ARTIKULLI I STUDIMIT 24
Përmbys çdo arsyetim që është kundër njohurisë së Perëndisë!
«Ne po përmbysim arsyetime dhe çdo gjë të lartë, që është ngritur kundër njohurisë së Perëndisë.»—2 KOR. 10:5.
KËNGA 124 Të rrimë besnikë
PËRMBLEDHJEa
1. Cilin paralajmërim u dha apostulli Pavël të krishterëve të mirosur?
«MJAFT»,—paralajmëroi apostulli Pavël. Për çfarë tha «mjaft»? «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote.» (Rom. 12:2) Pavli ua shkroi këto fjalë të krishterëve të shekullit të parë. Pse u dha një këshillë kaq të fortë burrave e grave që i ishin kushtuar Perëndisë dhe ishin mirosur me frymë të shenjtë?—Rom. 1:7.
2-3. Si përpiqet Satanai të na kthejë kundër Jehovait, por si mund t’i çrrënjosim gjërat ‘e fortifikuara mirë’ në mendjen tonë?
2 Pavli ishte i shqetësuar ngaqë disa të krishterë, me sa duket, po ndikoheshin nga arsyetimet dhe filozofitë e dëmshme që nxiste bota e Satanait. (Efes. 4:17-19) Kjo mund t’i ndodhë secilit prej nesh. Në një përpjekje të dëshpëruar për të na larguar nga Jehovai, Satanai, perëndia i këtij sistemi, përdor lloj-lloj taktikash. Një taktikë është se shfrytëzon çdo prirje që mund të kemi drejt ambicies egoiste ose për të nxjerrë në pah vlerat tona. Madje mund të përdorë diçka nga e kaluara jonë, ambienti ku jetojmë ose arsimimi ynë që të na shtyjë të mendojmë si ai.
3 A është e mundur të çrrënjosim gjëra që janë «të fortifikuara mirë» në mendjen tonë? (2 Kor. 10:4) Vër re si përgjigjet Pavli: «Ne po përmbysim arsyetime dhe çdo gjë të lartë, që është ngritur kundër njohurisë së Perëndisë, dhe po çojmë në robëri çdo mendim, që ta bëjmë të bindur ndaj Krishtit.» (2 Kor. 10:5) Po, me ndihmën e Jehovait mund t’i mposhtim arsyetimet e gabuara. Ashtu si një ilaç mund të luftojë efektet e helmit, Fjala e Perëndisë mund të na ndihmojë të luftojmë efektet helmuese të botës së Satanait.
‘PËRTËRI MENDJEN’
4. Çfarë ndryshimesh bëmë shumë nga ne kur përqafuam të vërtetën?
4 Kujto çfarë ndryshimesh t’u desh të bëje kur përqafove të vërtetën e Fjalës së Perëndisë dhe vendose t’i shërbeje Jehovait. Për shumë prej nesh, kjo përfshinte të hiqnim dorë nga disa sjellje të gabuara. (1 Kor. 6:9-11) Sa mirënjohës jemi që Jehovai na ndihmoi të linim pas ato praktika mëkatare!
5. Cili veprim i dyfishtë përshkruhet te Romakëve 12:2?
5 Ama, nuk duhet të rrimë kurrë me mendje të fjetur. Ndonëse nuk kryejmë më ato mëkate serioze që bënim para pagëzimit, duhet të vazhdojmë të përpiqemi fort për të shmangur çdo gjë që mund të na tundojë t’u kthehemi veprave të dikurshme. Si mund ta bëjmë këtë? Pavli përgjigjet: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote, por shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj.» (Rom. 12:2) Pra, kërkohet një veprim i dyfishtë. Së pari, duhet të mos ‘brumosemi’ ose të mos modelohemi më sipas kësaj bote. Së dyti, duhet ‘të shndërrohemi’ duke përtërirë mendjen.
