Thesari ynë në enë balte
«Ne e kemi këtë thesar në enë balte, me qëllim që fuqia përtej asaj që është normale të jetë e Perëndisë e jo nga ne vetë.» —2. KORINTASVE 4:7, BR.
1. Si duhet të na inkurajojë shembulli i Jezuit?
NDËRSA po modelohej nga Jehovai këtu mbi tokë, Jezui përjetoi drejtpërdrejt brishtësinë e njerëzimit. Sa duhet të na inkurajojë shembulli i tij si mbajtës i integritetit! Apostulli na thotë: «Në fakt, në këtë rrugë ju u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model që të ndiqni nga afër hapat e tij.» (1. Pjetrit 2:21, BR) Duke iu nënshtruar një modelimi të tillë, Jezui triumfoi mbi botën. Ai, gjithashtu, u dha guxim apostujve të tij që të dilnin fitimtarë. (Veprat 4:13, 31; 9:27, 28; 14:3; 19:8) E sa inkurajim të shkëlqyer u dha ai atyre në përfundim të fjalimit të fundit që u mbajti! Ai deklaroi: «Jua kam thënë këto gjëra që nëpërmjet meje të mund të keni paqe. Në botë keni mjerim, por merrni kurajë! Unë e kam mundur botën.»—Gjoni 16:33, BR.
2. Në kontrast me verbërinë e botës, cilin ndriçim kemi ne?
2 Në mënyrë të ngjashme, pasi vuri në kontrast verbërinë që shkakton «perëndia i këtij sistemi gjërash» me «ndriçimin e lajmit të mirë të lavdishëm», apostulli Pavël tha për shërbimin tonë të çmuar: «Ne e kemi këtë thesar në enë balte, me qëllim që fuqia përtej asaj që është normale të jetë e Perëndisë e jo nga ne vetë. Jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por jo ngushtë sa të mos lëvizim; të hutuar, por jo fare pa rrugëdalje; jemi të persekutuar, por jo të lënë në baltë; jemi të rrëzuar, por jo të shkatërruar.» (2. Korintasve 4:4, 7-9, BR) Edhe pse jemi «enë balte» të brishta, Perëndia me anë të frymës së tij na ka modeluar në mënyrë të atillë që të mund të dalim plotësisht fitimtarë mbi botën e Satanait.—Romakëve 8:35-39; 1. Korintasve 15:57.
Modelimi në Izraelin e lashtë
3. Si e përshkroi Isaia modelimin e kombit judaik?
3 Jehovai modelon jo vetëm individë, por edhe kombe të tëra. Për shembull, kur iu nënshtrua modelimit nga Jehovai, Izraeli i lashtë lulëzoi. Por, në fund, ai u ngurtësua si komb, duke ndjekur një drejtim mosbindjeje. Si pasojë, Formuesi i Izraelit solli ‘mjerime’ mbi të. (Isaia 45:9) Në shekullin e tetë p.e.s., Isaia i foli Jehovait për gjendjen e rëndë mëkatare të Izraelit, duke thënë: «O Jehova, ti je Ati ynë. Ne jemi argjila dhe ti je Poçari ynë, dhe të gjithë ne jemi vepër e dorës sate. . . . Secila nga gjërat tona të dëshirueshme është bërë një shkretim.» (Isaia 64:8-11, BR) Izraeli u modelua në një enë të përshtatshme vetëm për shkatërrim.
4. Cili ilustrim u interpretua nga Jeremia?
4 Një shekull më vonë, ndërsa afrohej dita e llogaridhënies, Jehovai i tha Jeremisë të merrte një shtambë prej balte të pjekur dhe të shoqëronte disa nga pleqtë e Jerusalemit për në Luginën e Hinomit, duke e udhëzuar: «Duhet ta thyesh shtambën para syve të burrave që po shkojnë me ty. Dhe duhet t’u thuash atyre: “Kjo është ajo që ka thënë Jehovai i ushtrive: ‘Në të njëjtën mënyrë unë do të thyej këtë popull dhe këtë qytet, ashtu si dikush thyen enën e poçarit, kështu që ajo nuk është më në gjendje të riparohet.”’»—Jeremia 19:10, 11, BR.
