Cilët janë sot administruesit e fjalës të Perëndisë?
«Kualifikimi ynë siç duhet vjen nga Perëndia, i cili, në fakt, na ka kualifikuar aq sa duhet për të qenë administrues të Fjalës së një besëlidhjeje të re.»—2 KORINTASVE 3:5, 6.
1, 2. Çfarë përgjegjësie kishin të gjithë të krishterët e shekullit të parë, por si ndryshuan gjërat?
NË SHEKULLIN e parë të erës sonë, të gjithë të krishterët kishin një përgjegjësi të rëndësishme, detyrën për të predikuar lajmin e mirë. Që të gjithë ishin të mirosur dhe ishin administrues të Fjalës të besëlidhjes së re. Disa kishin përgjegjësi të tjera, si mësimdhënien në kongregacion. (1 Korintasve 12:27-29; Efesianëve 4:11) Prindërit kishin detyrime me peshë në familje. (Kolosianëve 3:18-21) Por, që të gjithë merrnin pjesë në veprën themelore e jetësore të predikimit. Në greqishten origjinale të Shkrimeve të Krishtere, kjo përgjegjësi ishte një diakonia—një shërbim ose administrim i Fjalës.—Kolosianëve 4:17.
2 Me kalimin e kohës, gjërat ndryshuan. U zhvillua një klasë, e njohur si kleri, që e rezervoi për vete privilegjin e predikimit. (Veprat 20:30) Kleri ishte një pakicë e vogël e atyre që e quanin veten të krishterë. Shumica dërrmuese u bë e njohur si besimtarë të thjeshtë. Ndonëse këtyre besimtarëve u është mësuar se kanë disa detyrime, duke përfshirë dhënien e kontributeve për të mbajtur klerin, shumica janë bërë thjesht dëgjues pasivë për sa i përket predikimit.
3, 4. (a) Si bëhen administrues të Fjalës individët në të ashtuquajturin krishterim? (b) Kush konsiderohet administrues i Fjalës në të ashtuquajturin krishterim dhe përse gjërat janë ndryshe te Dëshmitarët e Jehovait?
3 Klerikët pohojnë se janë administrues të Fjalës ose ministra fetarë (nga ministër, një përkthim në latinisht i fjalës diakonos, «shërbëtor»).a Për të arritur këtë, diplomohen në kolegje ose seminare dhe caktohen zyrtarisht. Një enciklopedi, The International Standard Bible Encyclopedia, thotë: «‘Caktim zyrtar’ dhe ‘të caktuar zyrtarisht’ zakonisht i referohen statusit të veçantë që u jepet ministrave fetarë ose priftërinjve me anë të riteve të vendosura zyrtarisht, të shoqëruar nga theksi që vihet mbi autoritetin për të shpallur Fjalën ose për të administruar kungimet, ose për t’i bërë të dyja.» Kush i cakton zyrtarisht ministrat fetarë? Një tjetër enciklopedi, The New Encyclopædia Britannica, thotë: «Në kishat që e kanë ruajtur ende pozitën historike të peshkopit, ministri fetar që bën caktimin zyrtar është gjithnjë peshkopi. Në kishat presbiteriane, caktimi zyrtar bëhet nga ministra fetarë të këshillit administrativ të kishës.»
4 Kështu, në kishat e të ashtuquajturit krishterim, privilegji për të qenë një administrues i Fjalës është kufizuar rreptësisht. Megjithatë, nuk është kështu te Dëshmitarët e Jehovait. Përse jo? Sepse nuk ishte kështu as në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë.
Cilët janë në të vërtetë administrues të Fjalës të Perëndisë?
