Të marrim pjesë në ngushëllimin që siguron Jehovai
«Edhe shpresa jonë për ju është e patundur, duke ditur se ashtu siç jeni pjesëmarrës në mundime, kështu do të jeni pjesëmarrës edhe në ngushëllim.»—2. KORINTASVE 1:7.
1, 2. Cila ka qenë përvoja e shumë prej atyre që janë bërë të krishterë sot?
SHUMË lexues të sotëm të Kullës së Rojës, janë rritur pa pasur njohuri për të vërtetën e Perëndisë. Ndoshta kjo gjë është e vërtetë edhe për ty. Nëse është kështu, kujto se si je ndier kur filluan të të hapen sytë e kuptueshmërisë. Për shembull, kur kuptove për herë të parë se të vdekurit nuk janë duke vuajtur, por janë të pandërgjegjshëm, a nuk u lehtësove? Po kur mësove mbi shpresën për të vdekurit dhe që miliarda do të ringjallen në jetë në botën e re të Perëndisë, a nuk u ngushëllove?—Eklisiastiu 9:5, 10; Gjoni 5:28, 29.
2 Ç’mund të thuhet për premtimin e Perëndisë për t’i dhënë fund ligësisë dhe për ta transformuar këtë tokë në parajsë? Kur mësove për këtë, a nuk të ngushëlloi dhe a nuk të mbushi me një pritje të ethshme? Si u ndjeve kur mësove për herë të parë lidhur me mundësinë për të mos vdekur kurrë, por për të mbijetuar në parajsën tokësore që po vjen? Pa dyshim që u drithërove. Po, ti je bërë një marrës i lajmit ngushëllues të Perëndisë, që tani po predikohet në mbarë botën nga Dëshmitarët e Jehovait.—Psalmi 37:9-11, 29; Gjoni 11:26; Zbulesa 21:3-5.
3. Përse edhe ata që ndajnë me të tjerët lajmin ngushëllues të Perëndisë, vuajnë për shkak të vështirësive?
3 Megjithatë, kur u përpoqe ta ndash lajmin e Biblës me të tjerët, ti kuptove, gjithashtu, se «jo të gjithë kanë besim». (2. Selanikasve 3:2) Ndoshta disa nga miqtë e tu të mëparshëm, të tallnin kur shprehje besimin tënd në premtimet e Biblës. Ndoshta ke vuajtur edhe persekutim për shkak të vazhdimit të studimit të Biblës në shoqëri me Dëshmitarët e Jehovait. Kundërshtimi mund të jetë intensifikuar kur ti fillove të bëje ndryshime për ta sjellë jetën tënde në përputhje me parimet e Biblës. Fillove të përjetoje shtrëngimet që sjell Satanai dhe bota e tij mbi të gjithë ata që pranojnë ngushëllimin e Perëndisë.
4. Në ç’mënyra të ndryshme mund të reagojnë ndaj vështirësive personat e sapointeresuar?
4 Mjerisht, siç paratha Jezui, shtrëngimet bëjnë që disa të pengohen e t’i japin fund shoqërimit me kongregacionin e krishterë. (Mateu 13:5, 6, 20, 21) Të tjerë tregojnë qëndrueshmëri përballë shtrëngimeve, duke mbajtur mendjen e tyre të përqendruar në premtimet ngushëlluese që janë duke mësuar. Së fundi, ata ia dedikojnë jetën e tyre Jehovait dhe pagëzohen si dishepuj të Birit të tij, Jezu Krishtit. (Mateu 28:19, 20; Marku 8:34) Sigurisht që shtrëngimi nuk ndalet sapo një i krishterë pagëzohet. Për shembull, mbajtja e dlirësisë për një person që ka pasur një të kaluar imorale, mund të jetë një betejë e vështirë. Të tjerë duhet të luftojnë me kundërshtimin e vazhdueshëm nga ana e pjesëtarëve jobesimtarë të familjes. I çfarëdo lloji qoftë shtrëngimi, të gjithë ata që me besim të plotë ndjekin një jetë dedikimi ndaj Jehovait, mund të jenë të sigurt për një gjë: në mënyrë personale, ata do të përjetojnë ngushëllimin dhe ndihmën e Perëndisë.