6. Çfarë mësojmë nga fjalët e Jezuit te Mateu 12:43-45?
6 Shndërrimi ose transformimi që kishte ndër mend Pavli, përfshin më tepër se të ndryshojmë atë që dukemi nga jashtë ose sipërfaqen. Ai shkon në thellësi të qenies sonë. (Shih kutinë «I shndërruar apo i shtirur?».) Duhet të përtërijmë mendjen—qëndrimet, ndjenjat dhe prirjet tona më të thella. Ndaj, të gjithë ne duhet të pyesim veten: «Për të imituar Krishtin, a po ndryshoj vetëm atë që duket nga jashtë apo po ndryshoj thellë brenda vetes?» Përgjigjja që i japim kësaj pyetjeje është e rëndësishme. Në fjalët e tij të dokumentuara te Mateu 12:43-45, Jezui tregoi se ç’duhet bërë. (Lexoje.) Fjalët e tij theksojnë këtë të vërtetë të rëndësishme: nuk mjafton të flakim mendimet e gabuara; duhet të mbushim boshllëkun me mendime që i pëlqejnë Perëndisë.
RINO PRIRJEN MENDORE
7. Si mund ta ndryshojmë atë që jemi përbrenda?
7 A është e mundur të ndryshojmë prirjet e ngulitura fort ose atë që jemi përbrenda? Fjala e Perëndisë thotë: «[Vazhdoni] të rinoheni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj [në prirjen tuaj mendore] dhe të vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.» (Efes. 4:23, 24) Pra, është e mundur të ndryshojmë atë që jemi përbrenda, por nuk është e lehtë. Nuk mjafton t’i ndrydhim dëshirat dhe të mos bëjmë më gjëra të gabuara. Duhet të ndryshojmë ‘prirjen mendore’. Kjo përfshin të ndryshojmë dëshirat, prirjet dhe motivet tona. Për këtë duhen përpjekje të vazhdueshme.
8-9. Si e thekson përvoja e një vëllai se kemi nevojë të ndryshojmë përbrenda?
8 Të shohim rastin e një vëllai që në të kaluarën ishte i dhunshëm. Pasi hoqi dorë nga pija dhe nga sherret, u kualifikua për t’u pagëzuar, dhe kështu dha një dëshmi të shkëlqyer në komunitetin e vogël ku jetonte. Por një mbrëmje, pak kohë pas pagëzimit, hasi një sprovë të papritur. Një i dehur i shkoi në shtëpi dhe e sfidoi të ziheshin. Në fillim vëllai i rezistoi impulsit për t’u zënë. Por pastaj, kur burri shau emrin e Jehovait, vëllai ynë i sapopagëzuar nuk u përmbajt dot më. Doli dhe e rrahu. Ku qëndronte problemi? Edhe pse studimi i Biblës e kishte ndihmuar t’i rezistonte dëshirës për të përdorur dhunën, ende s’kishte arritur të ndryshonte prirjen e tij mendore. Me fjalë të tjera, nuk kishte ndryshuar vërtet përbrenda.
9 Megjithatë, vëllai nuk u dorëzua. (Prov. 24:16) Me ndihmën e pleqve, vazhdoi të bënte goxha përparim. Me kohë, u kualifikua të shërbente si plak. Një mbrëmje, jashtë Sallës së Mbretërisë, u përball me një sfidë të ngjashme me atë që kishte hasur vite më parë. Një i dehur ishte gati të rrihte një nga pleqtë e tjerë. Çfarë bëri vëllai ynë? Me qetësi e përulësi arsyetoi me të dehurin, zbuti tensionin dhe e ndihmoi të kthehej në shtëpi atë burrë që i merreshin këmbët. Çfarë kishte ndodhur? Vëllai ynë kishte ndryshuar prirjen mendore. Thellë brenda vetes ishte transformuar në një njeri paqebërës e të përulur—dhe kjo i dha lavdi Jehovait.
