KAPITULLI 12
Të organizuar për t’i shërbyer ‘Perëndisë së paqes’
1, 2. Ç’ndryshim ndodhi te Kulla e Rojës e Sionit e janarit 1895 dhe si reaguan vëllezërit?
KUR mori Kullën e Rojës të Sionit të janarit 1895, Xhon A. Boneti, Student i Biblës i zellshëm, u emocionua nga ajo që pa. Revista kishte kopertinë të re që binte në sy: një far që ngrihej mbi një det të stuhishëm tek përhapte dritë në qiellin pa yje. Njoftimi në revistë për grafikën titullohej «Pamja jonë e re».
2 Vëlla Boneti i postoi një letër vëlla Rasëllit për t’i shprehur përshtypjet. Në të thoshte: «Jam i kënaqur që e shoh KULLËN të duket kaq bukur.» Një tjetër Student i Biblës besnik, Xhon H. Brauni, shkroi për kopertinën: «Është shumë tërheqëse. Mbi ç’themel të qëndrueshëm ngrihet kulla ndërsa dallgët dhe stuhitë përplasen në të?!» Kjo kopertinë e re ishte ndryshimi i parë që vëllezërit panë atë vit, por jo i fundit. Në nëntor mësuan për një ndryshim tjetër madhor. Është domethënëse që ndryshimi ishte si një det i stuhishëm.
3, 4. Çfarë problemi u trajtua në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 1895 dhe cili ndryshim i madh u njoftua?
3 Në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 1895 doli një artikull i zgjeruar që nxori sheshit një problem: dallgë të stuhishme problemesh po prishnin paqen e organizatës së Studentëve të Biblës. Vëllezërit gjithnjë e më shumë debatonin se kush duhej të ishte i pari në kongregacion. Për t’i ndihmuar vëllezërit të kuptonin se ç’duhej bërë që të ndreqej fryma përçarëse e rivalitetit, artikulli e krahasoi organizatën me një anije. Në të u pranua hapur se ata që merrnin drejtimin nuk e kishin përgatitur organizatën për motin e stuhishëm, ashtu si një anije. Çfarë duhej bërë?
4 Artikulli vuri re se një kapiten i zoti sigurohet që në bord të ketë breza shpëtimi dhe që ekuipazhi të jetë gati të mbyllë dritaret e kabinës kur të vijë stuhia. Po njësoj, ata që drejtonin organizatën duhej të siguroheshin që të gjitha kongregacionet të ishin të përgatitura për kushtet e stuhishme. Që të arrihej kjo, artikulli njoftoi një ndryshim të madh. U dha drejtimi që menjëherë «në çdo kompani të zgjidheshin pleq që ‘të mbikëqyrnin’ kopenë».—Vep. 20:28.
5. (a) Pse rregullimi i parë për pleqtë ishte një hap në kohën e duhur? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
5 Ky rregullim i parë për pleqtë ishte një hap në kohën e duhur drejt formimit të një strukture të qëndrueshme në kongregacion. Rregullimi i ndihmoi vëllezërit të lundronin nëpër dallgët e tërbuara të Luftës I Botërore. Në dekadat që pasuan, përmirësime të mëtejshme organizative e ndihmuan popullin e Perëndisë të pajisej më mirë për t’i shërbyer Jehovait. Cila profeci e Biblës i paratha këto? Cilat ndryshime organizative ke parë? Si ke nxjerrë dobi prej tyre?
«Do të caktoj paqen si mbikëqyrësin tënd»
6, 7. (a) Cili është kuptimi i Isaisë 60:17? (b) Çfarë tregon përmendja e ‘mbikëqyrësit’ dhe e ‘përgjegjësit’?
6 Siç e pamë në kapitullin 9, Isaia paratha se Jehovai do ta bekonte popullin e tij me rritje. (Isa. 60:22) Megjithatë, Jehovai premtoi se do të bënte edhe më shumë. Në të njëjtën profeci, tha: «Në vend të bakrit do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit, bakër dhe në vend të gurëve, hekur. Do të caktoj paqen si mbikëqyrësin tënd dhe drejtësinë si përgjegjësin tënd.» (Isa. 60:17) Çfarë kuptimi ka kjo profeci? Si zbatohet për ne?
