Çfarë duhet vërtet për të qenë të lumtur?
JEHOVAI, që është ‘Perëndia i lumtur’ dhe Jezu Krishti, që është «i lumi dhe i vetmi i Pushtetshëm» e dinë më mirë nga të gjithë se çfarë duhet për të qenë të lumtur. (1 Timoteut 1:11; 6:15) Prandaj nuk është çudi që çelësi i lumturisë gjendet në Fjalën e Perëndisë, në Bibël.—Zbulesa 1:3; 22:7.
Jezui e shpjegoi në Predikimin e tij të famshëm në Mal se çfarë duhet për të qenë të lumtur. Ai tha: «Lum ata» (1) që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore, (2) që vajtojnë, (3) që janë me natyrë të butë, (4) që kanë uri dhe etje për drejtësi, (5) që janë të mëshirshëm, (6) që janë me zemër të kulluar, (7) që janë paqebërës, (8) që janë të persekutuar për hir të drejtësisë dhe (9) që poshtërohen e persekutohen për shkakun e Jezuit.—Mateu 5:3-11.
A janë të sakta këto thënie të Jezuit?
Disa pohime të Jezuit s’kanë nevojë për shumë shpjegime që të provojnë se janë të vërteta. E kush mund ta mohojë se një njeri me natyrë të butë, i mëshirshëm dhe paqebërës, i motivuar nga një zemër e kulluar, është më i lumtur sesa një njeri zemërak, i pamëshirshëm dhe me shpirt luftarak?
Mirëpo, mund të na lindë pyetja se si ka mundësi të quhen të lumtur njerëzit që janë të uritur dhe të etur për drejtësinë ose që vajtojnë. Individë të tillë kanë një pikëpamje realiste për kushtet në botë. Ata ‘psherëtijnë dhe vajtojnë për të gjitha gjërat [e pështira, BR] që kryhen’ në ditët tona. (Ezekieli 9:4) Kjo në vetvete nuk i bën të lumtur. Por gëzohen jashtë mase kur mësojnë qëllimin e Perëndisë për të sjellë kushte të drejta në tokë dhe drejtësi për të shtypurit.—Isaia 11:4.
Nga ana tjetër, dashuria për drejtësinë i bën njerëzit të vajtojnë, ngaqë shpeshherë nuk ia dalin mbanë të bëjnë atë që është e drejtë. Në këtë mënyrë janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore. Këta njerëz janë të gatshëm të kërkojnë udhëheqjen e Perëndisë, sepse e kuptojnë që vetëm ai mund t’i ndihmojë njerëzit të kapërcejnë dobësitë e tyre.—Fjalët e urta 16:3, 9; 20:24.
Njerëzit që vajtojnë, që janë të uritur dhe të etur për drejtësinë e që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore, e kuptojnë sa e rëndësishme është të kesh një marrëdhënie të mirë me Krijuesin. Njeriu është i lumtur kur ka marrëdhënie të mira me njerëzit e tjerë. Aq më tepër do të jetë i lumtur, po të ketë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Po, ata që e duan vërtet të drejtën dhe që janë të gatshëm të pranojnë udhëheqjen e Perëndisë, mund të quhen vërtet të lumtur.
Megjithatë, ndoshta të duket e vështirë të besosh se një njeri që e persekutojnë dhe e poshtërojnë mund të jetë i lumtur. Por, përderisa e tha Jezui, duhet të jetë e vërtetë. Atëherë, si duhen kuptuar fjalët e tij?
Të persekutuar, por të lumtur: Si ka mundësi?
Vini re se Jezui nuk tha që poshtërimi dhe persekutimi në vetvete sjellin lumturi. Fjalët e tij ishin: «Lum ata që janë persekutuar për hir të drejtësisë, . . . Të lumtur jeni ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju persekutojnë . . . për shkakun tim.» (Mateu 5:10, 11) Prandaj, lumturia vjen vetëm në qoftë se një njeri e poshtërojnë sepse është ithtar i Krishtit dhe sepse e përputh jetën me parimet e drejta që mësoi Jezui.
Këtë e ilustron ajo që ndodhi me të krishterët e hershëm. Anëtarët e Sinedrit, që ishte gjykata e lartë judaike, «i thirrën apostujt, i rrahën dhe i urdhëruan të mos flitnin më në bazë të emrit të Jezuit e i lanë të iknin». Si reaguan apostujt? «Këta shkuan nga Sinedri duke gëzuar, sepse ishin llogaritur të denjë për t’u çnderuar për emrin e tij. E çdo ditë, në tempull dhe nga shtëpia në shtëpi, ata vazhdonin pareshtur të mësonin dhe të shpallnin lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin».—Veprat 5:40-42; 13:50-52.
Apostulli Pjetër e shpjegoi më tej lidhjen midis poshtërimit dhe lumturisë. Ai shkroi: «Nëse po ju poshtërojnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse fryma e lavdisë, madje fryma e Perëndisë, po prehet mbi ju.» (1 Pjetrit 4:14) Po, të vuash si i krishterë, sepse po bën atë që është e drejtë, ndonëse është vuajtje e pakëndshme, të sjell lumturi, sepse e di se merr frymën e shenjtë të Perëndisë. Si lidhet me lumturinë fryma e shenjtë e Perëndisë?
Veprat e mishit apo frytin e frymës së shenjtë?
