«Thërritni pleqtë»
«A ka ndonjë të sëmurë midis jush? Le të thërrasë pleqtë e kongregacionit pranë vetes.»—JAKOVIT 5:14, NW.
1, 2. (a) Në çfarë situate të rrezikshme ndodhen sot shërbëtorët e Jehovait dhe si mund të ndihen? (b) Cilave pyetje do t’u jepet përgjigje?
«KOHËT tona janë të vështira». Njerëzit janë egoistë, materialistë, krenarë dhe shpesh shkaktojnë probleme në këto «ditë të fundit». (2. Timoteut 3:1-5) Duke jetuar si të krishterë në sitemin aktual të lig të gjërave, jemi të ekspozuar para tre rreziqeve të mëdha: Satana Djallit, botës së pashpirt dhe prirjeve mëkatare të trashëguara.—Romakëve 5:12; 1. Pjetrit 5:8; 1. Gjonit 5:19.
2 Të kërcënuar nga këto rreziqe, ndonjëherë mund të ndihemi të mundur. Ku mund të gjejmë një mbështetje për të qëndruar besnikërisht? Kujt mund t’i drejtohemi për të pasur udhëheqje kur duhet të marrim vendime në lidhje me veprimtaritë tona të krishtere dhe me adhurimin që bëjmë?
Ndihma është në dispozicion
3. Kush mund të na ngushëllojë e sigurojë dhe në ç’mënyrë?
3 Të dish që Jehovai është Burimi i forcës sonë, është një ngushëllim dhe të jep siguri. (2. Korintasve 1:3, 4; Filipianëve 4:13) Psalmisti David, i cili mori ndihmë prej Perëndisë, deklaroi: «Rrokullise mbi Jehovain rrugën tënde dhe beso në të dhe ai vetë do të veprojë.» «Hidhe mbi vetë Jehovain barrën tënde dhe ai vetë do të të mbështesë. Kurrë nuk do të lejojë që i drejti të lëkundet.» (Psalmet 37:5; 55:22) Sa mirënjohës duhet t’i jesh për këtë mbështetje!
4. Çfarë fjalësh ngushëlluese u shkruan nga Pjetri dhe Pavli?
4 Mund të ngushëllohemi edhe nga dijenia se nuk jemi të vetmit që përballojmë prova dhe rreziqe. Apostulli Pjetër i nxiti bashkë të krishterët e tij: «Merrni qëndrimin tuaj kundër [Satana Djallit], të fortë në besim, duke ditur se në lidhje me vuajtjet bëhen të njëjtat gjëra në tërë shoqërinë e vëllezërve tuaj që janë në botë.» (1. Pjetrit 5:9, NW) Sigurisht, të gjithë të krishterët dëshirojnë të qëndrojnë të fortë në besim. Është e vërtetë se shpesh mund të ndihemi «të shtypur nga çdo anë», si apostulli Pavël. Megjithatë, ai nuk ishte aq «ngushtë sa të mos lëvizte». Ashtu si ai, mund të jemi të ngatërruar, «por jo absolutisht pa rrugëdalje». Edhe nëse jemi të persekutuar, «nuk jemi të braktisur». Megjithëse «jemi të dërrmuar», nuk jemi «të shkatërruar». Si pasojë «nuk dështojmë». Përpiqemi «ta kthejmë vështrimin jo nga gjërat që shihen, por nga gjërat që nuk shihen». (2. Korintasve 4:8, 9, 16, 18, NW) Si mund ta bëjmë?
5. Çfarë ndihme të trefishtë siguron Jehovai?
5 Jehovai, «Dëgjuesi i lutjes», siguron një ndihmë të trefishtë. (Psalmi 65:2; 1. Gjonit 5:14) E para, na siguron një udhëheqje me anë të Fjalës së tij të frymëzuar, Biblës. (Psalmi 119:105; 2. Timoteut 3:16) E dyta, fryma e tij e shenjtë na jep forcë për të kryer vullnetin e tij. (Krahaso Veprat 4:29-31.) E treta, organizata tokësore e Jehovait është e gatshme për të na ndihmuar. Çfarë duhet të bëjmë për të marrë ndihmë?
«Dhurata në njerëz»
6. Çfarë ndihme siguroi Jehovai në Taberë dhe si?