5. Sipas Biblës, cilët përfshihen tek ata që quhen administrues të Fjalës?
5 Sipas Biblës, të gjithë adhuruesit e Jehovait—qiellorë dhe tokësorë—janë administrues të Fjalës ose shërbëtorë. Engjëjt i shërbyen Jezuit. (Mateu 4:11; 26:53; Luka 22:43) Gjithashtu, engjëjt «shërbejnë për ata që kanë për të trashëguar shpëtimin». (Hebrenjve 1:14; Mateu 18:10) Jezui ishte një administrues i Fjalës ose shërbëtor. Ai tha: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë.» (Mateu 20:28; Romakëve 15:8) Prandaj, meqë ithtarët e Jezuit duhej të ‘ndiqnin me kujdes gjurmët e tij’, nuk është për t’u habitur që edhe ata duhet të jenë administrues të Fjalës.—1 Pjetrit 2:21.
6. Si e tregoi Jezui se dishepujt e tij duhej të ishin administrues të Fjalës?
6 Pak kohë para se të ngjitej në qiell, Jezui u tha dishepujve: «Shkoni . . . dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Dishepujt e Jezuit duhej të ishin administrues të Fjalës me qëllimin që të bënin dishepuj. Dishepujt e rinj që do të bënin ata, do të mësonin të zbatonin të gjitha gjërat që urdhëroi Jezui, duke përfshirë urdhrin për të shkuar e për të bërë dishepuj. Burrë a grua, i rritur a fëmijë, një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit do të ishte administrues i Fjalës.—Joeli 2:28, 29.
7, 8. (a) Cilat shkrime e tregojnë se të gjithë të krishterët e vërtetë janë administrues të Fjalës? (b) Çfarë pyetjesh lindin për caktimin zyrtar?
7 Në harmoni me këtë, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., të gjithë dishepujt e Jezuit që ishin të pranishëm, burra e gra, u aktivizuan për të treguar «gjërat madhështore të Perëndisë». (Veprat 2:1-11) Më tej, apostulli Pavël shkroi: «Me zemër dikush ushtron besim për drejtësi, por me gojë deklaron publikisht për shpëtim.» (Romakëve 10:10) Pavli ua drejtoi këto fjalë jo një klase të kufizuar kleri, por «të gjithë atyre që [ishin] në Romë si të dashur të Perëndisë». (Romakëve 1:1, 7) Në mënyrë të ngjashme, të gjithë ‘të shenjtët në Efes dhe të besueshmit në unitet me Krishtin Jezu’ duhej t’i kishin «këmbët të mbathura me pajimet e lajmit të mirë të paqes». (Efesianëve 1:1; 6:15) Gjithashtu, të gjithë ata që dëgjuan letrën drejtuar hebrenjve, duhej të ‘mbanin fort deklaratën publike të shpresës së tyre, pa u lëkundur’.—Hebrenjve 10:23.
8 Por, kur bëhet një person administrues i Fjalës? Me fjalë të tjera, kur caktohet zyrtarisht? Dhe kush e cakton zyrtarisht?
Caktimi zyrtar si administrues i Fjalës: Kur?
9. Kur u caktua zyrtarisht Jezui dhe nga kush?
9 Për sa i përket kohës dhe personit që cakton zyrtarisht një tjetër, shqyrtoni shembullin e Jezu Krishtit. Ai nuk pati një certifikatë caktimi zyrtar ose një diplomë nga ndonjë seminar, e cila të provonte se ai ishte administrues i Fjalës dhe nuk u caktua zyrtarisht nga ndonjë njeri. Atëherë, përse mund të themi se ishte një administrues i Fjalës? Sepse tek ai u përmbushën fjalët e frymëzuara të Isaisë: «Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi për të shpallur lajmin e mirë.» (Luka 4:17-19; Isaia 61:1) Këto fjalë nuk lënë asnjë dyshim se Jezui ishte i autorizuar për të shpallur lajmin e mirë. Nga kush? Meqë fryma e Jehovait e mirosi për veprën, duket qartë se Jezuin e caktoi zyrtarisht Perëndia Jehova. Kur ndodhi kjo? Në fakt, fryma e Jehovait zbriti mbi Jezuin kur ky u pagëzua. (Luka 3:21, 22) Prandaj, ai u caktua zyrtarisht në pagëzimin e tij.