Perëndia ua jep frymën e shenjtë vetëm atyre që i binden atij si sundimtar. (Veprat 5:32) Jehovai nuk ua jep frymën e tij atyre që praktikojnë «veprat e mishit». Këto vepra janë: «kurvëria, ndyrësia, sjellja e shthurur, idhujtaria, praktika e spiritizmit, armiqësitë, konflikti, xhelozia, shpërthimet e zemërimit, grindjet, përçarjet, sektet, smirat, dehjet, ahengjet e shfrenuara dhe gjëra si këto.» (Galatasve 5:19-21) Është e vërtetë se në botën e sotme «veprat e mishit» janë shumë të zakonshme. Megjithatë, ata që i praktikojnë ato nuk kanë lumturi të vërtetë e të qëndrueshme. Përkundrazi, këto gjëra prishin marrëdhëniet e mira me të afërmit, miqtë dhe të njohurit. Për më tepër, Fjala e Perëndisë thotë se ata që «praktikojnë gjëra të tilla nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë».
Ndryshe nga kjo, Perëndia ua jep frymën e tij atyre që shfaqin ‘frytin e frymës’ së shenjtë. Cilësitë që përbëjnë këtë fryt janë «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli». (Galatasve 5:22, 23) Kur shfaqim këto cilësi, krijojmë kushtet për të pasur marrëdhënie paqësore me të tjerët dhe me Perëndinë, e kjo na jep lumturi të vërtetë. (Shih kutinë.) Ç’është më e rëndësishmja, duke treguar dashuri, dashamirësi, mirësi dhe cilësi të tjera të perëndishme, i pëlqejmë Jehovait dhe kemi shpresë të jetojmë përgjithmonë të lumtur, në botën e re dhe të drejtë të Perëndisë.
Lumturia është një zgjedhje
Kur filluan ta studionin seriozisht Biblën, Volfgangu dhe Brigita, një çift që jeton në Gjermani, kishin shumë gjëra materiale që njerëzit mendojnë se duhen për të qenë të lumtur. Ishin të rinj, vishnin rroba të kushtueshme, jetonin në një shtëpi të rregulluar bukur dhe kishin një biznes të suksesshëm. Pjesën më të madhe të kohës e kalonin duke grumbulluar edhe më shumë gjëra materiale, mirëpo kjo nuk u jepte lumturi të vërtetë. Me kalimin e kohës, Volfgangu dhe Brigita bënë një zgjedhje të rëndësishme. Filluan t’i kushtonin më shumë kohë gjërave frymore e të përpiqeshin më shumë për to dhe kërkuan mënyra për t’iu afruar më shumë Jehovait. Një zgjedhje e tillë shumë shpejt çoi në ndryshimin e qëndrimit të tyre, dhe kjo i shtyu ta thjeshtonin jetën dhe të shërbenin si pionierë ose ungjillëzues në kohë të plotë. Sot shërbejnë si vullnetarë në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani. Veç kësaj, po mësojnë një gjuhë aziatike për të ndihmuar të huajt, që të mësojnë të vërtetën që gjendet në Fjalën e Perëndisë, në Bibël.
A gjeti lumturi të vërtetë ky çift? Volfgangu thotë: «Që kur filluam t’u kushtonim më shumë kohë gjërave frymore, kemi qenë më të lumtur dhe kemi provuar më shumë kënaqësi. Ngaqë i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër, kjo na ka forcuar edhe martesën. Edhe më parë kishim një martesë të lumtur, por kishim detyrime dhe interesa që na largonin në dy drejtime të ndryshme. Tani jemi të bashkuar duke ndjekur të njëjtin synim.»
Çfarë duhet për të qenë të lumtur?
Me dy fjalë: shmang «veprat e mishit» dhe zhvillo ‘frytin e frymës’ së Perëndisë. Për të qenë i lumtur, një njeri duhet të dëshirojë të ketë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Ai që përpiqet të arrijë këtë përkon me njeriun e lumtur që përshkroi Jezui.
Prandaj, mos bëni gabimin që të nxirrni si përfundim se nuk e arrini dot lumturinë. Vërtet, ndoshta tani mund të mos keni shëndet të mirë ose edhe mund të keni probleme në martesë. Mbase nuk keni si t’i provoni shpërblimet e të qenët prind ose mund të jeni duke luftuar për të pasur një karrierë të suksesshme. Ndoshta xhepin nuk e keni aq plot sa më parë. Megjithatë, s’ka pse të shkurajoheni! Sundimi i Mbretërisë së Perëndisë do t’i zgjidhë këto probleme dhe shumë të tjera. Në fakt, Perëndia Jehova së shpejti do të plotësojë premtimin e tij të shprehur me fjalët e psalmistit: «Mbretëria jote është një mbretëri përjetë . . . Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qenieje të gjallë.» (Psalmi 145:13, 16) Siç mund ta thonë vetë miliona shërbëtorë të Jehovait anembanë botës, në qoftë se ju e mbani parasysh këtë premtim ngushëllues, do të keni shumë lumturi sot.—Zbulesa 21:3.
[Kutia dhe figura në faqen 6]
Faktorë që sjellin lumturi
Dashuria i shtyn të tjerët të të përgjigjen me dashuri.
Gëzimi të jep forcën për të përballuar vështirësitë.
Paqja të ndihmon të mos kesh fërkime në marrëdhëniet me të tjerët.
Shpirtgjerësia të jep mundësi që të jesh i lumtur edhe kur ke sprova.
Mirëdashja të bën më tërheqës për të tjerët.
Mirësia që tregon i shtyn të tjerët të të ndihmojnë me kënaqësi kur ke nevojë për ndihmë.
Besimi të siguron se ke udhëheqjen e dashur të Perëndisë.
Butësia do të të sjellë qetësi në zemër, në mendje dhe në trup.
Vetëkontrolli do të të ndihmojë të bësh më pak gabime.
[Figurat në faqen 7]
Për të arritur lumturinë duhet të plotësosh nevojat e tua frymore