«Perëndia i çdo ngushëllimi»
5. Përveç sprovave të shumta që vuajti, ç’gjë tjetër përjetoi Pavli?
5 Njëri prej atyre që çmuan thellësisht ngushëllimin që jep Perëndia, ishte apostulli Pavël. Pas një periudhe të veçantë sprove në Azi dhe Maqedoni, ai përjetoi një lehtësim të madh kur dëgjoi se kongregacioni i Korintit ishte përgjigjur mirë ndaj letrës së tij qortuese. Kjo gjë e nxiti që t’u shkruante një letër të dytë, e cila përmban shprehjen e mëposhtme të lavdisë: «Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i të mëshirëve [mëshirave të buta, BR] dhe Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin.»—2. Korintasve 1:3, 4.
6. Çfarë mësojmë nga fjalët e Pavlit që gjenden në 2. Korintasve 1:3, 4?
6 Këto fjalë të frymëzuara, na japin një informacion të gjerë. Le t’i analizojmë ato. Kur Pavli shpreh lavdi ose falënderime ndaj Perëndisë, apo bën një kërkesë në letrat e tij, zakonisht ne gjejmë aty se ai përfshin, gjithashtu, një çmueshmëri të thellë për Jezuin, Kreun e kongregacionit të krishterë. (Romakëve 1:8; 7:25; Efesianëve 1:3; Hebrenjve 13:20, 21) Kështu, Pavli i drejton këtë shprehje lavdie «Perëndisë dhe Atit të Zotërisë tonë Jezu Krisht». Në atë rast, për herë të parë në shkrimet e tij, ai përdor një emër grek të përkthyer «mëshira të buta». Ky emër vjen nga një fjalë që përdoret për të shprehur keqardhjen për vuajtjen e një tjetri. Kështu, Pavli përshkruan ndjenjat e buta të Perëndisë për secilin prej shërbëtorëve të Tij besimplotë, të cilët po vuajnë në vështirësi, ndjenja të buta që e nxitin Perëndinë të veprojë me mëshirë në dobi të tyre. Së fundi, Pavli i drejtohet Jehovait si burimi i kësaj cilësie të dëshirueshme, duke e quajtur «Atin e mëshirave të buta».
7. Përse mund të thuhet se Jehovai është «Perëndia i çdo ngushëllimi»?
7 «Mëshirat e buta» të Perëndisë sjellin si rezultat lehtësimin e atij që vuan në vështirësi. Kështu, Pavli vazhdon ta përshkruajë Jehovain si «Perëndia i çdo ngushëllimi». Prandaj, çfarëdo ngushëllimi që mund të përjetojmë falë dashamirësisë së bashkëbesimtarëve, mund të shikojmë Jehovain si burim i tij. Nuk ka ngushëllim të vërtetë dhe të qëndrueshëm që nuk ka si origjinë Perëndinë. Përveç kësaj, është ai që e krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e tij, duke na bërë kështu të mundur, që të jemi ngushëllues. Është fryma e shenjtë e Perëndisë, ajo që i shtyn shërbëtorët e tij të tregojnë mëshirë të butë ndaj atyre që kanë nevojë për ngushëllim.
Të stërvitur për të qenë ngushëllues
8. Edhe pse Perëndia nuk është burimi i sprovave tona, çfarë ndikimesh të dobishme mund të ketë mbi ne qëndrueshmëria ndaj vështirësive?
8 Ndonëse Perëndia Jehova lejon që mbi shërbëtorët e tij besnikë të vijnë sprova të ndryshme, asnjëherë nuk është ai burimi i sprovave të tilla. (Jakovit 1:13) Megjithatë, ngushëllimi që ai siguron kur ne tregojmë qëndrueshmëri përballë vështirësive, mund të na stërvitë për të qenë më të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve. Me çfarë rezultati? «Që nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi.» (2. Korintasve 1:4) Prandaj, Jehovai na stërvit për të qenë pjesëmarrës të efektshëm të ngushëllimit të tij me bashkëbesimtarët dhe me ata që takojmë në shërbimin tonë, ndërsa imitojmë Krishtin dhe «ngushëllojmë të gjithë ata që mbajnë zi».—Isaia 61:2, BR; Mateu 5:4.
