«Të vdekurit do të ngrihen»
«Sepse do të bjerë boria, të vdekurit do të ngrihen të paprishshëm dhe ne do të ndryshohemi.»—1. KORINTASVE 15:52, BR.
1, 2. (a) Cili premtim ngushëllues ishte dhënë me anë të profetit Hozea? (b) Si e dimë se Perëndia është i gatshëm t’i kthejë në jetë të vdekurit?
ATË ka rrëmbyer ndonjëherë vdekja një njeri të shtrenjtë? Atëherë, e di se ç’dhembje mund të sjellë vdekja. Megjithatë, të krishterët ngushëllohen nga premtimi që dha Perëndia me anë të profetit Hozea: «Nga dora e Sheolit do t’i shpengoj; nga vdekja do t’i rimarr. Ku janë thumbat e tua, o Vdekje? Ku është aftësia jote për të shkatërruar, o Sheol?»—Hozea (Osea) 13:14, BR.
2 Ideja e të vdekurve që kthehen në jetë, skeptikëve u duket absurde. Por Perëndia i Plotfuqishëm e ka me siguri aftësinë për ta kryer një mrekulli të tillë! Puna është nëse Jehovai është apo jo i gatshëm t’i kthejë të vdekurit në jetë. Burri i drejtë Jobi, pyeti: «Nëse një burrë i shëndetshëm vdes, a mund të jetojë përsëri?» Pastaj, dha këtë përgjigje siguruese: «Ti do të thërrasësh dhe unë vetë do të të përgjigjem. Sepse për veprën e duarve të tua do të kesh dëshirim.» (Jobi 14:14, 15, BR) Fjala «dëshirim» tregon mall ose dëshirë të zjarrtë. (Krahaso Psalmin 84:2.) Po, Jehovai e pret me padurim ringjalljen; ai është i dëshiruar për të parë edhe njëherë besimplotët që kanë vdekur, të cilët janë gjallë në kujtesën e tij.—Mateu 22:31, 32.
Jezui hedh dritë mbi ringjalljen
3, 4. (a) Cilën dritë hodhi Jezui mbi shpresën e ringjalljes? (b) Pse Jezui ishte ngritur si frymë dhe jo në mish?
3 Burrat e lashtë me besim, si Jobi, patën vetëm një kuptueshmëri të pjesshme mbi ringjalljen. Ishte Jezu Krishti ai që hodhi dritë të plotë mbi këtë shpresë të mrekullueshme. Ai e tregoi rolin kyç që luan ai vetë, kur tha: «Ai që ushtron besim te Biri, ka jetë të përhershme.» (Gjoni 3:36, BR) Ku do të gëzohet kjo jetë? Për pjesën më të madhe të atyre që ushtrojnë besim, kjo do të jetë në tokë. (Psalmi 37:11) Megjithatë, Jezui u tha dishepujve të tij: «Mos ki frikë, tufë e vogël, sepse Ati juaj ka dhënë miratimin që t’ju japë mbretërinë.» (Luka 12:32, BR) Mbretëria e Perëndisë është qiellore. Pra, ky premtim do të thotë se një «tufë e vogël» do të ishte me Jezuin në qiell, si krijesa frymore. (Gjoni 14:2, 3; 1. Pjetrit 1:3, 4) Ç’perspektivë e lavdishme! Më tej, Jezui i zbuloi apostullit Gjon se kjo «tufë e vogël» do të numëronte vetëm 144.000 persona.—Zbulesa 14:1.
4 Por, si do të hynin 144.000-ët në lavdinë qiellore? Jezui «hodhi dritë mbi jetën dhe mosprishjen nëpërmjet lajmit të mirë». Me anë të gjakut të tij, ai përuroi «një udhë të re dhe të gjallë» për të hyrë në qiej. (2. Timoteut 1:10; Hebrenjve 10:19, 20, BR) Fillimisht, ai vdiq, ashtu siç e kishte parathënë Bibla se do të ndodhte. (Isaia 53:12) Më pas, siç deklaroi më vonë apostulli Pjetër, «këtë Jezu, Perëndia e ringjalli». (Veprat 2:32, BR) Por Jezui nuk u ngrit si njeri. Ai kishte thënë: «Buka që do të jap është mishi im në dobi të jetës së botës.» (Gjoni 6:51, BR) Marrja përsëri e mishit prej tij, do ta anulonte këtë flijim. Kështu, Jezui «vdiq në mish, por . . . u bë i gjallë në frymë». (1. Pjetrit 3:18, BR) Në këtë mënyrë, Jezui «arriti të merrte një çlirim të përhershëm për ne», domethënë për «tufën e vogël». (Hebrenjve 9:12, BR) Ai i paraqiti Perëndisë vlerën e jetës së tij të përsosur njerëzore, si një shpërblesë për njerëzimin mëkatar dhe 144.000-ët ishin të parët që nxorën dobi prej saj.