6 Një episod i verifikuar në ditët e profetit Moisi të ndihmon të kuptosh se si interesohet Jehovai dashamirësisht për t’u siguruar ndihmë shërbëtorëve të Tij. Episodi ngjau në Taberë, që do të thotë «djegie; ndezje; flakërim». Në këtë lokalitet të shkretëtirës së Sinait, Perëndia përhapi një zjarr kundër izraelitëve që ankoheshin. «Turma e përzier», që kishte dalë nga Egjipti bashkë me izraelitët, ishte bashkuar me ta për të shprehur pakënaqësi për ushqimin e siguruar prej Perëndisë. Moisiu, duke vënë re zemërimin e Perëndisë dhe duke u ndier i shtypur nga pesha e përgjegjësisë për t’u kujdesur për popullin dhe nevojat e tyre, u lut: «Nuk mundem, vetëm, të mbaj tërë këtë popull, sepse është tepër e rëndë për mua. Nëse vepron kështu, të lutem, më vrit fare, nëse kam gjetur favor në sytë e tu dhe mos bëj të shoh gjëmën time.» (Numrat 11:1-15) Çfarë bëri Jehovai? Emëroi «shtatëdhjetë burra nga pleqtë e Izraelit» dhe vuri mbi ta frymën e tij, me qëllim që në mënyrë të përshtatshme të ndihmonin Moisiun për të kryer punën administrative. (Numrat 11:16, 17, 24, 25) Në saje të këtyre burrave të kualifikuar, izraelitët dhe «shoqëria e shumtë e përzier» mund të merrnin një ndihmë më të shpejtë.—Të Dalët 12:38.
7, 8. (a) Në ç’mënyrë në Izraelin e vjetër Jehovai siguroi «dhurata në formë njerëzish»? (b) Çfarë aplikimi i bëri Pavli, në shekullin I, Psalmit 68:18?
7 Izraelitët ishin tashmë prej shumë kohësh në Tokën e Premtuar, kur Jehovai në mënyrë figurative u ngjit mbi malin Sion dhe e bëri Jeruzalemin kryeqytetin e një mbretërie tipike, me Davidin si mbret. Duke lavdëruar Perëndinë, «Të Gjithëpushtetshmin», Davidi ngriti zërin duke kënduar: «Je ngjitur në lartësi; ke marrë me vete të burgosur; ke marrë dhurata në formë njerëzish.» (Psalmi 68:14, 18) Burra të burgosur gjatë pushtimit të Tokës së Premtuar efektivisht u vunë në dispozicion për të ndihmuar levitët në kryerjen e detyrave të tyre.—Ezdra 8:20.
8 Në shekullin I të e.s. apostulli i krishterë Pavli tërhoqi vëmendjen mbi një plotësim profetik të fjalëve të psalmistit. Pavli shkroi: «Secilit prej nesh i qe dhënë dashamirësi e pamerituar sipas matjes që Krishti i bëri dhuratës falas. Prandaj ai tha: ‘Kur u ngjit lart mori me vete të burgosur; dha dhurata në njerëz’. Tani shprehja ‘u ngjit’, çfarë nënkupton tjetër veçse që ai gjithashtu zbriti në rajonet më të ulëta, domethënë në tokë? Ai që zbriti është po ai që u ngjit shumë më lart se të gjithë qiejt, për të plotësuar të gjitha gjërat.» (Efesianëve 4:7-10, NW) Kush është «ai»? Është vetë përfaqësuesi i Jehovait, Davidi më i madh, Mbreti mesianik Jezu Krishti. Qe ai që Perëndia e ringjalli dhe e ngriti në «një pozitë shumë të lartë».—Filipianëve 2:5-11.
9. (a) Cilët ishin dhuratat në njerëz në shekullin I? (b) Cilët janë sot dhuratat në njerëz?
