Paqe për një mijë vjet—E më tej!
«Që Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë.»—1 KOR. 15:28.
1. Cila perspektivë emocionuese shtrihet para ‘shumicës së madhe’?
A I IMAGJINON dot gjithë të mirat që mund të bëjë për nënshtetasit e saj një qeveri e fuqishme nën drejtimin e një udhëheqësi të drejtë e të dhembshur për një mijë vjet? Ngjarje të mrekullueshme shtrihen para ‘shumicës së madhe’ të panumërt—të mbijetuarve të ‘shtrëngimit të madh’, i cili do t’i japë fund njëherë e mirë sistemit të sotëm të lig.—Zbul. 7:9, 14.
2. Çfarë kanë përjetuar njerëzit gjatë 6.000 viteve të kaluara?
2 Gjatë 6.000 viteve të historisë njerëzore, njerëzit janë përpjekur të jenë të pavarur nga Perëndia e të sundojnë vetë. Kjo i ka sjellë mjaft dhembje e vuajtje njerëzimit. Shumë kohë më parë, Bibla thoshte: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.» (Ekl. 8:9) Çfarë shohim sot? Përveç luftërave dhe kryengritjeve, janë problemet rrënuese të varfërisë, sëmundjet, shkatërrimi i mjedisit, ndryshimi i klimës etj. Zyrtarë qeveritarë kanë paralajmëruar që pasojat do të jenë shkatërrimtare nëse nuk bëjmë ndryshime të mëdha e vazhdojmë të dëmtojmë tokën.
3. Çfarë do të bëjë të mundur Mbretërimi Mijëvjeçar?
3 Nën udhëheqjen e Mbretit mesianik, Jezu Krishtit, dhe të 144.000 bashkësundimtarëve të tij, Mbretëria e Perëndisë do të ndërmarrë hapa të njëpasnjëshëm që të zhbëjë tërë dëmin që kanë pësuar njerëzit dhe shtëpia e tyre, planeti Tokë. Mbretërimi Mijëvjeçar do të bëjë të mundur plotësimin e këtij premtimi nga Perëndia Jehova që të ngroh zemrën: «Unë po krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re. Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër.» (Isa. 65:17) Cilat ngjarje të mrekullueshme na presin, ndonëse nuk shihen? Me ndihmën e Fjalës profetike të Perëndisë, le t’u hedhim një vështrim gjërave të mrekullueshme që «nuk shihen» ende.—2 Kor. 4:18.
‘DO TË NDËRTOJNË SHTËPI E DO TË MBJELLIN VRESHTA’
4. Me cilat kushte strehimi përballet shumica e njerëzve sot?
4 Cilit nuk do t’i pëlqente të kishte një shtëpi të tijën, një vend ku ai me familjen të ndiheshin të sigurt? Por, në botën e sotme, strehimi i përshtatshëm është problem serioz. Njerëzit rrinë ngjeshur në qytete të mbipopulluara. Shumë vetave u duhet të jetojnë në lagjet me baraka ose me ndërtesa të vjetra e të pista. Për ta mbetet veç një ëndërr të kenë shtëpinë e tyre.
5, 6. (a) Si do të përmbushet Isaia 65:21 dhe Mikea 4:4? (b) Si mund ta marrim këtë bekim?
5 Nën sundimin e Mbretërisë, dëshira e çdo banori për të pasur shtëpinë e vet do të plotësohet, sepse nëpërmjet Isaisë ishte profetizuar: «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre.» (Isa. 65:21) Megjithatë, pasja e një shtëpie nuk është e vetmja perspektivë. Në fund të fundit, disa njerëz sot kanë një shtëpi të tyren, të tjerë madje kanë vilë ose një pronë të madhe. Por ata janë të shqetësuar se mund ta humbasin shtëpinë si pasojë e dështimeve financiare apo se mos u futen brenda vjedhësit, a më keq akoma. Sa ndryshe do të jetë gjithçka nën sundimin e Mbretërisë! Profeti Mikea shkroi: «Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë.»—Mik. 4:4.