10. Ç’duhet të bëjmë që të ndryshojmë thellë përbrenda?
10 Këto ndryshime nuk ndodhin sa hap e mbyll sytë dhe as vetvetiu. Mund të jetë e nevojshme të bëjmë «përpjekje të zellshme» për vite të tëra. (2 Pjet. 1:5) Ndryshimet nuk ndodhin thjesht ngaqë jemi «në të vërtetën» për një periudhë të gjatë. Duhet të bëjmë çmos të ndryshojmë atë që jemi përbrenda. Ka një sërë hapash të rëndësishëm që na ndihmojnë t’i bëjmë këto ndryshime. Le të shqyrtojmë disa prej tyre.
SI TA NDRYSHOSH PRIRJEN MENDORE
11. Si na ndihmon lutja të ndryshojmë prirjen mendore?
11 Lutja është hapi i parë i rëndësishëm. Kemi nevojë të lutemi si psalmisti: «Krijo tek unë një zemër të kulluar, o Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur!» (Psal. 51:10) Duhet të pranojmë se kemi nevojë të ndryshojmë prirjen mendore dhe t’i kërkojmë ndihmë Jehovait. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na ndihmojë të ndryshojmë? Na inkurajon ky premtim që u bëri Jehovai izraelitëve të kohës së Ezekielit të cilëve u ishte ngurtësuar zemra: «Unë do t’ju jap një zemër të vetme dhe do të shtie brenda jush një frymë të re . . . dhe do t’ju jap një zemër të butë [një zemër të ndjeshme ndaj drejtimit të Perëndisë, shën., NWT, botimi 2013].» (Ezek. 11:19) Jehovai ishte i gatshëm t’i ndihmonte ata izraelitë të ndryshonin, dhe është i gatshëm të na ndihmojë edhe ne.
12-13. (a) Sipas Psalmit 119:59, për çfarë duhet të meditojmë? (b) Cilat pyetje duhet t’i bësh vetes?
12 Meditimi është hapi i dytë i rëndësishëm. Teksa lexojmë me kujdes çdo ditë Fjalën e Perëndisë, duhet të lëmë kohë që të meditojmë, pra të mendojmë thellë, për ato mendime dhe ndjenja që duhet t’i ndryshojmë. (Lexo Psalmin 119:59; Hebr. 4:12; Jak. 1:25) Duhet të pikasim çdo prirje që mund të kemi për të anuar nga filozofitë njerëzore. Duhet të pranojmë me ndershmëri cilat janë dobësitë tona, e pastaj të punojmë fort që t’i çrrënjosim.
13 Për shembull, pyet veten: «A ka ndonjë gjurmë zilie ose xhelozie në zemrën time?» (1 Pjet. 2:1) «A ndiej njëfarë krenarie për shkak të prejardhjes, arsimimit ose gjendjes ekonomike?» (Prov. 16:5) «A i shoh si inferiorë ata që nuk kanë të njëjtat gjëra si unë ose që i përkasin një race tjetër?» (Jak. 2:2-4) «A më tërheqin gjërat që ofron bota e Satanait?» (1 Gjon. 2:15-17) «A i kam qejf zbavitjet imorale ose të dhunshme?» (Psal. 97:10; 101:3; Amo. 5:15) Përgjigjet që u jep këtyre pyetjeve personale mund të nxjerrin në pah pika ku duhet të punosh. Duke i mposhtur ato arsyetime që mund të jenë «të fortifikuara mirë» në zemrën tonë, do të kënaqim Atin qiellor.—Psal. 19:14.
