Si ta veshim e ta mbajmë veshur personalitetin e ri
«Vishni personalitetin e ri.»—KOLOS. 3:10.
1, 2. (a) Pse është brenda mundësive tona të veshim personalitetin e ri? (b) Cilat aspekte të personalitetit të ri përmenden te Kolosianëve 3:10-14?
‘PERSONALITETI i ri’. Kjo shprehje del dy herë në Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. (Efes. 4:24; Kolos. 3:10) Ajo nënkupton një personalitet ‘të krijuar sipas vullnetit të Perëndisë’. Të zhvillojmë këtë personalitet të ri është brenda mundësive tona. Pse? Sepse Jehovai i krijoi njerëzit sipas shëmbëlltyrës së tij, prandaj ne jemi në gjendje të pasqyrojmë cilësitë e tij të bukura.—Zan. 1:26, 27; Efes. 5:1.
2 Vërtet, për shkak të papërsosmërisë që kemi trashëguar nga prindërit tanë të parë, ndikohemi nga dëshirat e gabuara. Veç kësaj, te ne mund të ketë ndikuar thellë ambienti ku jetojmë. Megjithatë, falë ndihmës plot mëshirë të Jehovait, mund t’ia dalim të bëhemi ai lloj njeriu që dëshiron Jehovai. Që të forcojmë dëshirën për të arritur këtë synim, do të shqyrtojmë disa aspekte të personalitetit të ri për të cilat shkroi nën frymëzim apostulli Pavël. (Lexo Kolosianëve 3:10-14.) Do të shohim edhe si mund t’i shfaqim këto cilësi të personalitetit të ri në shërbim.
«JU JENI TË GJITHË NJË»
3. Cila është një karakteristikë e personalitetit të ri?
3 Pasi na bën thirrje të veshim personalitetin e ri, Pavli flet për paanshmërinë si një karakteristikë e spikatur e personalitetit të ri. Ai thotë: «Nuk ka as grek, as jude, as rrethprerje, as parrethprerje, as të huaj, as skithas, as skllav e as të lirë.»a Pse në kongregacion s’duhet të ketë dallime për shkak të racës, kombësisë ose pozitës shoqërore? Sepse dishepujt e vërtetë të Krishtit ‘janë të gjithë një’.—Kolos. 3:11; Gal. 3:28.
4. (a) Si duhet t’i trajtojnë shërbëtorët e Jehovait të tjerët? (b) Cila situatë mund të krijojë vështirësi për unitetin e krishterë?
4 Ata që kanë veshur personalitetin e ri i trajtojnë me dinjitet bashkëbesimtarët dhe të tjerët, pavarësisht nga pozita shoqërore a raca. (Rom. 2:11) Kjo mund të jetë e vështirë në disa pjesë të botës. Për shembull, në Afrikën e Jugut shumica e Dëshmitarëve jetojnë ende në zona që ishin veçuar për racën e tyre—qofshin lagje për të bardhët, komunitete zezakësh ose zona ku duhej të jetonin dikur njerëzit me racë të përzier. Prandaj, për t’i inkurajuar vëllezërit ‘të zgjeroheshin’, Trupi Udhëheqës miratoi në tetor të 2013-s një organizim të veçantë për t’i ndihmuar të njiheshin më mirë me njëri-tjetrin. (2 Kor. 6:13) Çfarë përfshinte ky organizim?
5, 6. (a) Çfarë masash u morën për të forcuar unitetin mes popullit të Perëndisë në një vend? (Shih figurën hapëse.) (b) Cilat kanë qenë rezultatet?
5 U morën masa që dy kongregacione të gjuhëve ose racave të ndryshme të ishin bashkë gjatë disa fundjavëve. Vëllezër e motra nga të dyja kongregacionet dilnin me njëri-tjetrin në predikim, ndiqnin mbledhjet bashkë dhe gëzonin mikpritjen në shtëpitë e njëri-tjetrit. U përfshinë qindra kongregacione, dhe zyra e degës mori mjaft raporte të mira për këtë organizim, madje edhe nga ata që s’ishin Dëshmitarë. Për shembull, një shërbëtor fetar bëri këtë koment nga zemra: «Nuk jam Dëshmitar, por duhet të them se të lë pa fjalë organizimi i veprës suaj të predikimit dhe keni unitet mes racave.» Si ndikoi te Dëshmitarët ky organizim?
