«Tani është koha veçanërisht e pranueshme!»
«Ja, tani është koha veçanërisht e pranueshme! Ja, tani është dita e shpëtimit!»—2 KOR. 6:2.
1. Pse kemi nevojë të dallojmë se cila është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë në një kohë të caktuar?
«PËR çdo gjë ka një kohë të caktuar, ka një kohë për çdo punë nën qiej.» (Ekl. 3:1) Solomoni po shkruante sa e rëndësishme është të dallojmë kohën më të favorshme për çfarëdo përpjekje të vlefshme—qoftë në bujqësi, në biznes, për të udhëtuar ose për të komunikuar me të tjerët. Megjithatë, kemi nevojë të dallojmë edhe se cila është puna më e rëndësishme që duhet të bëjmë në një kohë të caktuar. Me fjalë të tjera, duhet t’i kemi të qarta përparësitë tona.
2. Si e dimë se kur predikonte, Jezui ishte tejet i vetëdijshëm për kohën në të cilën po jetonte?
2 Kur ishte në tokë, Jezui ishte tejet i vetëdijshëm për kohën në të cilën po jetonte dhe për atë që duhej të bënte. Ngaqë i kishte të qarta në mendje përparësitë e tij, e dinte se ishte afër koha e shumëpritur që të përmbusheshin shumë profeci mesianike. (1 Pjet. 1:11; Zbul. 19:10) Kishte goxha punë që t’ua bënte të qartë njerëzve identitetin e tij si Mesia i premtuar. Duhej të jepte dëshmi të plotë në lidhje me të vërtetën për Mbretërinë dhe të mblidhte ata që do të ishin bashkëtrashëgimtarë të ardhshëm në këtë Mbretëri. Po ashtu, duhej të hidhte themelin e kongregacionit të krishterë që do të kryente veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve deri në skajet e tokës.—Mar. 1:15.
3. Si ndikoi te veprimet e Jezuit vetëdija për kohën në të cilën po jetonte?
3 Kjo vetëdije ndikonte për mirë në jetën e Jezuit, pasi e nxiste të ishte i zellshëm për të përmbushur vullnetin e Atit. Ai u tha dishepujve: «Të korrat janë vërtet të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj, lutjuni Zotërisë së të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta.» (Luka 10:2; Mal. 4:5, 6) Jezui zgjodhi në fillim 12 dishepuj e më pas 70 të tjerë, u dha udhëzime specifike dhe i dërgoi të predikonin këtë mesazh emocionues: «Mbretëria e qiejve është afruar.» Ndërsa për vetë Jezuin lexojmë: «Pasi u dha udhëzimet dymbëdhjetë dishepujve të tij, Jezui u largua që andej, që të mësonte dhe të predikonte në qytetet e tyre.»—Mat. 10:5-7; 11:1; Luka 10:1.
4. Në ç’mënyrë Pavli ishte imitues i Jezu Krishtit?
4 Jezui ishte një model i përsosur zelli dhe përkushtimi për të gjithë dishepujt. Këtë po theksonte apostulli Pavël kur i nxiti bashkëbesimtarët: «Bëhuni imituesit e mi, ashtu si unë jam i Krishtit.» (1 Kor. 11:1) Në ç’mënyrë Pavli ishte imitues i Krishtit? Pikësëpari, bënte çmos që të predikonte lajmin e mirë. Në letrat që Pavli u shkroi kongregacioneve gjejmë shprehje të tilla, si «jini të papërtuar në punët tuaja», «shërbejini Jehovait si skllevër», «kini gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë» dhe «çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain». (Rom. 12:11; 1 Kor. 15:58; Kolos. 3:23) Pavli nuk e harroi kurrë çastin kur Zotëria Jezu Krisht iu shfaq rrugës për në Damask dhe as fjalët e Tij që dishepulli Anania duhet t’i ketë thënë: «Ai njeri është për mua një enë e zgjedhur, që t’ua çojë emrin tim kombeve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.»—Vep. 9:15; Rom. 1:1, 5; Gal. 1:16.
«Koha veçanërisht e pranueshme»
5. Çfarë e motivonte Pavlin që ta kryente me zell shërbimin?