10. Me anë të kujt bëhet ‘i kualifikuar siç duhet’ një administrues i Fjalës?
10 Ç’të themi për ithtarët e Jezuit në shekullin e parë? Edhe statusi i tyre si administrues të Fjalës erdhi nga Jehovai. Pavli tha: «Kualifikimi ynë siç duhet vjen nga Perëndia, i cili, në fakt, na ka kualifikuar aq sa duhet për të qenë administrues të Fjalës së një besëlidhjeje të re.» (2 Korintasve 3:5, 6) Si i kualifikon Jehovai adhuruesit e tij që të jenë administrues të Fjalës ose shërbëtorë? Shqyrtoni shembullin e Timoteut, të cilin Pavli e quajti «shërbëtorin e Perëndisë për lajmin e mirë lidhur me Krishtin».—1 Selanikasve 3:2.
11, 12. Si bëri progres Timoteu deri në pikën kur u bë administrues i Fjalës?
11 Fjalët vijuese që iu drejtuan Timoteut na ndihmojnë të kuptojmë si u bë ai një administrues i Fjalës: «Mirëpo ti vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde për të besuar, duke e ditur prej cilëve i mësove dhe se që nga foshnjëria i ke njohur shkrimet e shenjta, të cilat janë në gjendje të të bëjnë të mençur për shpëtimin nëpërmjet besimit në lidhje me Krishtin Jezu.» (2 Timoteut 3:14, 15) Themeli i besimit të Timoteut, që do ta shtynte të bënte shpallje publike, ishte njohuria për Shkrimet. A ishte leximi personal gjithçka që nevojitej për këtë? Jo. Timoteut i duhej ndihmë për të fituar njohuri të saktë dhe kuptueshmëri frymore për atë që lexonte. (Kolosianëve 1:9) Kështu, Timoteu ‘u bind për të besuar’. Meqë i kishte njohur Shkrimet «që nga foshnjëria», mësuesit e tij të parë duhet të kenë qenë mamaja dhe gjyshja, pasi babai me sa duket nuk ishte besimtar.—2 Timoteut 1:5.
12 Megjithatë, për Timoteun, të bëhej administrues i Fjalës përfshinte më shumë. Pikësëpari, besimi i tij u forcua nga shoqërimi me të krishterët në kongregacionet fqinje. Nga e dimë? Ngaqë, kur Pavli e takoi për herë të parë Timoteun, «vëllezërit në Listra dhe Ikoni flitnin mirë» për këtë të ri. (Veprat 16:2) Përveç kësaj, në ato ditë disa vëllezër u shkruanin letra kongregacioneve për t’i forcuar. Gjithashtu, mbikëqyrësit i vizitonin për t’i ndërtuar. Masa të tilla i ndihmuan të krishterët si Timoteu që të përparonin frymësisht.—Veprat 15:22-32; 1 Pjetrit 1:1.
13. Kur u caktua Timoteu zyrtarisht si administrues i Fjalës dhe përse do të thoshit se progresi i tij frymor nuk përfundoi aty?
13 Duke pasur parasysh urdhrin e Jezuit të dokumentuar te Mateu 28:19, 20, mund të jemi të sigurt se në njëfarë pike besimi e shtyu Timoteun të imitonte Jezuin dhe të pagëzohej. (Mateu 3:15-17; Hebrenjve 10:5-9) Ky ishte një simbol i dedikimit me gjithë shpirt të Timoteut ndaj Perëndisë. Në pagëzimin e tij, Timoteu u bë një administrues i Fjalës ose shërbëtor. Që nga ai moment, jeta, forca e tij dhe çdo gjë që kishte, i përkiste Perëndisë. Kjo ishte një pjesë thelbësore e adhurimit të tij, «një shërbim i shenjtë». Megjithatë, më pas Timoteu nuk fjeti mbi dafina. Vazhdoi të rritej frymësisht në pjekuri si administrues i Fjalës. Kjo ndodhi për shkak të shoqërimit të ngushtë të Timoteut me të krishterë të pjekur, si Pavli, për shkak të studimit të tij personal dhe të aktivitetit të zellshëm të predikimit.—1 Timoteut 4:14; 2 Timoteut 2:2; Hebrenjve 6:1.