6 Në fillim, Noma, një motër që flet gjuhën xhose, ngurronte të ftonte në shtëpinë e saj të thjeshtë vëllezër të bardhë nga një kongregacion i gjuhës angleze. Por pasi doli në shërbim me Dëshmitarë të bardhë dhe gëzoi mikpritjen në shtëpitë e tyre, tha me entuziazëm: «Qenkan njerëz normalë tamam si ne!» Prandaj, kur e kishte radhën kongregacioni i gjuhës xhose për të mikpritur kongregacionin e gjuhës angleze, ajo përgatiti një vakt dhe ftoi disa mysafirë. Mes tyre ishte një plak kongregacioni i bardhë. Noma tha: «Më bëri përshtypje që u tregua i gatshëm të ulej afër dyshemesë në një arkë plastike.» Falë këtij organizimi që vazhdon edhe sot, shumë vëllezër e motra zunë miq të rinj dhe janë të vendosur të vazhdojnë të zgjerohen në shoqëri.
‘DHEMBSHURI E BUTË, MIRËDASHJE’
7. Pse ekziston një nevojë e vazhdueshme për të treguar dhembshuri?
7 Derisa të marrë fund bota e Satanait, do të vazhdojmë të kemi sprova. Përballemi me papunësi, sëmundje të rënda, përndjekje, katastrofa natyrore, humbje të gjërave që zotërojmë për shkak të krimeve ose vështirësi të tjera. Që të mbështetim njëri-tjetrin mes vuajtjeve e halleve, duhet të kemi dhembshuri nga zemra. Nëse ndiejmë dhembshuri të butë, kjo do të na shtyjë të veprojmë me mirëdashje. (Efes. 4:32) Këto aspekte të personalitetit të ri do të na ndihmojnë të imitojmë Perëndinë dhe të jemi burim ngushëllimi për të tjerët.—2 Kor. 1:3, 4.
8. Çfarë rezultatesh të mira mund të vijnë kur u tregojmë dhembshuri e mirëdashje të gjithëve në kongregacion? Jepni një shembull.
8 Si mund të tregojmë edhe më shumë konsideratë ndaj të huajve ose atyre që kanë rrethana të pafavorshme në kongregacionin tonë? Duhet të miqësohemi me ta dhe t’i ndihmojmë të kuptojnë se janë pjesë e çmuar e kongregacionit. (1 Kor. 12:22, 25) Të marrim rastin e Danikarlit që u transferua nga Filipinet në Japoni. Në vendin e punës, atë nuk e trajtonin aq mirë sa punonjësit vendës. Më vonë, ai ndoqi një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Danikarli thotë: «Thuajse të gjithë të pranishmit ishin japonezë, e megjithatë më mirëpritën ngrohtësisht sikur t’i njihja prej vitesh.» Ai vazhdoi të shijonte mirëdashjen e të tjerëve, dhe kjo e ndihmoi të përparonte në të vërtetën. U pagëzua dhe sot shërben si plak. Pleqtë e tjerë e shohin Danikarlin dhe gruan e tij, Xheniferin, si një bekim për kongregacionin dhe thonë: «Ata bëjnë një jetë tepër të thjeshtë si pionierë dhe janë një shembull i shkëlqyer se si të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë.»—Luka 12:31.
9, 10. Tregoni me shembuj çfarë shpërblimesh vijnë kur shfaqim dhembshuri në shërbim.
9 Ndërsa u japim të tjerëve mesazhin për Mbretërinë, kemi një mundësi të shkëlqyer të bëjmë «atë që është e mirë ndaj të gjithëve». (Gal. 6:10) Nga dhembshuria për emigrantët, shumë Dëshmitarë bëjnë goxha përpjekje për të mësuar një gjuhë të huaj. (1 Kor. 9:23) Kjo ka sjellë bekime të pasura. Për shembull, një pioniere në Australi që quhet Tifani mësoi gjuhën suahili, për të ndihmuar një kongregacion të asaj gjuhe në qytetin e Brisbeinit. Ndonëse e pati shumë të vështirë ta mësonte gjuhën suahili, jeta e Tifanisë është pasuruar. Ajo thotë: «Nëse do që shërbimi yt të jetë emocionues, atëherë shërbimi në një kongregacion të gjuhës së huaj është fiks për ty. Është si të udhëtosh pa u larguar nga qyteti yt. Shijon vëllazërinë tonë mbarëbotërore dhe sheh me sytë e tu çfarë uniteti të mrekullueshëm kemi.»