5 Kur lexojmë librin e Veprave, shohim qartë guximin dhe zellin që shfaqte Pavli ndërsa kryente shërbimin. (Vep. 13:9, 10; 17:16, 17; 18:5) Pavli e dalloi domethënien e kohës në të cilën po jetonte. Ai tha: «Ja, tani është koha veçanërisht e pranueshme! Ja, tani është dita e shpëtimit!» (2 Kor. 6:2) Në të kaluarën, për të mërguarit në Babiloni, viti 537 p.e.s. ishte koha e pranueshme që të riktheheshin në vendin e tyre. (Isa. 49:8, 9) Por, për çfarë e kishte fjalën Pavli këtu? Konteksti na ndihmon të kuptojmë se çfarë kishte në mendje.
6, 7. Cili privilegj i madh u është dhënë të krishterëve të mirosur sot? Cilët po bashkëpunojnë me të mirosurit?
6 Më parë, në letrën e tij Pavli foli për një privilegj të madh që iu dha atij dhe të krishterëve të tjerë të mirosur. (Lexo 2 Korintasve 5:18-20.) Ai shpjegoi se ata u thirrën nga Perëndia për një qëllim specifik, të kryenin «shërbimin e pajtimit», t’u luteshin njerëzve që ‘të pajtoheshin me Perëndinë’. Kjo do të thoshte t’u rikthehej miqësia ose harmonia me Perëndinë.
7 Që nga rebelimi në Eden, i tërë njerëzimi është larguar nga Jehovai. (Rom. 3:10, 23) Ky largim ka bërë që njerëzimi në përgjithësi të zhytet në errësirë frymore dhe kjo ka çuar në vuajtje e vdekje. Pavli shkroi: «Ne e dimë që deri tani e gjithë krijesa—vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.» (Rom. 8:22) Por Perëndia ka ndërmarrë hapa që t’i nxitë, madje ‘t’u lutet’ njerëzve të kthehen tek ai ose të pajtohen me të. Ky shërbim iu besua Pavlit dhe të krishterëve të tjerë të mirosur në atë kohë. Kjo ‘kohë e pranueshme’ mund të ishte ‘ditë shpëtimi’ për ata që kishin besim te Jezui. Të gjithë të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre, ‘delet e tjera’ që po bashkëpunojnë me ta, vazhdojnë t’i ftojnë njerëzit që të përfitojnë nga ‘koha e pranueshme’.—Gjoni 10:16.
8. Çfarë e bën të jashtëzakonshme thirrjen për t’u pajtuar me Perëndinë?
8 Ajo që e bën edhe më të jashtëzakonshme thirrjen për t’u pajtuar me Perëndinë është se, megjithëse ishte njeriu i vetmi përgjegjës për dëmin që iu bë marrëdhënies me Të nga rebelimi në Eden, Perëndia mori iniciativën i pari që ta ndreqte këtë dëm. (1 Gjon. 4:10, 19) Çfarë bëri ai? Pavli u përgjigj: «Me anë të Krishtit, Perëndia po pajtonte botën me veten, duke mos ua llogaritur shkeljet, kurse neve na besoi fjalën e pajtimit.»—2 Kor. 5:19; Isa. 55:6.
9. Çfarë bëri Pavli që të tregonte çmueshmërinë për mëshirën e Perëndisë?
9 Duke siguruar flijimin shpërblyes, Jehovai bëri të mundur që atyre që tregojnë besim t’u falen shkeljet dhe t’u rikthehet miqësia ose harmonia me Të. Për më tepër, dërgoi lajmëtarët e tij që t’i nxitnin kudo njerëzit të bënin paqe me të ndërsa kishin ende mundësi. (Lexo 1 Timoteut 2:3-6.) Duke kuptuar se cili ishte vullneti i Perëndisë dhe duke dalluar kohën në të cilën po jetonte, Pavli punoi pa u lodhur në «shërbimin e pajtimit». Vullneti i Jehovait nuk ka ndryshuar. Ai ende po ua zgjat dorën njerëzve. Fjalët e Pavlit «tani është koha veçanërisht e pranueshme» dhe «tani është dita e shpëtimit», vlejnë ende sot. Sa i mëshirshëm dhe i dhembshur është Perëndia Jehova!—Dal. 34:6, 7.
‘Të përmbushim qëllimin e saj’
10. Ç’domethënie ka pasur «dita e shpëtimit» për të krishterët e mirosur në të kaluarën dhe tani?
