ARTIKULLI I STUDIMIT 49
Ringjallja —Një shpresë e sigurt!
«Kam shpresë te Perëndia, . . . se do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.»—VEP. 24:15.
KËNGA 151 Ati ynë do të thërrasë
PËRMBLEDHJEa
1-2. Cilën shpresë të mrekullueshme kanë adhuruesit e vërtetë?
ËSHTË shumë e rëndësishme të shpresojmë te diçka. Disa shpresojnë të kenë një martesë të lumtur, të rritin fëmijë të shëndetshëm ose të shërohen nga një sëmundje e rëndë. Ndoshta edhe ne shpresojmë t’i kemi këto. Por si shërbëtorë të Jehovait, shpresa jonë përfshin shumë më tepër—përfshin të ardhmen tonë të përhershme dhe të ardhmen e njerëzve të dashur që na kanë vdekur.
2 Apostulli Pavël tha: «Kam shpresë te Perëndia . . . se do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» (Vep. 24:15) Pavli nuk ishte i pari që e përmendi shpresën e ringjalljes. Edhe patriarku Job foli për këtë. Ai ishte i sigurt se Perëndia do ta kujtonte dhe do ta kthente në jetë.—Jobi 14:7-10, 12-15.
3. Si mund të nxjerrim dobi nga kapitulli 15 i 1 Korintasve?
3 ‘Ringjallja e të vdekurve’ është një ‘doktrinë fillestare’, është pjesë e ‘themelit’ të të gjitha mësimeve të krishtere. (Hebr. 6:1, 2) Diskutimi i Pavlit për ringjalljen është dokumentuar te kapitulli 15 i 1 Korintasve. Ajo që shkroi, duhet t’u ketë dhënë zemër të krishterëve në shekullin e parë. Ky kapitull mund të na inkurajojë edhe ne e mund të na e bëjë më të fortë shpresën e ringjalljes, që ndoshta e mbajmë në zemër prej vitesh.
4. Cili është themeli i shpresës sonë për njerëzit e dashur që na kanë vdekur?
4 Ringjallja e Jezu Krishtit është boshti i shpresës sonë për njerëzit e dashur që na kanë vdekur. Ringjallja e tij ishte pjesë e ‘lajmit të mirë’ që u shpalli Pavli korintasve. (1 Kor. 15:1, 2) Madje, siç tha ai, nëse një i krishterë nuk besonte te ringjallja, besimi i tij ishte i kotë. (1 Kor. 15:17) Besimi te ringjallja e Jezuit është themeli i shpresës sonë se do të ketë një ringjallje në të ardhmen.
5-6. Çfarë domethënie kanë për ne fjalët e 1 Korintasve 15:3, 4?
5 Në fillim të diskutimit të tij për ringjalljen, Pavli përmendi këto tri të vërteta: (1) «Krishti vdiq për mëkatet tona.» (2) Ai «u varros». (3) Ai «u ngrit nga të vdekurit ditën e tretë, sikurse thonë Shkrimet».—Lexo 1 Korintasve 15:3, 4.
6 Çfarë rëndësie kanë për ne vdekja, varrosja dhe ringjallja e Jezuit? Profeti Isaia paratha se Mesia ‘do të hiqej nga vendi i të gjallëve’ dhe ‘varri do t’i jepej mes të ligjve’. Por do të ndodhte edhe diçka tjetër. Isaia shtoi se Mesia do të mbartte «mëkatin e shumë njerëzve». Jezui e bëri këtë kur dha jetën si shpërblesë. (Isa. 53:8, 9, 12; Mat. 20:28; Rom. 5:8) Pra vdekja, varrosja dhe ringjallja e Jezuit janë një themel i fortë për shpresën tonë që të çlirohemi nga mëkati e vdekja dhe të bashkohemi sërish me njerëzit tanë të dashur që s’janë më në jetë.
DËSHMI NGA SHUMË DËSHMITARË OKULARË
7-8. Pse jemi të sigurt se Jezui u ringjall?
7 Meqë shpresa jonë për ringjalljen lidhet me ringjalljen e Jezuit, para së gjithash duhet të jemi të bindur se Jezui u ringjall. Pse jemi të sigurt se Jehovai e ktheu në jetë Jezuin?
