PAVLI
[i vogël].
Izraelit nga fisi i Beniaminit dhe apostull i Jezu Krishtit. (Ef 1:1; Fi 3:5) Ka mundësi që qysh në fëmijëri të ketë mbajtur edhe emrin hebraik Saul, edhe emrin romak Pavël. (Ve 9:17; 2Pj 3:15) Megjithatë, që t’u shpallte lajmin e mirë jojudenjve, ky apostull mund të ketë parapëlqyer ta thërrisnin me emrin romak.—Ve 9:15; Ga 2:7, 8.
Pavli lindi në Tars, një qytet i rëndësishëm i Kilikisë. (Ve 21:39; 22:3) Prindërit e tij ishin hebrenj dhe ithtarë të fariseizmit, një dege të judaizmit. (Ve 23:6; Fi 3:5) Ai ishte qytetar romak që nga lindja (Ve 22:28), mbase ngaqë i ati e kishte fituar të drejtën e qytetarisë romake për shërbimet që i kishte kryer shtetit. Ka mundësi që zanatin e tendëbërësit Pavli ta ketë mësuar nga i ati. (Ve 18:3) Megjithatë, përderisa kur ishte në Jerusalem mori mësime nga Gamalieli, një farise i ditur, mendohet se Pavli vinte nga një familje e rëndësishme. (Ve 22:3; 5:34) Njihte mirë të paktën greqishten dhe hebraishten. (Ve 21:37-40) Gjatë kohës që udhëtoi si misionar, ai ishte i pamartuar. (1Ko 7:8) Në atë periudhë, ndoshta edhe më parë, një motër dhe një nip i tij banonin në Jerusalem.—Ve 23:16-22.
Apostulli Pavël pati privilegjin të shkruante më shumë se kushdo tjetër libra ose letra të Shkrimeve të Krishtere Greke. Ai pati vegime të mbinatyrshme (2Ko 12:1-5) dhe, falë frymës së shenjtë, ishte në gjendje të fliste disa gjuhë të huaja.—1Ko 14:18.
Përndjekja, kthimi në besim dhe fillimet e shërbimit. Për herë të parë në tregimin biblik, Sauli ose Pavli përmendet si ‘djali i ri’ në këmbët e të cilit lanë rrobat dëshmitarët e rremë që vranë me gurë Stefanin, dishepullin e Krishtit. (Ve 6:13; 7:58) Pavli e miratoi vrasjen e Stefanit dhe, për shkak të zellit të gabuar për traditën, nisi një fushatë përndjekjeje të egër kundër ithtarëve të Krishtit. Ai votonte pro ekzekutimit të tyre. Kur gjykoheshin nëpër sinagoga, përpiqej t’i detyronte të hiqnin dorë nga besimi. I përndoqi dishepujt e Krishtit jo vetëm në Jerusalem, por edhe në qytete të tjera. Madje mori letra nga kryeprifti që t’i ndiqte deri në veri, në Damask të Sirisë, e t’i çonte të lidhur në Jerusalem, ndoshta që t’i nxirrnin para Sinedrit.—Ve 8:1, 3; 9:1, 2; 26:10, 11; Ga 1:13, 14.
Teksa Pavli i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë dhe iu shfaq Krishti Jezu. Ai e ngarkoi të ishte shërbëtor e dëshmitar i gjërave që kishte parë e do të shihte. Për shkak të asaj që ndodhi, burrat që ishin me të ranë përtokë si Pavli dhe dëgjuan zërin e dikujt që fliste, por vetëm Pavli i kuptoi fjalët dhe u verbua, aq sa u desh ta çonin për dore në Damask. (Ve 9:3-8; 22:6-11; 26:12-18) Për tri ditë as hëngri e as piu. Më pas, në Damask, tek po lutej në shtëpinë e një njeriu me emrin Judë, Pavli pa në një vegim Ananinë, dishepullin e Krishtit, të vinte e t’i kthente shikimin. Kur ndodhi ajo që pa në vegim, Pavli u pagëzua, mori frymën e shenjtë, hëngri dhe mori forcë.—Ve 9:9-19.
Tregimi i Veprave 9:20-25 thotë se Pavli qëndroi për njëfarë kohe me dishepujt në Damask dhe «menjëherë» filloi të predikonte në sinagogat e atjeshme. Sipas tregimit, ai e vazhdoi predikimin deri kur u detyrua të ikte nga Damasku për shkak të një komploti për ta vrarë. Kurse, në Letrën drejtuar Galatasve vetë Pavli thotë se, pasi u bë i krishterë, shkoi në Arabi dhe më pas u kthye në Damask. (Ga 1:15-17) Sipas kësaj rrjedhe ngjarjesh, është e pamundur të përcaktohet se kur shkoi Pavli në Arabi.
