ARTIKULLI I STUDIMIT 50
«Si do të ringjallen të vdekurit?»
«Ku është fitorja jote, o Vdekje? Ku është thumbi yt, o Vdekje?»—1 KOR. 15:55.
KËNGA 141 Jeta është një mrekulli!
PËRMBLEDHJEa
1-2. Pse të gjithë shërbëtorët e Perëndisë duhet të kenë dëshirë të mësojnë për ringjalljen qiellore?
SHUMICA e atyre që i shërbejnë Jehovait sot, shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë. Mirëpo, një mbetje të krishterësh të mirosur shpresojnë të ringjallen në qiell. Ata kanë dëshirë të zjarrtë të dinë si do të jetë në të ardhmen jeta e tyre. Por ç’të themi për ata që kanë shpresë tokësore? Siç do ta shohim, ringjallja qiellore do t’u çelë rrugën bekimeve edhe për ata që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë. Pra, pavarësisht nëse shpresojmë të jetojmë në qiell apo në tokë, duhet të kemi dëshirë të mësojmë për ringjalljen qiellore.
2 Perëndia i frymëzoi disa dishepuj të Jezuit në shekullin e parë të shkruanin për shpresën qiellore. Ja çfarë shkroi apostulli Gjon: «Tani ne jemi fëmijë të Perëndisë, por ende nuk është treguar qartë ç’do të jemi në të ardhmen. Dimë vetëm se, kur ai të shfaqet, ne do të jemi si ai.» (1 Gjoni 3:2) Pra, të mirosurit nuk e dinë ç’do të jenë kur të ringjallen në qiell me trupa qiellorë. Megjithatë, kur të marrin shpërblimin e tyre, ata do të shohin Jehovain. Edhe pse Bibla nuk zbulon çdo hollësi për ringjalljen qiellore, apostulli Pavël dha disa informacione për këtë. Të mirosurit do të jenë me Krishtin kur ai ‘të asgjësojë çdo qeveri, autoritet dhe fuqi’, si edhe ‘armikun e fundit, vdekjen’. Në fund, kur çdo gjë t’i jetë nënshtruar Jezuit, ai—bashkë me ata që mbretërojnë me të—do t’i nënshtrohet Jehovait. (1 Kor. 15:24-28) Çfarë përfundimi drithërues do të jetë!b
3. Siç tregon 1 Korintasve 15:30-32, për çfarë e ndihmoi Pavlin besimi te ringjallja?
3 Besimi te ringjallja e ndihmoi Pavlin të duronte sprova nga më të ndryshmet. (Lexo 1 Korintasve 15:30-32.) Ai u tha korintasve: «Përballem me vdekjen çdo ditë.» Gjithashtu shkroi: «U kacafyta me bishat në Efes.» Ndoshta këtu Pavli po fliste për një përleshje me kafshët në një arenë të Efesit. (2 Kor. 1:8; 4:10; 11:23) Ose mund ta kishte fjalën për judenjtë armiqësorë dhe kundërshtarët e tjerë që ishin si ‘bisha’. (Vep. 19:26-34; 1 Kor. 16:9) Sido që të ishte, Pavli u përball me rreziqe të mëdha. Gjithsesi, ai e shihte të ardhmen me optimizëm.—2 Kor. 4:16-18.
4. Si u ka dhënë forcë shërbëtorëve të Perëndisë sot shpresa e ringjalljes? (Shih figurën e kopertinës.)
4 Sot jetojmë në një kohë plot rreziqe. Disa vëllezër kanë qenë viktima të krimit. Të tjerë banojnë në zona ku bëhet luftë, dhe jeta e tyre nuk është aspak e sigurt. Kurse disa i shërbejnë Jehovait duke rrezikuar jetën a lirinë në vende ku vepra e predikimit është e kufizuar ose e ndaluar. Prapëseprapë, të gjithë këta vëllezër e motra nuk heqin dorë nga adhurimi i Jehovait dhe janë shembull për ne. Atyre u jep kurajë siguria se, edhe po të humbin jetën sot, Jehovai ka ndër mend diçka shumë më të mirë për ta në të ardhmen.
