Le t’jua drejtojë hapat Fjala e Perëndisë
«Fjala jote është një llambë për këmbën time dhe një dritë për shtegun tim.»—PSALMI 119:105.
1, 2. Pse shumica e njerëzve nuk ia ka dalë mbanë të gjejë paqe dhe lumturi të vërtetë?
A TË kujtohet ndonjë rast kur ke pyetur dikë për një adresë? Ndoshta ishe afër, por nuk ishe i sigurt nga të ktheheshe. Ose mund të kishe humbur rrugën dhe kishe nevojë ta ndryshoje krejtësisht drejtimin. Në secilin rast, a nuk do të ishte e mençur të ndiqje drejtimin e dikujt që e njihte atë zonë? Ai do të të ndihmonte të mbërrije për ku ishe nisur.
2 Për mijëra vjet, njerëzimi në përgjithësi është përpjekur ta gjejë rrugën në jetë pa ndihmën e Perëndisë. Por, po t’i lësh ta gjejnë vetë rrugën, njerëzit e papërsosur janë krejt të pashpresë. S’e gjejnë dot rrugën drejt paqes dhe lumturisë së vërtetë. Pse nuk ia dalin dot? Më shumë se 2.500 vjet më parë, profeti Jeremia tha: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Kushdo që përpiqet t’i drejtojë hapat e vet pa pranuar ndihmë nga një person i aftë, do të dështojë se s’bën. Vërtet, njerëzimi ka nevojë për drejtim!
3. Pse Perëndia Jehova është personi më i aftë për t’i siguruar drejtim njerëzimit dhe çfarë premton ai?
3 Perëndia Jehova është personi më i aftë për të dhënë këtë drejtim. Përse? Sepse e kupton më mirë se kushdo tjetër si janë formuar njerëzit. Ai është plotësisht i vetëdijshëm se si raca njerëzore mori rrugë të shtrembër dhe e humbi drejtimin. Di edhe çfarë nevojitet që të gjejnë përsëri drejtimin e duhur. Për më tepër, si Krijuesi ynë, Jehovai gjithnjë e di çfarë është më e mira për ne. (Isaia 48:17) Kështu, mund t’i besojmë plotësisht premtimit të tij që e gjejmë te Psalmi 32:8: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh. Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.» S’kemi asnjë dyshim se Jehovai siguron drejtimin më të mirë. Por si na udhëheq?
4, 5. Si na drejtojnë thëniet e Perëndisë?
4 Një psalmist i tha në lutje Jehovait: «Fjala jote është një llambë për këmbën time dhe një dritë për shtegun tim.» (Psalmi 119:105) Fjalët dhe përkujtuesit e Perëndisë gjenden në Bibël dhe na ndihmojnë të kapërcejmë pengesat që mund të hasim në shtegun tonë. Po, kur e lexojmë Biblën dhe e lejojmë të na drejtojë, e provojmë vetë atë që përshkruhet tek Isaia 30:21: «Veshët tuaj do të dëgjojnë nga prapa fjalët: ‘Kjo është udha. Ecni në të!’»
5 Por, vër re se te Psalmi 119:105 tregohen dy role të Fjalës së Perëndisë që lidhen me njëri-tjetrin. Së pari, ajo shërben si llambë për këmbën tonë. Në problemet e përditshme, parimet e Biblës duhet të na i drejtojnë hapat që të marrim vendime të mençura e të shmangim grackat dhe kurthet e kësaj bote. Së dyti, përkujtuesit e Perëndisë na ndriçojnë shtegun e na ndihmojnë në zgjedhjet tona, që të jenë në përputhje me shpresën tonë për të jetuar përgjithmonë në Parajsën që ka premtuar Perëndia. Duke e pasur krejt të ndriçuar rrugën para nesh, do të arrijmë të dallojmë pasojat, të mira ose të këqija, të një drejtimi të caktuar. (Romakëve 14:21; 1 Timoteut 6:9; Zbulesa 22:12) Le të shohim më me hollësi se si mund të jenë thëniet e Perëndisë që gjenden në Bibël një llambë për këmbën dhe një dritë për shtegun.