9. (a) Çfarë do të na ndihmojë për të qëndruar përballë vuajtjeve? (b) Si ngushëllohen të tjerët kur ne qëndrojmë me besim të plotë përballë vështirësive?
9 Pavli duroi vuajtjet e tij të shumta, në saje të ngushëllimit të bollshëm që mori nga Perëndia, nëpërmjet Krishtit. (2. Korintasve 1:5) Edhe ne mund të përjetojmë një bollëk ngushëllimi nëpërmjet meditimit mbi premtimet e çmuara të Perëndisë, duke u lutur për mbështetjen e frymës së tij të shenjtë, si dhe nëpërmjet përjetimit të përgjigjeve të Perëndisë ndaj lutjeve tona. Kështu do të jemi të forcuar për të vazhduar në përkrahjen e sovranitetit të Jehovait dhe për të provuar se Djalli është një gënjeshtar. (Jobi 2:4; Proverbat 27:11) Kur t’i kemi qëndruar me besim çdo lloj vështirësie, duhet që, ashtu si Pavli, t’ia japim gjithë meritën Jehovait, ngushëllimi i të cilit u jep mundësi të krishterëve për të mbetur besimplotë nën sprova. Qëndrueshmëria e të krishterëve besimplotë ka një ndikim ngushëllues mbi vëllazërinë, duke i bërë të tjerët të vendosur «që të durojnë të njëjtat vuajtje».—2. Korintasve 1:6.
10, 11. (a) Cilat janë disa gjëra që i shkaktuan vuajtje kongregacionit të Korintit të lashtë? (b) Si e ngushëlloi Pavli kongregacionin e Korintit të lashtë dhe çfarë shprese shprehu ai?
10 Korintasit patën pjesën e tyre në shtrëngimet që erdhën mbi gjithë të krishterët e vërtetë. Përveç kësaj, ata patën nevojë për këshillë, lidhur me përjashtimin e një kurvëruesi të papenduar. (1. Korintasve 5:1, 2, 11, 13) Dështimi në marrjen e një mase të tillë dhe në dhënien fund të grindjeve dhe përçarjeve, kishte sjellë një nam të keq mbi kongregacionin. Por më së fundi, ata zbatuan këshillën e Pavlit dhe shfaqën një pendim të vërtetë. Prandaj, ai i lavdëroi ngrohtësisht ata dhe u tha se përgjigjja e shkëqyer ndaj letrës së tij e kishte ngushëlluar. (2. Korintasve 7:8, 10, 11, 13)) Me sa duket, edhe i përjashtuari ishte penduar. Kështu që Pavli i këshilloi «ta falnin dhe ta ngushëllonin, që ai njeri të mos gëlltitet nga trishtimi i tepërt».—2. Korintasve 2:7.
11 Letra e dytë e Pavlit, me siguri që duhet ta ketë ngushëlluar kongregacionin e Korintit; dhe ky ishte një prej qëllimeve të tij. Pavli shpjegonte: «Edhe shpresa jonë për ju është e patundur, duke ditur se ashtu siç jeni pjesëmarrës në mundime, kështu do të jeni pjesëmarrës edhe në ngushëllim.» (2. Korintasve 1:7) Në përfundim të letrës së tij, Pavli i nxiti: «[Vazhdoni, BR] . . . të ngushëlloheni, . . . dhe Perëndia i paqes dhe i dashurisë do të jetë me ju.»—2. Korintasve 13:11.
12. Çfarë nevojshmërie kanë të gjithë të krishterët?
12 Ç’mësim të rëndësishëm mund të nxjerrim prej kësaj! Të gjithë anëtarët e kongregacionit të krishterë, duhet «të marrin pjesë në ngushëllimin» që Perëndia siguron nëpërmjet Fjalës së tij, frymës së tij të shenjtë dhe organizatës së tij tokësore. Edhe të përjashtuarit mund të kenë nevojë për ngushëllim, nëse janë penduar dhe kanë korrigjuar rrugën e tyre të gabuar. Prandaj, «skllavi i besueshëm dhe i matur» ka caktuar një masë të mëshirshme për t’i ndihmuar ata. Një herë në vit, dy pleq mund t’i vizitojnë disa prej të përjashtuarve. Ndoshta këta nuk tregojnë më një qëndrim rebel ose nuk kryejnë ndonjë mëkat të madh dhe mund të kenë nevojë për ndihmë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’u rivendosur.—Mateu 24:45; Ezekieli 34:16.
