Libri biblik numër 49—Efesianëve
Shkrimtari: Pavli
Vendi ku u shkrua: Romë
Shkrimi përfundoi: rr. 60 të e.s.–61 të e.s.
1. Kur dhe në cilat rrethana e shkroi Pavli letrën drejtuar Efesianëve?
PËRFYTYROJE veten sikur je në burg. Gjendesh atje për shkak se përndiqesh për aktivitetin tënd të zellshëm si misionar i krishterë. Çfarë do të bësh tani që s’mund të udhëtosh e të vizitosh më kongregacionet për t’i forcuar? A s’mund t’u shkruash letra atyre që janë bërë të krishterë falë veprës tënde të predikimit? Mos ndoshta ata duan të dinë si je dhe kanë nevojë për inkurajim? Patjetër që po. Kështu, nis të shkruash. E pra, po bën tamam siç bëri apostulli Pavël kur u burgos në Romë për herë të parë, rreth vitit 59-61 të e.s. Ai i ishte apeluar Cezarit, dhe megjithëse ishte në pritje të procesit e mbahej me roje, ishte i lirë të bënte disa aktivitete. Pavli e shkroi letrën drejtuar Efesianëve kur ishte në Romë, ndoshta në vitin 60 ose 61 të e.s., dhe e nisi me anë të Tikikut, që shoqërohej nga Onesimi.—Efes. 6:21; Kolos. 4:7-9.
2, 3. Ç’vërteton me siguri se shkrimtari i Efesianëve ishte Pavli dhe, në të njëjtën kohë, se letra bën pjesë në kanunin biblik?
2 Pavli identifikohet si shkrimtari i kësaj letre që në fjalën e parë dhe katër herë i referohet vetes ose lë të kuptohet se është ai kur thotë «i burgosuri në Zotërinë». (Efes. 1:1; 3:1, 13; 4:1; 6:20) Argumentet që kundërshtojnë se shkrimtari është Pavli, kanë dalë pa bazë. Papirusi Çestër Biti nr. 2 (P46), që besohet se daton rreth vitit 200 të e.s., ka 86 fletë të një kodiku që përmban letrat e Pavlit. Mes tyre është edhe letra drejtuar Efesianëve, që tregon se në atë kohë ajo renditej mes letrave të tij.
3 Shkrimtarët e hershëm fetarë vërtetojnë se këtë letër e shkroi Pavli dhe se me të drejtë titullohej «Letra drejtuar Efesianëve». Për shembull, Ireneu, i shekullit të dytë të e.s., citoi Efesianëve 5:30, duke thënë: «Siç thotë edhe i lumi Pavël në letrën drejtuar Efesianëve, ne jemi gjymtyrë të trupit të tij.» Klementi i Aleksandrisë, bashkëkohës i Ireneut, citoi Efesianëve 5:21, duke thënë: «Prandaj, edhe në letrën drejtuar Efesianëve ai shkruan: jini të nënshtruar ndaj njëri-tjetrit në frikën e Perëndisë.» Origjeni, autor i gjysmës së parë të shekullit të tretë të e.s., citoi Efesianëve 1:4, duke thënë: «Edhe apostulli në letrën drejtuar Efesianëve përdor të njëjtën gjuhë kur thotë: na zgjodhi përpara themelimit të botës.»a Eusebi, një tjetër autoritet në fushën e historisë së krishterimit të hershëm (rr. 260–rr. 340 të e.s.), e përfshin Efesianëve në kanunin biblik dhe shumica e shkrimtarëve të tjerë të hershëm i referohen Efesianëve si pjesë e Shkrimeve të frymëzuara.b
4. Ç’i ka bërë disa të besojnë se letra drejtuar Efesianëve i ishte drejtuar dikujt tjetër, por cila provë tregon se destinacioni ishte Efesi?
4 Në papirusin Çestër Biti, në dorëshkrimin Vatikan nr. 1209 dhe në dorëshkrimin Sinaitik nuk gjendet shprehja «në Efes» e vargut 1 të kapitullit 1, pra, nuk tregojnë destinacionin e letrës. Ky fakt, si dhe mospërmendja e përshëndetjeve drejtuar individëve të veçantë në Efes (megjithëse Pavli kishte punuar atje tre vjet), ka bërë që disa të besojnë se letra mund të jetë drejtuar diku tjetër ose që të paktën mund të ketë qenë një qarkore drejtuar kongregacioneve të Azisë së Vogël, ku përfshihej edhe Efesi. Megjithatë, shumica e dorëshkrimeve të tjera e përfshijnë shprehjen «në Efes», dhe siç kemi vënë re më parë, shkrimtarët e hershëm fetarë e pranuan si një letër drejtuar efesianëve.