Zëvendësimet janë ndryshime, jo nga materiale të këqija në të mira, por nga materiale të mira në më të mira
7 Profecia e Isaisë thotë se një material do të zëvendësohej me një tjetër. Vër re se zëvendësimet janë ndryshime, jo nga materiale të këqija në të mira, por nga materiale të mira në më të mira. Të zëvendësosh bakrin me ar do të thotë të bësh një përmirësim, dhe e njëjta gjë vlen edhe për materialet e tjera të përmendura këtu. Kështu, me këtë përshkrim, Jehovai paratha se gjendja e popullit do të përmirësohej hap pas hapi. Për cilat lloj përmirësimesh bën fjalë profecia? Kur përmendi «mbikëqyrësin» dhe «përgjegjësin», Jehovai tregoi se do të ndodhnin përmirësime graduale për mënyrën si kujdesej dhe e organizonte popullin e tij.
8. (a) Kush i ka sjell përmirësimet e përmendura te profecia e Isaisë? (b) Si nxjerrim dobi nga përmirësimet? (Shih edhe kutinë «E pranoi me përulësi ndreqjen».)
8 Kush e sjell këtë përparim organizativ? Jehovai thotë se ‘unë do të sjell ar’, ‘unë do të sjell argjend’ dhe ‘unë do të caktoj paqen’. Me të vërtetë, përmirësimet në organizimin e kongregacionit nuk i ka sjellë ndonjë forcë njerëzore, por vetë Jehovai. Që kur Jezui u emërua Mbret, Jehovai i ka sjellë këto përmirësime nëpërmjet të Birit. Si nxjerrim dobi nga këto ndryshime? I njëjti shkrim thotë se përmirësimet do të sjellin «paqen» dhe «drejtësinë». Kur pranojmë udhëheqjen e Zotit dhe bëjmë ndryshime, paqja mbizotëron mes nesh dhe dashuria për drejtësinë na motivon t’i shërbejmë Jehovait, të cilin Pavli e përshkroi si «Perëndia i paqes».—Filip. 4:9.
9. Cili është themeli i duhur për rregullin e unitetin në kongregacion dhe pse?
9 Për Jehovain, Pavli tha gjithashtu: «Perëndia nuk është një Perëndi i çrregullimit, por i paqes.» (1 Kor. 14:33) Shih se Pavli nuk e krahasoi çrregullimin me rregullin, por me paqen. Pse? Shqyrto këtë: rregulli në vetvete nuk sjell gjithmonë kushte paqësore. Për shembull, një grup ushtarësh mund të marshojë me rregull drejt frontit, por përparimi i tyre në mënyrë të rregullt sjell luftë e jo paqe. Prandaj, si të krishterë, duam të mbajmë në mendje një të vërtetë themelore: çdo organizim i rregullt që nuk ka paqen në themel, herët a vonë do të marrë fund. Krejt ndryshe, paqja hyjnore nxit atë lloj rregulli që zgjat. Prandaj, sa mirënjohës jemi që organizata jonë udhëhiqet e rafinohet nga «Perëndia që jep paqe»! (Rom. 15:33) Paqja që jep Perëndia krijon themelin për rregullin e dobishëm dhe unitetin e sinqertë që shijojmë dhe vlerësojmë kaq shumë në kongregacionet anembanë botës.—Psal. 29:11.
10. (a) Cilat përmirësime ndodhën në organizatë gjatë viteve të hershme? (Shih kutinë «Si u përmirësua mënyra e mbikëqyrjes?») (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
10 Kutia «Si u përmirësua mënyra e mbikëqyrjes?» na jep një përmbledhje të ndryshimeve të dobishme e të organizuara që ndodhën në organizatën tonë gjatë viteve të hershme. Cilat ndryshime ‘nga bakri në ar’ ka sjellë Jehovai së fundi me anë të Mbretit tonë? Në ç’mënyrë e kanë forcuar këto ndryshime në mbikëqyrje, paqen dhe unitetin e kongregacioneve anembanë botës? Si po të ndihmojnë t’i shërbesh ‘Perëndisë së paqes’?