5. Sa i madh ishte gjykimi i Jehovait mbi Izraelin?
5 Në vitin 607 p.e.s., Nabukodonosori e shkretoi Jerusalemin dhe tempullin e tij, duke i marrë robër në Babiloni hebrenjtë që mbijetuan. Por, pas 70 vjetësh në mërgim, hebrenjtë e penduar mundën të ktheheshin për të rindërtuar Jerusalemin dhe tempullin e tij. (Jeremia 25:11) Megjithatë, aty nga shekulli i parë i e.s., kombi e kishte braktisur përsëri Poçarin e Madh dhe përfundimisht e uli veten deri aty sa bëri krimin më të madh të vrasjes së vetë Birit të Perëndisë. Në vitin 70 të e.s., Perëndia përdori Fuqinë Botërore Romake si ekzekutuese, për të shfarosur sistemin judaik të gjërave, duke e bërë pluhur e hi Jerusalemin dhe tempullin e tij. Kombi i Izraelit nuk do të modelohej kurrë më nga dora e Jehovait si diçka me «shenjtëri dhe bukuri».a
Modelimi i një kombi frymor
6, 7. (a) Si e përshkruan Pavli modelimin e Izraelit frymor? (b) Cili është numri i plotë i «enëve të mëshirës» dhe si u mblodh ky numër?
6 Judenjtë që e kishin pranuar Jezuin u modeluan si pjesëtarë themelues të një kombi të ri, «Izraelit [frymor] të Perëndisë». (Galatasve 6:16) Pra, fjalët e Pavlit janë të përshtatshme: «Çfarë? A nuk ka autoritet poçari mbi argjilën për të bërë nga e njëjta masë një enë për përdorim me nder, një tjetër për përdorim pa nder? . . . Perëndia, edhe pse ka vullnetin të demonstrojë zemërimin e tij dhe ta bëjë të njohur fuqinë e tij, toleroi me shumë shpirtmadhësi enët e zemërimit të bëra të përshtatshme për shkatërrim, me qëllim që të mund të bënte të njohura pasuritë e lavdisë së tij mbi enët e mëshirës, të cilat ai i përgatiti që më përpara për lavdi.»—Romakëve 9:21-23, BR.
7 Më vonë, Jezui i ringjallur bëri të ditur se këto «enë mëshire» do të numëronin 144.000 veta. (Zbulesa 7:4; 14:1) Meqë nga Izraeli natyror nuk u mbush numri i plotë, Jehovai ua ofroi mëshirën e tij njerëzve të kombeve. (Romakëve 11:25, 26) Kongregacioni i krishterë i krijuar rishtas u zgjerua me shpejtësi. Brenda 30 vjetësh lajmi i mirë ishte duke u «predikuar në të gjithë krijimin që është nën qiell». (Kolosianëve 1:23, BR) Kjo bëri të nevojshme vënien nën mbikëqyrjen e duhur të kongregacioneve të shumta vendase të shpërndara.
8. Kush e përbënte trupin e parë udhëheqës dhe si u zhvillua ky trup?
8 Jezui i kishte përgatitur 12 apostujt që të bëheshin trupi i parë udhëheqës, duke i stërvitur ata si edhe të tjerët për shërbimin. (Luka 8:1; 9:1, 2; 10:1, 2) Në ditën e Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., u themelua kongregacioni i krishterë dhe me kalimin e kohës trupi udhëheqës i tij u zgjerua për të përfshirë «apostujt dhe pleqtë në Jerusalem». Jakovi, vëllai nga nëna i Jezuit, del se ka shërbyer si drejtues për një periudhë të gjatë kohe, edhe pse nuk ishte një apostull. (Veprat 12:17; 15:2, 6, 13; 21:18) Sipas historianit Eusebio, apostujt u bënë shënjestra të veçanta persekutimi dhe u shpërndanë në territore të tjera. Përbërja e trupit udhëheqës u përshtat sipas rrethanave.
9. Cilin zhvillim të trishtueshëm paratha Jezui se do të ndodhte?
9 Aty nga fundi i shekullit të parë, ‘armiku, Djalli’ filloi të ‘mbillte egjra’ mes trashëgimtarëve të «mbretërisë së qiejve» që ishin ngjashëm grurit. Jezui kishte profetizuar se ky zhvillim i trishtueshëm do të lejohej deri në kohën e korrjes, në «përfundim të sistemit të gjërave». Pastaj, edhe një herë ‘të drejtët do të ndriçonin si dielli në mbretërinë e Atit të tyre’. (Mateu 13:24, 25, 37-43, BR) Kur do të ndodhte kjo?