5. Cila shpresë u ishte ofruar ithtarëve të Jezuit të shekullit të parë?
5 Jezui nuk do të ishte i vetmi i ringjallur në jetë qiellore. Pavli u tha bashkë të krishterëve në Romë se ata ishin mirosur me frymë të shenjtë, për të qenë bij të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, nëse e vërtetonin mirosjen e tyre, duke duruar deri në fund. (Romakëve 8:16, 17) Gjithashtu, Pavli shpjegoi: «Nëse jemi bashkuar me të për nga ngjashmëria e vdekjes së tij, patjetër që do të bashkohemi me të edhe për nga ngjashmëria e ringjalljes së tij.»—Romakëve 6:5, BR.
Në mbrojtje të shpresës së ringjalljes
6. Pse besimi te ringjallja u vu nën sulm në Korint dhe si u përgjigj apostulli Pavël?
6 Ringjallja është pjesë e «doktrinës fillestare» të krishterimit. (Hebrenjve 6:1, 2, BR) Megjithatë, në Korint kjo doktrinë ishte nën sulm. Disa persona në kongregacion, me sa duket të influencuar nga filozofia greke, thoshin: «Nuk ka ringjallje të të vdekurve.» (1. Korintasve 15:12, BR) Kur apostullit Pavël i shkuan raporte mbi këtë, ai doli në mbrojtje të shpresës së ringjalljes, sidomos të shpresës së të krishterëve të mirosur. Le të shqyrtojmë fjalët e Pavlit, siç janë shkruar në kapitullin 15 të 1. Korintasve. Do të vëresh se leximi i krejt kapitullit do të të ndihmojë, siç u rekomandua në artikullin e mëparshëm.
7. (a) Në cilën çështje kyçe u përqendrua Pavli? (b) Kush e pa Jezuin e ringjallur?
7 Në dy vargjet e para të kapitullit 15 të 1. Korintasve, Pavli vendos temën e diskutimit të tij: «Ju bëj të njohur, vëllezër, lajmin e mirë që ju deklarova, të cilin e morët edhe ju, në të cilin qëndruat edhe ju, nëpërmjet të cilit po shpëtoheni edhe ju, . . . veç nëse, në të vërtetë, u bëtë kot besimtarë.» (BR) Nëse korintasit nuk arrinin të qëndronin pa u lëkundur në lajmin e mirë, e kishin pranuar më kot të vërtetën. Pavli vazhdoi: «Ju transmetova, ndër gjërat e para, atë që edhe unë mora, që, sipas Shkrimeve, Krishti vdiq për mëkatet tona; dhe se u varros, po, se u ngrit ditën e tretë, sipas Shkrimeve; dhe se iu shfaq Kefas, pastaj të dymbëdhjetëve. Pas kësaj iu shfaq më shumë se pesëqind vëllezërve njëherësh, shumica e të cilëve qëndrojnë deri më tani, por disa kanë rënë në gjumin e vdekjes. Pas kësaj, iu shfaq Jakovit, pastaj të gjithë apostujve; por në fund fare m’u shfaq edhe mua, si një të linduri para kohe.»—1. Korintasve 15:3-8.
8, 9. (a) Sa i rëndësishëm është besimi te ringjallja? (b) Në cilin rast ka të ngjarë t’u jetë shfaqur Jezui «më shumë se 500 vëllezërve»?
8 Për ata që kishin pranuar lajmin e mirë, besimi te ringjallja e Jezuit nuk ishte çështje zgjedhjeje. Kishte shumë dëshmitarë okularë për të vërtetuar se «Krishti vdiq për mëkatet tona» dhe se ishte ngritur. Njëri ishte Kefa, ose Pjetri, siç njihet më mirë. Pas mohimit që i bëri Jezuit natën e tradhtimit dhe të arrestimit të tij, Pjetri duhet të jetë ngushëlluar shumë nga fakti që iu shfaq Jezui. Edhe «të dymbëdhjetët», apostujt si grup, u vizituan nga Jezui i ringjallur, një përvojë që pa dyshim i ndihmoi të kapërcenin frikën e tyre dhe të bëheshin dëshmitarë të guximshëm të ringjalljes së Jezuit.—Gjoni 20:19-23; Veprat 2:32.