Pavli mund të ketë shkuar në Arabi menjëherë pasi u bë i krishterë që të meditonte për vullnetin e Perëndisë në lidhje me të. Nëse është kështu, termi «menjëherë» që përdor Luka, do të nënkuptonte se Pavli e filloi predikimin menjëherë pasi u kthye në Damask e u shoqërua me dishepujt atje. Megjithatë, te Galatasve 1:17 Pavli thekson që nuk shkoi menjëherë në Jerusalem dhe se Arabia ishte i vetmi vend veç Damaskut ku shkoi gjatë asaj periudhe. Kështu, nuk është e thënë që ai të ketë shkuar në Arabi menjëherë pasi u bë i krishterë. Në fillim, Pavli mund të ketë qëndruar disa ditë në Damask dhe pa humbur kohë të ketë treguar publikisht se kishte hequr dorë nga kundërshtimi i mëparshëm duke shpallur nëpër sinagoga besimin te Krishti. Më pas, mund të ketë shkuar në Arabi (nuk dihet për ç’qëllim) dhe pasi është kthyer në Damask ka vazhduar predikimin gjithnjë e me më shumë forcë, aq sa kundërshtarët u përpoqën ta vrisnin. Dy tregimet nuk janë kontradiktore, përkundrazi e plotësojnë njëra-tjetrën dhe paqartësia e vetme është veç radha e saktë e ngjarjeve, e cila thjesht nuk tregohet.
Si mbërriti në Jerusalem (ndoshta në vitin 36 të e.s.; tre vjetët që përmenden te Galatasve 1:18 mund të mos nënkuptojnë tri vite të plota), Pavli kuptoi se vëllezërit e atjeshëm nuk besonin se ishte dishepull. Megjithatë, «Barnaba i vajti në ndihmë dhe e çoi tek apostujt», me sa duket te Pjetri dhe ‘Jakovi, vëllai i Zotërisë’. (Jakovi, megjithëse nuk ishte një nga 12 apostujt, mund të quhej apostull, sepse i tillë ishte për kongregacionin e Jerusalemit.) Pavli qëndroi 15 ditë me Kefën (Pjetrin). Gjatë kohës që ishte në Jerusalem, Pavli foli me guxim në emër të Jezuit. Kur vëllezërit mësuan se pikërisht për këtë arsye judenjtë që flisnin greqisht po orvateshin ta vrisnin, «e zbritën në Cezare dhe e nisën për në Tars».—Ve 9:26-30; Ga 1:18-21.
Rreth vitit 41 të e.s., Pavli pati privilegjin të përjetonte një vegim të mbinatyrshëm, kaq real sa nuk e dinte nëse ishte rrëmbyer «në qiellin e tretë» në trup a jashtë trupit. ‘Qielli i tretë’ duket se i referohet shkallës më të lartë të ekstazës në të cilën pa vegimin.—2Ko 12:1-4.
Më vonë, Barnaba shkoi në Tars dhe e mori Saulin që të ndihmonte në predikimin mes popullsisë së gjuhës greke në Antioki. Pas një viti në Antioki, rreth vitit 46 të e.s., kongregacioni nisi Pavlin dhe Barnabën në Jerusalem për t’u çuar ndihma vëllezërve. (Ve 11:22-30) Bashkë me Gjon Markun, u kthyen në Antioki. (Ve 12:25) Pas kësaj, fryma e shenjtë e veçoi Pavlin dhe Barnabën për një vepër të veçantë.—Ve 13:1, 2.
Udhëtimi i parë misionar. (HARTA, vëll. 2, f. 747 në botimin anglisht) Në përputhje me drejtimin e frymës, Pavli bashkë me Barnabën dhe Gjon Markun, ndihmësin e tyre, u nis për udhëtimin e parë misionar (rr. 47-48 të e.s.). Ata morën anijen në Seleuki, në portin e Antiokisë, dhe lundruan për në Qipro. Në Salaminë, në bregun lindor të Qipros, ata filluan «të shpallnin fjalën e Perëndisë» nëpër sinagoga. Përshkuan ishullin e mbërritën në Pafo, në bregun perëndimor. Atje magjistari Elim u përpoq t’i pengonte që t’i dëshmonin prokonsullit Sergj Pal, por Pavli bëri që ai të verbohej përkohësisht. I mahnitur nga ajo që ndodhi, Sergj Pali u bë besimtar.—Ve 13:4-12.