8 Kishte shumë dëshmitarë okularë që dëshmuan se Jezui ishte ringjallur. (1 Kor. 15:5-7) I pari që përmendi Pavli ishte apostulli Pjetër (Kefa). E një grup dishepujsh e konfirmuan që Pjetri kishte parë Jezuin e ringjallur. (Luka 24:33, 34) Veç kësaj, ‘të Dymbëdhjetët’, apostujt, e panë Jezuin pasi u kthye në jetë. Pastaj Krishti «iu shfaq njëkohësisht më shumë se 500 vëllezërve», ndoshta në mbledhjen e bukur që u mbajt në Galile, e cila përmendet te Mateu 28:16-20. Gjithashtu, Jezui «iu shfaq Jakovit», me sa duket gjysmëvëllait të tij, që më parë nuk kishte treguar besim te Jezui si Mesia. (Gjoni 7:5) Pasi e pa Jezuin të ringjallur, Jakovi u bind. Është domethënëse që, kur Pavli shkroi këtë letër rreth vitit 55 të e.s., ishin gjallë shumë dëshmitarë okularë të ringjalljes së Jezuit, prandaj kushdo që kishte dyshime, mund të fliste me dëshmitarë të besueshëm.
9. Siç tregon Veprat 9:3-5, pse Pavli mund të jepte edhe vetë dëshmi se Jezui ishte ringjallur?
9 Më vonë, Jezui iu shfaq edhe vetë Pavlit. (1 Kor. 15:8) Pavli (Sauli) po udhëtonte për në Damask kur dëgjoi zërin e Jezuit të ringjallur dhe e pa në vegim në lavdinë e tij qiellore. (Lexo Veprat 9:3-5.) Përvoja e Pavlit iu shtua dëshmive që tregonin se ringjallja e Jezuit nuk ishte një mit.—Vep. 26:12-15.
10. Pasi u bind se Jezui ishte ringjallur, çfarë u nxit të bënte Pavli?
10 Dëshmia e Pavlit do t’u ketë ngjallur goxha interes disave, ngaqë dikur ai i përndiqte të krishterët. Pasi u bind se Jezui ishte ringjallur, Pavli u përpoq me mish e me shpirt të bindte të tjerët për këtë të vërtetë. Ai duroi të rrahura e burgosje dhe iu shkatërrua anija ndërsa predikonte të vërtetën se Jezui kishte vdekur por ishte kthyer në jetë. (1 Kor. 15:9-11; 2 Kor. 11:23-27) Pavli ishte aq i sigurt se Jezui ishte ringjallur, sa ishte gati të vdiste për të mbrojtur bindjen e tij. A nuk të bindin këto dëshmi nga dëshmitarë okularë se Jezui u kthye në jetë? A nuk ta forcojnë besimin se do të ketë një ringjallje në të ardhmen?
U NDREQËN PIKËPAMJET E GABUARA
11. Pse disa të krishterë në Korint mund të kenë pasur pikëpamje të gabuara për ringjalljen?
11 Disa të krishterë në qytetin grek të Korintit kishin pikëpamje të gabuara për ringjalljen, madje deri në atë pikë sa thoshin se «nuk ka ringjallje të të vdekurve». Pse? (1 Kor. 15:12) Filozofët e Athinës talleshin me idenë se Jezui ishte ringjallur, e ai mentalitet mund të kishte ndikuar te disa në Korint. (Vep. 17:18, 31, 32) Të tjerë ndoshta mendonin se ringjallja nuk ishte reale, por e figurshme, pra dikush që kishte qenë «i vdekur» për shkak të mëkatit, ishte «i gjallë» pasi bëhej i krishterë. Cilado të ishte arsyeja, për sa kohë që mohonin ringjalljen, besimi i tyre ishte i kotë. Nëse Perëndia nuk e kishte ringjallur Jezuin, atëherë nuk ishte paguar asnjë shpërblesë, dhe të gjithë mbeteshin në vargonjtë e mëkatit. Pra, ata që e hidhnin poshtë mësimin e ringjalljes, nuk kishin shpresë të vërtetë.—1 Kor. 15:13-19; Hebr. 9:12, 14.
12. Siç tregon 1 Pjetrit 3:18, 22, si ndryshonte ringjallja e Jezuit nga ringjalljet e mëparshme?
12 Pavli e kishte parë vetë se ‘Krishti ishte ringjallur’. Ringjallja e Jezuit ishte më e mirë se ringjalljet e mëparshme, pasi ata që ishin ringjallur, kishin vdekur prapë më vonë. Pavli e quajti Jezuin «fryti i parë i atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes». Në ç’kuptim ishte i pari Jezui? Ai ishte i pari që u ringjall si krijesë qiellore dhe ishte njeriu i parë që shkoi në qiell.—1 Kor. 15:20; Vep. 26:23; lexo 1 Pjetrit 3:18, 22.
