«Mos ki frikë, o tufë e vogël»
«Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.»—LUKA 12:32.
1. Cila është baza e fjalëve të Jezuit: «Mos ki frikë, o tufë e vogël»?
«KËRKONI më parë mbretërinë e Perëndisë.» (Luka 12:31) Me këto fjalë drejtuar dishepujve, Jezui shprehu një parim që ka drejtuar mendimin e të krishterëve që nga ditët e tij e deri më sot. Mbretëria e Perëndisë duhet të zërë vendin e parë në jetën tonë. (Mateu 6:33) Megjithatë, në tregimin e Lukës, Jezui vazhdoi t’i thoshte fjalë të përzemërta dhe siguruese një grupi të veçantë të krishterësh. Ai tha: «Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.» (Luka 12:32) Si Bariu i Shkëlqyer, Jezui e dinte se për dishepujt e tij të afërt do të kishte përpara kohë të stuhishme. Por për ta nuk do të kishte arsye për frikë, nëse do të vazhdonin të kërkonin Mbretërinë e Perëndisë. Prandaj, këshilla e Jezuit nuk ishte një urdhër i rreptë. Përkundrazi, ishte një premtim i dashur që shërbeu për të ngjallur bindje dhe kurajë.
2. Nga kush përbëhet kopeja e vogël dhe përse ata janë veçanërisht të privilegjuar?
2 Jezui po i fliste dishepujve të tij dhe i quajti ata «tufë e vogël». Po u fliste, gjithashtu, edhe atyre të cilëve Jehovai do t’u ‘jepte mbretërinë’. I krahasuar me turmat e mëdha që do ta pranonin Jezuin në kohët e fundit, ky grup ishte në të vërtetë i paktë në numër. Gjithashtu, ata konsideroheshin të çmuar, sepse ishin zgjedhur për një të ardhme të shquar, që të përdoreshin në shërbimin mbretëror. Ati i tyre, Bariu i Madh, Jehovai, e thërret kopenë e vogël për të marrë një trashëgimi qiellore, në lidhje me Mbretërinë Mesianike të Krishtit.
Kopeja e vogël
3. Çfarë vizioni të lavdishëm të kopesë së vogël pa Gjoni?
3 Nga kush përbëhet atëherë kjo kope e vogël që ka këtë perspektivë të mrekullueshme? Ithtarët e Jezu Krishtit që marrin mirosjen me frymën e shenjtë. (Veprat 2:1-4) Duke i parë si këngëtarë në qiell me harpa në dorë, apostulli Gjon shkroi: «Pashë Qengjin që rrinte në këmbë në mal të Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që e kishin shkruar mbi ballin e tyre emrin e tij dhe emrin e Atit të tij. Këta janë ata që nuk janë ndotur me femra; janë në fakt të virgjër. Këta janë ata që ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë ai; këta u shpenguan ndër njerëzit, që të jenë të parat fruta për Perëndinë dhe Qengjin. Edhe në gojë të tyre nuk u gjet gënjeshtër, sepse janë të paqortueshëm.»—Zbulesa 14:1, 4, 5.
4. Çfarë pozite ka kopeja e vogël sot në tokë?
4 Që nga Rrëshajët e vitit 33 të e.s., këta të mirosur dhe të lindur nga fryma kanë shërbyer si ambasadorë të Krishtit në tokë. (2. Korintasve 5:10) Sot, ka mbetur vetëm një pjesë e tyre, të cilët shërbejnë së bashku si klasa e skllavit besnik e të matur. (Mateu 24:45; Zbulesa 12:17) Veçanërisht, qysh në vitin 1935, ata u bashkuan me «delet e tjera», të krishterë me shpresë tokësore që tani numërohen me miliona. Ata ndihmojnë në predikimin e lajmit të mirë në të gjithë tokën.—Gjoni 10:16.
5. Cili është qëndrimi i mbetjes së kopesë së vogël dhe përse ata nuk duhet të kenë frikë?
5 Çfarë qëndrimi mban mbetja e kësaj kopeje të vogël që akoma gjendet në tokë? Duke ditur se po marrin ‘një mbretëri të patundur’, ata e kryejnë shërbimin e tyre të shenjtë me frikë Perëndie dhe me nderim. (Hebrenjve 12:28) Me përulësi e kuptojnë se privilegji i tyre është tepër i madh, që të çon në një gëzim të pakufishëm. Ata kanë gjetur ‘margaritarin me vlerë të madhe’, të cilit iu referua Jezui kur foli për Mbretërinë. (Mateu 13:46) Me afrimin e mjerimit të madh, të mirosurit e Perëndisë qëndrojnë të patrembur. Pavarësisht se çfarë do të ndeshë bota e njerëzimit gjatë ‘ditës së madhe e të lavdishme të Perëndisë’, ata nuk vuajnë nga frika e sëmurë për të ardhmen. (Veprat 2:19-21) Përse jo?