10 Të parët që nxorën dobi nga kjo shprehje e dashamirësisë së pamerituar ishin ata «në unitet me Krishtin». (2 Kor. 5:17, 18) Për ta, «dita e shpëtimit» nisi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Që nga ajo kohë, këtyre u është besuar detyra që të shpallin «fjalën e pajtimit». Sot, mbetja e të krishterëve të mirosur ende po kryen «shërbimin e pajtimit». Ata e dallojnë se katër engjëjt që pa apostulli Gjon në një vegim profetik, ‘po mbajnë fort katër erërat e tokës, që asnjë erë të mos fryjë mbi tokë’. Prandaj, tani është ende «dita e shpëtimit» dhe «koha veçanërisht e pranueshme». (Zbul. 7:1-3) Për këtë arsye, që në fillim të shekullit të 20-të, mbetja e mirosur ka përmbushur me zell detyrën e ‘shërbimit të pajtimit’ deri në skajet më të largëta të tokës.
11, 12. Si e treguan të krishterët e mirosur në fillim të shekullit të 20-të vetëdijen për kohën në të cilën po jetonin? (Shih figurën në faqen 15.)
11 Për shembull, siç thuhet në librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë (angl.), në fillim të shekullit të 20-të, «Ç. T. Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij kishin besim të fortë se ishin në një kohë korrjeje dhe se njerëzit kishin nevojë të dëgjonin të vërtetën që të çliron». Çfarë bënë në lidhje me këtë? Duke e kuptuar se ishin në një kohë korrjeje, ‘një kohë veçanërisht e pranueshme’, këta vëllezër nuk mendonin se mjaftonte t’i ftonin njerëzit në ndonjë shërbesë fetare. Pikërisht këtë po bënte prej kohësh kleri i krishterimit të rremë. Përkundrazi, ata të krishterë të mirosur filluan të kërkonin mënyra të tjera praktike që të përhapnin lajmin e mirë. Ndër të tjera, ata përdorën me mençuri teknologjinë më të fundit për të çuar përpara veprën e tyre.
12 Që të përhapte lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, ai grup i vogël shërbëtorësh të zellshëm përdorte fletushka, broshura, revista dhe libra. Gjithashtu, përgatitnin fjalime dhe artikuj e i botonin në mijëra gazeta. Ata transmetonin programe biblike në rrjetet radiofonike kombëtare dhe ndërkombëtare. Prodhuan dhe përdorën filma që përmbanin regjistrime audio të sinkronizuara me pamjet, madje përpara se industria e filmit të nxirrte filmat me zë për publikun. Cili ishte rezultati i këtij zelli të pareshtur? Sot, ka rreth shtatë milionë njerëz që janë përgjigjur dhe janë bashkuar në shpalljen e mesazhit: «Pajtohuni me Perëndinë.» Vërtet, ata shërbëtorë të hershëm të Jehovait ishin shembuj të shkëlqyer zelli pavarësisht nga rrethanat kufizuese.
13. Cilin qëllim të Perëndisë duhet të marrim për zemër?
13 Deklarata e Pavlit «tani është koha veçanërisht e pranueshme» është ende e vërtetë. Ne që kemi shijuar dashamirësinë e pamerituar të Jehovait, jemi mirënjohës që na është dhënë mundësia të dëgjojmë dhe të pranojmë mesazhin e pajtimit. Në vend që të biem në vetëkënaqje, marrim për zemër fjalët e tjera të Pavlit: «Ne ju përgjërohemi që të mos e pranoni dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, pa e përmbushur qëllimin e saj.» (2 Kor. 6:1) Qëllimi i dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë është që ‘të pajtojë botën me veten’ nëpërmjet Krishtit.—2 Kor. 5:19.
14. Cilat mundësi po krijohen në shumë vende?
14 Shumica e njerëzve, të verbuar nga Satanai, janë ende të ndarë nga Perëndia dhe në padije për qëllimin e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. (2 Kor. 4:3, 4; 1 Gjon. 5:19) Megjithatë, kushtet botërore që po keqësohen, kanë bërë që shumë veta të reagojnë mirë kur u është treguar se në rrënjë të ligësive dhe vuajtjeve njerëzore është largimi nga Perëndia. Edhe në vende ku shumica e njerëzve kanë qenë apatikë ndaj veprës sonë të predikimit, tani shumë po pranojnë lajmin e mirë dhe po bëjnë hapat që të pajtohen me Perëndinë. Atëherë, a e kuptojmë se kjo është koha që të përpiqemi edhe më me zell për t’i bërë jehonë përgjërimit: «Pajtohuni me Perëndinë.»