Vuajtjet e Pavlit në Azi
13, 14. (a) Si e përshkroi Pavli kohën e vështirësive të ashpra që ai përjetoi në Azi? (b) Çfarë incidenti mund të ketë pasur ndër mend Pavli?
13 Lloji i vuajtjes që kishte përjetuar kongregacioni i Korintit deri në këtë pikë, nuk mund të krahasohet me vuajtjet e shumta, që Pavlit iu desh të përballonte. Prandaj, ai mundi t’i përmendte ato: «Sepse nuk duam, o vëllezër, që të mos dini për vështirësinë që na ngjau në Azi, që u rënduam përtej fuqive tona, aq sa u dëshpëruam edhe për jetën vet. Për më tepër, ne e kishim në veten tonë vendimin e vdekjes, që të mos besonim në veten tonë, por në Perëndinë që ringjall të vdekurit, i cili na ka çliruar dhe na çliron nga një vdekje kaq e madhe dhe tek i cili ne shpresojmë se do të na çlirojë edhe më.»—2. Korintasve 1:8-10.
14 Disa studiues biblikë mendojnë se Pavli po i referohej rrëmujës në Efes, e cila mund t’i ketë kushtuar jetën si Pavlit, ashtu edhe dy shokëve të tij maqedonas të udhëtimit, Gait dhe Aristarkut. Këta dy të krishterë ishin marrë me forcë në teatrin që ishte mbushur nga një turmë, e cila «bërtiste për gati dy orë: ‘E madhe është Artemisa [perëndesha] e efesianëve!’». Së fundi, një nëpunës i qytetit, arriti ta qetësonte turmën. Ky kërcënim i jetës së Gait dhe Aristarkut, duhet ta ketë pikëlluar shumë Pavlin. Në fakt, ai donte të shkonte atje dhe të arsyetonte me turmën fanatike, por u ndalua sepse kështu vinte në rrezik jetën e tij.—Veprat 19:26-41.
15. Çfarë situate e jashtëzakonshme mund të jetë përshkruar në 1. Korintasve 15:32?
15 Megjithatë, Pavli mund të ketë qenë duke përshkruar një situatë shumë më të jashtëzakonshme sesa incidenti i mësipërm. Në letrën e tij të parë drejtuar korintasve, Pavli pyeti: «Nëse u ndesha në Efes si njeri kundër bishave, ç’dobi kam?» (1. Korintasve 15:32) Ndoshta kjo do të thotë se jeta e Pavlit ishte e kërcënuar, jo vetëm nga njerëzit si bisha, por edhe nga kafshë të egra në kuptimin real të fjalës, në stadiumin e Efesit. Ndonjëherë kriminelët dënoheshin, duke u detyruar që të ndesheshin me bisha të egra, ndërsa turmat gjakatare i shihnin. Nëse Pavli donte të thoshte se ishte gjendur përballë me bisha të egra, në kuptimin real, në momentin e fundit ai duhet të ketë shpëtuar mrekullisht nga një vdekje mizore, ashtu si Danieli shpëtoi nga goja e luanëve realë.—Danieli 6:22.
Shembuj të ditëve moderne
16. (a) Përse mund të bëhet një lidhje mes shumë Dëshmitarëve të Jehovait dhe vuajtjeve të Pavlit? (b) Për çfarë mund të jemi të sigurt, lidhur me ata që vdesin për shkak të besimit të tyre? (c) Çfarë ndikimi i mirë ka ardhur kur të krishterët kanë përjetuar shpëtimin për pak nga vdekja?