Numri zvogëlohet
6, 7. (a) Përse numri i anëtarëve të kopesë së vogël akoma në tokë është shumë i vogël? (b) Si duhet ta konsiderojë çdo individ shpresën që ka?
6 Vitet e fundit, numri i anëtarëve të kopesë së vogël akoma në tokë është zvogëluar shumë. Kjo u duk qartë në raportin e Përkujtimit për vitin 1994. Në rreth 75.000 kongregacione në popullit të Jehovait në mbarë botën, vetëm 8.617 i morën emblemat, duke treguar se ishin anëtarë të mbetjes. (Mateu 26:26-30) Kurse maksimumi i të pranishmëve ishte 12.288.917. Kjo gjë pritej nga të krishterët e mirosur. Jehovai ka vendosur që kopeja e vogël të përbëhet nga një numër i kufizuar, 144.000, dhe ka vazhduar ta mbledhë atë që nga Rrëshajët e vitit 33 të e.s. Logjikisht, thirrja e kopesë së vogël do të përfundonte kur numri të ishte gati i plotë dhe provat tregojnë se mbledhja e përgjithshme e atyre që marrin këtë bekim të veçantë përfundoi në 1935-ën. Megjithatë, ishte profetizuar që në kohën e fundit, numri i deleve të tjera do të rritej në «një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve». Që nga 1935-a, Jehovai ka mbledhur në mënyrë të veçantë këtë turmë të madhe, që ka shpresën për të marrë jetën e përhershme në një tokë parajsore.—Zbulesa 7:9; 14:15, 16; Psalmi 37:29.
7 Shumica e pjesëtarëve të kopesë së vogël akoma në tokë, janë tani rreth 70, 80 dhe 90-vjeçarë. Pak prej tyre i kanë kaluar 100 vjet jetë. Të gjithë këta e dinë që gjatë ringjalljes qiellore, pavarësisht nga mosha, përfundimisht ata do të bashkohen me Jezu Krishtin dhe do të sundojnë me të në Mbretërinë e tij të lavdishme. Pjesëtarët e shumicës së madhe do të jenë nënshtetas tokësorë të Mbretit Krisht. Le të gëzojë secili prej nesh për atë që Jehovai ka ruajtur për ata që e duan. Nuk na takon neve të zgjedhim se çfarë shprese do të kemi. Atë e vendos Jehovai. Të dyja grupet mund ta gëzojnë shpresën e tyre për një të ardhme të lumtur, qoftë në Mbretërinë qiellore, qoftë në parajsën tokësore nën atë Mbretëri.—Gjoni 6:44, 65; Efesianëve 1:17, 18.
8. Në ç’pikë ka arritur vulosja e 144.000-ve dhe çfarë do të ndodhë kur ajo të përfundojë?
8 Kopeja e vogël e 144.000-ve, përbën «Izraelin e Perëndisë», i cili ka zëvendësuar Izraelin natyror në qëllimet e Perëndisë. (Galatasve 6:16) Prandaj, mbetja përfshin pjesën tjetër të atij kombi frymor akoma në tokë. Pjesëtarët e mbetjes janë duke u vulosur për miratimin përfundimtar të Jehovait. Apostulli Gjon pa në vizion të ndodhte kjo gjë dhe shkroi: «Pashë një engjëll tjetër që ngjitej nga lind dielli e që kishte vulën e Perëndisë së gjallë; dhe u thirri me zë të madh të katër engjëjve, të cilëve u qe dhënë të dëmtojnë dheun dhe detin, duke thënë: ‘Mos dëmtoni dheun, as detin, as pemët, deri sa t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Perëndisë tonë.’ Dhe dëgjova numrin e atyre që u vulosën: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit [frymor].» (Zbulesa 7:2-4) Përderisa vepra e vulosjes së Izraelit frymor në mënyrë të qartë po shkon drejt përfundimit, shpejt do të ndodhin ngjarje trazuese. Ndër të tjera, duhet të jetë shumë afër «mjerimi i madh», kur katër engjëjt të lëshojnë mbi tokën katër erërat e shkatërrimit.—Zbulesa 7:14.
9. Si e shikon kopeja e vogël rritjen në numër të turmës së madhe?
9 Anëtarët e turmës së madhe që janë mbledhur deri tani, numërohen në miliona. Sa i gëzon kjo zemrat e mbetjes! Megjithëse, kopeja e vogël që ndodhet akoma në tokë, vazhdon të zvogëlohet në numër, ata kanë stërvitur dhe përgatitur njerëz të kualifikuar të shumicës së madhe për të marrë përgjegjësitë në lidhje me shtrirjen e organizatës tokësore të Perëndisë. (Isaia 61:5) Siç tregoi Jezui, do të ketë nga ata që do ta mbijetojnë mjerimin e madh.—Mateu 24:22.