Nga qyteti i Pafos, Pavli dhe shokët e tij lundruan për në Azinë e Vogël. Kur mbërritën në Pergë, në provincën romake të Pamfilisë, Gjon Marku u largua dhe u kthye në Jerusalem. Kurse Pavli dhe Barnaba u nisën për në veri, në Antioki të Pisidisë. Megjithëse atje gjetën shumë interes, me nxitjen e judenjve njerëzit i flakën jashtë qytetit. (Ve 13:13-50) Pa frikë, shkuan drejt juglindjes për në Ikoni, por edhe atje judenjtë nxitën turmat kundër tyre. Kur morën vesh se donin t’i vrisnin me gurë, Pavli dhe Barnaba ikën në Listër, në rajonin e Likaonisë. Atje Pavli shëroi një të çalë që nga lindja dhe banorët e Listrës kujtuan se Pavli dhe Barnaba ishin perëndi të trupëzuara. Por më vonë, judenjtë nga Ikonia dhe Antiokia e Pisidisë i kthyen turmat kundër Pavlit. Ata e qëlluan me gurë dhe e nxorën zvarrë jashtë qytetit ngaqë kujtuan se kish vdekur. Mirëpo, kur i shkuan përreth dishepujt, Pavli u çua dhe hyri në qytetin e Listrës. Të nesërmen u nis me Barnabën për në Derbë. Pasi bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listër, Ikoni dhe Antioki të Pisidisë. Atje forcuan e inkurajuan vëllezërit dhe emëruan pleq që të shërbenin në kongregacionet e formuara në këto vende. Më vonë, predikuan në Pergë dhe më pas lundruan nga porti i Atalisë për në Antiokinë e Sirisë.—Ve 13:51–14:28.
Çështja e rrethprerjes. Nga Juda vajtën në Antioki disa burra (rreth vitit 49 të e.s.), të cilët pretendonin se jojudenjtë duhej të rrethpriteshin sipas Ligjit të Moisiut që të shpëtonin. Pavli dhe Barnaba nuk ishin të këtij mendimi. Megjithatë, edhe pse ishte apostull, Pavli nuk mori përsipër ta zgjidhte vetë këtë çështje. Përkundrazi, bashkë me Barnabën, Titin dhe të tjerë shkoi në Jerusalem për t’ua parashtruar çështjen apostujve dhe pleqve të kongregacionit atje. Ata vendosën se besimtarëve jojudenj nuk u kërkohej të rrethpriteshin, por duhej t’i rrinin larg idhujtarisë, të mos hanin e pinin gjak dhe të mos kryenin kurvëri. Vëllezërit në Jerusalem hartuan një letër me këtë vendim dhe dërguan në Antioki Judën e Silën si përfaqësuesit e tyre për të çuar letrën e për të sqaruar këtë çështje. Gjithashtu, Pjetri (Kefa), Gjoni dhe dishepulli Jakov diskutuan dhe ranë dakord që Pavli e Barnaba të vazhdonin predikimin te jojudenjtë e parrethprerë.—Ve 15:1-29; Ga 2:1-10.
Ca kohë më pas, Pjetri shkoi vetë në Antioki të Sirisë dhe u shoqërua me të krishterë jojudenj. Por, kur vajtën disa judenj nga Jerusalemi, ai me sa duket nga frika e tyre, u tërhoq nga jojudenjtë dhe kjo binte në kundërshtim me drejtimin e frymës, pasi Perëndia nuk bënte dallime. Edhe Barnaba u mashtrua. Kur e vuri re këtë, Pavli e qortoi me guxim Pjetrin para të gjithëve, pasi sjellja e tij pengonte përparimin e krishterimit.—Ga 2:11-14.
Udhëtimi i dytë misionar. (HARTA, vëll. 2, f. 747 në botimin anglisht) Më vonë, Pavli dhe Barnaba menduan të vizitonin vëllezërit në qytetet ku kishin predikuar gjatë udhëtimit të parë misionar. Pas një grindjeje që patën për Gjon Markun, ngaqë herën e parë ai ishte larguar prej tyre, ata u ndanë. Kështu, Pavli zgjodhi Silën (Silvanin) dhe përshkoi Sirinë e Azinë e Vogël (rr. 49-52 të e.s.). Në Listër, Pavli kërkoi që ta shoqëronte një djalë i ri me emrin Timote, të cilin më parë e rrethpreu. (Ve 15:36–16:3) Të krishterëve nuk u kërkohej të rrethpriteshin, por, nëse Timoteu gjysmëjude nuk ishte i rrethprerë, judenjtë pa dyshim do të kishin paragjykime për predikimin e Pavlit. Prandaj, për të hequr këtë pengesë të mundshme, Pavli veproi në përputhje me atë që u shkroi më vonë korintasve: «Për judenjtë u bëra si jude.»—1Ko 9:20.