6 Çfarë duhet të bëjmë, duke pasur në mendje këtë perspektivë të mrekullueshme? Natyrisht, të gjithë kemi nevojë për strehim të përshtatshëm. Gjithsesi, në vend që të përpiqemi të kemi shtëpinë e ëndrrave që tani—mbase duke u zhytur gjer në fyt në borxhe për të—a nuk do të ishte e mençur të përqendroheshim te premtimi i Jehovait? Kujto se çfarë tha Jezui për veten: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kokën.» (Luka 9:58) Jezui kishte aftësinë dhe fuqinë që të ndërtonte ose të blinte shtëpinë më të mirë që mund të kishte një njeri. Pse nuk e bëri këtë? Qartë, ai donte të shmangte çdo shpërqendrim dhe pengesë që nuk do ta lejonte të vinte në vend të parë Mbretërinë. A mund të ndjekim shembullin e tij e ta mbajmë syrin të thjeshtë—pa pengesa materialiste dhe ankth?—Mat. 6:33, 34.
«UJKU DHE QENGJI DO TË KULLOTIN SË BASHKU»
7. Çfarë autoriteti u dha Jehovai njerëzve në lidhje me kafshët?
7 Kur Jehovai filloi të krijonte, të fundit krijoi njerëzit, që ishin kulmi i veprave të tij në tokë. Jehovai i tha Kryemjeshtrit të tij, Birit të parëlindur, qëllimin e tij specifik: «Le të bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, në ngjashmëri me ne, dhe ai le t’i mbajë të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve, kafshët e buta, gjithë tokën dhe çdo kafshë që lëviz në të.» (Zan. 1:26) Kështu, Adamit dhe Evës, e në fund të gjithë njerëzve, iu dha autoriteti që të sundonin mbi kafshët.
8. Si sillen kafshët sot?
8 A është vërtet e mundur që njerëzit të mbajnë të nënshtruara tërë kafshët dhe të jenë në paqe me to? Shumë njerëz janë mjaft të lidhur me kafshët që mbajnë për qejf, si qentë dhe macet. Por, ç’të themi për kafshët e egra? Një raport thotë: «Shkencëtarët që kanë jetuar afër bishave dhe i kanë studiuar, kanë vërejtur se të gjithë gjitarët kanë emocione.» Sigurisht, shohim që kafshët frikësohen ose bëhen të egra kur kërcënohen, por a janë të afta të shfaqin ndjenja të buta, siç i përshkruajnë disa? Raporti vazhdon: «Gjatë rritjes së të vegjëlve, gjitarët shfaqin vetinë e tyre më madhështore—aftësinë e jashtëzakonshme për të treguar përzemërsi të ngrohtë.»
9. Ç’ndryshime mund të presim për sa u përket kafshëve?
9 Prandaj nuk duhet të habitemi kur lexojmë në Bibël se mes njerëzve dhe kafshëve do të mbizotërojë paqja. (Lexo Isainë 11:6-9; 65:25.) Pse jo? Kujto që kur Noeja dhe familja e tij dolën nga arka pas Përmbytjes, Jehovai u tha: ‘Çdo krijesë e gjallë në tokë do të ketë frikë e tmerr nga ju.’ Kjo do të shërbente për vetëmbrojtjen e kafshëve. (Zan. 9:2, 3) A nuk mund t’u heqë Jehovai një masë frike e tmerri që urdhri i tij fillestar të përmbushet? (Hoz. 2:18) Ç’periudhë e këndshme shtrihet para të gjithë atyre që do të jetojnë atëherë në tokë!
«AI DO TË FSHIJË ÇDO LOT NGA SYTË»
10. Pse qajnë njerëzit?
10 Kur Solomoni pa ‘të gjitha shtypjet që po bëheshin nën diell’, tha me trishtim: «Pashë lotët e të shtypurve, por që s’kishin asnjë ngushëllues.» (Ekl. 4:1) Sot gjërat janë të ngjashme, në mos më keq. Kush prej nesh nuk ka derdhur lot për ndonjë arsye? Vërtet, ndonjëherë mund të jenë lot gëzimi. Por, në përgjithësi, lotët pasqyrojnë një zemër të brengosur.