«Mos ki frikë»
10. (a) Çfarë sulmi do të bëhet kundër popullit të Perëndisë dhe nga kush do të drejtohet? (b) Cilave pyetje duhet t’u përgjigjet secili prej nesh?
10 Satanai dhe demonët tij janë ulur në afërsi të tokës. Ai dhe hordhitë e tij po manovrojnë për të bërë një sulm me të gjitha forcat mbi popullin e Jehovait. Ky sulm i parathënë në Bibël është përshkruar si sulmi i Gogut dhe Magogut. Mbi kë veçanërisht është përqendruar sulmi i Djallit? A nuk është mbi anëtarët e fundit të kopesë së vogël, Izraelin frymor të Perëndisë, të cilët po banojnë në mënyrë paqësore «në qendër të tokës»? (Ezekieli 38:1-12, BR) Po, por mbetja e klasës së të mirosurve besnikë, bashkë me shokët e tyre besnikë, delet e tjera, do të dëshmojnë se si sulmi i Satanait do të përshpejtojë një përgjigje dramatike nga ana e Perëndisë Jehova. Ai do të ndërhyjë për të mbrojtur popullin e tij dhe kjo do të provokojë shpërthimin e ‘ditës së madhe dhe të tmerrshme të Zotit’. (Joeli 2:31) Sot, skllavi besnik dhe i matur po kryen një shërbim të domosdoshëm jetëshpëtues, duke paralajmëruar këtë ndërhyrje të pazakontë të Jehovait që po vjen. (Malakia 4:5; 1. Timoteut 4:16) A po e përkrah aktivisht këtë shërbim, duke marrë pjesë në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Jehovait? A do të vazhdosh ta bësh këtë si lajmëtar i patrembur i Mbretërisë?
11. Përse është e domosdoshme që sot të kemi një qëndrim të guximshëm?
11 Duke parë situatën e sotme botërore, sa aktuale është për kopenë e vogël të ndjekin fjalët e Jezuit, drejtuar atyre: «Mos ki frikë, o tufë e vogël.» Ky qëndrim i guximshëm është i domosdoshëm, përpara gjithë asaj që është kryer në harmoni me qëllimin e Jehovait. Individualisht, çdokush nga kopeja e vogël e kupton nevojën për të duruar deri në fund. (Luka 21:19) Ashtu si Jezu Krishti, Zotëria dhe Pronari i kopesë së vogël, duroi dhe qëndroi besnik deri në fund të jetës së tij tokësore, kështu edhe çdokush nga mbetja duhet të durojë dhe të tregohet besnik.—Hebrenjve 12:1, 2.
12. Në ç’mënyrë Pavli, ashtu si Jezui i këshilloi të krishterët e mirosur të mos kishin frikë?
12 Të gjithë të mirosurit duhet të kenë të njëjtin vështrim si të apostullit Pavël. Vëre se si fjalët e tij për ringjalljen si një lajmëtar publik i mirosur, janë në harmoni me këshillën e Jezuit për të mos pasur frikë. Pavli shkroi: «Kujto që Jezu Krishti, nga fisi i Davidit, u ngjall së vdekuri sipas ungjillit tim, për të cilin unë po vuaj deri edhe në pranga posi keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga. Prandaj unë i duroj të gjitha, për shkak të të zgjedhurve, që ata të kenë shpëtimin që është në Krishtin Jezus, bashkë me lavdi të përjetshme. Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë; në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë. Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.»—2. Timoteut 2:8-13.
13. Cilat bindje të thella kanë anëtarët e kopesë së vogël dhe çfarë i nxit kjo që të bëjnë?
13 Ashtu si apostulli Pavël, anëtarët e mbetur të kopesë së vogël të mirosur, janë të gatshëm të durojnë vuajtje, ndërsa shpallin mesazhin e fuqishëm të treguar në Fjalën e Perëndisë. Bindjet e tyre janë të rrënjosura thellësisht, ndërkohë që vazhdimisht besojnë në premtimet hyjnore të shpëtimit dhe dhënies së ‘kurorës së jetës’, nëse qëndrojnë besnikë deri në vdekje. (Zbulesa 2:10) Duke përjetuar një ringjallje dhe ndryshim të menjëhershëm, ata do të bashkohen me Krishtin për të sunduar së bashku me të si mbretër. Çfarë triumfi për mbajtjen e integritetit të tyre si mundës të botës!—1. Gjonit 5:3, 4.
Një shpresë e pashoqe
14, 15. Në ç’mënyrë shpresa e ringjalljes së kopesë së vogël është e pashoqe?