Një natë, në Troadë, buzë detit Egje, Pavlit iu shfaq në vegim një burrë maqedonas ose maqedon që i përgjërohej: «Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo!» Pasi doli në përfundimin se ky ishte vullneti i Perëndisë, Pavli dhe shokët e tij misionarë, bashkë me mjekun Luka, lundruan drejt Maqedonisë, në Evropë. Në Filipi, qyteti kryesor i Maqedonisë, u bënë besimtarë Lidia dhe njerëzit e shtëpisë së saj. Atje Pavli nxori një demon falli nga një vajzë që kishte aftësinë për të parashikuar, prandaj Pavlin dhe Silën i burgosën. Megjithatë, ra një tërmet dhe ata u liruan e roja i burgut me njerëzit e shtëpisë së tij u bënë të krishterë. Falë ngulmimit të Pavlit që thoshte se ishte qytetar romak, administruesit civilë shkuan personalisht për të nxjerrë nga burgu atë dhe Silën. Pasi inkurajuan vëllezërit, Pavli dhe shokët e tij udhëtuan përmes Amfipolit dhe Apolonisë e shkuan në Selanik. Atje u formua një kongregacion. Mirëpo judenjtë xhelozë nxitën turmën kundër Pavlit. Për këtë arsye, vëllezërit e dërguan atë dhe Silën në Bere. Edhe atje shumë u bënë besimtarë, por trazirat e shkaktuara nga judenjtë e Selanikut e detyruan Pavlin të ikte.—Ve 16:8–17:14.
Vëllezërit e çuan apostullin në Athinë. Atje, pasi predikoi në pazar, e çuan në Areopag. Mbrojtja e tij e nxiti Dionisin, njërin nga gjykatësit e Areopagut, si dhe të tjerë të përqafonin krishterimin. (Ve 17:15-34) Më pas, Pavli shkoi në Korint e qëndroi tek Akuila dhe Prishila, një çift judeas. Atje punoi me ta për disa orë në ditë si bërës tendash. Nga Korinti, Pavli duhet të ketë shkruar dy letrat e tij për selanikasit. Pasi mësoi për një vit e gjysmë atje dhe formoi një kongregacion, judenjtë e akuzuan para Galionit. Mirëpo Galioni as që e hapi çështjen. (Ve 18:1-17) Më vonë, Pavli lundroi për në Cezare, por në fillim ndaloi në Efes dhe predikoi atje. Nga Cezarea apostulli «u ngjit e përshëndeti kongregacionin», me siguri bëhet fjalë për kongregacionin e Jerusalemit, e pastaj shkoi në Antioki të Sirisë. (Ve 18:18-22) Letrën drejtuar Galatasve Pavli mund ta ketë shkruar më parë kur ishte në Korint ose tani që ishte në Antioki të Sirisë.
Udhëtimi i tretë misionar. (HARTA, vëll. 2, f. 747 në botimin anglisht) Gjatë udhëtimit të tretë misionar (rr. 52-56 të e.s.), Pavli vizitoi përsëri Efesin dhe qëndroi për rreth tre vjet. Ndërkohë që ishte atje, shkroi letrën e parë për korintasit dhe, me sa duket, nisi Titin që të ndihmonte të krishterët e atij kongregacioni. Pas trazirës që nxiti kundër tij argjendari Dhimitër, Pavli iku nga Efesi dhe shkoi në Maqedoni. Të rejat që i solli Titi nga Korinti, e shtynë të shkruante letrën e dytë për korintasit. Para se të ikte nga Evropa dhe ka shumë të ngjarë kur ishte në Korint, Pavli shkroi letrën e tij për romakët. Kur iku, mori me vete edhe kontributin e vëllezërve të Maqedonisë dhe të Akaisë për të krishterët në nevojë në Jerusalem.—Ve 19:1–20:4; Ro 15:25, 26; 2Ko 2:12, 13; 7:5-7.