«Llambë për këmbën time»
6. Në cilat rrethana thëniet e Perëndisë janë një llambë për këmbën tonë?
6 Ne marrim vendime çdo ditë. Disa duken relativisht të vogla, por nganjëherë mund të hasim një situatë që na vë në provë sjelljen morale, ndershmërinë ose qëndrimin tonë asnjanës. Që t’i përballojmë me sukses këto sprova, duhet t’i kemi «aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14) Duke marrë njohurinë e saktë të Fjalës së Perëndisë dhe duke fituar më shumë kuptueshmëri për parimet e saj, e stërvitim ndërgjegjen për të marrë vendime që i pëlqejnë Jehovait.—Proverbat 3:21.
7. Përshkruani një situatë ku një i krishterë mund të priret të shoqërohet me kolegë pune jobesimtarë.
7 Të bëjmë një shembull. A je një burrë ose një grua që po përpiqet sinqerisht t’i gëzojë zemrën Jehovait? (Proverbat 27:11) Nëse po, je për t’u lavdëruar. Por mendo për një çast sikur disa shokë pune të të japin një biletë që të shkosh bashkë me ta në një ndeshje sportive. Atyre u pëlqen shoqëria jote në punë dhe do të donin të rrinin me ty edhe pas pune. Ti mund të jesh më se i bindur se ata s’janë njerëz të këqij. Madje mund të kenë disa parime të mira. Ç’do të bësh? A ka ndonjë rrezik po ta pranosh ftesën? Si mund të të ndihmojë Fjala e Perëndisë të marrësh një vendim të mirë në këtë rast?
8. Cilat parime biblike na ndihmojnë të arsyetojmë lidhur me shoqëritë?
8 Shqyrto disa parime biblike. I pari që mund të të vijë në mendje gjendet te 1 Korintasve 15:33: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» A do të thotë që, nëse i përmbahesh këtij parimi, duhet t’i shmangësh plotësisht jobesimtarët? Përgjigja e Biblës për këtë pyetje është: jo. Në fund të fundit, edhe vetë apostulli Pavël tregoi dashuri e konsideratë për «njerëz të çdo lloji», përfshirë edhe jobesimtarë. (1 Korintasve 9:22) Vetë natyra e krishterimit kërkon që të tregojmë interes për të tjerët, duke përfshirë edhe ata që s’kanë bindjet tona. (Romakëve 10:13-15) Dhe në fakt, si mund ta ndjekim këshillën që «të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve», nëse veçohemi nga njerëzit që mund të kenë nevojë për ndihmën tonë?—Galatasve 6:10.
9. Cila këshillë biblike na ndihmon të jemi të ekuilibruar në marrëdhëniet me shokët e punës?
9 Megjithatë, ndryshe është të jesh miqësor me një shok pune dhe ndryshe të jesh shoku i tij i ngushtë. Këtu hyn në lojë një parim tjetër biblik. Apostulli Pavël i paralajmëroi të krishterët: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët.» (2 Korintasve 6:14) Ç’do të thotë shprehja «mos u futni nën të njëjtën zgjedhë»? Në disa përkthime të Biblës, këto fjalë janë përkthyer «mos u bëni skuadër», «mos u përpiqni të punoni bashkë si të barabartë» ose «mos formoni më lidhje të papërshtatshme». Kur bëhet e papërshtatshme lidhja me një shok pune? Fjala e Perëndisë, Bibla, mund të t’i drejtojë hapat në këtë situatë.
10. (a) Si i zgjidhte shokët Jezui? (b) Cilat pyetje mund ta ndihmojnë dikë që të marrë vendime të mira lidhur me shoqëritë?
10 Shqyrto shembullin e Jezuit, i cili i ka dashur njerëzit që nga krijimi i tyre e më tej. (Proverbat 8:31) Kur ishte në tokë, ai u lidh ngushtë me ithtarët e tij. (Gjoni 13:1) Madje «ndjeu dashuri» për një njeri që besonte sinqerisht, por që kishte marrë një drejtim të gabuar fetar. (Marku 10:17-22) Por Jezui vendosi edhe kufij të qartë lidhur me shokët e ngushtë që zgjidhte. Nuk krijoi lidhje të ngushta me njerëz që s’ishin vërtet të interesuar për të bërë vullnetin e Atit të tij. Në një rast Jezui tha: «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni atë që po ju urdhëroj.» (Gjoni 15:14) Vërtet mund të shkosh mirë me një shok a shoqe pune, por pyet veten: ‘A është i gatshëm ky njeri të bëjë atë që urdhëron Jezui? A dëshiron të mësojë për Jehovain, që Jezui na tregoi se duhet ta adhurojmë? A ka të njëjtat norma morale që kam unë si i krishterë?’ (Mateu 4:10) Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të dalin në pah ndërsa ti flet me shokët e punës dhe ngul këmbë se do të zbatosh normat e Biblës.