14. Sot, si bën përparim për t’u bërë administrues i Fjalës një person i «prirur drejt jetës së përhershme»?
14 Sot, caktimi zyrtar për të shërbyer si administrues të Fjalës është i ngjashëm. Një person që është i «prirur drejt jetës së përhershme» ndihmohet të mësojë për Perëndinë dhe për qëllimet e tij, me anë të një studimi biblik. (Veprat 13:48) Personi mëson të zbatojë parimet biblike në jetën e tij dhe t’i bëjë lutje me kuptim Perëndisë. (Psalmi 1:1-3; Fjalët e urta [Proverbat] 2:1-9; 1 Selanikasve 5:17, 18) Ai shoqërohet me besimtarë të tjerë dhe nxjerr dobi nga masat dhe rregullimet e bëra nga «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45-47; Fjalët e urta 13:20; Hebrenjve 10:23-25) Pra, bën përparim në një proces të organizuar arsimimi.
15. Çfarë ndodh kur një person pagëzohet? (Shih edhe shënimin.)
15 Së fundi, pasi ka zhvilluar një dashuri për Perëndinë Jehova dhe besim të fortë në flijimin shpërblyes, studenti i Biblës dëshiron t’ia dedikojë plotësisht veten Atit të tij qiellor. (Gjoni 14:1) Ai e bën këtë dedikim në një lutje personale dhe, pastaj, pagëzohet si një simbol publik i atij veprimi personal. Pagëzimi i tij është një ceremoni caktimi zyrtar, sepse ky është momenti kur njihet si një shërbëtor plotësisht i dedikuar, një diakonos i Perëndisë. Ai duhet të qëndrojë i ndarë nga bota. (Gjoni 17:16; Jakovit 4:4) E ka paraqitur veten e tij si «një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë», pa rezerva ose kushte. (Romakëve 12:1)b Ai është administrues i Fjalës i Perëndisë, duke imituar Krishtin.
Çfarë do të thotë të shërbesh si administrues i Fjalës?
16. Cilat ishin disa përgjegjësi të Timoteut si administrues i Fjalës?
16 Çfarë përfshinte shërbimi i Timoteut si administrues i Fjalës? Ai kishte detyra të veçanta si shok udhëtimi i Pavlit. Dhe, kur u bë një plak, Timoteu punoi shumë për të mësuar e për të forcuar të bashkëkrishterët. Por, pjesa qendrore e shërbimit të tij, siç ishte edhe në rastin e Jezuit, edhe të Pavlit, ishte predikimi i lajmit të mirë dhe bërja e dishepujve. (Mateu 4:23; 1 Korintasve 3:5) Pavli i tha Timoteut: «Kurse ti, ruaj gjykimin në gjithçka, duro të ligën, bëj punën e ungjillëzuesit, kryeje plotësisht shërbimin tënd.»—2 Timoteut 4:5.
17, 18. (a) Në çfarë shërbimi angazhohen të krishterët? (b) Sa e rëndësishme është për një administrues të Fjalës vepra e predikimit?
17 Është e ngjashme me administruesit e Fjalës sot. Ata angazhohen në një shërbim publik, një vepër ungjillëzuese, duke u treguar të tjerëve shpëtimin në bazë të flijimit të Jezuit dhe duke i mësuar zemërbutët që të thërrasin emrin e Jehovait. (Veprat 2:21; 4:10-12; Romakëve 10:13) Ata japin prova nga Bibla se Mbretëria është e vetmja shpresë për njerëzimin që vuan dhe tregojnë se edhe tani, gjërat shkojnë më mirë nëse jetojmë sipas parimeve hyjnore. (Psalmi 15:1-5; Marku 13:10) Por, një administrues i Fjalës nuk predikon ungjillin shoqëror. Përkundrazi, ai u mëson të tjerëve se ‘devocioni hyjnor mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë’.—1 Timoteut 4:8.