Si e drejton Krishti kongregacionin?
11. (a) Ç’ndryshim në kuptueshmëri u arrit falë studimit të Shkrimeve? (b) Çfarë ishin të vendosur të bënin vëllezërit e trupit udhëheqës?
11 Nga viti 1964 deri më 1971, trupi udhëheqës mbikëqyri një projekt të zgjeruar të studimit të Biblës që shqyrtoi, mes shumë temash, si funksiononte kongregacioni i krishterë në shekullin e parë.a Për strukturën organizative, u mësua se, në shekullin e parë, kongregacionet mbikëqyreshin nga një trup pleqsh e jo vetëm nga një plak ose mbikëqyrës. (Lexo Filipianëve 1:1; 1 Timoteut 4:14.) Kur u kuptua më mirë kjo pikë, trupi udhëheqës dalloi se Mbreti i tyre, Jezui, po i udhëhiqte të bënin përmirësime në strukturën organizative të popullit të Perëndisë dhe vëllezërit e trupit udhëheqës ishin të vendosur t’i nënshtroheshin drejtimit të Mbretit. Menjëherë bënë ndryshime për të ndjekur modelin biblik të emërimit të pleqve. Cilat janë disa ndryshime që u bënë në fillim të viteve 70 të shekullit të 20-të?
12. (a) Cili ndryshim u bë në trupin udhëheqës? (b) Përshkruaj si është organizuar tani Trupi Udhëheqës. (Shih kutinë «Si kujdeset Trupi Udhëheqës për interesat e Mbretërisë».)
12 Ndryshimi i parë preku trupin udhëheqës. Deri në atë kohë, grupi i vëllezërve të mirosur përbëhej nga të shtatë anëtarët e këshillit drejtues të korporatës Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Mirëpo, më 1971, trupi udhëheqës u zgjerua nga 7 në 11 anëtarë dhe nuk ishte më këshilli drejtues i korporatës. Anëtarët e konsideronin veten të barabartë, dhe filluan ta zgjidhnin drejtuesin e mbledhjes së trupit udhëheqës sipas një rotacioni vjetor në rend alfabetik.
13. (a) Cili rregullim ishte në fuqi për 40 vjet? (b) Çfarë bëri Trupi Udhëheqës në vitin 1972?
13 Ndryshimi tjetër ndikoi në çdo kongregacion. Si? Nga viti 1932 deri më 1972, kongregacioni u mbikëqyr kryesisht nga një vëlla. Deri në 1936-n, ky vëlla i caktuar quhej drejtuesi i shërbimit. Më pas, emri iu ndryshua në shërbëtor kompanie, më tej shërbëtor kongregacioni dhe në fund mbikëqyrës kongregacioni. Këta vëllezër të caktuar kujdeseshin me zell për mirëqenien frymore të kopesë. Mbikëqyrësi i kongregacionit, zakonisht i merrte vendimet pa u konsultuar me shërbëtorët e tjerë të kongregacionit. Por, gjatë vitit 1972, Trupi Udhëheqës përgatiti udhën për një ndryshim historik. Ç’përfshinte ky ndryshim?
14. (a) Cili rregullim i ri hyri në fuqi më 1 tetor 1972? (b) Si e zbaton koordinatori i trupit të pleqve këshillën e Filipianëve 2:3?
14 Në vend që të shërbente vetëm një vëlla si mbikëqyrës në kongregacion, do të emëroheshin në mënyrë teokratike edhe vëllezër të tjerë të kualifikuar sipas Shkrimeve që të shërbenin si pleq të krishterë. Së bashku ata do të formonin një trup pleqsh që do të mbikëqyrte kongregacionin. Rregullimi i ri për pleqtë hyri në fuqi më 1 tetor 1972. Sot koordinatori i trupit të pleqve nuk e sheh veten si i pari mes të barabartëve, por «si më i vogli». (Luka 9:48) Ç’bekim janë këta vëllezër të përulur për vëllazërinë mbarëbotërore!—Filip. 2:3.