Modelimi i Izraelit të Perëndisë sot
10, 11. (a) Si filloi modelimi në ditët e sotme i Izraelit të Perëndisë? (b) Cilat mësime të të ashtuquajturit krishterim u gjendën në kontrast me mësimet e Studentëve të zellshëm të Biblës?
10 Në vitin 1870, Charles Taze Russell formoi një grup studimi biblik në Pitsburg, Pensilvani, SHBA. Në vitin 1879, ai filloi të botonte çdo muaj revistën që sot njihet si Kulla e Rojës. Shpejt, këta Studentë të Biblës, siç u quajtën në atë kohë, e dalluan se i ashtuquajturi krishterim kishte përvetësuar mësime pagane jobiblike, si: pavdekësia e shpirtit, zjarri i ferrit, purgatori, një perëndi trinitet dhe pagëzimi i foshnjave.
11 Por, ç’është më e rëndësishmja, këta dashurues të së vërtetës biblike rivendosën mësimet themelore të Biblës, si: shpengimi nëpërmjet flijimit shpërblyes të Jezuit dhe ringjallja në jetën e përhershme në një tokë parajsore me paqe, nën Mbretërinë e Perëndisë. Mbi të gjitha, theksi u vu mbi shfajësimin e afërt të Perëndisë Jehova si Zotëria Sovran i universit. Studentët e Biblës besonin se ishte pranë marrja e përgjigjes së Lutjes së Zotërisë: «Ati ynë në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, ashtu edhe mbi tokë!» (Mateu 6:9, 10, BR) Ata po modeloheshin nga fryma e shenjtë e Perëndisë në një shoqëri mbarëbotërore të krishterësh paqedashës.
12. Si arritën të dallonin Studentët e Biblës një datë të rëndësishme?
12 Një studim i thellë i kapitullit 4 të Danielit dhe i profecive të tjera, i bindi Studentët e Biblës se prania e Jezuit si Mbreti Mesianik duhej të ishte afër. Ata dalluan se viti 1914 do të ishte data e përfundimit të «kohëve të caktuara të kombeve». (Luka 21:24, BR; Ezekieli 21:31, 32) Studentët e Biblës e zgjeruan me shpejtësi aktivitetin e tyre, duke formuar klasa të Biblës (që më vonë u quajtën kongregacione) kudo në Shtetet e Bashkuara. Me fillimin e shekullit të ri, vepra e tyre e arsimimit biblik po zgjerohej në Evropë dhe në Australazi. U bë i nevojshëm një organizim i mirë.
13. Cilin status ligjor morën Studentët e Biblës dhe çfarë shërbimi të jashtëzakonshëm kreu presidenti i parë i Shoqatës?
13 Për t’u dhënë Studentëve të Biblës statusin ligjor, Shoqata Zion’s Watch Tower Tract u bë korporatë në vitin 1884 në Shtetet e Bashkuara, me qendrën e saj botërore në Pitsburg, Pensilvani. Drejtuesit e saj shërbyen si një Trup Udhëheqës qendror, duke mbikëqyrur predikimin global të Mbretërisë së Perëndisë. Presidenti i parë i Shoqatës, Charles T. Russell, shkroi gjashtë vëllime të Studimeve mbi Shkrimet dhe bëri udhëtime të gjata predikimi. Ai, gjithashtu, dhuroi për veprën mbarëbotërore të Mbretërisë pasurinë që kishte grumbulluar para se të fillonte studimet e Biblës. Në vitin 1916, kur në Evropë po ziente Lufta e Madhe, vëllai Russell, i sfilitur nga lodhja, vdiq gjatë një udhëtimi të predikimit. Gjithçka që kishte, ai e kishte dhënë për përhapjen e dëshmisë rreth Mbretërisë së Perëndisë.
