor e nxiti Jezuin t’u qëndronte këtyre sprovave. Dhe falë vdekjes së tij flijuese të motivuar nga dashuria, u sigurua një shpërblesë për shumë veta.—Mat. 20:28.
10, 11. Ç’synim kemi, duke pasur parasysh atë që bëri Krishti për ne?
10 Udha e Jezuit na nxit të veprojmë. Kur mendojmë për atë që Krishti ka bërë për ne, dashuria jonë për të thellohet. Si dishepuj të tij, duhet të kemi si synim të kultivojmë dhe të vazhdojmë të tregojmë një dashuri të tillë. Kështu do të vazhdojmë të zbatojmë urdhërimin e tij që të dëshmojmë për Mbretërinë dhe të bëjmë dishepuj.—Mat. 28:19, 20.
11 Ndërsa i përgjigjemi dashurisë së Krishtit për gjithë njerëzimin, ndiejmë detyrimin ta mbarojmë caktimin tonë para se të vijë fundi. (Lexo 2 Korintasve 5:14, 15.) Dashuria që tregoi Krishti ishte thelbësore në atë që bëri për të përmbushur qëllimin e Perëndisë për njerëzimin. Dhe modeli që na la Krishti për të ndjekur nga afër, i jep mundësi secilit prej nesh që të bëjë pjesën e vet në këtë qëllim hyjnor. Kjo kërkon të arrijmë të kultivojmë dashuri për Perëndinë në mënyrë sa më të plotë. (Mat. 22:37) Duke zbatuar atë që na mëson Jezui dhe urdhërimet e tij, tregojmë se e duam atë dhe jemi të vendosur të mbështetim sovranitetin e Perëndisë me çdo kusht, siç bëri Jezui.—Gjoni 14:23, 24; 15:10.
Të ndjekim udhën e dashurisë që i tejkalon të tjerat
12. Çfarë donte të thoshte Pavli me shprehjen «një udhë që i tejkalon të tjerat»?
12 Apostulli Pavël ishte imitues i Krishtit. Ngaqë i ndiqte nga afër gjurmët e Krishtit, Pavli kishte liri fjale kur u bëri thirrje vëllezërve që të bëheshin imitues të tij. (1 Kor. 11:1) Megjithëse i nxiti të krishterët korintas që të vazhdonin të kërkonin me zell disa dhurata të frymës që ishin shfaqur në shekullin e parë, si për shembull, shërimet dhe gjuhët e huaja, Pavli u tregoi atyre se kishte diçka më të mirë për të ndjekur. Te 1 Korintasve 12:31, ai shpjegoi: «E megjithatë, unë po ju tregoj një udhë që i tejkalon të tjerat.» Konteksti në vargjet vijuese tregon se kjo ishte udha e dashurisë. Në ç’kuptim i tejkalonte të tjerat? Pavli vazhdoi duke ilustruar se ku e kishte fjalën. (Lexo 1 Korintasve 13:1-3.) Po të kishte disa aftësi të jashtëzakonshme dhe të kryente gjëra të mëdha, por të mos kishte dashuri, ç’do të ishte? Asgjë! Ai e theksoi këtë pikë të rëndësishme i nxitur nga fryma e Perëndisë. Ç’ndikim të madh ka te ne shpjegimi i tij!
13. (a) Cili është shkrimi për vitin 2010? (b) Në ç’kuptim dashuria nuk shuhet kurrë?
13 Më pas, Pavli na jep një përkufizim se çfarë është e çfarë nuk është dashuria. (Lexo 1 Korintasve 13:4-8.) Tani, ndalu për të shqyrtuar se sa përputhesh ti me atë që kërkon dashuria. Përqendrohu kryesisht te fraza e fundit në vargun 7 dhe te fjalia e parë në vargun 8: ‘Dashuria i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.’ Ky do të jetë shkrimi për vitin 2010. Vër re se në vargun 8 Pavli tha që dhuratat e frymës, përfshirë profetizimi dhe gjuhët e huaja—të cilat u përdorën kur kongregacioni i krishterë ishte ende foshnjë—do të hiqeshin. Ato do të merrnin fund. Ndërsa dashuria do të jetë gjithnjë. Jehovai është thelbi i dashurisë dhe ai është i përjetshëm. Prandaj dashuria nuk do të shuhet kurrë. Ajo do të vazhdojë të ekzistojë përgjithmonë si një cilësi e Perëndisë tonë të përjetshëm.—1 Gjon. 4:8.