15. Në vend që t’u predikojmë njerëzve një mesazh sa për t’u bërë qejfin, çfarë duam të dinë të gjithë ata?
15 Detyra jonë nuk është thjesht t’u themi njerëzve që, nëse kthehen te Perëndia, ai do t’i ndihmojë për të gjitha problemet dhe ata do të ndihen më mirë. Shumë kërkojnë vetëm këtë kur shkojnë në kishë dhe kishat mezi presin t’ua kënaqin këtë dëshirë njerëzve. (2 Tim. 4:3, 4) Por nuk është ky synimi i shërbimit tonë. Lajmi i mirë që predikojmë është se Jehovai, nga dashuria, është i gatshëm të falë shkeljet me anë të Krishtit. Kështu njerëzit kanë mundësinë të mos jenë më të ndarë nga Perëndia, por të pajtohen me të. (Rom. 5:10; 8:32) Megjithatë, fundi i ‘kohës veçanërisht të pranueshme’ po afrohet me shpejtësi.
«Jini të zjarrtë në frymë»
16. Nga vinte guximi dhe zelli i Pavlit?
16 Atëherë, si mund ta zhvillojmë dhe ta ruajmë zellin për adhurimin e vërtetë? Disa mund të jenë të ndrojtur a të heshtur si natyrë dhe mund ta kenë të vështirë t’i shprehin lirshëm ndjenjat ose të jenë të shoqërueshëm. Gjithsesi, duhet të kujtojmë se zelli nuk është vetëm shfaqje e jashtme e emocioneve ose e entuziazmit dhe as varet nga personaliteti i dikujt. Pavli e tregoi çelësin kur i nxiti të krishterët: «Jini të zjarrtë në frymë.» (Rom. 12:11) Fryma e Jehovait luajti rol kryesor në guximin dhe qëndrueshmërinë e apostullit në veprën e predikimit. Që kur e thirri Jezui e deri në burgosjen e fundit dhe në martirizimin në Romë—një periudhë mbi 30 vjet—zelli i Pavlit nuk u zbeh. Ai mbështetej gjithnjë te Perëndia, i cili me anë të frymës i dha forcën e nevojshme. Pavli tha: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.» (Filip. 4:13) Sa shumë dobi mund të nxjerrim duke mësuar nga shembulli i tij!
17. Si mund të jemi «të zjarrtë në frymë»?
17 Fjala e përkthyer ‘i zjarrtë’ në kuptimin e mirëfilltë do të thotë «që zien». (Kingdom Interlinear) Që një çajnik me ujë të vazhdojë të ziejë, ka vazhdimisht nevojë për nxehtësi. Po kështu, që të jemi «të zjarrtë në frymë», kemi nevojë që fryma e Perëndisë të rrjedhë vazhdimisht te ne. Për këtë duhet të shfrytëzojmë të gjitha masat që merr Jehovai për të na forcuar frymësisht. Kjo do të thotë të marrim seriozisht adhurimin tonë si familje dhe në kongregacion—të jemi të rregullt në studimin personal e familjar, në lutje dhe në mbledhjet me të bashkëkrishterët. Kjo do të na japë mundësi të kemi atë «zjarr» që do të na ndihmojë «të ziejmë» e kështu të vazhdojmë të jemi «të zjarrtë në frymë».—Lexo Veprat 4:20; 18:25.
18. Në cilin synim duhet të jemi të përqendruar si të krishterë të kushtuar?
18 Një njeri i kushtuar është tërësisht i përqendruar në një synim dhe nuk shpërqendrohet lehtë ose nuk shkurajohet kollaj derisa ta arrijë atë. Si të krishterë të kushtuar, synimi ynë është të bëjmë gjithçka që dëshiron Jehovai nga ne, siç bëri Jezui. (Hebr. 10:7) Sot, vullneti i Jehovait është që sa më shumë njerëz të pajtohen me Të. Prandaj, ashtu si Jezui dhe Pavli, le të përpiqemi me zell në këtë vepër tejet të rëndësishme dhe urgjente që duhet bërë sot.
A ju kujtohet?
• Çfarë ishte ‘shërbimi i pajtimit’ që iu besua Pavlit dhe të krishterëve të tjerë të mirosur?
• Në ç’mënyrë mbetja e mirosur e ka shfrytëzuar mirë ‘kohën veçanërisht të pranueshme’?
• Si mund ‘të jenë të zjarrtë në frymë’ shërbëtorët e krishterë?
[Figura në faqen 12]
Pavli nuk e harroi kurrë çastin kur iu shfaq Zotëria Jezu Krisht