14. Si e ‘luftoi luftën e shkëlqyer’ J. F. Rutherford? (2. Timoteut 4:7, BR)
14 Presidenti tjetër u bë Joseph F. Rutherford, i cili për njëfarë kohe kishte qenë gjyqtar në Misuri. Për shkak të përkrahjes së tij të patrembur të së vërtetës biblike, kleri i të ashtuquajturit krishterim i bashkoi forcat me politikanët për të «kurdisur trazira me anë të dekretit». Më 21 qershor 1918, vëllai Rutherford dhe shtatë drejtues të tjerë Studentë të Biblës u burgosën, me dënime shumëfishe prej 10 ose 20 vjetësh për t’i shlyer njëkohësisht. Studentët e Biblës u kundërpërgjigjën. (Psalmi 94:20, BR; Filipianëve 1:7) Pas apelimit, ata u liruan më 26 mars 1919 dhe më vonë u shkarkuan plotësisht nga akuza e rreme e nxitjes për kryengritje.b Kjo përvojë shërbeu për t’i modeluar ata si mbrojtës të paepur të së vërtetës. Me ndihmën e Jehovait ata nuk lanë gurë pa lëvizur, për të dalë fitimtarë në luftën frymore të shpalljes së lajmit të mirë, pavarësisht nga kundërshtimi i Babilonisë së Madhe. Kjo luftë vazhdon edhe tani, në vitin 1999.—Krahaso Mateun, kapitulli 23; Gjoni 8:38-47.
15. Pse viti 1931 ishte i rëndësishëm historikisht?
15 Gjatë viteve 20 dhe 30, Izraeli i mirosur i Perëndisë vazhdoi të modelohej nën drejtimin e Poçarit të Madh. Drita profetike nga Shkrimet shndriti, duke i dhënë nder Jehovait dhe duke u përqendruar mbi Mbretërinë Mesianike të Jezuit. Në vitin 1931, Studentët e Biblës u gëzuan kur pranuan emrin e tyre të ri, Dëshmitarët e Jehovait.—Isaia 43:10-12; Mateu 6:9, 10; 24:14.
16 dhe kutia në faqen 19. Kur u plotësua numri i plotë i 144.000-ve dhe çfarë dëshmie ekziston për këtë?
16 Në vitet 30 u duk se numri i «atyre të thirrur, të zgjedhur dhe besimplotë», 144.000, u plotësua. (Zbulesa 17:14, BR; shiko kutinë në faqen 19.) Ne nuk e dimë se sa të mirosur u mblodhën në shekullin e parë dhe sa ishin ata që u mblodhën mes «egjrave» gjatë shekujve të errët të apostazisë së madhe të të ashtuquajturit krishterim. Por në vitin 1935, pati një total botëror prej 52.465 lajmëtarësh, me një maksimum prej 56.153 vetash që e treguan shpresën e tyre qiellore duke marrë nga emblemat e Përkujtimit. Çfarë do të ndodhte me shumë të tjerët që do të mblidheshin akoma?
«Ja! Një shumicë e madhe!»
17. Cili zhvillim historik ndodhi në vitin 1935?
17 Në një kongres të mbajtur nga data 30 maj deri më 3 qershor 1935, në Uashington D.C., SHBA, vëllai Rutherford mbajti një fjalim që shënoi një pikë kthese, i cili titullohej «Turma e madhe».c Ky grup, «të cilën asnjë njeri nuk ishte në gjendje ta numëronte», do të shfaqej ndërsa vulosja e 144.000 personave të Izraelit frymor do t’i afrohej fundit. Edhe këta do të ushtronin besim në fuqinë shpërblyese të «gjakut të Qengjit», Jezuit, dhe do të bënin shërbim të shenjtë në rregullimin e tempullit të Jehovait për adhurimin. Si një grup, ata do të ‘dilnin nga mjerimi i madh’ të gjallë, për të trashëguar parajsën tokësore ku «vdekja nuk do të jetë më». Për disa vjet para atij kongresi, për këtë grup ishte folur si për Jonadabët.—Zbulesa 7:9-17; 21:4, BR; Jeremia 35:10.
18. Në cilat mënyra ishte vendimtar viti 1938?
18 Viti 1938 ishte një vit vendimtar në identifikimin e qartë të dy klasave. Numrat e Kullës së Rojës, 15 mars dhe 1 prill 1938, paraqitën studimin prej dy pjesësh «Tufa e Tij» dhe bënë të qartë vendet relative të mbetjes së mirosur dhe të shokëve të tyre, shumicës së madhe. Më pas, numrat 1 dhe 15 qershor përmbanin artikujt e studimeve mbi «Organizatën», bazuar në Isainë 60:17. Të gjitha kongregacioneve iu kërkua t’i drejtoheshin Trupit Udhëheqës për të emëruar shërbëtorët lokalë, duke vendosur kështu një rregullim të përmirësuar teokratik, të caktuar nga Perëndia. Kongregacionet bënë pikërisht ashtu.