14 Shpresa e ringjalljes që ushqen kopeja e vogël është e pashoqe. Në cilat aspekte? Para së gjithash, ajo i paraprin ringjalljes së përgjithshme ‘të të drejtëve dhe të të padrejtëve’. (Veprat 24:15) Në të vërtetë, ringjallja e të mirosurve bëhet sipas një radhe rëndësie, siç tregohet qartë nga fjalët që gjenden në 1. Korintasve 15:20, 23: «Tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur. Por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij.» Duke pasur atë durim dhe besim që shfaqi Jezui, kopeja e vogël e di se çfarë e pret në mbarim të jetës së tyre tokësore, veçanërisht që kur Zotëria i vërtetë ka ardhur për të gjykuar në tempullin e tij, në 1918-ën.—Malakia 3:1.
15 Pavli na jep një arsye më shumë për ta parë këtë ringjallje si të pashoqe. Siç shënohet në 1. Korintasve 15:51-53, ai shkroi: «Ja, unë po ju them një të fshehtë [sekret të shenjtë, BR]: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; . . . sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky i vdekshëm të veshë pavdekësinë.» Kjo zbatohet për ata të kopesë së vogël, të cilët vdesin gjatë pranisë së Krishtit. Pa u dashur të flenë një periudhë të gjatë kohe në vdekje, ata vishen me pavdekësi «në një moment, sa hap e mbyll sytë».
16, 17. Në ç’mënyrë të krishterët e mirosur sot janë veçanërisht të bekuar lidhur me shpresën e tyre të ringjalljes?
16 Nën dritën e këtij kuptimi, mund të kapim domethënien e fjalëve të apostullit Gjon, që gjenden në Zbulesën 14:12, 13. Ai shkroi: «Këtu është qëndrueshmëria e shenjtorëve; këtu janë ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe besimin e Jezusit. Pastaj dëgjova nga qielli një zë që më thoshte: ‘Shkruaj: Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin; po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre t’i ndjekin.’»
17 Ç’shpërblim i pashoq e pret mbetjen e kopesë së vogël! Ringjallja e tyre do të ndodhë shpejt, menjëherë pasi të bien në gjumin e vdekjes. Çfarë ndryshimi të çuditshëm do të përjetojnë, ndërsa marrin caktimin e tyre në mbretërinë frymore! Meqenëse kjo lavdi e kopesë së vogël është pikërisht tani në veprim dhe plotësimi i profecive biblike ka arritur tashmë në një stad mjaft të lartë, anëtarët e fundit që kanë mbetur nga kopeja e vogël, me të vërtetë nuk duhet të ‘kenë frikë’. Shërbimi i tyre i patrembur vlen për të inkurajuar ata të kopesë së madhe, të cilët duhet të kultivojnë po këtë qëndrim të patrembur, ndërsa parashikojnë çlirimin gjatë kohës së shqetësimit më të madh që toka ka njohur ndonjëherë.
18, 19. (a) Përse koha në të cilën jetojmë është urgjente? (b) Përse si të mirosurit dhe delet e tjera duhet të mos kenë frikë?
18 Mbajtja parasysh e aktiviteteve të kopesë së vogël u bën të mundur atyre dhe shumicës së madhe të vazhdojnë t’i frikësohen Perëndisë së vërtetë. Ora e gjykimit të tij ka ardhur dhe koha që na është lënë në dispozicion është e çmuar. Vërtet, koha e lënë në dispozicion për të tjerët që të veprojnë është e kufizuar. Megjithatë, ne nga ana jonë nuk kemi frikë se qëllimi i Perëndisë do të dështojë. Ai me siguri do të ketë sukses!
19 Tashmë, zërat e lartë qiellorë janë dëgjuar të thonë: «Mbretëritë e botës u bënë mbretëri të Zotit tonë dhe të Krishtit të tij, dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve.» (Zbulesa 11:15) Sigurisht, Bariu i Madh, Jehovai, po i udhëheq të gjitha delet e tij nëpër «shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij». (Psalmi 23:3) Kopeja e vogël me siguri do të udhëhiqet drejt shpërblimit qiellor. Delet e tjera do të shpëtohen gjatë mjerimit të madh për të gëzuar jetën e përhershme në zotërimet tokësore të Mbretërisë së lavdishme të Perëndisë nën sundimin e Jezu Krishtit. Prandaj, ndërsa fjalët e Jezuit i janë drejtuar kopesë së vogël, me siguri që të gjithë shërbëtorët e Perëndisë në tokë kanë arsye për të dëgjuar fjalët e tij: «Mos ki frikë.»
A mund të shpjegosh?
◻ Përse duhet të presim që numri i mbetjes së kopesë së vogël të zvogëlohet?
◻ Cila është situata e mbetjes së mirosur sot?
◻ Përse të krishterët nuk duhet të kenë frikë, pavarësisht nga afrimi i sulmit të Gogut dhe Magogut?
◻ Përse veçanërisht sot shpresa e ringjalljes së 144.000-ve është e pashoqe?