11. Përmendni situata në të cilat thëniet e Perëndisë duhet të na drejtojnë hapat.
11 Ka edhe shumë situata të tjera ku thëniet e Perëndisë mund të jenë si llambë për këmbën tonë. Për shembull, një të krishteri të papunë mund t’i ofrojnë një punë për të cilën ka shumë nevojë. Por orari i punës është i ngjeshur dhe, po ta pranojë punën, do të humbasë disa mbledhje të krishtere dhe aktivitete të tjera që lidhen me adhurimin e vërtetë. (Psalmi 37:25) Një i krishterë tjetër mund të ketë një tundim të fortë për të parë programe argëtuese që shkelin hapur parimet biblike. (Efesianëve 4:17-19) Një tjetër mund të ketë prirjen të preket shpejt nga papërsosmëritë e bashkëbesimtarëve. (Kolosianëve 3:13) Në të gjitha këto situata, duhet të lëmë që Fjala e Perëndisë të jetë një llambë për këmbën tonë. Po, duke ndjekur parimet e Biblës, mund të përballojmë me sukses çdo sfidë në jetë. Fjala e Perëndisë është ‘e dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi’.—2 Timoteut 3:16.
«Dritë për shtegun tim»
12. Si janë një dritë për shtegun tonë thëniet e Perëndisë?
12 Psalmi 119:105 thotë edhe se thëniet e Perëndisë mund të ndriçojnë shtegun para nesh. Nuk jemi në errësirë për sa i përket së ardhmes, sepse Bibla e shpjegon domethënien e kushteve të këqija botërore dhe rezultatin e tyre përfundimtar. Po, ne e kuptojmë se po jetojmë në «ditët e fundit» të këtij sistemi të lig. (2 Timoteut 3:1-5) Dijenia se çfarë na pret duhet të ndikojë thellësisht në mënyrën se si jetojmë tani. Apostulli Pjetër shkroi: «Meqë të gjitha këto gjëra do të shpërbëhen, tregoni kujdes se ç’lloj personash duhet të jeni në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të përkushtimit hyjnor, duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait!»—2 Pjetrit 3:11, 12.
13. Si duhet të ndikojë urgjenca e kohëve tona në mënyrën si mendojmë dhe si jetojmë?
13 Mënyra si mendojmë dhe si jetojmë duhet të pasqyrojë bindjen tonë të fortë se «bota po kalon e po kështu edhe dëshirat e saj». (1 Gjonit 2:17) Zbatimi i udhëzimeve të Biblës do të na ndihmojë të marrim vendime të mençura lidhur me synimet tona për të ardhmen. Për shembull, Jezui tha: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mateu 6:33) Është vërtet për t’u lavdëruar që shumë të rinj tregojnë besim te fjalët e Jezuit duke vazhduar shërbimin e plotkohor. Të tjerë—e këtu futen edhe familje të tëra—janë transferuar vullnetarisht në vende ku ka shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë.
14. Si e zgjeroi shërbimin një familje e krishterë?
14 Të shohim rastin e një familjeje të krishterë e përbërë nga katër veta, e cila u transferua nga Shtetet e Bashkuara në Republikën Domenikane, që të shërbente në kongregacionin e një qyteti me popullsi prej 50.000 banorësh. Kongregacioni ka rreth 130 lajmëtarë të Mbretërisë. Por më 12 prill 2006, Përkujtimin e vdekjes së Krishtit e ndoqën rreth 1.300 veta! Në atë vend, fusha është kaq ‘e bardhë për korrje’, saqë vetëm pas pesë muajsh, kjo familje e përbërë nga babai, mamaja, djali dhe vajza, po drejtonin gjithsej 30 studime biblike. (Gjoni 4:35) Babai shpjegon: «Kongregacioni ka 30 vëllezër e motra që janë transferuar këtu për të ndihmuar. Rreth 20 janë nga Shtetet e Bashkuara, kurse pjesa tjetër vjen nga ishujt Bahama, Italia, Kanadaja, Spanja dhe Zelanda e Re. Vijnë me një zell të madh për të dalë në shërbim dhe ndikojnë jashtëzakonisht në entuziazmin e vëllezërve vendës.»