9 Cilat janë atëherë këto «dhurata në njerëz» (ose «të përbëra nga njerëz»)? Pavli shpjegon se Përfaqësuesi kryesor i Perëndisë «dha disa si apostuj, disa si profetë, disa si ungjilltarë, disa si barinj dhe mësues, në dukje të vendosjes së të shenjtëve, për veprën e shërbimit, për ndërtimin e trupit të Krishtit.» (Efesianëve 4:11, 12 NW) Të gjithë ithtarët e Krishtit që shërbenin si apostuj, profetë, ungjilltarë, barinj dhe mësues, vepronin nën udhëheqjen teokratike. (Luka 6:12-16; Veprat 8:12; 11:27, 28; 15:22; 1. Pjetrit 5:1-3) Në ditët tona, pleq të kualifikuar frymësisht, të emëruar nga fryma e shenjtë shërbejnë si mbikëqyrës në rreth 70.000 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë botën. Janë dhuratat tona në njerëz. (Veprat 20:28) Ndërsa predikimi i Mbretërisë vazhdon të përhapet në të gjithë botën, gjithnjë e më shumë vëllezër «synojnë detyrën e mbikëqyrësit» dhe marrin përgjegjësitë që ajo sjell. (1. Timoteut 3:1) Pas emërimit edhe ata bëhen dhurata në njerëz.
10. Si përputhet përshkrimi që i bën Isaia «princërve» me rolin e pleqve të krishterë sot?
10 Këta pleq të krishterë, ose dhurata në njerëz, përputhen me përshkrimin që bën profeti Isaia në parashikimin e rolit të «princërve», administratorëve nën sundimin e Mbretërisë. Secili prej tyre duhet të jetë «si një vend për t’u mbrojtur nga era dhe si një fshehje nga stuhia, si një rrjedhë uji në një vend të ashpër, si hija e një shkurreje të madhe në një tokë të zbrazët.» (Isaia 32:1, 2) Kjo zbulon se sa mbështetje mund të merret nga mbikëqyrja e dashur e këtyre njerëzve të emëruar. Si mund të nxjerrësh dobi më të madhe prej saj?
Merr iniciativën
11. Si mund të marrim ndihmë kur ndihemi të rënë frymësisht?
11 Një person që është duke u mbytur thërret instiktivisht për ndihmë. Nuk ngurron. Kur është në lojë jeta, askush nuk ka nevojë që të nxitet për të kërkuar ndihmë. Vallë, a nuk i kërkoi mbreti David vazhdimisht ndihmë Jehovait? (Psalmi 3:4; 4:1; 5:1-3; 17:1, 6; 34:6, 17-19; 39:12) Kur ndihemi të rënë frymësisht, apo jemi duke u zhytur gjithnjë e më thellë në dëshpërim edhe ne duhet t’i drejtohemi Jehovait në lutje dhe ta lusim që të na udhëheqë me frymën e tij të shenjtë. (Psalmi 55:22; Filipianëve 4:6, 7) Kërkojmë ngushëllim tek Bibla. (Romakëve 15:4) Këshillohemi me botimet e krishtere të Shoqatës (Watch Tower) për të gjetur këshilla praktike. Kjo shpesh na lejon që të zgjidhim problemet tona. Megjithatë, nëse duket se vështirësitë janë më të mëdha se ne, mund të kërkojmë edhe këshilla nga pleqtë e emëruar të kongregacionit. Po, mund të ketë rrethana ku me të vërtetë kemi nevojë për të «thirrur pleqtë». Përse të thërrasim pleqtë e krishterë? Çfarë mund të bëjnë për ata që kanë nevojë për ndihmë frymore?
12-14. (a) Çfarë do të ishte e mençur të bëje kur je i sëmurë? (b) Tek Jakovi 5:14, çfarë këshille u jepet të krishterëve «të sëmurë»? (c) Cilës lloj sëmundjeje i referohet Jakovi 5:14 dhe përse përgjigjesh kështu?
12 Kur sëmuremi, bëjmë pushim për t’i dhënë mundësi organizmit që të marrë veten. Por nëse sëmundja vazhdon, me mençuri kërkojmë ndihmën e një mjeku ekspert. A nuk duhet të bëjmë të njëjtën gjë nëse dobësohemi frymësisht?
13 Vëre se çfarë këshillon dishepulli Jakov në lidhje me këtë. Ai thotë: «A ka ndonjë të sëmurë mes jush? Le të thërrasë pleqtë e kongregacionit pranë vetes dhe të luten mbi të, duke e lyer me vaj në emër të Jehovait.» (Jakovit 5:14, NW) Cilës lloj sëmundjeje i referohet këtu Jakovi? Disa komentues biblikë mendojnë se bëhet fjalë për sëmundje fizike, sepse lyerja me vaj ishte një praktikë e zakonshme mjekësore e epokës. (Luka 10:34) Gjithashtu, besojnë se Jakovi po i referohej një shërimi të mrekullueshëm të bërë me anë të dhuratës së shërimeve. Por çfarë tregon konteksti?