16 Shumë të krishterë të ditëve të sotme mund t’i kuptojnë më së miri shtrëngimet e vuajtura nga Pavli. (2. Korintasve 11:23-27) Sot, gjithashtu, të krishterët kanë qenë «të rënduar përtej fuqive [të tyre]» dhe shumë kanë përballuar situata në të cilat ishin ‘të dëshpëruar edhe për jetën vetë’. (2. Korintasve 1:8) Disa kanë vdekur në duart e vrasësve dhe persekutorëve mizorë. Mund të jemi të sigurt se fuqia ngushëlluese e Perëndisë u ka dhënë atyre mundësinë për të qëndruar dhe se ata kanë vdekur me mendjet dhe zemrat të përqendruara vendosmërisht në përmbushjen e shpresës së tyre, qoftë ajo një shpresë qiellore apo tokësore. (1. Korintasve 10:13; Filipianëve 4:13; Zbulesa 2:10) Në raste të tjera, Jehovai ka manovruar dhe vëllezërit tanë kanë shpëtuar nga vdekja. Pa dyshim, ata që kanë jetuar një shpëtim të tillë, kanë thelluar një besim të rritur «në Perëndinë që ringjall të vdekurit». (2. Korintasve 1:9) Pas kësaj, ata do të kenë pasur mundësi të flasin me një bindje edhe më të madhe, ndërsa ndanin me të tjerët lajmin ngushëllues të Perëndisë.—Mateu 24:14.
17-19. Cilat përvoja tregojnë se vëllezërit tanë në Ruanda kanë qenë pjesëmarrës në ngushëllimin e Perëndisë?
17 Kohët e fundit, vëllezërit tanë në Ruanda kaluan një përvojë të ngjashme me atë të Pavlit dhe të shokëve të tij. Shumë prej tyre humbën jetën, por përpjekjet e Satanait për t’u shaktërruar besimin, dështuan. Në vend të kësaj, vëllezërit tanë në këtë vend, kanë përjetuar ngushëllimin e Perëndisë në shumë mënyra personale. Gjatë gjenocidit të fiseve tutsi dhe hutu që jetojnë në Ruanda, pati hutu që vunë në rrezik jetën e tyre për të mbrojtur ata tutsi dhe tutsi që mbrojtën ata hutu. Disa u vranë nga ekstremistët pasi kishin mbrojtur bashkëbesimtarët e tyre. Për shembull, një Dëshmitar hutu i quajtur Gahizi, pasi kishte fshehur një motër tutsi, të quajtur Shantal, u vra. Burri tutsi i Shantalës, Zhani, ishte fshehur në një vend tjetër nga një motër hutu, e quajtur Sharlotë. Për 40 ditë, Zhani dhe një vëlla tjetër tutsi, qëndruan të fshehur në një oxhak të gjerë, duke dalë jashtë vetëm disa periudha të shkurtra kohe gjatë natës. Gjatë gjithë kësaj kohe, Sharlota u siguronte atyre ushqimin dhe mbrojtjen, megjithëse jetonte pranë një kampi ushtarak hutu. Në këtë faqe, ju mund të shihni një fotografi të bashkimit të Zhanit me Shantalën, të cilët janë mirënjohës që bashkëadhuruesit e tyre hutu, ‘vunë kokën në rrezik’, pikërisht ashtu siç bënë Prishila dhe Akuila për apostullin Pavël.—Romakëve 16:3, 4.
18 Një Dëshmitar tjetër hutu, Ruakabubu, u lavdërua nga gazeta Intaremara, pasi kishte mbrojtur bashkëbesimtarët e tij tutsia. Ajo pohonte: «Është, gjithashtu, edhe Rakabubu, një prej Dëshmitarëve të Jehovait, i cili vazhdonte të fshihte njerëz sa andej-këtej mes vëllezërve të tij (kështu quhen midis tyre bashkëbesimtarët). Ai e kalonte gjithë ditën duke u ngarkuar me ushqim dhe ujë të pijshëm për ta, megjithëse ishte astmatik, por Perëndia e bëri atë jashtëzakonisht të fortë.»
