Të shpëtuar nga dashamirësia e pamerituar, jo vetëm nga veprat
«Ju keni shpëtuar nëpërmjet besimit . . . Nuk vjen nga veprat, me qëllim që asnjë njeri të mos ketë bazë për t’u mburrur.»—EFESIANËVE 2:8, 9.
1. Si ndryshojnë të krishterët nga njerëzit në përgjithësi, për sa u përket arritjeve individuale, e përse?
SOT, njerëzit krenohen shumë me arritjet e tyre dhe shpesh mbahen me të madh për to. Kurse të krishterët janë ndryshe. Nuk i theksojnë së tepërmi arritjet e tyre, qoftë edhe ato që kanë të bëjnë me adhurimin e vërtetë. Gëzojnë për atë që arrin populli i Jehovait si një i tërë, por nuk e theksojnë së tepërmi pjesën që kanë bërë ata vetë si individë. E kuptojnë se, në shërbimin ndaj Jehovait, kanë më shumë rëndësi motivet e drejta që kemi, jo arritjet individuale. Atyre që në fund do të marrin dhuratën e jetës së përhershme, kjo dhuratë nuk do t’u jepet falë arritjeve të tyre, por falë besimit që kanë treguar dhe nga dashamirësia e pamerituar e Perëndisë.—Luka 17:10; Gjoni 3:16.
2, 3. Për çfarë mburrej Pavli, e përse?
2 Apostulli Pavël ishte plotësisht i vetëdijshëm për këtë. Pasi ishte lutur tri herë që t’i hiqej «një gjemb në mish», ai mori nga Jehovai këtë përgjigje: «Dashamirësia ime e pamerituar të mjafton; sepse fuqia ime përsoset në dobësi.» Pavli e pranoi me përulësi këtë vendim të Jehovait dhe tha: «Prandaj, me gëzim të madh do të mburrem më mirë për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të qëndrojë mbi mua si një tendë.» Bëjmë mirë ta imitojmë këtë qëndrim të përulur të Pavlit.—2 Korintasve 12:7-9.
3 Edhe pse shquhej për veprat e krishtere që kryente, Pavli e pranonte se këto arritje nuk vinin falë ndonjë aftësie të veçantë që kishte. Me modesti, ai tha: «Mua, më të voglit nga të gjithë të shenjtët, m’u dha kjo dashamirësi e pamerituar, që t’u shpall kombeve lajmin e mirë lidhur me pasurinë e papërshkrueshme të Krishtit.» (Efesianëve 3:8) Siç e shohim, Pavli s’ishte as mendjemadh, as fodull, siç ndodh kur një njeri e mban veten si tepër të drejtë. «Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (Jakovi 4:6; 1 Pjetrit 5:5) A e ndjekim shembullin e Pavlit, duke e konsideruar me përulësi veten si më të vegjlit ndër vëllezërit tanë?
‘T’i mendojmë të tjerët si më të lartë se veten’
4. Pse disa herë e kemi të vështirë t’i mendojmë të tjerët si më të lartë se veten?
4 Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët: «Mos bë[ni] asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke menduar se të tjerët janë më të lartë se ju.» (Filipianëve 2:3) Kjo mund të jetë e vështirë, sidomos nëse jemi në ndonjë detyrë me përgjegjësi. Ndoshta vështirësitë lindin sepse fryma e konkurrencës, që është kaq e përhapur në botën e sotme, ka ndikuar në njëfarë mase edhe te ne. Ndoshta, që kur ishim fëmijë, na mësonin të ishim gjithnjë në garë me të tjerët, me vëllanë a motrën në shtëpi ose me shokët në shkollë. Mbase na shtynin vazhdimisht që të ishim të parët e klasës ose më të mirët në sport. Sigurisht, është një gjë e lavdërueshme të japim më të mirën në ndonjë aktivitet të përshtatshëm. Megjithatë, të krishterët nuk e bëjnë këtë për të tërhequr vëmendjen te vetja, por që të nxjerrin sa më shumë dobi nga këto aktivitete, e ndoshta të nxjerrin dobi edhe të tjerët. Gjithsesi, mund të jetë e rrezikshme të synosh gjithnjë që të të lavdërojnë si më të mirin. Përse?