Rrugës për në Jerusalem, Pavli u ndal në Troadë. Atje mbajti një fjalim dhe ktheu në jetë Eutikun që u vra aksidentalisht. Gjithashtu, ndaloi në Milet, ku u takua me mbikëqyrësit e kongregacionit të Efesit, u foli për shërbimin që kishte bërë në krahinën e Azisë dhe i inkurajoi të imitonin shembullin e tij.—Ve 20:6-38.
Arrestimi. Ndërsa vazhdonte udhëtimin, profetë të krishterë nga njëri vend në tjetrin parathoshin se në Jerusalem Pavlin e prisnin vargonjtë. (Ve 21:4-14; krahaso 20:22, 23.) Profecitë e tyre u përmbushën. Kur ishte në tempull për t’u pastruar ceremonialisht, judenjtë nga Azia nxitën turmën kundër tij, por ushtarët romakë e shpëtuan. (Ve 21:26-33) Tek ngjiste shkallët për në kazermën e ushtarëve, Pavli mori leje t’u fliste judenjve. Sa përmendi detyrën e tij për t’u predikuar jojudenjve, shpërtheu përsëri dhuna. (Ve 21:34–22:22) Në kazermë Pavlin e shtrinë për ta rrahur me kamxhik që të kuptonin ç’faj kishte bërë. Apostulli arriti ta shmangte këtë duke tërhequr vëmendjen se ishte qytetar romak. Të nesërmen e çuan para Sinedrit. Ai e kuptoi mjaft mirë se çështjen e tij nuk do ta shqyrtonin me paanësi, ndaj u përpoq t’i përçante saducenjtë dhe farisenjtë duke e bazuar arsyetimin te ringjallja. Meqenëse besonte te ringjallja dhe ishte «bir farisenjsh», Pavli u prezantua si farise, e kështu saducenjtë, që nuk besonin te ringjallja, u hodhën kundër farisenjve e anasjelltas.—Ve 22:23–23:10.
Teksa ishte në burg, judenjtë kurdisën një komplot kundër Pavlit, prandaj u desh që autoritetet ta transferonin nga Jerusalemi në Cezare. Disa ditë më vonë, kryeprifti Anania, disa pleq dhe një gojëtar me emrin Tertul shkuan në Cezare që ta paraqitnin çështjen kundër Pavlit para guvernatorit Feliks. Ata e akuzuan se nxiste kryengritje dhe ishte orvatur të përdhoste tempullin. Apostulli tregoi se nuk ekzistonin prova për akuzat e tyre. Mirëpo Feliksi, që shpresonte të merrte ndonjë ryshfet, e mbajti Pavlin në arrest për dy vjet. Kur Feliksit ia zuri vendin Festi, judenjtë i përsëritën akuzat. Çështjen e tij e shqyrtuan edhe një herë në Cezare dhe, që ajo të mos përfundonte në Jerusalem, Pavli iu apelua Cezarit. Më vonë, e paraqiti çështjen e tij para mbretit Herod Agripa II dhe, rreth vitit 58 të e.s., Pavlin e disa të burgosur të tjerë i nisën për në Romë.—Ve 23:12–27:1.
Burgimi i parë dhe i dytë në Romë. Gjatë lundrimit, anija me të cilën udhëtonte Pavli dhe ata që ishin me të u mbyt në ishullin e Maltës. Pasi dimëruan atje, në fund mbërritën në Romë. (HARTA, vëll. 2, f. 750 në botimin anglisht) Pavlin e lejuan të qëndronte në shtëpinë që kishte marrë me qira, i ruajtur nga një ushtar. Pak pasi mbërriti, Pavli organizoi një takim me të parët e judenjve, por vetëm disa besuan. Për dy vjet me radhë, pak a shumë nga viti 59 deri në vitin 61 të e.s., apostulli vazhdoi t’u predikonte të gjithëve atyre që shkonin tek ai. (Ve 27:2–28:31) Në këtë kohë, ai shkroi Letrat drejtuar Efesianëve (4:1; 6:20), Filipianëve (1:7, 12-14), Kolosianëve (4:18), Filemonit (vrg. 9), e me sa duket edhe Hebrenjve. (FIGURA, vëll. 2, f. 750 në botimin anglisht) Duket se cezari Neron e shpalli Pavlin të pafajshëm dhe e liroi. Pavli rifilloi veprën si misionar bashkë me Timoteun dhe Titin. Pasi la Timoteun në Efes dhe Titin në Kretë, ka mundësi që nga Maqedonia, Pavli t’u ketë shkruar letra në lidhje me detyrat që duhej të kryenin. (1Ti 1:3; Tit 1:5) Nuk dihet nëse apostulli e shtriu aktivitetin e tij deri në Spanjë para se të burgosej për herë të fundit në Romë. (Ro 15:24) Gjatë këtij burgimi (rr. 65 të e.s.), Pavli i shkroi Timoteut letrën e dytë, ku la të nënkuptohej se po i afrohej vdekja. (2Ti 4:6-8) Ka të ngjarë që pak kohë më pas Pavli të ketë vdekur si martir me urdhër të Neronit.