Dashuria i qëndron çdo gjëje
14, 15. (a) Si mund të na ndihmojë dashuria t’u qëndrojmë sprovave? (b) Pse një vëlla i ri nuk pranoi të bënte kompromis?
14 Çfarë i ndihmon të krishterët që të qëndrojnë pavarësisht nga çdo sprovë, situatë e vështirë dhe problem që hasin? Në thelb, është dashuria e bazuar në parime. Kjo dashuri nuk do të thotë vetëm të japësh diçka nga ana materiale. Ajo shkon deri aty sa jemi të gatshëm të ruajmë integritetin dhe madje të humbim jetën për hir të Krishtit. (Luka 9:24, 25) Mendoni për besnikërinë e Dëshmitarëve që vuajtën në kampe përqendrimi, kampe pune dhe burgje, gjatë dhe pas Luftës II Botërore.
15 Shembulli i një Dëshmitari të ri gjerman, Vilhelmit, e ilustron mirë këtë. Në vend që të bënte kompromis, ai qëndroi besnik kur u gjend përballë vdekjes nga një skuadër pushkatimi naziste. Në letrën e lamtumirës që i shkroi familjes, ai thoshte: «Mbi të gjitha duhet të duam Perëndinë, siç urdhëroi Udhëheqësi ynë Jezu Krishti. Nëse qëndrojmë në anën e tij, ai do të na shpërblejë.» Më vonë, në një artikull të Kullës së Rojës, një pjesëtare e familjes së tij shkroi: «Gjatë kohëve të turbullta, si familje kemi treguar kujdes që dashuria për Perëndinë të ishte gjithmonë në vendin e parë.» Këtë frymë tregojnë tani edhe shumë vëllezër që janë të burgosur në Armeni, Eritre, Korenë e Jugut dhe vende të tjera. Këta vëllezër po qëndrojnë të palëkundur në dashurinë e tyre për Jehovain.
16. Çfarë përjetuan vëllezërit tanë në Malavi?
16 Në shumë vende, sprova të llojeve të ndryshme vënë në provë besimin dhe qëndrueshmërinë e vëllezërve. Për 26 vjet, Dëshmitarët e Jehovait në Malavi përjetuan ndalimin qeveritar, kundërshtimin e ashpër dhe shumë mizori. Qëndrueshmëria e tyre u shpërblye. Kur nisi përndjekja, në atë vend kishte 18.000 Dëshmitarë. Tridhjetë vjet më vonë, numri i tyre ishte më shumë se dyfishi, 38.393. Rezultate të ngjashme ka pasur edhe në vende të tjera.
17. (a) Çfarë përjetojnë disa që jetojnë në familje të ndarë nga ana fetare? (b) Pse kanë arritur ta durojnë keqtrajtimin?
17 Vërtet, sulmet e drejtpërdrejta kundër popullit të Perëndisë në përgjithësi, mund të jenë të vështira. Por kur të krishterët individualisht hasin kundërshtim nga pjesëtarët e familjes, është krejt ndryshe. Familjarët ose të afërmit mund t’u shkaktojnë stres. A nuk tha Jezui se kjo do të ndodhte? Po, dhe shumë e kanë përjetuar sa të vërteta janë fjalët e tij. (Mat. 10:35, 36) Adoleshentët kanë hasur kundërshtim nga prindërit jobesimtarë. Disa madje i kanë dëbuar nga shtëpia, por Dëshmitarë të tjerë i kanë mirëpritur me dashamirësi. Të tjerë, familjarët i kanë mohuar. Çfarë i ka ndihmuar këta vëllezër të durojnë keqtrajtimin? Ishte dashuria për vëllazërinë, por mbi të gjitha ishte dashuria e sinqertë për Jehovain dhe për Birin e tij.—1 Pjet. 1:22; 1 Gjon. 4:21.