10 Të mendojmë edhe për shembullin e një familjeje në Japoni. Vajza, Sakikoja, tregon: «Në vitet 90, takonim shpesh në shërbim emigrantë brazilianë. Kur u lexonim nga Bibla e tyre në portugalisht vargje si Zbulesa 21:3, 4 ose Psalmi 37:10, 11, 29, dëgjonin tërë sy e veshë, e madje ndonjëherë u mbusheshin sytë me lot.» Por dhembshuria e kësaj familjeje nuk u ndal këtu. Sakikoja thotë: «Kur pamë etjen e tyre për njohuri biblike, nisëm të mësonim gjuhën portugeze si familje.» Më vonë, familja ndihmoi që të formohej një kongregacion i gjuhës portugeze. Gjatë viteve, ata kanë ndihmuar shumë emigrantë të bëhen shërbëtorë të Jehovait. Sakikoja shton: «Na u desh shumë punë që të mësonim portugalisht, ama bekimet ia kalojnë ku e ku përpjekjeve tona. Sa mirënjohës i jemi Jehovait!»—Lexo Veprat 10:34, 35.
«VISHUNI ME . . . PËRULËSI»
11, 12. (a) Pse është kaq e rëndësishme të kemi motivin e duhur për të veshur personalitetin e ri? (b) Çfarë do të na ndihmojë të mbetemi të përulur?
11 Motivi pse veshim personalitetin e ri duhet të jetë që të nderojmë Jehovain, jo që të fitojmë lavdërime nga njerëzit. Të mos harrojmë se edhe një krijesë frymore dikur e përsosur mëkatoi ngaqë lejoi të mbushej me krenari. (Krahaso Ezekielin 28:17.) Sa më tepër e kanë të vështirë njerëzit mëkatarë që të shmangin krenarinë e pavend dhe fodullëkun! Gjithsesi, është e mundur të vishemi me përulësi. Çfarë do të na ndihmojë për këtë?
12 Që të mbetemi të përulur, duhet të lëmë kohë për të medituar çdo ditë rreth asaj që lexojmë në Fjalën e Perëndisë. (Ligj. 17:18-20) Në veçanti, bëjmë mirë të bluajmë në mend mësimet e Jezuit dhe shembullin fantastik që la duke shërbyer me përulësi. (Mat. 20:28) Jezui madje u lau këmbët apostujve të tij. (Gjoni 13:12-17) Veç kësaj, duhet të lutemi shpesh për frymën e Perëndisë, që të na ndihmojë të luftojmë çdo prirje për t’u ndier sikur qëndrojmë më lart se të tjerët.—Gal. 6:3, 4; Filip. 2:3.
13. Çfarë shpërblimesh korrim kur jemi të përulur?
13 Lexo Proverbat 22:4. Përulësia kërkohet nga të gjithë adhuruesit e vërtetë dhe sjell shpërblime të mëdha. Po të jemi të përulur, kjo do të na ndihmojë të nxitim paqen dhe unitetin në kongregacion. Gjithashtu, ndërsa kultivojmë dhe thellojmë përulësinë do të gëzojmë dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë. Apostulli Pjetër tha: «Ngjishuni të gjithë me përulësi mendjeje ndaj njëri-tjetrit, sepse Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.»—1 Pjet. 5:5.
«VISHUNI ME . . . BUTËSI DHE SHPIRTGJERËSIb»
14. Kush është shembulli më i shkëlqyer i butësisë dhe i durimit?
14 Në botën e sotme, njerëzit e butë dhe të duruar shpesh shihen si të dobët. Sa larg së vërtetës është një arsyetim i tillë! Këto cilësi të bukura e kanë burimin te Personi më i fuqishëm në univers. Perëndia Jehova është shembulli më i shkëlqyer i butësisë dhe i durimit. (2 Pjet. 3:9) Vetëm të mendojmë si iu përgjigj ai nëpërmjet përfaqësuesve engjëllorë pyetjeve e kërkesave që i bënë Abrahami dhe Loti. (Zan. 18:22-33; 19:18-21) Gjithashtu, për më shumë se 1.500 vjet, Jehovai tregoi durim me kombin rebel të Izraelit.—Ezek. 33:11.
15. Çfarë shembulli të jashtëzakonshëm butësie dhe durimi la Jezui?
