Fjala jote—«Një herë ‘po’, e pastaj ‘jo’»?
Mendo për këtë situatë: një plak që është pjesëtar i Komitetit të Lidhjes me Spitalet ka lënë takim për shërbim të dielën në mëngjes me një vëlla në moshë të re. Atë mëngjes plaku merr një telefonatë të ngutshme nga një vëlla, gruaja e të cilit sapo ka pësuar aksident me makinë dhe e kanë çuar urgjent në spital. Ai i kërkon plakut ta ndihmojë të gjejë një mjek që bashkëpunon për gjakun. Kështu, plaku e anulon takimin për shërbim me vëllanë, që t’i japë mbështetje të dashur një familjeje në situatë urgjente.
Tani përfytyro këtë situatë: një nënë që po rrit e vetme dy fëmijë merr ftesë nga një çift në kongregacion që të kalojnë një mbrëmje me ta. Kur e marrin vesh fëmijët, buzëqeshin vesh më vesh. Mezi e presin atë mbrëmje. Mirëpo, një ditë para, çifti i thotë mamasë se u ka dalë një punë dhe duhet ta anulojnë ftesën. Pastaj, ajo merr vesh arsyen. Pasi ftuan atë, çiftin e ftuan disa miq që ta kalonin po atë mbrëmje në shtëpinë e tyre, dhe pranuan.
S’diskutohet, si shërbëtorë të Jehovait duhet të mbajmë fjalën. Kurrë të mos themi «një herë ‘po’, e pastaj ‘jo’». (2 Kor. 1:18) Megjithatë, siç e tregojnë këta dy shembuj, nuk ka dy situata njësoj. Mund të ketë raste kur duket se nuk kemi ç’bëjmë, dhe duhet të anulojmë ndonjë takim. Një herë apostulli Pavël u gjend në një situatë të tillë.
PAVLIN E AKUZUAN SE NUK I ZIHEJ BESË
Në vitin 55 të e.s., kur Pavli ishte në Efes gjatë udhëtimit të tretë misionar, kishte ndër mend të kalonte detin Egje që të mbërrinte në Korint e prej andej të udhëtonte për në Maqedoni. Kishte në plan ta vizitonte për herë të dytë kongregacionin e Korintit rrugës së kthimit për në Jerusalem, me sa duket që të merrte me vete dhuratën e tyre dashamirëse për vëllezërit atje. (1 Kor. 16:3) Kjo duket qartë nga 2 Korintasve 1:15, 16, ku lexojmë: «Me këtë siguri kisha ndër mend të vija përpara te ju, që të kishit një rast të dytë për gëzim, e pas një ndalese te ju, të shkoja në Maqedoni e që andej të kthehesha prapë te ju e të më përcillnit një copë rrugë për në Jude.»
Siç duket, Pavli i kishte informuar vëllezërit në Korint për planin e tij në një letër të mëparshme. (1 Kor. 5:9) Por, pak pasi shkroi atë letër Pavli mori vesh nga shtëpia e Kloes se në kongregacion kishte goxha fërkime. (1 Kor. 1:10, 11) Ai vendosi ta përshtaste planin dhe shkroi letrën që sot e njohim si Letra e Parë drejtuar Korintasve. Në të, Pavli dha këshilla dhe qortime me dashuri. Përmendte edhe se kishte ndryshuar itinerarin dhe se do të shkonte në fillim në Maqedoni e pastaj në Korint.—1 Kor. 16:5, 6.a
Duket se, kur vëllezërit në Korint morën letrën e tij, disa ‘apostuj tejet të shquar’ të kongregacionit e akuzuan se nuk i zihej besë, pra se nuk e mbante fjalën. Duke iu përgjigjur akuzës, Pavli pyeti: «E pra, kur kisha ndër mend një gjë të tillë, mos u solla vallë me mendjelehtësi? Po qëllimet që kam, mos vallë i kam sipas mishit, që të thosha një herë ‘Po, po’ dhe pastaj ‘Jo, jo’?»—2 Kor. 1:17; 11:5.
Vërtet, a ‘u soll me mendjelehtësi’ apostulli Pavël në atë rrethanë? As që bëhet fjalë! Termi i përkthyer «mendjelehtësi», në gjuhën origjinale do të thotë ta marrësh lehtë diçka, pra të jesh tip që nuk të zihet besë, i paqëndrueshëm dhe që nuk e mban fjalën. Pyetja retorike e Pavlit: «Qëllimet që kam, mos vallë i kam sipas mishit?», duhet t’ua ketë bërë të qartë të krishterëve në Korint se ai nuk vendosi të ndryshonte plan ngaqë ishte i paqëndrueshëm.