5. Po të mos frenohet, ku mund të çojë fryma e konkurrencës?
5 Po të mos frenohet, fryma e konkurrencës ose e unit mund ta bëjë dikë që t’i trajtojë të tjerët pa respekt dhe me arrogancë. Mund të fillojë t’i ketë zili të tjerët për privilegjet dhe aftësitë që kanë. Te Fjalët e urta (Proverbat) 28:22 thuhet: «Njeriu me sy të keq [ziliqar, BR] dëshiron të pasurohet shpejt, por nuk e kupton se do ta pllakosë varfëria.» Madje, me arrogancë, ai mund të synojë për pozita që nuk i takojnë. Për të justifikuar veprimet e tij, ndoshta nis e murmurit a kritikon të tjerët, prirje që të krishterët duhet t’i shmangin. (Jakovi 3:14-16) Sido që të jetë puna, ai po rrezikon të zhvillojë frymën e unit.
6. Si paralajmëron Bibla kundër frymës së konkurrencës?
6 Prandaj, Bibla i nxit të krishterët: «Le të mos kemi frymën e unit, duke ngjallur konkurrencë me njëri-tjetrin, duke e pasur smirë njëri-tjetrin.» (Galatasve 5:26) Apostulli Gjon foli për një të krishterë, i cili me sa duket kishte rënë pre e kësaj fryme. «I shkrova diçka kongregacionit,—tha Gjoni,—por Diotrefi, të cilit i pëlqen të jetë i pari ndër ta, nuk pret asgjë nga ne me respekt. Prandaj, nëse vij, do të sjell ndër mend veprat që ai vazhdon të bëjë, duke llomotitur për ne me fjalë të liga.» Sa keq që të bjerë një i krishterë në këtë gjendje të mjerueshme!—3 Gjonit 9, 10.
7. Çfarë duhet të shmangë një i krishterë sot në tregun e punës, ku mbizotëron fryma e konkurrencës?
7 Sigurisht, nuk është realiste të mendosh se një i krishterë mund t’i shmangë plotësisht të gjitha gjërat që përfshijnë konkurrencën. Për shembull, ndoshta puna e tij përfshin konkurrencën ekonomike me individë ose me firma të tjera, që prodhojnë të njëjtat produkte ose ofrojnë të njëjtat shërbime. Por, edhe në këto raste, një i krishterë duhet ta kryejë punën e tij me frymën e respektit, të dashurisë dhe të konsideratës për të tjerët. Ai kurrsesi nuk do të përdorë praktika të paligjshme ose të papërshtatshme për të krishterët, dhe nuk do të bëhet i njohur kryesisht për frymën e konkurrencës e për qëndrimin e pamëshirshëm prej uni. Nuk do të mendojë se gjëja më e rëndësishme është të jetë numri një në çfarëdo gjëje që bën. Nëse e themi këtë për veprimtaritë e zakonshme, aq më tepër vlen një gjë e tillë në çështjet e adhurimit.
«Jo në krahasim me personin tjetër»
8, 9. (a) Përse pleqtë e krishterë nuk kanë arsye për të konkurruar me njëri-tjetrin? (b) Pse 1 Pjetrit 4:10 zbatohet për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë?
8 Qëndrimi që duhet të kenë të krishterët në adhurimin e tyre, tregohet në këto fjalë të frymëzuara: «Secili le të tregojë me prova se si është vepra e tij dhe atëherë do të ketë shkak për ngazëllim vetëm në lidhje me vetveten dhe jo në krahasim me personin tjetër.» (Galatasve 6:4) Pleqtë e kongregacionit, duke e ditur se nuk janë në konkurrencë me njëri-tjetrin, bashkëpunojnë si një trup i vetëm. Ata gëzojnë për ndihmesën që mund të japë secili për mirëqenien e kongregacionit. Kështu mbajnë larg konkurrencën, që zakonisht përçan, dhe lënë një shembull të shkëlqyer uniteti për kongregacionin.
9 Për shkak të moshës, përvojës ose të aftësive të tyre, disa pleq mund të jenë më të shkathët se të tjerët ose më të mprehtë në gjykim. Rrjedhimisht, pleqtë kanë përgjegjësi të ndryshme në organizatën e Jehovait. Por, në vend që të bëjnë krahasime, ata mbajnë në mendje këshillën: «Sipas dhuratës që ka marrë secili, përdoreni duke i bërë shërbim njëri-tjetrit si kujdestarë të shkëlqyer të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme.» (1 Pjetrit 4:10) Faktikisht, ky shkrim zbatohet për të gjithë shërbëtorët e Jehovait, sepse në njëfarë mase të gjithë kemi marrë dhuratën e njohurisë së saktë dhe të gjithë kemi privilegjin të marrim pjesë në shërbimin e krishterë.