Shembull i denjë për t’u imituar. Duke pasur parasysh besnikërinë me të cilën imitoi shembullin e Krishtit, apostulli Pavël mundi të thoshte: «Bëhuni imituesit e mi.» (1Ko 4:16; 11:1; Fi 3:17) Pavli ishte gati të ndiqte drejtimin e frymës së Perëndisë. (Ve 13:2-5; 16:9, 10) Ai fliste për Fjalën e Perëndisë me sinqeritet, jo si shitës ambulant. (2Ko 2:17) Megjithëse i shkolluar, nuk u përpoq t’u bënte përshtypje të tjerëve me fjalët e tij (1Ko 2:1-5) dhe as kërkoi t’u pëlqente njerëzve. (Ga 1:10) Nuk këmbëngulte te të drejtat e veta, por u përshtat me njerëzit të cilëve u predikonte dhe tregoi kujdes të mos bëhej pengesë për ta.—1Ko 9:19-26; 2Ko 6:3.
Gjatë gjithë shërbimit të tij, Pavli nuk u kursye për asgjë, përshkoi mijëra kilometra det e tokë dhe formoi shumë kongregacione në Evropë e Azi të Vogël. Kështu, ai nuk kishte nevojë për letra rekomandimi të shkruara me bojë, pasi mund të paraqiste letra të gjalla, njerëz që ishin bërë besimtarë falë përpjekjeve të tij. (2Ko 3:1-3) Megjithatë pranoi me përulësi se ishte thjesht një skllav (Fi 1:1) që e kishte për detyrë të shpallte lajmin e mirë. (1Ko 9:16) Ai nuk ia dha meritat vetes, por ia dha gjithë nderimin Perëndisë, Atij që rrit (1Ko 3:5-9) dhe që e kishte kualifikuar për këtë shërbim. (2Ko 3:5, 6) Apostulli e çmonte mjaft shërbimin, i jepte lavdi dhe e pranonte se ky privilegj ishte shprehje e mëshirës së Perëndisë dhe e Birit të tij. (Ro 11:13; 2Ko 4:1; 1Ti 1:12, 13) Timoteut i shkroi: «Arsyeja përse m’u tregua mëshirë ishte që nëpërmjet meje, si rasti më i njohur, Krishti Jezu të tregonte gjithë shpirtgjerësinë e vet, si një model për ata që do ta mbështetin tek ai besimin e tyre për jetën e përhershme.»—1Ti 1:16.
Meqenëse dikur i kishte përndjekur të krishterët, Pavli mendonte se nuk ishte i denjë të quhej apostull dhe pranoi se ishte i tillë vetëm falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. Që kjo dashamirësi e pamerituar të mos i ishte shfaqur më kot, Pavli u mundua më shumë se apostujt e tjerë. Megjithatë, ai e kuptoi se mund ta kryente këtë shërbim vetëm falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. (1Ko 15:9, 10) Ai tha: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.» (Fi 4:13) Hoqi shumë, por nuk u ankua. Duke krahasuar përvojat e tij me ato të të tjerëve, ai shkroi (rr. 55 të e.s.): «Në mundime më tepër, në burgje më tepër, në goditje jashtë mase, shpesh në prag të vdekjes. Nga judenjtë mora pesë herë nga dyzet të goditura pa një, tri herë më rrahën me thupër, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m’u shkallmua anija në det, kam kaluar një natë e një ditë në ujëra të thella, shpesh në udhë, në rreziqe nga lumenjtë, në rreziqe nga kusarët e rrugëve, në rreziqe nga vetë raca ime, në rreziqe nga kombet, në rreziqe në qytet, në rreziqe në shkretëtirë, në rreziqe në det, në rreziqe mes vëllezërve të rremë, në lodhje e në mundim, shpesh në net pa gjumë, në uri e në etje, shumë herë pa ngrënë, në të ftohtë e i zhveshur. Veç këtyre gjërave të jashtme, ditë për ditë më pushton edhe ankthi për të gjitha kongregacionet.» (2Ko 11:23-28; 6:4-10; 7:5) Përveç gjithë këtyre dhe shumë të tjerave në vitet që pasuan, Pavli luftoi edhe me «një gjemb në mish» (2Ko 12:7), ndoshta një sëmundje sysh ose diçka tjetër.—Krahaso Ve 23:1-5; Ga 4:15; 6:11.