5. Cila pikëpamje e rrezikshme mund të na e dobësojë besimin te ringjallja?
5 Pavli i paralajmëroi vëllezërit për një qëndrim të rrezikshëm që kishin disa, kur shkroi: «E nëse të vdekurit nuk do të ringjallen, atëherë ‘të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim’.» Kjo pikëpamje ekzistonte që para kohës së Pavlit. Ka të ngjarë që ai po citonte Isainë 22:13, ku flitet për qëndrimin e izraelitëve. Në vend që të thellonin dashurinë për Perëndinë, izraelitët rendnin pas kënaqësive. Ata kishin pikëpamjen «sot jemi, nesër s’jemi», një pikëpamje goxha e përhapur edhe sot. Mirëpo, ai qëndrim i solli kombit të Izraelit pasoja të hidhura, të cilat janë ruajtur në Shkrime.—2 Kron. 36:15-20.
6. Si duhet të ndikojë shpresa e ringjalljes te shoqëria që zgjedhim?
6 Fakti që Jehovai do t’i kthejë në jetë të vdekurit, duhet të ndikojë te shoqëria që zgjedhim. Vëllezërit në Korint duhej të bënin kujdes të mos zinin miqësi me ata që mohonin ringjalljen. Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga kjo? Nuk vjen asnjë e mirë nëse zgjedhim të kalojmë shumë kohë me njerëz që kanë qëndrimin «të jetojmë sot për sot». Nëse një shërbëtor i Perëndisë rri në këtë lloj shoqërie, mund të humbë qëndrimin dhe zakonet e mira. Madje si pasojë e kësaj zgjedhjeje, mund të fillojë të jetojë në një mënyrë që Perëndia e urren. Ja pse Pavli dha këtë nxitje të fortë: «Ejani në vete, bëni ç’është e drejtë dhe mos ecni më në udhën e mëkatit.»—1 Kor. 15:33, 34.
ME Ç’LLOJ TRUPI?
7. Siç tregon 1 Korintasve 15:35-38, cilën pyetje për ringjalljen mund të kenë bërë disa?
7 Lexo 1 Korintasve 15:35-38. Ndonjë që donte të ngjallte dyshime për ringjalljen, ndoshta pyeste: «Si do të ringjallen të vdekurit?» Bëjmë mirë të shqyrtojmë si iu përgjigj Pavli kësaj pyetjeje, meqë edhe sot shumë veta kanë pikëpamjet e tyre se çfarë ndodh pasi dikush vdes. Le të shqyrtojmë, pra, çfarë mëson Fjala e Perëndisë.
8. Cili ilustrim mund të na ndihmojë të kuptojmë si ndodh ringjallja qiellore?
8 Kur dikush vdes, trupi i tij dekompozohet. Por Ai që krijoi krejt universin është në gjendje ta ringjallë e t’i japë një trup të përshtatshëm. (Zan. 1:1; 2:7) Pavli përdori një ilustrim për të treguar se nuk ka nevojë që Perëndia ta kthejë në jetë dikë me të njëjtin trup. Ai na nxiti të mendojmë për «një farë». Ajo mbillet në dhé, mbin dhe del një bimë e re, e cila është krejt ndryshe nga fara e vogël. Pavli e përdori këtë krahasim për të treguar se Krijuesi ynë mund të sigurojë «një trup ashtu si do ai».
9. Çfarë thotë 1 Korintasve 15:39-41 për llojet e ndryshme të trupave?