9 Krishti iu shfaq edhe një grupi më të madh, «më shumë se pesëqind vëllezërve». Meqenëse ai kishte vetëm në Galile një numër kaq të madh ithtarësh, kjo mund të ketë ndodhur në rastin e përshkruar në Mateun 28:16-20, kur Jezui dha urdhrin për të bërë dishepuj. Ç’dëshmi të fuqishme mund të jepnin këta individë! Disa ishin ende gjallë në vitin 55 të e.s., kur Pavli hartoi këtë letër të parë drejtuar korintasve. Por, vëre se për ata që kishin vdekur, u fol si të kishin «rënë në gjumin e vdekjes». Ata nuk ishin ringjallur ende për të marrë shpërblimin e tyre qiellor.
10. (a) Cili qe efekti i mbledhjes së fundit të Jezuit me dishepujt e tij? (b) Si iu shfaq Jezui Pavlit «si një të linduri para kohe»?
10 Një dëshmitar tjetër i veçantë i ringjalljes së Jezuit ishte Jakovi, biri i Jozefit dhe i nënës së Jezuit, Marisë. Përpara ringjalljes, duket se Jakovi nuk kishte qenë besimtar. (Gjoni 7:5) Por pasi iu shfaq Jezui, Jakovi u bë besimtar dhe ndoshta luajti rol në kthimin në besim të vëllezërve të tij. ( Veprat 1:13, 14) Në mbledhjen e fundit me dishepujt e tij, në rastin kur u ngrit në qiell, Jezui i ngarkoi të ‘ishin dëshmitarë . . . deri në pjesën më të largët të tokës’. (Veprat 1:6-11, BR) Më vonë, ai iu shfaq Saulit nga Tarsi, persekutues i të krishterëve. (Veprat 22:6-8) Jezui iu shfaq Saulit «si një të linduri para kohe». Ishte sikur Sauli të ishte ringjallur tashmë në jetën frymore dhe ishte në gjendje ta shihte Zotërinë e lavdëruar, shekuj përpara kohës kur duhej të ndodhte ringjallja e të mirosurve. Kjo përvojë e ndali menjëherë Saulin në rrugën e tij të kundërshtimit vrastar ndaj kongregacionit të krishterë dhe shkaktoi një ndryshim të jashtëzakonshëm. (Veprat 9:3-9, 17-19) Sauli u bë apostulli Pavël, njëri prej mbrojtësve më të shquar të besimit të krishterë.—1. Korintasve 15:9, 10.
Besimi te ringjallja thelbësor
11. Si e demaskoi Pavli gabimin e thënies se «nuk ka ringjallje»?
11 Ringjallja e Jezuit ishte, pra, një fakt i vërtetuar më së miri. «Tani, nëse po predikohet se Krishti është ngritur nga të vdekurit,—argumenton Pavli,—si vallë, disa nga ju thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurve?» (1. Korintasve 15:12, BR) Persona të tillë jo vetëm që kishin dyshime personale rreth ringjalljes, por edhe shprehnin hapur mosbesim në të. Kështu, Pavli demaskon gabimin e arsyetimit të tyre. Ai thotë se nëse Krishti nuk ishte ngritur, mesazhi i krishterë ishte një gënjeshtër dhe ata që dëshmonin për ringjalljen e Krishtit ishin «dëshmitarë të rremë të Perëndisë». Nëse Krishti nuk ishte ngritur, Perëndisë nuk i ishte paguar asnjë shpërblesë; të krishterët ishin ‘ende në mëkatet e tyre’. (1. Korintasve 15:13-19; Romakëve 3:23, 24; Hebrenjve 9:11-14) Gjithashtu, të krishterët që kishin «rënë në gjumin e vdekjes», në disa raste si martirë, kishin vdekur pa një shpresë të vërtetë. Në ç’gjendje të mjeruar do të ishin të krishterët, nëse kjo jetë ishte gjithçka që mund të pritnin! Vuajtjet e tyre do të ishin fare të kota.
12. (a) Çfarë nënkuptohet, duke e quajtur Krishtin «frytin e parë të atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes»? (b) Si e bëri të mundshme ringjalljen Krishti?