Si i papërsosur, Pavli kishte një konflikt të vazhdueshëm mes mendjes dhe mishit mëkatar. (Ro 7:21-24) Por nuk u dorëzua. Ai tha: «E rrah me grushte trupin tim dhe e drejtoj si një skllav, që, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të mos bëhem vetë në njëfarë mënyre i pamiratuar.» (1Ko 9:27) Ai mbante gjithmonë para syve çmimin e lavdishëm të jetës së pavdekshme në qiell. Për të, të gjitha vuajtjet nuk ishin asgjë në krahasim me lavdinë që do të merrte si shpërblim për besnikërinë e tij. (Ro 8:18; Fi 3:6-14) Ndaj, pak kohë para se të vdiste, me të drejtë tha: «Luftën e shkëlqyer e bëra, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta. Që tani e tutje, për mua ruhet kurora e drejtësisë.»—2Ti 4:7, 8.
Si apostull i frymëzuar, Pavli kishte autoritet të jepte urdhra dhe ashtu bëri. (1Ko 14:37; 16:1; Kl 4:10; 1Se 4:2, 11; krahaso 1Ti 4:11) Megjithatë, ai parapëlqente t’u bënte thirrje vëllezërve në bazë të dashurisë, duke iu përgjëruar nëpërmjet «dhembshurisë së Perëndisë» e «butësisë dhe mirëdashjes së Krishtit». (Ro 12:1; 2Ko 6:11-13; 8:8; 10:1; Fl 8, 9) Ai sillej me ëmbëlsi dhe tregonte përzemërsi të butë, duke këshilluar e ngushëlluar si një atë. (1Se 2:7, 8, 11, 12) Ndonëse kishte të drejtë të merrte ndihmë materiale nga vëllezërit, ai zgjodhi të punonte me duart e veta që të mos i bëhej barrë askujt. (Ve 20:33-35; 1Ko 9:18; 1Se 2:6, 9) Ja pse mes Pavlit dhe atyre të cilëve u shërbente ekzistonte një lidhje vëllazërore e ngushtë dhe e përzemërt. Mbikëqyrësit e kongregacionit të Efesit u hidhëruan shumë dhe derdhën lot kur morën vesh se mund të ishte hera e fundit që e shihnin. (Ve 20:37, 38) Pavli merakosej shumë për mirëqenien frymore të të bashkëkrishterëve dhe bënte çmos për t’i ndihmuar që ta kishin të sigurt thirrjen e tyre qiellore. (Ro 1:11; 15:15, 16; Kl 2:1, 2) I kujtonte vazhdimisht në lutjet e tij (Ro 1:8, 9; 2Ko 13:7; Ef 3:14-19; Fi 1:3-5, 9-11; Kl 1:3, 9-12; 1Se 1:2, 3; 2Se 1:3) dhe kërkoi që edhe ata të luteshin për të. (Ro 15:30-32; 2Ko 1:11) Ai mori zemër nga besimi i vëllezërve të tij të krishterë. (Ro 1:12) Nga ana tjetër, Pavli i përmbahej me vendosmëri asaj që ishte e drejtë, duke mos ngurruar të qortonte qoftë edhe një apostull kur ishte e nevojshme për përparimin e lajmit të mirë.—1Ko 5:1-13; Ga 2:11-14.
A ishte Pavli një nga 12 apostujt?
Megjithëse ishte thellësisht i bindur se konsiderohej si apostull dhe kishte prova që e vërtetonin këtë, Pavli nuk e përfshiu veten asnjëherë mes «të dymbëdhjetëve». Para festës së Ditës së Pesëdhjetë, duke u bazuar në Shkrime, Pjetri e nxiti asamblenë e krishterë të kërkonte një zëvendësim për Judë Iskariotin jobesnik. U përzgjodhën dy dishepuj, ndoshta me votën e burrave të asamblesë (Pjetri iu drejtua ‘burrave, vëllezërve’; Ve 1:16). Më pas, ata iu lutën Perëndisë Jehova (krahaso Ve 1:24 me 1Sa 16:7; Ve 15:7, 8) që Ai të caktonte cilin nga të dy kishte zgjedhur në vend të apostullit jobesnik. Pas lutjes hodhën short dhe «shorti i ra Matias».—Ve 1:15-26; krahaso Pr 16:33.