18 Vërtet, shumë administrues të Fjalës shërbejnë në mënyra të mëtejshme, të cilat mund të ndryshojnë nga një i krishterë te tjetri. Shumë kanë detyrime familjare. (Efesianëve 5:21–6:4) Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës kanë detyra në kongregacion. (1 Timoteut 3:1, 12, 13; Titit 1:5; Hebrenjve 13:7) Shumë të krishterë ndihmojnë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Disa kanë privilegjin e mrekullueshëm të punojnë si vullnetarë në një nga shtëpitë Bethel të Shoqatës Watch Tower. Megjithatë, të gjithë administruesit e Fjalës marrin pjesë në predikimin e lajmit të mirë. Nuk ka përjashtime. Është pjesëmarrja në këtë vepër ajo që e identifikon publikisht një person si një administrues të vërtetë të Fjalës.
Qëndrimi i një administruesi të Fjalës
19, 20. Cilin qëndrim duhet të zhvillojnë administruesit e Fjalës?
19 Shumica e klerikëve në të ashtuquajturin krishterim presin që t’u jepet respekt i veçantë dhe mbajnë tituj të tillë, si «imzot» dhe «atë». Megjithatë, një administrues i Fjalës e di se vetëm Jehovai meriton nderimin e thellë. (1 Timoteut 2:9, 10) Asnjë administrues i Fjalës nuk pretendon një respekt të tillë të lartë ose nuk aspiron ndonjë titull special. (Mateu 23:8-12) Ai e di se domethënia bazë e fjalës diakonia është «shërbim». Folja e shoqëruar me të, disa herë përdoret në Bibël në lidhje me shërbimet personale, si për shembull, të shërbesh në tryezë. (Luka 4:39; 17:8; Gjoni 2:5) Ndonëse përdorimi i kësaj fjale në lidhje me shërbimin si administrues të Fjalës është më i lartë, një diakonos është ende një shërbëtor.
20 Pra, asnjë administrues i Fjalës nuk ka arsye të ndihet tepër i rëndësishëm. Shërbëtorët e vërtetë të krishterë, madje, edhe ata me përgjegjësi të veçanta në kongregacion, janë skllevër të përulur. Jezui tha: «Kushdo që dëshiron të bëhet i madh mes jush, duhet të jetë shërbëtori juaj dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari mes jush, duhet të jetë skllavi juaj.» (Mateu 20:26, 27) Kur u tregoi dishepujve të tij qëndrimin e drejtë që duhej zhvilluar, Jezui u lau këmbët, duke bërë punën e skllavit më të ulët. (Gjoni 13:1-15) Sa shërbim i përulur! Kështu, administruesit e Fjalës i shërbejnë me përulësi Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit. (2 Korintasve 6:4; 11:23) Ata tregojnë përulësi mendjeje duke i shërbyer njëri-tjetrit. Gjithashtu, kur predikojnë lajmin e mirë, u shërbejnë me altruizëm fqinjëve të tyre jobesimtarë.—Romakëve 1:14, 15; Efesianëve 3:1-7.
Të tregojmë qëndrueshmëri në shërbimin si administrues të Fjalës
21. Si u shpërblye Pavli për qëndrueshmërinë në shërbimin e tij si administrues i Fjalës?
21 Pavlit iu desh qëndrueshmëri që të ishte një administrues i Fjalës. Ai u tha kolosianëve se vuajti shumë, me qëllim që t’u predikonte lajmin e mirë. (Kolosianëve 1:24, 25) Megjithatë, për shkak se tregoi qëndrueshmëri, shumë veta e pranuan lajmin e mirë dhe u bënë administrues të Fjalës. Ata lindën si bij të Perëndisë dhe vëllezër të Jezu Krishtit, me perspektivën për t’u bërë krijesa frymore përkrah tij në qiell. Sa shpërblim i lavdishëm për qëndrueshmërinë!