9 Lexo 1 Korintasve 15:39-41. Pavli përmendi larminë e pafund që shohim te krijimi. Për shembull, trupat prej mishi e gjaku nuk janë njëlloj, pasi tjetër është mishi i bagëtisë, tjetër ai i zogjve dhe tjetër i peshqve. Pavli tha se në qiell vërejmë si ndryshon dielli nga hëna. Gjithashtu shkroi se «ylli ndryshon nga ylli për nga lavdia». Edhe nëse nuk i dallojmë dot me sy të lirë, ekzistojnë lloje të ndryshme yjesh që shkencëtarët i quajnë yje të kuq gjigantë, xhuxha të bardhë dhe yje të verdhë, siç është dielli ynë. Veç kësaj, Pavli tha: «Ka edhe trupa qiellorë, edhe trupa tokësorë.» Ç’donte të thoshte? Ne në tokë kemi trup prej mishi e gjaku, kurse ata që jetojnë në qiell kanë një lloj tjetër trupi, si ai i engjëjve.
10. Ç’lloj trupi kanë ata që ringjallen në qiell?
10 Më tej Pavli tha: «Kështu ndodh edhe me ringjalljen e të vdekurve: “mbillet” trup i shkatërrueshëm dhe ringjallet si trup i pashkatërrueshëm.» Dihet që kur një njeri vdes, trupi i tij dekompozohet dhe kthehet në pluhur. (Zan. 3:19) Si është e mundur, atëherë, ‘të ringjallet si trup i pashkatërrueshëm’? Pavli nuk e kishte fjalën për njerëzit që kthehen në jetë në tokë, si ata që u ringjallën nga Elija, Eliseu dhe Jezui. Pavli e kishte fjalën për ata që ringjallen me «trup qiellor».—1 Kor. 15:42-44.
11-12. Çfarë ndryshimi përjetoi Jezui kur u ringjall, dhe cilin ndryshim të ngjashëm përjetojnë të mirosurit?
11 Kur ishte në tokë, Jezui kishte trup prej mishi e gjaku. Por kur u ringjall, «u bë një krijesë qiellore jetëdhënëse» dhe u kthye në qiell. Edhe të krishterët e mirosur do të ringjalleshin si krijesa qiellore. Pavli shpjegoi: «Siç u bëmë sipas imazhit të atij që u bë nga pluhuri, ashtu do të bëhemi sipas imazhit të atij që erdhi nga qielli.»—1 Kor. 15:45-49.
12 Është e rëndësishme të kujtojmë se Jezui nuk u ringjall me trup njerëzor. Pavli shpjegoi arsyen pse ndërsa po arrinte pikën kulmore të diskutimit të tij për ringjalljen. Ai tha qartë: «Mishi e gjaku nuk e trashëgojnë dot Mbretërinë e Perëndisë» në qiell. (1 Kor. 15:50) Apostujt dhe të mirosurit e tjerë nuk do të ringjalleshin në qiell me trupa prej mishi e gjaku që mund të shkatërrohen. Kur do të ringjalleshin ata? Pavli tha se ajo ringjallje i përkiste ende së ardhmes dhe nuk do të ndodhte fill pasi të vdisnin. Në kohën kur Pavli shkroi 1 Korintasve, disa dishepuj kishin rënë tashmë «në gjumin e vdekjes», siç ishte apostulli Jakov. (Vep. 12:1, 2) Apostujt dhe të mirosur të tjerë do të binin më vonë «në gjumin e vdekjes».—1 Kor. 15:6.
FITORJA MBI VDEKJEN
13. Nga se do të karakterizohej ‘prania’ e Jezuit?
13 Edhe Jezui, edhe Pavli folën për një kohë historike në të ardhmen—për praninë e Krishtit. Prania e tij do të karakterizohej nga luftëra, tërmete, epidemi dhe ngjarje të tjera në shkallë botërore. Kemi parë se këto profeci të Biblës po plotësohen që nga viti 1914. Në shenjën e pranisë së Krishtit do të spikaste edhe një veçori tjetër. Jezui tha se lajmi i mirë që Mbretëria e Perëndisë po qeveris, ‘do të predikohej në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet e atëherë do të vinte fundi’. (Mat. 24:3, 7-14) Pavli tha se ‘prania e Zotërisë’ do të ishte edhe periudha kur do të ringjalleshin të mirosurit që ‘kishin rënë në gjumin e vdekjes’.—1 Sel. 4:14-16; 1 Kor. 15:23.