12 Megjithatë, nuk ishte kështu. Pavli vazhdon: «Krishti është ngritur nga të vdekurit.» Për më tepër, ai është «fryti i parë i atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes». (1. Korintasve 15:20, BR) Kur izraelitët, me bindje i jepnin Jehovait frytin e parë të prodhimit të tyre, Jehovai i bekonte me një të korrë të madhe. (Dalja [Eksodi] 22:29, 30; 23:19; Proverbat [Fjalët e urta] 3:9, 10) Duke e quajtur Krishtin «frytin e parë», Pavli lë të kuptohet se një e korrë e mëtejshme individësh do të ngrihej nga vdekja në jetën qiellore. «Meqenëse vdekja është nëpërmjet një njeriu,—thotë Pavli,—edhe ringjallja e të vdekurve është nëpërmjet një njeriu. Sepse ashtu si në Adamin vdesin të gjithë, po kështu në Krishtin të gjithë do të bëhen të gjallë.» (1. Korintasve 15:21, 22, BR) Jezui e bëri të mundshme ringjalljen me anë të dhënies së jetës së tij të përsosur njerëzore si shpërblesë, duke hapur kështu rrugën që njerëzimi të çlirohej nga skllavëria ndaj mëkatit dhe vdekjes.—Galatasve 1:4; 1. Pjetrit 1:18, 19.a
13. (a) Kur ndodh ringjallja qiellore? (b) Si ndodh që disa të mirosur nuk ‘bien në gjumin e vdekjes’?
13 Pavli vazhdon: «Por secili në rangun e tij: Krishti fryti i parë, pastaj ata që i përkasin Krishtit gjatë pranisë së tij.» (1. Korintasve 15:23, BR) Krishti ishte ringjallur në vitin 33 të e.s. Megjithatë, ithtarëve të tij të mirosur, «atyre që i përkasin Krishtit», do t’u duhej të pritnin deri pak kohë pasi Jezui të fillonte praninë e tij mbretërore, për të cilën profecia biblike tregon se ndodhi në vitin 1914. (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 4:14-16; Zbulesa 11:18) Po ata që do të ishin gjallë gjatë pranisë së tij? Pavli thotë: «Ja! Po ju them një sekret të shenjtë: Jo të gjithë ne do të biem në gjumin e vdekjes, por të gjithë ne do të ndryshohemi në një çast, sa hap e mbyll sytë, gjatë borisë së fundit. Sepse do të bjerë boria, të vdekurit do të ngrihen të paprishshëm dhe ne do të ndryshohemi.» (1. Korintasve 15:51, 52, BR) Qartë, jo të gjithë të mirosurit flenë në varr, duke pritur ringjalljen. Ata që vdesin gjatë pranisë së Krishtit transformohen në çast.—Zbulesa 14:13.
14. Si «pagëzohen me qëllimin për të qenë të vdekur» të mirosurit?
14 «Përndryshe,—pyet Pavli,—çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen me qëllimin për të qenë të vdekur? Nëse të vdekurit nuk do të ngrihen aspak, pse edhe pagëzohen me qëllimin për të qenë të tillë? Pse edhe jemi çdo orë në rrezik?» (1. Korintasve 15:29, 30, BR) Pavli nuk donte të thoshte se individët që jetonin ishin pagëzuar në dobi të të vdekurve, siç e bëjnë të duket disa përkthime të Biblës. Në fund të fundit, pagëzimi lidhet me të qenët dishepull i krishterë dhe shpirtrat e vdekur nuk mund të jenë dishepuj. (Gjoni 4:1) Përkundrazi, Pavli e kishte fjalën për të krishterët që jetonin, shumë prej të cilëve, ashtu si vetë Pavli, ishin «çdo orë në rrezik». Të krishterët e mirosur ishin ‘pagëzuar në vdekjen e Krishtit’. (Romakëve 6:3, BR) Që prej mirosjes së tyre, ata «pagëzoheshin», si të thuash, duke hyrë në një rrugë që do t’i çonte në një vdekje si ajo e Krishtit. (Marku 10:35-40) Ata do të vdisnin me shpresën e një ringjalljeje të lavdishme qiellore.—1. Korintasve 6:14; Filipianëve 3:10, 11.