5. Për çfarë shquhej Efesi në ditët e Pavlit?
5 Disa të dhëna për mjedisin rrethues do të na ndihmojnë të kuptojmë qëllimin e kësaj letre. Në shekullin e parë të erës sonë, Efesi shquhej si një vend ku praktikohej shtrigëria, magjia, astrologjia dhe adhurimi i Artemisës, perëndeshës së pjellorisë.c Rreth statujës së perëndeshës ishte ngritur një tempull madhështor që konsiderohej si një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë. Gërmimet e bëra në shekullin e 19-të, tregojnë se tempulli ishte ndërtuar mbi një bazament rreth 127 metra të gjatë dhe 73 metra të gjerë. Vetë tempulli ishte rreth 105 metra i gjatë dhe 50 metra i gjerë. Kishte 100 kolona mermeri, secila rreth 17 metra e lartë. Çatia ishte mbuluar me pllaka të mëdha mermeri të bardhë. Thuhet se për të lidhur blloqet e mermerit, në vend të llaçit duket se ishte përdorur ar. Tempulli tërhiqte turistë nga e gjithë bota, dhe qindra mijë vizitorë dyndeshin në qytet gjatë festave. Argjendarët e Efesit kishin një biznes që u sillte shumë fitime. Ata u shitnin si suvenirë pelegrinëve faltore të vogla të Artemisës të derdhura në argjend.
6. Sa i ngjeshur ishte aktiviteti i Pavlit në Efes?
6 Pavli ishte ndalur për një vizitë të shkurtër predikimi në Efes gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar dhe kishte lënë atje Akuilën me Prishilën për të vazhduar veprën. (Vep. 18:18-21) U kthye atje edhe një herë gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar dhe qëndroi rreth tre vjet, duke predikuar dhe duke u mësuar shumë njerëzve «Udhën». (Vep. 19:8-10; 20:31) Pavli punoi pa u lodhur gjatë kohës që qëndroi në Efes. Një autor thotë për të: «Pavli e kishte zakon të ushtronte zanatin e tij nga agimi deri në 11 paradite (Vep. 20:34, 35), kur Tirani mbaronte mësimin. Pastaj, nga ora 11 paradite deri në 4 pasdite predikonte në sallë, mbante konferenca me ndihmësit, . . . dhe në fund, nga ora 4 e pasdites deri natën vonë, bënte fushatë ungjillëzuese shtëpi më shtëpi. (Vep. 20:20, 21, 31) Dikush mund të pyesë se kur hante e flinte Pavli.»—Daily Life in Bible Times, nga Albert Eduard Bejli, 1943, faqja 308.
7. Çfarë ngjalli predikimi i zellshëm i Pavlit?
7 Gjatë këtij predikimi të zellshëm, Pavli dënoi përdorimin e shëmbëlltyrave në adhurim. Kjo ngjalli zemërimin e atyre që i bënin dhe i shitnin, si argjendari me emrin Dhimitër, dhe për shkak të trazirës, Pavlit në fund iu desh të ikte nga qyteti.—Vep. 19:23–20:1.
8. Në cilat aspekte letra e Pavlit drejtuar Efesianëve ishte vërtet në kohën e duhur?
8 Tani, gjatë kohës që është në burg, Pavli mendon për problemet që has kongregacioni i Efesit, që rrethohet nga adhuruesit e rremë dhe gjendet nën hijen e tempullit pamjerëndë të Artemisës. Këta të krishterë të mirosur pa dyshim kishin nevojë për ilustrimin e përshtatshëm që u bën Pavli, për të treguar se janë «një tempull i shenjtë» ku Jehovai banon me anë të frymës së tij. (Efes. 2:21) ‘Sekreti i shenjtë’ që iu zbulua efesianëve për administrimin e Perëndisë, (mënyra se si i drejton ai çështjet e shtëpisë së tij), nëpërmjet të cilit ai do të rivendoste unitetin dhe paqen me anë të Jezu Krishtit, pa dyshim ishte një nxitje dhe ngushëllim i madh për ta. (1:9, 10) Pavli e vë theksin te uniteti në Krishtin mes judenjve dhe jojudenjve. Ai u bën thirrje të jenë të gjithë një e në unitet. Tani mund ta kuptojmë qëllimin dhe vlerën e këtij libri, dhe se duket qartë që është i frymëzuar.