14. Pse është jetësore të zgjedhim shoqëri të mirë?
14 Zgjedhja e shoqërisë së mirë është hapi i tretë i nevojshëm. E kuptojmë apo jo, ne ndikohemi jashtë mase nga ata me të cilët shoqërohemi. (Prov. 13:20) Ka shumë të ngjarë që në punë a në shkollë rrethohemi nga njerëz që nuk do të na ndihmojnë të mendojmë në një mënyrë që Perëndia e miraton. Megjithatë, në mbledhjet tona mund të gjejmë miqtë më të shkëlqyer. Atje mund të motivohemi, ose të nxitemi, për «dashuri dhe vepra të shkëlqyera».—Hebr. 10:24, 25.
‘BËHU I QËNDRUESHËM NË BESIM’
15-16. Si përpiqet Satanai të na e ndryshojë mënyrën si mendojmë?
15 Ndërkohë, mos harro se Satanai është i vendosur të na e ndryshojë mënyrën si mendojmë. Ai përdor çdo lloj arsyetimi për të shkatërruar ndikimin që ka te ne e vërteta e Fjalës së Perëndisë.
16 Satanai vazhdon të bëjë po atë pyetje që i bëri Evës në kopshtin e Edenit: «Vërtet ka thënë Perëndia që . . . ?» (Zan. 3:1) Në këtë botë nën pushtetin e Satanait, dëgjojmë shpesh pyetje që mund të ngjallin dyshime, si: «Vërtet nuk i miraton Perëndia martesat brenda të njëjtit seks? Vërtet nuk do Perëndia të festosh Krishtlindjet dhe ditëlindjet? Vërtet pret Perëndia yt të refuzosh transfuzionin e gjakut? Vërtet kërkon një Perëndi i dashur të mos shoqërohesh me një njeriun tënd të shtrenjtë që është i përjashtuar?»
17. Ç’duhet të bëjmë kur përballemi me pyetje që mund të na ngjallin dyshime për bindjet tona, dhe cili do të jetë rezultati sipas Kolosianëve 2:6, 7?
17 Duhet të jemi të bindur për ato që besojmë. Po t’i lëmë pa përgjigje në mendje pyetjet tendencioze rreth bindjeve tona, ato mund të kthehen në dyshime serioze. Dalëngadalë, këto dyshime mund të na e shtrembërojnë mënyrën si mendojmë e të na shkatërrojnë besimin. Çfarë duhet të bëjmë, pra? Fjala e Perëndisë na thotë të transformojmë mendjen, që të vërtetojmë «se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë». (Rom. 12:2) Duke studiuar rregullisht, mund të vërtetojmë, ose të sigurohemi, se ato që kemi mësuar nga Bibla janë të vërteta. Kështu do të jemi plotësisht të bindur se normat e Jehovait janë të drejta. Atëherë, ashtu si një pemë me rrënjë të thella, do të jemi të rrënjosur fort, «të qëndrueshëm në besim».—Lexo Kolosianëve 2:6, 7.
18. Çfarë na ndihmon që t’i luftojmë efektet helmuese të botës së Satanait?
18 Askush tjetër veç teje nuk mund të të bëjë të qëndrueshëm në besim, ndaj vazhdo të rinosh prirjen mendore. Lutju pareshtur Jehovait; përgjëroju të të ndihmojë me frymën e tij. Medito thellë; vazhdo të shqyrtosh mënyrën si mendon dhe motivet e tua. Kërko shoqëri të mira; rrethohu me miq që do të të ndihmojnë të transformosh mënyrën si mendon. Kështu, do të luftosh efektet helmuese të botës së Satanait dhe do t’ia dalësh të përmbysësh «arsyetime dhe çdo gjë të lartë, që është ngritur kundër njohurisë së Perëndisë».—2 Kor. 10:5.
KËNGA 50 Lutja ime e kushtimit
a Për mirë a për keq, te mënyra si mendojmë ka ndikuar e kaluara jonë, ambienti ku jetojmë ose arsimimi. Ndoshta vërejmë se disa qëndrime të gabuara janë rrënjosur fort në personalitetin tonë. Në këtë artikull do të shohim si mund të mposhtim çdo prirje të gabuar që mund të kemi zhvilluar.