15. Cilat rreziqe mund të ketë përjetuar Pavli dhe si luajti rol besimi te ringjallja, për t’i duruar ato?
15 Tani Pavli shpjegon se ai vetë kishte hasur rreziqe në një shkallë të tillë, sa mund të thoshte: «Përditë has vdekjen.» Që ndonjë të mos e akuzonte se po e tepronte, Pavli shton: «Këtë e pohoj me anë të ngazëllimit për shkakun tuaj, vëllezër, të cilin e kam në Krishtin Jezu, Zotërinë tonë.» The Jerusalem Bible e përkthen këtë varg: «Has vdekjen çdo ditë, vëllezër, dhe mund të betohem për këtë me anë të krenarisë që kam për ju në Krishtin Jezu, Zotërinë tonë.» Si shembull i rreziqeve që hasi ai, në vargun 32, Pavli flet për ‘përleshjen me bishat e egra në Efes’. Shpesh, romakët i ekzekutonin kriminelët duke ua hedhur bishave të egra nëpër arena. Nëse Pavli ka duruar një përleshje me bisha të vërteta të egra, mund të ketë mbijetuar vetëm me ndihmën e Jehovait. Pa shpresën e ringjalljes, zgjedhja e një rruge jete që e vinte përpara rreziqesh të tilla, do të kishte qenë vërtet prej kokëkrisuri. Pa shpresën e një jete të ardhshme, të duroje vështirësitë dhe sakrificat që vinin bashkë me shërbimin e Perëndisë, s’do të kishte kuptim. «Nëse të vdekurit nuk do të ngrihen,—thotë Pavli,—‘le të hamë dhe të pimë, sepse nesër do të vdesim’.»—1. Korintasve 15:31, 32; shiko 2. Korintasve 1:8, 9; 11:23-27.
16. (a) Nga mund ta ketë prejardhjen shprehja «le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim»? (b) Cilat janë rreziqet e përqafimit të këtij mendimi?
16 Pavli mund të ketë cituar Isainë 22:13, i cili përshkruan qëndrimin fatalist të banorëve të pabindur të Jerusalemit. Ose mund të ketë pasur ndër mend bindjet e epikurianëve, që shpërfillnin çdo shpresë për një jetë pas vdekjes dhe besonin se kënaqësitë e mishit ishin përparësia kryesore në jetë. Sido që të ishte, filozofia «të hamë e të pimë» ishte e paperëndishme. Kështu, Pavli paralajmëron: «Mos u mashtroni. Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1. Korintasve 15:33, BR) Pleksja me ata që hidhnin poshtë ringjalljen, mund të ishte helmuese. Një shoqërim i tillë mund të ketë luajtur rol në problemet që Pavlit iu desh të trajtonte në kongregacionin e Korintit, të tilla si: imoraliteti seksual, përçarjet, paditë dhe mungesa e respektit për Darkën e Zotërisë.—1. Korintasve 1:11; 5:1; 6:1; 11:20-22.
17. (a) Cilën thirrje u bëri Pavli korintasve? (b) Cilat pyetje mbeten për të marrë përgjigje?
17 Kështu, Pavli u bën këtë thirrje pozitive korintasve: «Zgjohuni të bërë esëll në një mënyrë të drejtë dhe mos praktikoni mëkatin, sepse disa janë pa njohurinë e Perëndisë. Po flas që t’ju bëj t’u vijë turp.» (1. Korintasve 15:34, BR) Një pikëpamje negative mbi ringjalljen i çoi disa në një topitje frymore, si të ishin të dehur. Ata duhej të zgjoheshin, të qëndronin esëll. Ngjashëm, sot të krishterët e mirosur duhet të jenë zgjuar frymësisht, pa u influencuar nga pikëpamjet skeptike të botës. Ata duhet të kapen fort pas shpresës së tyre për një ringjallje qiellore. Por ende mbetën disa pyetje, për korintasit atëherë dhe për ne tani. Për shembull, në çfarë forme ngrihen në qiell 144.000-ët? Ç’të themi për miliona të tjerë që janë ende në varr dhe që nuk kanë shpresë qiellore? Çfarë domethënieje do të ketë ringjallja për persona të tillë? Në artikullin tonë vijues, do të shqyrtojmë pjesën tjetër të diskutimit të Pavlit mbi ringjalljen.
[Shënimi]
a Për një trajtim mbi shpërblesën, shiko Kullën e Rojës, 15 shkurt 1991, anglisht.
A të kujtohet?
◻ Cilën dritë hodhi Jezui mbi ringjalljen?
◻ Kush ishin disa prej dëshmitarëve të ringjalljes së Krishtit?
◻ Pse u sfidua doktrina e ringjalljes dhe cila qe përgjigjja e Pavlit?
◻ Pse besimi te ringjallja ishte thelbësor për të krishterët e mirosur?
[Figura në faqen 15]
Vajza e Jairit u bë provë se ringjallja ishte e mundur
[Figura në faqet 16, 17]
Pa shpresën e ringjalljes, martirizimi i të krishterëve besimplotë do të ishte i pakuptimtë