14 «Fryma e mirë» është vënë në kontrast me «vuajtjen nga e keqja». Kjo nënkupton se Jakovi po fliste mbi sëmundjet frymore. (Jakovi 5:13) Duhej të thirreshin «pleqtë e kongregacionit», jo mjekët dhe as ata që kishin dhuratën e mrekullueshme të shërimeve. Dhe çfarë duhet të bënin këta? Jakovi tha: «Le të luten mbi të. . . . Dhe lutja e besimit do t’i bëjë mirë të sëmurit.» (Jakovit 5:14, 15, NW; krahaso Psalmin 119:9-16.) Një provë e qartë që tregon se Jakovi u referohej sëmundjeve frymore është fakti se, në lidhje me shërimet e parathëna, ai inkurajon që të rrëfehen mëkatet. Jakovi shkroi: «Rrëfejani hapur mëkatet tuaja njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni.» Nëse shkaku i sëmundjes frymore është një mëkat i rëndë, mund të presim që personi i sëmurë të marrë veten vetëm nëse e pret në mënyrë të favorshme këshillën e bazuar në Fjalën e Perëndisë, pendohet dhe braktis sjelljen e tij mëkatare.—Jakovit 5:16, NW; Veprat 3:19.
15. Çfarë lloj veprimi na këshillon të kryejmë Jakovi 5:13, 14?
15 Ka diçka tjetër për të vërejtur në këshillën e Jakovit. Kur vuan nga e keqja, i krishteri duhet «të lutet». Nëse është në frymë të mirë, duhet «të këndojë psalme». Që të dyja situatat—qoftë kur dikush vuan nga e keqja, ose kur është në frymë të mirë—kërkojnë një veprim. Në njërin rast duhet lutja, në tjetrin shprehje gëzimi. Pra, çfarë duhet të presim në përgjigje të pyetjes së Jakovit: «A ka ndonjë të sëmurë mes jush?» Përsëri ai këshillon për të kryer një veprim konkret, po, për të marrë iniciativën. «Le të thërrasë pleqtë e kongregacionit pranë vetes.»—Psalmi 50:15; Efesianëve 5:19; Kolosianëve 3:16.
Në ç’mënyrë ndihmojnë «pleqtë»
16, 17. Në ç’mënyrë na ndihmojnë pleqtë për të zbatuar parimet biblike?
16 Ndonjëherë e kemi të vështirë të kuptojmë se si të zbatojmë parimet biblike në situatën tonë të veçantë. Në këtë pleqtë e krishterë mund të provojnë se janë një burim ndihme shumë i çmuar. Për shembull, ata luten mbi personin e sëmurë frymësisht dhe e «lyjnë me vaj në emër të Jehovait», duke zbatuar në mënyrë të efektshme mësimet e Fjalës së Perëndisë. Duke bërë kështu pleqtë kontribuojnë në mënyrë të dukshme në shërimin tënd frymor. (Psalmi 141:5) Shpesh, gjithçka për të cilën kemi nevojë është një vërtetim që po arsyetojmë në mënyrë të drejtë. Duke folur mbi problemin me një plak të krishterë ekspert, do të forcojmë vendosmërinë tonë për të bërë atë që është e drejtë.—Proverbat 27:17.
17 Pleqtë, kur thirren, duhet «t’u flasin në mënyrë ngushëlluese shpirtërave të dëshpëruar». Gjithashtu, duhet «të mbështesin të dobëtit dhe të jenë shpirtmëdhenj ndaj të gjithëve». (1. Selanikasve 5:14, NW) Kjo marrëdhënie intime dhe me mirëkuptim midis «pleqve» dhe atyre që janë «të dobët» e lehtëson shumë kthimin e plotë të shëndetit frymor.
Përgjegjësi personale dhe lutje
18, 19. Çfarë roli kanë pleqtë e krishterë në lidhje me Galatasve 6:2, 5?