15 Jezui kishte «natyrë të butë». (Mat. 11:29) Ai tregoi durim të madh përballë dobësive të dishepujve të tij. Gjatë gjithë shërbimit të tij në tokë, Jezui duroi kritikat e padrejta të kundërshtarëve fetarë. Prapëseprapë, ishte i butë dhe i duruar deri në momentin kur e ekzekutuan padrejtësisht. Ndërsa vuante nga dhembje të tmerrshme në shtyllën e torturës, Jezui iu lut Atit të tij t’i falte ata që po e ekzekutonin sepse, siç tha ai, ‘nuk dinin ç’po bënin’. (Luka 23:34) Çfarë shembulli i jashtëzakonshëm butësie dhe durimi në rrethana të dhimbshme e stresuese!—Lexo 1 Pjetrit 2:21-23.
16. Në ç’mënyrë praktike mund të tregojmë butësi dhe durim?
16 Po ne si mund të tregojmë butësi dhe durim? Pavli përmendi një mënyrë kur u shkroi bashkëbesimtarëve: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.» (Kolos. 3:13) Vërtet, na duhet butësi dhe durim që t’i bindemi këtij urdhri. Por duke qenë të gatshëm të falim, nxitim dhe ruajmë unitetin në kongregacion.
17. Pse janë të rëndësishme butësia dhe durimi?
17 Për një shërbëtor të Perëndisë nuk është çështje zgjedhjeje nëse do të vishet apo jo me butësi dhe durim. Kjo është një kërkesë thelbësore për shpëtimin tonë. (Mat. 5:5; Jak. 1:21) Ç’është më e rëndësishmja, nëpërmjet këtyre cilësive nderojmë Jehovain dhe i ndihmojmë të tjerët t’u vënë veshin këshillave të Biblës.—Gal. 6:1; 2 Tim. 2:24, 25.
«VISHUNI ME DASHURI»
18. Ç’lidhje ka mes dashurisë dhe paanshmërisë?
18 Të gjitha cilësitë që shqyrtuam deri tani lidhen ngushtë me dashurinë. Për shembull, dishepullit Jakov iu desh t’i këshillonte vëllezërit e tij se mbanin me hatër të pasurit karshi të varfërve. Ai tregoi se një sjellje e tillë shkelte ligjin mbretëror: «Duaje të afërmin si veten.» Pastaj shtoi: «Nëse vazhdoni të mbani me hatër, po bëni mëkat.» (Jak. 2:8, 9) Në kontrast me këtë, dashuria do të na shtyjë të shmangim çdo lloj diskriminimi për shkak të arsimimit, racës ose pozitës shoqërore. E pra, paanshmëria nuk duhet të jetë thjesht një lustër e jashtme. Duhet të jetë vërtet pjesë e personalitetit tonë.
19. Pse është e rëndësishme të vishemi me dashuri?
19 Dashuria është edhe «shpirtgjerë dhe mirëdashëse» e «nuk krekoset». (1 Kor. 13:4) Duhet vërtet durim, mirëdashje dhe përulësi që të vazhdojmë t’u japim të tjerëve mesazhin për Mbretërinë. (Mat. 28:19) Të njëjtat cilësi na e bëjnë më të lehtë të shkojmë mirë me të gjithë vëllezërit dhe motrat në kongregacion. Çfarë shpërblimi vjen kur shfaqim një dashuri të tillë? Krijohen kongregacione të bashkuara në unitet që janë një dëshmi e bukur për Jehovain dhe që tërheqin të interesuar. Është me vend që përshkrimi i Biblës për personalitetin e ri mbyllet me këtë të vërtetë të fuqishme: «Përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.»—Kolos. 3:14.
‘VAZHDONI TË RINOHENI’
20. (a) Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes, dhe pse? (b) Cilën kohë presim me zjarr?
20 Secili prej nesh duhet të pyesë veten: «Ç’mund të bëj tjetër që të zhvesh personalitetin e vjetër dhe ta mbaj zhveshur?» Duhet të lutemi me zjarr për ndihmën e Perëndisë dhe të përpiqemi me të gjitha forcat të mposhtim çdo qëndrim ose praktikë që do të na pengojë të trashëgojmë Mbretërinë e Perëndisë. (Gal. 5:19-21) Duhet edhe të pyesim veten: «A po vazhdoj të rinohem në forcën që vë në veprim mendjen time?» (Efes. 4:23, 24) Të veshim personalitetin e ri dhe ta mbajmë veshur është një proces i vazhdueshëm për të gjithë ne, derisa të arrijmë ta veshim plotësisht atë. Imagjino sa e mrekullueshme do të jetë jeta kur të gjithë përreth nesh të kenë veshur në mënyrë të përsosur personalitetin e ri!