15. Çfarë bekimesh keni pasur ngaqë keni vënë në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë?
15 Natyrisht, shumë veta nuk kanë mundësi të transferohen në një vend tjetër që të shërbejnë aty ku ka më shumë nevojë. Por ata që munden—ose që mund t’i rregullojnë rrethanat për këtë qëllim—do të kenë patjetër shumë bekime duke marrë pjesë në këtë aspekt të shërbimit. E pavarësisht se ku shërben, mos e humb gëzimin që mund të kesh kur i shërben Jehovait me gjithë forcën tënde. Në qoftë se vë në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë, Jehovai premton se ‘do të të derdhë një bekim të tillë, sa të mos kesh më nevojë’.—Malakia 3:10.
Të nxjerrim dobi nga drejtimi i Jehovait
16. Si do të nxjerrim dobi duke lënë të na drejtojnë thëniet e Perëndisë?
16 Siç e kemi parë, thëniet e Jehovait na drejtojnë në dy mënyra që lidhen me njëra-tjetrën. Ato shërbejnë si llambë për këmbën tonë, duke na ndihmuar që të ecim përpara në drejtimin e duhur e duke na udhëhequr kur duhet të marrim vendime. Gjithashtu na ndriçojnë shtegun, duke na dhënë mundësi të shohim qartë çfarë do të sjellë e ardhmja. Kjo pastaj na ndihmon të ndjekim këshillën e Pjetrit: «Mblidhni forcat mendore për aktivitet, ruani plotësisht gjykimin, vareni shpresën tuaj te dashamirësia e pamerituar që do t’ju jepet në zbulesën e Jezu Krishtit.»—1 Pjetrit 1:13.
17. Si do të na ndihmojë studimi i Biblës që të ndjekim drejtimin e Perëndisë?
17 S’ka asnjë dyshim se Jehovai na siguron drejtim. Pyetja është: a do ta pranosh drejtimin e tij? Për të kuptuar drejtimin që siguron Jehovai, ji i vendosur që të lexosh çdo ditë një pjesë nga Bibla. Medito rreth asaj që lexon, përpiqu të kuptosh vullnetin e Jehovait për çështje të ndryshme dhe mendo për mënyrat se si mund të zbatohet në jetën tënde ky informacion. (1 Timoteut 4:15) Pastaj përdor ‘fuqinë tënde për të arsyetuar’ kur të marrësh vendime.—Romakëve 12:1.
18. Çfarë bekimesh kemi kur lëmë të na drejtojë Fjala e Perëndisë?
18 Nëse ne i lejojmë, parimet që gjenden në Fjalën e Perëndisë do të na ndriçojnë dhe do të na japin drejtimin e nevojshëm kur marrim vendime se cila rrugë është e duhura. Mund të jemi të sigurt se thëniet e shkruara të Jehovait e bëjnë «të mençur njeriun e papërvojë». (Psalmi 19:7) Kur e lejojmë Biblën të na udhëheqë, kemi një ndërgjegje të pastër dhe kënaqësinë që vjen ngaqë e kënaqim Jehovain. (1 Timoteut 1:18, 19) Nëse lejojmë që thëniet e Perëndisë të na i drejtojnë hapat çdo ditë, Jehovai do të na shpërblejë me bekimin më të madh, jetën e përhershme.—Gjoni 17:3.
A ju kujtohet?
• Pse është e rëndësishme të lëmë Perëndinë Jehova të na i drejtojë hapat?
• Si mund të jenë thëniet e Perëndisë llambë për këmbën tonë?
• Si mund të jenë thëniet e Perëndisë një dritë për shtegun tonë?
• Si do të na ndihmojë studimi i Biblës që të ndjekim drejtimin e Perëndisë?
[Figura në faqen 15]
Kur bëhet e papërshtatshme shoqëria me një jobesimtar?
[Figura në faqen 16]
Shokët e ngushtë të Jezuit ishin ata që bënin vullnetin e Jehovait
[Figurat në faqen 17]
A tregon mënyra si jetojmë se po i vëmë në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë?