Dashuria (Agape): Çfarë nuk është dhe çfarë është ajo
«Shtojini . . . dashurisë suaj të përzemërt vëllazërore, dashurinë.»—2. PJETRIT 1:5, 7, BR.
1. (a) Cilës cilësi Bibla i jep përparësi? (b) Cilat janë katër fjalët greke që shpesh janë përkthyer «dashuri» dhe cila është ajo që i referohet 1. Gjonit 4:8?
NËSE ka ndonjë virtyt apo cilësi, së cilës Fjala e Perëndisë, Bibla, i jep përparësi, kjo është dashuria. Në greqisht, gjuha origjinale e Shkrimeve të Krishtere, gjenden katër fjalë që shpesh përkthehen «dashuri». Dashuria me të cilën do të merremi tani nuk është e’ros (fjalë që nuk gjendet në Shkrimet Greke të Krishtere), që bazohet në tërheqjen seksuale; nuk është as stor·ge’, ndjenjë që bazohet në lidhjet e gjakut; nuk është as phi·li’a, dashuri e ngrohtë miqësore që bazohet në nderimin reciprok, me të cilën është marrë artikulli paraprak. Ajo fjalë është a·ga’pe—dashuri e bazuar në parim, për të cilën mund të themi se është sinonim i altruizmit, dashuria që kishte ndër mend apostulli Gjon kur tha: «Perëndia është dashuri.»—1. Gjonit 4:8.
2. Çfarë është thënë mbi dashurinë (a·ga’pe)?
2 Në lidhje me këtë dashuri (a·ga’pe), profesor Uilliam Barklei thotë: «Agapē ka të bëjë me mendjen: nuk është thjesht një ndjenjë që lind pa ftuar në zemrat tona [siç mund të ndodhë me phi·li’a-n]; është një parim, në bazë të të cilit ne jetojmë vullnetarisht. Agapē ka të bëjë mbi të gjitha me vullnetin. Ajo është një pushtim, një fitore dhe arritje. Askush nuk i ka dashur kurrë nga natyra armiqtë e tij. Të duash armiqtë e tu, është një fitore mbi të gjitha prirjet dhe emocionet personale. Kjo agapē . . . është, në fakt, forca për të dashur atë që nuk mund të duam, për të dashur njerëzit që nuk na pëlqejnë.»
3. Çfarë rëndësie i dhanë Jezu Krishti dhe Pavli dashurisë?
3 Po, midis gjërave që dallojnë adhurimin e pastër të Perëndisë Jehova prej të gjitha formave të tjera të adhurimit është rëndësia që ai i jep kësaj lloj dashurie. Me të drejtë Jezu Krishti deklaroi dy urdhrat më të mëdhenj: «I pari është, . . . ‘Duhet të duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me të gjithë forcën tënde.’ I dyti është ky: ‘Duhet të duash të afërmin tënd si veten tënde.’ Nuk ka urdhër tjetër më të madh se këta.» (Marku 12:29-31, BR) Apostulli Pavël i dha të njëjtën rëndësi dashurisë në kapitullin e 13-të të letrës së parë drejtuar korintasve. Pasi ka theksuar se dashuria ishte cilësia e parë e domosdoshme, ai përfundon duke thënë: «Megjithatë, tani mbetet besimi, shpresa, dashuria, këto të trija; por më e madhja prej tyre është dashuria.» (1. Korintasve 13:13, BR) Jezui tha me të drejtë se dashuria do të ishte shenja dalluese e ithtarëve të tij.—Gjoni 13:35.
Gjëra që dashuria nuk është
4. Sa aspekte negative dhe sa pozitive përmendi Pavli për dashurinë në 1. Korintasve 13:4-8?
4 Puna është se ka qenë më e lehtë të thuhet se çfarë nuk është dashuria, sesa të thuhet se ç’është ajo. Dhe këtu ka diçka të vërtetë, pasi apostulli Pavël në kapitullin e tij të dashurisë, 1. Korintasve 13, në vargjet 4 deri 8, përmend nëntë gjëra që dashuria nuk është dhe shtatë gjëra që ajo është.
5. Si është përcaktuar «xhelozia» dhe si është përdorur ajo pozitivisht në Shkrimet?
5 Gjëja e parë që Pavli thotë se dashuria nuk është, është se ajo «nuk është xheloze». Kjo kërkon një shpjegim të vogël, sepse xhelozia ka aspekte pozitive dhe negative. Një fjalor përcakton si xheloz një që «nuk toleron rivalitet» dhe që «kërkon devotshmëri të veçantë». Prandaj, në Të Dalët 34:14 Moisiu deklaroi: «Nuk duhet t’i përkulesh asnjë perëndie tjetër, sepse Jehovai, emri i të cilit është Xheloz, është një Perëndi xheloz.» (BR) Jehovai thotë tek Të Dalët 20:5: «Unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkon devotshmëri të veçantë.» (BR) Në mënyrë të ngjashme, apostulli Pavël shkroi: «Unë jam xheloz për ju, me një xhelozi të shenjtë.»—2. Korintasve 11:2, BR.
6. Cilët shembuj biblikë tregojnë se dashuria nuk është xheloze?
6 Megjithatë, në përgjithësi, «xhelozia» ka një ngjyrim të keq, arsye për të cilën ajo është renditur midis punëve të mishit në Galatasve 5:20. Po, një xhelozi e tillë është egoiste, shton urrejtjen dhe urrejtja është e kundërta e dashurisë. Xhelozia e bëri Kainin që ta urrente Abelin deri në atë pikë, sa ta vriste; ishte po ajo që i nxiti gjysmëvëllezërit e Jozefit që ta urrenin aq shumë atë, sa të kërkonin që ta hiqnin qafe. Dashuria nuk është një ziliqare xheloze për pasurinë apo të mirat e të tjerëve, ashtu si mbreti Akab me xhelozi i pati zili vreshtat e Nabotit.—1. Mbretërve 21:1-19.
7. (a) Cila ngjarje tregon se Jehovait nuk i pëlqen mburrja? (b) Përse dashuria nuk mburret edhe pa u menduar?
7 Më tej Pavli na thotë se dashuria «nuk mburret». Mburrja zbulon mungesë dashurie, sepse e bën dikë që të vendosë veten në një pozitë më të lartë se të tjerët. Jehovait nuk i pëlqejnë mburravecët, gjë që është e dukshme me mënyrën se si e poshtëroi Nabukodonosorin, kur ky u mburr. (Danieli 4:30-35) Mburrja bëhet shpesh pa u menduar, kur dikush kënaqet më tepër sesa duhet me arritjet apo pasuritë e veta. Disa mund të kenë prirjen për t’u lëvduar për suksesin e tyre në shërbimin e krishterë. Disa të tjerë janë si një plak kongregacioni që nuk mundi të mos u telefononte miqve të tij, për t’u thënë se kishte blerë një veturë të re që kushtonte rreth 50.000 dollarë. E gjithë kjo nuk mund të duhet, sepse e nxjerr mburravecin si më të lartë nga dëgjuesit.
8. (a) Cili është qëndrimi i Jehovait ndaj atyre që krekosen? (b) Përse dashuria nuk sillet në atë mënyrë?
8 Pastaj na thuhet se dashuria «nuk krekoset». Kush krekoset, apo është kryelartë, e ngre veten pa dashuri mbi të tjerët. Një shprehi e tillë mendore nuk është aspak e mençur, sepse «Perëndia i kundërshton kryelartët, por u jep dashamirësi të dashur të përulurve». (Jakovit 4:6, BR) Dashuria vepron në një mënyrë krejt të kundërt; ajo i konsideron të tjerët si më të mëdhenj. Pavli shkroi tek Filipianëve 2:2, 3: «Bëjeni të plotë gëzimin tim, duke qenë të një mendjeje dhe kini të njëjtën dashuri, duke qenë të bashkuar në shpirt, duke pasur të njëjtin mendim në mendje, duke mos bërë asgjë të shtyrë nga grindjet apo nga egoizmi, por me përulësi mendjeje, duke i mbajtur të tjerët më të mëdhenj se vetja.» Një qëndrim i tillë mendor i bën të tjerët që të ndihen rehat, ndërsa mburraveci, me grindjet e tij, i vë të tjerët në siklet.