22, 23. (a) Përse shërbëtorët e krishterë kanë nevojë për qëndrueshmëri? (b) Çfarë frytesh të mrekullueshme vijnë nga qëndrueshmëria e krishterë?
22 Qëndrueshmëria është e nevojshme sot për ata që janë vërtet administrues të Fjalës të Perëndisë. Shumë veta luftojnë çdo ditë me sëmundjet ose dhembjet e moshës së shkuar. Prindërit, shumë prej tyre pa bashkëshortë, punojnë fort për të rritur fëmijët. Me guxim, fëmijët në shkollë u rezistojnë ndikimeve të gabuara që i rrethojnë. Shumë të krishterë ndeshen me beteja të rënda ekonomike. Gjithashtu, shumë vuajnë persekutim ose hasin vështirësi për shkak të ‘kohëve kritike, të vështira për t’u përballuar’ që kemi sot. (2 Timoteut 3:1) Pikërisht, pothuajse të gjashtë milionë shërbëtorët e Jehovait sot mund të thonë së bashku me apostullin Pavël: «Në çdo mënyrë e rekomandojmë veten si administrues të Fjalës së Perëndisë, përmes qëndrueshmërisë në shumë gjëra.» (2 Korintasve 6:4) Administruesit e Fjalës nuk dorëzohen. Ata janë vërtet për t’u lavdëruar për qëndrueshmërinë e tyre.
23 Për më tepër, siç ndodhi në rastin e Pavlit, qëndrueshmëria sjell fryte të mrekullueshme. Duke qëndruar, ruajmë marrëdhënien tonë të ngushtë me Jehovain dhe ia gëzojmë zemrën atij. (Fjalët e urta 27:11) Forcojmë besimin tonë dhe bëjmë dishepuj, duke e shtuar vëllazërinë e krishterë. (1 Timoteut 4:16) Jehovai i ka mbështetur shërbëtorët e tij dhe e ka bekuar shërbimin e tyre si administrues të Fjalës gjatë këtyre ditëve të fundit. Si rezultat, të fundit nga 144.000 janë mbledhur dhe miliona të tjerë kanë shpresën e sigurt se do të gëzojnë jetën e përhershme në një tokë parajsore. (Luka 23:43; Zbulesa 14:1) Vërtet, shërbimi si administrues të Fjalës është një shprehje e mëshirës së Jehovait. (2 Korintasve 4:1) Le ta ruajmë të gjithë si thesar atë dhe të jemi mirënjohës që frytet e tij do të qëndrojnë përgjithmonë.—1 Gjonit 2:17.
[Shënimet]
a Fjala greke diakonos është burimi i fjalës «dhjak», një autoritet në kishë. Në kishat ku dhjakë mund të jenë edhe gratë, ato quhen dhjake.
b Edhe pse Romakëve 12:1 u aplikohet në mënyrë specifike të krishterëve të mirosur, parimi aplikohet edhe për ‘delet e tjera’. (Gjoni 10:16) Këta ‘bashkohen me Jehovain për t’i shërbyer, për të dashur emrin e Jehovait dhe për të qenë shërbëtorë të tij’.—Isaia 56:6.
A mund ta shpjegoni?
• Çfarë përgjegjësie kishin të gjithë të krishterët e shekullit të parë?
• Kur dhe nga kush caktohet zyrtarisht një administrues i Fjalës?
• Çfarë qëndrimi duhet të zhvillojë një administrues i Fjalës?
• Përse një administrues i Fjalës duhet të tregojë qëndrueshmëri përballë vështirësive?
[Figurat në faqet 16, 17]
Timoteut iu mësua Fjala e Perëndisë që nga foshnjëria. Ai u caktua zyrtarisht si administrues i Fjalës kur u pagëzua
[Figura në faqen 18]
Pagëzimi simbolizon dedikimin ndaj Perëndisë dhe shënon caktimin zyrtar të një personi si administrues i Fjalës
[Figura në faqen 20]
Administruesit e Fjalës janë të gatshëm të shërbejnë