14. Çfarë ndodh me të mirosurit që vdesin gjatë pranisë së Krishtit?
14 Të mirosurit që përfundojnë sot jetën e tyre në tokë, ringjallen menjëherë për të jetuar në qiell. Këtë e konfirmojnë edhe fjalët e Pavlit te 1 Korintasve 15:51, 52: «Ne nuk do të biem të gjithë në gjumin e vdekjes, por të gjithë do të shndërrohemi në një çast, sa hap e mbyll sytë, gjatë trumbetës së fundit.» Këto fjalë të Pavlit po përmbushen tani! Kur ringjallen, gëzimi i vëllezërve të Krishtit bëhet i plotë; ata do të jenë «përherë me Zotërinë».—1 Sel. 4:17.
15. Cila detyrë i pret në qiell të mirosurit e ringjallur?
15 Bibla tregon se çfarë detyre i pret në qiell të mirosurit e ringjallur. Ja çfarë u thotë Jezui: «Atij që del fitimtar dhe që ndjek udhën time deri në fund, do t’i jap autoritet mbi kombet, njëlloj si mora unë autoritet nga Ati im. Ai do të mbretërojë mbi njerëzit me një shkop të hekurt, dhe ata do të bëhen copë-copë si enë argjile.» (Zbul. 2:26, 27) Të mirosurit në qiell do të ndjekin Komandantin e tyre për të kryer misionin që të mbretërojnë mbi kombet me një shkop të hekurt.—Zbul. 19:11-15.
16. Në ç’mënyrë do të triumfojnë mbi vdekjen shumë njerëz?
16 Kur ringjallen, të mirosurit triumfojnë mbi vdekjen. (1 Kor. 15:54-57) Ringjallja do t’u japë mundësi të triumfojnë edhe mbi ligësinë, duke e zhdukur nga toka gjatë luftës së Armagedonit. Miliona shërbëtorë të tjerë të Perëndisë do të dalin «nga shtrëngimi i madh» dhe do të gëzojnë jetën në botën e re. (Zbul. 7:14) Ata do të shohin me sytë e tyre një fitore tjetër mbi vdekjen—ringjalljen në tokë të miliarda njerëzve që kanë vdekur në të kaluarën. Arrin ta imagjinosh çfarë gëzimi do të ndiejmë nga ajo fitore e mahnitshme?! (Vep. 24:15) Veç kësaj, të gjithë ata që i qëndrojnë plotësisht besnikë Jehovait, do të triumfojnë edhe mbi vdekjen e trashëguar nga Adami. Ata do të kenë mundësi të jetojnë pafundësisht.
17. Çfarë duhet të bëjmë sot, siç na nxit 1 Korintasve 15:58?
17 Çdo shërbëtor i Perëndisë sot duhet të jetë mirënjohës për fjalët zemërdhënëse që u shkroi Pavli korintasve në lidhje me ringjalljen. Kemi arsye të forta të ndjekim këshillën e Pavlit që të japim pa u kursyer tani «në veprën e Zotërisë». (Lexo 1 Korintasve 15:58.) Nëse marrim pjesë me besnikëri e zell në këtë vepër, kemi shpresën të shijojmë një të ardhme fantastike plot gëzime. E ardhmja jonë do të jetë aq e mrekullueshme, sa as e imagjinojmë dot! E atëherë s’do të kemi pikë dyshimi se mundi jonë në veprën e Zotërisë nuk ka qenë i kotë.
KËNGA 140 Jetë e bukur—Përgjithmonë!
a Pjesa tjetër e kapitullit 15 të 1 Korintasve jep hollësi për ringjalljen, sidomos për ringjalljen e të krishterëve të mirosur. Megjithatë, ajo që shkroi Pavli, ka rëndësi edhe për delet e tjera. Ky artikull tregon si duhet të ndikojë shpresa e ringjalljes në jetën tonë sot dhe na jep arsye që ta presim me gëzim të ardhmen.
b «Pyetje nga lexuesit» në këtë numër, shpjegon atë që tha Pavli te 1 Korintasve 15:29.