9. Përse dashuria nuk sillet në mënyrë të pahijshme?
9 Më tej, Pavli thotë se dashuria «nuk sillet në mënyrë të pahijshme». Fjalori e përcakton fjalën «i pahijshëm» si «në kundërshtim me normat e përgjithshme të shoqërisë e të mirësjelljes». Kush sillet në mënyrë të pahijshme (pa dashuri) nuk i përfill ndjenjat e të tjerëve. Shumë versione të Biblës e përkthejnë këtë fjalë greke «i ashpër». Një njeri i tillë tallet me diçka që konsiderohet e përshtatshme dhe me shije të mirë. Sigurisht, konsiderimi i dashur i të tjerëve nënkupton shmangien e çdo gjëje të ashpër apo të pahijshme, gjëra që të ofendojnë dhe ndoshta mund edhe të të tronditin.
Gjëra të tjera që dashuria nuk është
10. Në ç’mënyrë dashuria nuk kërkon interesin e vet?
10 Më tej na thuhet se dashuria «nuk kërkon interesat e veta», d.m.th., kur diskutohen interesat tona personale dhe ato të të tjerëve. Apostulli deklaroi në një vend tjetër: «Askush nuk e urreu kurrë trupin e vet; por e ushqen dhe kujdeset për të.» (Efesianëve 5:29, BR) Pra, kur interesat tona konkurrojnë me interesat e ndonjë tjetri dhe në këtë mes nuk përfshihet asnjë parim biblik, duhet të veprojmë si Abrahami me Lotin, me dashuri të lëmë personin tjetër që të zgjedhë.—Zanafilla 13:8-11.
11. Çfarë do të thotë fakti se dashuria nuk zemërohet?
11 Gjithashtu, dashuria nuk fyhet lehtë. Prandaj edhe Pavli na thotë se dashuria «nuk zemërohet». Ajo nuk është sedërmadhe. Ushtron vetëkontroll. Veçanërisht të martuarit duhet ta marrin për zemër këtë paralajmërim, duke pasur kujdes që të mos e ngrenë zërin me padurim ose të mos i bërtasin njëri-tjetrit. Ka rrethana kur mund të zemërohemi lehtë dhe për këtë arsye Pavli e pa të nevojshme të këshillonte Timoteun: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por të jetë i sjellshëm me të gjithë, i aftë për të mësuar, duke e frenuar veten prej së keqes»—po, të mos zemërohet—«duke mësuar me butësi ata që nuk janë të gatshëm në mënyrë të favorshme.»—2. Timoteut 2:24, 25, BR.
12. (a) Në ç’mënyrë dashuria nuk i llogarit fyerjet? (b) Përse nuk është e mençur që të llogaritim ndonjë fyerje?
12 Duke vazhduar me gjërat që dashuria nuk është, Pavli këshillon: «Dashuria . . . nuk e llogarit fyerjen.» Kjo nuk do të thotë që dashuria nuk e kupton një fyerje. Jezui tregoi se si duhet të veprojmë kur na kanë fyer seriozisht. (Mateu 18:15-17) Por dashuria nuk do të na lejojë që të vazhdojmë të jemi të lënduar, që të ushqejmë pakënaqësi. Të mos llogaritet një fyerje do të thotë të jesh falës dhe të dish të harrosh, pasi çështja të jetë zgjidhur në një mënyrë biblike. Po, mos e torturo veten dhe mos u mjero, duke iu kthyer gjithnjë ndonjë gabimi që ke pësuar apo duke llogaritur fyerjen që mund të kenë bërë.
13. Çfarë do të thotë të mos i gëzohesh padrejtësisë dhe përse dashuria nuk i gëzohet asaj?
13 Gjithashtu, na është thënë edhe se dashuria «nuk i gëzohet padrejtësisë». Bota u gëzohet padrejtësive, siç mund të shihet nga popullariteti që gëzon dhuna, literatura, filmat dhe programet televizive pornografike. I gjithë ky gëzim është egoist, nuk përfill parimet e drejta të Perëndisë apo mirëqenien e të tjerëve. Gjithë ky gëzim egoist po mbjell nga mishi dhe në kohën e duhur nga mishi do të korrë prishjen.—Galatasve 6:8.