Kuptohet, Mbreti me mençuri u siguroi dishepujve të tij barinjtë e nevojshëm në kohën e duhur
15. (a) Ç’dobi kanë ardhur nga rregullimi që kongregacionet të kenë një trup pleqsh? (b) Çfarë tregon se Mbreti ynë ka vepruar me mençuri?
15 Rregullimi për të ndarë përgjegjësitë e kongregacionit midis anëtarëve të trupit të pleqve ka dalë përmirësim i jashtëzakonshëm. Të shohim tri dobi: e para dhe më e rëndësishmja, ky rregullim i ndihmon të gjithë pleqtë, pavarësisht sa të rëndësishme janë përgjegjësitë që kanë në kongregacion, të jenë shumë të vetëdijshëm se Jezui është Kreu i kongregacionit. (Efes. 5:23) E dyta, siç thuhet te Proverbat 11:14: «Aty ku ka shumë këshilltarë, ka shpëtim» ose sukses. Kur pleqtë konsultohen bashkë për çështje që ndikojnë në mirëqenien frymore të kongregacionit dhe mbajnë parasysh sugjerimet e njëri-tjetrit, kjo i ndihmon të marrin vendime sipas parimeve biblike. (Prov. 27:17) Jehovai i bekon këto vendime që çojnë në sukses. E treta, duke pasur më shumë vëllezër të kualifikuar që shërbejnë si pleq, organizata ka qenë në një hap me nevojën në rritje për mbikëqyrje dhe për kujdes baritor nëpër kongregacione. (Isa. 60:3-5) Mendo për këtë: numri i kongregacioneve anembanë botës u rrit nga mbi 27.000 më 1971, në më shumë se 113.000 më 2013! Kuptohet, Mbreti me mençuri ka siguruar barinjtë e nevojshëm për dishepujt e tij në kohën e duhur.—Mik. 5:5.
«Duke u bërë shembuj për kopenë»
16. (a) Çfarë përgjegjësie kanë pleqtë? (b) Si e konsideronin Studentët e Biblës këshillën e Jezuit për t’i ‘kullotur delet’?
16 Në kohët e hershme të Studentëve të Biblës, pleqtë tashmë e kishin kuptuar përgjegjësinë për t’i ndihmuar bashkëbesimtarët të qëndronin shërbëtorë të Zotit. (Lexo Galatasve 6:10.) Një artikull i Kullës së Rojës (angl.), më 1908 trajtoi këshillën e Jezuit: «Kulloti delet e mia të vogla.» (Gjoni 21:15-17) Artikulli u tha pleqve: «Është shumë e rëndësishme që detyrën e ngarkuar nga Zotëria për sa i përket kopesë ta kemi kryesore në zemrat tona, dhe me të drejtë ta konsiderojmë privilegj të madh t’i ushqejmë e të kujdesemi për dishepujt e Zotërisë.» Në vitin 1925, Kulla e Rojës (angl.) theksoi përsëri rëndësinë e të shërbyerit si barinj duke iu kujtuar pleqve: «Kisha e Zotit është prona e tij, . . . dhe ai do t’i konsiderojë përgjegjës të gjithë ata që kanë privilegjin t’u shërbejnë vëllezërve.»
17. Si janë ndihmuar mbikëqyrësit të bëhen barinj të zotë?
17 Si i ka ndihmuar organizata e Jehovait pleqtë t’i përmirësojnë aftësitë e tyre baritore nga ‘hekur në argjend’? Falë stërvitjes. Më 1959, u mbajt për herë të parë Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë për mbikëqyrësit. Një orë mësimi trajtoi argumentin «Kushtojini vëmendje secilit». Këta vëllezër përgjegjës u nxitën të bënin «një program për të vizituar lajmëtarët në shtëpitë e tyre». Ky mësim paraqiti mënyra të ndryshme si barinjtë mund t’i bënin ndërtuese vizitat. Në 1966-n filloi kursi i përditësuar i Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë. Në kurs u trajtua tema «Rëndësia e veprës baritore». Cila ishte pika kryesore? Ata që merrnin drejtimin duhej të tregonin kujdes të dashur për kopenë e Zotit, si edhe t’u kushtonin vëmendjen e nevojshme atyre të shtëpisë së vet dhe shërbimit në fushë. Vitet e fundit janë mbajtur më shumë shkolla për pleqtë. Cili ka qenë rezultati i stërvitjes së vazhdueshme që ka siguruar organizata e Jehovait? Sot, kongregacioni i krishterë ka mijëra vëllezër të kualifikuar që shërbejnë si barinj frymorë.