19 dhe shënimi. Cilat fakte vërtetojnë se thirrja e përgjithshme për «delet e tjera» ka 60 vjet që po vazhdon?
19 Në raportin e Librit vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1939, anglisht, thuhej: «Ithtarët e mirosur të Krishtit Jezu që gjenden tani në tokë janë të paktë në numër dhe numri i tyre nuk do të jetë kurrë më i madh se ky. Këta janë përkufizuar në Shkrime si ‘mbetja’ e pasardhjes së Sionit, organizatës së Perëndisë. (Zbul. 12:17) Zotëria tani po mbledh afër vetes ‘delet e tjera’ të tij, të cilët do të formojnë ‘turmën e madhe’. (Gjoni 10:16) Ata që po mblidhen tani janë shokë të mbetjes dhe punojnë së bashku me mbetjen. Që tani e tutje, ata që përbëjnë ‘delet e tjera’ do të rriten në numër derisa të mblidhet ‘turma e madhe’.» Mbetja e mirosur është modeluar për t’u kujdesur për mbledhjen e shumicës së madhe. Edhe këta të fundit tani duheshin modeluar.d
20. Çfarë ndryshimesh organizative janë zhvilluar që nga viti 1942?
20 Në janar 1942, kur Lufta II Botërore ishte në kulmin e saj, Joseph Rutherford vdiq dhe vendin e tij si president e zuri Nathan Knorr. Presidenti i tretë i Shoqatës mbahet mend me dashuri, sepse ngriti shkolla teokratike nëpër kongregacione dhe Shkollën e Galaadit për stërvitjen e misionarëve. Në mbledhjen vjetore të Shoqatës në vitin 1944, ai njoftoi se statuti i Shoqatës po rishikohej, me qëllim që anëtarësia të bazohej, jo mbi kontributet materiale, por mbi gjendjen frymore. Gjatë 30 vjetëve që pasuan, numri i punëtorëve në fushë u rrit nga 156.299 në 2.179.256 veta në mbarë botën. Gjatë viteve 1971-1975 u bënë të nevojshme ndryshime të mëtejshme organizative. Mbikëqyrja e plotë e veprës së Mbretërisë në mbarë tokën nuk mund të bëhej më nga një njeri i vetëm që shërbente si president. Trupi Udhëheqës, me një drejtues që zgjidhej me rotacion, u zgjerua në 18 anëtarë të mirosur, gati gjysma e të cilëve tashmë e kanë mbaruar jetën e tyre mbi tokë.
21. Çfarë i ka kualifikuar anëtarët e tufës së vogël për Mbretërinë?
21 Anëtarët e mbetur të tufës së vogël janë modeluar përgjatë dekadave të shumta me sprova. Ata janë të guximshëm, pasi kanë marrë në mënyrë të pagabueshme ‘dëshminë e frymës’. Jezui u ka thënë atyre: «Ju jeni ata që keni qëndruar vazhdimisht me mua në sprovat e mia, dhe unë bëj një besëlidhje me ju, ashtu si Ati ka bërë një besëlidhje me mua për një mbretëri, që të hani dhe të pini në tryezën time në mbretërinë time, si dhe të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.»—Romakëve 8:16, 17; Luka 12:32; 22:28-30, BR.
22, 23. Si po modelohen tufa e vogël dhe delet e tjera?
22 Ndërkohë që numri i mbetjes së mirosur nga fryma në tokë është zvogëluar, vëllezërve të pjekur nga shumica e madhe u është dhënë mbikëqyrja frymore e pothuajse të gjitha kongregacioneve në mbarë botën. E ndërsa Dëshmitarët e fundit të moshuar të mirosur përfundojnë rrugën e tyre tokësore, sarimët princërorë të deleve të tjera do të jenë stërvitur mirë për të kryer detyrat administrative si klasa e prijësit mbi tokë.—Ezekieli 44:3; Isaia 32:1.