PËRMBAJTJA E EFESIANËVE
9. Si e ka treguar me bollëk Perëndia dashurinë e tij dhe për çfarë lutet Pavli?
9 Qëllimi i Perëndisë për të sjellë unitet me anë të Krishtit (1:1–2:22). Apostulli Pavël u dërgon përshëndetje. Perëndia duhet bekuar për dashamirësinë e tij të pamerituar e të lavdishme. Kjo sepse ai i zgjodhi të jenë në unitet me Jezu Krishtin përmes të cilit ata kanë çlirimin falë shpërblesës, me anë të gjakut të tij. Veç kësaj, Perëndia ua ka treguar dashurinë e tij me bollëk, duke u bërë të njohur sekretin e shenjtë të vullnetit të tij. Sepse ai ka si qëllim një administrim, ‘të mbledhë përsëri të gjitha gjërat së bashku në Krishtin’, në unitet me të cilin u caktuan edhe trashëgimtarë. (1:10) Si kapar për këtë, ata janë vulosur me frymën e shenjtë. Pavli lutet që ata të jenë të bindur në mënyrë të patundur për shpresën në të cilën janë thirrur dhe të kuptojnë se Perëndia do të përdorë për ta të njëjtën fuqi që përdori kur ringjalli Krishtin, kur e vuri shumë më lart se çdo qeveri e autoritet dhe kur e bëri Krye mbi gjithçka në kongregacion.
10. Si janë bërë efesianët «bashkëqytetarë të të shenjtëve»?
10 Perëndia, nga pasuria e mëshirës së tij dhe dashurisë së tij të madhe, u dha jetë, megjithëse ishin të vdekur për shkak të shkeljeve e mëkateve, dhe i ka ulur së bashku «në vendet qiellore në unitet me Krishtin Jezu». (2:6) Kjo është vetëm falë dashamirësisë së pamerituar e besimit, jo falë veprave që bëjnë. Krishti është paqja e tyre që shkatërroi murin, Ligjin e urdhërimeve, që i ndante judenjtë nga jojudenjtë. Nëpërmjet Krishtit të dy popujt kanë mundësi t’i afrohen Atit. Prandaj, efesianët nuk janë më të ardhur, por «bashkëqytetarë të të shenjtëve» dhe po rriten në një tempull të shenjtë, ku Jehovai banon me anë të frymës.—2:19.
11. Çfarë është ‘sekreti i shenjtë’ dhe çfarë kërkon në lutje Pavli për efesianët?
11 ‘Sekreti i shenjtë i Krishtit’ (3:1-21). Tani Perëndia u ka zbuluar apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve «sekretin e shenjtë të Krishtit . . . që njerëzit e kombeve duhej të ishin bashkëtrashëgimtarë e gjymtyrë të të njëjtit trup dhe pjesëmarrës me ne të premtimit në unitet me Krishtin Jezu me anë të lajmit të mirë». (3:4, 6) Falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, Pavli është bërë shërbëtor i këtij sekreti, për të shpallur pasurinë e papërshkrueshme të Krishtit dhe për t’i bërë njerëzit të shohin se si është administruar ky sekret i shenjtë. Mençuria mjaft e larmishme e Perëndisë është bërë e njohur nëpërmjet kongregacionit. Prandaj Pavli lutet që ata të bëhen të fuqishëm me fuqinë që vjen nga fryma e Perëndisë, me qëllim që të njohin plotësisht dashurinë e Krishtit, e cila tejkalon njohurinë, dhe të kuptojnë se Perëndia mund «të bëjë shumë më tepër nga sa kërkojmë ose konceptojmë ne».—3:20.
12. (a) Si duhet të ecin të krishterët dhe pse? (b) Ç’dhurata ka dhënë Krishti dhe për ç’qëllim? (c) Çfarë përfshin veshja e ‘personalitetit të ri’?