18. (a) Cila përgjegjësi e rëndësishme u është besuar pleqve? (b) Pse Jehovai dhe Jezui kanë përzemërsi për pleqtë e palodhur?
18 Pleqtë e krishterë i ka caktuar Jehovai përmes Mbretit tonë, Jezuit, të kryejnë një detyrë të rëndësishme. Cilën? T’i drejtojnë delet e Perëndisë gjatë kohëve më kritike të historisë njerëzore. (Efes. 4:11, 12; 2 Tim. 3:1) Jehovai dhe Jezui kanë përzemërsi të thellë për pleqtë e palodhur, sepse këta vëllezër i binden këshillës biblike: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, . . . vullnetarisht, . . . me gatishmëri, . . . duke u bërë shembuj për kopenë.» (1 Pjet. 5:2, 3) Të shqyrtojmë dy nga shumë mënyrat si barinjtë e krishterë janë shembuj për kopenë dhe i kontribuojnë jashtëzakonisht paqes dhe gëzimit në kongregacion.
Si e kullotin sot pleqtë kopenë e Perëndisë?
19. Si ndihemi për pleqtë që dalin me ne në shërbim?
19 Së pari, pleqtë bashkëpunojnë me pjesëtarët e kongregacionit. Shkrimtari i Ungjillit, Luka, tha për Jezuin: «Ai nisi të shkonte nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë. Bashkë me të ishin edhe dymbëdhjetë dishepujt.» (Luka 8:1) Ashtu si Jezui predikoi me apostujt, po kështu pleqtë shembullorë punojnë krah për krah me bashkëbesimtarët në veprën e predikimit. Ata e kuptojnë se kështu, i kontribuojnë shumë frymës së shëndetshme të kongregacionit. Si ndihen pjesëtarët e kongregacionit për pleq të tillë? Zhanina, motër në fund të të 80-ave, vëren: «Të punoj me një plak në shërbim më jep mundësi të shkëlqyer të bisedoj e ta njoh më mirë.» Stiveni, vëlla në mes të të 30-ave, thotë: «Kur një plak punon me mua në shërbimin shtëpi më shtëpi, e ndiej se dëshiron të më ndihmojë. Kur marr këtë lloj ndihme, më shtohet shumë gëzimi.»
20, 21. Si mund ta imitojnë pleqtë bariun në shëmbëlltyrën e Jezuit? Jep një shembull. (Shih edhe kutinë «Vizita javore të frytshme».)
20 Së dyti, organizata e Jehovait i ka stërvitur pleqtë të interesohen për ata që kanë humbur lidhjet me kongregacionin. (Hebr. 12:12) Pse duhet t’i ndihmojnë pleqtë të dobëtit frymësisht dhe si duhet ta bëjnë këtë? Shëmbëlltyra e Jezuit për bariun dhe delen e humbur na jep përgjigjet. (Lexo Lukën 15:4-7.) Kur bariu në shëmbëlltyrë dallon që një dele mungon, kërkon për delen e humbur sikur të kishte vetëm atë. Si e imitojnë pleqtë e krishterë shembullin e bariut? Ashtu si delja e humbur mbetet e çmuar në sytë e bariut, edhe ata që kanë humbur lidhjet me popullin e Perëndisë mbeten të çmuar në sytë e pleqve. Ata e shohin një individ të dobët frymësisht si dele të humbur, jo si rast të humbur a të pashpresë. Për më tepër, ashtu si bariu vendos «të shkojë pas së humburës derisa ta gjejë», po njësoj pleqtë marrin iniciativën t’i gjejnë e t’i ndihmojnë të dobëtit.
21 Çfarë bën bariu në shëmbëlltyrë kur e gjen delen? Me butësi e ngre dhe «e vë mbi supe», pastaj e kthen në kope. Po njësoj, meraku i sinqertë i një plaku mund ta ngrejë me butësi të dobëtin frymësisht dhe ta ndihmojë të kthehet në kongregacion. Kjo i ndodhi Viktorit, vëlla nga Afrika që nuk u shoqërua më me kongregacionin. Ai tregon: «Gjatë tetë viteve që isha joaktiv, pleqtë u përpoqën të më ndihmonin.» Çfarë e preku veçanërisht? Ai shpjegon: «Një ditë, Xhoni, plak me të cilin kisha bërë Shkollën e Shërbimit për Pionierë, gjeti kohë të më vizitonte dhe më tregoi disa foto që kishim bërë gjatë shkollës. Ato më sollën ndër mend aq shumë kujtime të mrekullueshme, sa fillova të kisha mall për kohët e gëzuara në shërbim të Jehovait.» Pak kohë pas vizitës së Xhonit, Viktori u kthye në kongregacion. Tani shërben prapë si pionier. Po, pleqtë e kujdesshëm të krishterë i kontribuojnë goxha gëzimit tonë.—2 Kor. 1:24.b
Përmirësimi në mbikëqyrje forcon unitetin mes popullit të Perëndisë
22. Si e forcojnë drejtësia dhe paqja, unitetin e kongregacionit të krishterë? (Shih edhe kutinë «U mahnitëm».)
22 Siç u përmend më parë, Jehovai paratha se drejtësia dhe paqja do të shtoheshin vazhdimisht mes popullit të Perëndisë. (Isa. 60:17) Të dyja këto cilësi e forcojnë unitetin e kongregacionit. Si? Për sa i përket drejtësisë, «Perëndia . . . është një Jehova». (Ligj. 6:4) Normat e tij të drejta nuk ndryshojnë nga kongregacionet e një vendi në kongregacionet e një vendi tjetër. Jo, normat e tij për të drejtën dhe të gabuarën janë një, dhe ato janë të njëjta për «të gjitha kongregacionet e të shenjtëve». (1 Kor. 14:33) Prandaj, kongregacioni lulëzon nëse zbatohen normat e Perëndisë. Për sa i përket paqes, Mbreti ynë nuk do vetëm që të kemi paqe, por edhe të jemi ‘paqebërës’. (Mat. 5:9) Për më tepër, «ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes». Marrim iniciativën t’i zgjidhim vështirësitë që me raste lindin mes nesh. (Rom. 14:19) Në këtë mënyrë, i kontribuojmë qoftë paqes, qoftë unitetit në kongregacion.—Isa. 60:18.
23. Çfarë gëzojmë sot si shërbëtorë të Jehovait?
23 Kur Kulla e Rojës e nëntorit 1895 (angl.) njoftoi rregullimin e parë për pleqtë, vëllezërit përgjegjës gjithashtu shprehën dëshirën e tyre të sinqertë. Cila ishte kjo? Donin dhe u lutën që ky rregullim i ri organizativ ta ndihmonte popullin e Perëndisë të hynte «menjëherë në unitetin e besimit». Kur mendojmë për dekadat e kaluara, me mirënjohje vërejmë se rafinimet graduale në mbikëqyrje, që Jehovai i solli me anë të Mbretit tonë, në të vërtetë na e kanë forcuar unitetin e adhurimit. (Psal. 99:4) Si rezultat, sot i gjithë populli i Jehovait anembanë botës gëzon ndërsa ecën «në të njëjtën frymë», ndjek «të njëjtat gjurmë» dhe i shërben ‘Perëndisë së paqes’ «sup më sup».—2 Kor. 12:18; lexo Sofoninë 3:9.
a Rezultatet e këtyre kërkimeve të zgjeruara u botuan në veprën e referimit Ndihmë për të kuptuar Biblën, angl.
b Shih artikullin «Pleqtë e krishterë—‘Bashkëpunëtorë për gëzimin tonë’» në Kullën e Rojës të 15 janarit 2013.