11. Cili tregim biblik në veçanti të prek zemrën?
11 Kujto skenat e shumta prekëse dhe plot ndjenja që lexojmë në Bibël. Kur vdiq Sara në moshën 127-vjeçare, «Abrahami hyri në tendë që ta vajtonte e ta qante». (Zan. 23:1, 2) Kur Naomi u dha lamtumirën dy nuseve të saj të mbetura vejusha, «ato zunë të qanin me të madhe». Më tej, pasi Naomi u përpoq t’i ngushëllonte, «ato qanë përsëri me të madhe». (Rutha 1:9, 14) Kur po vuante nga një sëmundje dhe e priste me siguri vdekja, mbreti Hezekia iu lut Perëndisë dhe «nisi të qante me të madhe». Kjo me sa duket e preku Jehovain. (2 Mbret. 20:1-5) Dhe kush nuk preket nga tregimi i apostullit Pjetër që mohoi Jezuin? Kur dëgjoi gjelin të këndonte, Pjetri «doli jashtë dhe qau me hidhërim».—Mat. 26:75.
12. Si do t’i sjellë lehtësim të vërtetë njerëzimit sundimi i Mbretërisë?
12 Për shkak të ngjarjeve tragjike që ndodhin—të vogla e të mëdha—njerëzimi ka jashtëzakonisht nevojë për ngushëllim e lehtësim. Pikërisht këto do t’u sjellë nënshtetasve Mbretërimi Mijëvjeçar: «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.» (Zbul. 21:4) Është e mrekullueshme që nuk do të ketë më vajtim, klithmë e dhembje. Por Perëndia premton se do të heqë qafe edhe armikun e fundit të njerëzimit—vdekjen. Si do të ndodhë kjo?
«TË GJITHË ATA QË JANË NË VARRE . . . DO TË DALIN»
13. Si ka ndikuar vdekja te njerëzit që kur Adami mëkatoi?
13 Që kur Adami mëkatoi, vdekja ka mbretëruar mbi njerëzimin. Ajo ka qenë një armik i pamposhtur, fundi i pashmangshëm i njerëzve mëkatarë, burimi i brengave dhe i pikëllimeve të papërshkrueshme. (Rom. 5:12, 14) Në fakt, «nga frika e vdekjes», miliona veta i janë «nënshtruar skllavërisë gjatë gjithë jetës së tyre».—Hebr. 2:15.
14. Ç’rezultate do të vijnë kur të asgjësohet vdekja?
14 Bibla flet për kohën kur ‘armiku i fundit, vdekja, do të asgjësohet’. (1 Kor. 15:26) Nga kjo do të nxjerrin dobi dy grupe. ‘Shumica e madhe’ që jeton sot, do të ketë mundësinë të hyjë në botën e re të premtuar e të jetojë përgjithmonë. Miliarda veta që i ka rrëmbyer vdekja, do të kenë mundësinë të ringjallen. A e imagjinon dot gëzimin dhe ngazëllimin që do të ketë kur ata të shumicës së madhe të mirëpresin këta të fundit? Një vështrim nga afër i disa tregimeve biblike për ringjalljet mund të na japë një pamje paraprake se si mund të jetë ajo.—Lexo Markun 5:38-42; Lukën 7:11-17.
15. Si do të ndiheshe po të shihje një njeriun tënd të dashur të rikthehej në jetë?
15 Mendo për shprehjet «ata mbetën gojëhapur, të pushtuar nga një gëzim i madh» dhe «filluan t’i jepnin lavdi Perëndisë». Nëse do të kishe qenë i pranishëm në ato raste, ndoshta do të ishe ndier njësoj. Po, kur të shohim njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur, të rikthehen në jetë, do të provojmë një ndjenjë të mrekullueshme gëzimi dhe hareje. Jezui tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Asnjë prej nesh nuk ka parë diçka të tillë; me siguri do të jetë një nga gjërat më të mëdha «që nuk shihen» ende.
PERËNDIA DO TË JETË «GJITHÇKA PËR TË GJITHË»
16. (a) Pse duhet të flasim me entuziazëm për bekimet që nuk shihen ende? (b) Çfarë tha Pavli që t’i inkurajonte të krishterët korintas?