ATA QË «DO TË MARRIN JETË»
13. Cilin kontrast bëri Pavli mes Adamit dhe Jezuit?
13 Si është e mundur që vdekja e një njeriu të vetëm t’u japë jetë miliona njerëzve? Pavli i dha përgjigje logjike kësaj pyetjeje. Ai bëri kontrastin mes pasojave që pati njerëzimi për shkak të Adamit dhe asaj që do të bëhet e mundur falë Krishtit. «Vdekja erdhi nëpërmjet një njeriu»,—shkroi Pavli duke folur për Adamin. Kur mëkatoi, Adami i solli shkatërrim vetes dhe pasardhësve të tij. Sot e kësaj dite vuajmë pasojat e tmerrshme të mosbindjes së Adamit. Sa ndryshe është e ardhmja fantastike që mund të gëzojmë ngaqë Perëndia ringjalli Birin e tij! «Edhe ringjallja e të vdekurve vjen nëpërmjet një njeriu», Jezuit. Pavli arsyetoi: «Për shkak të Adamit të gjithë po vdesin, por falë Krishtit të gjithë do të marrin jetë.»—1 Kor. 15:21, 22.
14. A do të ringjallet Adami? Shpjegoni.
14 Ç’donte të thoshte Pavli kur shkroi se «për shkak të Adamit të gjithë po vdesin»? Pavli e kishte fjalën për gjithë pasardhësit e Adamit, të cilët trashëgojnë nga ai mëkatin dhe papërsosmërinë, e si përfundim vdesin. (Rom. 5:12) Adami nuk është mes atyre që «do të marrin jetë». Shpërblesa e Krishtit nuk do të zbatohet për të, sepse Adami ishte një njeri i përsosur që me dashje nuk iu bind Perëndisë. Fundi i tij është njësoj si fundi i atyre që «Biri i njeriut» do t’i gjykojë si ‘cjep’, pra ‘vdekja e përhershme’.—Mat. 25:31-33, 46; Hebr. 5:9.
15. Cilët përfshihen te «të gjithë» ata që «do të marrin jetë»?
15 Vër re se Pavli tha që «falë Krishtit të gjithë do të marrin jetë». (1 Kor. 15:22) Letra e Pavlit u drejtohej të mirosurve në Korint që do të ringjalleshin për të jetuar në qiell. Ata të krishterë ‘ishin shenjtëruar në unitet me Krishtin Jezu dhe ishin thirrur për të qenë të shenjtë’. Gjithashtu, Pavli përmendi «ata që kanë rënë në gjumin e vdekjes në unitet me Krishtin». (1 Kor. 1:2; 15:18; 2 Kor. 5:17) Në një letër tjetër të frymëzuar, Pavli shkroi se ata që ‘janë bashkuar me Jezuin në një vdekje si e tija, do të bashkohen me të edhe në një ringjallje si e tija’. (Rom. 6:3-5) Jezui u ringjall si krijesë qiellore dhe shkoi në qiell. Prandaj, njësoj do të ndodhë me të gjithë ata që janë «në unitet me Krishtin», domethënë me të gjithë të mirosurit.
16. Çfarë donte të thoshte Pavli kur e quajti Jezuin «fryti i parë»?
16 Pavli shkroi se Krishti u ringjall si «fryti i parë i atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes». E dimë që disa, si për shembull Lazari, ishin kthyer në jetë në tokë. Ama Jezui ishte i pari që u ringjall si krijesë qiellore dhe që mori jetën e përhershme. Ai mund të krahasohej me frytin e parë të prodhimeve që izraelitët ia paraqitnin si blatim Perëndisë. Veç kësaj, duke e quajtur Jezuin «fryti i parë», Pavli po thoshte se do të ringjalleshin edhe të tjerë pas tij për të jetuar në qiell. Në kohën e duhur, apostujt dhe të tjerët «në unitet me Krishtin» do të ringjalleshin në mënyrë të ngjashme me Jezuin.