12 Veshja e ‘personalitetit të ri’ (4:1–5:20). Të krishterët duhet të ecin denjësisht për thirrjen e tyre, me përulësi mendjeje, me shpirtgjerësi e dashuri dhe në lidhjen e paqes. Sepse ka veç një frymë të vetme, një shpresë të vetme, një besim të vetëm dhe «një Perëndi të vetëm e Atë të të gjithë njerëzve, i cili është mbi të gjithë, për të gjithë dhe në të gjithë». (4:6) Prandaj Krishti, ‘Zotëria i vetëm’, ka dhënë profetë, ungjillëzues, barinj e mësues, «për ndreqjen e të shenjtëve, për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit». Kështu Pavli shkruan: «Duke thënë të vërtetën, le të rritemi me anë të dashurisë në të gjitha gjërat, në përputhje me atë që është kreu, Krishti», ashtu si trupi është i lidhur së bashku në mënyrë të harmonishme ku çdo gjymtyrë bashkëvepron. (4:5, 12, 15) Sjellja imorale, e padobishme dhe në padije e personalitetit të vjetër duhet flakur. Secili duhet të rinohet në forcën që vë në veprim mendjen e tij dhe ‘të veshë personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’. Përderisa i përkasin njëri-tjetrit, të gjithë të thonë të vërtetën, të largojnë zemërimin, të mos vjedhin, të mos u dalin nga goja thënie të kalbura, të heqin vrerin shpirtlig, që të mos e hidhërojnë frymën e shenjtë të Perëndisë. Përkundrazi, ‘të bëhen mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, ta falin njëri-tjetrin bujarisht, ashtu si edhe Perëndia i ka falur bujarisht nëpërmjet Krishtit’.—4:24, 32.
13. Çfarë duhet të bëjë një person për t’u bërë imitues i Perëndisë?
13 Të gjithë duhet të bëhen imitues të Perëndisë. Kurvëria, ndyrësia dhe lakmia as të mos përmenden ndër ta, sepse kush praktikon gjëra të tilla, s’ka trashëgimi në Mbretëri. Pavli i këshillon efesianët: «Vazhdoni të ecni si fëmijë të dritës.» «Vazhdoni të shikoni me kujdes» se si ecni, duke blerë kohën e duhur, «sepse ditët janë të liga». Ata duhet ‘të vazhdojnë të dallojnë se cili është vullneti i Jehovait’ dhe të flasin për lavdinë e Perëndisë me mirënjohje.—5:8, 15-17.
14. Cilat janë përgjegjësitë reciproke të burrave dhe grave?
14 Nënshtrimi i duhur; lufta e krishterë (5:21–6:24). Gratë duhet të jenë të nënshtruara ndaj burrave, ashtu si kongregacioni është i nënshtruar ndaj Krishtit; burrat duhet të vazhdojnë t’i duan gratë «ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin». Po ashtu, «gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj».—5:25, 33.
15. Ç’këshilla jep Pavli për fëmijët dhe prindërit, skllevërit dhe zotërinjtë, si dhe për armaturën e krishterë?
15 Fëmijët të jetojnë në unitet me prindërit, duke u bindur e duke pranuar disiplinën hyjnore. Edhe skllevërit e zotërinjtë duhet të sillen në mënyrën që i pëlqen Perëndisë, sepse Zotëria i të gjithëve «është në qiej, e tek ai, nuk ka anësi». Së fundi, të gjithë ‘të vazhdojnë të marrin fuqi në Zotërinë dhe në madhështinë e forcës së tij’, duke veshur armaturën e plotë të Perëndisë, që të jenë në gjendje të qëndrojnë të patundur kundër Djallit. Pavli thotë: «Mbi të gjitha, merrni mburojën e madhe të besimit», dhe «shpatën e frymës, që është fjala e Perëndisë». Vazhdoni të luteni dhe rrini zgjuar. Pavli u kërkon që të luten edhe për të, që ‘ta bëjë të njohur sekretin e shenjtë të lajmit të mirë’ me lirshmëri në të folur.—6:9, 10, 16, 17, 19.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
16. Cilat pyetje gjejnë përgjigje praktike në letrën drejtuar Efesianëve dhe çfarë thuhet për personalitetin që i pëlqen Perëndisë?