10. Vetëm kur e pranon Jehovai shërbimin tonë të shenjtë?
10 Jehovai e pëlqen shërbimin tonë të shenjtë vetëm kur vjen nga dashuria dhe nga përkushtimi, jo ngaqë duam të lartësojmë veten mbi të tjerët. Prandaj, është jetësore të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për veprat tona në mbështetje të adhurimit të vërtetë. Askush nga ne nuk i gjykon dot saktë motivet e një tjetri, kurse Jehovai «peshon zemrat». (Fjalët e urta 24:12; 1 Samuelit 16:7) Pra, hera-herës bëjmë mirë të pyesim veten: ‘Me cilin motiv po i shërbej Jehovait?’—Psalmi 24:3, 4; Mateu 5:8.
Pikëpamja e duhur për veprat e besimit
11. Çfarë pyetjesh është e arsyeshme të bëhen lidhur me aktivitetin tonë në shërbim?
11 Në qoftë se motivi është me rëndësi parësore për të fituar miratimin e Jehovait, atëherë sa duhet të interesohemi për veprat tona të besimit? A ka vërtet nevojë të mbajmë shënim se çfarë bëjmë ose sa arrijmë të bëjmë, për sa kohë që e kryejmë shërbimin tonë me motivin e duhur? Këto janë pyetje të arsyeshme, sepse nuk duam t’u japim më shumë rëndësi shifrave sesa veprave të besimit e nuk duam që shqetësimi për të dorëzuar një raport të mirë, të bëhet gjëja kryesore në aktivitetin tonë të krishterë.
12, 13. (a) Cilat janë disa arsye pse e raportojmë shërbimin tonë? (b) Për cilat arsye duhet të gëzojmë kur shohim raportin botëror të veprës sonë të predikimit?
12 Vini re se çfarë thotë libri Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait: «Ithtarët e hershëm të Jezu Krishtit interesoheshin për raportet që tregonin përparimin e veprës së predikimit. (Marku 6:30) Libri biblik i Veprave na tregon se në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, kur fryma e shenjtë u derdh mbi dishepujt, ishin të pranishëm rreth 120 veta. Shpejt, numri i dishepujve u rrit në 3.000 e më pas në 5.000. . . . (Veprat 1:15; 2:5-11, 41, 47; 4:4; 6:7) Sa shumë duhet t’i ketë inkurajuar dishepujt lajmi për këtë rritje!» Për të njëjtën arsye, Dëshmitarët e Jehovait sot përpiqen të mbajnë raporte të sakta të asaj që kryhet në mbarë botën si përmbushje e fjalëve të Jezuit: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Këto raporte na tregojnë konkretisht se çfarë po bëhet në mbarë botën për sa i përket predikimit. Tregojnë se ku ka nevojë për ndihmë, ç’lloj literature kërkohet dhe sa literaturë duhet për të çuar përpara veprën e predikimit.
13 Kështu, raportimi i predikimit tonë na jep mundësi të plotësojmë detyrën për ta predikuar më me efektshmëri lajmin e mirë të Mbretërisë. Përveç kësaj, a nuk inkurajohemi kur dëgjojmë për veprën që po bëjnë vëllezërit tanë në pjesë të tjera të botës? Lajmet për rritjen dhe për zgjerimin e veprës në mbarë botën, na mbushin me gëzim, na nxitin të bëjmë më shumë në shërbim dhe na sigurojnë se kemi bekimin e Jehovait. Sa e kënaqshme është të dimë se raporti ynë individual përfshihet në këtë raport botëror! Kuptohet, raporti ynë është i vogël në krahasim me raportin e përgjithshëm, por prapëseprapë Jehovai e vëren. (Marku 12:42, 43) Mos harro, pa raportin tënd, raporti i përgjithshëm nuk do të ishte i plotë.
14. Çfarë përfshin adhurimi që i bëjmë Jehovait, përveç predikimit dhe mësimdhënies?
14 Natyrisht, një pjesë e mirë e asaj që bën çdo Dëshmitar për të përmbushur përgjegjësinë e tij si shërbëtor i kushtuar i Jehovait, nuk shënohet në raportin e tij. Për shembull, në raport nuk përfshihet studimi i rregullt personal i Biblës, prania dhe pjesëmarrja në mbledhjet e krishtere, detyrat që kryen në kongregacion, ndihma që u jep bashkëbesimtarëve sipas nevojave, mbështetja financiare e veprës mbarëbotërore të Mbretërisë, e kështu me radhë. Prandaj, edhe pse raporti i shërbimit që dorëzojmë ka rolin e vet, sepse na ndihmon të ruajmë zellin në predikim e të mos ngadalësojmë ritmin, duhet të kemi pikëpamjen e duhur për të. Ai nuk duhet parë si një licensë ose pasaportë frymore, që përcakton nëse plotësojmë kushtet për jetën e përhershme.