14. Përse mund të themi me besim se dashuria nuk dështon kurrë?
14 Dhe tani, gjëja e fundit që dashuria nuk bën: «Dashuria nuk dështon.» Para së gjithash, dashuria nuk dështon apo nuk mbaron kurrë, sepse Perëndia është dashuri dhe ai është «Mbreti i përjetësisë». (1. Timoteut 1:17) Në Romakëve 8:38, 39, kemi sigurinë se dashuria e Jehovait për ne nuk do të dështojë kurrë: «Jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e tashme, as gjërat që do të vijnë, as fuqitë, as lartësitë, as thellësitë, as edhe ndonjë krijesë tjetër nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Krishtin Jezu, Zotërinë tonë.» (BR) Gjithashtu, dashuria nuk do të dështojë kurrë pasi në të nuk janë gjetur kurrë mungesa. Dashuria nuk ndryshon në asnjë rast, në asnjë sfidë.
Gjëra që dashuria është
15. Përse Pavli e rendit shpirtmadhësinë në radhë të parë ndër aspektet pozitive të dashurisë?
15 Duke ardhur tani në krahun pozitiv, në gjërat që dashuria është, Pavli fillon: «Dashuria është shpirtmadhe.» Është thënë se pa shpirtmadhësinë nuk do të ekzistonte një diçka e tillë si vëllazëria e krishterë, pra, pa mbështetjen e durueshme të njëri-tjetrit. Dhe kjo sepse ne jemi të gjithë të papërsosur dhe papërsosmëritë dhe mungesat tona i vënë në provë të tjerët. Nuk habitemi, pra, se përse apostulli Pavël e rendit këtë aspekt të parin ndër gjërat që dashuria është!
16. Në cilat mënyra pjesëtarët e një familjeje mund të tregojnë dashamirësi për njëri-tjetrin?
16 Dashuria, pohon Pavli, është edhe «dashamirëse». Kjo do të thotë se dashuria ndihmon, mendon shumë për të tjerët dhe i mban parasysh ata. Dashamirësia e tregon veten në gjëra të mëdha dhe të vogla. Samaritani fqinj, sigurisht që tregoi dashamirësi për njeriun që i kishin zënë pusi kusarët. (Luka 10:30-37) Dashurisë i pëlqen kur thotë «të lutem». Të thuash «më jep bukën» është një urdhër. Kur i shtojmë «të lutem» bëhet një kërkesë. Burrat tregohen dashamirës me gratë e tyre kur dëgjojnë këshillën e 1. Pjetrit 3:7: «Ju burra, vazhdoni të jetoni në mënyrë të ngjashme me to sipas njohurisë, duke u dhënë atyre nder si një eneje më të dobët, asaj femërore, pasi jeni edhe bashkëtrashëgimtarë me to të favorit të pamerituar të jetës, në mënyrë që lutjet tuaja të mos pengohen.» (BR) Gratë tregohen dashamirëse me burrat e tyre kur tregojnë «respekt të thellë» për ta. (Efesianëve 5:33) Etërit tregohen dashamirës me fëmijët e tyre kur ndjekin këshillën e Efesianëve 6:4: «Ju, baballarë, mos i ngacmoni bijtë tuaj, por vazhdoni t’i rritni me disiplinën dhe normën e Jehovait.» (BR)
17. Cilat janë dy mënyrat në të cilat dashuria i gëzohet së vërtetës?
17 Dashuria nuk i gëzohet padrejtësisë, por «i gëzohet së vërtetës». Dashuria dhe e vërteta shkojnë dorë për dorë—Perëndia është dashuri dhe në të njëjtën kohë ai është «Perëndi i së vërtetës». (Psalmi 31:5) Dashuria gëzon tek sheh triumfin e së vërtetës dhe demaskimin e falsitetit; kjo tregon pjesërisht rritjen e madhe numerike që po ndodh midis adhuruesve të Jehovait sot. Megjithatë, pasi e vërteta është në kundërshtim me padrejtësinë, mund të mendojmë edhe se dashuria i gëzohet drejtësisë. Dashuria i gëzohet triumfit të drejtësisë, siç ju është urdhëruar adhuruesve të Jehovait me rënien e Babilonisë së Madhe.—Zbulesa 18:20.
18. Në çfarë kuptimi dashuria mban çdo gjë?
18 Pavli na thotë, gjithashtu, se dashuria «mban çdo gjë». Siç tregon edhe Kingdom Interlinear, mendimi është se dashuria mbulon çdo gjë. Ajo nuk e «tregon të metën» e një vëllai, siç janë të prirë për të bërë të ligjtë. (Psalmi 50:20; Proverbat 10:12; 17:9) Po, mendimi këtu është i njëjtë me atë tek 1. Pjetrit 4:8: «Dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.» (BR) Natyrisht, besnikëria nuk do ta lejojë dikë që t’ia fshehë mëkatet e rënda Jehovait dhe kongregacionit të krishterë.