Pavli e hodhi poshtë me forcë akuzën, kur shkroi: «Por Perëndisë mund t’i zihet besë, se fjala që ju drejtuam nuk është një herë ‘po’, e pastaj ‘jo’.» (2 Kor. 1:18) Është e qartë se Pavli e ndryshoi programin se u donte të mirën vëllezërve e motrave në Korint. Te 2 Korintasve 1:23 lexojmë se e ndryshoi planin për të vajtur në Korint ngaqë ‘donte t’i kursente’. Ai u dha mundësi t’i ndreqnin gjërat para se të shkonte atje. Siç kishte shpresuar, kur ishte ende në Maqedoni, Pavli mori vesh nga Titi se letra e tij kishte ngjallur keqardhje e pendim, dhe kjo ia bëri zemrën mal.—2 Kor. 6:11; 7:5-7.
‘AMINI’ QË I THUHET PERËNDISË
Akuza se Pavlit nuk i zihej besë mund të nënkuptonte se, nëse nuk i besoje dot për premtimet e jetës së përditshme, nuk mund t’i besoje as në predikim. Gjithsesi, Pavli u kujtoi korintasve se u kishte predikuar për Jezu Krishtin. «Biri i Perëndisë, Krishti Jezu, që ju predikuam ne, domethënë unë, Silvani dhe Timoteu, nuk u bë një herë ‘po’ e pastaj ‘jo’, por në rastin e tij ‘po-ja’ u bë ‘po’.» (2 Kor. 1:19) A u tregua ndonjëherë i pabesë Jezu Krishti, që ishte shembulli i Pavlit? Aspak! Gjatë gjithë jetës dhe shërbimit të tij, Jezui tha përherë të vërtetën. (Gjoni 14:6; 18:37) Meqë ajo që predikonte Jezui ishte krejtësisht e vërtetë dhe e besueshme dhe meqë Pavli predikonte të njëjtin mesazh, atëherë edhe predikimi i apostullit ishte i besueshëm.
S’diskutohet, Jehovai është «Perëndi i së vërtetës». (Psal. 31:5) Kjo del në pah nga ajo që shkruan më tej Pavli: «Pavarësisht se sa shumë janë premtimet e Perëndisë, ato janë bërë ‘po’ me anë të tij», pra me anë të Krishtit. Integriteti i përsosur i Jezuit kur ishte në tokë davariti çdo dyshim të mundshëm për premtimet e Jehovait. Pavli vazhdon: «Prandaj, me anë të tij [Jezuit], Perëndisë i thuhet ‘Amin!’ për lavdi nëpërmjet nesh.» (2 Kor. 1:20) Jezui është garancia, ose ‘Amini’, se çdo premtim i Perëndisë Jehova do të bëhet realitet.
Njësoj si Jehovai dhe Jezui që thonë gjithmonë të vërtetën, edhe Pavli gjithnjë e kishte me tërë mend atë që thoshte. (2 Kor. 1:19) Atij mund t’i zihej besë dhe nuk i bënte premtimet «sipas mishit». (2 Kor. 1:17) Përkundrazi, ‘ecte sipas frymës’. (Gal. 5:16) U donte të mirën të tjerëve dhe kjo e nxiste në marrëdhëniet me ta. Po-ja e tij ishte Po!
A ËSHTË PO-JA JOTE PO?
Nuk çuditemi kur njerëzit që nuk jetojnë sipas parimeve të Biblës japin fjalën e pastaj nuk e mbajnë po t’u lindë një problem i papërfillshëm ose po t’u dalë ndonjë variant më i hairit. Në biznes «po-ja» nuk është gjithmonë «po», qoftë edhe kur ka kontratë të firmosur. Edhe martesën, një marrëveshje mes dy palëve, mjaft njerëz nuk e shohin më si angazhim të përhershëm. Numri i divorceve që po rritet ndjeshëm tregon se për shumë veta martesa është një bashkim jo edhe aq serioz, që mund të prishet pa problem.—2 Tim. 3:1, 2.
Po ti? A është po-ja jote po? Kuptohet, ashtu siç e pamë në fillim të artikullit, ka raste që duhet të anulosh ndonjë takim, jo ngaqë je tip që s’i zihet besë, por për shkak të rrethanave që nuk i ke në dorë. Megjithatë, si shërbëtor i Jehovait, nëse premton ose angazhohesh për diçka, duhet të bësh çmos ta mbash fjalën. (Psal. 15:4; Mat. 5:37) Atëherë do të njihesh si i besueshëm, njeri i fjalës dhe si dikush që thotë gjithmonë të vërtetën. (Efes. 4:15, 25; Jak. 5:12) Kur njerëzit e kuptojnë se mund të të zënë besë në gjërat e përditshme, mbase do të jenë më të gatshëm të të dëgjojnë kur u thua të vërtetën për Mbretërinë e Perëndisë. Pra, le të sigurohemi që Po-ja jonë të jetë vërtet Po!
a Pak pasi shkroi Letrën e Parë drejtuar Korintasve, Pavli udhëtoi vërtet për në Troadë dhe që atje për në Maqedoni, ku shkroi Letrën e Dytë drejtuar Korintasve. (2 Kor. 2:12; 7:5) Më vonë bëri vizitën në Korint.