«Të zellshëm për vepra të shkëlqyera»
15. Përse janë të nevojshme veprat, edhe pse vetëm ato nuk na shpëtojnë dot?
15 Kuptohet, edhe pse nuk mund të shpëtojmë vetëm falë veprave, prapë ato janë të nevojshme. Ja përse të krishterët janë quajtur «një popull posaçërisht [i tij], të zellshëm për vepra të shkëlqyera» dhe inkurajohen ‘të interesohen për njëri-tjetrin, që të nxiten për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’. (Titit 2:14; Hebrenjve 10:24) Një shkrimtar tjetër i Biblës, Jakovi, thotë edhe më drejtpërdrejt: «Ashtu si trupi pa frymë është i vdekur, kështu edhe besimi pa vepra është i vdekur.»—Jakovi 2:26.
16. Çfarë është edhe më e rëndësishme se veprat, por për çfarë duhet të kemi kujdes?
16 Por, edhe pse veprat e mira mund të jenë të rëndësishme, motivet që na shtyjnë t’i bëjmë këto vepra, janë edhe më të rëndësishme. Prandaj, është mirë që të shqyrtojmë herë pas here motivet tona. Por, nga ana tjetër, meqë asnjë njeri nuk mund t’i dijë me saktësi motivet e të tjerëve, duhet të kemi kujdes që të mos gjykojmë të tjerët. «Kush je ti, që të gjykosh shërbyesin e shtëpisë së një tjetri?»—na bëhet pyetja. Përgjigjja e qartë është: «Ai qëndron në këmbë ose bie para zotërisë së vet.» (Romakëve 14:4) Jehovai, që është Zotëria i të gjithëve, dhe Krishti Jezu, që është Gjykatësi i caktuar prej Tij, nuk do të na gjykojnë vetëm në bazë të veprave, por edhe në bazë të motiveve, të mundësive, të dashurisë dhe të përkushtimit tonë. Vetëm Jehovai dhe Krishti Jezu mund të gjykojnë saktë nëse kemi bërë atë që u këshillohet të krishterëve, sipas fjalëve të apostullit Pavël: «Bëj çmos për t’u paraqitur para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.»—2 Timoteut 2:15; 2 Pjetrit 1:10; 3:14.
17. Pse duhet të mbajmë në mendje Jakovin 3:17, ndërkohë që përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë?
17 Jehovai është i arsyeshëm në atë që pret prej nesh. Sipas Jakovit 3:17, «mençuria nga lart është» ndër të tjera «e arsyeshme». Pra, a s’do të ishte diçka e mençur, por edhe një arritje e vërtetë, të imitojmë Jehovain në këtë drejtim? Nuk duhet të presim gjëra të paarsyeshme dhe të paarritshme nga vetja dhe nga vëllezërit tanë.
18. Çfarë shprese mund të kemi kur mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për veprat tona dhe për dashamirësinë e pamerituar të Jehovait?
18 Për sa kohë që mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për veprat e besimit dhe për dashamirësinë e pamerituar të Jehovait, do të ruajmë gëzimin, që është shenjë dalluese e shërbëtorëve të vërtetë të Jehovait. (Isaia 65:13, 14) Mund të gëzojmë për bekimet që Jehovai po derdh mbi popullin e tij si një i tërë, pavarësisht nga ajo që arrijmë të bëjmë si individë. Duke vazhduar me «lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh», do t’i kërkojmë Perëndisë të na ndihmojë që të bëjmë më të mirën tonë. Atëherë, pa asnjë dyshim, «paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat [tona] dhe fuqitë [tona] mendore me anë të Krishtit Jezu». (Filipianëve 4:4-7) Po, mund të gjejmë lehtësim dhe inkurajim duke ditur se mund të shpëtojmë falë dashamirësisë së pamerituar të Jehovait, e jo vetëm falë veprave!
A mund të shpjegoni pse të krishterët
• nuk mburren për arritjet e tyre individuale?
• shmangin frymën e konkurrencës?
• raportojnë veprimtarinë që kryejnë në shërbim?
• nuk gjykojnë të bashkëkrishterët?
[Figura në faqen 15]
«Dashamirësia ime e pamerituar të mjafton»
[Figurat në faqet 16, 17]
Pleqtë gëzojnë për ndihmesën që mund të japë secili për mirëqenien e kongregacionit
[Figurat në faqet 18, 19]
Pa raportin tënd, raporti i përgjithshëm nuk do të ishte i plotë