19. Në çfarë kuptimi dashuria beson çdo gjë?
19 Dashuria «beson çdo gjë». Dashuria është pozitive, jo negative. Kjo nuk do të thotë se dashuria mashtrohet lehtë. Ajo nuk shpejton të besojë deklarata sensacionale. Por që dikush të ketë besim në Perëndinë, duhet të ketë vullnet për të besuar. Dashuria, pra, nuk është skeptike, nuk kritikon më kot. Ajo nuk refuzon të besojë, siç bëjnë ateistët, që pohojnë në mënyrë dogmatike se nuk ka Perëndi; nuk është as si agnosticistët që me dogma mbështetin se është e pamundur të dimë se nga kemi ardhur, përse jemi këtu dhe se si do të jetë e ardhmja. Fjala e Perëndisë na siguron në lidhje me të gjitha këto gjëra. Dashuria është, gjithashtu, e gatshme të besojë, sepse ka besim dhe nuk dyshon më kot.
20. Si lidhet dashuria me shpresën?
20 Apostulli Pavël na siguron më tej se dashuria «shpreson çdo gjë». Pasi dashuria është pozitive dhe jo negative, ajo ka një shpresë të fortë për gjithçka që ka premtuar Fjala e Perëndisë. Na thuhet: «Njeriu që lëron të lërojë me shpresë dhe ai që shin ta bëjë këtë me shpresë se do të jetë pjesëmarrës.» (1. Korintasve 9:10, BR) Përveçse beson, dashuria edhe shpreson, gjithnjë për më mirë.
21. Çfarë sigurie na japin Shkrimet se dashuria duron?
21 Së fundi, kemi sigurinë se dashuria «duron çdo gjë». Ajo mund ta bëjë këtë, sepse siç thotë apostulli Pavël në 1. Korintasve 10:13: «Vështirësitë në të cilat qetë vënë, nuk ishin jashtë masës njerëzore. Hyu është besnik. Ai nuk do të lejojë t’u shtroheni provave që i tejkalojnë fuqitë tuaja e, bashkë me prova, do t’ju japë rrugëdalje e forcë për të qëndruar.» Dashuria do të na bëjë të shohim shembujt biblikë të shërbëtorëve të Perëndisë që kanë duruar, në krye të të cilëve është Jezu Krishti, siç na kujton Hebrenjve 12:2, 3.
22. Si fëmijë të Perëndisë, shqetësimi ynë duhet të jetë për të treguar cilën cilësi primare?
22 Vërtet, dashuria (a·ga’pe) është cilësia primare që ne si të krishterë, Dëshmitarë të Jehovait, duhet të kultivojmë, si në formën e asaj që nuk është dhe në atë që është. Si fëmijë të Perëndisë, le të kemi gjithmonë shqetësimin që të shfaqim këtë fryt të frymës së Perëndisë. Duke bërë kështu do të jemi si Perëndia, sepse mos harro, «Perëndia është dashuri».
A të kujtohet?
◻ Si e treguan Jezu Krishti dhe Pavli përparësinë e dashurisë?
◻ Në çfarë kuptimi dashuria nuk është xheloze?
◻ Në ç’mënyrë «dashuria mban çdo gjë»?
◻ Përse mund të themi se dashuria nuk dështon kurrë?
◻ Cilat janë dy mënyrat në të cilat dashuria i gëzohet së vërtetës?
[Kutia në faqen 21]
DASHURIA (AGAPE)
Çfarë nuk është Çfarë është
1. Xheloze 1. Shpirtmadhe
2. Nuk mburret 2. Dashamirëse
3. Nuk krekoset 3. I gëzohet së vërtetës
4. Nuk sillet në mënyrë të pahijshme 4. Mban çdo gjë
5. Nuk kërkon interesin e vet 5. Beson çdo gjë
6. Nuk zemërohet 6. Shpreson çdo gjë
7. Nuk llogarit fyerjet 7. Duron çdo gjë
8. Nuk i gëzohet padrejtësisë
9. Nuk dështon kurrë
[Figurat në faqen 18]
Jehovai e poshtëroi Nabukodonosorin sepse ky u mburr