16 Fjalët e Pavlit drejtuar Efesianëve prekin gati çdo aspekt të jetës së krishterë. Duke marrë parasysh problemet angështuese dhe kriminalitetin që në ditët tona ka marrë dhenë, këshillat e shëndetshme e praktike të Pavlit janë vërtet të dobishme për ata që duan të bëjnë një jetë të perëndishme. Si duhet të sillen fëmijët me prindërit dhe prindërit me fëmijët? Cilat janë përgjegjësitë e burrit ndaj gruas dhe të gruas ndaj burrit? Çfarë duhet të bëjnë pjesëtarët e kongregacionit për të mbajtur unitetin në lidhje me dashurinë dhe pastërtinë e krishterë mes një bote të ligë? Këshillat e Pavlit prekin të gjitha këto pyetje, madje ai tregon çfarë përfshin veshja e personalitetit të ri të krishterë. Duke studiuar letrën drejtuar Efesianëve, të gjithë do të mund të kuptojmë më mirë se cili është personaliteti që i pëlqen Perëndisë dhe që është ‘krijuar sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’.—4:24-32; 6:1-4; 5:3-5, 15-20, 22-33.
17. Çfarë tregon letra drejtuar Efesianëve në lidhje me bashkëpunimin me masat që janë marrë brenda kongregacionit?
17 Gjithashtu, kjo letër tregon qëllimin e emërimeve dhe të caktimeve në kongregacion. Qëllimi është ‘ndreqja e të shenjtëve, vepra e shërbesës, ndërtimi i trupit të Krishtit’, për të arritur pjekurinë. Duke bashkëpunuar në mënyrë sa më të plotë me këto masa brenda kongregacionit, i krishteri mund ‘të rritet me anë të dashurisë në të gjitha gjërat, në përputhje me atë që është kreu, Krishti’.—4:12, 15.
18. Çfarë shpjegon qartë letra drejtuar Efesianëve lidhur me «sekretin e shenjtë» dhe tempullin frymor?
18 Kjo letër i solli shumë dobi kongregacionit të hershëm të Efesit për të kuptuar edhe më në hollësi «sekretin e shenjtë të Krishtit». Ajo bënte të qartë se bashkë me judenjtë besimtarë, ishin thirrur edhe «njerëzit e kombeve» që të quheshin «bashkëtrashëgimtarë e gjymtyrë të të njëjtit trup dhe pjesëmarrës . . . të premtimit në unitet me Krishtin Jezu me anë të lajmit të mirë». Muri ndarës, ‘Ligji i urdhërimeve’, që kishte mbajtur të ndarë judenjtë nga jojudenjtë, kishte rënë, e tani nëpërmjet gjakut të Krishtit, të gjithë ishin bërë bashkëqytetarë me të shenjtët dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë. Krejt ndryshe nga tempulli pagan i Artemisës, ata ishin ndërtuar së bashku në unitet me Krishtin Jezu, për të formuar një vend, ku Perëndia të banonte me anë të frymës, ‘një tempull të shenjtë për Jehovain’.—3:4, 6; 2:15, 21.
19. Cilën shpresë dhe inkurajim ka vazhduar të japë Efesianëve deri në ditët tona?
19 Në lidhje me «sekretin e shenjtë», Pavli foli edhe për ‘një administrim, domethënë mbledhjen përsëri së bashku në Krishtin të të gjitha gjërave, gjërave në qiej [ata që janë zgjedhur për të qenë në Mbretërinë qiellore] dhe gjërave në tokë [ata që do të jetojnë në tokë nën sundimin e Mbretërisë]’. Kjo nxjerr në pah qëllimin madhështor të Perëndisë për të rivendosur paqen dhe unitetin. Pavli lutet në lidhje me këtë për efesianët, të cilëve u janë ndriçuar sytë e zemrës, që të kuptojnë plotësisht shpresën në të cilën i ka thirrur Perëndia dhe të shohin «cila është pasuria e lavdishme, që ai e mban si një trashëgimi për të shenjtët». Këto fjalë duhet t’u kenë dhënë shumë zemër në lidhje me shpresën që kishin. Gjithashtu, letra e frymëzuar drejtuar Efesianëve ka vazhduar ta ndërtojë kongregacionin deri në ditët tona, që ‘në gjithçka të jemi të mbushur me gjithë plotësinë që jep Perëndia’.—1:9-11, 18; 3:19.
[Shënimet]
a Origin and History of the Books of the Bible, 1868, Kalvin Elis Stou, faqja 357.
b New Bible Dictionary, botimi i dytë, 1986, nën kujdesin e Xhejms Dikson Dagllasit, faqja 175.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 182, anglisht.