17. Kur do ta merrnin shpërblimin qiellor ata që janë «në unitet me Krishtin»?
17 Në kohën kur Pavli u shkroi korintasve, nuk kishte filluar akoma ringjallja qiellore e atyre që janë «në unitet me Krishtin». Pavli shpjegoi se ajo do të ndodhte në të ardhmen, kur shkroi: «Secili sipas radhës: Krishti, fryti i parë, pastaj, gjatë pranisë së Krishtit, ata që i përkasin atij.» (1 Kor. 15:23; 1 Sel. 4:15, 16) Sot jetojmë gjatë «pranisë» së parathënë të Krishtit. Pra, kaluan shekuj të tërë derisa erdhi ajo periudhë, dhe apostujt e të mirosur të tjerë që vdiqën, morën shpërblimin qiellor e ‘u bashkuan me Jezuin në një ringjallje si e tija’.
SHPRESA JOTE ËSHTË E SIGURT!
18. (a) Pse mund të nxjerrim përfundimin se do të ndodhë një ringjallje tjetër pas ringjalljes qiellore? (b) Siç tregon 1 Korintasve 15:24-26, çfarë do të ndodhë në qiell?
18 Bibla thotë se Pavli dhe të tjerët që shkojnë në qiell, «kthehen në jetë në ringjalljen e parë». (Filip. 3:11) A nuk tregon kjo se pas saj do të ndodhë një ringjallje tjetër? Kjo është në harmoni me atë që tha Jobi për të ardhmen e tij. (Jobi 14:15) Kur Jezui të asgjësojë çdo qeveri, autoritet dhe fuqi, «ata që i përkasin» do të jenë në qiell me të. Edhe «armiku i fundit . . . vdekja» do të asgjësohet. Vdekja e trashëguar nuk do të ketë më pushtet mbi ata që ringjallen në qiell. Por ç’do të ndodhë me të gjithë ata shërbëtorë besnikë të Perëndisë që nuk kanë shpresën të jetojnë në qiell me Krishtin?—Lexo 1 Korintasve 15:24-26.
19. Çfarë mund të presin ata që nuk kanë shpresën qiellore?
19 Çfarë mund të presin ata që nuk kanë shpresën qiellore? Ata shpresojnë të ndodhë ajo që shkroi Pavli: «Kam shpresë . . . se do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» (Vep. 24:15) Dihet që asnjë i padrejtë nuk mund të hyjë në qiell, prandaj këto fjalë tregojnë se në të ardhmen do të ndodhë një ringjallje në tokë.
20. Si ta ka forcuar shpresën e ringjalljes kapitulli 15 i 1 Korintasve?
20 S’ka pikë dyshimi se ‘do të ketë një ringjallje’! Ata që do të kthehen në jetë në tokë, do të kenë perspektivën të jetojnë përgjithmonë në të. Mund të kesh besim të plotë te ky premtim! Kjo shpresë mund të ta ngushëllojë zemrën kur mendon për njerëzit e tu të dashur që kanë vdekur. Ata mund të kthehen në jetë në kohën kur Krishti dhe të tjerë bashkë me të «do të mbretërojnë . . . për 1.000 vjet». (Zbul. 20:6) E nëse ndodh të vdesësh para se të fillojë Mijëvjeçari, edhe ti mund të kesh shpresë e besim të patundur se e ardhmja jote është e sigurt. Kjo ‘shpresë nuk të zhgënjen’. (Rom. 5:5) Ajo mund të ta mbajë zemrën të fortë sot e të ta shtojë gëzimin ndërsa i shërben Perëndisë. Por mund të mësojmë akoma më shumë nga kapitulli 15 i 1 Korintasve, siç do ta shohim në artikullin tjetër.
KËNGA 147 Jeta pa fund nuk është ëndërr
a Kapitulli 15 i 1 Korintasve përqendrohet te ringjallja. Pse është i rëndësishëm për ne mësimi i ringjalljes? Pse jemi të sigurt se Jezui u ringjall? Këto janë vetëm dy nga pyetjet e rëndësishme për ringjalljen që do të marrin përgjigje në artikull.
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui ishte i pari që shkoi në qiell. (Vep. 1:9) Ndër dishepujt që u bashkuan më vonë me të në qiell, janë: Thomai, Jakovi, Lidia, Gjoni, Maria dhe Pavli.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëllai i ka vdekur gruaja e tij e dashur, me të cilën i kishte shërbyer Jehovait për vite të tëra. Ai ka besim të plotë se ajo do të ringjallet dhe vazhdon t’i shërbejë Jehovait me besnikëri.