19 Të shqyrtojmë, gjithashtu, rastin e një çifti të interesuar hutu, të quajtur Nikodem dhe Athanasi. Përpara shpërthimit të gjenocidit, ky çift i martuar studionte Biblën me një Dëshmitar tutsi, të quajtur Alfons. Duke vënë në rrezik jetën, ata e fshehën Alfonsin në shtëpinë e tyre. Më vonë, ata kuptuan se shtëpia nuk ishte një vend i sigurt, pasi fqinjët e tyre hutu, kishin dijeni për mikun e tyre tutsi. Prandaj, Nikodemi dhe Athanasia e fshehën Alfonsin në një gropë në oborrin e tyre. Kjo ishte një ide e mirë, sepse fqinjët filluan të vinin për të kërkuar Alfonsin, pothuajse çdo ditë. Ndërsa ndodhej në këtë gropë për 28 ditë, Alfonsi meditonte mbi tregimet biblike si ai lidhur me Rahabën, e cila fshehu dy izraelitë në çatinë e shtëpisë së saj në Jeriko. (Josiu 6:17) Sot, Alfonsi vazhdon shërbimin e tij në Ruanda si një lajmëtar i lajmit të mirë, në saje të studentëve të tij biblikë hutu, që vunë në rrezik jetën e tyre për të. Po me Nikodemin dhe Athanasinë, ç’ndodhi? Ata janë tani Dëshmitarë të Jehovait të pagëzuar dhe drejtojnë mbi 20 studime biblike me persona të interesuar.
20. Në çfarë mënyre i ka ngushëlluar Jehovai vëllezërit tanë në Ruanda dhe çfarë nevoje të vazhdueshme kanë shumë prej tyre?
20 Në kohën kur filloi gjenocidi në Ruanda, në atë shtet kishte 2.500 lajmëtarë të lajmit të mirë. Megjithëse me qindra humbën jetën apo u detyruan të largoheshin nga shteti, numri i Dëshmitarëve është rritur në 3.000. Kjo është një provë e asaj, që Perëndia me të vërtetë i ngushëlloi vëllezërit tanë. Ç’mund të thuhet për shumë jetimë e të veja mes Dëshmitarëve të Jehovait? Natyrisht, ata e vuajnë ende gjendjen e tyre të vështirë dhe kanë nevojë për ngushëllim të vazhdueshëm. (Jakovit 1:27) Lotët e tyre do të thahen plotësisht vetëm në botën e re të Perëndisë, kur të ndodhë ringjallja. Megjithatë, në saje të shërbesës së vëllezërve të tyre dhe duke qenë adhurues të «Perëndisë së çdo ngushëllimi», ata janë në gjendje ta përballojnë jetën.
21. (a) Ku tjetër kanë pasur një nevojë jashtëzakonisht të madhe për ngushëllimin e Perëndisë vëllezërit tanë dhe cila është një mënyrë, në të cilën ne mund t’i ndihmojmë? (Shiko kutinë «Ngushëllim gjatë katër viteve të luftës».) (b) Kur do të kënaqet plotësisht nevoja jonë për ngushëllim?
21 Në shumë vende të tjera si në Eritrea, Singapor dhe ish-Jugosllavi, vëllezërit tanë vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait me besim të plotë, pavarësisht nga vështirësitë. Le t’i ndihmojmë vëllezër të tillë, duke bërë lutje të rregullta me përgjërim që ata të mund të marrin ngushëllim. (2. Korintasve 1:11) Le të qëndrojmë me besim të plotë deri në kohën kur Perëndia, nëpërmjet Jezu Krishtit, «do të thajë çdo lot nga sytë [tanë]» në kuptimin më të plotë. Atëherë, ne do të përjetojmë në një masë të plotë ngushëllimin që do të na japë Jehovai në botën e tij të re të drejtësisë.—Zbulesa 7:17; 21:4; 2. Pjetrit 3:13.
[Shënimi]
a Kulla e Rojës, 1 janar 1995, faqe 26, tregon përvojën e vajzës së Ruakabubut, Deborës, lutjet e së cilës e prekën bandën e ushtarëve hutu dhe shpëtuan familjen nga vrasja.
A e di?
◻ Përse Jehovai është quajtur «Perëndia i çdo ngushëllimi»?
◻ Si duhet t’i konsiderojmë ne vështirësitë?
◻ Me cilët mund ta ndajmë ngushëllimin?
◻ Si do të plotësohet tërësisht nevoja jonë për ngushëllim?
[Figura në faqen 17]
Gjatë gjenocidit në Ruanda, Zhani dhe Shantala, megjithëse Dëshmitarë nga fisi tutsi, ishin fshehur në vende të veçuara nga Dëshmitarë të fisit hutu
[Figura në faqen 17]
Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë ta ndajnë lajmin ngushëllues të Perëndisë me fqinjët e tyre në Ruanda