23 Si tufa e vogël, ashtu dhe delet e tjera vazhdojnë të modelohen në enë për përdorim me nder. (Gjoni 10:14-16) Qoftë që shpresa jonë të jetë në «qiejt e rinj», qoftë në «një tokë të re», le t’i përgjigjemi me gjithë zemër ftesës së Jehovait: «Ngazëllohuni, ju njerëz dhe gëzohuni përgjithmonë në atë që po krijoj. Sepse ja ku po krijoj Jerusalemin [qiellor], shkak për gëzim dhe popullin e tij, shkak për ngazëllim.» (Isaia 65:17, 18, BR) Le të shërbejmë gjithnjë me përulësi ne njerëzit e brishtë, duke u modeluar nga «fuqia përtej asaj që është normale», fuqia e frymës së shenjtë të Perëndisë!—2. Korintasve 4:7; Gjoni 16:13.
[Shënimet]
a I ashtuquajturi krishterim renegat, i përfaqësuar nga Izraeli i lashtë, le të jetë i paralajmëruar për një gjykim të ngjashëm nga Jehovai!—1. Pjetrit 4:17, 18.
b Gjyqtari Mantën, një katolik që kishte refuzuar t’i lironte Studentët e Biblës me dorëzani, më vonë u burgos për vete, i dënuar për pranim rryshfetesh.
c Përkthimi i Botës së Re i Shkrimeve të Krishtere Greke, botuar në vitin 1950, përdor termin «shumica e madhe» si një përkthim më i mirë i termit të frymëzuar grek.
d Në vitin 1938, të pranishmit në mbarë botën në Përkujtim ishin 73.420 veta dhe emblemat i morën 39.225 veta, 53 përqind e atyre që ishin të pranishëm. Në vitin 1998 prania ishte rritur në 13.896.312 veta dhe vetëm 8.756 veta morën emblemat, me një mesatare prej më pak se 1 marrës të emblemave për çdo 10 kongregacione.
A të kujtohet?
◻ Duke iu nënshtruar modelimit të Atit të tij, si ishte Jezui Shembulli ynë?
◻ Çfarë modelimi ndodhi në Izraelin e lashtë?
◻ Si është modeluar deri tani «Izraeli i Perëndisë»?
◻ Për cilin qëllim janë modeluar «delet e tjera»?
[Kutia në faqen 18]
Modelim i mëtejshëm në të ashtuquajturin krishterim
Një njoftim i Associated Press nga Athina, Greqi, raportoi sa vijon mbi kreun e zgjedhur kohët e fundit në Kishën Ortodokse Greke: «Thuhet se ai është një lajmëtar i paqes. Por udhëheqësi i Kishës Ortodokse Greke po duket më tepër si një gjeneral që përgatitet për betejë.
‘Ne jemi gati, po të jetë e nevojshme, të derdhim gjak dhe të bëjmë flijime. Ne, si kishë, lutemi për paqe . . . Por i bekojmë armët e shenjta kur e kërkon momenti’,—tha kohët e fundit kryepeshkopi Kristodulos në ditën e shenjtë të Ngritjes së Virgjëreshës, e cila përkon me ditën e forcave të armatosura të Greqisë.»
[Kutia në faqen 19]
«Asnjë shtesë tjetër!»
Në një diplomim të Galaadit në vitin 1970, Frederick Franz, atëherë zëvendëspresidenti i Shoqatës Watch Tower, u foli studentëve për mundësinë që ata, të cilët ishin që të gjithë nga delet e tjera me shpresë tokësore, të pagëzonin dikë, i cili mund të pohonte se ishte nga mbetja e mirosur. A mund të ndodhte kjo? E pra, ai shpjegoi se Gjon Pagëzuesi ishte nga delet e tjera e megjithatë pagëzoi Jezuin dhe disa nga apostujt. Më pas ai vazhdoi të pyeste nëse kishte akoma një thirrje për të mbledhur më tej nga ata të mbetjes. «Jo, asnjë shtesë tjetër!—tha ai.—Ajo thirrje mbaroi në vitet 1931-1935! Nuk ka asnjë shtesë tjetër. Kush, pra, janë ata pak të saposhoqëruar që marrin nga emblemat e Përkujtimit? Nëse janë nga mbetja, ata janë zëvendësime! Nuk janë shtesa në radhët e të mirosurve, por zëvendësime për ata që mund të kenë rënë.»
[Figura në faqen 15]
Sa e vlerësojmë thesarin tonë të shërbimit!
[Figura në faqen 16]
Izraeli i lashtë u bë një enë e përshtatshme vetëm për shkatërrim