Nuk ka arsye për të menduar se Matia nuk u zgjodh nga Perëndia. Është e vërtetë që, kur u bë i krishterë, Pavli spikati goxha dhe u mundua më shumë se të gjithë apostujt e tjerë. (1Ko 15:9, 10) Megjithatë, asgjë nuk tregon se Pavli ishte paracaktuar për të qenë apostull. Ideja se Perëndia nuk iu përgjigj lutjes së asamblesë dhe e mbajti të lirë vendin e Judës derisa Pavli të bëhej i krishterë, duke e bërë kështu emërimin e Matias një vendim arbitrar të asamblesë, është e gabuar. Madje, ka arsye të forta për të menduar se Matia u zgjodh nga vetë Perëndia për këtë zëvendësim.
Në festën e Ditës së Pesëdhjetë, pas derdhjes së frymës së shenjtë, apostujt morën fuqi unike. Tregohet se ata ishin të vetmit që mund të vinin duart mbi të sapopagëzuarit dhe t’u jepnin dhuratat e mrekullueshme të frymës. (Shih APOSTULL [Fuqi mrekullibërëse].) Nëse Matia nuk ishte zgjedhur nga Perëndia, nuk do ta kishte pasur këtë fuqi, dhe kjo do të dukej para të gjithëve. Bibla tregon të kundërtën. Luka, shkrimtari i Veprave, ishte shok udhëtimi dhe bashkëpunëtor i Pavlit në disa misione, prandaj libri i Veprave pasqyron dhe përputhet pa asnjë fije dyshimi me vetë pikëpamjen e Pavlit për këtë çështje. Libri thotë se «dymbëdhjetë apostujt» emëruan shtatë burra që të merreshin me problemin e shpërndarjes së ushqimit. Kjo ndodhi pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., por para se Pavli të bëhej i krishterë. Kështu, këtu Matia pranohet si një nga «dymbëdhjetë apostujt» dhe, bashkë me apostujt e tjerë, vuri duart mbi shtatë burrat e caktuar.—Ve 6:1-6.
Atëherë, emri i kujt shfaqet mes emrave të ‘dymbëdhjetë gurëve të themelit’ të Jerusalemit të Ri në vegimin e Gjonit? I Matias apo i Pavlit? (Zb 21:2, 14) Duke u nisur nga një linjë arsyetimi duket se ka më shumë të ngjarë të ketë qenë emri i Pavlit. Me shërbimin e tij ai i dha goxha ndihmesë kongregacionit të krishterë, sidomos duke shkruar një pjesë të madhe të Shkrimeve të Krishtere Greke (atij i atribuohen 14 letra). Në këto aspekte, Pavli e «la në hije» Matian, i cili nuk përmendet më drejtpërdrejt pas kapitullit të 1-rë të Veprave.
Megjithatë, nuk duhet shumë për të kuptuar se Pavli «la në hije» edhe shumë nga 12 apostujt e parë, disa prej të cilëve përmenden rrallë përveçse kur renditen emrat e tyre. Në kohën kur Pavli përqafoi krishterimin, kongregacioni i krishterë, Izraeli frymor, tashmë ishte formuar dhe po rritej që prej më shumë se një viti. Veç kësaj, Pavli e shkroi letrën e parë kanonike rreth vitit 50 të e.s. (shih LETRAT DREJTUAR SELANIKASVE) ose gati 17 vjet pas themelimit të kombit të ri të Izraelit frymor në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Këto fakte dhe argumentet e paraqitura më lart në këtë artikull e sqarojnë çështjen. Pra, duket e arsyeshme se zgjedhja e Perëndisë në fillim, domethënë Matia, për të zëvendësuar Judën mes «dymbëdhjetë apostujve të Qengjit», mbeti e pandryshuar dhe nuk u ndikua nga emërimi i mëvonshëm i Pavlit si apostull.
Atëherë, për ç’qëllim u emërua Pavli apostull? Vetë Jezui tha se ishte për një qëllim të veçantë—jo për të zëvendësuar Judën—por që Pavli të shërbente si ‘apostull për kombet’. (Ve 9:4-6, 15) Pavli e pranoi se u emërua apostull për këtë qëllim. (Ga 1:15, 16; 2:7, 8; Ro 1:5; 1Ti 2:7) Kështu, emërimi i tij nuk nevojitej si themel kur u formua Izraeli frymor në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.