18. Në ç’mënyrë dashuria që i qëndron çdo gjëje është një ndihmë për të krishterët e martuar?
18 Ka edhe shumë situata të tjera në jetë që kërkojnë atë lloj dashurie që i qëndron çdo gjëje. Brenda lidhjes martesore, dashuria i ndihmon çiftet të respektojnë fjalët e Jezuit: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mat. 19:6) Kur përjetojnë «shtrëngim në mish», të krishterët e martuar duhet të kujtojnë se Jehovai është personi kyç në martesë. (1 Kor. 7:28) Fjala e tij thotë se ‘dashuria i qëndron çdo gjëje’ dhe një burrë e një grua që vishen me këtë cilësi, marrin forcë të qëndrojnë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin e ta ruajnë martesën e tyre të paprekur.—Kolos. 3:14.
19. Çfarë është vërejtur mes popullit të Perëndisë pas katastrofave natyrore?
19 Dashuria na ndihmon t’i qëndrojmë çdo gjëje edhe në raste katastrofash natyrore. Kështu ndodhi në kohën kur një tërmet goditi pjesën jugore të Perusë dhe uragani Katrina shkatërroi disa pjesë në juglindje të Shteteve të Bashkuara. Shumë nga vëllezërit tanë humbën shtëpitë ose gjërat materiale në këto katastrofa. Dashuria e nxiti kongregacionin mbarëbotëror t’u siguronte ndihma, dhe vullnetarët ndihmuan për të rindërtuar shtëpitë e për të riparuar Sallat e Mbretërisë. Këto vepra tregojnë se vëllezërit tanë e duan dhe kujdesen për njëri-tjetrin në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.—Gjoni 13:34, 35; 1 Pjet. 2:17.
Dashuria nuk shuhet kurrë
20, 21. (a) Përse dashuria ka vlerë të pashoqe? (b) Pse je i vendosur të ndjekësh udhën e dashurisë?
20 Mes popullit të Jehovait sot, shohim sa e mençur është të ndjekësh udhën e dashurisë. Vërtet, ajo i tejkalon të gjitha. Vini re se si apostulli Pavël theksoi këtë të vërtetë. Së pari, ai nënvizoi se dhuratat e frymës do të pushonin dhe se kongregacioni i krishterë do të kalonte fazën e foshnjërisë e do të arrinte pjekurinë. Më pas, ai përfundoi me fjalët: «Megjithatë, tani mbeten këto të tria: besimi, shpresa dhe dashuria, por më e madhja nga këto është dashuria.»—1 Kor. 13:13.
21 Në fund, gjërat te të cilat kemi besim do të bëhen realitet dhe prandaj nuk do të jetë më e nevojshme të kemi besim tek ato. Nuk do të kemi më nevojë të shpresojmë te premtimet që presim me padurim të përmbushen pasi të bëhet çdo gjë e re. Por, ç’të themi për dashurinë? Ajo nuk do të shuhet ose nuk do të marrë fund kurrë. Do të mbetet. Meqë do të kemi jetë të përhershme, me siguri do të shohim e do të kuptojmë gjithnjë e më shumë aspekte të dashurisë së Perëndisë. Duke bërë vullnetin e Perëndisë, ndërsa ndjek udhën e dashurisë që i tejkalon të tjerat e nuk shuhet kurrë, ti mund të mbetesh përgjithmonë.—1 Gjon. 2:17.
Si do të përgjigjeshit?
• Pse duhet të ruhemi nga dashuria për gjërat e gabuara?
• Cilat janë gjërat që dashuria mund të na ndihmojë t’u qëndrojmë?
• Në ç’kuptim dashuria nuk shuhet kurrë?
[Diçitura në faqen 27]
Shkrimi për vitin 2010 do të jetë: ‘Dashuria i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.’—1 Kor. 13:7, 8.
[Figura në faqen 25]
Dashuria për Perëndinë na nxit të japim dëshmi
[Figura në faqen 26]
Dashuria që nuk shuhet kurrë i ndihmoi vëllezërit dhe motrat në Malavi t’u qëndronin sprovave