16 Po, para atyre që do të tregohen besnikë në këto kohë kritike, shtrihet një e ardhme e lavdishme! Ndonëse bekimet e mëdha nuk shihen ende, po t’i mbajmë qartë në mendje, do të na ndihmojnë të përqendrohemi tek ajo që është vërtet e rëndësishme dhe të mos largohemi nga udha për shkak të shpërqendrimeve kalimtare të sistemit të sotëm. (Luka 21:34; 1 Tim. 6:17-19) Gjatë adhurimit familjar, në bisedat me bashkëbesimtarët dhe në diskutimet me studentët e Biblës e të interesuarit, le të flasim me entuziazëm për shpresën dhe perspektivat tona të mrekullueshme. Kjo do të na ndihmojë t’i mbajmë ato të gjalla në mendje e në zemër. Apostulli Pavël bëri pikërisht këtë kur i inkurajoi të bashkëkrishterët. Ai i mori me vete, si të thuash, gjatë gjithë rrugës deri në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Përpiqu të imagjinosh kuptimin e plotë të fjalëve të Pavlit te 1 Korintasve 15:24, 25, 28.—Lexoje.
17, 18. (a) Në ç’mënyrë Jehovai ishte «gjithçka për të gjithë» në fillim të historisë njerëzore? (b) Si do të rivendosë Jezui unitetin dhe harmoninë?
17 Nuk mund të ketë përshkrim më të mirë të jetës në fund të një mijë vjetëve se sa fjalët «që Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë». Ç’do të thonë këto fjalë? Mendo për kohën në Eden kur njerëzit e përsosur, Adami dhe Eva, bënin pjesë në familjen universale të Jehovait, plot paqe e harmoni. Jehovai, Sovrani Universal, sundonte drejtpërdrejt mbi të gjitha krijesat e tij, engjëllore dhe njerëzore. Ato mund të komunikonin me të personalisht, ta adhuronin e të bekoheshin prej tij. Ai ishte «gjithçka për të gjithë».
18 Kjo marrëdhënie e harmonishme u ndërpre kur njerëzit, të ndikuar nga Satanai, u rebeluan kundër sovranitetit të Jehovait. Megjithatë, që nga viti 1914, Mbretëria mesianike ka ndërmarrë hapa të njëpasnjëshëm që të rivendosë atë unitet e harmoni. (Efes. 1:9, 10) Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, gjërat e mrekullueshme që tani «nuk shihen», do të bëhen realitet. Pastaj do të vijë ‘fundi’, domethënë, mbarimi i Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Ç’do të ndodhë më pas? Edhe pse i është dhënë «çdo autoritet në qiell dhe në tokë», Jezui nuk është ambicioz. Ai nuk ka ndër mend të uzurpojë pozitën e Jehovait. Me përulësi «do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij». Po, ai e përdor gjithnjë pozitën dhe autoritetin e tij unik «në lavdi të Perëndisë».—Mat. 28:18; Filip. 2:9-11.
19, 20. (a) Si do ta tregojnë të gjithë nënshtetasit e Mbretërisë nëse e pranojnë apo jo sovranitetin e Jehovait? (b) Cila perspektivë madhështore na pret?
19 Në atë kohë, nënshtetasit tokësorë të Mbretërisë do të jenë bërë të përsosur. Ata do të ndjekin me përulësi shembullin e Jezuit dhe do të pranojnë me gatishmëri sovranitetin e Jehovait. Do të kenë mundësinë të tregojnë që kjo është dëshira e tyre duke kaluar me sukses provën përfundimtare. (Zbul. 20:7-10) Pas kësaj, të gjithë rebelët—njerëzorë dhe frymorë—do të zhduken përgjithmonë. Ç’kohë e gëzueshme dhe plot brohori do të jetë ajo! Tërë familja universale do të lëvdojë me lumturi Jehovain, i cili do të jetë «gjithçka për të gjithë».—Lexo Psalmin 99:1-3.
20 A do të të motivojnë realitetet e lavdishme të Mbretërisë që ta përqendrosh vëmendjen dhe përpjekjet te kryerja e vullnetit të Perëndisë? A do të tregosh kujdes që shpresa dhe ngushëllimi i rremë që ofron bota e Satanait të mos të largojnë nga udha? A do ta forcosh vendosmërinë që të mbështetësh dhe të përkrahësh sovranitetin e Jehovait? E tregofshin veprimet e tua se dëshiron ta bësh këtë përgjithmonë! Atëherë do të kesh privilegjin të gëzosh paqe dhe begati për një mijë vjet—e më tej!