18 Pleqtë e krishterë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre në lidhje me kopenë e Perëndisë. Duhet ta mbështesin. Për shembull, Pavli tha: «Vëllezër, edhe nëse një njeri bën një hap të gabuar përpara se ta kuptojë, ju që jeni frymësisht të kualifikuar përpiquni ta ndryshoni këtë njeri me një frymë butësie, duke u kujdesur për vetveten me qëllim që të mos tundohesh edhe ti. Vazhdoni t’i mbani barrën njëri-tjetrit dhe kështu do të mbushni ligjin e Krishtit.» Apostulli shtoi: «Gjithsecili do të mbajë ngarkesën e vet.»—Galatasve 6:1, 2, 5, NW.
19 Si mund t’ia mbajmë barrën njëri-tjetrit dhe në të njëjtën kohë të mbajmë edhe ngarkesën tonë? Përgjigjja ndodhet në ndryshimin e domethënies mes termit grek të përkthyer «barrë» dhe atij të përkthyer «ngarkesë». Nëse një i krishterë ndodhet në një vështirësi frymore shumë të rëndë për të, pleqtë dhe bashkëbesimtarët e tjerë do ta mbështesin, duke e ndihmuar kështu për të mbajtur «barrën» e tij. Megjithatë, pritet që vetë individi të mbajë «ngarkesën» e tij të përgjegjësive në lidhje me Perëndinë.a Pleqtë janë të gëzuar të mbajnë «barrën» e vëllezërve të tyre nëpërmjet inkurajimit, këshillave biblike dhe lutjeve. Por pleqtë nuk mund të na heqin «ngarkesën» tonë personale të përgjegjësive frymore.—Romakëve 15:1.
20. Përse nuk duhet ta lëmë pas dore lutjen?
20 Lutja është e domosdoshme dhe nuk duhet lënë pas dore. Por shumë të krishterë të sëmurë frymësisht e kanë të vështirë të luten. Për ç’qëllim pleqtë bëjnë lutje besimi në favor të atij që është i sëmurë frymësisht? «Jehovai do ta ngrejë» nga shkurajimi në të cilin ndodhet dhe do ta forcojë që të ecë sipas së vërtetës dhe drejtësisë. I krishteri frymësisht i sëmurë mund të ketë një sjellje të gabuar edhe pse nuk ka bërë ndonjë mëkat të rëndë, sepse Jakovi thotë: «Dhe nëse ka bërë mëkate, do t’i falen.» Ndonjëherë, këshillat biblike të pleqve, të shoqëruara nga lutja e zjarrtë, e shtyjnë personin e dobët frymësisht të rrëfejë mëkatet e rënda që mund të ketë bërë dhe të manifestojë një frymë pendimi. Nga ana e vet kjo çon në marrjen e faljes nga Perëndia.—Jakovit 5:15, 16, NW.
21. (a) Përse disa të krishterë ngurrojnë të thërrasin pleqtë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin e ardhshëm?
21 Pleqtë e ndërgjegjshëm, të ballafaquar me sfidën që të kujdesen për numrin e madh të të rinjve që vijnë në kongregacionin e krishterë, kanë shumë për të bërë që të sigurojnë një mbikëqyrje të përshtatshme. Këto dhurata në njerëz janë me të vërtetë një masë e shkëlqyer që ka marrë Jehovai për të na ndihmuar që të qëndrojmë në këto kohë të vështira. Megjithatë, disa të krishterë ngurrojnë t’i kërkojnë ndihmë pleqve, duke menduar se janë shumë të zënë ose të mbingarkuar me probleme. Artikulli i ardhshëm do të na ndihmojë të kuptojmë se këta burra janë të lumtur për të na mbështetur, sepse vullnetarisht kryejnë shërbim si nënbarinj të kongregacionit të krishterë.
[Shënimi]
a Një udhëzues i greqishtes së Besëlidhjes së Re e përkufizon termin fortion «një ngarkesë që duhet mbajtur» dhe shton: «Përdorej në ushtri për të treguar çantën e shpinës ose pajimet e ushtarit.»—Fritz Reinecker, A Linguistic Key to the Greek New Testament.
Pyetjet për përsëritje
◻ Çfarë ndihme të trefishtë na siguron Jehovai kur kemi nevojë?
◻ Cilët janë sot dhuratat në njerëz?
◻ Kur duhet t’i thërrasim pleqtë?
◻ Çfarë ndihme mund të presim nga pleqtë e krishterë?
[Figura në faqen 26]
A i vlerëson dobitë frymore që mund të merren nga lutja, studimi i Biblës dhe ndihma e pleqve të krishterë?